THEMELET E MIRËKUPTIMIT NË BOTËN E NDRITUR

Medina tashmë ishte kthyer në një qendër ku kryheshin shumë veprimtari; qendër e paqes, qetësisë, sigurisë dhe besimit. Kishte mjaft kohë që kishte marrë fund koha e kaosit dhe ngatërresave, dhe kishte filluar të ndjehej atmosfera e buzëqeshjeve prej kënaqësisë. Kjo nuk duhet të ishte një periudhë e kufizuar lumturie, andaj Profeti i Njerëzimit filloi t’i niste anembanë sahabët e Tij me detyra tejet të rëndësishme. Disa do të iknin për t’u mësuar njerëzve Islamin, disa për të siguruar qetësinë dhe mbarëvajtjen, disa për të çuar letra ftesash për në fenë e Allahut (xh.xh.), ndërsa disa të tjerë për të mbledhur xhizjen prej jomyslimanëve dhe zekatin prej myslimanëve në vendet ku ishte pranuar Islami. Numri i atyre që ishin ngarkuar me detyra të tilla ndryshonte sipas punës që duhej bërë, prandaj ashtu siç kishte persona që ishin nisur fillikat, kishte edhe nga ata që niseshin bashkë me njëqind të tjerë me vete. Kësodore, pranohej edhe ekzistenca e vërtetë e një pushteti të qendërzuar, por edhe zhdukeshin dyshimet dhe kontradiktat që gjendeshin në mendjet e njerëzve.

Prandaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), që nga koha që u kthye në Medinë, nisi mëkëmbës nëpër vende të ndryshme, duke shpallur kështu sundimin e Islamit brenda një gjeografie të gjerë.

Një tjetër dimension i kësaj çështjeje, ishte se, me t’u finalizuar me humbje gjithë ajo orvatje e idhujtarëve për t’i bërë keq, a për të penguar zhvillimin e Islamit, duke thënë: “Ta lëmë kokë për kokë me popullin e vet. Nëse mundet prej vetë popullit të vet, atëherë nuk kemi pse ngatërrohemi ne në këtë çështje, ndërsa nëse ndodh e kundërta, atëherë hyjmë ne në mes dhe e zgjidhim këtë çështje.”, ata duhet t’i thërrisnin mendjes. Mendoheshin dhe si zgjidhje të vetme, tashmë, shihnin vetëm dorëzimin tek Ai. Këndej e tutje, Medina nuk ishte vetëm vendi për nga dilej drejt botës përtej, por edhe ku vihej nga të gjitha anët.

Ajo Medinë që deri dje e kishin përcëlluar luftërat, i kishte lënë pas ato ditë vuajtjesh të plot nëntë viteve, duke u kthyer sakaq në një qendër që i falte siguri gjithë botës përreth. Zemrat e përmalluara për të vërtetën, ashtu siç janë fluturat për zjarrin, për ta kuptuar çdo gjë më së miri, vinin në Medinë. Vinin nga ana e anës, vetëm për t’u strehuar në viset paqedhënëse të të Dërguarit të Allahut.

Stina ishte stinë e vështrimit të bukurive të Islamit pa kurrfarë perdeje, por drejtpërsëdrejti. Vinin për t’u pastruar prej zullumeve të të shkuarës. Ndërsa disa mbartnin ende emocionin e veçantë se kishin parë atë bukuri, të cilën nuk e kishin parë dot gjer më sot, të tjerët vinin për të mësuar diçka më tepër për Islamin, që megjithëse i kishin rënë në të, nuk e kishin kuptuar plotësisht. Sepse, ashtu siç kishte njerëz të mbarë që donin ta jepnin vendimin e tyre pasi ta kishin parë njëherë nga afër të gjithë Islamin, kishte edhe nga ata që mendonin vetëm brenda qerthullit të materializmit, duke menduar se çfarë do të mund të merrnin prej të Dërguarit të Allahut. Mirëpo, të gjitha këto pastroheshin menjëherë kur rrije disa çaste pranë të Dërguarit të Allahut. Pasi ishin dorëzuar te drita, do të ktheheshin të gëzuar për në vendet e tyre.

Ata që vinin tashmë në Medinë ishin thuajse të panumërueshëm.

