BOJKOTI

Urrejtja e kurejshëve ndaj myslimanëve nuk kishte të sosur. Ajo rritej nga dita në ditë. Ata dërguan një lajmëtar në Abisini. Një grup burrash me dhurata të çmuara i kërkuan mbretit të Abisinisë t’ua dorëzonte emigrantët atyre. Kjo kërkesë nuk ishte pranuar dhe mbreti i kishte kthyer mbrapsht dhuratat. Kurejshët u kthyen në Mekë duarbosh. Për ta ky ishte një dështim i madh, sepse kjo do të thoshte se myslimanët kishin gjetur një vend ku mund të jetonin dhe të praktikonin të lirë fenë e tyre. Nga dita në ditë, autoriteti i kurejshëve po binte kundrejt myslimanëve. Të sulmoje dhe të ofendoje të varfrit dhe të dobëtit nuk do të ishte e lehtë tani.

Për më tepër, figura të rëndësishme si Hamzai dhe Omer ibn Hatabi kishin përqafuar Islamin. Liderët e Mekës u mblodhën në një takim urgjent për të gjetur një zgjidhje për situatën. Në fund ranë dakord të merrnin masa kufizuese ndaj besimtarëve. Do të ndërprisnin çdo lidhje familjare dhe tregtie me to. Edhe gjëra më të vogla si shitja e ushqimeve do të ndalohej. Myslimanët u shpërngulën nga Meka në një vend aty afër në shkretëtirë. Ata u lanë atje të vdisnin për 3 vjet të tërë.

Ebu Bekri ishte ndër ata që u nxorën nga Meka. Ebu Talibi me shpirtin e tij të dhembshur ia kishte mbushur mendjen që të qëndronin në një pronë të tijën në shkretëtirë. Myslimanët ngritën tenda me çfarë mund të gjenin dhe u përpoqën të mbijetonin në kushtet e vështira të shkretëtirës.

Këto vite dëshpërimi do të ishin një sprovë e madhe. Uria dhe epidemitë e sëmundjeve përfshinë të gjithë bashkësinë. Britmat trishtuese të fëmijëve që vdisnin nga uria dhe sëmundjet, dëgjoheshin pothuajse çdo ditë. Ebu Bekri ishte ndër ata burra që u përpoqën me çdo kusht të ndihmonin njerëzit me çfarëdo që t’u gjendej.

Tre vitet e dhimbjes kaluan nën retë e errëta të vuajtjes dhe ankthit. Megjithatë, kishte akoma për të hequr. Mbështetësi më i madh i Profetit, Ebu Talibi, ndërroi jetë. Ndërkohë që ishte pikëlluar për xhaxhain e tij, bashkëshortja e tij e dashur, Hatixhja ndërroi jetë gjithashtu. Këto ishin vitet e trishtimit dhe të dëshpërimit…