KUR BIE PERDJA
Ndarja nga i Dërguari i Allahut, me të cilin Ebu Bekri kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës, kishte qenë e rëndë. Kishin kaluar plot 2 vjet nga ndarja e Profetit nga jeta. Siç fati e kishte caktuar, Ebu Bekri po ndiqte hapat e Profetit të tij. Mosha 63 vjeçare kishte arritur edhe për të.
Sëmundjet po e kapnin njëra pas tjetrës. Ndërsa bëhej gati të nisej në udhëtimin e fundit, shokët i qëndronin pranë shtratit. Kur e kuptuan se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar, i thanë: “O Kalif i të Dërguarit të Allahut, na lejo të të sjellim një mjek!” Ebu Bekri u përgjigj me maturi:
“Unë jam konsultuar tashmë me një mjek.” “Çfarë të tha mjeku?”, e pyetën.
“Mund të bësh çfarë të duash, je ti që vendos.”, u përgjigj Ebu Bekri.
Ishte e qartë se ai kishte marrë ftesën dhe se kishte ardhur koha për t’u larguar. Ai thirri vajzën e tij, Aishen, nënën e besimtarëve, dhe e porositi që të kthente në thesarin e shtetit tepricën e rrogës së tij. Gjithashtu kishte edhe një amanet. Ai donte të varrosej pranë mikut të tij të dashur prej të cilit nuk ishte ndarë kurrë. Porositi të mos i bënin ceremoni pompoze dhe të përdornin rrobat e tij të vjetra si qefinë. Dëshira e tij ishte që trupi të lahej nga e shoqja Esma, e bija e Umejes, dhe djali i tij, Abdurrahmani.
Ashtu siç kishte bërë edhe i Dërguari i Allahut, Ebu Bekri porositi Omerin të printe namazin. Ai kishte caktuar kështu personin tjetër që do të ishte Kalif.
Omeri ishte imami i namazit të tij të fundit.133 Bekri kishte jetuar një jetë kaq të ndershme dhe me përgjegjësi, saqë kishte refuzuar shpenzimin e parave të fundit nga rroga që i kishin caktuar me gjithë refuzimet e vazhdueshme të tij. Sapo e kuptoi se vdekja po i afrohej, filloi të tregonte shenja frike. Iu kujtua shuma që kishte kursyer. Menjëherë mblodhi të gjithë të afërmit dhe u tha ta dërgonin shumën e parave në thesarin e shtetit. Kishte përdorur vetëm një sasi të vogël për nevoja jetike. Ebu Bekri u tha:
“Omeri nuk më la të refuzoja dhe u detyrova të marr nga thesari i shtetit 6 mijë dirhemë. Kjo sasi është e fshehur në një mur diku. Merrini paratë dhe kthejani Omerit.”
Pastaj, Ebu Bekri mori pranë vetes Aishen për të folur. Duke folur me vështirësi i tha:
“Që nga momenti kur kam marrë përsipër detyrën e shërbimit ndaj besimtarëve, nuk kam shpenzuar asnjë dirhem nga paratë e tyre. Përkundrazi, kam jetuar si më i varfëri prej tyre. Kam veshur rroba të vjetra dhe kam vuajtur urinë në shumë raste. Gjithçka që kam është kjo cohë dhe ky shërbëtor që i përkasin shtetit. Merri dhe çoja Omerit.”
Pas vdekjes së Ebu Bekrit, Omeri i pa për një kohë të gjatë shërbëtorin dhe cohën e sjellë përpara tij dhe tha:
“Allahu të mëshiroftë o Ebu Bekr! Na ke lënë një detyrë të vështirë neve që jemi akoma gjallë.”136
Vajza e Ebu Bekrit, Aishja i shpjegon kështu momentet e fundit të babait të saj:
“Kur babait tim i ra të fikët nga rëndimi i sëmundjes, unë i recitova një poezi: ‘Pavarësisht sa përpiqet dikush të fshehë lotët, pa dyshim ata do të rrjedhin një ditë.’ Kur babai u përmend, më tha: ‘Mos thuaj ashtu bija ime! Duhet të recitosh këtë varg: Dhe dhimbja e vdekjes vjen me të vërtetë. Kjo ishte o njeri ajo që përpiqeshe t’i shpëtoje.’” (Kaf, 19).
Dhe pastaj e pyeti:
“Cilën ditë ndërroi jetë i Dërguari i Allahut?” “Ishte e Hënë”, u përgjigja. Ai vazhdoi të pyeste:
“Çfarë dite është sot?”
“E Hënë!”
Kur dëgjoi përgjigjen time, tha:
“Shpresoj në Allahun të mos shoh një natë tjetër pas kësaj!” Edhe një herë pyeti:
“Me sa qefinë ishte mbështjellë atë ditë?”
“Ne e mbështollëm me 3 pëlhura të bardha nga Sahulja! Ai nuk kishte këmishë apo çallmë.” Pastaj tha:
“Laje rrobën time sepse ka një njollë në të dhe merr edhe 2 copa të tjera.”
