PËRKUJDESJA E XHAXHA EBU TALIBIT

Fjalët që po i thoshte Abdulmutalibi ishin testamenti i një babai për Ebu Talibin. Andaj ai e mori Muhamedin e vogël pranë, duke u sjellë me të ngrohtë, po me ngrohtësinë e dhimbsur të një babai. Këndej e tutje, Profeti i profetëve, dhembshurinë e babait do ta shohë nga xhaxhai i Tij, ndërsa ngrohtësinë e nënës do ta shohë prej gruas së xhaxhait të Tij, pikërisht Fatmës, nënës së Aliut (r.a.).

Ndoshta Ebu Talibi ishte i varfër; pasuria e tij nuk mjaftonte as për të ngopur vetveten,mirëpo dhembshuria dhe dashuria e tij e thellë për të nipin nuk do të mungojë në asnjëfarë rrethane, sepse dukej që vetëm kësisoj mund të zgjidheshin problemet që nuk mund t’i zgjidhte me rrugë materiale. Vihej re, se që me ardhjen e Muhamed Besnikut, në shtëpinë e Ebu Talibit po shihej njëfarë bollëku dhe begatie; mes anëtarëve të asaj familjeje filloi të fryjë një fllad i veçantë dashurie dhe çlirimi shpirtëror. Madje, këta njerëz, të cilët u qëllonte shpesh të çoheshin nga sofra pa u ngopur ende, tashmë ishin të gjithë dëshmitarë, që ushqimi që hanin me praninë e nipit të ri në shtëpi, të mjaftonte e të tepronte gjithnjë. Andaj edhe Ebu Talibi nuk donte kurrsesi të ulej në tryezë nëse Muhamed Besniku (s.a.s) nuk do të ishte aty, i pranishëm. Përpiqej që ta kishte gjithnjë me vete, dhe atë lidhje dhe dhembshuri, të cilën nuk e kishte treguar ndaj askujt, e tregonte veçse ndaj nipit të tij.

Veç kësaj, Muhamedi tregonte një pjekuri, ndryshe nga moshatarët e tij, andaj edhe nuk ishte parë asnjëherë që ta zinte me gojë varfërinë e familjes së xhaxhait të tij. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që të dilte dikush e të thoshte se e kishte dëgjuar të ankohej për urinë a etjen. Kur etej, shkonte e pinte nga ujët e zemzemit, ndërsa kur mundoheshin që ta gostitnin me diçka të çastit, ai u përgjigjej përherë se nuk mund ta hante pasi ishte i ngopur.

Ebu Talibi nuk i hiqte kurrë sytë prej nipit të tij, pasi ai ishte njëkohësisht amanet i vëllait të tij, por edhe porosi e fundit e babait të dashur. Në agimin e çdo nate, shkonte menjëherë që ta shihte, dhe teksa dilte, preferonte që ta merrte të nipin përherë me vete. Sipas tij nuk ishte e kotë që të gjithë të diturit e kohës patën thënë gjëra të veçanta për Të. Me shumë mundësi ndër to fshihej një e vërtetë shumë e rëndësishme, andaj ai nuk donte kurrsesi që nipin e tij ta lejonte të bëhej fli e rastësisë.

Si të gjithë të rinjtë e Mekës, edhe Ebu Talibi merrej me tregti. Ai e merrte përherë me vete Muhamedin, pasi donte t’ia mësonte edhe Atij artin e tregtisë. Profeti ynë i Dashur nuk ishte më shumë se dymbëdhjetë vjeç. Mbreti i mbretërve shkonte shpesh në Exhjad për të kullotur dhentë ndërsa rrinte në Mekë. Kësodore Ai fitonte edhe përvojë, por edhe njohuri në çdo fushë të jetës.

Një ditë, Ebu Talibi filloi të bënte përgatitjet e nevojshme për t’u nisur për një udhëtim tregtie në drejtim të Sirisë. I nipi i tij, Muhamedi, me ta dëgjuar lajmin e largimit të xhaxhait, nuk u step që t’ia shprehte atij dëshirën se donte që të shkonte bashkë me të. Kjo ishte një tablo që e preku së tepërmi Ebu Talibin.

