POZITA E EBU BEKRIT PRANË PROFETIT
Pozita e atyre që i kishin vënë shpatullat kauzës së Islamit edhe në kohë vështirësish ekstreme, duhet të ishte e veçantë. Këta persona kishin zënë një vend unik pranë Allahut. Allahu i Plotfuqishëm e shpjegon këtë dallim në ajetin e mëposhtëm:
“...Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas.”
Edhe sjellja e Profetit nuk ishte ndryshe. Ata që kishin qëndruar pranë tij në ditët e hershme të Islamit, kishin vlerë unike. Në fakt, askush nuk mund ta imagjinonte se sa shpërblim të madh kishin fituar ata që qëndruan afër Profetit në kohën kur vështirësitë ishin të rënda. I Dërguari i Allahut ishte një pasqyrë e paimitueshme që reflektonte moralin e Allahut. Si mund t’i trajtonte ndryshe ndjekësit e tij?
Kauza Hyjnore që ishte ngjizur në shpellën Hira, kishte pasur mbështetje të vazhdueshme që në ditët e para. Ata që i kishin qëndruar pranë që në momentet e fillimit, të parët e të parëve, kishin vend të veçantë në zemrën e Profetit. Ai e kishte bërë të qartë këtë në çdo vend ku kishte ardhur mundësia dhe e kishte shfaqur në sjelljen e tij ndaj tyre.
Një ditë, i Dërguari i Allahut ishte ulur me sahabët, teksa pa shokun e tij të dashur të afrohej. Ai dukej i mërzitur. Profeti e kuptoi që larg gjendjen e tij emocionale. Pastaj tha: “Shokut tonë i ka ndodhur diçka!”
Ai e njihte shumë mirë atë. Fytyra e Ebu Bekrit ishte e zbehtë dhe në trup i dalloheshin shenja rraskapitjeje. Ai erdhi dhe u ul pranë Profetit. Pastaj me zë të ulët filloi të flasë:
“Ndodhi diçka midis meje dhe Omer ibn Hatabit. Më duket se u solla pak ashpër me të dhe i theva zemrën. Në çast u ndjeva fajtor dhe i kërkova falje, por ai nuk e pranoi. Prandaj erdha tek ti, o Dërguari i Allahut.”
Profeti u mërzit nga dëshpërimi i Ebu Bekrit. Ai nuk mund ta shikonte në këtë gjendje shokun e tij besnik. Në fillim u lut: “Allahu u tregoftë i butë me Ebu Bekrin!”
Kjo ishte edukata e Profetit. Ai lumturohej nga gëzimi i shokëve të tij dhe mërzitej nga dëshpërimi i tyre.
Papritur atmosfera kishte ndryshuar dhe dukej sikur re të zeza kishin rënë mbi ta.
Ndërkohë, Omeri ishte penduar për sjelljen e tij dhe shkoi në shtëpinë e Ebu Bekrit për t’i kërkuar falje. Ai nuk e gjeti atë në shtëpi, ndaj nxitoi drejt xhamisë. Gjendja e tij shpirtërore ishte e njëjtë me atë të Ebu Bekrit. Ai përshëndeti Profetin dhe hyri në xhami. Ndërkohë që kërkonte një vend për t’u ulur, Omeri e ndjente tensionin. Pendimi i tij ishte i thellë, por ishte tepër vonë. Koha nuk mund të kthehej prapa për të ndryshuar veprimin që kishte bërë. Në atë çast, dukej se Omerit të Madh i kishin shteruar të gjitha energjitë. Zemra e Ebu Bekrit mund të mos e pranonte më atë. Ai ra në këmbët e Profetit fisnik dhe u përgjërua:
“Për Allah! Unë veprova keq! Ishte faji im!”
Ai ishte aq i sinqertë, saqë përsëriste vazhdimisht të njëjtat fjalë me një ton zëri që lutej për falje. Edhe retë e ngarkuara me shi ishin gati të shpërthenin në mëshirë. Profeti fisnik iu drejtua të gjithë të pranishmëve me fjalët e tij:
“Betohem në Allah! Kur Ai më dërgoi mua Profet, ju të gjithë mendonit se isha mashtrues! Ebu Bekri ishte i vetmi, i cili tha, ‘Ti dëshmon të vërtetën!’. Ai më mbrojti mua me jetën e tij dhe me gjithçka kishte! A nuk do ta linit pranë meje mbështetësin tim (besnik)?
