NË NDIHMË TË TË VARFËRVE

Ebu Bekri kishte gjetur rrugën e vërtetë. Ai kurrë nuk do të largohej nga shoqëria e Profetit. Dukej sikur ishte bërë këmba dhe dora e tij. Ai ishte person tejet i ndjeshëm dhe nuk mund të qëndronte duarkryq ndërsa shihte të dobëtit dhe të pafuqishmit të torturoheshin për shkak të besimit të tyre. Një njeri si Ebu Bekri nuk mund t’i neglizhonte të varfrit dhe ata në nevojë. Sa herë që do të paraqitej mundësia, ai do të vraponte për t’i ndihmuar. Gjithmonë u përpoq me çdo kusht të lironte skllevërit dhe të ndihmonte njerëzit në nevojë.

Askush nuk mund të krahasohej me Ebu Bekrin në këtë aspekt. Ai ishte model i paarritshëm i lirisë. Një ditë kishte dëgjuar një rënkim vajtues që jehonte në të gjithë Mekën. Ndali dhe u kthye andej nga vinte zëri. Këto ishin britmat e Bilalit që po torturohej.

“Një…një!”, psherëtinte ai në përpjekje për të rezistuar.

Ebu Bekri nxitoi në drejtim të zërit. Aty u përball me një skenë të llahtarshme. Menjëherë u tha:

“A nuk e shihni këtë njeri të gjorë? A nuk i frikoheni Allahut? Çfarë doni të arrini me këtë?”

Tiranët e pamëshirshëm filluan të mallkojnë Ebu Bekrin duke i thënë:

“Ti je ai që ia ka shpëlarë trutë këtij? Atëherë eja dhe shpëtoje!”

Ky ishte një rast i artë për Ebu Bekrin. Ai e pranoi ofertën dhe i propozoi një shkëmbim. Ebu Bekri kishte një shërbëtor që adhuronte idhujt. Ai ofroi atë në shkëmbim të Bilalit. Umeje kishte përdorur çdo mënyrë të mundshme për të “edukuar” skllavin e tij. Për fat të mirë kishte dështuar. Ishte e qartë se ai nuk kishte ç’të bënte më me Bilalin, kështu që pranoi shkëmbimin pa hezituar.

Kjo marrëveshje e shpëtoi Bilalin nga torturat. Për më tepër ai tashmë ishte në rrugën drejt lirisë. Qëllimi i Ebu Bekrit nuk ishte marrja e një skllavi, por t’i jepte mundësinë Bilalit të ishte një mysliman i devotshëm në krah të Profetit paqja qoftë mbi Të!. Sipas dëshmisë së Omer ibn Hatabit, Ebu Bekri ishte një zotëri që kishte liruar një tjetër zotëri.

Në një rast tjetër ai dëgjoi se një grua po torturohej vetëm për shkak se kishte pranuar Islamin. Rendi menjëherë te vendi ku kishte ndodhur incidenti. Ishte një skenë e dhimbshme. E kishin rrahur aq shumë, saqë sytë nuk i dukeshin nga enjtja. Kishte humbur shikimin në një sy. Fëmija iu ul pranë nënës. E tmerruar nga skena që kishte parë, vajza e vogël kishte shtangur dhe qante me ngashërim. Si mund ta duronte zemra e një njeriu një dhunë të tillë? Ebu Bekri pa u menduar i bleu vajzën dhe nënën e saj duke i shpëtuar nga duart e përbindëshave me fytyrë njeriu. Pastaj, pa humbur kohë, dhe pa kërkuar asgjë si shpërblim, u fali lirinë nënës dhe vajzës së vogël.

Ebu Bekri shpëtoi edhe shtatë skllevër të tjerë nga tortura të tilla dhe u dha atyre diçka që nuk e kishin parë as në ëndërr… lirinë.

Babai i Ebu Bekrit, Ebu Kuhafe, e kishte vënë re këtë sjellje të pazakontë tek i biri. Ai nuk po gjente një arsye për këtë, ndaj dhe e paralajmëroi:

“O bir i dashur, nuk kam kundërshtim që ti po liron kaq skllevër por, a nuk duhet të zgjedhësh ti më të fortët, në mënyrë që ata të të mbrojnë nga ndonjë rrezik i mundshëm nga idhujtarët?” Ebu Kuhafe kishte arsye të forte që pyeste. Nëse Ebu Bekri ndihej i detyruar të ndihmonte ata që ishin në nevojë, të paktën mund të kishte zgjedhur ata që do të ishin të dobishëm për të. Në këtë mënyrë ai do të merrte diçka në shkëmbim të bujarisë së tij.