- Vallahi që nuk kam për të ikur pa e marrë edhe atë me vete, - thoshte ai. Qe betuar se këndej e tutje as Ai nuk do të rrinte asnjëherë larg Ebu Talibit, e as vetë ai nuk do të shkonte asgjëkundi pa e marrë me vete. Profeti i profetëve e pati dëgjuar premtimin e xhaxhait të Tij, dhe kjo i kishte shkaktuar një gëzim e lumturi të parrëfyeshme. Ishte hera e parë që do të dilte jashtë Mekës për të bërë tregti, “ku i dihet, - thoshte ai, sa njerëz do të shoh gjatë rrugës, me kë do të njihem, dhe sa e sa gjëra të bukura do të shoh.”

Rrugëtimi për në Siri dhe Murgu Bahira

Çasti për t’u larguar ishte afruar, dhe brenda karvanit që po largohej duke bërë përshëndoshjet e fundit, ishin edhe ata të dy, xhaxha e nip, të cilët po largoheshin duke i përshëndetur të gjithë me dorë. Kohë pas kohe u duhej të qëndronin për t’u qetësuar, sepse udhëtimi ishte i gjatë dhe rraskapitës. Më në fund, ata u afruan në një vend të njohur mes Jerusalemit dhe Sirisë, në Busra. Aty vendosën të bënin pushimin e radhës, për të vazhduar mandej pjesën tjetër të rrugës që u kishte mbetur.

Karvanarët sapo filluan të pushojnë, kur panë dikë që po u afrohej i entuziazmuar. Ardhësi ngjante të ishte krejt i ndryshëm prej njerëzve, njëlloj sikur të ishte dikush që i kishte shkëputur me kohë marrëdhëniet e veta me jetën. Andaj edhe karvanarët nuk i dhanë kurrfarë rëndësie, pasi nuk mund ta mendonin dot që një njeri në një gjendje të atillë të kishte diçka me ta. Mirëpo, ai, kur u afrua u tha:

- Murgu Bahira i atij manastirit atje, ka dëshirë që t’ju gostitë me një zijafet.

Tanimë ata e kuptuan se kishte të bënte me ta, por nuk po kuptonin se cila mund të ishte arsyeja e kësaj ftese të pazakontë.

Bahira ishte një njeri që jetonte sikur të mos ishte i kësaj bote. Ai ishte thjesht një murg që e kalonte shumicën e ditës duke adhuruar Zotin. Megjithëse në fillim ishte hebre, ai me kalimin e kohës ishte bërë i krishterë, derisa më vonë i kishte thelluar aq shumë studimet e tij, saqë ishte kthyer në një nga njerëzit më në zë të vendit dhe të kohës. Në atë kishë që qëndronte, në dorën e tij dhe priftërinjve të tij gjendej një libër i vjetër, dhe padyshim që njëri nga ata që arrinin ta kuptonin ishte dhe ai. Ai jetonte me të vërtetë një jetë të shkëputur këso bote, tamam ashtu prej murgu.

Për të nuk kishin kurrfarë vlere, as vajtje-ardhjet e karvanarëve për qëllime tregtare dhe të tjera syresh materiale! Vetëm se, a nuk mund të ndodhë që për një çast ta nxirrte vështrimin jashtë disa boshllëqeve të kangjellave? Nuk ka dyshim, se kjo rrëshqitje e shikimit, nuk ishte gjë tjetër veçse një dimension tjetër i paracaktimit. Si gjithnjë, edhe tani po kalonte një tjetër karvan. Sikundër gjithë të tjerët, ky kishte diç të veçantë; bashkë me grupin, ishte dhe një re e bardhë, e cila i ndiqte nga pas pa u ndalur, duke i mbrojtur nga nxehtësia përvëluese e diellit. Mendja zuri t’i shkreptinte... Reja... Hijet... Koha e fundit... Profeti i fundit... Ahmedi... Libri i vjetër... Këto tema që po i behnin në mendje me shpejtësinë e një rrufeje, ia shtuan akoma më shumë interesimin karshi këtij karvani. Mos po i vinte ky thesar në duar? Po sikur të ishte me të vërtetë siç mendonte ai! Atëherë, ç’kuptim mund të kishte që ai të duronte ende pa vepruar?

Ky plak që ia kishte mbyllur dritaret kësaj jete, u rinua përnjëherësh, duke bërë disa veprime të cilat ishte e pamundur t’ia vëreje më parë. Në sytë e tij dukej qartë njëfarë gëzimi që e kishte humbur me kohë bashkë me shpresën se një ditë mund t’i rikthehej. I dukej sikur kishte gjetur një send të humbur qëkur. Mos vallë ai që po kalonte ishte Farakliti, i cili do të shfaqej në malet e Faranit.