Tebuku

Ndërsa përjetoheshin gjithë këto zhvillime në aspektin e kumtimit dhe udhëzimit të të tjerëve, nga anët e Sirisë erdhi një tjetër lajm. Të krishterët e Arabisë i kishin shkruar një letër Herakliut, duke iu shprehur: “A nuk ishte ai burri që ka dalë e thotë se na qenka profet? Ai vdiq, ndërsa njerëzit e tij janë duke vdekur prej urisë; nuk kanë më asnjë pasuri. Nëse ke ndërmend që t’i përftosh edhe ata në fenë tënde, tani ke kohën më të duhur për ta bërë diçka të këtillë.” Këto ishin fjalë më tepër për ta nxitur atë, me sa dukej. Ndërkohë ishin kryengritur edhe fise si Lahmët, Xhuzamët, Amilet dhe Gasanët, pasi në një lëvizje kaq të madhe të Bizantit, ata i kishin dhënë fjalën se do të ishin në anën e tyre.

Nga ana tjetër prijësi i Gasanit, Shurahbil ibni Amri, vrau mëkëmbësin e Profetit tonë, Muhamedit (s.a.s.), dhe po priste çastin për të sulmuar Medinën. Dukej qartë se bëhej sërish fjalë për një skenar të gjerë, pasi nga ana tjetër, tek i Dërguari i Allahut (s.a.s.) erdhën hebrenjtë.

- O Eba Kasëm! Nëse je duke na thënë të vërtetën, atëherë shko në anët e Sirisë, pasi ato janë toka të profetëve.

Po t’i shihje nga pikëvështrimi i kohës, të gjitha këto ishin shumë kuptimplota. Ata që nuk gjenin dot kundërshtar për të qenë, kishin provuar të nxisnin gjithë atë Bizant, duke bërë planet nëse do t’ia arrinte dot asaj që kishte dëshiruar. Po luanin lojërat e fundit mbi këtë zhvillim, të cilit nuk ia kishin dalë edhe njëherë më tepër.

Në ato kohë, në Medinë po vinin disa tregtarë prej Sirisë. Ata pohuan se ekspedita bizantine kishte ardhur deri në afërsi të Belkas.

Ky ishte një lajm tejet mërzitës. Kjo do të thoshte një fazë shumë e re për të gjithë ata që kishin rendur për të përqafuar Islamin gjer më tani. Vetëm se nuk mund të kalohej pa u vlerësuar siç duhej, pasi ky ishte një rrezik i vërtetë. Ndërkohë, mesazhet e prura prej Xhebrailit Fjalëdrejtë thoshin se duheshin dalluar myslimanët prej idhujtarëve, kështu që nuk duhet të druheshin nga të luftuari me ata që nuk kishin besim.

Po ta marrësh hollë-hollë, kjo ishte diçka që pritej. Bizanti ishte një prej dy vendeve që i jepnin formë botës, dhe në mos sot, nesër do t’u duhej medoemos të përballeshin me ta. Deri më tani, Islami jetonte veç një zhvillim vetvetiu, dhe ishte e pamundur që të pranohej prej të gjithë aktorëve gjitha ai zhvillim në aq fare pak kohë.

Resulullahu paqja qoftë mbi Të u dha urdhër sahabëve që të përgatiteshin për luftë. U niste fjalë edhe fiseve përreth, duke u thënë se duhet të ishin pikërisht në anën e tyre në këto zhvillime e sipër. Ndërkohë fjalë i nisi edhe Mekës, duke i kërkuar po të njëjtën gjë.

Dita e Tebukut. Ishte një hark kohor ku ndaheshin zemrat e sinqerta që rendnin në emër të Allahut, nga ato që nuk kishin shpëtuar prej kthetrave të hipokrizisë. Nga njëra anë ishin ata që rendnin edhe pas një tjetër thirrjeje të Profetit të Njerëzimit, të cilët ishin të emocionuar, ndërsa nga ana tjetër ishin ata që puthnin edhe tokën, që atë ditë, të mos i përgjigjeshin kësaj thirrjeje të të Dërguarit të Allahut. Sa e sa justifikime, vetëm për të mos u gjendur në Tebuk pranë të Dërguarit të Allahut.

