USHTRIA E USAMES

Ebu Bekri u zgjodh të ishte Kalifi i ri, por ushtria priste tashmë prej disa kohësh urdhrat e tij. Kjo ushtri ishte përgatitur nga vetë Profeti i Allahut gjatë kohës kur ishte ende gjallë. Ai kishte zgjedhur Usamen si komandant të kësaj ushtrie të madhe. Në atë kohë, Usame ishte vetëm 28 vjeç. Ishte e qartë se Profeti dëshironte ta çonte në të katër anët e botës flamurin e Allahut, pavarësisht se së shpejti ai vetë do t’i jepte lamtumirën kësaj bote. Kjo ishte një lutje veprimore e bërë nga Profeti, i cili dëshironte ta përhapte fenë e Allahut në çdo vend ku lindte Dielli. Emri i zgjedhur për këtë mision tregonte se ky synim i shenjtë mund të arrihej vetëm nëpërmjet një njeriu me shpirt të guximshëm si Usame.

Misioni i kësaj ushtrie ishte i qartë. Ata do të marshonin drejt atyre që kishin vrarë të atin e Usames, Zejdin, në betejën e Mu’tes.

Disa njerëz iu drejtuan Ebu Bekrit duke i thënë se ekspedita ushtarake duhet të shtyhej sepse njerëzit ishin akoma në zi për vdekjen e Profetit. Disa thonin se ushtria duhet të qëndronte në Medinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Kishte madje edhe nga ata që grindeshin sepse Usame ishte shumë i ri dhe se ai ishte i biri i një skllavi të liruar.112

Por Ebu Bekri nuk mund të prapësonte me vullnetin e tij një ushtri të përgatitur nga vetë i Dërguari i Allahut. Pasi i uli të gjithë, ai i tha:

“Hapini rrugë ushtrisë së Usames! Betohem për Allah, se edhe nëse do të më sulmonin ujqërit dhe të më shqyenin, përsëri do ta përcillja këtë ushtri. Unë nuk do të mund të thyeja urdhrin e dhënë nga Profeti i Allahut!

Në të vërtetë, ushtria që ishte përgatitur nga Profeti duhet të nisej dhe dëshira e Profetit duhet të përmbushej.

Ata kishin bindur Omerin dhe duke përdorur influencën e tij, donin të shprehnin pakënaqësinë në lidhje me Usamen. Sipas tyre, Usame ishte shumë i ri dhe pa përvojë. Midis ushtarëve kishte Sahabë të vjetër të cilët kishin më shumë përvojë si komandantë. Omeri nuk kishte përfunduar akoma fjalinë kur Ebu Bekri, si gjithmonë i qetë dhe i matur, ndërhyri si një luan i egërsuar. Ai e kapi Omerin nga mjekra dhe i bërtiti:

“Turp të kesh o bir i Hatabit! Si më kërkon të zëvendësoj dikë që vetë i Dërguari i Allahut e ka caktuar në atë detyrë?”

Omerit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të heshtte. Vendosmëria e Ebu Bekrit kishte mbyllur një tjetër derë që mund të çonte në konflikte.

Usame me ushtrinë e tij nisën marshimin nga Medina. Ebu Bekri ecte në këmbë ndërsa i përcillte ata. Djaloshi Usame që qëndronte mbi kalë po përjetonte ankth dhe turp njëkohësisht, sepse Kalifi i myslimanëve ecte në këmbë krah tij. Ai i tha Ebu Bekrit të hipte mbi kalin e tij, por Ebu Bekri refuzoi duke bërë me dorë:

“Për Allah, as ti nuk do të zbresësh, as unë nuk do të hipi në kalin tënd. Më lër që këmbët e mia të pluhurosen në rrugën e Allahut, të paktën për pak kohë.”

Me siguri, nëse Ebu Bekri nuk do të kishte mbi shpatulla një detyrë të rëndë si ajo e Kalifit, patjetër që do të ishte edhe ai në radhët e ushtrisë së Usames. Detyra që kishte nuk e linte të bashkohej me ushtrinë, kështu që të paktën do të tregonte se zemra e tij ishte me ta. Ndoshta ecja për pak kohë në krah të ushtarëve do ta ngushëllonte sadopak shpirtin e Ebu Bekrit.