Retë e karvanit, me t’u ndalur ai, u grumbulluan duke u dendur në një qendër, ku mbronin të fundmin person që po rrinte pranë deveve. Ndoshta ai që kishte ndenjur pranë deveve, kishte dashur të qetësohej nën një pemë, dhe retë ishin grumbulluar që ta mbronin prej rrezeve përvëluese. Edhe degët e pemëve kishin marrë forma të ndryshme, sikur të mos donin që rrezet të kalonin përmes për të shqetësuar këtë njeri.

Për ta kuptuar më nga afër nëse të gjitha këto kishin të bënin me ato që kishte lexuar, duhej t’u afrohej karvanarëve. Andaj, murgu Bahira, menjëherë u nis t’u thoshte:

O bashkësi prej Kurejshëve! Unë sot kam shtruar një drekë për ju, andaj të gjithë, i madh i vogël, i lirë apo skllav, dëshiroj që të merrni pjesë.

Të gjithë u habitën! Sepse kishin kohë që kishin kaluar shumë prej këndej, mirëpo murgu i një manastiri... Sidomos Bahirën, ata nuk kishin parë asnjëherë që të kujdesej njeri kësisoj. Prandaj edhe njëri prej tyre u hodh:

Pasha Zotin, o Bahira! Sot sikur po më dukesh ndryshe, ti nuk para ftoje njeri në manastirin tënd,- i tha ai.

Ke të drejtë, - ia ktheu Bahira, mirëpo, siç e the edhe ti, sot ka diçka të veçantë, por ju jeni miq. Përnjëherësh, nga brenda më lindi një dëshirë për t’ju gostitur. Ejani, mos ma ktheni! Ejani të gjithë të hani diçka prej sofrës sonë!

A ishte e mundur që të mos i përgjigjeshin një ftese kaq të sinqertë? Lëre që kishin me javë të tëra që udhëtonin, dhe ç’ishte e vërteta, ata ishin përmalluar për një ftesë të këtillë. Andaj, secili që përfundonte nevojat e tij afër karvanit, nisej në drejtim të portës së manastirit.

Në anën tjetër ishin banorët e manastirit, të cilët kishin filluar të kryenin të gjitha përgatitjet e nevojshme. Po përgatitej një sofër tejet e fisme për të gjithë udhëtarët e këtij karvani.

Kishin ardhur të gjithë: veçse pamja që i interesonte më së tepërmi Bahirës, qëndronte sërish atje pranë pemës. Nuk kishte arritur ta dallonte fytyrën që po kërkonte në mes të të ftuarve. Ngjante sikur do të pëlciste prej merakut, andaj nuk duroi dot:

O kurejshë, mos ngeli ndokush prej jush pa ardhur në këtë sofër? Mos ndoshta latë ndonjërin atje? - i pyeti ai.

Nuk ka ngelur askush që mund të vinte, me përjashtim të një djali të vogël, - iu përgjigjën ata.

Nga të gjithë ne, ai ishte më i riu në moshë, prandaj ne e lamë që të kujdesej për mallin e ngarkuar mbi deve, - shtuan disa të tjerë.

Mos bëni ashtu, - ia ktheu ai, thirreni dhe atë, që të marrë edhe ai pjesë në këtë gosti.

Edhe pse ishte një djalë i ri, ai kishte të drejtë të ishte pjesëmarrës, kështu që nuk pritën shumë dhe e thirrën edhe atë që të vinte. Njëri prej tyre u nis që ta thërriste Më Besnikun ndër njerëz. Tanimë do të ishte edhe ai në mesin e tyre. Bahira e ndoqi me sy tek afrohej. Çdo gjë kishte hyrë në vijën e duhur. Dyshimi i Bahirës sikur ishte qartësuar më shumë, dhe ngase e dinte se mund të merrte përgjigje për pyetjet e tij, gati sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Nuk i kishte ngelur asnjë pjesë prej pikëpyetjes se ky ishte Ahmedi, myzhdeja e atij librit të vjetër!

Në anën tjetër, ushqimet ishin ngrënë, dhe njerëzit kishin filluar të lëviznin me ngadalë. Po sikur t’i iknin pa pasur mundësinë që të fliste dy fjalë me ta? Të bëhej ç’të bëhej, ai duhet të fliste me të. Atij i duhej që ta përforconte tashmë bindjen duke e pyetur për disa gjëra. Gjeti rastin dhe i tha:

Djalosh, do të të pyes disa pyetje, vetëm dua që të më betohesh për Latin dhe Uzën se do të më thuash veçse të vërtetën.