Lëvizje prej Medinës

Tashmë radha i erdhi ushtrisë myslimane për t’u nisur. Resulullahu u thoshte të gjitha fiseve të përgatisnin flamujt, pasi pas pak do të niseshin për në luftë.

Detyrën e faljes së namazit të forcave pararendëse ia la Ebu Bekrit të nderuar, duke i dhënë atij flamurin më të madh. Dhe atë ditë, që ishte një prej ditëve të muajit Regaip të asaj kohe, në Medinë kishte lënë vetëm Aliun e nderuar, dhe këtë nuk harroi t’ua lajmëronte të gjithëve. Në të katër anët ziente kazani i shpifjeve.

Resulullahu (s.a.s.) e la atë këtu sepse është më i vogël dhe më i dobët prej të tjerëve, - ishin disa prej fjalëve që thuheshin për të çoroditur njerëzit.

Ia kishin arritur qëllimit, pasi Aliu i nderuar (r.a.) filloi të shqetësohej me të vërtetë, i cili rendi deri në Xhufër për ta pyetur vetë të Dërguarin e Allahut. Po i thoshte se një trim si ai duhet të ishte medoemos në fushën e betejës, dhe se nuk i shkonte aspak që të rrinte në Medinë bashkë me gratë dhe fëmijët. Pasi e dëgjoi mirë e mirë, Resulullahu (s.a.s.) i tha këto fjalë:

Po të gënjejnë! Unë të lashë që të kujdesesh për të tjerët, për familjen tënde dhe për familjen time; pastaj, o Ali, nuk do ti që të jesh për mua siç ishte Haruni i nderuar për Musain (a.s.)? Vetëm kaq është e sigurtë, se pas meje nuk do të ketë profet!

Me shumë gjasa, Ai po e linte Aliun e nderuar në Medinë, që të kujdesej për hipokritët që mund të ngatërronin gjithë Medinën, për më tepër që ata kishin gjetur turlifarë justifikimesh për t’iu shmangur luftës. Ai i kërkoi Aliut të kthehej, dhe ai u kthye sakaq për në Medinë.

Ushtria islame në Tebuk

Ushtria islame mbërriti në Tebuk, kështu që u vu në pritje për disa ditë me radhë. Rreth e qark nuk kishte as ushtri, e as ndonjë grup që t’i ngjante ushtrisë. Kishte vetëm dy mundësi, ose ishte Bizanti që kishte hequr dorë nga lufta, duke i tërhequr mbrapsht ushtrinë e tij, ose ushtrisë islame i ishte ngritur një tjetër kurth.

Vetëm se çdo çast që kalonte e mohonte paksa ekzistencën e mundësisë së dytë. Rruga për ta qartësuar këtë çështje kalonte përmes kontaktimit me palën kundërshtare, dhe Resulullahu (s.a.s.) vendosi që ta niste përsëri Dihjetul Kelbin për te Herakliu. Në letrën që i kishte shkruar i parashtronte tri kërkesa: t’i bindej Islamit, të rrinte në tokat e tyre duke paguar xhizjen ose të nisej për të luftuar në fushë të betejës. Kjo e la Herakliun në mëdyshje se cilën të zgjidhte.

Ndërkohë, Herakliu, mbreti i Bizantit gjendej në Hims. Me të marrë letrën e të Dërguarit të Allahut, thirri pranë vetes ministrat dhe priftërinjtë e tij, dhe filloi një mbledhje me ta. U kujtonte atyre kushtet që kishin, duke ua përmendur se kjo fe e re që fuqizohej nga dita në ditë, mund të vinte një ditë të zinte vend edhe në vendin e tyre. Vetëm se ministrat dhe priftërinjtë nuk ishin të atij mendimi. Herakliu donte të mbronte pozicionin e tij, kështu që iu desh edhe atij të tërhiqej. Mirëpo, ai nuk do të zgjidhte as të shkonte e të luftonte përballë të Dërguarit të Allahut, e as nuk parapëlqente që të pranonte fenë e tij, duke iu bindur Atij sakaq. Iu shmang një përgjigjeje karshi tërë asaj ushtrie që ishte mbledhur në Tebuk, duke mbajtur më tepër një qëndrim asnjanës.

