SJELLJA E TIJ NDAJ TRASHËGIMTARËVE

Vajza e Profetit fisnik dhe xhaxhai i tij, Abasi, shkuan tek Kalifi dhe kërkuan trashëgiminë e tyre. Gjendej një copë e vogël toke e cila i përkiste Profetit dhe ata kishin pjesën e tyre në këtë tokë. Megjithatë, kjo ishte kur Profeti ishte akoma gjallë.

Ebu Bekri i donte ata që i kishte dashur Profeti. Nëse do të kishte pasur mundësi, do t’u kishte dhënë gjithçka atyre. Sidoqoftë, kjo ishte një çështje fetare e cila duhet të zgjidhej në bazë të parimeve të fesë. Dispozitat fetare ishin të qarta: Profetët nuk lënë trashëgimi, gjithçka mbetej pas tyre jepet sadaka. Ebu Bekri e kishte dëgjuar këtë nga goja e vetë Profetit, prandaj ai e refuzoi këtë kërkesë menjëherë.

Më vonë ai kërkoi konfirmim për këtë thënie Profetike duke u konsultuar me Omerin, Talhën, Zubejrin, Sad ibn Vakasin dhe Abdurrahman ibn Aufin. Këta persona me peshë në dijet fetare ranë dakord me Ebu Bekrin. Sigurisht që edhe familja e të Dërguarit Fisnik nuk do të kërkonte të përfitonte diçka që nuk i takonte, atëherë, Fatimja u interesua për mundësinë e dhurimit. Ajo i tha Ebu Bekrit:

“Ti e di se, kur ishte gjallë i Dërguari i Allahut, ma pati dhuruar mua këtë tokë. Kjo më bën mua dikë që pranon dhuratën, jo një lypëse.”

Ebu Bekri u përgjigj me një argument:

“Po, unë jam në dijeni për këtë. Megjithatë, i Dërguari i Allahut

të dha një pjesë toke që ishte e mjaftueshme për nevojat e tua. Unë e kam parë atë t’ia shpërndajë pjesën tjetër personave të varfër. Kjo do të thotë se të varfrit kanë të drejta të vazhdueshme mbi atë tokë.”

Çështja nuk ishte zgjidhur akoma, kështu që Fatimja erdhi me një propozim tjetër:

“Meqë çështja qëndron kështu, atëherë na lër ta mbajmë tokën dhe të përfitojmë prej saj ashtu siç kemi bërë kur Profeti ishte gjallë.”

Ebu Bekri iu përgjigj propozimit të mësipërm me këtë arsyetim:

“Unë nuk besoj se kjo është një zgjidhje. Pas Profetit, është detyra ime të përballem me çështjet e besimtarëve. Unë kam më shumë të drejta se ti, kështu që do të kujdesem dhe të sigurohem që ajo të ndahet në mënyrën më të drejtë, ashtu siç bëhej kur Profeti ishte gjallë.”

Sigurisht që kjo nuk ishte një çështje besimi. Ata që ishin të afërt me Profetin, ishin të afërt edhe me Ebu Bekrin, dhe kishin vend të veçantë në zemrën e tij. Sidoqoftë, kjo ishte një çështje private, e cila duhet të rregullohej nëpërmjet rregullave dhe parimeve të fesë. Të drejtat e shoqërisë civile duhet të mbroheshin. Përndryshe, ligjet e fesë do të ndryshoheshin sipas personave dhe eventualisht, nuk do të mbeteshin rregulla në emër të fesë.

Shënimet

  1. 95.Muslim, Sahih, 3/1381.
  2. 96.Buhari, Sahih, 3/1126.