BASHKIMI ME UMU EJMENIN
Profeti fisnik ishte një shembull besnikërie dhe i kishte inkurajuar ndjekësit e tij të silleshin në të njëjtën mënyrë. Ebu Bekri vizitonte vazhdimisht dadon e tij, Umu Ejmenin kur ishte gjallë. Pa dyshim, Ebu Bekri ishte ndër të parët që ndiqte traditën Profetike. Pasi përfundonte punët e përditshme dhe kishte kohë të lirë, ai merrte Omerin si shoqërues dhe shkonte për vizitë tek Umu Ejmeni. Një ditë, ata shkuan tek shtëpia e saj. Sapo pa Kalifin në shtëpinë e saj, filloi të qante. Ajo nuk mundi të përmbahej kur pa sesi këta burra kishin lënë punët e shtetit për të shkuar tek ajo për vizitë. Për më tepër, ata i kujtonin asaj Profetin. Ata e pyetën:
“Pse po qan? Sigurisht të qenit pranë Allahut është më e mirë për Profetin!”
U përpoqën ta qetësojnë, por ajo vazhdoi të qante për pak kohë. Më pas fshiu lotët dhe i tha:
“E di se të qenit pranë Allahut është më e mirë për të Dërguarin e Allahut! Nuk po qaj për të. Po qaj sepse nga qielli nuk po zbret më shpallja Hyjnore.”
Si mund të mos prekeshin nga kjo Ebu Bekri dhe Omeri? Ata u bashkuan me Umu Ejmenin dhe filluan të qajnë.
Ebu Bekri thoshte të vërtetën kudo pa hezitim dhe në çdo rast që kishte mundësi përfitonte për të informuar dhe paralajmëruar njerëzit për parimet e fesë. Një ditë po dëgjonte dy persona të diskutonin gjithë pasion rreth disa parimeve fetare. Njëri nga ata thoshte se njeriu duhet të zbatojë rregullat e fesë, por nuk duhet të shqetësohet për veprimet e të tjerëve. Ai e mbështeste këtë pretendim me një ajet kuranor.
Një njeri i ndjeshëm në çështjet e fesë si Ebu Bekri nuk mund të qëndronte indiferent në këtë moment ku ishte përfshirë komenti i Kuranit Famëlartë. Megjithatë, ai nuk donte ta kufizonte këtë çështje në një grup kaq të vogël. Ai donte ta analizonte çështjen me të gjithë bashkësinë e myslimanëve. Në fillim përfunduan namazin e drekës dhe më pas iu drejtua njerëzve, duke thënë:
“O njerëz! Është një ajet kuranor të cilin ju po e keqkuptoni ose po e keqinterpretoni: ‘O ju të cilët keni besuar! Çdo njeri ka përgjegjësi vetëm për veprat e tij (pra konsideroni pasojat e veprimeve tuaja). Ata që janë të paudhëzuar nuk mund të bëjnë asgjë për t’ju devijuar nga rruga e drejtë nëse jeni vërtetë të udhëzuar.’”
Ebu Bekri u përqendrua në këtë ajet sepse kishte dëgjuar një nga burrat të thoshte se nëse një njeri fal namazet, agjëron dhe jep zekatin, nuk ka pse të shqetësohet për ata që kanë devijuar nga rruga e drejtë. Pretendimi i këtij ishte kundër logjikës se ftesës në Islam, urdhërimit të së mirës dhe ndalimit të së keqes. Ky ishte një shembull i interpretimit të ligjit hyjnor sipas dëshirës njerëzore. Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. Urdhërimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes është një detyrim fetar për të gjithë. Nëse kjo braktiset, mund të ketë pasoja të rënda për të gjithë shoqërinë. Për këtë arsye Ebu Bekri vijoi të mbante fjalimin me fjalët e dëgjuara nga Profeti dhe tha se nëse njerëzit kalojnë pranë një tirani dhe nuk përpiqen ta ndalojnë atë, duhet të frikësohen se dënimi i Allahut mund të bjerë mbi të gjithë shoqërinë.
“Pastaj ata ngrenë duart duke kërkuar falje, por Allahu nuk e pranon lutjen e tyre tashmë.”
Shënimet
- 116.Muslim, Sahih, 4/1907.
- 117.Ahmed ibn Hanbel, Musned, 1/7.