BESËLIDHJET E AKABESË

Koha nuk ishte kohë për t’u stepur. Andaj i Dërguari i Allahut e kishte kthyer shikimin kah ata që vinin nga jashtë Mekës, duke synuar sërish zgjerimin e gjeografisë së Islamit. Kishin kaluar plot dymbëdhjetë vjet nga koha e njohjes me të vërtetën në malin e Hiras. Ishte sërish stina e haxhit. Zaten, vitin e shkuar kishin ardhur lajme se ishin gjithsej gjashtëmbëdhjetë myslimanë në Medinë, e këtij viti, Ai po priste lajme të reja.

Akabeja e parë

Sakaq koha e shumëpritur erdhi, dhe i Dërguari i Allahut doli deri në Mina për të pritur të sapoardhurit, për t’u shpjeguar diçka prej Islamit. Pikërisht këtu e kishte thurur vendqëndrimin e Tij, ku përpiqej që t’u afrohej me një shpresë të re për t’i njohur me Islamin. Kishte edhe nga ata që e kërkonin Atë në mes të kallaballëkut. Me ta parë së largu, rendën menjëherë që t’i shkonin pranë. Këta ishin djelmoshët, të cilët kishin ardhur vitin e kaluar për t’i thënë se ishin bërë myslimanë. Vendi ku u takuan quhej Akabe, e cila gjendej në Minasë. Vetëm se kësaj here ishin tërësej dymbëdhjetë veta. Nga ata që kishin ardhur vitin e shkuar, nuk kishte arritur të vinte vetëm Xhabir ibni Abdullahu. Si shtesë e atyre që kishin ardhur njëherë, kishte ardhur Muadh ibni Harithi, Zekuan ibni Abdulkajsi, Ubade ibni Samiti, Jezid ibni Salebe, Abas ibni Ubade, Ebu Hejthem Tejihani, dhe Uvejmir ibni Saide, të cilët ishin bërë myslimanë, dhe kishin ardhur në Mekë për të mos u larguar më së andejmi.

Ky takim do të thoshte shumë për të ardhmen e Islamit. Çarku që po ngushtohej në Mekë, po rrëshqiste drejt Medinës duke u zgjeruar, kështu që, me sa dukej, Islami do të fillonte të zhvillohej në një vend tjetër prej atij ku kishte zbritur. Ajo që vlerësohej shumë ishte se çdo gjë po zhvillohej ashtu siç duhet, dhe ato që kishte parashikuar Uaraka ibni Neufeli po dilnin të vërteta njëra pas tjetrës.

Folën gjerë e gjatë mes vedi, derisa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u kërkoi atyre që të arrinin një besëlidhje:

Ejani të betohemi se nuk do të besojmë askënd tjetër veç Allahut, që nuk do të vjedhim, që nuk do të kryejmë imoralitet, që nuk do t’i vrasim fëmijët, që do t’i kontrollojmë siç duhet organet tona, duke mos u bërë sebep për shpifje a ngatërresa të ndryshme, dhe se do të më bindeni çdo herë për atë që është e drejtë dhe e mirë. Ai që do të sillet besnik në fjalën e dhënë, e mirënjohës në fjalën e dhënë, ta dijë se shpërblimin do ta marrë nga vetë Allahu (xh.xh.). Ai që do të bëhet objekt shantazhesh apo torturash pikërisht për këtë besëlidhje, atëherë ta dijë se kjo është një mundësi faljeje të mëkateve për të. Allahu është Ai që ka për ta vlerësuar atë të cilën ju do ta mbani të fshehtë, duke e mbuluar. Nëse dëshiron, Ai i shpërblen njerëzit, e nëse dëshiron, i dënon ata.

