KUJTIME TË PAHARRUESHME
Shumë vite më vonë, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të! kishte pyetur sahabët nëse ndonjëri prej tyre kishte takuar ndonjëherë Kus ibn Saidin dhe kishte marrë ndonjë këshillë prej tij. Heshtja ishte thyer nga shoku i tij i ngushtë, Ebu Bekri:
“O i Dërguari i Allahut, më kujtohet si tani”, tha ai dhe vazhdoi: “Isha në tregun e Ukazit. Ibn Saidi hipi në devenë e tij gri dhe i foli turmës:
O njerëz! Më dëgjoni me kujdes, mbajini mend fjalët e mia dhe përfitoni nga këto që do ju them!
Çdo gjë e gjallë do të zhduket; ato do ta lënë këtë botë për të mos u kthyer më kurrë.
Nuk ka dyshim se ka shumë shenja në qiej dhe shumë prova në Tokë nga të cilat duhet të nxjerrim mësime.
Toka është si një shtrat i rregulluar dhe qiejt lart janë si çati.
Yjet janë si anije që lundrojnë dhe detet nuk avullojnë e zhduken.
Mahnitu me natën që vesh një petk të errët dhe me yjësitë e zodiakut lart në qiej!
Unë po ju them se është një fe e Allahut e cila është më e bukur se ajo që keni tani!
Allahu ka një Profet, ardhja e të cilit është e afërt. Prania e tij është mbi kokat tona dhe koha e tij ka ardhur.
Pse ata që e lënë këtë botë nuk kthehen më kurrë?
A kanë gjetur ata lumturinë e vërtetë atje apo janë të harruar në gjumin e përjetshëm?
Pa dyshim koha do të vijë kur premtimi të përmbushet dhe libri të shpallet!”
Si mund t’i harronte Ebu Bekri këto fjalë? Pasi e kuptoi që i Dërguari ë Allahut u kënaq me këtë histori, ai i recitoi një poezi nga Kus ibn Saidi.
Ishte e qartë se Ebu Bekri nuk kishte dyshime mbi ardhjen e Profetit të fundit. Ai e besonte këtë me gjithë zemër. Ndoshta, nëse do ta kishte ditur sa afër ishte me të që nga fillimi, njerëzimi do të kishte qenë dëshmitar i një besnikërie të jashtëzakonshme që nga momenti i parë që Ebu Bekri ishte takuar me të.
Shënimet
- 18.Po aty.