Por ky ishte Ebu Bekri. Koncepte të tilla nuk kishin vend në zemrën e tij. Për ata që e kanë shikimin të kufizuar në kënaqësitë e kësaj bote, të ishe bujar për të marrë lavdërime dhe shpërblime ishte diçka normale. Ndërsa për ata që i kishin kthyer sytë nga e përjetshmja dhe kënaqësia e Allahut, ky ishte një investim me vlerë të madhe për të ardhmen. Megjithatë Ebu Bekri nuk kishte ndërmend të ardhmen. Sipas tij, kjo ishte një formë falënderimi dhe vlerësimi për pasurinë që i ishte dhënë atij. Përgjigjja e tij ndaj babait ishte:

“Baba i dashur! S’ka dyshim se unë nuk po e bëj këtë për t’u dukur në sytë e njerëzve, por për të fituar kënaqësinë e Allahut!”

Sigurisht që Ebu Kuhafe nuk e dinte se veprimet dhe karakteri i djalit të tij ishin lavdëruar nga i Dërguari i Allahut. Një herë, Profeti tha se askush nga bashkësia e tyre nuk mund të ishte më i dashur për ta se Ebu Bekri.

Një person i tillë që kërkonte vetëm kënaqësinë e Allahut ishte lavdëruar nga banorët e qiejve. Pak kohë më pas kishin zbritur ajetet kuranore që përmendnin përpjekjet dhe devotshmërinë e sahabëve me Ebu Bekrin në krye. Kurani i Shenjtë i premtonte një jetë të përjetshme në lumturi atyre të cilët i frikësoheshin Allahut si dhe atyre që vazhdimisht mendonin për të tjerët, jepnin me bujari, ishin dëshmitarë të së vërtetës dhe kërkonin të drejtën.29 GARË NË SHËRBIM TË NJERËZIMIT

Ebu Bekri nuk kishte humbur asnjë rast për t’i shërbyer vlerave në të cilat besonte. Ai dëshironte të përdorte përvojën dhe zgjuarsinë e tij vetëm në këtë rrugë. Ebu Bekri zotëronte dije të thella në fushën e gjenealogjisë. Këtë dije ai e vuri në shërbim të Profetit duke i siguruar atij informacion për persona të ndryshëm që vinin në Mekë për të dëgjuar për Islamin. Kështu Profeti kishte një informacion përpara se të takohej me këta njerëz. Ebu Bekri në këtë mënyrë i ndihmoi ata për të kuptuar më mirë Islamin dhe ua bëri më të lehtë kthimin në myslimanë.

Një sjellje e tillë ishte e papranueshme në Mekën e atyre ditëve. Të pasurit dhe fisnikët po përqafonin Islamin njëri pas tjetrit. Ndërkohë të varfrit gjenin mbështetje dhe skllevërit liroheshin nga robëria. Meka po “kërcënohej” nga të dyja anët. Nga njëra anë qytetarët e pasur po pranonin Islamin dhe nga ana tjetër shërbëtorët dhe skllevërit po pakësoheshin dita ditës.

Kurejshët nuk mund të qëndronin duarkryq dhe të shikonin Ebu Bekrin teksa sugjestiononte njerëzit e tyre; dhe në fakt nuk e bënë. Nuk zgjati shumë dhe filluan të armiqësoheshin ndaj tij. Ata nuk mund të toleronin më që Ebu Bekri t’i ftonte njerëzit hapur në Islam. Ai ndërkohë kishte filluar të lexonte Kuran dhe të falte namazet ditore hapur në publik. Kushdo që e kishte dëgjuar të lexonte Kuran apo kishte qëndruar pranë tij, i kishte vënë re ndryshimet në karakterin e tij. Ata dëgjonin recitimin të mahnitur, ndërsa lotët rridhnin në faqet e tij.