Besniku i Njerëzimit u shqetësua shumë nga do farë emrash të përdorura mes fjalëve të këtij murgu.

Mos më pyet asnjë pyetje duke më përmendur emrat e Latit dhe Uzës. Të betohem për Allahun, se sa më nevrikosin ata, nuk ka gjë tjetër që të më nevrikosë.

Zaten Bahira, i kishte përdorur ata emra veçse ngase e dinte se ishin dy idhuj për të cilët kurejshët linin kokën, dhe në njëfarë mënyre, donte të shihte qëndrimin që mbante Më Besniku për idhujt.

Çdo argument që gjente murgu përforconte të mëparshmin. Kësodore, kjo bisedë sa vinte e po e rehatonte dhe e mbushte me gëzim sa vjen e më tepër. Dallimi i vërejtur ishte kthjelluar plotësisht dhe dukej ashiqarthi.

Atëherë jepmë fjalën në emër të Allahut që do të më kthesh përgjigje për pyetjet që dua të të bëj, - i kërkoi ai sërish Muhamedit paqja qoftë mbi Të!

Pyesni ç’të dëshironi! - iu përgjigj ai.

Tashmë Bahira e pyeti Muhamedin e përlartësuar paqja qoftë mbi Të! për çdo gjë që i vinte në mendje. Nga gjumi tek ëndrrat, nga jeta e përditshme te dëshirat e tij. Bahira pyet, ndërsa Profeti i fundit përgjigjet qetësisht. Ishte aq e qartë; çdo gjë po ecte njëlloj si në libër. Faktet dëshmonin se ai ishte e vërteta. Në fund kishte mbetur vetëm vula e profetit për t’u parë. Donte që ta shihte edhe atë. Ngaqë nuk dinte asnjë mundësi tjetër, i pëshpërit diç në vesh. Ai nuk e la aspak të priste murgun Bahira, por ia tregoi. Murgu Bahira kishte kohë që jetonte me shqetësimin se do të ikte prej kësaj bote pa e parë. Tashmë ai po e falënderonte Zotin që e nderoi me një mirësi të këtillë.

Nuk kishte ngelur asnjë pikë dyshimi. Atij tanimë i takonte edhe një detyrë e fundit historike, të cilën e realizoi menjëherë. Për këtë ai iu drejtua xhaxha Ebu Talibit: - Çfarë e ke ti këtë djalë?

Tek arabët, xhaxhai dhe gjyshi, në rastet kur babai i dikujt nuk jeton më, e quajnë veten baba, kështu që, Ebu Talibi pa duruar, iu përgjigj: - I ati.

Bahira që ishte përballur me çfarë kishte parandjerë, për një çast u dridhërua nga një frikë e brendshme, sepse kishte marrë një përgjigje të cilën nuk e priste. Qëndrimi i tij sikur thoshte, “Jo, nuk është e vërtetë!”. Sepse sipas atyre që dinte ai, babai i Tij do të vdiste ende pa lindur Ai.

Jo, kurrsesi ti nuk mund të jesh babai i këtij djaloshi. Nuk mund të jesh, pasi babai i Tij duhet të ketë vdekur me kohë, - ia ktheu murgu.

Zaten Ebu Talibi, ngase ishte ungji i Tij, ia kishte kthyer përgjigjen kësisoj. Tanimë ishte koha që ai të thoshte të vërtetën.

Ai është djali i vëllait tim, - tha ai tërë gjakftohtësi, dhe megjithëse mund të kishte filluar të shqetësohej prej pyetjeve, Bahira nuk reshti së pyeturi.

Po i ati me se merret atëherë?

Ai vdiq teksa nëna e këtij djali ishte shtatzënë, - iu përgjigj menjëherë dhe shkurt Ebu Talibi.

Tani po që çdo gjë kishte hyrë në shinat e duhura. Ai ishte shumë i kënaqur që e vërteta historike ishte bashkuar me bashkëkohësen.

