LIDHJET E GËZUESHME

Ebu Bekri jetoi në një epokë ku injoranca kishte arritur kulmin. Ngjarjet negative që ndodhnin përreth ishin të atilla që mund ta paralizonin botën shpirtërore të njeriut. Megjithatë, kjo nuk do të thoshte se nuk kishte progres në emër të virtytit dhe të drejtësisë. Megjithëse të pakët, ende kishte njerëz që i kishin shpallur luftë injorancës dhe idhujtarisë. Këta njerëz flisnin vazhdimisht për moralin dhe të drejtën. Ebu Bekri kishte interes të madh në këto çështje dhe i ndiqte mbledhjet e tyre rregullisht. Në veçanti ai vizitonte me dëshirë disa persona si, Uaraka, Zejd ibn Amr dhe Kus ibn Said. Sytë e këtyre njerëzve gjithnjë ishin të drejtuar drejt së përtejmes. Ata kërkonin të Dërguarin e fundit që do t’i sillte njerëzimit shpëtimin. Kjo ishte arsyeja më e fortë që mbante lidhjen dhe dashurinë e tyre për njëri-tjetrin. Ata thurnin poezi kur flisnin për Të ose kur përmendnin emrin e Tij midis njerëzve.

Një ditë Ebu Bekri dëgjoi një bisedë ndërmjet Zejd ibn Amrit dhe Umeje ibn Ebi Selt.

Zejdi i tha Umejes:

“Asnjë fe nuk ka vlerë në Ditën e Gjykimit, përveç asaj që Allahu ka dërguar dhe të qenit Hanif (monoteist).” Zejdi vazhdoi me një ton serioz:

“Ki kujdes! A do të dalë Profeti i pritur nga populli ynë, apo nga toka e Palestinës?”

Ebu Bekri po dëgjonte me vëmendje bisedën midis dy shokëve. Ata po flisnin për çështje të botës tjetër dhe kjo nuk mund të mos merrej seriozisht. Për më tepër ata të dy ishin ndër më të diturit dhe më të zgjuarit në Mekë.

Kjo bisedë e kishte bërë shumë kureshtar Ebu Bekrin. Menjëherë rendi tek Uaraka ibn Neufel, një tjetër njeri i ditur. Ai ishte një burrë sytë e të cilit shikonin gjithnjë drejt së përtejmes. Ebu Bekri u ul pranë tij dhe i tregoi bisedën që kishte dëgjuar në Qabe. Pastaj e pyeti Uarakën se çfarë do të thoshte e gjithë kjo. Uaraka i tha me përzemërsi:

“O djali i vëllait tim! Njerëzit e Librit dhe dijetarët e tjerë janë të një mendimi të përbashkët se Profeti i fundit do të dalë nga zemra e popullit dhe shoqërisë arabe. Unë kam njohuri të mira të gjenealogjisë. Fisi yt vjen po ashtu nga zemra e popullit arab.”

Me fjalët që tha, Uaraka i tërhoqi vëmendjen Ebu Bekrit për tek fisi i tij. Në fakt ai po e këshillonte që ta kërkonte të Shumëpriturin në fisin e tij. Kur dëgjoi këtë, Ebu Bekri e pyeti: “O xhaxhai im! Çfarë do të sjellë dhe çfarë do të kërkojë ky Profet?”

“Ai do të thotë ato gjëra që do t’i shpallen atij. Kur të mbërrijë ai, tirania dhe shtypja do të marrë fund”, u përgjigj Uaraka.

Në një rast tjetër, Ebu Bekri dëgjoi Zejd ibn Amrin të thoshte:

“O njerëz të Kurejshëve! Betohem në Atë, në dorën e të cilit është shpirti im, se askush nga ju nuk ndjek rrugën e Ibrahimit alejhi selam përveç meje! Tani unë po pres ardhjen e një Profeti nga familja e Ismailit. Shpresoj të jetoj aq gjatë sa për ta parë atë.” Një burrë i moshuar, i njohur me emrin Amr ibn Rebia, pasi e dëgjoi Zejdin, i tha:

“Nëse jeton dhe e shikon atë, çoji përshëndetjet e mia gjithashtu!”

