DREJT NJË BASHKIMI TË LUMTUR

Më në fund fati e kishte çuar Ebu Bekrin në Jemen. Atje ai takoi një plak i cili njihej për mençurinë dhe diturinë e tij rreth Teuratit dhe Inxhilit. Ashtu si të tjerët, edhe ai ishte në pritje të agimit të shumëpritur. Me të parë Ebu Bekrin plaku u ngazëllye dhe nisi të sillej në mënyrë të çuditshme. Fytyra i ishte zbehur dhe kishte ngrirë i tëri. Ndërsa e shihte Ebu Bekrin drejt në sy, kurioziteti po i shtohej dhe nuk mund të duronte pa e pyetur:

“Besoj se ti je nga populli i Haramit!”

Megjithëse nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë, plaku e kishte kuptuar se Ebu Bekri ishte nga Meka. Çfarë zgjuarsie ishte kjo? Plaku donte të konfirmonte parandjenjën e tij. Abdullahu i tha: “Po, unë jam nga populli i Haramit!”

Plaku mbeti i shokuar. Dukej se kishte përpara syve diçka që e priste prej shumë vitesh. Ai donte që biseda të vazhdonte, kështu e pyeti përsëri:

“E marr me mend se je edhe nga fisi Kurejsh!” Edhe një herë Ebu Bekri u përgjigj:

“Po, unë jam nga Kurejshët.”

Pyetjet e plakut nuk do të përfundonin me kaq. Ishte e qartë se akoma nuk kishte marrë informacionin që i duhej. Prandaj i bëri pyetjen e radhës:

“Allahu e di më mirë, por ndoshta ti je nga dega Taim e Kurejshëve?”

Lista e pyetjeve do të ishte e gjatë. Ebu Bekri e kuptoi se ky njeri donte të dinte gjithçka rreth tij. Plaku dukej si një fëmijë kureshtar që po i bënte pyetje intime një njeriu që sapo e kishte takuar. Mimika e tij tregonte një lloj hezitimi, por ai kishte për të bërë akoma edhe një lëvizje tjetër. Kështu i tha:

“Ka mbetur edhe një gjë që dua të di për ty.”

Ebu Bekri nuk po kuptonte asgjë. Pse ky burrë i vjetër po i bënte kaq shumë pyetje. Ata kurrë nuk ishin takuar më parë. Megjithatë Ebu Bekri nuk donte të tejkalonte kufijtë e respektit, prandaj i tha: “Çfarë do të dish më shumë?”

Vetëpërmbajtja e Ebu Bekrit e qetësoi plakun. Ai e kuptoi se kërkesat e tij nuk do të refuzoheshin. E mblodhi veten dhe i kërkoi Ebu Bekrit të ngrinte rrobën dhe t’i tregonte barkun. Ebu Bekri mendoi se kjo ishte paksa e tepërt. Ai ishte një njeri i turpshëm, prandaj pa hezituar i tha:

“Këtë nuk mund ta bëj!”

Si mund ta bënte një gjë të tillë? Ky burrë plak i panjohur i kishte bërë gjithë ato pyetje personale dhe tani po i kërkonte të ngrinte rrobën dhe t’i tregonte barkun.

Plaku u vu në siklet dhe u zhgënjye shumë nga shprehja në fytyrën e Ebu Bekrit. Ebu Bekri ishte njeri i ndjeshëm dhe nuk donte t’i thyente zemrën këtij burri të vjetër. Për një çast mendoi me vete se plaku do të kishte arsye të fortë përderisa kërkonte me ngulm diçka të tillë. Të thyente zemrën e një njeriu të tillë nuk i shkonte për shtat karakterit të Ebu Bekrit.

“Mirë,” i tha ai dhe vazhdoi: “Por do të më tregosh se për çfarë të duhet.”

Plaku u qetësua. Kjo ishte një mundësi që vinte një herë në jetë.

Çdo gjë u qartësua kur plaku filloi të shpjegojë arsyet që kishte:

Të dhëna autentike nga burime të sigurta më kanë mësuar se Profeti i Fundit do të dalë nga populli i Haramit. Ndjekësit e tij të parë do të jenë një djalë i ri dhe një burrë i pjekur. Djali i ri që do të qëndrojë pranë tij do të ketë virtyte të tilla si, bujari, kurajë, shkathtësi dhe sjellje fisnike. Për t’i ardhur në ndihmë Profetit ai do të zgjidhë probleme të vështira dhe do të jetë gati të sakrifikojë veten e tij.

Personi tjetër që do të jetë krah tij do të jetë një burrë i hollë me çehre të bardhë. Ai është një njeri i dashur me zemër të butë. Ai ka një nishan mbi kërthizë dhe një shenjë mbi gju. Nëse pranon kërkesën time, atëherë unë do të jem i sigurt për dyshimin tim. Megjithatë, nëse ti refuzon, parashikimi im do të mbetet i pakonfirmuar.

