NJERIU I BESUESHMËRISË DHE I SIGURISË

Pavarësisht nga dijet e thella që kishte për Islamin, ai mbështetej plotësisht mbi të Dërguarin e Allahut. Kur diskutohej një çështje e caktuar, ai mjaftohej me mendimin e Profetit. Nëse ekzistonte ndonjë hadith në lidhje me çështjen në fjalë, atëherë nuk kishte më vend për diskutime. Sipas Ebu Bekrit, fjala e fundit ishte ajo e Profetit.

Në atë kohë ekzistonin dy superfuqi të mëdha, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Perse. Midis të dyjave kishte filluar një luftë e përgjakshme, ku Persët që ishin adhurues të zjarrit kishin ngadhënjyer mbi Bizantinët që konsideroheshin si ithtarë të Librit. Bizantinët ishin mundur aq keq, saqë askush nuk mendonte se do të rimëkëmbeshin përsëri.

Çfarë rëndësie mund të kishte kjo fitore mbi krahinën e Hixhazit? Në fakt, ajo kishte pasoja të mëdha, sepse idhujtarët e Mekës, të cilët nxirrnin kuptime nga çdo ngjarje, e përdorën këtë kundër myslimanëve. Kjo luftë mbarte edhe një kuptim tjetër; ishte një luftë ndërmjet besimit në një Zot të vetëm dhe politeizmit. Fitorja e adhuruesve të zjarrit mbi të Krishterët u përdor nga Kurejshët si argument se e njëjta gjë do t’u ndodhte edhe myslimanëve. Kurejshët ishin nga ana e Persëve. Kjo ishte një mundësi për t’u treguar myslimanëve se një fuqi tokësore kishte fituar mbi atë hyjnore. Sipas kësaj logjike, edhe kurejshët që ishin fuqia tokësore, do të triumfonin mbi myslimanët, të cilët konsideroheshin si përfaqësuesit e kauzës hyjnore.

Ndërsa ky debat vazhdonte me ditë të tëra, zbriti surja “Rum”, me anë të së cilës, Kurani pohonte se Bizantinët do të triumfonin mbi Persët për 3 ose 9 vjet. Ky ishte një lajm i madh për Kurejshët të cilët e përdorën për t’u tallur me Myslimanët. Sipas tyre, Kurani kishte parashikuar të pamundurën. Kur Ubej ibn Halef u takua një ditë me Ebu Bekrin, hapi menjëherë bisedën në fjalë. Ai përmendi këtë ajet kuranor dhe filloi të tallej me të. Ebu Bekri nuk kishte dyshime rreth ajetit dhe e mbrojti Kuranin me rigorozitet. Të dy ishin këmbëngulës në argumentet e tyre dhe ranë dakord që në fund të tre viteve, humbësi do t’i jepte 10 deve fituesit.

Pas kësaj Ebu Bekri shkoi menjëherë tek Profeti dhe i tregoi për marrëveshjen. Profeti Fisnik i rikujtoi Ebu Bekrit kohën që nënkuptohej në ajet. Ajeti shprehej qartë se kjo ngjarje do të ndodhte për 3 deri 9 vjet. Megjithatë Ebu Bekri e kishte interpretuar si 3 vjet. Profeti i sugjeroi ta ndryshonte marrëveshjen dhe të rriste numrin e viteve, dhe po ashtu, edhe atë të deveve.

Sapo mori këshillën e Profetit, Ebu Bekri u kthye tek Ubej ibn Halefi dhe i propozoi që periudha kohore të shtyhej deri në 9 vjet dhe numri i deveve po ashtu. Nga ana e Ubejes nuk pati asnjë kundërshtim, pasi askush në Gadishullin Arabik nuk besonte se Persët do të mundeshin. Marrëveshja ishte mbyllur.

Kaluan të 9 vitet dhe në vitin 627 të dy ushtritë ishin sërish përballë njëra-tjetrës. Në betejën e madhe të Ninovës, parashikimi i ajetit kuranor ishte përmbushur. Ushtria Bizantine kishte mundur Perandorinë e madhe Perse. Afërsisht, po në të njëjtën kohë, myslimanët ishin përballur në Bedër me idhujtarët dhe fitorja e premtuar nga Allahu ishte bërë realitet. Myslimanët ishin shumë të gëzuar, sepse kishin mundur idhujtarët për herë të parë në fushëbetejë. Ata falënderuan dhe madhëruan Allahun e Plotfuqishëm. Kurejshët morën një goditje të dytë me lajmin e fitores së Bizantinëve mbi Persët. Gjërat nuk kishin shkuar ashtu siç e kishin menduar ata. Për më tepër, kishin pësuar edhe një disfatë në Bedër. Në kundërshtim me spekulimet e tyre, Kurani kishte triumfuar.

Ubeje kishte ikur tashmë në vendbanimin e fisit të tij. Për këtë arsye, Ebu Bekri shkoi tek familja e tij dhe kërkoi 100 devetë. Tradita e tyre i detyronte t’i përmbaheshin marrëveshjes dhe i dorëzuan Ebu Bekrit 100 devetë. Çfarë mund të bënte një njeri bujar si Ebu Bekri me kaq deve? Natyrisht, do t’i jepte për bamirësi. Ebu Bekri bëri atë që duhej dhe ua dhuroi të gjitha personave në nevojë.74

Shënimet

  1. 69.Ajeti pohon qartë se myslimanët do të gëzoheshin në të njëjtën ditë. Rum, 2-5. 74 Ibn Kethir, Tefsir, 3/405.