EMIGRIMI I SHENJTË DHE SHPIRTI I MIQËSISË

I Dërguari i Allahut ndjehej aq afër me Ebu Bekrin saqë e vizitonte atë ditë e natë. Ndërkohë, ishte dhënë leja për të emigruar dhe hixhreti për në Medine kishte nisur tashmë. Ashtu si ata që kishin emigruar para tij, edhe Ebu Bekri shkoi tek Profeti për të kërkuar leje për të emigruar. Profeti Fisnik i tha:

“Mos u nxito! Ndoshta Allahu të jep ndonjë shok.”

Ebu Bekri e kuptoi shumë mirë se çfarë donte të thoshte i Dërguari i Allahut. Falënderoi Zotin e tij për këtë dhuratë të paçmuar. Menjëherë filloi përgatitjet për udhëtimin jetik që e priste. U bë gati në një kohë të shkurtër. Tani priste vetëm urdhrin e Profetit.

Pak ditë më pas i Dërguari i Allahut shkoi në shtëpinë e Ebu Bekrit në një kohë jo të zakontë. Normalisht vizitat në mes të ditës nuk ishin traditë në atë shoqëri, prandaj Ebu Bekri e kuptoi se diçka e re kishte ndodhur. Po priste me ankth që Profeti të fliste. Në fillim ai i kërkoi që të flisnin vetëm. Ebu Bekri u përgjigj me qetësi:

“Mos ki merak o i Dërguari i Allahut! Ato janë vajzat e mia. Çfarë ka ndodhur?”

Profeti fisnik u përgjigj aty për aty:

“M’u dha leja për të emigruar.”

Ebu Bekri u gëzua pa masë nga ajo që dëgjoi dhe e pyeti përsëri: “A do të shkojmë bashkë o i Dërguari i Allahut?” “Po, bashkë.”, iu përgjigj i Dërguari me qetësi.

Ky vendim do të ndryshonte rrjedhën e historisë. Edhe kësaj here Ebu Bekri ishte nderuar me bekimin që do të ishte shoqëruesi i të Dërguarit të Allahut në këtë udhëtim të shenjtë. A kishte mirësi më të madhe se kjo? Shenjat për këtë ngjarje kishin qenë të dukshme dhe Profeti e kishte nënkuptuar më parë, por dëgjimi i këtyre fjalëve nga goja e Profetit do ta gëzonte pa masë Ebu Bekrin, saqë nuk mundi t’i përmbante lotët.

Kush e di se çfarë mendimesh i kaluan ndërmend ato çaste. Lajmet që kishte dëgjuar nga Uaraka ibn Neufel, sihariqet që i kishte dhënë plaku nga Jemeni dhe parashikimet e bëra nga murgu Bahira, duhet të kenë qenë të vetmet në mendjen e tij. Paracaktimi Hyjnor po bëhej realitet. Ashtu si Profetët e mëparshëm, edhe Profeti Muhamed po largohej nga vendlindja e tij.

Megjithatë, duhet të tregoheshin shumë të kujdesshëm sepse udhëtimi me deve nuk do të ishte i lehtë. Për këtë arsye, ata bënë një marrëveshje me një udhërrëfyes që ishte Abdullah ibn Urejkit. Ai ishte një idhujtar nga fisi Abd ibn Adij.

Ky burrë i njihte mirë viset përreth dhe ishte i besueshëm. Ishte e qartë se në raste të tilla të rrezikshme duheshin njerëz të kualifikuar. Pasi bënë një plan vendosën të takoheshin në Theur pas tre ditësh. Udhërrëfyesi i tyre do të sillte dy deve në vendtakim. Këto deve i kishte blerë Ebu Bekri posaçërisht për udhëtimin.

Ebu Bekri porositi vajzën e tij, Esmën që të takohej me ta në Theur. Sipas planit, ajo do të sillte ushqime dhe lajme nga Meka. Motra e saj, Aishja na bën të ditur më vonë, se Esma i kishte fshehur ushqimet në brezin e saj, të cilit i kishte bërë një shtesë të posaçme. Ajo i solli këto në Theur. Për këtë arsye ajo u quajt edhe “Dhunitakajn”, mbajtësja e dy brezave.