Çfarë mund të thuhej pas këtyre fjalëve kaq të sinqerta? Të gjithë pohuan me kokë. Si një kor i heshtur, secili pohonte: “The të vërtetën o Profet fisnik.” Edhe kur e kishte zemrën të thyer, Ebu Bekri shqetësohej për ndjenjat e të tjerëve. Ai mendonte për hidhërimin që ndjente personi tjetër dhe qortonte veten si shkaktar. Ndërkohë që Ebu Bekri ishte larguar nga turma, ai kishte qarë në heshtje.
Ky ishte karakteri i tij. E si mund të sillej ndryshe? Por për fat të keq, këto gjëra ndodhnin herë pas here. Në një rast tjetër, ai pati një keqkuptim me Rabiatul Eslemin. Çështja u paraqit përpara Profetit. Ebu Bekri e kishte lënduar me fjalë Rabian. Ai u mundua ta shlyente këtë duke kërkuar nga Rabia që edhe ai t’i thoshte të njëjtat fjalë, por për fat të keq, Rabia nuk pranoi dhe Ebu Bekri tha:
“Ose ti do të marrësh atë që të takon me të drejtë, ose unë do ta çoj këtë çështje tek Profeti.”
Rabia nuk ndryshoi qëndrim. Ishte e qartë se e vetmja mënyrë për ta zgjidhur problemin ishte të kërkonin ndihmë nga Profeti. Menjëherë shkuan tek ai. Në atë çast, një grup burrash nga klani i Eslemit, të cilët e kishin marrë vesh incidentin, ishin ulur me Profetin. Ata po e kritikonin sjelljen e Ebu Bekrit, kur Rabia ndërhyri:
“Pushoni! Ju po flisni për Ebu Bekrin, jo për një njeri çfarëdo! Allahu e quan atë ‘i dyti prej të dyve’ në shpellën Theur. Mos flisni kundër tij për të më mbrojtur mua! Profeti do të pikëllohet nga dëshpërimi i tij. Pa dyshim, pikëllimi i Profetit do të sjellë zemërimin e Allahut ndaj nesh! Dhe ai do të ishte fundi i Rabias!”
Ebu Bekri shpjegoi gjithçka që kishte ndodhur. Shprehja e fytyrës së Profetit tregonte se ai nuk ishte i kënaqur nga ato që
kishte dëgjuar. Ai pa nga Rabia dhe i kërkoi atij me një ton zëri të pakënaqur se ç’problem kishte me Ebu Bekrin. Edhe Rabia ishte i mërzitur nga e gjithë ngjarja, megjithatë dëshironte që ta sqaronte atë. Kishte një detaj të cilin ata nuk e kishin vënë re. Rabia tha:
“O Profet fisnik, ai m’u drejtua me disa fjalë jo të mira. Më pas sugjeroi që edhe unë t’i thoja atij të njëjtat fjalë. Megjithatë, unë nuk pranova.”
Profetit të Allahut i pëlqeu sjellja e Rabias dhe e këshilloi atë që të lutej:
“Allahu të mëshiroftë ty, o Ebu Bekr!”
Ishte e qartë se Profeti nuk dëshironte që të turbullonte mikun e tij të dashur, i cili kishte qenë përkrah tij që në fillim. Për këtë arsye, ai po i kërkonte Rabias që të lutej për të. Mbështetja e Profetit ndaj tij, edhe në situata ku ai mund të ishte në gabim, e prekën kaq thellë zemrën e Ebu Bekrit, saqë zuri të qante. Sipas dëshmisë së
Rabias, Ebu Bekri u ul në një qoshe dhe shpërtheu në lot.MATURIA DHE AFTËSIA E TIJ PËR TË KUPTUAR
Megjithëse ishte një ndër personat më eruditë mes besimtarëve, Ebu Bekri kurrë nuk e përdori këtë si avantazh për të ngritur reputacionin e tij. Ai kishte qenë dëshmitar i pothuajse të gjitha shpalljeve që i zbritën Profetit dhe kishte njohuri për traditat më të respektueshme profetike. Ndoshta, kjo është arsyeja, pse ai ishte një ndër dy njerëzit i cili kishte dhënë fetva ndërkohë që Profeti ishte ende gjallë.
Pavarësisht kësaj, ai e fshihte aq shumë zgjuarsinë e tij, saqë nuk fliste përveç rastit kur i drejtohej një pyetje. Ai preferonte që t’i linte të tjerët të pyesnin Profetin, kështu çdo njeri do të kishte mundësi të merrte informacion prej tij nga afër. Njerëzit si Ebu Bekri, ishin kaq të ndjeshëm, saqë kur uleshin pranë Profetit, silleshin sikur të kishin zogj mbi kokat e tyre. Ata drithëroheshin nga mendimi se mund ta shqetësonin Profetin. Në lidhje me këtë, ai kishte pohuar:
“Cila mbretëri do më pranonte mua, apo nën cilin qiell do të gjeja strehim, nëse bëj vërejtje që kundërshtojnë librin e Allahut.”
