KOHA E RIBASHKIMIT
Kjo botë nuk ishte vendi për një miqësi të përjetshme. Kishte ardhur koha që Profeti të ribashkohej me Mikun e Madh. Ndërkohë që momenti i nisjes së tij ishte afruar, Profeti u sëmur dhe në një çast, kishte humbur edhe ndjenjat. Kur u përmend, ai tha:
“Urdhëroje Bilalin të thërrasë Ezanin! Urdhëroje Ebu Bekrin të drejtojë faljen!”
Më pas, Profeti fisnik i humbi sërish ndjenjat. Pak kohë më pas, ai u zgjua dhe pyeti:
“A e falët namazin?”
Mirëpo kjo ishte një situatë e pazakontë dhe ata ende nuk ishin falur. Të gjithë ishin të shokuar dhe nëna e besimtarëve, Aishja, tha:
“Babai im është njeri me zemër të butë; ai nuk mund ta durojë këtë. Do të dëshiroja që të ngarkoje dikë tjetër me këtë detyrë, o Profeti Fisnik i Allahut!”
Pavarësisht këmbënguljes së Aishes, Profeti u zemërua dhe ngriti zërin:
“Urdhëroje Bilalin të thërrasë Ezanin! Urdhëroje Ebu Bekrin të drejtojë faljen!”
Dukej qartë se ky ishte një urdhër i prerë që nuk mund të vihej në diskutim. Urdhri i Profetit duhej përmbushur. Më parë, Profeti kishte pohuar se:
“Për aq kohë sa Ebu Bekri të jetë mes njerëzve të mi, nuk i takon askujt tjetër të drejtojë faljen.”
A nuk e kishte treguar këtë Profeti edhe më parë, kur kishte urdhëruar që të gjitha dyert në xhamitë mbylleshin, përveç derës së shtëpisë së Ebu Bekrit? Profeti nuk mundej më të ishte i vetëdijshëm për periudha të gjata kohe. Edhe një herë tjetër ai humbi ndjenjat, dhe kur u përmend, pyeti nëse kishte filluar falja. Këtë herë Ebu Bekri po drejtonte faljen ashtu siç ai kishte urdhëruar. Profeti fisnik u ngrit me ndihmën e dy sahabëve, të cilët e mbështetën në shpatullat e tyre. Me këmbët që i dridheshin, ai vështroi pas perdes. Me fytyrën që i ndrinte si hëna e plotë, ai pa xhematin e tij për herë të fundit. Kur pa Imamin e tij të zgjedhur që qëndronte në krye, një buzëqeshje rrëzëllitëse u shfaq në fytyrën e tij fisnike. Disa prej njerëzve të cilët e panë atë, thuajse e prishën faljen, por ai i bëri një shenjë duke u treguar se duhet të vazhdonin. Më pas, ai u afrua dhe qëndroi në krah të Ebu Bekrit, i cili u përpoq të kalonte pas tij, por Profeti nuk e lejoi. Kjo do të ishte falja e fundit që ata kryen së bashku. Më në fund, perdja ra për të mos u ngritur më kurrë…
Pas faljes, duke menduar se Profeti po ndihej pak më mirë, Ebu Bekri u nis të vizitonte të afërmit e tij që jetonin në rrethinat e Medinës, në zonën e quajtur Sana. Ndërkohë Dielli kishte perënduar dhe Medina ishte mbuluar nga re të errëta.
Sahabë si Omeri, të cilët as nuk mund ta mendonin mundësinë e largimit të Profetit nga kjo botë, kishin nxjerrë shpatat dhe bërtisnin:
“Do t’ia pres kokën kujtdo që thotë se ai ka vdekur!”
Ata shpresonin që Profeti i Allahut të kthehej tek ata ashtu siç ishte kthyer Musai nga mali i Sinait. Për këtë arsye, ata hakërreheshin ndaj kujtdo që pretendonte se Profeti kishte vdekur, duke e akuzuar si jo të sinqertë.
Kështu, një grup njerëzish shkuan tek Ebu Bekri dhe i shpjeguan se çfarë kishte ndodhur. Ebu Bekri nisi të vraponte si një gazelë. Dukej sikur ai fluturonte dhe turma hapte rrugën për të.
Kur Ebu Bekri u fut në dhomë, pamja e tij ishte aq prekëse, sa dukej sikur trupi i ishte thyer më dysh. Zemra i rrihte aq fort sa dukej se do t’i shpërthente nga kraharori. Ai nuk mund ta mbante më veten dhe përqafonte trupin e pajetë të Profetit. Ai ngriti copën e pëlhurës që mbulonte fytyrën e tij rrezatuese dhe filloi të puthte ballin e tij të bekuar. Me të shpejtë, ai vendosi veshin në gojën e Profetit duke dëshiruar t’ia dëgjonte frymëmarrjen edhe një herë të vetme, por nuk pati asnjë lëvizje. Vërtet, ai ishte një njeri, dhe, si të gjithë njerëzit, i duhej të largohej një ditë nga kjo botë kalimtare. Profeti fisnik ishte nisur drejt përjetësisë. Në kuptimin fizik, ai nuk ishte më me ta.
