DREJT KALIFATIT

Ndërkohë, muhaxhirët dhe ensarët ishin mbledhur për të diskutuar dhe vendosur se kujt do t’ia jepnin besën pas Profetit. Si fillim u përqendruan në idenë e të pasurit të një lideri nga çdo fis. Sidoqoftë, një mendje e ndritur si ajo e Omerit, e kuptoi se kjo do të sillte përçarje dhe konflikt midis njerëzve. Omeri e dinte se sapo shpatat të nxirreshin nga milli, ato nuk futeshin më lehtë mbrapsht. Ai i bindi të pranishmit se duhet të kishin një lider të vetëm.

Ebu Bekri ishte ftuar me insistim në mbledhje. Sapo u bashkua me të tjerët në mbledhje, Omeri u ngrit në këmbë dhe tha:

“O njerëz të ensarëve! A nuk e dini ju se i Dërguari i Allahut urdhëroi Ebu Bekrin të dilte imam në namaz për të prirë besimtarët? A do të kishte guxim ndonjëri nga ju të dilte para Ebu Bekrit dhe të zinte vendin që vetë i Dërguari i Allahut ka caktuar për të?” Omeri po u fliste një grupi burrash seriozë dhe të drejtë. Prandaj ata u përgjigjën njëzëri:

“I frikësohemi Allahut dhe kërkojmë mëshirë prej Tij nëse dalim para Ebu Bekrit!”

Ishte një situatë konfuze. Nga njëra anë ishte i Dërguari i Allahut i cili sapo ishte larguar për në botën e përtejme dhe në anën tjetër po diskutohej se kush do të pasonte atë si lider. Me të vërtetë, nga njëra anë ishte dhimbja dhe dëshpërimi i largimit të Profetit dhe nga ana tjetër sfida e ruajtjes së një drejtpeshimi midis besimtarëve. Anija e Islamit duhet të lundronte drejt brigjeve të qeta dhe kjo duhet të bëhej pa shkaktuar dëm në shpirtin e fesë. Natyrisht, në atë kohë duhet të merreshin masa të rrepta në mënyrë që të shmangej përçarja. Vendi bosh i liderit duhet të plotësohej tashmë nga një person i denjë për të. Përndryshe do të vendosë një njeri që nuk e meritonte.

Ebu Bekri mbeti i habitur nga biseda. Ai tentoi të ndërhynte duke thënë se vendi i liderit duhet të zëvendësohej nga një ekspert si Omeri ose Ebu Ubade. Megjithatë, Omer ibn Hatabi nuk e la të fliste gjatë. Me një ton autoritar ai tha:

“Më lejo të të bëj një pyetje,” dhe vazhdoi: “I dyti nga ata të dy kur ishin në shpellë dhe ai i tha shokut: ‘Mos u mërzit, Allahu patjetër është me ne.’(Teube, 40) Kush është ai që përmendet në këtë ajet? Kush është personi që është nderuar me shoqërinë më fisnike?” Në këtë pikë, zëra të tjerë e mbështetën Omerin:

“Si mund t’i japim ne besën dikujt tjetër kur midis nesh është një Siddik dhe i ‘dyti nga ata të dy’?” Për më tepër, fjalët e të Dërguarit të Allahut përsa i përket drejtimit ishin akoma të freskëta në mendjet e tyre:

“Dy personat të cilët duhet të diskutoni pas meje janë Ebu Bekri dhe Omeri.”

Në këtë moment të gjithë po mendonin të njëjtën gjë. Rreziku i një konflikti kishte qenë i afërt. Të gjitha çështjet ishin zgjidhur brenda një dite, pa rënë ende nata. Më në fund, Omeri mori dorën e Ebu Bekrit dhe e vendosi mbi të tijën. Kjo do të thoshte se Kalifi i parë i të Dërguarit të Allahut ishte zgjedhur. Pas Omerit, të gjithë erdhën një nga një për t’i dhënë besën Ebu Bekrit. Ky ishte fillimi i një momenti sfidues për Ebu Bekrin. Ai ishte tashmë Kalifi, Kalifi i Profetit të Allahut dhe të gjithë besimtarëve.

Pas betimit Ebu Bekri u ngjit në minberin e mesxhidit. Ky ishte minberi nga i cili Profeti fisnik mbante ligjëratat para besimtarëve. Ndërsa ngjitej në minber, Ebu Bekri qëndronte në majë të gishtave. Ai mbante një respekt të madh për kujtimin e të Dërguarit të Allahut. Ai ndali në mes të shkallëve dhe filloi t’u flasë njerëzve. Kjo ishte ligjërata e parë për Ebu Bekrin. Ai foli me një zë të butë dhe të ndjeshëm:

“O njerëz! Ju më keni zgjedhur si liderin tuaj megjithëse unë s’jam më i mirë nga ju. Ndaj, kërkoj ndihmën dhe mbështetjen tuaj nëse veproj drejt, dhe të më ftoni në rrugën e duhur nëse shmangem nga ajo. Pa dyshim se drejtësia është një dhuratë e çmuar dhe padrejtësia një formë tradhtie. Me shpresën tek Allahu, më i dobëti nga ju do të jetë më i forti kur unë të mbroj të drejtat e tij. Po ashtu, më i forti nga ju do të jetë më i dobëti kur unë të korrigjoj gabimet e tij. Kini kujdes, askush nga ju nuk duhet të tërhiqet nga përpjekja në rrugën e Allahut. Kujtoni se kush ka neglizhuar në këtë çështje, ka merituar poshtërimin e Allahut. Allahu do të sjellë fatkeqësi të mëdha mbi atë popull ku imoraliteti është shpërndarë lirisht. Bindmuni mua për sa kohë unë i bindem Allahut. Nëse bëj ndonjë gabim në bindjen ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij, atëherë mos m’u bindni!”

Autori i këtyre fjalëve do të ishte më pas ai që do të mposhtte Perandoritë e Persisë dhe të Bizantit. Pozita e lartë dhe rangu, vetëm sa ai kishin shtuar modestinë e tij. Ebu Bekri ishte bërë akoma më i dhembshur tani që kishte mbi shpatulla të gjithë umetin e Profetit Muhamed. Sipas Ebu Bekrit, fuqia nuk jepej për të shtypur të tjerët. Përkundrazi, ajo ishte një barrë e rëndë që duhet të mbahej dhe një detyrë që duhej përmbushur.

Ebu Bekri ishte person tejet i ndjeshëm. Megjithatë, ai ishte gjithashtu një gjeni i cili do të vendoste një sistem të përkryer në një kohë kur bazat e shoqërisë po lëkundeshin nga themelet. Kjo arritje do të përshëndetej me lavdërime të mëdha nga Omeri, i cili

120 EBU BEKRI

do të bëhej Kalifi i dytë pas Ebu Bekrit. Sipas dëshmisë së Omerit, Ebu Bekri la pas një rrugë shumë të volitshme për ata që do të vinin më pas.

Shënimet

  1. 90.Hakim, Mustedrek, 3/70.
  2. 91.Tirmidhi, Sunen, 5/609.
  3. 92.Ibn Hisham, Siretu Nebeuije, 6/82.