PROFETË TË RREMË

Mjedisi ishte i përshtatshëm për shtimin e mashtruesve. Disa filluan të pretendonin se ishin profetë dhe se ata kishin të drejtën për të udhëhequr. Një njeri i quajtur Tuhejle pretendonte se ishte profet. Ai i përkiste fisit të Esedit, në të cilin gjeti shumë mbështetje. Për një kohë jo të gjatë, ndikimi i tij kishte mbërritur tek bijtë e Amirit, Huazanit dhe Sulejmit. Shumë njerëz problematikë ishin bashkuar me lëvizjen e tij.

Pak kohë më pas, një grua me emrin Sexhah nga të bijtë e Tamimit, po ashtu pretendoi se ishte profete. Megjithatë, më shumë bujë bënë zërat e ardhur nga Jemame. Një njeri me emrin Musejleme deklaroi profetësinë e tij dhe pretendonte se po i vinin shpallje. Musejleme ishte dikush i cili kishte vetëm kultin e vetvetes. Ai madje kishte shpikur gjëra të paqena duke i paraqitur ato si shpallje. Pjesa e trishtueshme e gjithë kësaj ngjarjeje ishte se ai kishte gjetur një numër të konsiderueshëm mbështetësish. Këta njerëz i ngjanin një kori djallëzor i cili përsëriste vazhdimisht: “Ne ju bindëm Profetit të Allahut për aq kohë sa ai ishte mes nesh. Megjithatë, pas largimit të Profetit, ne nuk do t’i bindemi Ebu Bekrit apo ndonjë shërbëtori tjetër të Allahut.”

Ata nuk dëgjonin asgjë veç egos së tyre. Megjithatë, kishte prej atyre të cilët ishin krejtësisht të nënshtruar ndaj Allahut. Ata nuk do të qëndronin të mënjanuar dhe të shihnin sesi këto pretendime false shkatërronin ndërtimin e vërtetë të shoqërisë. Ebu Bekri ishte një prej këtyre njerëzve të guximshëm. Me të shpejtë, ai përgatiti

ushtritë dhe i dërgoi ato në çdo cep të shkretëtirës për t’i asgjësuar.

Ebu Bekri dhe ushtritë e tij ishin shumë të vendosur, dhe kjo ishte e mjaftueshme për të bindur shumë nga ata të cilët largoheshin vjedhurazi prej kësaj detyre. Brenda një kohe të shkurtër, ky problem do të zgjidhej, dhe të gjithë mashtruesit që pretendonin profetësi, do të zhdukeshin.

Shënimet

  1. 102.Halid Muhamed, Xhae Ebu Bekr, fq.94.