Tani po që më the të vërtetën, - iu drejtua ai i kënaqur Ebu Talibit, duke e tërhequr diku aty, mënjanë, për t’i thënë disa gjëra me të vërtetë të rëndësishme. - Ju këshilloj që të ktheheni menjëherë në vendin tuaj bashkë me djalin e vëllait. Dhe përsa i përket këtij fëmije, do të bëje mirë që ta ruaje nga vërsulja e njerëzve të fesë. Sepse të betohem për hir të Allahut, që nëse arrijnë edhe ata t’i shohin ato që pashë unë, duke e njohur atë prej veçorive që e bëjnë të dallueshëm, atëherë kam frikë se do t’i bënin keq. Në mbarë botën do të ndodhë diçka shumë e madhe prej këtij nipit tënd. Andaj, shihni që të ktheheni një orë e më parë në vendin prej nga keni ardhur.

Ebu Talibi i dëgjoi me kujdes këshillat e këtij murgu që fliste me urtësinë e shekujve dhe vendosi të kthehej menjëherë mbrapsht për ta ruajtur djaloshin, të cilin, për më tepër e kishte edhe amanet nga babai i tij; fillimisht i shiti mallrat aty në Busra, e mandej mori të nisej në drejtim të Mekës.

Udhëzim hyjnor në mbrojtjen dhe mbështetjen e Tij

Ebu Talibi tashmë tregohej më tepër i kujdesshëm për nipin e tij të vogël. Me të dëgjuar edhe ato që tha Bahira, krahas gjithë atyre gjërave që kishte dëgjuar deri më tash, ai përpëlitej në përkujdesjen karshi të nipit, më tepër nga një lloj frike që e trembte se mos ndonjë gjë e keqe i ndodhte fëmijës së të vëllait.

Zaten, i nipi ishte rritur dhe ishte zhvilluar goxha trupërisht, aq sa mund të tërhiqte vëmendjen e kujtdo që e shihte. Ç’është më e çuditshmja dhe e veçanta, ai kishte disa mendime të ndryshme nga të të tjerëve. Ai nuk reshtte asnjëherë së analizuari çdo veprim në bazë të kritereve dhe parimeve të veta etike, duke arritur gjithnjë në përfundime të shëndosha. Prej këndej zinte fill edhe urrejtja e Tij ndaj idhujve të asaj kohe. Lëre që Ai nuk i afrohej fare lojërave të pahijshme që u afroheshin kushërinjtë e Tij, por Ai u largohej atyre me sa të mundej. Shkurt, në vend të mënyrës së jetesës që u ofronin ata që i rrinin pranë, Ai kishte një filozofi të vetën të jetës. Sepse Ai ishte i zgjedhuri midis syresh, pikërisht për të gjetur zgjidhjen e problemeve jetësore që e kishin ngërthyer mbarë njerëzimin. Dhe me çdo sjellje të Tijën, Ai mundohej që ta përfaqësonte këtë përzgjedhje.

Në vendin e quajtur Buvane gjendej një idhull, për të cilën mbarë kurejshët tregonin një interes tejet të veçantë, madje ata vinin disa herë brenda një viti për të kryer aty adhurime dhe lutje nga më të ndryshmet. Nganjëherë rrinin nga një gjysmë dite, ndërsa në disa ditë të tjera nga një ditë të tërë. Me të mbërritur, qethnin flokët dhe shtriheshin, njëlloj sikur t’i qëndronin dikujt me temena.

Sërish, në një kohë të këtillë, Ebu Talibi e mori sërish me vete nipin e tij, Muhamedin e nderuar për të shkuar kësaj here në Buvane. Sapo e ftoi, mori një reagim shumë të ftohtë dhe të menjëhershëm. E si mund të shkonte? A nuk ishte ai një njeri i përzgjedhur pikërisht për të zhdukur këtë farë dukurie? Ende nuk i ishte kumtuar detyra e shenjtë e profetësisë, mirëpo Ai prapëseprapë nuk dilte jashtë kornizës së sjelljeve që do ta karakterizonin këtë profetësi në vijim. Ai kurrsesi nuk mund t’i përgjigjej me “po!” asaj mendësie të prapë.

Ebu Talibi, i cili mori kësaj here një përgjigje krejt të papritur nga nipi i tij, fillimisht u nxeh, megjithëse nuk ishte vetëm ai që nxehej. Në mes ndërhynë edhe hallat e Profetit tonë paqja qoftë mbi Të!:

O Muhamed, e ç’kërkon të bësh duke mos ardhur te zotat tanë me familjen tënde në këtë ditë feste? Me të vërtetë që po na frikëson, sepse duke u larguar prej zotave, ty mund të të vijë ndonjë e keqe, - e kritikuan ato të nipin ende të vogël.

