NGRITJA E NJË QYTETËRIMI TË RI
Tashmë, Meka ishte kthyer në një mihrab, ndërsa Media në një minder, e sakaq po garonin me njëra-tjetrën për t’u takuar me Oratorin e tyre të përsosur; pikërisht në vendin ku ndërthureshin rrugët e njerëzimit, që nga koha e profetit Adem (a.s.), po ngrihej një qytetërim i ri. Zaten në Mekë qenë hedhur themelet, e tanimë, mbi këta themele po hidheshin farat, të cilat ishin ajetet e bukura kuranore, që derdheshin prej gojës së Profetit Paqja qoftë mbi Të. Njerëzit kishin arritur një besim, të cilin përpiqeshin nga dita në ditë që t’i jepnin kuptim me sa më shumë adhurime.
Marrëdhëniet shoqërore rishihen edhe njëherë, e njerëzit mundohen si e si që të japin ndonjë ngjyrë nga vetja në qilimin e ri qytetërimor që po thur Islami. Një ditë, një sahab, i afrohet Profetit, dhe i thotë:
Cila është vepra më e mirë në Islam?
T’u japësh për të ngrënë të tjerëve, si dhe të përshëndesësh me përzemërsi këdo, si atë që e njeh, si atë që nuk e njeh, - iu përgjigj
Krenaria e Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të.
Që prej këndej kuptohej se ky qytetërim ishte qytetërimi i “dhënies, madje dhënies pa kurrfarë pritshmërie dhe i ngritjes së ndjenjës së mirëkuptimit në mes të njerëzve.” Mirëpo, prapë, asnjëra prej këtyre nuk ishte synim më vete; qëllimi i vërtetë ishte të jetoje si një mysliman shembullor, gjithnjë në kërkim të horizonteve të reja, si e si për të kapur kënaqësinë e Allahut (xh.xh.). Kjo ishte lëvizja më e mençur për t’i fshirë nga faqja e dheut ato pak thërrime injorance që ekzistonin ende në mes të njerëzve.
Njeriu, për të cilin fqinjët e vet nuk janë të sigurt se nuk vjen asnjë e keqe prej tij, nuk mund të hyjë në Xhenet. Patjetër, Xheneti nuk ishte qëllim i drejtpërdrejtë; por, mesa dukej, rruga e kënaqësisë hyjnore kalonte mes për mes Xhenetit. Andaj, çdokush duhet të bënte të pamundurën që të mos u linte asnjë mangët karshi fqinjëve të vet. Nëse ai nuk rendte menjëherë për ta ushqyer, fqinjin që ishte i detyruar të flinte i uritur, kjo ishte tregues i mangësisë në besim.
Myslimani i mirë, është ai që e kupton çdo sjellje dhe nevojë të njerëzve të tjerë që ka përreth vetes, - këshillonte i Dërguari i Allahut Paqja qoftë mbi Të. A nuk ishte pikërisht besnikëria dhe drejtësia e Tij që i pati falur emrin “I Besueshmi” në mes të njerëzve? Ajo besueshmëri që i bënte edhe armiqtë e Tij më të flaktë të ndjenin dhimbje kur e shihnin në një gjendje të keqe në kohët e Tij të vështira, që i bënte ata t’i afroheshin pranë, megjithëse e kishin quajtur veten armiq. Besueshmëria e Tij, Profetit Muhamed sal’lallahu alejhi ues’selem, sikur ishte një eliksir që i kthente kobrat në mikesha, dhe ujqërit në roje të qengjave. Kësajhere, ishte Resulullahu (s.a.s.) Ai që e kërkonte diçka të tillë nga sahabët e Tij.
“Ai, që në mesin tuaj, nuk e do për vëllanë, atë që e dëshiron për vete, nuk mund të quhet se ka besuar në kuptimin e vërtetë të fjalës.“ – thoshte Ai. Domethënë, tek çdo gjë e lidhur me besimin, ekzistonin dy nivele, një nivel i idealitetit dhe një nivel përsosmërie. Andaj, rruga drejt përsosmërisë së kërkuar, ishte që çdokush, në çastin e ndarjes së shpërblimeve, të tërhiqej mbrapsht me qëllimin e vetëm, që vëllezërit të merrnin më tepër. Kjo quhej “tefani”, një traditë e trashëguar që nga sjellja e pashoqe e profetit Ibrahim (a.s.).
