UDHËTIMI NË ABISINI
Meka ishte kthyer në një vend të rrezikshëm për besimtarët. Për më tepër, emigruesit e parë në Abisini kishin sjellë lajme të mira. Ashtu si ata, edhe Ebu Bekri kërkoi leje të emigronte në Abisini. Kërkesa ishte e arsyeshme, kështu që Profeti i dha leje. Urrejtja dhe dhuna kundrejt myslimanëve ishte rritur së tepërmi në Mekë, por kjo s’do të thoshte se nuk kishte një zgjidhje. Toka është mjaft e gjerë për të jetuar në paqe. Ebu Bekri u largua nga Meka me një kushëririn e tij. Ai ishte i lumtur sepse do të takohej me sahabët e tjerë që kishin emigruar para tij. Myslimanët në Abisni praktikonin lirshëm besimin e tyre dhe adhuronin Zotin e tyre në mënyrën që i kishte mësuar Profeti. Një arsye tjetër që Ebu Bekri ishte i gëzuar ishte se do të praktikonte fenë e tij në liri të plotë.
Pak kohë më vonë ata takuan Ibn Dugunën, një burrë të respektuar nga e gjithë Meka. Ai ishte një nga shokët e vjetër të Ebu Bekrit. Ai u habit shumë kur e pa Ebu Bekrin në rrugë dhe e pyeti me kureshtje:
“Ku po shkon kështu?” Ebu Bekri u përgjigj:
“Fisi im më përzuri nga qyteti im. Më persekutuan dhe më kërcënuan me jetë.”
Ibn Duguna u shokua. Si mund të vihej në një pozitë të tillë një person si Ebu Bekri? Ai ishte një njeri i virtytshëm me një zemër të mrekullueshme dhe një karakter që pëlqehej nga e gjithë bashkësia e Mekës. Ibn Duguna pyeti përsëri:
“Pse ta kanë bërë diçka të tillë? Betohem në Allah se ti ia ke kaluar të gjithëve në ndihmën që u jep të varfërve, në mbështetjen e atyre në nevojë dhe kujdesjen e atyre që ke në përgjegjësi. Kthehu mbrapsht. Që nga ky moment, ti do të jesh nën mbrojtjen time.”
Ebu Bekri, në të vërtetë, e kishte lënë zemrën e tij në Mekë. Si mund të duronte ai një jetë në emigrim kur mësuesi i tij i dashur ishte në Mekë? Ai duhet të kthehej dhe të qëndronte në krah të Profetit. Kjo ishte sjellja që pritej nga një njeri që njihej si shembull i besnikërisë. Oferta e Ibn Dugunës ishte një propozim historik që nuk mund të injorohej, dhe ai e pranoi me kënaqësi të madhe.
Kështu, u kthyen së bashku në Mekë. Sapo u futën në Mekë, Ibn Duguna e kapi Ebu Bekrin për dore dhe e çoi në Qabe. Aty ai i foli me zë të lartë turmës që ishte mbledhur:
“O njerëz të Kurejshëve! Unë e kam marrë nën mbrojtjen time të birin e Ebu Kuhafes! Që nga kjo ditë, askush të mos guxojë t’i bëjë keq atij!”
Kurejshët nuk donin ta zhgënjenin Ibn Dugunën. Megjithatë ata kishin një kusht. Ebu Bekri nuk duhet të falte namazet në publik dhe nuk duhet t’i ftonte njerëzit në Islam.
Ebu Bekri ndërtoi një vend në një cep të shtëpisë së tij për të adhuruar Allahun. Aty falte namazet dhe lexonte Kuran me zërin e tij të qetë. Çdo ditë përgjërohej në lot për mëshirë nga Krijuesi. Devotshmëria dhe sinqeriteti i Ebu Bekrit po tërhiqnin vëmendjen e shumë personave të cilët vinin rregullisht dhe ndiqnin faljet dhe këndimin e Kuranit. Shtëpia e tij ishte kthyer në një vend mbledhjeje për skllevërit, gratë dhe fëmijët.
Ftesa në besim përmes praktikës, ishte mënyra më e mirë për të fituar zemrat e shumë personave. Ebu Bekri po e arrinte këtë pa e kuptuar. Megjithatë, nuk u desh shumë që kurejshët të kuptonin ndryshimet që po ndodhnin tek banorët e tyre. Pa humbur kohë erdhën tek Ibn Duguna dhe i thanë:
“Pa dyshim që ti nuk po e mbron Ebu Bekrin që ai të jetë barrë mbi ne. Megjithatë, kur ai fal namazet dhe këndon Kuran, u tregon njerëzve një sjellje të tillë, sa ne kemi frikë se mos gratë dhe fëmijët tanë pranojnë Islamin.”