Jobesimtarëve nuk u pëlqente kjo gjë dhe ndërmorën një fush-

atë përndjekjesh të dhunshme ndaj shokëve të tyre, me të cilët jo shumë kohë më parë kishin ngrënë dhe pirë në një vend. Objektivi i tyre ishte i qartë, të eliminonin personat e deklaruar si armiq të fesë së tyre. Dhuna dhe armiqësia ndaj besimtarëve bëheshin çdo ditë e më të ashpra. Ato ditë, numri i myslimanëve nuk i kapte të dyzetat. Ebu Bekri këmbëngulte të ftonte njerëz në Islam hapur dhe në sy të publikut. Ai kërkoi lejen e Profetit për këtë. Në fillim Profeti fisnik shpjegoi diferencën e rëndësishme në drejtpeshimin e pushtetit, dhe i tregoi se ata ishin ende vetëm një grusht njerëzish. Megjithatë ai nuk donte t’ia thyente zemrën Ebu Bekrit, kështu që shkuan të dy në Qabe. Ebu Bekri filloi t’u shpjegonte Islamin një grupi të vogël personash që u mblodhën atypari. Ky veprim i dha gjithashtu atij nderin për të qenë i pari orator i Islamit.

Kurejshët nuk lëshonin pe për zhvillime të reja në bashkësinë e tyre po të mos ishin miratuar nga ta. Papritur, një grup rrugaçësh sulmoi Ebu Bekrin. Ata godisnin pa mëshirë këdo që u dilte përpara me çfarë të kishin në duar. Shënjestra kryesore ishte Ebu Bekri. Ata arritën ta rrëzonin përtokë dhe filluan ta godasin ndërkohë që ai përpiqej të mbronte kokën me duar. Utbe ibn Rebia ishte banditi kryesor. Ai e urrente aq shumë Ebu Bekrin saqë donte ta rrihte për vdekje. Fytyra e Ebu Bekrit ishte mbuluar me gjak dhe hunda i ishte thyer. Ai nuk ishte në gjendje të rezistonte më tepër. Ata u larguan vetëm kur panë se trupi i Ebu Bekrit nuk reagonte dhe e pandehën të vdekur.

Të afërmit e Ebu Bekrit kishin nxituar në vendngjarje. Nxituan ta ngrinin trupin e tij të pavetëdijshëm dhe e dërguan në shtëpi. Kur panë gjendjen serioze në të cilën gjendej Ebu Bekri, një grup nga të afërmit e tij u kthyen në Qabe dhe u betuan:

“Për Allah! Nëse Ebu Bekri vdes, ne do ta vrasim Utben!”

I gjithë fisi ishte mbledhur në shtëpinë e Ebu Bekrit. Ata po përpiqeshin me dëshpërim ta ringjallnin. I kërkuan të flasë sepse

donin të dinin nëse ishte gjall apo jo.

Disa orë më vonë Ebu Bekri filloi të shfaqte shenja jete ndërsa përpiqej të lëvizte gjymtyrët. Ishte gjallë. Gjithsecili lëshoi një psherëtimë çlirimi. Ky incident mund të shkaktonte një luftë gjakmarrjeje që mund të zgjaste për vite të tëra.

Ebu Bekri kishte një qëllim në jetë dhe ai e kishte të qartë këtë. Zemra e tij nuk mbante tjetër gjë përveç dashurisë së Tij. Ai ishte i përgatitur për ditë si këto që nga momenti kur kishte vendosur të vinte jetën dhe pasurinë e tij në rrugën e Allahut dhe të Profetit. U përpoq të ngrihej, por e kishte të vështirë. Në përpjekje për të thënë diçka, murmuriti ca fjalë nëpër buzët që i dridheshin:

“A është mirë i Dërguari i Allahut?”

Kjo ishte e pamundur të kuptohej nga të pranishmit. Një burrë i cili sapo ishte kthyer nga vdekja, pyeste për shëndetin e dikujt tjetër. Askush nuk ia vuri veshin dhe filluan ta ushqejnë. Ata nuk e dinin se ushqimi i tij nuk ishte buka dhe uji. Si mund të hante ai kur akoma nuk dinte gjë për shëndetin e Profetit? Ai s’mund të pinte një gllënjkë ujë pa u siguruar për shëndetin e Profetit.

