HIXHAZI TRONDITET NGA POLEMIKAT
Sipas dëshmisë së të bijës së Ebu Bekrit dhe nënës së besimtarëve, Aishes, barra e problemeve dhe shqetësimeve që ra mbi të atin kur mori postin e Kalifit, ishte aq e rëndë, saqë po të kishte qenë vendosur mbi malet, ata do të ishin bërë copë e thërrime.
Largimi i Profetit nga kjo botë kalimtare ishte një shans i madh për mendjet e djallëzuara që të fillonin dhe të shpallnin profecinë e tyre të rreme. Në të gjithë krahinën e Hixhazit filluan të dalin profetë të rremë. Gjithashtu kishte njerëz të cilët nuk ishin nënshtruar Islamit plotësisht. Megjithëse ata faleshin si të tjerët, nuk pranuan të japin zekatin. Kishin dalë risi në lidhje me fenë dhe kishin filluar sërish konfliktet midis fiseve të ndryshme. Ambienti ishte mbushur me debate dhe rebelime. Madje, edhe në ditën e ndërrimit jetë të Profetit, filluan thashethemet në lidhje me ushtrinë e Usames të përgatitur nga vetë Profeti. Themelet e bashkësisë islame po rrezikoheshin nga këto përçarje dhe debate.
Pavarësisht nga këto, Ebu Bekri ishte njeriu i duhur për këtë gjendje. Kështu kishte dashur kaderi hyjnor. Allahu i Lartësuar i kishte dhënë atij një pozitë pranë Profetit në mënyrë që ai të ishte i përgatitur për kohë të tilla. Ebu Bekri ishte i pajisur me aftësitë për të qenë një lider dhe për të vendosur një sistem të qëndrueshëm që do të mbronte unitetin e Islamit pas largimit të Profetit. Kjo ishte kaq e qartë, saqë Omeri, vite më vonë, do të ndjehej i detyruar të bënte pohimin e mëposhtëm:
“Kam vënë re se qëndrimi i rreptë i Ebu Bekrit ndaj rebelimit dhe trazirave ishte më i efektshëm se i imi. Gjatë qeverisjes së tij, ai kishte bërë aq përpara në edukimin e njerëzve me Islamin saqë unë nuk e pata fare të vështirë t’i administroja ato gjatë qeverisjes sime.” Ibn Mesudi gjithashtu e nderoi Ebu Bekrin me këto fjalë:
“Pas të Dërguarit të Allahut, ne na është dashur të përballemi me shumë incidente shqetësuese. Nëse Allahu nuk do të na kishte dhënë një lider si Ebu Bekri, do të ishim shkatërruar.”
Shënimet
- 97.Ibn Kethir, El Bidaje uen Nihaje, 6/304.
- 98.Halid Muhamed, Xhae Ebu Bekr, fq.89.