HAXHI I LAMTUMIRËS

Në vitin e dytë pasi Haxhi u bë një detyrim fetar, Profeti ishte vetë në krye të myslimanëve. Ky ishte haxhi i parë për Profetin dhe ishte e dukshme se do të ishte edhe i fundit. Ndërsa Profeti po mbante hutben në Arafat, fjalët e tij tregonin se kjo do të ishte Hutbeja e Lamtumirës: “Pa dyshim, Allahu e la shërbëtorin e tij të zgjedhë midis kësaj bote dhe asaj pranë Tij.”

Përgjatë bisedës, ai bënte ndalesa të shkurtra dhe pyeste: “A e kam përmbushur detyrën?” Përgjigjja prej një zëri e mijëra myslimanëve jehoi përgjatë Arafatit, duke vërtetuar se Profeti Fisnik e kishte përmbushur detyrën, ai ngriti gishtin drejt qiellit dhe tha me zë të lartë: “Ji dëshmitar o Allah!”

Pastaj Allahu i zbriti ajetin që përmbylli Arafatin: “Sot kam për-

sosur për ju fenë tuaj.” Kjo skenë preku thellë zemrat e atyre si Ebu Bekri.

“T’u bëfshin kurban prindërit tanë, o i Dërguari i Allahut!”, tha ai.

Ai po përjetonte një dëshpërim të thellë në shpirt. Ai e kuptoi se kush ishte shërbëtori të cilit iu la të zgjidhte midis kësaj bote dhe asaj pranë Allahut. Në ajër ndjehej era e ndarjes dhe e dhimbjes. Ishte e qartë se dita e largimit ishte e afërt. Nëse feja ishte përsosur, atëherë kjo do të thoshte se misioni i Profetit ishte përmbushur. Udhëtimi i përjetshëm ishte i pashmangshëm, përderisa misioni ishte plotësuar.

I tejmbushur me mijëra mendime dhe ndjenja, Ebu Bekri u veçua në një qoshe dhe filloi të qante në vetmi.

Shënimet

  1. 82.Maide, 3.
  2. 83.Muslim, Sahih, 4/1854.