Unë do t’i thosha që copa e tij ishte ngrënë nga krimbi, kur ai ndërhyri:
“Nuk ka rëndësi. Të gjallët kanë më shumë nevojë për rroba të reja sesa të vdekurit. Për më tepër, qefini i të vdekurit do të kalbet shpejt.
Pikërisht atë ditë, Ebu Bekri fluturoi drejt botës shpirtërore. Ai kishte ndërruar jetë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën moshë si i Dërguari i Allahut. Diferenca e moshës midis Ebu Bekrit dhe Profetit ishte plotësuar nga 2 vitet e kalifatit. Fjalët e fundit të Ebu Bekrit ishin:
“O Allah, ma merr shpirtin si mysliman dhe më bashko me të drejtët.”
Kjo ishte lutja e Profetit Jusuf, i cili përjetoi gëzimin e bashkimit me të drejtët pas një jete plot vështirësi.
Medina kishte shpërthyer në lot kur lajmi u bë i ditur. I gjithë Hixhazi po përjetonte ditë të ngjashme me ato pas vdekjes së Profetit. Kur dëgjoi lajmin, Aliu shpërtheu në lot dhe vrapoi për tek shtëpia e Ebu Bekrit. Qëndroi gjithë respekt pranë shtratit të Ebu Bekrit dhe tha:
“Allahu të mëshiroftë o Ebu Bekr! Ti ishe figura e liderit të Islamit, shembulli më i mirë i besimit, një njeri që i frikësohej shumë Allahut dhe ai që mbajti peshën më të madhe mbi shpatulla se gjithë njerëzimi. Pas Profetit, askush nuk ishte më i sinqertë se ty dhe askush nuk ishte më i ndjeshëm ndaj shokëve sesa ti.TRASHËGIMIA E TIJ
Burri i cili dikur kishte qenë tregtari më i dëgjuar i Mekës dhe një njeri të cilin Mekasit e respektonin deri në përulje, Ebu Bekr besniku, Kalifi i Profetit, kishte lënë pas një deve për qumësht, një shërbëtor dhe një tas për të futur qumështin. Këto ishin gjithçka që kishte mbetur nga gjërat e tij. Megjithatë, titulli Ebu Bekr “Sidiku” do të ishte i tillë që askush nuk do ta arrinte deri në ditën e gjykimit.
Tashmë Ebu Bekri kishte shkuar pranë Allahut dhe Profetit dhe Omeri, veziri i dytë ishte Kalifi i ri. Pikë së pari i sollën gjërat e Ebu Bekrit tek Omeri. Gjendej një enë e madhe argjile që kishte brenda diçka. Nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta thyenin për të parë se çfarë kishte brenda. Sapo e thyen, paratë u shpërndanë nëpër tokë. Kur pa këtë, Omeri nuk u përmbajt dot dhe tha me lot në sy: “Allahu të mëshiroftë o Ebu Bekr! Nuk ke lënë asnjë fjalë për ata që do të vijnë pas teje. Tani jam unë personi që do të marr përgjegjësinë e kësaj detyre.”
Kjo ishte mënyra se si Omeri e vuri veten në detyrë. Ai e kuptoi se duhet të ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm në marrjen përsipër të postit nga një njeri i cili kishte shërbyer me përpikërinë më të madhe dhe që i kishte diskutuar çështjet në detajet më të vogla. Sipas Omerit, arritja e një ndjeshmërie kaq të madhe ishte pothuajse e pamundur.
Pas vdekjes së Ebu Bekrit, Omeri shkoi tek shtëpia e tij dhe foli me gruan e tij, Esma bint Umejes. Ai e pyeti për jetën fetare të burrit të saj në detaje. Ajo i shpjegoi si më poshtë:
Ai ngrihej para agimit dhe merrte abdes. Pastaj falte namazin. Ai falej shumë. Më pas lexonte Kuran dhe qante. Ai gjithashtu qante në sexhde gjatë namazeve. Në këto raste unë ndjeja një erë që ngjante si mëlçi e pjekur.
Omeri, ndërsa dëgjonte fjalët e përmalluara të Esmës, u prek. Ai filloi të qante bashkë me Esmën duke i thënë: “Si mund ta krahasosh veten me një shërbim si ky, o bir i Hatabit!?”
Shënimet
- 118.Sipas disa transmetimeve, u sëmur nga helmimi i ushqimit. Shih: Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/243.
- 119.Ibn Sa’d, Tabakatu’l Kubra, 3/198.
- 120.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/242. 133 Po aty, 2/241.
- 121.Ibn Sa’d, Tabakatu’l Kubra, 3/193.
- 122.Po aty, 3/196. 136 Po aty.
- 123.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/240.
- 124.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/242.
- 125.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/48.
- 126.Ibn Sa’d, Tabakatu’l Kubra, 3/196.
- 127.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/245.