Përballë kishin Profetin e Njerëzimit, i Cili po i thërriste ata kah rruga e virtytit. Zaten çdo gjë që kishin hequr keq gjer më sot, u kishin ngjarë pikërisht sepse ata i kishin lënë pas dore këshillat që u ishin dhënë. Ndërsa tani kishin të gjitha mundësitë që, duke iu përgjigjur ftesës për virtyt nga ana e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Çdo gjë ishte folur, andaj kishte ardhur koha për t’u larguar. Kishin mësuar shumë rregulla të lidhura me Islamin gjatë kohës që kishin ndenjur me Profetin tonë të dashur (s.a.s.). Mirëpo kjo ishte një fe që rinovohej pas çdo ndodhie të përditshme që bënte të nevojshëm rinovimin. Zaten, gjer asaj dite, kur kishin pasur mundësinë të ishin pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ata nuk ishin njohur dot me ajetet që kishin zbritur. Me një fjalë, ata kishin nevojën e një mentori. Para se të largoheshin, vendosën që ta flisnin këtë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Sytë e bekuar të Tij u nisën të kërkonin dikë që mund të shkonte në drejtim të Medinës, për ta bërë atë një qytet të qytetëruar.

Mus’abi, - tha Resulullahu.

Me sa dukej, mentori do të ishte një njeri, i cili dje kishte hequr dorë prej pasurisë së tij për t’u bërë mysliman, madje edhe duke u përzënë prej shtëpisë, për t’iu hequr e drejta nga çdo privilegj që kishte pasur gjer më atë çast. Ky ishte Mus’ab ibni Umejri (r.a.).

Në Medinë ndizet prushi

Në fakt, ky ishte një largim i hidhur për Mus’abin. Do të rrinte larg të Dashurit të tij fisnik. Mirëpo detyra ishte më e lartësuar se çdo gjë tjetër, kështu që ai duhet të nisej menjëherë, pa bërë fjalë. Atje ku do të shkonte do të përfaqësonte Resulullahun (s.a.s.), duke u mësuar të atjeshmëve fenë e re, me të gjitha imtësitë e saj. Kjo ishte një detyrë më fisnike, e cila do ta bënte Medinën e parahixhretit një vend të qytetëruar. Ishte krejt i vetëm, por po shkonte me forcën që i jepte përfaqësimi i një kauze madhështore.

Es’ad ibni Zurare i hapi portat në Medinë. E mori në shtëpi, dhe të gjithë sa ishin përpiqeshin që t’ia përçonin të gjitha gjërat e bukura dhe të mira që kishte qyteti i tyre. Këtu falnin pesë kohët e namazit, dhe çdo ditë ia lexonin ajetet nga një personi të ri, duke u përpjekur që ato të ktheheshin në pjesë të pandarë të jetës së tyre. Tashmë po ndizej një prush i ri në Medinë, e cila do të ishte edhe oxhaku i nxehtësisë së ardhshme.

Mus’abi kishte një përfaqësim aq të përsosur të Islamit që... Kush e shihte ngelej i mrekulluar. Sinqeriteti, thjeshtësia dhe morali i tij i mirë tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithë medinasve!.. Çdo ditë vinte nga një person i ri, ndërsa ai i tregonte prej parimeve të fesë. Të gjithë fuqinë ia kishte dedikuar Medinës, duke e sjellë në një umet më vete.

Patjetër që kishte edhe vështirësi me ato që përballej. Mirëpo këto ishin gjëra që ai i kishte provuar edhe më herët. A nuk ishte i vetëm i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që i përballonte i vetëm vështirësitë e Mekës? Sepse askush nuk donte që të dorëzohej. Vetëm se me një ndryshim. Ata që i vinin fillimisht me shpatë për t’i bërë keq, ktheheshin me zemra të mbushura me besim. Mus’abi sillej aq mirë me sahabët që njiheshin në egërsim e sipër me besimin, saqë edhe njeriu më i ashpër nuk mund të vazhdonte gjatë në egërshaninë e tij, por dorëzohej ashtu butazi.

- O mik, dëgjomë njëherë mua! Pastaj po deshe pritma kokën. Të betohem për Zotin se nuk kam për të të kundërshtuar, – u thoshte Mus’abi. Po, ishte tejet e vështirë që të mos shkrije ndjesish përballë një njeriu që e shihte me kaq lehtësi jetën, i cili kishte si synim të vetëm që njerëzit të njiheshin me të vërtetën. Kështu zgjerohej nga dita në ditë hallka e besimtarëve rreth Mus’abit të nderuar.