Një tjetër zë që ngrihej nga i njëjti “podium” thoshte se të gjithë besimtarët janë si një njeri i vetëm, nëse diku bie zjarr dhe djeg ndonjërin syresh, është njësoj sikur të jenë djegur të gjithë. Asnjë besimtar nuk mund të qëndrojë indiferent para vuajtjes së një vëllai të vet mysliman, madje duhet të rendë menjëherë, madje të gjithë të garojnë me njëri-tjetrin, kush e kush ta ndihmojë më parë. Gjithçka duhet t’i ngjajë njësisë së murit përballë shumësisë së tullave që e përbëjnë. Sepse kjo ishte mënyra e vetme e ndërtimit të një kështjelle të tillë për mbarë njerëzimin.
Këto ishin lëvizjet e para të ngritjes në këmbë të së mirës. Mirëpo, kjo kishte edhe anën tjetër të saj; armiqësia do të flakej tutje, duke u kthyer kësodore në armikun e vetëm të tyre. Askujt nuk do t’i kthehej kurrsesi kurrizi, madje të gjithë sa kishin nevojë, do të ndihmoheshin. Bukuritë që mund t’i binin për pjesë një myslimani duhet të ishin shkas lumturie për të gjithë myslimanët e tjerë, ato jo që nuk mund të përballeshin me ndjesi smire apo xhelozie, por duhet të shkaktonin edhe një gëzim, të pashfaqur ndoshta as tek ai, të cilit i kishte rënë për pjesë kjo gjë e bukur. Një mësim tejet i vyer, që njerëzit ta konsideronin veten të gjithë vëllezër me njëri-tjetrin. Vëllezër që do ta kishin më vonë të ndaluar të qëndronin të hidhëruar me njëri-tjetrin për më shumë se tri ditë. Profeti i Mëshirës Paqja qoftë mbi Të i përmblodhi të gjitha me këto fjalë:
Asnjëherë mos u hidhëroni me njëri-tjetrin; qëndrojini larg hasetit dhe mos i ktheni shpinën sho-shoqit! O robër të Allahut (xh.xh.)! Bëhuni vëllezër me njëri-tjetrin, dhe ta dini se qëndrimi tri ditë pa folur i një myslimani me vëllanë e tij mysliman, nuk është kurrsesi e lejuar.
Tashmë, çdo mysliman ishte vëlla me të gjithë myslimanët; as nuk mund të kishte frikë prej tij, e as nuk mund ta linte vëllanë e tij në rrezik. Sepse, për aq kohë sa do të rendte për të ndihmuar vëllezërit e tij, atë do ta ndihmonte vetë Allahu (xh.sh.), duke ia zgjidhur të gjitha nevojat që mund të kishte. Kështu, e gjitha kjo ngjante me një lutje të përgjithshme bërë karshi Allahut për të jetuar një jetë të qashtërsuar krejtësisht nga të gjitha vështirësitë dhe mundimet e kota. Lëre pastaj, që e gjitha kjo ishte e lidhur drejtpërsëdrejti edhe me ahiretin, jetën e përtejme; Allahu (xh.xh.), çdokënd që në këtë botë i hiqte nga supet një vështirësi vëllait të tij mysliman, do t’i hiqte një barrë akoma më të rëndë, nga ato të botës tjetër, duke e nxjerrë në bregun e qetësisë shpirtërore, duke i bërë këta njerëz që të pinë disa hurba uji të ftohtë, në ato çaste sikleti dhe mbufatjeje. Falja e dikujt këtu, do të sillte falje matanë; nëse e fshihje një të metë të parë këndej, andej sillte fshehjen e një tjetre, ndoshta akoma më të rëndë, prandaj çdo mysliman do të bëjë sikur nuk i ka parë të metat e një vëllai të vet, duke e shëtitur vështrimin veç mbi të metat e veta. Në vend që të luante rolin e prokurorit karshi çdokujt, do ta vishte këtë petk vetëm karshi vetes; ndaj të tjerëve ai do të sillej vetëm si një avokat i miredukuar. Kjo duhet të kthehej në një pjesë të pashqitshme të moralit të çdo besimtari mysliman. Sepse, Profeti i profetëve (s.a.s.) thoshte:
Çdo mysliman është vëllai i një myslimani tjetër; as nuk kryen padrejtësi karshi tij, por as nuk e duron dot padrejtësinë që tregohet karshi atij; Ta dijë, se ai që ngulmon që t’i nxjerrë vëllezërit nga çastet e vështira në jetët e tyre, Allahu ka për ta nxjerrë atë nga vështirësitë e papërballueshme të ditës së Ahiretit. Allahu, gjithashtu ka për t’ia fshehur të metat dhe mëkatet, në ditën e gjykimit, atij myslimani që i fsheh të metat dhe mëkatet e një tjetër myslimani, e askush nuk mund të pretendojë asgjë për to.