Ndërkohë, i Dërguari i Allahut e kishte nisur Halid ibni Velidin me dyqind veta në drejtim të Dumetu’l Xhendelit, që të merrte peng Ukejder ibni Abdilmelikun, mbretin e Beni Kindes e të vinte.

Kur erdhën me Halidin e nderuar, Ai filloi t’u fliste Ukejderit dhe njerëzve të tij për Islamin, vetëm se ata nuk e pranonin. E pranonin që të ishin nën drejtimin e myslimanëve, të jepnin edhe xhizjen, por nuk e pranonin fenë, kështu që i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u detyrua të bënte një marrëveshje me ta, duke lënë sakaq të lirë të dy vëllezërit.

Juhana ibni Rube, kur mori vesh situatën e Ukejderit dhe myslimanëve, u ngrit vetë, përgatiti disa dhurata të mira dhe u nis për tek i Dërguari i Allahut që të lidhte edhe ai marrëveshje me Të. Profeti ynë i dashur i jepte një rëndësi tejet të veçantë urave të dialogut me njerëzit, kështu që Juhanës i dha një fletë garancie, duke i thënë se e kishte Ai përsipër sigurinë e njerëzve që jetonin në drejtim të Sirisë, Jemenit dhe Bahrit.

Megjithëse në Tebuk nuk kishte ndodhur ende asnjë përplasje e nxehtë me bizantinët, një qëllim po arrihej. Fytyra të reja vinin e njiheshin disi me të vërtetat e fesë. Ndërkohë kishin ardhur edhe fiset e Xherbas dhe Ezruhut, prej fiseve hebreje, për të bërë një marrëveshje me Muhamedin e nderuar (s.a.s.). Kësodore, këtej e tutje, ata do të paguanin një taksë prej njëqind dinarësh çdo fillim muaji Regaip, duke hyrë sakaq nën kujdesin e myslimanëve. Edhe atyre, Profeti i nderuar u dha një kartë ku i garantonte sigurinë e tyre dhe të pasurive të tyre. Madje populli i Xherbas dhe i Ezruhut i solli xhizjet teksa i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të ishte ende në Tebuk!

Ndërkohë për të bërë marrëveshje, erdhi edhe populli i Meknas. Sipas kësaj marrëveshjeje,edhe ata do të jepnin si xhizje një të katërtën e frutave të vjela; një të katërtën e stofit të përgatitur, duke përzgjedhur kështu jetesën në klimën e shëndetshme të Islamit.

Tebuku po jepte frytet e veta, andaj Profeti i Njerëzimit u këshillua me sahabët e Tij në mënyrë që të përparonin në drejtim të Sirisë. I pari foli Omeri i nderuar:

O i Dërguari i Allahut, nëse të është urdhëruar, nisemi, nuk ke pse na pyet!

Vetëm se Ai nuk dëshiroi asnjëherë që të vepronte pa u këshilluar më parë me sahabët e Tij. Ishte vetë Allahu (xh.xh.) që ia kishte këshilluar këshillimin me njerëzit e Tij më parë.

Nëse do të isha urdhëruar për të përparuar më tutje, nuk do të këshillohesha me ju!

O i Dërguari i Allahut, ortodoksët janë një popull tejet i madh, në mesin e të cilëve nuk gjendet asnjë mysliman. Ne gjendemi tani më pranë tyre. Jam i bindur se ardhja Jote deri këtu i ka trembur ata së tepërmi. Andaj nëse do, mund të kthehemi mbrapsht, e gjatë këtij viti le të ndjekim se ç’ka për të ndodhur.

Edhe mendimi i shumicës kësiane anonte, kështu që Profeti ynë (s.a.s.) mori vendim për t’u kthyer. Tashmë drejtimi ishte Medina.

Medina

Sakaq udhëtimi mbaroi, dhe Profeti i nderuar bashkë me sahabët e Tij fisnikë ishin duke hyrë në qytet.

Gratë dhe fëmijët ishin derdhur sërish nëpër rrugë për të parë të Dërguarin e Allahut, të Cilin kishin kaq shumë kohë pa e parë. Lumturinë e parrëfyeshme po e shprehnin me këngë e me poezi në majë të kodrës së Lamtumirës. Ishte një atmosferë shumë e gëzueshme.