Nëse këta dijetarë të vjetër po tregonin të vërtetën, atëherë banorët e Mekës i prisnin surpriza të mëdha. Ata ishin aq të sigurt në parashikimet e tyre, saqë ishte e pamundur ta shpërfillje lajmin. Për më tepër, ata të gjithë ishin të të njëjtit mendim se kishte afruar koha e ardhjes së Profetit të fundit.

Që nga ky çast, botëkuptimi i Ebu Bekrit mbi botën kishte ndryshuar. Herë pas here ai vizitonte Qabenë për të parë gjendjen e mjerueshme në të cilën jetonin një pjesë e gjindjes. Ai ishte i bindur se adhurimi i idhujve ishte një besëtytni dhe ai ia kujtonte vazhdimisht vetes këtë gjë.

Historitë që kishte dëgjuar nga këta burra të mençur ia kishin trazuar gjumin. Edhe ëndrrat madje i ishin mbushur me shenja të ardhjes së Profetit të Shumëpritur. Si mund të mendonte ndryshe? Të gjithë ata dijetarë ishin të një mendimi dhe të gjithë shokët e tij recitonin të njëjtat vargje.

Nga njëra anë kishte njerëz që jepnin receta për të shëruar botën nga korrupsioni moral dhe nga ana tjetër ishin po ata që përshkruanin në detaje Profetin e Ardhshëm. Ata ishin aq të saktë në përshkrimet e tyre saqë dihej titulli i tij si dhe veçoritë e atyre që do ta ndiqnin.

Një herë, Ebu Bekri kishte shkuar në Damask për tregti. Gjatë qëndrimit atje pa një ëndërr të çuditshme, sikur Hëna ishte thyer në copa. Pastaj kishte zbritur dhe ishte futur në çdo shtëpi të Mekës. Më pas copat u bashkuan përsëri për të formuar Hënën e plotë e cila hyri në shtëpinë e Ebu Bekrit. Ai u zgjua i trembur duke bërtitur. Ëndrra e kishte emocionuar aq shumë sa nuk mundi ta përmbante veten.

Ebu Bekri vendosi të zbulonte se çfarë do të thoshte kjo ëndërr dhe shkoi tek një murg. Ai i shpjegoi çdo gjë që kishte parë. Murgu u ngazëllye pa masë kur dëgjoi ëndrrën e Ebu Bekrit. Më pas i tha:

“Pa dyshim që koha e tij ka ardhur!”

Ebu Bekri ishte konfuz. Ai po kërkonte një shpjegim për ëndrrën nga ky burrë, por ai po fliste për gjëra që Ebu Bekri nuk i kuptonte. Ai e pyeti përsëri:

“Për çfarë e ke fjalën?”

Nga shikimi i tij kuptohej se Ebu Bekri e kishte nuhatur nënkuptimin e murgut, por dëshironte një konfirmim. Kështu që vijoi me pyetjen tjetër:

“Mos je duke folur për Profetin e Fundit?” Murgu pohoi me kokë dhe iu përgjigj:

“Po! Ti do të përqafosh fenë e tij dhe do të bëhesh një nga mbështetësit e tij më të mëdhenj ndër të gjithë njerëzit.”

Gjatë kthimit nga Damasku në mendjen e Ebu Bekrit ishte vetëm një njeri, Profeti i Fundit. Herë pas here ai ngrinte duart lart dhe thërriste: “Kush do të recitojë një poezi të Umeje ibn Ebi Seltit?” Një person nga karvani përgjigjej: “Umeje ka shumë poezi. Cilën do që të recitojmë?” Ebu Bekri iu përgjigj: “Vërtet, Ne kemi Profetin tonë...” Menjëherë pas kërkesës, një person nga karvani filloi të recitonte poezinë:

Vërtet, Ne kemi Profetin tonë. Do të sjellë lajme prej së ardhmes! Jemi të sigurt se nëse nuk ka përfitim nga mençuria, do të kishim vënë në shpatë njëri tjetrin.