Medina ishte një qytet tejet i begatë. Nga dita në ditë frytet e punës shtoheshin edhe më shumë. Kumtimi i Mus’abit përhapej me shpejtësinë e dritës. Brenda një kohe të shkurtër, nuk kishte ngelur asnjë familje pa një mysliman brenda saj. Shkonte me radhë për t’i vizituar të gjithë në shtëpitë e tyre, që t’i përgatiste që secili syresh të ishte një ensar në të ardhmen. Një, dy, dhe sakaq Medina kishte marrë pamjen e një qyteti të qytetëruar.

Drita tashmë kishte filluar të vezullonte edhe jashtë Medinës. Shkonte edhe te fiset që gjendeshin në periferi të qytetit, në mënyrë që t’i ftonte edhe ata në të njëjtat bukuri. Sepse edhe i Dërguari i Allahut kështu vepronte, që ndërsa nga njëra anë mundohej t’i shpjegonte Mekës, nga ana tjetër hapej në rrethinat përreth, duke mos i privuar prej njohjes me Islamin. Edhe Mus’abi i bekuar nuk duhet të vepronte ndryshe, prandaj edhe vepronte kësisoj.

Një ditë, Mus’abi vendosi t’i shkruante një letër Profetit tonë... Ishte bërë një kërkesë, kështu që duhet ta pyeste se si duhet të vepronte për t’iu përgjigjur. Në përgjigje, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i këshillonte xhumanë, kështu që ata u mblodhën në shtëpinë e Sa’d ibni Hajthemes për të falur namazin e parë të xhumasë. Kjo ishte xhumaja e parë e falur në Medinë.

Kishte kaluar rreth një vit nga koha kur ata kishin bërë besëlidhje me Profetin e tyre. Kur të takoheshin sërish, ata do të ishin një grup goxha më i madh. Zhvillimet ishin të pëlqyeshme, mirëpo ndjesia e ndarjes ishte e papërballueshme. Megjithatë i dinin mirë edhe vështirësitë, me të cilat i duhej të përballej i Dërguari i Allahut.

- Edhe për sa kohë do ta lejojmë Mekën që të vazhdojë në padrejtësitë e saj? Edhe për sa kohë do ta mbyllim njërin sy përballë atyre që po na bëhen? – thoshin ata.

Medina, në fakt, ishte një qytet më i afrueshëm, më i dashur dhe më mirëpritës. Kështu nuk mund të vazhdohej. Rrugët duheshin bashkuar njëfarësoj, dhe i duhej dhënë fund këtij distancimi. Ose do të shkonin ata në Mekë për t’u bërë një bashkësi më vete, ose do ta ftonin Atë që të shkonte me ta në Medinë, e atje ta vinin si kurorë mbi krye. Të dyja ishin alternativa shumë të vështira për Të. Megjithatë duhej gjetur një zgjidhje për këtë çështje, duke iu dhënë fund kësaj ndarjeje të padurueshme.

Një ftesë vjen nga Medina

Erdhi sërish stina e haxhit, kështu që kishte filluar një lëvizje masive në drejtim të Mekës. Në mes të besimtarëve që shkonin për haxh në Qabe, ishin edhe myslimanët e Medinës. Ata ishin gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta, dy prej të cilëve ishin gra. Pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm, më në fund mbërritën në Mekë. Tani po përjetonin ditët e festës duke hyrë në vendin e bekuar. Vetëm se ishte e pamundur që mekasit ta përballonin dot ardhjen e kaq besimtarëve pranë Muhamedit (s.a.s.). Kështu, duhej gjetur një tjetër zgjidhje, për të mos pasur probleme gjatë takimit. Saora ata zgjodhën në mes tyre Ka’b ibni Malikun dhe Bera ibni Marurin për t’i nisur drejt Qabes.

Asnjëri prej tyre nuk e kishte parë të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) më parë, kështu që e kishin të vështirë që ta njihnin së largu. Po pyesnin se si mund ta dallonin. Pyetën një mekas që u doli përballë:

A e njihni ju xhaxhanë e Tij Abas ibni Abdulmutalibin?

Patjetër që e njihnin Abasin, i cili kishte shkuar disa herë në Medinë për të bërë tregti.

Po, - iu përgjigjën.

Atëherë, e keni të lehtë! Sepse është Ai që është ulur krah Abasit atje, në Qabe. Kur të afroheni, do ta shihni më lehtësisht.