Një ditë, u shpall ky ajet: “As dëshirat e tua dhe as ato të Njerëzve të Librit (nuk mund të mbizotërojnë): kushdo që bën keq do të ndëshkohet sipas veprës së tij. Përveç Allahut, nuk do të gjeni tjetër mbrojtës e ndihmues.69
Ebu Bekri u zhyt në mendime të thella pasi dëgjoi këtë ajet. Ai mundohej të kuptonte përmbajtjen e ajetit hyjnor. Dukej se nuk kishte rrugëdalje për Ebu Bekrin. Si mundej, i biri i Ebu Kuhafes, të flinte në një natë të tillë? Me të shpejtë ai shkoi tek i Dërguari i Allahut. Fytyra i ishte zbehur dhe zemra i rrihte si e marrë. Me zërin që i dridhej, pyeti:
“O Profet i lartësuar! Ky ajet na ka thyer më dysh. A ka ndonjë prej nesh i cili nuk gabon?”
Edhe një herë, i takonte Profetit që të ngushëllonte Ebu Bekrin. Ai ia nguli vështrimin Ebu Bekrit dhe i kujtoi atij mosmarrëveshjet dhe mundimet që njerëzit kalojnë në këtë jetë. Më pas, Profeti tha:
“Këto janë gjërat për të cilat do të shpërblehesh në jetën e përjetshme.”
Në një tjetër rast, kur Ebu Bekri ishte ulur bashkë me Profetin, një burrë erdhi dhe filloi ta mallkonte atë. Duke qenë aq pranë Profetit, ai u ndje jashtëzakonisht i poshtëruar. Ai nuk mund t’i jepte asnjë shpjegim fyerjeve të atij personi. Me cepin e syrit ai hodhi vështrimin për të parë reagimin e Profetit. Profeti i lartësuar po buzëqeshte dhe kjo i dha një mbështetje të lehtë zemrës së Ebu Bekrit.
Për fat të keq, burri nuk kishte ndërmend të ndalonte dhe vazhdonte me fyerje dhe sharje. Më në fund, Ebu Bekri nuk duroi më dhe vendosi të ndërhynte me një përgjigje. Përpara se ai të thoshte fjalët në mbrojtje të vetvetes, Profeti i lartësuar u çua dhe u largua prej aty. Ai nuk po buzëqeshte më. Me ta parë këtë gjë, Ebu Bekri po ashtu u ngrit dhe vrapoi pas Profetit. Ai nuk mund të duronte që ta shihte Profetin të mërzitur. Kur e arriti atë, i tha:
“O Profeti fisnik i Allahut! Ti ishe aty kur ai njeri po më fyente. U mundova ta ndalja kur ai i kaloi kufijtë. Përse u largove i zemëruar?”, e pyeti ai respektueshëm.
Ebu Bekri u soll me modesti ndërkohë që përpiqej të kuptonte
mësimin që Profeti i lartësuar po i jepte me anë të sjelljes. Profeti heshti për një çast dhe më pas bëri një pohim, të cilin duhet ta kujtojë çdo mysliman:
“Nuk ka dyshim se ndërkohë që ti qëndroje i heshtur, një engjëll përgjigjej në vendin tënd. Sapo fillove ta mbrosh vetveten, aty erdhi Shejtani. Nuk doja të qëndroja në të njëjtin vend me të.”
Pas këtij shpjegimi, Profeti i lartësuar e përgjithësoi çështjen me komentet e mëtejshme:
“O Ebu Bekr! Tri gjëra janë të vërteta:
Allahu do t’i lartësojë dhe do t’i shpërblejë ata të cilët ruajnë qetësinë për hir të Allahut kur të tjerët u bëjnë keq atyre.
Cilido që hap një derë në emër të së mirës dhe i jep me zemërgjerësi atyre që janë pranë tij, Allahu do t’ia shtojë pasurinë dhe mirëqenien.
Cilido që kërkon prej të tjerëve me qëllim për të shtuar pasurinë, Allahu do t’ia shtojë varfërinë.”
Shënimet
- 62.Hadid, 10.
- 63.Buhari, Sahih, 4/1701.
- 64.Hakim, Mustedrek, 2/189.
- 65.Ibn Ebi Shejbe, Musannef, 6/136. 69 Nisa, 123.
- 66.Ibn Hibban, Sahih, 7/170.
- 67.Ahmed ibn Hanbel, Musned, 2/436.