Të afërmit u larguan me mendimin se Ebu Bekri ishte mirë tani. Ai kishte mbetur i vetëm me nënën e tij të dashur. Kur hapi sytë sërish, e ëma po qëndronte te koka me një pjatë supë. Ebu Bekri pyeti edhe një herë me ankth:

“Si është i Dërguari i Allahut? A është mirë?” E habitur, nëna iu përgjigj:

“Për Allah, nuk di gjë për shokun tënd!”

Si nënë që ishte, zemra po i digjej nga dëshpërimi. Ai ishte djali për të cilin ajo i ishte përgjëruar aq shumë Allahut vite më parë. Tani ai qëndronte i shtrirë përpara saj i mbuluar në gjak.

Ebu Bekri u përpoq furishëm të ngrihej, por këmbët nuk e mbanin. “Nënë, të lutem! A mund t shkosh tek Umu Xhemilja, bija e Hatabit dhe të marrësh vesh se çfarë i ka ndodhur Profetit?”, iu lut së ëmës.

Zemra e dhembshur e një nëne nuk mund të refuzonte kërkesën e birit të saj. Shpejt ajo shkoi tek Umu Xhemilja. Me një ndjenjë dëshpërimi e pyeti:

“Ebu Bekri pyet për gjendjen e Muhamedit, birit të Abdullahut.”

Ato ishin ditët ku njerëzit kishin frikë të shpallnin hapur besimin e tyre. Umu Xhemilja po ashtu e kishte pranuar Islamin, por kishte frikë nga egërsia e Kurejshëve.

Fillimisht ajo tha se nuk dinte asgjë për Muhamedin apo Ebu Bekrin. Më pas e kuptoi se kjo çështje ishte urgjente. Nëna e Ebu Bekrit nuk do të vinte me vrap të trokiste në derën e saj po të mos kishte diçka serioze. Pastaj i tha: “Ka diçka të çuditshme këtu…”

Ajo doli së bashku me Umu Hajrin dhe shkuan tek Ebu Bekri. Kur e pa Ebu Bekrin në atë gjendje nuk mundi ta përmbante veten. Për momentin nuk u shqetësua të tregonte besimin e saj dhe bërtiti me të madhe:

“Vetëm këta rebelë mund të kenë bërë një gjë të tillë! I lutem Allahut të hakmerret mbi ata për çfarë të bënë!” Reagimi i Ebu Bekrit ishte ndryshe:

“A është mirë Dërguari i Allahut?”

Menjëherë ajo e kuptoi se e kishte tepruar. Vendosi të tregohej më e kujdesshme dhe tha:

“Nëna jote është në dhomën ngjitur dhe mund të na dëgjojë.” Ebu Bekri kishte besim të plotë tek nëna e tij. Ai i tha:

“Mos ki merak, prej saj nuk do të të vijë asgjë e keqe. Ajo di të mbajë një sekret.”

Kjo ishte e mjaftueshme p r Umu Xhemilen dhe më në fund i dha Ebu Bekrit lajmin që priste:

“Ai është shëndoshë e mirë!”

Por Ebu Bekri nuk mund të mjaftohej me kaq. Ai ishte simboli i besnikërisë. Edhe një herë e pyeti:

“Ku është ai tani?”

“Në shtëpinë e Erkamit”, u përgjigj ajo.

Ebu Bekrit nuk do t’i ndalonin dhimbjet pa e parë vetë Profetin. Ndërsa përpiqej të ngrihej në këmbë, tha:

“Betohem në të Gjithëfuqishmin se nuk do të fus asgjë në gojë deri sa ta shoh të Dërguarin e Allahut me sytë e mi.”

Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta çoje tek i Dërguari i Allahut. Pritën deri në muzg kur ra qetësia. Atëherë e ndihmuan Ebu Bekrin të ecte drejt shtëpisë së Erkamit.

U fut në shtëpi dhe doli përballë më të Dërguarin e Allahut. Ky simbol i besnikërisë filloi të puthte sytë dhe fytyrën e ndritshme të Profetit. Megjithëse ishte në gjendje shumë të keqe shëndetësore, po sillej sikur t’i kishin falur të gjithë botën. Ishte aq i ngazëllyer sa nuk mund të përshkruhej me fjalë. Ebu Bekri e donte Profetin më shumë se nënën dhe babën e vet. Më pas, i Dërguari i Allahut tha se nëse do të zgjidhte një mik nga bashkësia e tij, ai do të ishte

Ebu Bekri.

