FILANTROPISTI
Ebu Bekri ishte lideri i një grushti besimtarësh që kishin kushtuar jetët dhe pasuritë e tyre në kauzën hyjnore. Teksa sakrifikonte gjithçka në rrugë Allahut, Ebu Bekri nuk mendoi as edhe për një çast të vetëm të ardhmen e tij. Ai kishte dhënë çdo gjë kishte, pa frikë. Ndërsa kishte shpërndarë të gjithë pasurinë, Allahu i kishte dhuruar akoma më shumë, si një shpërblim për sjelljen e tij. Personalisht, Ebu Bekri kishte jetuar si njeriu më i varfër i Hixhazit ndërsa vazhdonte të sillte gjithçka kishte tek Profeti, në mënyrë që t’i shërbente kauzës së tij.
Një ditë, i Dërguari Fisnik i Allahut po mbante një ligjëratë përpara njerëzve kur dikush përmendi kohët e mëparshme në të cilat myslimanët kishin kaluar vuajtje të mëdha. Në ato ditë Ebu Bekri konsiderohej nga njerëzit më të pasur të Mekës. Pasuria që kishte vënë numërohej në 40 mijë dirhemë. Me të përqafuar Islamin, nisi ta shpërndajë pasurinë e tij në emër të Allahut. Aq shumë kishte dhënë në këtë rrugë, saqë kur shkoi në Medine, i kishin mbetur vetëm 5 mijë dirhemë. Profeti Fisnik e përshkroi filantropinë e Ebu Bekrit me pohimin e mëposhtëm:
“Nuk kam parë aq shumë përfitime nga pasuria e askujt, përveç të asaj të Ebu Bekrit.”
Një njeri si Ebu Bekri gjithmonë përpiqej t’i fshihte virtytet e tij. Ai u ndje aq i turpëruar, saqë shkoi në një cep të xhamisë dhe filloi të qante me ngashërim, sikur të kishte bërë ndonjë mëkat. Pa dyshim, ai kishte dhënë fjalën që në fillim se do të jepte çdo gjë në rrugë të Islamit. Pak minuta më vonë, pasi e mblodhi veten, u përgjigj i turpëruar:
“U bëfshin kurban pasuria dhe vetja ime për ty, o i Dërguari i Allahut! Çdo gjë që kam është e jotja!”
Edhe në kohë dëshpërimi, ku të tjerët dhanë me shumicë dhe menduan se e kaluan Ebu Bekrin, ai erdhi dhe dhuroi gjithçka kishte. Pas kësaj askush s’mund ta kalonte Ebu Bekrin në harxhimin e pasurisë në rrugën e Zotit. Ai nuk shqetësohej për të ardhmen. Besimi dhe nënshtrimi i tij ndaj Allahut dhe të Dërguarit te Tij ishin aq të mëdha, saqë edhe familjen e tij e la nën mbrojtjen e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Sinqeriteti dhe Besnikëria e tij ishin të qarta, si kristali.
Në shumë raste ai vuajti urinë për ditë të tëra dhe nuk i tregoi askujt. Prej tij nuk ishte dëgjuar kurrë as ankesa më e vogël. Shpeshherë dilte në rrugë kur nuk kishte diçka për të ngrënë dhe shumicën e rasteve vraponte për tek Profeti. Aty do të prekej nga gjendja e Profetit dhe e harronte veten e tij.
Një ditë Profeti po bisedonte me sahabët e tij. Ebu Bekri ishte ulur në një cep dhe po dëgjonte fjalët që dilnin nga goja e bekuar e Profetit. Ai kishte veshur një rrobë të vjetër, jaka e së cilës ishte kapur me një gjemb. Tashmë, tregtari i pasur nga Meka, Ebu Bekr, jetonte në varfëri. Ai nuk kishte më para as për t’u veshur. Ai nuk ishte në këtë gjendje ngase s’kishte mundësi. Ai kishte sakrifikuar çdo gjë vetëm që të tjerët të mos vuanin. Kjo ishte një veçori që kishte vend të veçantë tek Allahu i Lartësuar. Papritur u shfaq Xhebraili. Ai përshëndeti Profetin dhe pastaj u kthye nga Ebu Bekri . Engjëlli e pyeti:
“O Ebu Bekr! Çfarë është kjo rrobë që ke veshur? Pse e ke kapur jakën e saj me një gjemb?”
Sigurisht që engjëlli e dinte përgjigjen, por ai do të gjykonte në varësi të reagimit të Ebu Bekrit. I Dërguari i Allahut u përgjigj: “O Xhebrail! Ky burrë shpenzoi çdo gjë që kishte për kauzën time para triumfit të Mekës!”
Engjëlli kishte gjetur rastin e volitshëm për të dhënë sihariqin:
“Thuaji Ebu Bekrit që Allahu e përshëndet atë! Allahu ka një pyetje për të: ‘Si një njeri i varfër, a është ai i kënaqur me Zotin e tij?’”
Çfarë mund të bënte Ebu Bekri në një moment të tillë ku virtytet ia kishte vërtetuar engjëlli Xhebrail? Ai shpërtheu në lot dhe qante me ngashërim. Ebu Bekri kishte marrë përshëndetje nga Allahu dhe tani Ai e pyeste nëse ishte i kënaqur. Duhet të përgjigjej. Foli me vështirësi të madhe.
“Si mund të mos jem i kënaqur me Zotin tim? Unë jam i kënaqur me Ty, o Allahu im… unë jam i kënaqur me Ty, o Allah!”
Ndoshta, për shkak të kësaj, Ebu Bekri dhe Omeri ishin vezirët më të mëdhenj të Profetit në Tokë, ashtu si Xhebraili dhe Mikaili ishin vezirët e qiellit.