O Zoti im! Mbromë nga idhujtaria dhe mbushma zemrën me besim sa të jem gjallë në botë.

Sepse unë kërkoj ndihmë nga e keqja tek Ai, i vetmi Krijues, për të cilin njerëzit vizitojnë Qabenë dhe mbajnë flamurin e fesë.

Rruga e kthimit për në Mekë kalonte nga krahina e Basrës ku jetonte një prift me emrin Bahira. Ebu Bekri donte t’ia shpjegonte ëndrrën e tij Bahiras. Kështu ai shkoi menjëherë në manastirin ku jetonte ai.

Ebu Bekri i shpjegoi ëndrrën që kishte parë në Damask. Ndërsa po dëgjonte, sytë e Bahiras ishin hapur nga habia. Menjëherë e pyeti Ebu Bekrin se nga ishte. “Nga Meka”, iu përgjigj ai me qetësi. Bahira donte më shumë informacion dhe kjo ishte e dukshme. Prandaj e pyeti: “Nga cila pjesë e Mekës dhe nga cili fis?” “Nga fisi Kurejsh”, iu përgjigj Ebu Bekri i habitur. Kjo përgjigje përsëri nuk ishte e mjaftueshme për të, prandaj prifti vazhdoi: “Çfarë pune bën për të jetuar?” “Unë jam tregtar”, iu përgjigj Ebu Bekri.

Në këtë pikë, Bahira filloi të flasë më hapur për gjëra që do të shuanin kureshtjen e Ebu Bekrit. “Pa dyshim që Allahu do të mundësojë që ëndrra jote të bëhet realitet! Së shpejti një Profet do të dalë nga fisi yt. Ti do të jesh mbështetësi i tij gjatë jetës dhe Kalifi i tij pas vdekjes!”

Ebu Bekri ishte hipnotizuar nga ato që dëgjoi. Ai nuk dinte se ç’të pyeste më tepër. Një pohim i tillë që i jepte një nder të veçantë, e bëri që të tregohej akoma më i thjeshtë. Meqë emri i tij ishte përmendur nga parashikimi i Bahiras, ai vendosi të mos i tregonte njeriu për këtë. Ai do ta mbante sekret deri në ditën e bashkimit.TË GJITHË ISHIN TË VETËDIJSHËM PËR PRANINË E TIJ

Çdo ditë që kalonte Ebu Bekri kuptonte se po afrohej më shumë me Profetin. Kjo ndjenjë i dha atij një afrimitet tjetër. Prania e Profetit të Pritur ishte aq e dukshme, si Hëna e plotë që ngrihet në qiellin e errët. Edhe mekasit ishin të vetëdijshëm për këtë.

Pas një debati të gjatë, mekasit kishin vendosur të rikonstruktonin Qabenë e cila ishte vjetruar nga pesha e viteve. Për Mekën Qabeja ishte një burim i madh të ardhurash asokohe. Çdo vit ajo vizitohej nga një numër i madh pelegrinësh. Kjo kishte bërë që të shtohej tregtia dhe të rriteshin të ardhurat. Megjithëse adhurimi dhe praktikat lidhur me Qabenë kishin pësuar transformime të shumta, ajo konsiderohej ende një vend i shenjtë.

Rikonstruksioni kishte përfunduar dhe ishte koha për të vendosur Gurin e Zi në vendin e vet. Papritur, nisi një konflikt i paparashikuar midis fiseve arabe. Secili fis pretendonte se i takonte atij nderi të vendoste gurin. Ndërkohë që po diskutoheshin argumentet, u dëgjua zëri i fuqishëm i Umejes. Ai propozoi një zgjidhje. Ai u sugjeroi se personi i parë që do të hynte në Qabe, do të gjykonte për çështjen.