T’u afroheshe të gjithëve me keqardhje dhe dhembshuri
vëllazërore do të thoshte një ftesë e madhe për në kopshtet e flladitura prej mëshirës qiellore. Ta ndash çdo gjë me vëllanë tënd, qoftë ajo edhe një gjysmë hurme, ishte një rrugë e sigurt për t’u shmangur nga shtegu i Xhehenemit. Një mirësi, që edhe ai që nuk e kishte këtë gjysmë hurme, mund të fitonte të njëjtin shpërblim nëse e kënaqte vëllanë e vet me një buzëqeshje të ëmbël.
Nga ana tjetër diskutohen çështjet më të thjeshta, e gjenden zgjidhje, me qëllim që të mos vijë një kohë e ato të zmadhohen, pasi kjo ishte një fe e atillë që i përmbante brenda vetes të gjitha zgjidhjet e mundshme. Duke filluar që nga të ngrënët dhe nga të pirët, ulje-ngritjet, marrëdhëniet familjare dhe jeta shoqërore, ajo i përfshinte të gjitha mënyrat e jetesës, që do të çonin si një tërësi në lindjen e një qytetërimi krejt të ri. Madje aq në detaje, sa një ditë, banorët e tjerë të Medinës do t’u ankoheshin besimtarëve:
Profeti juaj ju mësoka çdo gjë, madje deri edhe si të kryeni nevojat tuaja personale, - patën thënë ata me një ndjesi habindjellëse.
Po, patjetër që do të na e mësojë! Madje, jo vetëm kaq, por ka për të na mësuar shumë më tepër! Madje na ka mësuar, se teksa kryejmë nevojat tona personale, nuk duhet të jemi të kthyer nga Qabeja, të mos pastrohemi asnjëherë me dorën e djathtë, dhe duke bërë këtë, duhet prekur në tri lloje gurësh, që të mos ndyhemi nga asnjë lloj ndyrësie kafshe! – ia ktheu përgjigjen Selman Farisiu, i cili nuk duroi dot, por u dha atyre një përgjigje ashtu siç e kishin kërkuar.
Sepse Ai ishte një profet; ishte si një baba në mes të popullit të Tij, e duhej medoemos që t’i mësonte me dhembshuri, për çdo gjë, banorët e shtëpisë së vet.
Sakaq, çdo mysliman po kthehej në një Kuran që lëvizte, merrte frymë dhe fliste. Këndej e tutje, sjelljet e çdo myslimani do të ishin kuranore dhe ashtu siç i kryente Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të. Sepse, zaten, të ishe mysliman ishte një zgjedhje e rëndësishme, nga buronte pastaj përdëllimi për ta kryer çdo gjë siç duhet, si fryt ndoshta i një besëlidhjeje jo të drejtpërdrejtë me Allahun (xh.xh.) ose Profetin e Tij të Nderuar (s.a.s.). Kjo besëlidhje do të thoshte më tepër se një faturë e begatë, e për më tepër nuk mund të tregoje një shoqëri më të vendosur se sahabët, më të shquar për ta mbajtur deri në fund fjalën e dhënë. Profeti i Njerëzimit, qe ulur në minberin e Medinës, e por ndërtonte ndoshta shoqërinë e njerëzve më të virtytshëm pas profetëve. Kjo donte të thoshte se majaja e hedhur në brumin e Hirës kishte mbajtur, kështu që ishte vendosur t’i gjendej ilaçi çdo njolle injorance, të ngelur që prej kushedi ç’kohe. E ky ndryshim nuk ishte i kufizuar vetëm me një zonë të kufizuar; të gjitha shtëpitë që kishin humbur humorin e mëparshëm, duhet ta kthenin sërish, sepse lumturia nuk duhet të mbizotëronte vetëm në një shtëpi, por në mbarë universin. Sepse edhe prijësi i këtij ndryshimi, nuk ishte krijuar kaq thjesht, por ishte dërguar si mëshirë për botët. Kështu që, nuk duhet të ngelej asnjë pikë ku të mos prekte fjala e Tij.
Shënimet
- 203.Buhari, Sahih, 1/13
- 204.Ibni Hiban, Sahih, 2/264
- 205.Shih: Buhari, Sahih, 5/2240; Mishkatu’l-Mesabih, 2/424
- 206.Buhari, Sahih, 1/12
- 207.Po aty, 1/14
- 208.Muslim, Sahih, 4/2000
- 209.Shih: Buhari, Sahih, 5/2253
- 210.Shih: Buhari, Sahih, 2/862
- 211.Shih: Beled, 90/12-8. Veçanërisht shih: Ebu Daud, 4/285; Tirmidhi, Sunen, 4/323
- 212.Buhari, Sahih, 3/1316
- 213.Muslim, Sahih, 1/223