Tashmë, kurioziteti i Ebu Bekrit nuk ishte më i vogël se ai i plakut. Ai kishte mbetur pa fjalë. Në të vërtetë, ai kishte dëgjuar edhe më parë për Profetin e Fundit, por kurrë në kaq detaje. Plaku nuk po fliste vetëm për ardhjen e Profetit, por ai po përshkruante edhe karakteristikat e personave të parë që do ta rrethonin atë. Për më tepër, ai po pretendonte se Ebu Bekri do të ishte një ndër ta. Kurioziteti i tij kishte arritur kulmin. Për të shuar tashmë kuriozitetin e vet, ai duhet t’i tregonte plakut barkun.

Ngriti rrobën. Mbi kërthizën gjendej një nishan i zi. Plaku nuk po i besonte syve ndërsa shihte Abdullah ibn Osmanin. Me sytë të fiksuar tek nishani zuri të thërrasë me të madhe:

“Betohem në Zotin e Qabes, se ti je ai!”

Papritur në dhomë ra heshtja. Plaku ishte i zënë me mahnitjen e tij për konfirmimin e dyshimit që kishte pasur, ndërsa Ebu Bekri po ndjehej i turpëruar që karakteri i tij i virtytshëm ishte zbuluar. Fjalët e këtij burri të vjetër ishin pothuajse të ngjashme me ato të murgut gjatë rrugës për në Damask dhe priftit Bahira të Basrës. Ishte përsëri plaku që theu heshtjen:

“Dua të të paralajmëroj për një çështje, në mënyrë që të shmangesh prej saj!”

Sinqeriteti i bisedës kishte formuar një atmosferë të ngrohtë miqësore. Dukej sikur të dy e njihnin njëri tjetrin prej vitesh. Tashmë po fliste eksperienca dhe Ebu Bekri duhet të dëgjonte. Ai e pyeti:

“Për çfarë do të më paralajmërosh?” Plaku ishte tani më i qetë dhe iu përgjigj:

“Mos u dorëzo përpara joshjeve...”

Më pas duke shikuar thellë në sytë e Ebu Bekrit vazhdoi:

“Qëndro në rrugën e mesme të të drejtëve. Frikësoju Allahut dhe vlerësoji mirësitë që të janë dhuruar!”

Gjithsesi Ebu Bekri ishte në rrugën e drejtë tashmë. Ai kishte mësuar t’u shmangej joshjeve në moshë shumë të re dhe kishte jetuar një jetë të disiplinuar. Megjithatë, ky informacion i ri e këshillonte të ishte më i kujdesshëm që tani e tutje. Të ishe një shok i ngushtë i të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të!, ardhja e të cilit ishte parashikuar nga Profetët e mëparshëm dhe shumë dijetarë, nuk do të ishte e lehtë. Me sa duket, ky ishte një bekim i madh të cilin duhet ta merrte seriozisht. Duhet ta vlerësonte mirë dhe të ruhej me kujdes të madh. Një detyrë fisnike si kjo nuk mund të plotësohej në një ambient ku mbizotëronin joshjet dhe egoizmi.

Rruga e mesme ishte rruga e Profetëve dhe ata që qëndrojnë pranë tyre duhet qëndrojnë po në këtë rrugë. Në mënyrë urdhëruese ata duhet të kishin frikë Allahun në zemrat e tyre dhe të ishin të ndërgjegjshëm për mirësitë që u ishin dhuruar, përndryshe mund t’i humbnin me lehtësi. Ekzistonte gjithashtu mundësia që pozita dhe pasuria t’u ishin dhënë si sprovë për besnikërinë e tyre.

Më në fund takimi kishte përfunduar dhe Ebu Bekri u largua për punët e tij të tregtisë. Megjithëse kishte një mijë pyetje që i vinin ndërmend, po përpiqej me dëshpërim të sistemonte të gjithë informacionin që kishte dëgjuar. Diçka brenda tij i thoshte se duhet ta vizitonte përsëri plakun. Një mundësi e tillë nuk do t’i vinte më gjatë gjithë jetës. Pasi përfundoi punët e tregtisë, u kthye tek plaku për të cilin tashmë kishte respekt të veçantë. Plaku u gëzua pa masë kur e pa. Ai i tha:

“Kisha dëshirë të të jepja disa poezi që kam shkruar për Profetin e Shumëpritur.”

