DUKE PËRDORUR POZITËN SHOQËRORE
Pas pranimit të Islamit, Ebu Bekri filloi të përdorte pozitën e tij shoqërore dhe marrëdhëniet e tij tregtare për të ftuar njerëzit në besim. Një numër i konsiderueshëm personash e njohën Islamin nëpërmjet Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të. Sa herë shkonte të vizitonte Profetin, merrte një shok me vete. Midis tyre kishte emra të rëndësishëm si, Osman ibn Afvan, Talha ibn Ubejdullah, Abdurrahman ibn Auf, Zubejr ibn Auam dhe Sa’d ibn Ebi Uakas. Secili nga këta personalitete të dalluar e gjeti të vërtetën nëpërmjet Ebu Bekrit.
Ndërsa vetë Ebu Bekri kishte gjetur paqe dhe strehim tek i Dërguari i Allahut. Për këtë arsye ai dëshironte ta ndante këtë qetësi shpirtërore me të tjerët. Ai ishte i gatshëm të përdorte të gjitha mjetet për ta arritur këtë. Për kauzën e shenjtë ai ishte gati të luftonte me jetën dhe pasurinë e tij. Ebu Bekri e dinte se jeta e sakrifikuar dhe pasuria e harxhuar në këtë rrugë do t’i sillte cilësi të përjetshme. Në thelb, besimi solli përgjegjësi në zemrat ku ishte futur. Prandaj, Ebu Bekri nuk do të ishte asnjëherë i kënaqur plotësisht derisa edhe të tjerët të përfitonin nga burimi i ushqimit të tij shpirtëror.
Si fillim ai përdori reputacionin dhe pozitën e tij shoqërore për të ftuar njerëzit në Islam. Individë si Bilali dhe Amari ishin të varfër, kështu që kurejshët nuk do t’u vinin veshin atyre. Ndërsa Ebu Bekri ishte një lider i respektuar. Ai ftoi si fillim në Islam personat e pasur dhe me pushtet në Mekë. Respekti i ndërsjellë që ekzistonte midis tyre nuk ishte thyer ende, kështu që Ebu Bekri po përdorte çdo mundësi për t’u folur atyre për Allahun dhe Profetin. Përpjekjet e tij dhanë frytet e para dhe pesë sahabë, të cilët do të ishin gjithashtu ndër dhjetë të përgëzuarit me Xhenet, pranuan Islamin. Ata ishin njerëz të rëndësishëm të cilët kishin mundësi të ndikonin qindra njerëz rreth tyre. Koha do ta tregonte se nëpërmjet Ebu Bekrit, Allahu do të çonte shumë persona tek i Dërguari i Tij i dashur. Këta individë do të ishin arkitektët shpirtërorë të së ardhmes.