Ebu Bekri kishte marrë dhe një masë tjetër paraprake me anë të bariut Amr, i cili kujdesej për delet e tij. Ai i kishte thënë Amrit që t’i ndiqte me tufën e deleve që të fshihnin gjurmët.

Më në fund koha kishte ardhur. I Dërguari i Allahut kishte dalë së bashku me Ebu Bekrin nga shtëpia, ndërsa një grup idhujtarësh kishin rrethuar shtëpinë e tij dhe kërkonin ta vrisnin. Profeti fisnik kishte marrë një grusht dhè dhe ua kishte hedhur në fytyrë politeistëve ndërsa recitonte ajete nga Kurani. Vrasësit as nuk e panë fare Profetin kur ai kaloi përmes tyre. I Dërguari i Allahut e dinte se edhe pse po largoheshin nga Meka, politeistët nuk do t’i linin të qetë. Prandaj duhet të merrte masa të sigurta. Ai kishte planifikuar të shkonte në drejtim të një kodre të quajtur Theur. Atje do të mund të fshiheshin në një shpellë dhe të ndiqnin ngjarjet që do të zhvilloheshin në Mekë.

Ebu Bekri u fut vetë i pari në shpellë. Ai ishte shumë i merakosur për jetën e të Dërguarit të Allahut. Përpara se të futej Profeti, Ebu Bekri deshi të kontrollonte vendin. Kishte frikë se mos gjendej aty ndonjë gjarpër. Mbylli sa mundi të gjitha vrimat dhe të çarat që kishte shpella. Përdori çdo gjë për këtë, madje grisi një copë të rrobës së tij.

Të dy qëndruan në shpellë për tri ditë. Ebu Bekri ishte gjithmonë në gatishmëri gjatë këtyre ditëve në mal. Në fund të çdo dite, kur mekasit futeshin në shtëpitë e tyre për të pushuar, djali i Ebu Bekrit, Abdullahu, u sillte atyre lajme të reja nga Meka.

Ndërkohë, në Mekë, idhujtarët kishin shpërthyer shtëpinë e Profetit për ta vrarë, por në vend të tij, kishin gjetur Aliun në shtrat. Profeti u kishte ikur nga duart dhe tashmë po skërmisnin dhëmbët nga inati. Muhamedi duhet të gjendej patjetër. Për këtë vunë një shpërblim të majmë për kokën e tij, gjallë apo vdekur. Kurejshët ishin gati të bënin çdo gjë për të kapur Muhamedin.

Ebu Xhehli ishte një njeri dinak. Sapo dëgjoi që Profeti ishte larguar nga Meka, shkoi në shtëpinë e Ebu Bekrit. Filloi të merrte në pyetje të bijën, Esmën. Fillimisht e pyeti se ku ishte i ati. Esma i tha se nuk e dinte, por ai u irritua shumë. Me tërbim e goditi në fytyrë dhe gati i shqeu vathin që kishte në vesh. Në rrethana të tjera, ky veprim i dhunshëm ndaj një vajze të re do të konsiderohej një turp i madh. Megjithatë, ky ishte Ebu Xhehli. Kur Esma e kujton më vonë këtë ngjarje do të thoshte: “Ai njeri ishte një mëkatar i ndyrë!”

Ndërkohë, disa ekspertë të gjurmëve kishin rënë në gjurmët e tyre deri në Theur. U ngjitën në mal për t’i kërkuar, por dështuan në përpjekjet e tyre. Dy shokët e shpellës kishin Allahun të tretin. Idhujtarët iu afruan aq shumë shpellës, saqë Ebu Bekri mund t’u shikonte këmbët dhe të dëgjonte murmuritjet nëpër dhëmbë. Ai u shqetësua aq shumë saqë ankthi mund t’i lexohej në fytyrë. Meraku i tij i vetëm ishte jeta e Profetit. Edhe kësaj here, i Dërguari Fisnik e qetësoi shokun e tij. Ai ishte si një vëlla për Profetin. Ai shikoi thellë në sytë e Ebu Bekrit dhe i tha me qetësi: “O Ebu Bekr! Pse shqetësohesh kur Allahu është i treti prej nesh?”

