STATUSI SHOQËROR I EBU BEKRIT NË MEKË
Për shkak të suksesit në tregti, Ebu Bekri ishte bërë një nga tregtarët më të pasur të Mekës. Përveç pasurisë ai kishte fituar gjithashtu edhe respektin e bashkësisë përmes ndershmërisë dhe besnikërisë. Fuqia e tij ekonomike ishte e pakrahasueshme dhe reputacioni i tij midis kurejshëve kishte arritur majat.
Ai ishte një nga burrat e parisë së Mekës, një kryetar fisi i respektuar dhe anëtar i një elite personash që merrnin vendime dhe drejtonin punët në Mekë. Ndër këta mund të përmendim edhe Ebu Sufjanin, Umeje ibn Halefin, vëllezërit Utbe dhe Shejbe, Ebu Xhehlin, Suhejl ibn Amrin dhe Ebu Lehebin. Asnjë vendim nuk mund të merrej pa votën e Ebu Bekrit.
Përmes sjelljes së mirë dhe zgjuarsisë së tij, Ebu Bekri u kthye në një prijës. Midis kurejshëve ai ishte më i dituri në fushën e gjenealogjisë. Madje edhe çështje serioze si vrasja, vjedhja apo dëmshpërblimi, do të silleshin tek ai për t’u dhënë zgjidhje. Ai e kishte fituar reputacionin me anë të ndershmërisë. Kishte vepruar me ndjeshmëri të madhe në mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve dhe kurrë nuk kishte trajtuar dikë me padrejtësi. Për këtë shkak, Kurejshët kishin preferuar këshillën e tij mbi atë të kryetarëve të tjerë të fiseve.
Ebu Bekri ishte gjithashtu nga të pakët persona që ishte distancuar nga sjelljet negative të epokës së injorancës. Ky ishte një virtyt që e kishte dalluar nga të tjerët. Megjithëse faqja e shëmtuar e injorancës kishte prekur çdo aspekt të shoqërisë, ajo nuk kishte mundur të futej në shpirtin e dëlirë të Ebu Bekrit. Marrëdhënia e tij me idhujt asnjëherë nuk kishte qenë e mirë. Edhe në fëmijëri kur i ati e kishte çuar në Qabe, ai kishte parë me habi të madhe se si njerëzit adhuronin objekte që i kishin ndërtuar me duart e tyre. Dëlirësia dhe pastërtia ishin virtyte themelore të karakterit të tij. Ai i kishte bërë një premtim vetes se kurrë nuk do të pinte alkool. Ai e dinte se pirja e alkoolit nuk sillte asgjë përveç së ligës dhe shpeshherë debatonte se ata që përdornin alkool herët a vonë do të humbnin nderin dhe dinjitetin e tyre.
Shënimet
- 19.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/146.