Ebu Bekri i mori poezitë dhe i vendosi përkrah atyre që kishte shkruar vetë. Sipas plakut, adresa e tyre ishte mëse e qartë. Ebu Bekri mblodhi të gjithë informacionin që kishte dëgjuar më parë dhe atë që plaku i kishte treguar. Ai e kuptoi që të gjitha rrugët të çonin drejt Mekës dhe të gjitha parashikimet tek shoku i tij i ngushtë, Muhamed Emini.

Në këtë moment nuk kishte njeri më të lumtur në botë sesa Ebu Bekri. Ky udhëtim në Jemen i kishte sjellë shumë më tepër përfitime nga ç’e kishte menduar.

Më në fund kishte ardhur koha për t’u kthyer në Mekë. Përgjatë udhëtimit, mendimet ishin trazuar nga tregimet e plakut nga Jemeni. Po priste me padurim që t’i tregonte çdo gjë Uaraka ibn Neufelit. Këto mendime kishin ndikuar edhe në ritmin e udhëtimit. Për Ebu Bekrin ky udhëtim nga Jemeni në Mekë nuk kishte qenë kurrë kaq i gjatë.

Ndërkohë në shpellën Hira, Muhamedi, shërbëtori i dashur i Allahut, pati një përjetim të papërshkrueshëm. Kishte ndodhur takimi i shumëpritur. Profeti i fundit i Allahut, që po pritej prej kaq kohësh, kishte ardhur. Muhamedi u kthye në Mekë bashkë me misionin e shenjtë të thirrjes së njerëzve në rrugën e drejtë. Ky mision ishte t’u përcillte njerëzimit mesazhin e sjellë nga Xhebraili, engjëlli i Shpalljes Hyjnore. Fatkeqësisht, reagimi i mekasve ndaj këtyre zhvillimeve të reja nuk ishte shumë mikpritës.

Ebu Bekri ishte vetëm disa orë larg Mekës e cila ishte tronditur nga lajmet e fundit. Në afërsi të saj ai vuri re një grup njerëzish të cilët dukeshin se po prisnin dikë. Ndërsa u afrua disi, vuri re se grupi përbëhej nga persona të parisë së Kurejshëve. Midis tyre kishte individë të njohur si, Ukbe ibn Ebi Muejt, Shejbe, Rabia, Ebu Xhehli dhe Ebu Bahtare. Kjo mbledhje nuk ishte shenjë e mirë. Kuptohej se diçka kishte ndodhur kur ai kishte qenë larg Mekës. Me kureshtje, Ebu Bekri pyeti:

“Çfarë paska ndodhur gjatë mungesës sime? A ka ndonjë zhvillim të ri?”

Të gjithë e kishin pritur këtë pyetje. Prandaj filluan të shpjegojnë çdo gjë me urrejtje dhe përbuzje:

“O Ebu Bekr ky lajm është i pabesueshëm! Jetimi i Ebu Talibit pretendon se është Profet. Nëse nuk do të kishte qenë për ty, do ta kishim hequr qafe tashmë. Megjithatë, ti je tani mes nesh dhe jemi të sigurt që do të gjesh një zgjidhje.”

Vërejtjet e tyre kishin dy mundësi kuptimi. Ndoshta ata po linin të kuptohej se ishte koha që Ebu Bekri të prishte lidhjet me këtë njeri që kishte filluar të sillej çuditshëm. Gjithashtu, ata mund të ishin duke nënkuptuar që Ebu Bekri të zbulonte se çfarë fshihej prapa sjelljes së shokut të tij të ngushtë.

Sidoqoftë, meqë kjo ishte një situatë e pazakontë, paria mekase besonte se ajo duhet të merrte një zgjidhje të menjëhershme. Sipas Ebu Bekrit ky ishte një zhvillim i parakohshëm. Papritur, çdo gjë që kishte dëgjuar dhe çdo njeri me të cilin kishte folur i kaluan para syve si një film i rrufeshëm. Fjalët e Zejd ibn Amrit, murgut të krishterë Bahira dhe të plakut të mençur nga Jemeni filluan të merrnin kuptim tani. Të gjitha të çonin tek një njeri.

Si mundej një burrë që nuk kishte thënë gënjyer kurrë në dyzet vite të jetës së tij, qoftë edhe për shaka, të thoshte gënjeshtra për Allahun? Ai ishte Muhamed Emini… Mund të thuhej pa hezitim se koha për të kishte ardhur.

Ebu Bekri e qetësoi turmën dhe u premtoi se do të merrej personalisht me çështjen. Ebu Bekri ishte njeri i respektuar midis tyre dhe ata kishin besim tek fjala e tij. Për këtë arsye kurejshët vendosën të mos ndërmerrnin asnjë veprim për momentin. Ndoshta donin të qëndronin larg një çështjeje që mund t’u shkaktonte konfuzion në mendje.

