FUNHASI DHE EBU BEKRI

Ftesa e njerëzve në Islam ishte një detyrë e vazhdueshme për të gjithë myslimanët. Natyrisht edhe Ebu Bekri vazhdonte të përçonte mesazhin në Medinë. Ai takohej me shumë njerëz dhe secilit i fliste për bukurinë e besimit të cilin e ndjente thellë në zemër.

Rastësisht Ebu Bekri takoi një burrë të quajtur Funhas. Ky person kishte njohuri të mira të shkrimeve të shenjta. Ai ishte një dijetar që u tregonte histori nga Teurati fëmijëve në Sinagogë. Funhasi edukonte fëmijët në mënyrë që ata të bëheshin dijetarë të së ardhmes. Nëse ky njeri do të pranonte Islamin, shumë njerëz të cilët e respektonin do të ndikoheshin prej tij për të pranuar Profetin e Fundit. Një ditë, Ebu Bekri shkoi për ta takuar dhe filloi t’i fliste për themelet e besimit. Ai u përqendrua në jetën pas vdekjes dhe theksoi pasojat e fshehjes së të vërtetës. Pas një diskutimi të gjatë, Ebu Bekri i tha:

“Turp të kesh o Funhas! Ki frikë Allahun dhe eja në Islam. Ti e di shumë mirë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo është shumë e qartë në Bibël dhe në Teurat.”

Funhasi nuk kishte ndërmend të dorëzohej para Ebu Bekrit. Zuri të tallej me gjërat më të rëndësishme të besimit të Ebu Bekrit.

“O Ebu Bekr, ne nuk kemi nevojë për Allahun. Allahu ka nevojë për ne. Ai kërkon nga ne më shumë sesa ne kërkojmë prej Tij. Ne jemi më të pasur se Ai. Nëse Allahu do të ishte më i pasur, nuk do të kërkonte pjesë nga pasuria jonë, siç thotë mësuesi yt. Ai e ka ndaluar për ju kamatën, por ne na e ka lejuar. Po të kishte qenë më i pasur se ne, nuk do të na e kishte lejuar edhe neve.”

Ebu Bekri ishte njeri me sedër dhe nuk mund të lejonte një ofendim të tillë ndaj Zotit të tij. Funhasi me anë të një loje fjalësh manipuluese po përpiqej ta paraqiste qymyrin si diamant. Për më tepër gjuha e përdorur ishte fyese. Përpara se të përfundonte fjalinë, Ebu Bekri e zuri për fyti. Kjo ishte diçka që nuk e priste. Pastaj Ebu Bekri i tha me zë kërcënues:

“O armik i Allahut! Betohem në të Gjithëfuqishmin që ka në dorë shpirtin tim, se do të ta kisha këputur kokën tani sikur të mos kishim një marrëveshje mes nesh.”

Ebu Bekri ishte një njeri i sjellshëm e i edukuar, dhe kjo sjellje ishte e pazakontë për të. Megjithatë, kur bëhej fjalë për cenimin e emrit të Allahut dhe Profetit, ai ishte i patrembur dhe nuk kishte shok në trimëri.

Funhasi kishte mbetur i fyer për shkak të vetë sjelljes së tij të pahijshme. Me shpejtësi shkoi tek Profeti për t’u ankuar për Ebu Bekrin. Sjellja e tij arrogante ishte e dukshme. Sidoqoftë dukej se ai nuk e kishte nxjerrë mësimin akoma, sepse gjatë gjithë kohës përpiqej t’ia hidhte fajin Ebu Bekrit për incidentin. Funhasi nuk tha asgjë për fyerjet që kishte bërë. Profeti fisnik thirri Ebu Bekrin dhe e pyeti përse kishte vepruar në atë mënyrë. Ebu Bekri u turpërua, por duhet të tregonte fytyrën e vërtetë të këtij njeriu. Funhasi po ankohej për një njeri të cilin e kishte ofenduar. Normalisht, Ebu Bekri nuk ishte nga ata që justifikonte veprimet e veta përpara të tjerëve. Por, kësaj here duhet të tregonte çdo gjë ashtu siç kishte ndodhur. Prandaj filloi të shpjegonte:

“O i Dërguar fisnik i Allahut! Ky njeri është armik i Allahut. Ai ka bërë një mëkat të madh. Ai tha gjëra të shëmtuara për Allahun e Plotfuqishëm. Ai tha se Allahu është i varfër dhe se ata janë më të pasur se Ai. Nuk munda ta përmbaj veten, dhe e godita për hir të Allahut.”

Funhasin e zuri paniku kur dëgjoi çdo gjë ashtu siç ishte në të vërtetë. Zgjidhja e tij ishte të mohonte pretendimin e Ebu Bekrit.

“Unë nuk kam thënë asgjë nga këto!” u përgjigj.

Çfarë burri ishte ky? Po e akuzonte Ebu Bekrin për gënjeshtër. Ndoshta në momentin kur del e vërteta në shesh, nuk ka më kthim prapa.

Nuk zgjati shumë dhe zbritën ajetet kuranore që vërtetonin besnikërinë e Ebu Bekrit. Qiejt filluan të flasin dhe Xhebraili i solli shpalljen Hyjnore Profetit Muhamed. Vargjet kuranore përmendnin fjalët e thëna nga Funhasi dhe shpjeguan se të tillë njerëz hipokritë do të ndëshkoheshin në zjarrin e Xhehenemit.

Shënimet

  1. 54.Ibn Hisham, Siretu Nebeuije, 3/96-97.