Po, patjetër që ata ishin të mëdhenjtë e Tij; nuk duhej treguar kurrfarë mungesë respekti karshi tyre. Mirëpo, edhe ato që thoshin ata ishin kryekrejet të papranueshme, për më tepër, ato bëheshin akoma më të çuditshme kur ata ngulnin këmbë në mendimin e tyre, derisa i Dashuri ynë Famëlartë u mërzit prej bisedave, për t’u larguar njëherë e mirë prej mexhlisit të mbledhur. Mendoi se do të ishte më mirë që të tërhiqej për pak çaste në vetminë e tij. Ai donte ta qetësonte veten nga kjo atmosferë mbytëse që kishte formuar mendimi idhujtar.

Pas pak çastesh, Më Besniku ndër njerëz u kthye shumë i shqetësuar dhe i frikësuar njëherësh. Aq sa edhe hallat e Tij u shqetësuan edhe më tepër kur e panë.

Çfarë të ka ndodhur? Pse je kaq i frikësuar, - e pyesnin duke u munduar që ta qetësonin të nipin njëfarësoj.

Kam frikë se mund të më ndodhë ndonjë gjë e keqe, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të!

Mos u mërzit! Allahu nuk ka për të sprovuar ty me anë të djallit. Sepse me sa kemi parë ne, ti ke vetëm cilësi të mira, - i tha njëra prej tyre. Ishte e pamundur që përpjekjet e tyre për ta qetësuar t’i vendosnin pikën shqetësimeve të Tij, por mesa dukej kishte ardhur koha që Ai t’u fliste atyre për ndryshimin që Ai vetë kishte prej të tjerëve. Andaj, ai filloi t’u thoshte:

Sa herë që u afrohem idhujve tuaj, përpara më del një burrë i gjatë, i veshur në të bardha qelibar, i cili më thotë:

Kurrën e kurrës mos iu afro atyre, dhe mos lëviz prej vendit ku ndodhesh.

Kjo ishte biseda e fundit në lidhje me këtë temë. Një temë e tillë as që do të zihej më në gojë prej asnjërit prej tyre.

Nuk ka dyshim, që Ai ishte nën një mbrojtje të veçantë hyjnore. Një ditë prej ditësh, teksa po kulloste delet në të dalë të Mekës, i kishte kërkuar leje shokut që kishte pranë për të shkuar njëherë deri në qytet. Shoku e pranoi kërkesën e Muhamedit të vogël, duke i thënë që të mos bëhej merak se do të kujdesej ai për delet derisa Ai të kthehej. Nuk kishte hyrë ende në Mekë, kur dëgjoi një zë që jehonte në hapësirë. Ishte një lajmërim-ftesë për në një dasëm. Donte së tepërmi që t’i kuptonte të gjitha ato që ndodhnin aty, kur ç’të mendojë, nga pas veshit ndjeu një goxha të goditur. I ra të fikët. Kaloi një kohë e gjatë, me ç’dukej, e ai erdhi në vete veçse në saje të rrezeve të forta dhe përvëluese të diellit. U çua ashtu i pluhurosur, për t’u kthyer menjëherë pranë shokut të Tij që po kulloste kopenë e deleve.

Përgjatë punimeve që bëheshin për meremetimin e Qabes, Muhamedi i nderuar paqja qoftë mbi Të! kujdesej që të mos të mungonte në ndihmesë ndaj xhaxhait të Tij, Abasit. Gurët ishin të rëndë, dhe në të shumtën e herëve, ata shkaktonin plagë të dhimbshme në supe. Kështu ndodhi edhe me supin e të Dërguarit të Allahut sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Xhaxhai e kuptoi gjendjen, andaj iu afrua që ta këshillonte:

Merre një pjesë të rrobës sate dhe vendose te supi, që mos të të rripet lëkura nga ashpërsia e gurit, - i tha ai.

Muhamedit të shtrenjtë i pëlqeu së tepërmi këshilla e ungjit të Tij, andaj vendosi që ta zbatonte pa një e pa dy, mirëpo me ta ngritur pak mbulesën për te supi i Tij, filluan t’i merreshin mendtë, derisa ra ashtu përdhe si i pllakosur. Kur erdhi në vete, filloi të belbëzonte:

Mbulesa ime! Filloi të këlthiste me të njëjtat fjalë, duke e shtrënguar fort e më fort rrobën që kishte veshur. Nuk do të ndodhte më asnjëherë tjetër, që Ai t’i tregonte ndokujt pjesët e ndaluara për t’u hapur të trupit.