Tani po ecnin pa mëdyshje. Sepse Ai ishte ulur pranë Abasit të nderuar. U afruan dhe i përshëndetën. Kur e panë qëndrimin e ëmbël të tyre, i Dërguari i Allahut, u drejtua nga Abasi dhe i tha:

A i njeh këta njerëz o Eba Fadl?

Po, - iu përgjigj Abasi. Ky është Bera ibni Maruri, prijësi i fisit të tij, ndërsa ky tjetri është Ka’b ibni Maliku.

Në fytyrën e Profetit tonë filluan të lëviznin mimika gëzimi. Sepse këta nuk përfaqësonin vetëm veten e tyre. Nga pas kishin plot shtatëdhjetë veta, dhe kishin ardhur vetëm si përfaqësues të tyre. Ata e pyetën se si mund të takoheshin. Vendi ishte sërish Mina, madje në Akabe, atje ku ishin takuar edhe vitin e shkuar. Ata rendën menjëherë për të lajmëruar shokët, të cilët po prisnin në ankth. Ata pritën një natë pranë të Dërguarit të Allahut, ndërsa shokët i kishin lënë në ankth për të pritur përgjigjen e tyre, gjatë gjithë asaj nate.

Më në fund, kur nata kaloi, dhe po afronte koha e takimit, ata u ngritën pa bërë zhurmë dhe u nisën në drejtim të vendit të takimit. Krah

Resulullahut (s.a.s.) gjendej sërish Abasi. Profeti i Allahut (s.a.s.) me të parë shtatëdhjetë e pesë vetë përballë Tij nuk mund ta përmbante dot gëzimin. Kishte trembëdhjetë vjet në Mekë, por nuk kishte ndodhur një hyrje kaq e gjerë në Islam. Ndoshta të gjitha vuajtjet e Mekës ishin kthyer në mëshirë për banorët e Medinës.

Ky ishte fryti i këtij viti, andaj ata filluan të flisnin për gjithë ç’mund të kishte ngjarë gjatë gjithë kësaj kohe. Mus’abi kishte edhe diçka tjetër që e gëzonte jashtëzakonisht shumë... Një sihariq që do të gëzonte jo vetëm Atë, por të gjithë myslimanët. Teksa po e thoshte këtë si një ndarje të mirësisë me të tjerët, ishte tejet i emocionuar.

Në Medinë nuk ka ngelur asnjë shtëpi ku të mos jetë folur për Islamin, o i Dërguari i Allahut (s.a.s.), – tha ai me thjeshtësi. Sepse që të kishte qoftë edhe një zemër që besonte në një rrethinë të caktuar, do të thoshte se ajo rrethinë ishte e ngadhënjyer. I Dërguari i Allahut kishte treguar synimin që duhet të kishin të gjithë, dhe Mus’abi e kishte kuptuar më së miri. Pikërisht pse e kishte treguar Ai këtë synim, Mus’abi i kishte hedhur hapat duke rendur, nga ku kishte prurë pikërisht frytet e sinqeritetit të punës së tij.

Ata kishin një dëshirë të përbashkët. Po e fronin Trëndafilin e zemrave të tyre, Profetin Muhamed (s.a.s.) në Medinë. Zaten tablonë e kishin përpara syve. Medina dukej një vend më i qetë për ta vazhduar kumtimin. Mbi të gjitha, njerëzit e atjeshëm ishin më të sinqertë, dhe më të hapur për sa i përket çështjeve të fesë.

Po, një ftesë, përgjigja ndaj së cilës do të sillte shumë andralla. Gjithçka nuk mund të zgjidhej vetëm me migrimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), pasi atyre do t’u duhej që të migronin të tërë së bashku. Sepse kurejshtë nuk kishin lënë rreng pa i luajtur, duke ia helmatisur jetën, asisoj që u ishte bërë e pajetueshme. Kjo do të thoshte një problem më vete. Familjet do t’i linin këtu, të afërmit dhe miqtë do t’i kishin krejt larg, madje disa prej tyre mund edhe të ndaheshin përfundimisht prej prindërve, e disa të tjerë prej fëmijëve të tyre. Kurejshi do t’u zaptonte të gjitha pasuritë që kishin, kopshte, vreshta, shtëpi e katandi. Me një fjalë, atyre do t’u duhej të largoheshin sikur të ishin duke shkuar në drejtim të varrit. Ndërsa në anën tjetër, ata do të kishin mundësinë të ndërtonin shtëpitë e tyre, do të nisnin nga punët e reja, duke pasur njëfarë pasurie e mirëqenieje, por edhe duke jetuar parimet që i urdhëronte feja e tyre. Dhe jo vetëm disa familje të vetme... Ishin gjithsej njëqind e tetëdhjetë familje. Nëse këto nuk zgjidheshin sa më shpejt, do të jetoheshin shumë probleme shoqërore, dhe shumë njerëzve mund të viheshin në pozitë të vështirë.