Si zakonisht, i takonte Ebu Bekrit të merrte nën kontroll situatën kaotike. Ashtu si në ditët e para të Islamit, kur të tjerët i zinte paniku në situata të tilla të papritura, ishte Ebu Bekri i cili i qetësonte ata. Megjithatë, kjo ishte një ditë e jashtëzakonshme. Edhe një herë, të gjitha shpresat ishin tek Ebu Bekri. Ai e vështroi trupin e Profetit Fisnik dhe tha:
“T’u bëfshin kurban nëna dhe babai im! Ashtu siç ishe i bukur gjatë jetës, je i bukur edhe i vdekur! Megjithatë, e provove vdekjen, ashtu siç e kishte shkruar Allahu!”
Më pas, Ebu Bekri tha një pohim, i cili reflektonte interpretimin e një ajeti nga Kurani i Shenjtë: “Është e sigurt që ti do të vdesësh (një ditë), e edhe ata me siguri do të vdesin (gjithashtu).”93
Hutimi i fytyrave të Sahabëve ishte drejtuar tek Ebu Bekri. Ata pyetën:
“O mbrojtësi i Profetit të Allahut! Vërtetë ka vdekur i Dërguari
i Allahut?”
Ebu Bekri tundi kokën i hidhëruar dhe më pas tha: “Po!”
Ebu Bekri dëshmoi të vërtetën. Dielli i shndritshëm që kishte ndriçuar jetën e tyre dhe botën e përtejme, kishte perënduar. Ata vazhduan të pyesnin:
“O miku i dashur i Profetit të Allahut! A ka një namaz për xhenazen e Profetëve?”
“Po!”, u përgjigj Ebu Bekri, dhe më pas u tha atyre të vinin me grupe për faljen e namazit të xhenazes. Ai u shpjegonte atyre çdo gjë me detaje. Hap pas hapi, Ebu Bekri shpjegoi se çfarë duhej bërë. Ata kishin aq shumë besim tek ai, saqë ndoqën udhëzimet e tij deri në detajet më të hollësishme. Ata bënin pyetje në çdo fazë të shërbesës:
“O miku i dashur i Profetit të Allahut! A do ta varrosim Profetin?”
“Po!”, u përgjigj Ebu Bekri pa hezitimin më të vogël.
Ata pyetën serish:
“Ku do ta varrosim?”
“Në vendin ku Allahu ia mori shpirtin”, u përgjigj Ebu Bekri, i cili më pas vazhdoi: “Sigurisht që Allahu ia ka marrë shpirtin atij në një vend të pastër.”
Megjithatë, t’i shpjegoje këto çështje pak individëve, nuk mjaftonte. Ishte detyra e tij që të informonte këdo. Ebu Bekri shkoi në xhami dhe foli:
“O njerëz! Më dëgjoni dhe mbani vesh mirë! Kush adhuron Muhamedin, le ta dijë se ai ka vdekur! Por, kush adhuron Allahun me sinqeritet, le ta dijë se Ai nuk vdes kurrë!”
Ebu Bekri e vazhdoi ligjëratën e tij duke recituar këto ajete të Kuranit: “Muhamedi nuk është tjetër veçse Profet, dhe Profetë të tjerë kanë vdekur para tij. Nëse ai vdes ose e vrasin atë, a do të tërhiqeshit ju? Kushdo i cili tërhiqet, nuk mund ta dëmtojë Allahun, por Allahu do t’i shpërblejë (pa masë) falënderuesit (ata të cilët janë të palëkundur në rrugën e Tij).”
Ndërsa Ebu Bekri recitonte ajetin, shumë prej Sahabëve të pranishëm dëgjonin sikur të ishte hera e parë që u thuhej ky ajet. Ndoshta, ky ishte një ajet të cilin ata e kishin recituar shumë herë gjatë faljeve ose gjatë leximeve të Kuranit.
Shënimet
- 84.Bejheki, Sunen, 8/152.
- 85.Nesai, Sunen, 1/280.
- 86.Hejthemi, Mexhmau Zeuaid, 9/38.
- 87.Buhari, Sahih, 3/1341. 93 Zumer, 30.
- 88.Al Imran, 144.
- 89.Ibn Hibban, Sahih, 14/589.