BESNIKU

Më në fund kishte mbërritur nata e Israsë dhe Miraxhit në të cilën Allahu i Madhërishëm nderoi Profetin e Tij. Me anë të saj Allahu i Plotfuqishëm tregoi se ishte bashkë me Profetin në çdo hap të tij, pavarësisht sprovave të vështira me të cilat ishte përballur myslimanët. Brenda një kohe shumë të shkurtër Profeti kishte përshkuar një distancë marramendëse dhe ishte kthyer me njohuri të panjohura më parë rreth kësaj bote dhe asaj të përtejmes. Koha e shumë viteve ishte tkurrur në pak sekonda në të cilat Profeti ishte bekuar me përgëzime të pakursyera.

Ditën e nesërme ky udhëtim i pabesueshëm ishte tema kryesore në qytet. Mekasit po talleshin me këtë ngjarje dhe po ashtu me pretendimin e Profetit. Ndërsa Ebu Xhehli po kalonte pranë Qabesë, pa disa burra të mbledhur rreth Profetit. Ai u afrua dhe me një ton shpotitës i pyeti:

“Ç’thonë të rejat e fundit? Çfarë ka ndodhur mbrëmë?”

I Dërguari i Allahut u kthye nga Ebu Xhehli dhe u përgjigj me qetësi:

“Mbrëmë Zoti im më çoi në Bejtul Makdis.” Ebu Xhehli i hutuar e pyeti:

“Më pas u ktheve në Mekë përsëri?”

Ai e dinte mirë se një udhëtim i tillë i mundimshëm zgjaste disa muaj. Kjo pyetje e tij kishte arritur në sarkazëm. Profeti u përgjigj pa ngurrim:

“Po, unë fala namaz me vëllezërit e mi, Profetët e mëparshëm.”

Kur dëgjoi këtë, Ebu Xhehli u hodh nga gëzimi. Kjo ishte një mundësi shumë e mirë për të. Më në fund, mendoi se mund ta zinte në gabim Profetin. Me një ton të butë iu drejtua:

“Nëse e mbledh këtu fisin, a do t’ua thuash edhe atyre këto fjalë?”

Për Profetin nuk kishte asnjë arsye që ta fshihte këtë ngjarje. Kjo ishte një dhuratë e çmuar që Allahu i kishte dhuruar atij. Njerëzit duhet të njoftoheshin, kështu që Profeti pranoi sugjerimin e Ebu Xhehlit. Ky i fundit u gëzua pa masë kur mori premtimin e Muhamedit paqja qoftë mbi Të! Menjëherë filloi të thërrasë me të madhe:

“O bij të Ka’bit! Ejani shpejt këtu!”

Tashmë çdo njeri kishte dëgjuar për pretendimin e jashtëzakonshëm të Muhamedit. Shkuan menjëherë tek Ebu Bekri. Ata ishin të sigurt se sapo Ebu Bekri ta dëgjonte këtë, rruga e tij me atë të Muhamedit do të ndaheshin përgjithmonë. Ky do të ishte fundi i Profetit. Sapo Ebu Bekri hapi derën, i thanë:

“O Atik! Ajo çfarë na ka thënë deri tani shoku yt ka qenë deri diku e logjikshme dhe kanë qenë gjëra jo të ngatërruara. Sidoqoftë, eja dhe dëgjo se çfarë po thotë sot!”

Ebu Bekri ishte njeri i butë dhe kishte frikë se diçka e keqe mund t’i ndodhte mësuesit të tij. I zënë nga paniku, ai u përgjigj:

“Turp të keni! Çfarë i keni bërë kësaj here?”

Duke e vështruar Ebu Bekrin me cinizëm iu përgjigjën:

“Ai është në Qabe dhe po u thotë njerëzve si ka udhëtuar mbrëmë nga Meka në Bejtul Makdis.”

“Ai pretendon se është kthyer brenda natës!”, ndërhyri një tjetër.

Ebu Bekri po i vështronte me keqardhje dhe pastaj u përgjigj: “O të mjerë! E çfarë ka të çuditshme këtu?” Ai mendoi të prekte ndjenjat e tyre dhe vazhdoi:

“Unë kam besuar gjëra më të mëdha se këto. Unë besoj se atij i vjen shpallja nga përtej qiejve, ditën dhe natën. Unë dëshmoj para jush për këtë!”

Idhujtarët kishin shkuar në derën e Ebu Bekrit me shpresën për ta futur në dyshime lidhur me vërtetësinë e shokut të tij, dhe ishin të sigurt se ky pretendim i Profetit do të shkëpuste lidhjet midis tyre. Por, për çudi, mbetën të habitur nga reagimi i Ebu Bekrit. Të gjithë përtypën krenarinë dhe entuziazmin e tyre, ndërsa Ebu Bekri bëri pohimin që do të mbetet në histori:

“Nëse vetë Muhamedi e ka thënë këtë, atëherë është e vërtetë!”

Këto ishin fjalët e jashtëzakonshme të Ebu Bekrit. Ai nuk i kishte mësuar ato nga ndonjë paraardhës. Për Ebu Bekrin, vërtetësia e një pohimi nuk varej nga ajo çfarë populli i Hixhazit thoshte, por nga fjalët e Muhamedit, të Dërguarit të Allahut, i cili ishte arkitekti i shpirtit dhe mendjes së tij. Për këtë arsye ai nuk bëri pyetje të tilla si: “A jeni të sigurt që e dëgjuat mirë?” apo “A ishte me të vërtetë ai që e tha këtë?” Ebu Bekri nuk kishte shprehur më të voglin dyshim. Ky ishte një zhgënjim i madh për idhujtarët. Me këtë pohim Ebu Bekri kishte marrë titullin “besniku”. Që nga ajo ditë ai do të njihej si “Siddik”, “besniku”. Pas kësaj përballjeje me mosbesimtarët, Ebu Bekri nxitoi për në Qabe dhe dëgjoi të gjithë ngjarjen nga goja e Profetit. Edhe një herë ai bëri të njëjtin pohim para Profetit. Në shkëmbim, i Dërguari i Allahut i tha: “O Ebu Bekr! Ti je një Siddik, “Besnik”!”40

Shënimet

  1. 36.Bëhet fjalë për Mesxhidi Aksanë, në Jerusalem.
  2. 37.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 1/403. 40 Po aty.