SHENJAT E PARA TË LARGIMIT
Thellësia e zgjuarsisë, shkathtësia dhe mendjemprehtësia e tij ishin në një shkallë të paarritshme. Që në fjalët e para, ai e kuptonte të tërë fjalinë dhe se ç’qëllim kishte ajo. Kur dita e largimit ishte afruar, Profeti Fisnik tha një predikim:
“Allahu e la të zgjedhë shërbëtorin e vet, midis kësaj bote dhe asaj e cila është tek Allahu, dhe shërbëtori zgjodhi këtë të fundit.”
Ndoshta askush nuk e kuptoi se ç’donte të thoshte Profeti me këto fjalë, ndërsa Ebu Bekri mbuloi fytyrën me të dyja duart dhe qau me zë të lartë. Ata që e panë atë nuk mund ta kuptonin përse Ebu Bekri reagoi aq fort ndaj një pohimi të tillë. Të paqartë, ata pyesnin përse ai qante. Sipas Ebu Bekrit, personi të cilit i ishte kërkuar të bënte zgjedhjen, nuk ishte tjetër veçse vetë Profeti. Fjalët dëshmonin se ndarja tashmë ishte e afërt. Mendimi i largimit të Profetit pas kaq vitesh së bashku, kishte prekur një pjesë tepër delikate të zemrës së Ebu Bekrit. Ai nuk mund ta ndalonte të qarën.
Edhe një herë tjetër, ishte Profeti Fisnik i cili duhet të ngushëllonte Ebu Bekrin. Profeti e dinte se Ebu Bekri e kishte kuptuar domethënien e fjalëve të tij. Ai tha: “Mos qaj o Ebu Bekr… mos qaj.” Pastaj, me zë më të lartë, Profeti tha se kur bëhet fjalë për pasurinë dhe miqësinë, Ebu Bekri është më i besueshmi prej të gjithë njerëzve, dhe nëse do t’i duhej që të zgjidhte një mik të vërtetë, do ta deklaronte Ebu Bekrin si “Halil” (miku i sinqertë). Që nga ky moment fillon vëllazëria dhe dashuria në Islam. Mbyllini të gjitha dyert që hapen në Xhami, derën e Ebu Bekrit lëreni të hapur.Vlera e Ebu Bekrit përkrah Profetit ishte kaq e madhe, sa edhe kur Profeti paralajmëroi largimin e tij nga kjo botë, ai ngushëlloi Ebu Bekrin i cili u brengos nga ky lajm. Për më tepër, Profeti e lavdëroi dhe e komplimentoi atë duke deklaruar se të gjitha dyert do të mbylleshin, përveç asaj të Ebu Bekrit. Ishte e qartë se atmosfera shpirtërore në shtëpinë e Ebu Bekrit nuk ishte e ndryshme nga ajo në xhami.
Shënimet
- 68.Buhari, Sahih, 1/77.