Kështu foli i Dërguari i Allahut. Ai i tregoi që Allahu e kishte informuar se do ta mbronte nga çdo e keqe që mund t’i vinte nga njerëzit. Profeti ishte i sigurt për këtë. Ai e dinte se Allahu do ta ndihmonte Vulën e Profetëve, ashtu siç kishte bërë edhe me profetët paraardhës. Pa dyshim, i Gjithëmëshirshmi do të sillte paqe dhe harmoni mbi Profetin e Tij dhe nuk do ta braktiste në duart e Kurejshëve. Më në fund ndjekësit u larguan. Tashmë udhëtimi i tyre ndoshta do të ishte pa andralla. Pas pak erdhi Amri me dy devetë. Ai gjithashtu kishte marrë me vete udhërrëfyesin e tyre nga fisi i Abdullah ibn Adij.

Ebu Bekri zgjodhi devenë më të mirë dhe ia dha Profetit:

“Tu bëfshin kurban nëna dhe baba im! Hip mbi këtë deve o i Dërguari i Allahut!”

Megjithatë përgjigjja e Profetit ishte e paparashikuar:

“Unë nuk do të hipi mbi një deve që nuk është e imja!” Ebu Bekri mbeti i shtangur dhe nuk dinte ç’të bënte. Ai tha:

“O i Dërguari i Allahut! Deveja është e jotja!”

Oferta e Ebu Bekrit nuk e zgjidhi problemin. Profeti këmbënguli:

“Nuk do të pranoj deri sa të paguaj shumën me të cilën ti e ke blerë devenë.”

Për Ebu Bekrin nuk mbeti zgjidhje tjetër përveç se të tregonte shumën që kishte paguar për devenë. Më pas Profeti tha:

“Do të ta blej për të njëjtën sasi parash.”

Edhe gjatë kësaj ngjarjeje me rëndësi të veçantë në histori, Profeti Fisnik po i jepte njerëzimit një mësim me vlerë.

Tashmë kishte ardhur koha të largoheshin nga shpella për t’u nisur drejt destinacionit të tyre, Medinës. Të vetmit persona që shoqëronin Profetin në këtë udhëtim rraskapitës ishin Ebu Bekri dhe një udhërrëfyes jobesimtar. Shumica e ndjekësve idhujtarë ishin kthyer në Mekë duarbosh. Sidoqoftë, disa prej tyre nuk hoqën dorë nga shpërblimi i majmë për kokën e Profetit.

Pasi kishin bërë një copë rrugë në drejtim të Medinës, vunë re një re pluhuri prej së largu. Përsëri Ebu Bekri nisi të shqetësohej. Kësaj here nuk ishin në shpellë dhe nuk kishin ku të fshiheshin. Për më tepër nuk kishin as armë për t’u mbrojtur. Ebu Bekri po frikësohej për jetën e Profetit. I zënë nga paniku, thirri me zë të lartë: “O i Dërguari i Allahut! Ata po afrohen!” I Dërguari Fisnik e qetësoi përsëri:

“Mos ki frikë, Allahu është me ne!”

Sigurisht, askush nuk mund t’i bënte keq një njeriu të cilin Allahu e kishte zgjedhur si të dërguar. A kishte vend më të sigurt sesa mëshira e Allahut për t’u strehuar? Ndërsa njëri nga ndjekësit po afrohej, vunë re se ishte Suraka. Ebu Bekri ishte bërë nervoz ndërsa Profeti po e shikonte Surakën drejt në sy. Ishte e qartë se Profeti po përpiqej ta bënte për vete atë me shikimin e tij. Qëllimi i tij ishte ta gjunjëzonte armikun vetëm me të parë.

Ishte një çast nënshtrimi hyjnor. Buzët e Profetit po lëviznin. Ai po i lutej Zotit të tij. Papritur këmbët e para të kalit të Surakës u zhytën në rërë. Kafsha e kishte hedhur Surakën disa metra më tutje. Një re pluhuri u ngrit aty ku ai u rrëzua dhe për çudi, Suraka kishte ngecur në rërë.