Nuk kishte ditë që Ebu Bekri mos të vizitonte Profetin. Qëndrimi i tij në praninë e bekuar të Profetit e bëri atë të ishte në shënjestër të komplimenteve profetike. Një ditë, ndërsa qëndronin mbi malin Uhud, ai u trondit nga një tërmet dhe Profeti thirri me zë të lartë:
“Qetësohu o Uhud! Mbi ty janë një Profet, një Sidik dhe dy shehidë!”
Këto ishin lajme që parashikonin të ardhmen dhe vinin nga qiejt përtej.
Profeti Fisnik, i cili e kishte përgëzuar disa herë me Xhenet Ebu Bekrin, në një rast tha:
“O njerëz! Duhet ta dini se Ebu Bekri kurrë nuk ka bërë diçka
që të më ketë mërzitur mua!”
Me këtë pohim, Profeti u tregoi atyre rëndësinë e lidhjes që ekzistonte midis bindjes dhe Besnikërisë. Në përgjithësi, 10 Sahabët e përgëzuar me Xhenet, kishin një vend të veçantë në zemrën e Profetit. Kjo ishte mëse e qartë në jetën e përditshme. Këta individë ishin të parët. Gjatë luftërave ata do të rreshtoheshin përpara Profetit dhe në kohë paqeje gjatë namazit ishin menjëherë pas tij. Kjo ishte mëse e zakonshme dhe të tjerët e kishin pranuar atë tashmë.
Ndërmjet gjithë këtyre burrave, Ebu Bekri ishte më i preferuari i Profetit. Profeti e donte atë më shumë se të tjerët. Ai ishte si një krah i djathtë për Të. Ndonjëherë ai e përdorte atë si sekretar të shpalljes Hyjnore dhe kur ishte e nevojshme, Ebu Bekri i mësonte të tjerët si të silleshin kur ishin pranë Profetit kur shkonin për ta vizituar. I Dërguari i Allahut nuk humbiste rast për t’i bërë komplimente Ebu Bekrit. Një herë tha:
“Ashtu siç ti ishe shoku im në shpellë, po ashtu ti do të jesh një zotëri pranë shtëpisë sime në Parajsë.”
Ebu Bekri nuk priste asgjë në shkëmbim për të mirat që u bënte njerëzve. Ai shpresonte vetëm në shpërblimin e Allahut. Ai kurrë nuk ua përmendte njerëzve të mirat që u kishte bërë. Ai nuk mund t’i prekte ndjenjat apo nderin e tyre. Profeti fisnik ishte në dijeni të këtij virtyti dhe gjithmonë e urdhëronte për të.
Ai i kishte dhënë për grua vajzën e tij, Aishen, të Dërguarit të Allahut. Aishja ishte nëna e të gjithë besimtarëve. Megjithëse ishte vajza e tij, Ebu Bekri i thërriste asaj në formë respekti “nëna ime”. Sipas ajeteve kuranore, Aishja nuk ishte më e bija e Ebu Bekrit, por nëna e besimtarëve.
Kur shpifësit hipokritë e kishin akuzuar Aishen për imoralitet, midis atyre që u përfshinë në thashetheme ishte edhe Mistah ibn Uzase, i cili jetonte në varfëri dhe Ebu Bekri ishte i vetmi person që e ndihmonte.
Ebu Bekri u mërzit shumë kur mori vesh se në shpifje ishte përfshirë edhe Mistahu. Për shkak të ndjeshmërisë që kishte ndaj fesë së tij, Ebu Bekri e ndërpreu ndihmën që i jepte Mistahut. Nuk zgjati shumë dhe zbritën vargjet kuranore:
“Njerëzit e pasur dhe të ndershëm ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.”
Ebu Bekri ishte i tillë që e jetonte jetën në përputhje me ligjet Hyjnore. Ai u pendua në çast dhe tha: “Betohem në Allah, se dua që Ai të më falë!”
Pastaj filloi përsëri ta ndihmonte Mistahun. Ai i kishte bërë një premtim vetes:
“Për Allahun! Unë do të vazhdoj ta ndihmoj pa vonesën më të vogël!”
Ndoshta kjo ishte arsyeja që të gjitha dyert e parajsës ishin të hapura për Ebu Bekrin.
Një ditë Profeti fisnik shpjegoi se për çdo vepër të mirë të kryer nga një person, gjendet një portë e caktuar që hapet në Parajsë. Ebu Bekri u bë kureshtar dhe pyeti:
“A ka një njeri që të mund të hapë të gjitha portat e Parajsës?” Profeti fisnik u përgjigj:
“Po, dhe unë po ju them që tani se ti je një prej tyre!”
Ebu Bekri ishte nga personat e pakët i cili interpretoi ëndrrat në prani të Profetit.
Në mbështetje të vendit të dalluar që ai zinte pranë Profetit, Said ibn Musejeb, një nga ata që patën fatin të takohen me Sahabët e Profetit, ka thënë:
“Ebu Bekri ishte si një këshilltar i Profetit. Ai këshillohej me të për çdo çështje. Ai ishte i dyti që pranoi Islamin, i dyti në shpellë, i dyti në betejën e Bedrit dhe i dyti në botën tjetër. I Dërguari fisnik nuk vinte askënd tjetër në vend të tij.”
Shënimet
- 71.Halebi, Siretu Halebije, 2/200.
- 72.Isfahani, Hiljetu Eulija, 7/105.
- 73.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 1/227.
- 74.Tirmidhi, Sunen, 5/613.
- 75.Nur, 22.
- 76.Muslim, Sahih, 4/2136.
- 77.Nesai, Sunen, 5/9.
- 78.Hakim, Mustedrek, 3/66.