ZGJIDHJE VENDIMTARE NDAJ REFUZIMIT TË ZEKATIT

Kishte nga ata të cilët e përdorën largimin e Profetit nga jeta për t’u shmangur nga dhënia e zekatit. Megjithëse këta njerëz vazhdonin të falnin namazet, etja e tyre për pasuri i kishte bërë t’i kthenin shpinën zekatit. Ata deklaruan se nuk do të jepnin më shumën e caktuar të parave. Ndoshta pretendimi i tyre nuk ishte nga fakti që nuk e konsideronin zekatin si detyrim fetar, por sepse mendonin që tashmë ai nuk duhej më, pasi Profeti kishte ndërruar jetë.

Mendja e mprehtë e Ebu Bekrit menjëherë e kuptoi se çfarë fshihej pas një veprimi të tillë, i cili mund të kthehej në një sëmundje për shoqërinë. Lëshimi më i vogël në një rast si ky do të hapte rrugën e kërkesave të reja dhe si përfundim, bashkësia islame do të përmbysej akoma më shpejt se ato para saj. Për këtë arsye, Ebu Bekri, më i vendosur se kurrë, i shpalli luftë këtyre njerëzve. Sahabët si Omeri kundërshtuan:

“Si mund të shpallësh luftë ndaj një grupi që dëshmon se nuk

Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij?” Ebu Bekri u përgjigj me deklarimin:

“Edhe po të kishte qenë një litar kapistre dhe të ishte mbledhur në kohën e Profetit, unë gjithashtu do ta mblidhja atë.”

Me këtë qëndrim të patundur Ebu Bekri parandaloi një kolaps të bashkësisë. Edhe Sahabët e tjerë të cilët në fillim kundërshtuan, tani po e kuptonin arsyen e vendosmërisë së tij. Ata kishin shkuar tek Ebu Bekri duke pranuar se kishin qenë gabim. Sahabët si Ebu Hurejre, i cili e kishte parë vendosmërinë e Ebu Bekrit në kohë të vështira, e lavdëroi atë me pohimin e mëposhtëm:

“Nëse nuk do të kishte qenë për Ebu Bekrin, ne do të kishim rënë në kaos dhe nuk do të ishim rimëkëmbur më kurrë.”

Shënimet

  1. 99.Muslim, Sahih, 1/51.
  2. 100.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/47.