DREJT BETEJËS SË BEDRIT

Zemrat e tyre ishin në Qabe dhe në Mekë… Njerëz si Utbe, Ukbe, Shejbe, Ebu Lehebi dhe Ebu Xhehli ishin në Mekë… Besimtarët me udhëzimin e tyre Hyjnor, Profetin Fisnik, po bënin një jetë të qetë në Medine. Harmonia dhe lumturia e kryerjes së detyrimeve fetare në liri ishte e paimagjinueshme. Sidoqoftë, duart e përlyera të idhujtarëve nuk do t’i linin të qetë edhe në Medinë. Ata kishin mbetur të fyer që besimtarët u kishin ikur nga duart dhe zemërimi rritej dita ditës.

Më në fund rrugët e tyre u kryqëzuan në Bedër. Kjo ishte hera e parë që takoheshin në fushën e betejës. Duhet të merreshin masa të rrepta, sepse puna e shumë viteve varej nga ky çast. Kjo ishte dita e llogarisë ku zemrat që rrihnin për Allahun do të përballeshin me një armik tre herë më të madh në numër. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut hapi krahët dhe ngriti duart duke kërkuar ndihmë nga Zoti i tij:

“O Allah! Nëse kjo bashkësi e vogël do të mundet, atëherë nuk do të mbetet asnjë në tokë për të të shërbyer Ty! Na jep fitore mbi armikun, O i Plotfuqishëm!”

Ndërsa Profeti i nderuar vazhdonte të lutej, Ebu Bekri ngriti rrobën e cila i kishte rënë nga supet dhe e vuri mbi supet e Profetit. Pastaj e përforcoi lutjen e Profetit me fjalët në vijim:

“Mos u mërzit, i Dërguari i Allahut! Allahu do të të japë fitoren që ke kërkuar!”

Në mendjen e Profetit nuk kishte dyshime. Pak minuta më parë,

ai u kishte treguar sahabëve vendet se ku do të vdisnin një nga një idhujtarët. Pastaj kishte bërë pohimin: “Allahu na ka premtuar fitore!”

Kjo do të thoshte se çdo mysliman duhet ta përmbushte këtë detyrë. Ebu Bekri e dinte me saktësi se çfarë duhet të bënte, dhe kjo ishte mbështetja shpirtërore. Pas faljes së namazit, Profeti fisnik po pushonte nën tendë, kur papritur u ngrit në këmbë dhe pa Ebu Bekrin. Më pas bëri pohimin historik: “Sihariq për ty o Ebu Bekr! Ska dyshim se ndihma e Allahut ka ardhur tek ti! Këtu është Xhebraili duke pritur urdhrat ndërsa qëndron mbi kalin e tij të armatosur rëndë.”

Të gjitha përgatitjet ishin bërë dhe ishte koha të zhvishnin shpatat. Profeti fisnik doli nga tenda dhe bëri një shenjë inkurajimi ushtrisë së tij. Më në fund beteja kishte filluar. Nuk zgjati shumë dhe fitorja ishte e dukshme. Kurejshët të cilët kishin ardhur në Bedër për ta mbyllur çështjen një herë e mirë, po ktheheshin në Mekë me parulla hakmarrjeje. Ata kishin pësuar një humbje të madhe. Përveç numrit të madh të të rënëve në betejë, ata po linin pas 70 nga ushtarët e tyre që kishin rënë robër.

Profeti në çdo vendim që merrte zgjidhte rrugën e mesme. Pas betejës ai u këshillua me sahabët se si duhet të vepronin me robërit e luftës. Omeri ibn Hatabi propozoi që robërit të vriteshin. Ndërsa Ebu Bekri tha që të liroheshin kundrejt një shume të caktuar. Ai mendoi se me këto para do të fuqizohej ushtria e tyre. Profeti fisnik po mendonte në të njëjtën mënyrë. Ai pranoi propozimin e Ebu Bekrit. Sipas kësaj marrëveshjeje, robërit që dinin shkrim dhe këndim do të liroheshin pasi t’i kishin mësuar 10 myslimanëve shkrim e këndim. Ata që ishin analfabetë do të liroheshin kundrejt një pagese të caktuar.

Fati e kishte caktuar që djali i madh i Ebu Bekrit, Abdurrahmani të ishte në radhët e ushtrisë kurejshe. Ai do të luftonte kundër të atit.

Ndërsa beteja kishte filluar, Ebu Bekri donte të përballej me të birin në dyluftim, por Profeti nuk e lejoi. Ndoshta, Profeti e dinte se një ditë Abdurrahmani do të gjente të vërtetën. Për këtë arsye, Profeti nuk deshi që Abdurrahmani t’i mohonte vetes të vërtetën.

Shumë vite më vonë, kur Abdurrahmani pranoi Islamin, midis tyre u zhvillua një bisedë rreth incidentit në Bedër. Kur Abdurrahmani po përshkruante gjendjen e tij atë ditë në Bedër, tha se nëse babai i tij Ebu Bekri do të ishte përballur me të, ai nuk do ta kishte luftuar. Ebu Bekri nga ana tjetër mendonte ndryshe. Ai u betua në Allah se po të ishte përballur atë ditë me të, do ta kishte vrarë.

Shënimet

  1. 55.Ibn Hibban, Sahih, 11/114.
  2. 56.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/35.
  3. 57.Ebu Nuajm, Hiljetu Eulija, 1/43.
  4. 58.Abdurrahmani pranoi Islamin gjatë incidentit të Hudejbijes.
  5. 59.Halebi, Siretu Halebije, 2/374.