Në fillim ai kujtoi se ishte një aksident. Megjithatë kjo ngjarje nuk dukej si aksident. Çfarë mund ta kishte shkaktuar diçka të tillë? Nuk kishte një shpjegim të arsyeshëm. A ishte Muhamedi në vërtetë i Dërguari i Allahut? Po sikur të gjitha ato që thuheshin për të, të ishin të vërteta? Surakës i ndërmendi të gjitha këto për një çast. Nuk kishte shpjegim tjetër. Ai e pa Profetin në sy dhe i tha:

“Lutu Allahut që të më çlirojë nga kjo! Nuk do të të ndjek më, të jap fjalën!”

Muhamedi ishte i Dërguari i Allahut. Si mund të refuzonte një kërkesë të tillë, edhe pse vinte nga një jobesimtar? Profeti u lut dhe Suraka u ngrit menjëherë në këmbë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Për një moment, mendoi për shpërblimin e majmë. I hipi shpejt kalit dhe u nis drejt Profetit përsëri. Edhe një herë këmbët e kalit u zhytën në rërë. Kësaj here edhe më thellë. Suraka nuk po i jepte një shpjegim kësaj. Ai kishte kalëruar shumë herë në shkretëtirë, por kurrë nuk kishte hasur një gjë të pazakontë si kjo. “Ebu Xhehli e kishte gabim, Ebu Bekri paska thënë të vërtetën!”, mendoi me vete. Ishte e qartë se ata po përpiqeshin t’i bënin dëm njerëzve të mbrojtur nga Allahu. Këtë herë, me sinqeritet të plotë, foli nga thellësia e zemrës:

“O Muhamed! E kuptova se shkaku i këtyre ngjarjeve të çuditshme janë lutjet e tua. Unë kam disa deve në një vend këtu afër. Merri ato, janë të tuat, vetëm më shpëto nga kjo gjendje. Të premtoj se nuk të ndjek më kësaj here.”

“Nuk kam nevojë për devetë e tua.”, u gjegj Profeti. Pastaj u lut për Surakën. Suraka u ngrit përsëri nga toka me kalin e tij. Ndërsa qëndronte ashtu i pluhurosur, mijëra mendime i kalonin ndërmend. Ndryshimi i thellë shpirtëror që kishte përjetuar i lexohej në fytyrë. I mahnitur nga e gjithë ngjarja, Ebu Bekri po falënderonte Allahun që kishte mbrojtur të Dërguarin Fisnik. Suraka ishte gati për t’u gjunjëzuar. I Dërguari i Allahut po e vështronte Surakën sikur donte t’i thoshte: “Edhe ti?”

“Po, o i Dërguari i Allahut,” u përgjigj Suraka. Pastaj i dha fjalën Profetit duke i premtuar se do të ndalonte këdo që do ta përndiqte atë.

Në një rast të tillë secili duhet të tregojë veten dhe, kur është e nevojshme, edhe duke bërë sakrifica të mëdha. Suraka i ishte bindur Allahut dhe duhet ta tregonte këtë besnikëri duke e mbrojtur Profetin. Pas pohimit të Surakës, Profeti tha:

“O Suraka, çfarë do të bësh atë ditë kur të vësh në dorë byzylykët e Kisras?”

Ky ishte një bekim i trefishtë për Surakën. Ai ishte çliruar pa pagesë, ishte bekuar me Islamin dhe nderuar me një sihariq të çuditshëm. Ky sihariq i Profetit la të kuptohej se një nga dy fuqitë më të mëdha të kohës do të nënshtrohej nga myslimanët dhe Suraka do mbante byzylykët që ishin simboli i mbretit. Suraka nuk po arrinte ta besonte një gjë të tillë, prandaj pyeti:

“A po flet për Kisran, të birin e Hurmuzit?” “Po.”, tha Profeti.

Ky ishte njëherazi një objektiv që i jepej Surakës dhe të gjithë atyre që ndiqnin Profetin. Suraka që kishte dalë nga Meka me qëllimin për të vrarë Profetin, tashmë po kthehej si një mysliman me një mision të shenjtë mbi shpatulla.