Begatia e shiut që erdhi sajë Tij

Kishte kohë që Mekën e kishte mbërthyer një i nxehtë përvëlues e frymëmarrës, dhe gjithandej mbizotëronte thatësira. Qielli i kishte mbyllur me kohë portat e mëshirës. Toka kishte zënë gjithandej të plasaritej nga mungesa e lagështirës. Askund nuk kishte gjelbërim, përrenjtë ishin tharë krejt, duke mos u ngelur në shtretër asnjë pikë uji. Kafshëve u priteshin këmbët, dhe njerëzit po përjetonin ditët e tyre më të vështira për këto kafshë.

Si një shpresë, populli u mblodh për të shkuar njëherë pranë Ebu Talibit.

- O Ebu Talib, - i thanë ata, - luginat u thanë, fëmijët kanë ngelur ashtu si të kapitur, të lutemi, hajde të shkojmë e të bëjmë ndonjë lutje për shiun!

Zaten nuk kishte asgjë tjetër që mund të bëhej kundër kësaj thatësire, andaj Ebu Talibi mori edhe nipin e tij, për t’u nisur për në vendin ku do të bëhej lutja. Nga pas i ndiqte një re, e cila nuk i linte rrezet e diellit të depërtonin mbi kokat e tyre. Më në fund mbërritën në Qabe.

Ebu Talibi u mbështet në murin e Qabes, kapi në fillim dorën e të nipit, dhe bashkë me duart e tij të hapura, nisi t’i lutej Zotit të Qabes që t’u lëshonte shiun, sepse kishin shumë nevojë për të.

Pa kaluar shumë kohë, retë mbuluan qiellin krejtësisht. Lutja nuk kishte përfunduar, kur qielli filloi ta lante murin e Qabes me piklat e mëshirës. Gjithandej ndjehej lagështia e shiut të mëshirës së pandërprerë. Luginat filluan të gjelbëronin, ndërsa ditët fituan gjallërinë e vjetër të humbur. Tashmë fytyrat e mekasve dukeshin të qeshura.

Megjithëse shumë prej njerëzve mund t’u shpëtonte kjo panoramë, sytë e Ebu Talibit ishin mbushur nga ndjenjat që ishin ndezur nga kjo përgjigje e menjëhershme e mëshirës së Zotit. Nuk kishte kurrfarë dyshimi se shkas për këtë shfaqje të mëshirës ishte nipi i tij, Muhamedi i nderuar paqja qoftë mbi Të!. Ai duhej të tregohej shumë i kujdesshëm për të ardhmen e nipit të tij. Kjo që kishte ndodhur me lutjen për shi, ia kishte përforcuar akoma më tej këtë bindje, e ia kishte shtuar akoma më tej respektin dhe dashurinë ndaj të nipit.

Vitet e rinisë

Mbret i mbretërve dallonte shumë, madje në çdo sjellje, nga kushërinjtë dhe moshatarët e Tij. Tashmë ishte njëzet vjeç, dhe nga çdo aspekt, ai kishte fituar respektin e të gjithë mekasve. Qëndrimi që Ai mbante dhe zgjidhjet që jepte për probleme të ndryshme, viheshin re nga të gjithë. Ata ishin të mahnitur nga goditja që Ai i bënte zgjidhjeve të problemeve, andaj shkonin shpeshherë që të merrnin edhe mendime prej Tij. Nga vendosmëria dhe ndershmëria që kishte shfaqur ndaj të gjithëve, Atë tashmë e thërrisnin si “I Sigurti”.

Ky cilësor nuk i kishte shkuar askujt sa i shkonte këtij djaloshi, kësisoj që të gjithë mekasit ishin njëmendës që Ai e meritonte, madje kjo dukej edhe kur ata e thërrisnin më tepër me anë të cilësorit sesa në vetë emrin e Tij. Porta e Tij kishte filluar të hapej njësoj siç hapej për më të vjetrit e urtë dhe dijetarë, sepse statusi shoqëror ia kishte falur pa kurrfarë lëkundjeje një status të këtillë.

