NJERIU I BETEJAVE
Ebu Bekri e kishte treguar trimërinë e tij në Bedër dhe vazhdoi ta tregonte atë duke qëndruar në krah të Profetit në të gjitha betejat që pasuan. Ai ishte njeri i sakrificës së madhe. Në betejën e Uhudit ai kishte qëndruar pranë Profetit në çastet kur gjërat kishin dalë jashtë kontrollit. Kur Profeti fisnik e pa Ebu Bekrin të nxirrte shpatën dhe të sulej i vetëm kundër armikut, i tha:
“Fute shpatën në brez o Ebu Bekr! Mos na trishto duke sakrifikuar veten tënde!”
Ebu Bekri ishte aq i përqendruar në betejë saqë nuk e kishte dëgjuar fare thirrjen e Profetit. Profetit iu desh ta thërriste përsëri. Më në fund, Ebu Bekri e kishte dëgjuar zërin e bekuar të Profetit. Shpejt u tërhoq nga të rënit shehid, gjë të cilën e dëshironte aq shumë.
Ditën e Betejës së Tebukut, i Dërguari Fisnik ia kishte dorëzuar flamurin e Islamit Ebu Bekrit. Ishte një flamur i madh, i zi, të cilin Ebu Bekri duhet ta mbante në betejë kundër ushtrisë bizantine. Ai ishte njeri i ekuilibruar. Kjo veçori unike e Ebu Bekrit kishte dominuar gjithmonë në beteja të tilla si në Bedër, Hendek dhe Hudejbije. Ai kishte qenë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar Profetin të vendoste harmoni ndërmjet sahabëve. Guximi që kishte treguar gjatë gjithë betejave ishte përtej kufijve. Në çdo betejë detyra e tij ishte të mbronte Profetin dhe për këtë çështje ai ishte gati të jepte jetën pa hezitimin më të vogël. Edhe në situata ku emocionet ishin në nivele të larta, ai nuk do të devijonte nga rruga e drejtë. Ai jetonte çdo frymëmarrje me drejtësi. Ishte Ebu Bekri i cili
e ngushëlloi dhe e bindi Omerin gjatë konfuzionit në Hudejbije. Megjithëse përmbajtja e marrëveshjes ishte në dukje negative për myslimanët, në të vërtetë Hudejbije ishte një fitore e madhe.
Në atë ditë vendimtare Ebu Bekri e kishte kapur prej dore Omerin në një mënyrë të ashpër duke i thënë:
“S’ka dyshim se ai është i Dërguari i Allahut! Ai nuk mund të rebelohet ndaj Allahut! Ai ka mbështetjen e të Gjithëfuqishmit! Mos e tradhto atë dhe bindiu në çdo rast! Betohem në Allah, se ai është në rrugën e drejtë!”
Ebu Bekri kurrë nuk ishte larguar nga mësuesi i tij i dashur. Ai kishte qenë një mbështetje e madhe në ditët më të vështira, si në Tebuk, edhe Hunejn. Omer ibn Hatabi rrëfen një incident që ndodhi ditën e Tebukut:
“Ishim rrugës për në Tebuk. Tensioni ishte i lartë. Pas një udhëtimi të lodhshëm e të gjatë, ndalëm në një vend për të pushuar. Ishim shumë të etur për ujë. Midis nesh pati të tillë që therën devetë e tyre për të pirë ujin që ato kishin në bark, për të mos vdekur nga etja. Kur e pa Ebu Bekri këtë, shkoi tek Profeti dhe i tha:
“O i Dërguari i Allahut! S’ka dyshim se Allahu i përgjigjet lutjeve të tua. A do të lutesh për ne?”
A kishte rrugë tjetër në këto çaste dëshpërimi sesa t’i drejtoheshe Krijuesit kur shkaqet ishin të pafuqishme? Profeti pyeti: “Me të vërtetë e dëshiron këtë?”
Përgjigja ishte e shpejtë dhe nga zemra:
“Po!”
Profeti Fisnik ngriti duart lart menjëherë dhe filloi t’i kërkojë ndihmë Allahut. Pa e përfunduar akoma lutjen, re të rënda filluan të mblidhen. Pak më vonë, retë erdhën sipër nesh dhe sollën shiun dhe motin e freskët.
Ushtria myslimane shoi etjen dhe u freskua nga shiu i rënë pas lutjes së Profetit. Ndërsa ushtarët përgatiteshin për të marshuar, u përballën me një tjetër mrekulli. Shiu po binte vetëm mbi sipërfaqen që mbulonte ushtria myslimane. Pjesa tjetër rrethuese e kampit kishte mbetur e thatë dhe nën diellin përvëlues.”
Shënimet
- 60.Ebu Xhafer Taberi, Rijadu Nadira, 2/46.
- 61.Muslim, Sahih, 3/1411.