Në këtë çast të gjithë sahabët e pranishëm u përlotën kur panë plagët e Ebu Bekrit. Atmosfera ishte ngarkuar aq shumë me emocion saqë edhe vetë Profeti nuk mund t’i kontrollonte ndjenjat. Ebu Bekri e dalloi mërzitjen e Profetit. Si mund të qëndronte ashtu e të shihte Profetin të mërzitur për atë që i kishte ndodhur atij? Ebu Bekri ishte njeri i ndjeshëm. Menjëherë i vuri nën kontroll

emocionet e veta dhe tha:

“O Profet Fisnik i Allahut, t’u bëfshin fli nëna dhe baba im! Mos u mërzit për mua. Unë jam mirë. Dhimbja e vetme që kam është kjo plagë në fytyrë ku më goditi një nga idhujtarët.”

Çfarë dashurie ishte kjo? Ai po ndjente një tjetër trishtim sepse pamja e tij e kishte mërzitur Profetin. Po përpiqej me dëshpërim t’i tregonte atij se ishte mirë. Atë çast u ndje aq afër me Profetin, saqë nuk deshi të humbiste mundësinë për të bërë diçka për nënën e vet. U kthye nga Umu Hajri dhe me një zë të përvuajtur tha:

“O Profet i Allahut, kjo është nëna ime! Ajo ka një dashuri të madhe për mua dhe i respekton prindërit e saj. Ti je një shpirt i pastër nga mëkatet. A mund ta ftosh atë për tek Allahu? Lute Allahun që ta mbrojë atë nga zjarri i Xhehenemit.”

Ebu Bekri kishte treguar një sinqeritet të pashembullt në këtë moment. Morali i tij shfaqi një dëshirë vetësakrifice. Si mund të refuzonte Profeti një kërkesë kaq të përvuajtur? Ai ngriti duart dhe iu lut Zotit të Gjithëmëshirshëm. Ai u përgjërua që fara e besimit të mbinte edhe në zemrën e nënës së dashur të Ebu Bekrit.

Ndoshta ishte çasti i duhur për bekimin më të madh. Nëna e Ebu Bekrit, Umu Hajri përqafoi Islamin aty për aty.

Vetëm para pak orësh Ebu Bekri ishte gjendur përballë me vdekjen, ndërsa tani një gëzim i madh e kishte pushtuar. Edhe në kohë të tilla ai mendonte për shpëtimin e të tjerëve. Përqafimi i Islamit nga nëna e tij kishte shëruar çdo vuajtje. Që nga ky çast e për një muaj të tërë ai qëndroi me Profetin në shtëpinë e Erkamit.

Deri në ato ditë Islamin e kishin përqafuar 39 besimtarë. Xhaxhai i Profetit, Hamzai, e pranoi Islamin në të njëjtën ditë kur Ebu Bekri ishte rrahur për vdekje.

Një ditë, i Dërguari fisnik kishte shkuar në Qabe. Edhe kësaj here u përball me Kurejshët. Menjëherë filluan ta ngacmojnë Profetin:

“O Muhamed! A po na thua që të heqim dorë nga adhurimi i idhujve që kanë adhuruar të parët tanë?” “Po, këtë po ju them”, u tha Profeti.

Kjo përgjigje ishte një arsye e mjaftueshme për ta. Ata iu vërsulën si një kope e uritur ujqërish. Nuk e dinin se po persekutonin shpëtimtarin e tyre që donte t’i nxirrte nga errësira në dritë. Ukbe ibn Ebi Muejti e kishte lidhur çallmën e tij rreth qafës së Profetit. Po përpiqej ta mbyste deri në vdekje. Ebu Bekri u tmerrua nga ky incident dhe menjëherë u hodh mbi Ukben. Njëkohësisht përpiqej të mbante larg edhe rrugaçët e tjerë. Ashtu si besimtari nga familja e Faraonit që përmendet në Kuran, Ebu Bekri thirri me zë të lartë:

“A po e vrisni këtë burrë sepse tha që Zoti im është Allahu?”