Umeje ishte një nga liderët e Mekës. Ai ishte një burrë i moshuar, mendimi i të cilit respektohej. Ata lanë çdo debat dhe po prisnin me ankth se kush do të ishte ai që do të futej në Qabe. Ebu Bekri ishte mes turmës. Nuk kaloi shumë dhe u dëgjuan hapa. Dikush po afrohej. Të gjithë i kishin sytë të fiksuar nga hyrja. Tensioni në ajër po rritej. Kush do të ishte ai person që do të merrte vendimin final për të vendosur Gurin e Zi?

Papritur dikush filloi të thërriste me zë të lartë: “I besueshmi! Muhamed i besueshmi!”

Ata tashmë kishin rënë dakord që do t’i bindeshin vendimit të personit të parë që do të hynte në Qabe. Të gjithë u çliruan kur panë se ky person ishte Muhamedi, ndërsa ky i fundit nuk e kishte aspak idenë për vendimin e tyre. Paria e fiseve i shpjeguan si qëndronte çështja dhe i kërkuan që të gjente një zgjidhje. Muhamed i besueshmi u tha:

“Më sillni një rrobë!”

Nxituan dhe e sollën menjëherë. Megjithëse nuk e dinin qëllimin e tij, askush nuk hezitoi për të plotësuar kërkesën e tij. Kur Muhamed i besueshmi kërkonte diçka, ishte e sigurt se ai kishte një arsye logjike. Rrobën e vunë në tokë dhe mbi të vendosën gurin. Pastaj Muhamedi tha:

“Secili kryetar fisi të kapë një cep të rrobës dhe të ngrejë gurin!”

Kjo ishte një zgjidhje e shkëlqyer, pasi çdo fis do të kishte nderin të ngrinte gurin. Guri ishte ngritur nga të gjithë kryetarët e fiseve dhe ishte afruar në vendin ku do të vendosej. Pastaj Muhamedi e mori gurin me duart e tij të bekuara dhe e vendosi në vendin e vet. Vendimi i tij kishte parandaluar një konflikt që mund të degjeneronte në dhunë. Njëkohësisht, ky gur i cili ishte mbajtur nga shumë profetë në të kaluarën, tani kishte qenë edhe një herë në duart e një Profeti. Ky kishte qenë caktimi i Allahut.

Ebu Bekri e kishte parë të gjithë skenën me habi të madhe dhe kujtimet e kishin kthyer pas në kohë, në tregun e Ukazit. Ai kujtoi fjalët e plakut Kus ibn Said:

“Pa dyshim që koha do të mbërrijë kur caktimi të jetë përmbushur dhe fletët e librit të jenë hapur!”

26 EBU BEKRI

Në të vërtetë, dhuntia e Allahut kishte triumfuar dhe kaderi ishte përmbushur. Në këtë ngjarje, Ebu Bekri ishte njeriu më i lumtur lidhur me zgjidhjen e problemit.

Shënimet

  1. 8.Zejd ibn Amri ishte një nga personat që kishte dhënë lajme të Profetit të fundit. Kur ardhja e Profetit po vonohej, ai mendoi se mund të kishte ardhur në një vend tjetër. Kështu u largua nga Meka në kërkim të Profetit dhe u vra gjatë udhëtimit. Ibn Sa’d, Tabakatul Kubra, 3/379; ibn Haxher, Tehdhibu Tehdhib, 3/364.
  2. 9.Umeje ishte një poet nga epoka e injorancës. Ibn Haxher, el Isabe, 1/249.
  3. 10.Sujuti, Hasaisul Kubra, 1/42.
  4. 11.Hindi, Kenzul Ummal, 1/2483 (35357).
  5. 12.Ibn Haxher, Tehdhibu Tehdhib, 3/364.
  6. 13.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 1/413 (333).
  7. 14.Ali Muhamed, Biogarafia e Ebu Bekr Siddikut, fq.34.
  8. 15.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 1/413 (333).
  9. 16.Ahmed ibn Hanbel, Musned, 3/425.
  10. 17.Halebi, Siratu Halebije, 1/319.