Kalifi kishte një kërkesë të vogël për komandantin. Ai i kërkoi leje të mbante në Medinë Omerin. Kishte nevojë për ndihmën dhe mbështetjen e Omerit.

“Nëse nuk ka problem, doja që Omeri të qëndronte me mua në Medinë, për ta pasur si mbështetës. Në situatën ku ndodhemi, e shikoj me vlerë që ta kem pranë Omerin.”

Faktikisht, Ebu Bekri ishte kalifi i të gjithë myslimanëve, njëherazi edhe i komandantit të ushtrisë. Ai mund ta merrte këtë vendim pa pyetur askënd. Por, edhe në një situatë të tillë të vështirë, ai kërkoi leje nga komandanti riosh që të mbante Omerin në Medinë. Për më tepër, e kishte bërë këtë me sinqeritetin më të madh. Ishte e qartë se nëse Usame do të kishte refuzuar, atëherë Omeri do të shkonte me të.

Megjithatë, Usame ishte rritur në një shtëpi ku mbizotëronte paqja. Ai ra dakord me kërkesën e Kalifit dhe veproi ashtu, me modesti.

Koha e nisjes kishte arritur. Sidoqoftë, ushtarët kishin pritshmëri nga Kalifi. Ata donin këshilla dhe udhëzime në lidhje me strategjinë dhe objektivat e luftës. Ebu Bekri heshti për pak minuta dhe më pas vijoi:

“O njerëz! Qëndroni në vendet tuaja dhe dëgjoni këto 10 këshilla:

Mos tradhtoni.

Mos mashtroni askënd.

Mos trajtoni askënd me padrejtësi.

Respektoni të vdekurit dhe mos përdhosni kufomat e tyre.

Mos vrisni gratë, fëmijët apo pleqtë.

Mos shkatërroni të mbjellat.

Mos vrisni bagëti apo deve, përveç se kur ju duhen për ushqim.

Nëse hasni njerëz të përkushtuar pas adhurimit dhe lutjes, lërini të qetë dhe mos i ngacmoni ata.

Gjithashtu mund të hasni njerëz që do t’ju ofrojnë ushqim dhe pije me enë të ndryshme; mos hani apo pini pa përmendur emrin e Allahut më parë.

Do të hasni njerëz të cilët duken sikur janë në anën tuaj, por ata do të përpiqen të gjejnë mënyra për t’ju mposhtur dhe planifikojnë shkatërrimin tuaj. Këta janë njerëzit të cilët duhet t’i luftoni deri në fund!”

Ebu Bekri kishte përfunduar porositë dhe ishte kthyer për t’i dhënë lamtumirën. Në fillim i tha: “Nisuni dhe fillojeni udhëtimin me emrin e Allahut!” Pastaj i sugjeroi këtë lutje: “Allahu ju ruajttë nga tirania e armikut dhe nga murtaja!”116

Ky ishte ndryshimi midis një njeriu normal dhe një njeriu të edukuar pranë Profetit. Edhe në luftë kishte caktuar rregulla njerëzore. Njeriu duhet të trajtohej si njeri edhe në kushte të tilla, dhe këto rregulla ishin vendosur nga ligjet hyjnore, dhe jo nga ndjenjat njerëzore si urrejtja, armiqësia dhe egoizmi. Sot, ata që ndjekin parimet e humanizmit modern, duhet të kuptojnë se sa larg janë nga horizonti i Ebu Bekrit. Si përfundim, Ebu Bekri i dha lamtumirën ushtrisë dhe u kthye në Medinë për t’u përballur me konfliktet që kishin rrëqethur Hixhazin.

116 Po aty.

Shënimet

  1. 103.Taberi, Tarih, 2/246. 112 Po aty.
  2. 104.Po aty.
  3. 105.Po aty.
  4. 106.Po aty.