Në të vërtetë, ishte e palogjikshme të rebeloheshe kundër një njeriu që ishte dërguar nga i Plotfuqishmi. Ai kishte ardhur me mesazhe të përjetshme dhe kishte shfaqur disa mrekulli. Askush nuk po i detyronte të besonin. Ata ishin të lirë të ndiqnin besimet e tyre. Megjithatë nëse do të kishin pranuar, do të kishin shansin të ecnin së bashku me të drejt Parajsës së Përjetshme. Atyre po u ofrohej rruga për shpëtim dhe ishte në dorën e tyre për ta pranuar ose jo.

Kurdo dhe kudo që është shpallur hapur fjala e Allahut dhe drejtësia, gjithmonë ka pasur nga ata që kanë kundërshtuar. Për këtë arsye ka lindur nevoja për njerëz si Ebu Bekri, që i mbrojnë të dashurit me çdo kusht dhe me lot në sy.

Atë mbrëmje kur Ebu Bekri u kthye në shtëpi, vuri re një plagë në kokë. Për momentin nuk e kishte ndjerë gjatë përleshjes. Një nga idhujtarët ia kishte shkaktuar kur e kishte tërhequr nga flokët.

Shumë vite më vonë, gjatë Kalifatit të Aliut, një bisedë i dërgoi mbrapa në kohë. Aliu pyeti të pranishmit në mbledhje:

“O njerëz! Kush është më guximtari dhe trimi i të gjithë njerëzimit?”

Të gjithë thanë pa hezituar:

“Ti je, o prijësi i besimtarëve!”

Kur dëgjoi përgjigjen e tyre, Aliu tundi kokën në shenjë mohimi dhe pastaj tha:

“Kur përballem me armikun, gjithmonë mundohem të jap maksimumin për ta eliminuar. Sidoqoftë, Ebu Bekri është zotëruesi i vërtetë i trimërisë.”

Pas këtij pohimi, Aliu nguli sytë në horizont dhe vazhdoi:

“Një ditë, ndërsa po ngrinim një tendë, po diskutonim kush do ta mbronte Profetin nga ndonjë atentat i mundshëm. Betohem në Allah se Ebu Bekri ishte më trimi nga ne të gjithë.”

Bisedimi për ngjarje të kaluara i solli akoma më shumë kujtime. Ai gjithashtu i tregoi ngjarjen që e kemi përmendur më parë ku Ebu Bekri kishte thënë: “A po e vrisni këtë burrë vetëm se tha që Zoti im është Allahu?” Ndërsa Aliu tregonte këto ngjarje, emocionet e pushtuan dhe fjalët po i ngecnin në grykë. Po fliste dhe qante me ngashërim njëherazi. Herë pas here përdorte shaminë për të mbuluar fytyrën në mënyrë që mos tregonte dëshpërimin, por mjekra e tij kullonte nga lotët. Nuk zgjati shumë dhe të gjithë të pranishmit po lotonin. Pas pak, Aliu e mblodhi veten dhe pyeti:

“Tani më thoni, kush është më i shenjtë, besimtari nga familja e Faraonit apo Ebu Bekri?”

Kjo elitë personash e kuptoi si ishte puna. Ndërsa e nënkuptuan përgjigjen, filluan të qajnë përsëri. Ata po vajtonin me aq dhembshuri saqë askush nuk pati fuqi t’i përgjigjej pyetjes. Prandaj Aliu vendosi t’i përgjigjej vetë:

“Betohem në të Plotfuqishmin! Të qëndroje me Ebu Bekrin ishte më mirë se çdo gjë në botë, përfshirë edhe besimtarin nga familja e Faraonit, sepse ky i fundit e fshehu fenë e tij ndërsa Ebu

Bekri e shpalli hapur.”

Shënimet

  1. 24.Shejban, Ehad uel Mesane, 1/202.
  2. 25.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/22.
  3. 26.Hakim, Mustedrek, 2/572.
  4. 27.Tirmidhi, Sunen, 5/664. 29 Lejl, 5-7.
  5. 28.Muslim, Sahih, 1/67.
  6. 29.Ibn Haxher, el Isabe, 8/200.
  7. 30.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/267.
  8. 31.Ibn Hibban, Sahih, 14/526; Mu’min, 28.
  9. 32.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/47.