Shumë vite pas këtij incidenti, sihariqi i Profetit do të bëhej realitet gjatë kalifatit të Omer ibn Hatabit. Persia do të çlirohej nga Omeri, i cili do të hiqte byzylykët nga dora e Kisras dhe do t’ia dorëzonte Surakës. Në këtë ditë historike, Omeri do të bënte pohimin e mëposhtëm:

“O Suraka! Ngriji duart dhe thuaj: ‘Lavdia i takon Allahut të Plotfuqishëm që i hoqi këto byzylykë nga dora e Kisras, të birit të Hurmuzit, një njeri që pretendonte se ishte zot i njerëzve, dhe ia dorëzoi Surakës, të birit të Mudlizit, nga një fis arab i shkretëtirës’.”

Emigrimi kishte shkaktuar edhe një incident tjetër për Ebu Bekrin. I ati, Ebu Kuhafe, kishte shkuar në shtëpinë e të birit, por nuk e kishte gjetur. Fjalët që qarkullonin tregonin se ai kishte ikur nga Meka. Kjo çështje nuk ishte shaka. Ai kishte lënë pas çdo gjë për të filluar një jetë të re. Ebu Bekri ishte larguar nga Meka duke lënë pas tregtinë, fëmijët, të afërmit, miqtë dhe prindërit e moshuar. Një shpirt që nuk e ka provuar bukurinë e besimit nuk mund ta kuptonte këtë. Kur besimi hyn në zemrën e njeriut, i jep atij një forcë të paimagjinueshme. Në varësi nga grada e besimit të tij, myslimani mund të arrijë gjëra të pakuptueshme nga ata që nuk besojnë. Kur është e nevojshme, këta njerëz janë gati të largohen nga familjet dhe nga të afërmit e tyre në shërbim të Islamit.

Nuk ka dyshim se kur Ebu Bekri i dha fjalën Profetit Fisnik për ta shoqëruar në këtë udhëtim, as nuk e kishte menduar familjen si pengesë. Shumë vite më vonë, kur po përgatiteshin për luftën e Tebukut, Ebu Bekri dha çdo gjë që kishte dhe i tha Profetit se familjes i kishte lënë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndoshta në këtë çast po përsëriste fjalët që kishte thënë në momentin që kishte lënë familjen për të emigruar në Medine.

Ebu Kuhafe nuk e kuptonte dot këtë largim të të birit. Ai po pyeste këdo që takonte: “Me të vërtetë ka ikur? Si iku ashtu dhe e la familjen pa asnjë mbrojtje?” Ebu Bekri kishte ikur me të vërtetë, pa e kthyer kokën pas. Ishte pikërisht kjo sakrificë që e ktheu të birin e Ebu Kuhafes, Abdullah ibn Osman në Ebu Bekr. Ebu Kuhafe sapo gjeti mbesën e tij Esmën, i bëri një breshëri pyetjesh për shëndetin e të atit: “Për Allah, ai e ka marrë të gjithë pasurinë me vete apo jo?”

“Jo gjysh! Ai ka lënë një pjesë të madhe të pasurisë këtu.”, iu gjegj mbesa.

Ebu Kuhafe ishte një burrë plak që po humbte shikimin me kalimin e viteve. Esma e shfrytëzoi këtë dhe mblodhi ca guralecë. Pastaj i mbështolli me një rrobë dhe i tha Ebu Kuhafes t’i prekte. Gjyshi u bind. Esma tregon më vonë se i ati nuk kishte lënë asgjë në familje atëherë. Prandaj veproi në atë mënyrë për të ngushëlluar Ebu Kuhafen.

Shënimet

  1. 38.Po aty.
  2. 39.Dher’, Zadul Mead, 3/52.
  3. 40.Buhari, Sahih, 3/1087.
  4. 41.Buhari, Sahih, 3/1419.
  5. 42.Ebu Nuajm, Hiljetul Eulija, 2/56.
  6. 43.Buhari, Sahih, 3/1337.
  7. 44.Ibn Hibban, Sahih, 14/190.
  8. 45.Muslim, Sahih, 4/2309.
  9. 46.Ibn Abdelberr, el Istiab, 2/851. (Kisra ishte titulli që mbante perandori pers).
  10. 47.Bejheki, Sunen, 6/357.
  11. 48.Ibn Hisham, Siretu Nebeuije, 3/15.
  12. 49.Hakim, Mustedrek, 3/6.
  13. 50.Ahmed ibn Hanbel, Musned, 6/350.