VËSHTIRËSI EKONOMIKE
Ditët e para të kalifatit të Ebu Bekrit, Omer ibn Hatabi dhe Ebu Ubejde ishin nisur për në shtëpinë e Kalifit për një vizitë. Gjatë rrugës panë dikë që kishte mbi shpinë një rulon basme. Ai kishte veshur rroba të vjetra. Në fillim nuk dyshuan, por papritur dëgjuan një zë që i përshëndeti: “Paqja e Allahut qoftë mbi ju!” Ky ishte zëri i Ebu Bekrit. Të tronditur e pyetën: “O Kalifi i të Dërguarit të Allahut, ku po shkon?” Ebu Bekri u përgjigj me zë të ulët:
“Në treg.”
Në fakt, Ebu Bekri, një ish-tregtar i pasur, tani përpiqej të fitonte bukën e gojës për të mbajtur familjen. Qëllimi i tij ishte të shiste rulon e basmës. Omeri i tha:
“Ç’punë ke ti në treg, kur e gjithë pesha e rëndë e Kalifatit është mbi ty?”
Ebu Bekri i bëri me shenjë të largoheshin nga rruga. Pastaj i tha: “Si do t’i ushqej fëmijët e mi?”
Omeri e mori në kontroll situatën duke përdorur logjikën e tij të mprehtë:
“Eja me ne! Do të të caktojmë një rrogë nga thesari i shtetit.”
Omeri i mblodhi menjëherë në xhami Sahabët më të rëndësishëm. Në fillim u shpjegoi si qëndronte puna dhe më pas shprehu mendimin e tij mbi këtë çështje. Të gjithë ishin të një mendimi me Omerin. Caktuan një shumë parash për Kalifin në mënyrë që ai të merrej vetëm me punët dhe çështjet e besimtarëve.
Përpara se të bëhej Kalif, Ebu Bekri kishte disa zakone të cilat ishin kthyer në detyra për të. Ai shkonte në ndihmë të të varfërve, bënte bukë për jetimët dhe kryente punët e atyre që nuk ishin në gjendje të punonin më. Një nga këto punë ishte të milte delet. Ai ndihmonte të vejat të cilave u kishin vdekur burrat në luftë dhe jetimët pa përkrahje financiare.
Pavarësisht problemeve që kishin dalë në Hixhaz, Ebu Bekri vraponte çdo ditë në ndihmë të nevojtarëve. Një ditë trokiti në një derë dhe një vajzë e vogël e hapi atë. Sapo pa Ebu Bekrin aty, i foli së ëmës: “Mami, ka ardhur burri që mjel lopën tonë!”
Gruaja e vjetër doli në derë dhe pa Ebu Bekrin. Ajo u vu jashtëzakonisht në siklet. U kthye nga e bija dhe i bërtiti: “Turp të kesh! Si fole ashtu për Kalifin e besimtarëve?”
Disa pjesëtarë të tjerë të një fisi që kishin dëgjuar për detyrën e re të Ebu Bekrit, po mendonin se kush do t’i kryente punët e tyre tani. Sidoqoftë, Ebu Bekri ishte një njeri i sjellshëm dhe nuk do t’i zhgënjente ata. Kalifi doli përpara turmës dhe u tha:
“Po, unë do të vazhdoj të mjel lopët tuaja. Shpresoj që detyra ime e re të mos më pengojë nga kryerja e këtyre punëve.”
Pas kësaj ngjarjeje, Ebu Bekri vazhdoi të milte lopët e tyre për një vit. Ai ishte aq modest, saqë gjatë mjeljes ndiqte udhëzimet që i jepte bariu që ruante tufën. Ebu Bekri, Kalifi i Profetit, nuk e ktheu këtë në një çështje nderi dhe krenarie.121 DEVOTSHMËRIA DHE FRIKA NDAJ ALLAHUT
Askush nuk mund të vinte në diskutim devotshmërinë dhe frikën e tij ndaj Allahut. I vetmi shqetësim që kishte ai në jetë ishte kauza e tij. Ai përdori çdo gjë të vetën në këtë kauzë. Pasuritë e kësaj bote, paraja, fisnikëria dhe pozita nuk kishin asnjë vlerë në sytë e tij. Ata nuk mund ta ndryshonin dot Ebu Bekrin, dhe nuk e bënë.
Një ditë ishte shumë i etur dhe i sollën një gotë me ujë. Në ujë i kishin shtuar pak mjaltë. Ndërsa po e kthente gotën për të pirë, ndali dhe zuri të qajë. Po qante aq shumë, saqë edhe të tjerët rreth tij filluan të qajnë bashkë me të. Pas pak, të gjithë pushuan së qari përveç Ebu Bekrit, i cili vazhdonte të qante me zë të lartë. Pati nga ata që menduan se Kalifi do të mbytej nga lotët. Në fakt kjo ishte mënyra më e mirë për të dhënë një shembull. Ai u jepte një mësim përmes veprave. Pasi e mori veten, e pyetën:
“O Kalif i të Dërguarit të Allahut, çfarë të bëri të qash kaq shumë?”
U përpoq të përgjigjej duke rënkuar me dënesë:
“Një ditë, isha ulur me Profetin. Ai papritur filloi të shtynte me dorë sikur refuzonte diçka. Unë nuk shihja se çfarë ishte, kështu që e pyeta: ‘O i Dërguari i dashur i Allahut, çfarë po përpiqesh të largosh, pasi unë nuk po shoh asgjë?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ajo ishte Dynjaja, e cila mu shfaq përpara syve. Unë e largova dhe bëra ashtu me duar. Ajo u largua, por u kthye përsëri duke thënë: Edhe nëse ti arrite të më largosh, ata që do të vijnë pas teje nuk do t´ia arrijnë.’ M’u kujtua kjo ngjarje dhe pata frikë se Dynjaja kishte gjetur prani tek unë. Për këtë qava.”