Ata nuk e kuptuan se me thënien e këtyre fjalëve po pranonin bukurinë e besimit të Ebu Bekrit. Fatkeqësisht, kryeneçësia dhe paragjykimi ishte bërë një pengesë e pakapërcyeshme që i pengoi ata ta përqafonin këtë besim. Ajo që i pengonte më shumë ishte se besimet e tyre false nuk kishin shans të dominonin mbi të vërtetën Hyjnore. Ata po i bënin bisht realitetit dhe po fshihnin dobësinë e tyre nga të tjerët. Pak kohë më vonë u kthyen tek Ibn Duguna dhe i thanë:
“Shko dhe thuaji të qëndrojë në shtëpinë e tij. Atje mund të bëjë ç’të dojë.”
Kurejshët po i kërkonin që Ebu Bekri të falej dhe të këndonte Kuran në shtëpinë e tij. Ibn Duguna, i ndikuar nga qëndrimi këmbëngulës i kurejshëve. Ai shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha:
“Unë nuk të mora në mbrojtje që ti t’u bëhesh barrë këtyre njerëzve. Ti po i shqetëson ata. Shko dhe falu në shtëpinë tënde.”
Për Ebu Bekrin nuk ishte e drejtë të qëndronte nën mbrojtjen e një mosbesimtari, kushti i të cilit ishte që ai të mos ftonte njerëzit në Islam, të mos lexonte Kuran dhe të mos kryente faljet në publik. Në një gjendje të tillë veprimi më i drejtë ishte të kërkoje strehim tek mëshira e Allahut. Gjendja e tij të kujtonte një luan të mbyllur në kafaz. Njerëzimit i duhej zelli dhe thirrja e Ebu Bekrit. Prandaj, Ebu Bekrit iu desh të këpuste zinxhirët dhe të bënte detyrën pa marrë parasysh pasojat. Ai po peshonte mundësitë që kishte. Nëse do të vepronte sipas rregullave të tyre, nuk do të kishte problem për praktikimin e fesë në shtëpinë e tij. Megjithëse, bazat e besimit të tij tregonin që kjo nuk ishte një fe individualiste. Përndryshe, pse do të duronte Profeti kaq shqetësime? Përveç përgjegjësive personale, është detyrë e çdo myslimani të marrë edhe të tjerët për dore dhe t’i prezantojë atyre vërtetën Hyjnore. Kështu, një njeri si Ebu Bekri bëri gjënë e duhur. Shkoi tek Ibn Duguna dhe i tha se nuk do të ishte më nën mbrojtjen e tij dhe se tashmë kishte kërkuar mbrojtje në mëshirën e Allahut.
Fatkeqësisht një pohim i tillë atë kohë konsiderohej një ftesë për telashe. Ebu Bekri kishte këputur zinxhirët e shtrëngimit. Që nga ajo ditë ai do të kryente faljet në Qabe. Megjithëse kjo nuk ishte diçka e lehtë. Kurejshët e morën këtë veprim si provokim të hapur. Të irrituar nga sjellja e Ebu Bekrit, mendonin të ndërhynin dhe vendosën ta ndiqnin në çdo hap që bënte.
Një ditë Ebu Bekri po falej në Qabe. Aty erdhi një prej rrugaçëve të Kurejshit, i cili mori një grusht dheu nga toka dhe e hodhi mbi kokën e Ebu Bekrit, teksa ishte në sexhde, duke e sharë dhe ofenduar. Ndërsa Ebu Bekri po përpiqej të largonte pisllëkun nga koka, erdhi pranë tij një nga të parët e Mekës i cili po e shikonte thellë në sy.
A ishte dëmtuar me të vërtetë ndokush nga sjelljet e tij? Kush mund të justifikonte një egërsi të tillë? Duke shpresuar në një fije ndjeshmërie njerëzore të mbetur tek ky person, Ebu Bekri tha:
“Shiko se ç’më ka bërë ky maskara!”
Fatkeqësisht ky njeri nuk kishte pikën e dhembshurisë dhe u përgjigj:
“Ja ke bërë vetes këtë!”
Nga kjo nënkuptohej se Ebu Bekri duke ikur prej mbrojtjes së Ibn Dugunës, kishte hapur shteg për rrugaçët e Mekës. Ndoshta nuk kishte më asgjë për të thënë. Këto ishin vërejtje të një njeriu të pavëmendshëm. Ebu Bekri nuk kishte tjetër zgjidhje por të kërkonte ndihmën e Zotit të tij. Ai ngriti duart lart dhe filloi të përgjërohej:
“Ti je i Gjithëmëshirshmi! Ti je i Gjithëmëshirshmi! Ti je i
Gjithëmëshirshmi!”
Lutja e Ebu Bekrit përshkruante mëshirën e pafundme të Allahut, sepse ai tregoi durim të pashembullt kundrejt këtyre huliganëve, të cilët e kishin kthyer në zakon që ditën ta paraqisnin natë dhe të bardhën të zezë. Ebu Bekri shpalosi habinë e tij për mëshirën e Allahut që përfshinte edhe ata që rebeloheshin kundër Tij.
Shënimet
- 33.Buhari, Sahih, 2/804.
- 34.Sipas transmetimeve, ky person ishte As ibn Uejl ose Uelid ibn Mugira.
- 35.Ibn Hisham, Siretu Nebeuije, 2/218.