DITA E TRIUMFIT
Idhujtarët kishin thyer kushtet e marrëveshjes së Hudejbijes duke sulmuar dhe derdhur gjak në mes të natës në një fshat myslimanësh. Kjo ishte një shenjë e qartë. Për këtë kishte zbritur një Sure ditën e Hudejbijes e cila thoshte se fitorja mbi Mekën do të ishte e sigurt. Parashikimi i Kuranit jepte sihariqin se Meka do të çlirohej shumë shpejt. Kjo do të thoshte se koha kishte ardhur. I Dërguari i Allahut i tha Aishes të bënte gati plaçkat për rrugë. Megjithatë, kjo duhet të mbahej sekret.
Ndërsa Aishja bëhej gati për udhëtimin, Ebu Bekri erdhi në shtëpinë e saj. Me zgjuarsinë e tij shpejt e kuptoi se diçka po ndodhte. Filloi të bënte pyetje pas pyetje. Megjithatë, Aishja, nëna e besimtarëve, preferoi të mos fliste. Ebu Bekri nuk mundi të nxirrte asnjë fjalë nga Aishja. Një figurë lideri si Ebu Bekri nuk mund të lihej pa u informuar për një ngjarje të tillë me rëndësi. Nxitimthi vrapoi për tek Profeti. Filloi t’i bënte të njëjtat pyetje edhe Profetit Fisnik. Kësaj here mori një përgjigje për të gjitha pyetjet së bashku:
“A po përgatitemi për një ekspeditë luftarake o i Dërguari Fisnik i Allahut?”
“Po!”, u përgjigj Profeti.
“Bijtë e Asfarit?”
“Jo!”
“Populli i Nexhidit?”
“Jo!”
“Atëherë duhet të jenë Kurejshët?”
“Po!”
“Dakord, o i Dërguari i Allahut, po a nuk kemi ne një marrëveshje me ta?”
“Po, e kishim… por nuk e paske marrë vesh se ç’kanë bërë ata në zonën e bijve të Ka’bit?”
Ebu Bekri e kuptoi se dita e madhe kishte ardhur. Me shpejtësi edhe ai filloi të përgatitej për udhëtim.
Më në fund një ushtri prej 10 mijë vetash po nisej nga Medina. Kur u afruan pranë Mekës, i vendosën çadrat në një vend të lartë. I Dërguari i Allahut urdhëroi që çdo person të ndizte nga një zjarr. Kur Kurejshët panë mijëra zjarre rreth e përqark Mekës, u zunë në befasi. Shpejt e kuptuan se nuk kishin mundësi ushtarake të luftonin me një ushtri kaq të madhe. Numri i zjarreve tregonte se ishin afërsisht 50 mijë veta në këtë ushtri afër Mekës. Arsyeja për këtë ishte se në atë kohë ishte traditë që rreth një zjarri të mblidheshin 5-6 veta sëbashku. Sipas kësaj logjike, numri i ushtarëve rreth Mekës duhet të ishte rreth 100 mijë.
Lideri i Mekës, Ebu Sufjani e kuptoi se përballja ishte e kotë për shkak të diferencës së madhe në numër të dy ushtrive. Prandaj vendosi ta zgjidhte çështjen me një marrëveshje. Ai erdhi personalisht për të folur me njerëzit aty në mënyrë që t’i bindte të largoheshin nga Meka. Midis atyre që vizitoi ishte edhe Ebu Bekri. Kur u takua me Ebu Bekrin insistoi që marrëveshja të rishkruhej dhe të rritej kohëzgjatja. Sidoqoftë, Ebu Bekri nuk ishte nga ata burra që të merrte një vendim të tillë me rëndësi pa u konsultuar. Duke menduar për Profetin ai i tha:
“Mendimi im nuk është ndryshe nga ai i Profetit të Allahut. Betohem në Allah! Nëse marr vesh se edhe gruri dhe misri ju kanë shpallur luftë, unë do t’i mbështes ato.”
Ky ishte një shembull zgjuarsie dhe ishte shpalosur në sy të armikut pa kurrfarë trembjeje. Ebu Sufjanit s’i kishte mbetur gjë tjetër veçse të kthehej në Mekë duarbosh. Më në fund, Meka ishte çliruar dhe, emigrantët, të cilët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre, po ktheheshin përsëri.
Ebu Bekri kishte një detyrë të rëndësishme që nuk mund të priste. Me nxitim shkoi në shtëpinë e babait të tij të moshuar. Me një ton lutës ai donte të zbuste shpirtin e plakut. Islami kishte triumfuar dhe koha për Ebu Kuhafen kishte ardhur. Ebu Bekri ishte më i lumtur se kurrë. Ai e mori Ebu Kuhafen për dore dhe e çoi tek Profeti.
Kur i Dërguari i Allahut i pa të dy, babë e bir, të afroheshin, u ngrit dhe tha:
“O Ebu Bekr! Pse e ngrite plakun deri këtu? Mund të shkonim ne tek ai.”
Kjo nënkuptonte se ishte koha të fitoheshin zemrat dhe shpirtrat e njerëzve. A nuk e meritonte një kompliment të tillë ky plak që i kishte bërë ballë ndarjes nga i biri? Ebu Bekri po ashtu u përlot nga kjo skenë mallëngjyese. Ai mendoi për gjendjen në të cilën ishte Profeti dhe kushtet në të cilat ishin myslimanët që kishin rrethuar Mekën. Pastaj tha:
“Ishte më mirë që ai të vinte pranë teje, o i Dërguari i Allahut.”
Pasi Ebu Kuhafe deklaroi shehadetin, të gjithë shpërthyen në lot. “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij!” Profeti ishte aq i gëzuar, saqë e uroi Ebu Bekrin për vendimin e të atit. Ebu Kuhafe ishte një shërbëtor i bindur që tani njihte Zotin e tij. Për më tepër, ky shërbëtor ishte babai i shokut më të ngushtë të Profetit. Për këtë arsye, Profeti e këshilloi Ebu Bekrin që të kalonte më shumë kohë me të atin dhe i sugjeroi që ai të lyente flokët dhe të ndërronte mënyrën e mbajtjes së tyre.
Ebu Bekri ishte njeriu më i lumtur në botë nga momenti kur i ati pranoi Islamin. Një tjetër gjë e rëndësishme rreth Ebu Bekrit ishte se të gjithë anëtarët e familjes së tij kishin pranuar Islamin duke fituar statusin e Sahabit. Babai, nëna, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij ishin të gjithë myslimanë.
Shënimet
- 79.Fet’h, 27.
- 80.Ali Muhamed, Biogarafia e Ebu Bekr Siddikut, fq.96.
- 81.Taberani, Mu’xhemul Kebir, 24/88.