MUHAMED I BESUESHMI
Në Mekë ishte një person të cilin Ebu Bekri e ndiqte me admirim. Virtytet e këtij njeriu bëheshin të dukshme gjithnjë e më shumë dhe të tjerët kishin filluar ta thërrisnin “I besueshmi” (El Emin). Megjithëse një pjesë vazhdonin ta thërrisnin Muhamed, shumica e mekasve i referoheshin me këtë titull.
Muhamed i besueshmi ishte dy vjet më i madh se Ebu Bekri. Për këtë arsye Ebu Bekri e respektonte atë si vëllain e madh. Muhamedi dhe Ebu Bekri ishin rritur së bashku thjesht sepse Meka ishte një qytet i vogël dhe të gjithë njiheshin me njëri tjetrin. Mekasit ishin mësuar t’i shihnin gjithmonë së bashku, kështu që miqësia e tyre ishte e qartë në sytë e të gjithëve. Nëna e tij, Selma, një herë kishte thënë: “Ata dukeshin si binjakë.”
Ata ngjanin shumë në karakter dhe në sjellje. Prandaj kishin një miqësi aq të konsoliduar që nga dita e parë që ishin takuar. Ebu Bekrit i pëlqente shoqëria e Muhamedit dhe kur largohej nga Meka për arsye tregtie e ndjente mungesën e shokut të tij të ngushtë. Ai ishte personi i parë që takonte kur kthehej nga udhëtimet. Muhamed i besueshmi ishte njeri i veçantë. Ai përhapte një ndjenjë besimi dhe sigurie tek ata që e rrethonin. Kjo vlente edhe për Ebu Bekrin. Për këtë arsye, ai u gëzua pa masë kur mori vesh se Muhamedi do të shkonte me karvanin e radhës për tregti. Ky ishte një shans i madh për Ebu Bekrin. Gjatë udhëtimit ai përjetoi momente të cilat nuk do t’i harronte gjatë gjithë jetës. Ebu Bekri ishte pjesëtar i karvanit që drejtonte Muhamed i besueshmi. Ky karvan i përkiste Hatixhes së nderuar. Një incident që ndodhi ende pa u larguar nga Meka, ishte një shenjë për ngjarjet e mahnitshme që do të ndodhnin gjatë këtij udhëtimi. Sapo ishin nisur në shkretëtirën përvëluese, një re e vogël u shfaq mbi kokën e Muhamedit. Kjo re misterioze që e ndiqte ngado dukej sikur donte ta mbronte nga të nxehtit duke i bërë hije. Gjatë këtij udhëtimi, Ebu Bekri u bë dëshmitar i fjalëve të murgut të krishterë Nastura. Murgu deklaroi se Muhamed i Besueshmi do të ishte Profeti i fundit të cilin njerëzimi e priste prej shumë kohësh. Së bashku me Mejserën, Ebu Bekri kishte dëgjuar me lot në sy parashikimin që murgu kishte bërë për “burrin që po pushonte nën hijen e pemës”.
Ky lajm për Muhamedin nuk i habiti të pranishmit, pasi edukata dhe sjellja e tij e kishte shfaqur me kohë karakterin e tij. Ai e kishte mbajtur gjithmonë fjalën dhe kishte përmbushur çdo premtim plotësisht. Kjo sjellje e tij ishte pasqyruar tek i gjithë karvani duke u bërë i besueshëm për tregtarët e tjerë.
Historitë që Ebu Bekri kishte dëgjuar nga dijetari plak Uaraka ishin akoma të freskëta në mendjen e tij. Në një kohë ku errësira e injorancës kishte pllakosur mbi shoqërinë arabe, ishin të pakët njerëzit që flisnin për nevojën e Dritës. Historitë që kishte dëgjuar dhe ndodhitë e jashtëzakonshme që kishte parë gjatë udhëtimit po e çonin Ebu Bekrin tek i njëjti person. Ai nuk ishte tjetër veçse shoku i tij i dashur, Muhamedi.
Pas martesës së Muhamedit me Hatixhen, këta të fundit u vendosën në shtëpinë e Hatixhes, e cila banonte në një lagje me Ebu Bekrin. Këto zhvillime të fundit i mundësuan Ebu Bekrit të takohej më shpesh me Muhamedin.
Për më tepër, ata të dy kishin edhe lidhje farefisnore. Emri Murrah ibn Ka’b, ishte i përbashkët në pemën gjenealogjike të Muhamedit dhe të Ebu Bekrit.
Shënimet
- 7.Halid Muhamed, Xhae Ebu Bekr, 30