Me sa dukej, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte i detyruar ta linte Mekën, andaj ishte i vendosur për diçka të tillë. Kishin plot trembëdhjetë vjet që përpiqeshin për jetën e tyre, por për të kishin përjetuar veç probleme. Ndërsa tani kishin përballë vetes vetëm njerëz që ishin më të vendosur dhe më të dhënë pas fuqisë së besimit. Abasi (r.a.), i cili po i shihte të gjitha me vëmendje, po ndjente njëfarë nevoje që të fliste nja dy fjalë me këta njerëz që po e ftonin nipin e tij, të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

O populli i Hazrexhit! Siç e dini, Muhamedi, me gjithë ato që kanë ndodhur, gjendet sërish në mesin tonë. Me gjithë pengesat, ne jemi duke e mbrojtur Atë. Vetëm se Ai, në këtë gjendje që është, është i detyruar që të vijë me ju në qytetin tuaj. Vetëm se ftojeni vetëm nëse do të jeni të vendosur në besnikëri ndaj tij. Që do ta mbroni Atë përballë atyre që mund të bashkohen me njëri-tjetrin karshi Atij me tërë pasurinë dhe fuqinë tuaj. Vetëm, nëse do ta lini vetëm pasi ta keni ftuar, dhe do ta dorëzoni në duart e synimkëqinjve, duke e hidhëruar, hiqni më mirë dorë që tani, dhe lëreni me mua. Sepse Ai është duke bërë detyrën e Tij të profetësisë dhe kumtimit më së miri, duke e ruajtur nderin dhe krenarinë e Tij, – tha ai.

Abasi po u kujtonte atyre se e çfarë rëndësie ishte kjo ftesë. Qëllimi i tij ishte që ti ndihmonte ata të kuptonin rëndësinë e çështjes, duke siguruar që ata të ishin mbrojtësit e nipit të tij me vetë vullnetin e tyre. Sepse dukej qartazi se largimi i Muhamedit (s.a.s.) ishte diçka tashmë e vendosur, dhe ishte e pamundur që ata ta lëshonin pa marrë më parë fjalën e një mbrojtjeje të vendosur.

Mirëpo, edhe ata që vinin prej Medinës ishin të bindur se do ta merrnin me vete, andaj u kthyen nga Abasi për t’i thënë:

E kuptuam atë që do të na thuash, - thanë ata, dhe ndërkohë u kthyen nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.):

O Resulullah! Çfarë na kërkon neve që të bëjmë në emër të Allahut dhe Tëndit njëkohësisht.

Sakaq, fjalën e mori Profeti ynë i nderuar. Fillimisht falënderoi Allahun dhe pastaj filloi të këndonte disa ajete prej Kuranit. Pasandaj filloi të fliste për disa tema të rëndësishme të Islamit, duke i dhënë shembujt nëpërmjet një krahasimi mes së djeshmes dhe së sotmes.

Kërkoj bindje të plotë prej jush, si kur të jeni të qetë, ashtu edhe kur t’ju vënë në vështirësi. Do të ndani me të tjerët, si kur të jeni të kamur, ashtu edhe kur të jeni të varfër.

Do ta adhuroni Allahut pa i bërë asnjë shok në krijim, duke e falur namazin siç duhet, dhe duke ndarë prej pasurisë suaj me të tjerët!

Do të urdhëroni për të mirë, dhe do të jeni mohues ndaj çdo veprimi të keq!

Çdo hap do ta hidhni në emër të Allahut, duke u shqetësuar se dikush mund të jetë i shqetësuar prej jush!

Kur të vij në mesin tuaj, do të më mbroni dhe të më ndihmoni, njësoj siç mbroni fëmijët dhe familjet tuaja.

