AMBIENTI KU LINDI DHE U RRIT

Babai i tij ishte Osman ibn Amr (Ebu Kuhafe) ndërsa e ëma Selma bint Sehr (Umu Hajr). Ai lindi 3 vjet pas ngjarjes së elefantit, kur Ebreheja, mbreti i Jemenit, erdhi për të pushtuar Mekën me ushtrinë e tij me elefantë. Nëna e Ebu Bekrit ishte e vajza e xhaxhait të Ebu Kuhafes.

Ato kohë, Selma, e mbiquajtur edhe “nëna e bekimeve” nga banorët e Mekës, po kalonte një periudhë të vështirë, pasi të gjithë fëmijët meshkuj që kishte lindur më parë nuk i kishin jetuar. Zemra po i digjej nga dëshira për të pasur një djalë. Kishin kaluar 2 vjet nga ngjarja e elefantit dhe Selma ishte përsëri shtatzënë. Gëzimi mund të lexohej qartë në sytë e saj. Kësaj radhe kishte një parandjenjë të mirë. Ajo ishte shumë e sigurt se ky fëmijë do të ishte djalë. Megjithatë, ndjeu se duhet të bënte diçka ndryshe në mënyrë që dëshira e saj të bëhej realitet. Prandaj, ajo bëri një premtim që djali t’i shërbente Qabesë nëse do të jetonte. Këtë premtim e shpalli haptazi. Asokohe, ky lloj premtimi konsiderohej i shenjtë dhe duhej përmbushur me përpikëri.

Koha kishte ardhur dhe “nëna e bekimeve” filloi të ndjente dhimbjet e lindjes. Ajo do të sillte në jetë një fëmijë të bekuar. Megjithëse ishte pothuajse e sigurt se do të lindte djalë, vazhdonte të ishte e shqetësuar. Arsyeja e këtij ankthi ishte frika për jetën e tij. Ajo u betua se sapo të lindte djalin, do të shkonte pranë Qabesë dhe do t’i lutej përgjërueshëm Zotit të saj. Synimi i saj ishte kjo lutje e përvuajtur: “Allahu im! Dhuroji jetë të gjatë fëmijës tim! Shpëtoje atë për hatrin tim!”

12 EBU BEKRI

Shkalla e sinqeritetit në lutjen e saj ishte garancia më e madhe për pranimin. Sigurisht që një përgjërim aq i thellë nuk mund të kthehej mbrapsht, djali i Ebu Kuhafes kishte lindur gjallë.

Shënimet

  1. 1.Ibn Haxher, el Isabe, 4/171.