Megjithëse ai zotëronte aftësitë për të duruar çdo lloj vështirësie dhe fatkeqësie, ndodhte që ai donte të qëndronte i veçuar me natyrën. Në këto çaste ndjehej i brengosur. Në një nga këto ditë melankolike, pa një zog që qëndronte i lirë mbi pemë. Zogu këndonte dhe hidhej nga njëra degë në tjetrën. Për pak minuta e soditi me admirim. Pastaj tha:
“Qofsh i gëzuar kështu! Sa do të dëshiroja të isha kështu si ty! Sa do të doja të isha një zog si ty, pa përgjegjësi dhe detyrë. Do të doja të qëndroja nëpër degë të ndryshme, të ushqehesha me fruta dhe të fluturoja pastaj.”
Një ditë tjetër, kur pesha e përgjegjësisë po i rëndonte shumë mbi shpatulla, pa një pemë. I tha:
“Sa do dëshiroja të isha një trung që të më prisnin dhe të më digjnin.”124
Atij nuk i pëlqente kur njerëzit i kërkonin të lutej për ta. Sa herë që përballej me një situatë të tillë, hapte krahët dhe lutej:
“O Allah, ti më njeh më mirë sesa unë njoh veten time. Dhe unë e njoh veten time më mirë se sa njerëzit më njohin mua. Më bëj mua të tillë që t’i meritoj këto lutje. Më fal mua për gjërat që ata nuk i dinë. Mos më bëj përgjegjës për atë që thonë ata.”
Ata të cilët e dinin që Ebu Bekri ishte shumë i ndjeshëm ndaj këtyre gjërave, i sollën ndërmend fjalët e Profetit fisnik në lidhje me të. Ai nuk ishte kurrë i sigurt për veten e tij. U përgjigj:
“Betohem në Allah! Edhe nëse e shoh veten time me të dyja këmbët në Parajsë, prapë nuk jam i sigurt nëse e meritoj apo jo.”Të garoje në një garë për punë të mira ishte në natyrën e tyre dhe kjo jo vetëm për Ebu Bekrin. Omer ibn Hatabi po ashtu i kishte vënë qëllim vetes që do të ndihmonte një plakë të verbër që jetonte në periferi të Medinës. Ai kalonte rregullisht pranë shtëpisë së saj për ta pyetur nëse kishte nevojë për diçka. Sa herë që ai shkonte pranë saj, plaka i tregonte se dikush kishte ardhur para tij dhe ia kishte kryer të gjitha punët.
Omeri i nderuar u bë kureshtar se kush ishte ky njeri që i bënte parapritë çdo herë. Vendosi të shkonte më herët se zakonisht për të takuar të panjohurin. Sidoqoftë ai vinte gjithmonë përpara. Më vonë e kuptoi që ky person ishte Ebu Bekri.
Përballimi i jetesës me rrugë të lejuara ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për Ebu Bekrin. Ai do të vinte në rrezik jetën e tij vetëm që një kafshatë e vetme haram të mos kalonte në stomakun e tij.
Një ditë, një shërbëtor i solli Ebu Bekrit një pjatë me ushqim dhe Ebu Bekri e hëngri. Më vonë shërbëtori e pyeti Ebu Bekrin:
“O Kalif i Profetit, a e di nga ka ardhur ky ushqim?”
Për pak sekonda Ebu Bekri u mbush me djersë dhe filloi të dridhej nga frika. Me sa duket shërbëtori dinte diçka. Ebu Bekri pyeti me ndrojtje:
“Nga ka ardhur?”
Shërbëtori nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të tregonte të vërtetën:
“Në kohën e injorancës, një burrë më pati kërkuar t’i parashikoja fatin. Unë nuk para merrja vesh nga kjo punë, kështu që e gënjeva. Sot, e takova dhe më dha paratë që më kishte borxh për punën që i bëra. Ushqimi që hëngre ishte blerë me ato para.”
Para se shërbëtori të mbaronte fjalën, Ebu Bekri kishte futur gishtat në gojë. Po përpiqej me dëshpërim të villte. Donte të nxirrte gjithçka që kishte ngrënë. Një person që pa gjendjen e Ebu
Bekrit i tha:
“Allahu të mëshiroftë! Po e bën këtë vetëm për një kafshatë ushqim?”
Prijësi i besimtarëve u përgjigj:
“Betohem në Allah! Do të isha gati të jepja edhe jetën për ta nxjerrë këtë ushqim nga stomaku, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: ‘Zjarri i Xhehenemit është më i përshtatshëm për trupat që janë ushqyer me haram dhe me të ndaluara.’ U frikësova nga ushqyerja me këtë ushqim, andaj e volla të gjithë ç’kisha ngrënë.
Shënimet
- 109.Halid Muhamed, Xhae Ebu Bekr, fq. 110.
- 110.Ibn Sa’d, Tabakatul Kubra, 3/186. 121 Po aty.
- 111.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/136.
- 112.Bejheki, Shu’abul Iman, 1/485. 124 Po aty.
- 113.Ibn Ethir, Usdu’l Gabe, 3/324.
- 114.Halid Muhamed, Xhae Ebu Bekr, fq.113.
- 115.Isfahani, Hiljetul Eulija, 1/31.