Bera ibni Maruri e kapi për krahu të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) dhe i tha:

Po, të betohemi për Zotin që të nisi te ne me të drejtën, se do të të mbrojmë ashtu siç mbrojmë familjet tona. Të japim fjalën dhe lidhim besën me ty, se ne e dimë se ç’është lufta ngase jemi një popull që mban armë në duar, të cilat na kanë ngelur trashëgim prej të parëve tanë që kanë shekuj që jetojnë nëpër fushat e betejave.

Ndërkohë, fjalën e mori Ebu Hejthemi. Me sa duket, edhe ai kishte diçka për të shtuar:

O i Dërguari i Allahut! Edhe ne kemi probleme me popullin tonë, atje në Medinë, me të cilët luftojmë vazhdimisht. Nëse, ndërkohë që ne luftojmë me ta, Allahu na ndihmon që të ngadhënjejmë, dhe kjo çështje fillon të bëhet e pranueshme prej të gjithëve, a do të na lësh neve përsëri, për t’u kthyer edhe njëherë në Mekë?

Profetit i profetëve filloi të buzëqeshte ëmbël, dhe filloi të fliste:

Jo, gjaku luftohet vetëm me gjak, dhe përpjekja përballet vetëm me përpjekje! Saora unë jam një pjesë prej jush, e ju jeni një pjesë prej Meje. Edhe unë do të luftoj me ata që luftoni ju, e do të jetoj në paqe me këdo që ju bini në një mendje për të bërë paqe.

I Dërguari i Allahut sal’lallahu alejhi ues’sel’lem u kërkoi atyre të thurnin një këshill prej dymbëdhjetë vetash. Çdonjëri prej tyre do të ishte prijësi i një familjeje, të cilët ashtu siç do të organizonin vetë familjen e tyre, ashtu edhe do të ishin ndërlidhës me prijësit e familjeve të tjera, duke bërë kësisoj që edhe Islami të mund të përhapej më shpejt.

Tashmë kishte ngelur vetëm që të vulosej kjo çështje. Pikërisht në këtë kohë, në krye u hodh një person, i cili quhej Abas ibni Ubade, i cili u tha këto fjalë shokëve të tij:

O popull i Hazrexhit! A e dini ju se ç’jeni duke bërë teksa lidhni besën me Të?

Po, - u përgjigjën ata. Qëllimi i kësaj pyetjeje ishte që ta theksonin domosdoshmërisë së besnikërisë së tyre.

Ju po merrni përballë vetes të gjithë, të kuq e të zi, duke u shpallur zëre se luftë! Nuk ka asnjë problem nëse ju e mbani fjalën edhe në kohët që do të keni vështirësi, apo të privoheni nga ndonjë privilegj. Atëherë, ta dini se lumturia e botës dhe e ahiretit ka për të qenë e juaja! Veçse, nëse nesër ju vënë në vështirësi, dhe nuk tregoheni besnikë në besëlidhjen tuaj, atëherë ta dini se do të jeni të humbur si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.

Ne do t’i hyjmë kësaj rruge pavarësisht pasurive a privilegjeve, a humbjeve që mund të pësojnë prijësit tanë gjatë këtij rrugëtimi, kështu që jemi të vendosur në ftesën që po i bëjmë.

Pastaj u kthyen nga i Dërguari i Allahut, dhe i thanë:

Nëse ne e mbajmë fjalën e dhënë, çfarë do të fitojmë, o i Dërguar i Allahut?

Xhenetin, - u përgjigj Ai.

Radha i erdhi lëvizjes së fundit, kështu që filluan të flisnin me një respekt tejet të thellë:

Zgjati duart e Tua të bekuara, o i Dërguari i Allahut, se ne do të lidhim besëlidhje me Ty!

Ata erdhën të gjithë, njëri pas tjetrit për të lidhur besëlidhje me Profetin tonë, duke plotësuar secili besëlidhjen e tij me Resulullahun (s.a.s.). Vetëm dy gratë, Nesibe binti Kab’i, e cila njihej ndryshe si Umu Umara dhe Esma binti Amri, e lidhën nga larg besëlidhjen e tyre, pa u afruar që të shtrëngonin duart.

Shënimet

  1. 162.Shih: Ibnu’l Esir, Usudu’l -Gabe, 3/163-4