Në vitet e rinisë, shkoi të luftonte në luftërat e Fixharit. Ndër mexhlise kishte zënë vendin kryesor, dhe thirrej përherë si drejtues i bisedimeve për të zgjidhur çdo lloj problemi që shqetësonte banorët e atij vendi. Aq sa ishte ngritur edhe një vend-qendër enkas për bisedime me emërtimin “Hilfu’l Fudul - Kuvendi i të Virtytshmëve”, e Muhamed i Sigurti i shtrenjtë ishte kthyer në një nga anëtarët më të respektuar të këtyre mbledhjeve.

Rrugëtimi i dytë për në Siri

Saora ishte njëzet e pesë vjeç. Një ditë prej ditësh, erdhi xhaxhai i Tij, Ebu Talibi e filloi t’i thoshte:

O nipi im, djali i tim vëllai! Ti e di që unë jam një burrë i varfër, pa pasuri e pa katandi. Nga dita në ditë po na shtohen shqetësimet, e çdo vit po na vjen me fatkeqësi më të mëdha se i mëparshmi. Tashmë nuk kemi më, as me se të rrojmë, e as mall për të bërë tregti!

Pas gjithë këtyre fjalëve duhet të kishte ndonjë kërkesë nga ana e xhaxhait, sepse të gjithë këto fjali dukeshin që ishin përzgjedhur me kujdes dhe po thuheshin një e nga një e me kujdes. E për më tepër, në fytyrën e Ebu Talibit ishte e dukshme një pamje prej fajtori që po thoshte diçka që e shqetësonte së tepërmi. Dukej sikur po bënte diçka që mund të pendohej më pas. Dukej që vendimi që duhet të merrte nuk ishte aspak i lehtë.

Dëgjova që populli do të niset për tregti në anët e Sirisë. Gjithashtu dëgjova se Hatixhja, e bija e Huvejlidit, po kërkon dikë që ta nisë si dorëzanë të tregtisë së saj. Megjithëse nuk kam aspak dëshirë që të të nis ty në anët e Sirisë, duke u frikësuar se fetarët hasetqarë të atyre vendeve mund të të bëjnë keq, nuk kam asnjë zgjidhje tjetër. Sikur të kishe shkuar njëherë tek ajo... Jam i sigurt, që edhe meqë ta njeh besnikërinë dhe mirësitë e tua, nuk do të përzgjedhë askënd tjetër pos teje, - vazhdoi Ebu Talibi.

Si të dëshironi ju, o im ungj, do të bëhet! - ishte kjo një përgjigje që do ta qetësonte kryekrejet xhaxhanë e kapluar prej shqetësimit.

Shënimet

  1. 20.Ndërsa vite më pas, kur ndërroi jetë e ëma e Aliut (r.a.), i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e nderoi shtëpinë e tyre me praninë e Tij, dhe me xhyben që kishte të veshur mbuloi trupin e pajetë të Fatmës, duke qenë po Ai që do e zbriste në varr. Duhet pasur parasysh edhe se Ai qe rritur në shtëpinë e tyre. Ndërsa atyre që e pyetën se përse e bëri një veprim të tillë, Ai do t’u përgjigjej: “Pas Ebu Talibit, nuk pati njeri tjetër që të më bënte aq mirë sa ç’më bëri ajo. Ia mbulova trupin me xhyben Time, në mënyrë që në atëbotë Allahu t’ia veshë me veshjet e Xhenetit, kurse në varr e zbrita vet, në mënyrë që edhe llogaridhënien ta ketë sa më të lehtë.” shih: Suhejli, raudu’l Unf, 1/112; Ibni Abdilberr, istiab, 1/369-70.
  2. 21.Kadi Ijad, shifa, 1/729-30
  3. 22.Ibni Sad, tabakat, 1/119-20
  4. 23.Buhari, sahih, 2/247-8; Muslim, sahih, 6/125; Ibni Maxhe, Sunen, 2/727; Ibni Sad, tabakat, 1/125-6.
  5. 24.Ibni Sad, tabakat, 1/153-5; Semani, ensab, 1/96-7; Taberi, tarih, 1/194-5
  6. 25.Ibni Sad, tabakat, 1/158; Halebi, Insanu’l ujun, 1/164
  7. 26.Suhejli, Radu’l Unf, 1/81
  8. 27.Buhari, sahih, 1/143; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/310; Halebi, Ujunu’l-Eser, 1/105
  9. 28.Hejthemi, Mexhmau’z-Zeuaid, 8/222