Ebu Bekri nuk kishte kohë për të humbur. Vendosi të takonte Uaraka ibn Neufelin. E përshkoi me vrap rrugën për tek shtëpia e Hatixhes. Fati e kishte shpënë në këtë rrugë dhe askush nuk mund ta ndalonte.

Pas pak u gjend përpara shtëpisë së Hatixhes. Trokiti në derë rrëmbimthi. Dera u hap nga ai njeri të cilin po kërkonte. Si mund të ekzistonte mashtrim në një fytyrë të tillë? Kureshtja e madhe po ia brente mendimet. Gjithsesi, duhet të ishte i sigurt. Fillimisht mbajti distancë ndërsa e pyeti:

“O Muhamed! A e ke hedhur poshtë fenë dhe traditën e të parëve tuaj?”

Muhamedi paqja qoftë mbi Të! dinte si t’i përgjigjej një njeriu që kishte qenë shoku i tij për shumë vite. Ai e njihte Ebu Bekrin më mirë se çdokush tjetër. Ai u përgjigj: “O Ebu Bekr, unë jam i Dërguari i Allahut!” Më pas vazhdoi:

“Allahu më ka dërguar për ju dhe për mbarë njerëzimin, dhe unë do të përcjell mesazhin e Tij. Unë ju ftoj për tek Ai! O Ebu Bekr, betohem në të Lartësuarin se unë po ju ftoj në të vetmin Zot të vërtetë. Ne nuk adhurojmë tjetër veç Tij. Eja dhe beso në Allahun Një!”

Ebu Bekri po e trajtonte çështjen me shumë delikatesë. Ai donte të ishte i sigurt, ndaj e pyeti:

“Cila është prova jote?”

I Dërguari Fisnik e kuptoi gjendjen e tij. Ai e dinte se Ebu Bekri donte një provë për të qenë i sigurt. Ndoshta i duhej një provë e mbinatyrshme. Iu përgjigj me qetësi:

“Plaku nga Jemeni.”

Ebu Bekri shtangu. Ndoshta ai kishte dëgjuar për udhëtimin në Jemen, por si mund ta dinte për plakun e mençur? Mos vallë ai e dinte për bisedën me plakun në Jemen? Sidoqoftë nuk e dha veten. I mblodhi forcat dhe i tha:

“Kam takuar shumë burra të vjetër në Jemen.”

Kjo ishte një përpjekje për të fituar kohë ndërsa i duhej të mendonte përsëri. Megjithatë, ai po fliste me një udhëzues të bekuar, i cili dinte si të maste pulsin e një njeriu. Profeti i nderuar donte ta zgjidhte çështjen sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe një herë ai i tha me siguri të plotë:

“Plaku që të dha poezitë!”

Kjo provë ishte mëse e mjaftueshme. Ebu Bekrin nuk po e mbanin gjunjët. Nuk kishte ç’të thoshte më tepër. Fjalët e vetme që i dolën ishin:

“Kush t’i tregoi këto mik i dashur?” I Dërguari fisnik u përgjigj: “Engjëlli që i ka ardhur edhe atyre përpara meje…”

Ebu Bekrit i kishte mbetur vetëm një gjë për të bërë. I mori dorën Profetit dhe me sinqeritet dhe dorëzim të plotë i tha:

“Më jep dorën se dua të të jap besën.”

Me një ton prekës të zërit, Ebu Bekri deklaroi dorëzimin e shpirtit të tij:

“Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.”

Vërtet që Ebu Bekri ishte dorëzuar! Ky ishte një dorëzim që nuk do të thyhej më kurrë. Ai u prek aq shumë saqë filloi të qajë me ngashërim si një fëmijë.

Këto ishin lot gëzimi dhe Ebu Bekri nuk ishte i vetmi që u përlot. Askush nuk mund të ishte më i lumtur se i Dërguari i Allahut. Pas Hatixhes, gruas së tij të dashur, shërbëtorit të devotshëm, Zejd ibn Harithit dhe djalit të xhaxhait Ali ibn Ebu Talibit, një shpirt i ri kishte përqafuar besimin.

Ebu Bekri kishte kohë që përgatitej për këtë moment. Pikërisht atë ditë ai mori një vendim aq shpejt dhe pa hezitim, saqë Profeti e përshkroi futjen e tij në Islam me admirim: “Përveç Ebu Bekrit, çdo njeri që kam ftuar në Islam ka pasur një periudhë mëdyshjeje. Ebu Bekri ishte ai që e pranoi ftesën time pa hezitimin më të vogël.”

Shënimet

  1. 20.Veçoritë e përshkruara këtu tregojnë për Ali ibn Ebu Talibin, i cili qëndroi pranë Profetit që nga dita e parë e profetësisë.
  2. 21.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 1/415.
  3. 22.Buhari, Sahih, 4/1701.