VITET E PARA NË MEDINË
Emigrimi i shenjtë kishte përfunduar me mbërritjen në Medine. I Dërguari i Allahut ishte ftuar dhe vendosur në shtëpinë e Ejub Ensarit, ndërsa Ebu Bekri në atë të Harixhe ibn Zejdit. Ebu Bekri ishte i tillë që nuk pranonte asgjë si lëmoshë. Ashtu si ensarët e tjerë, Harixhe i ofroi atij gjysmën e pasurisë, por Ebu Bekri refuzoi me mirësjellje. Ai kishte 5 mijë dirhemë kapital që donte t’i përdorte për tregti. Ebu Bekri ishte tregtar i zoti dhe nuk mund të qëndronte duarkryq. Ai e nisi sërish tregtinë në Medine. Ky ishte një mësim tjetër që ai u jepte atyre që qëndronin pranë Profetit.
Pak kohë më vonë, i dërgoi lajm të birit, Abdullah që ta sillte pjesën tjetër të familjes në Medine. Ndryshimi i klimës kishte ndikuar keq në shëndetin e Ebu Bekrit, i cili ishte sëmurur disa herë. Kishte zënë shtratin dhe ishte me temperaturë të lartë. Familja e tij tashmë po kërkonte momentin më të mirë për të emigruar. Nuk zgjati shumë dhe Abdullahu solli në Medine nënën e tij Umu Ruman, motrat Esma dhe Aishe, si dhe vajzat e Profetit, Fatimen dhe Umu Kulthumin. Ebu Kuhafe parapëlqeu të qëndronte në Mekë. Megjithëse do të mbetej krejtësisht vetëm, ai nuk mund të kuptonte dot arsyen e këtij emigrimi.
Largimi nga Meka kishte qenë një zgjedhje e vështirë, por myslimanët nuk kishin zgjidhje tjetër. Ditën që Profeti u largua nga Meka, ktheu kokën pas dhe tha: “Betohem në Allah! Ti je vendi më i dashur për Allahun në rruzullin tokësor. Pa dyshim, unë kurrë nuk do të isha larguar prej teje nëse nuk do të më kishin detyruar me forcë!”
Për muhaxhirët nuk ishte e lehtë të ambientoheshin me kushtet e reja. Shumë prej tyre u sëmurën. Simptoma më e shpeshtë ishte temperatura e lartë. Aishja i kërkoi leje Profetit të vizitonte të atin. Ebu Bekri ishte në një dhomë me Amr ibn Fuhajran dhe Bilal Habeshiun.
Aishja shkoi tek babai i saj. Ebu Bekri ndjente shumë dhimbje. Nga temperatura e lartë gati humbiste ndjenjat. Aishja e pyeti:
“Baba i dashur! Si ndjehesh?”
Ebu Bekri ishte kredhur në botën e tij në ato çaste dhe u përgjigj:
“Njeriu fle i qetë në rehatinë e shtëpisë së tij, por nuk e di se vdekja është më afër tij se rroba që ka veshur.”
Aishja nuk po kuptonte asgjë. Ajo mendoi se i ati ishte në një gjendje të humbur. Ajo iu drejtua Amrit:
“O Amr, si ndjehesh ti?”
Gjendja e Amrit nuk ishte shumë ndryshe nga ajo e Ebu Bekrit. Ai filloi të murmuriste diçka rreth vdekjes dhe qëndrimit larg shtëpisë dhe Mekës. Aishja e kuptoi se ishte e kotë t’i flisje edhe Amrit. Së fundmi u përpoq t’i fliste Bilalit. Ai dukej se ishte pak më mirë se të tjerët. Të paktën ai qëndronte ulur. Ndoshta po e merrte veten sadopak nga sëmundja. Ai foli me zë të ulët:
“A do të më vijë përsëri kjo mundësi? Mundësia që të kaloj natën në luginat e Mekës, mes erës së pemës së Ithirit dhe Xhelilit? A do të pi përsëri nga uji i Mexhanës ndërsa shikoj me ëndje bukurinë e Malit Sham dhe Tafil?”
Gjendja emocionale e të tre burrave ishte e njëjtë. Ishte e dukshme që i kishte marrë malli për Mekën dhe sëmundja e kishte përkeqësuar këtë. Sapo Aishja u kthye në shtëpi ia tregoi Profetit të gjitha. Profeti i Mëshirës menjëherë ngriti duart nga qielli duke u lutur, sepse Allahu i kishte sjellë ata për ta dashur Medinën po aq sa kishin dashur Mekën, dhe për ta larguar nga ky qytet një herë e mirë malarien.
Lutjet e Profetit gjetën përgjigje dhe sëmundja u largua nga Medina për në rrethinat e Xhufës. Që nga ajo ditë, Medina do të bëhej një vatër qytetërimi dhe shtëpia e besimtarëve…
Shënimet
- 51.Ahmed ibn Hanbel, Musned, 5/393.
- 52.Buhari, Sahih, 2/667.
- 53.Po aty.