Me të mbërritur, Ai rendi sërish drejt faltores profetike, dhe si shenjë falënderimi ndaj Allahut, fali dy rekate namaz.

Lëvduar qoftë Allahu që na pajis me të mira dhe shpërblime! – thoshte Ai.

Sahabët e kthyer nga Tebuku ishin të mendimit se këtej e tutje nuk do të kishte më luftëra, madje gjer aty, sa kishin filluar edhe t’i shisnin armët. Ata mendonin se në Arabi nuk kishte më asnjë forcë që të mund të kundërshtonte të tyren, kështu që nuk kishte nevojë as për shpata e as për mburoja. Resulullahu e mori vesh këtë veprim të tyrin, dhe për të ndërhyrë menjëherë, sa nuk ishte vonë, u tha:

Një grup prej umetit Tim do të luftojë përherë në anën e së drejtës, deri në kohën e ardhjes së Dexhalit.

Rendja pas Islamit vazhdon

Ardhja e grupeve që pas ngadhënjimit mbi Mekën shtohej nga dita në ditë. Me kthimin nga Tebuku ishte përshpejtuar akoma më shumë, aq sa Medina priste çdo ditë miq të rinj. Ata që deri dje garonin kush të bënte më tepër keq, kur shihnin fitoret dhe triumfet e të Dërguarit të Allahut dhe sahabëve të Tij, si ngadhënjimi i Mekës, Hunejni apo Tebuku, e kuptonin se nuk kishin alternativë tjetër pos dorëzimit, andaj edhe vinin e ia hapnin zemrën pikërisht Islamit. Andaj, ashtu siç kishte individë që vinin për t’u bërë myslimanë, kishte edhe nga ata që zhvendoseshin në Islam në grupe. Kësimënyre, Medina gjatë këtij viti kishte pritur gjithsej treqind e pesëdhjetë grupe të ndryshme. Shumica e tyre bëheshin myslimanë, e mandej ktheheshin nëpër familjet e tyre. Si te ai që vinte, si te ai që kthehej për te familja e vet, ndjehej njëfarë emocioni i papërshkrueshëm. Kur iknin ishin të pasionuar që t’i ndanin edhe me të tjerët ato që kishin dëgjuar, madje aq sa garonin me njëri-tjetrin se kush do t’i ftonte më parë të afërmit e vet me Islamin.

Për ata që vinin në Medinë, Profeti ynë i nderuar (s.a.s.), herë pas here ngrinte çadra brenda faltores, dhe pasi i mirëpriste siç i kishte hije Atij, u mësonte Kuranin, dhe i linte që të ndiqnin edhe faljen e namazit. Për mirëpritjen e tyre nuk duhet harruar pa përmendur edhe mikpritja e ensarëve, të cilët, edhe ata, garonin me njëri-tjetrin se kush t’i ftonte në shtëpi miqtë e rinj. Profeti ynë (s.a.s.) i këshillonte sahabët që t’i prisnin mysafirët që në hyrje të qytetit, t’i shoqëronin derisa të hynin brenda tij. Ndërsa kur i niste, nuk harronte asnjëherë që t’i niste me dhurata. Ky vit madje mori emrin “viti i grupeve”, dhe filloi të thirrej “Senetu’l Ufud.”

Secili syresh kishte tipare të veçanta dhe kërkesa po të veçanta. Disa kërkonin prej Resulullahut mësues dhe kumtues të mirë, ndërsa disa të tjerë kërkonin veç përgjigje për disa pyetje që u ngatërroheshin nëpër mendje. Ndërsa disa mundoheshin të testonin besnikërinë në përgjigjet e të Dërguarit të Allahut, disa të tjerë e shihnin shpëtimin në pranimin e Tij pa pasur asnjë parakusht në bindjen karshi Tij.

Këta njerëz që rridhnin në drejtim të Medinës tregonin njëkohësisht edhe nevojën që kishte njerëzimi për Islamin. Tashmë Medina mund të quhej pa frikë kryeqyteti i Arabisë. Ajo Arabi që deri dje nuk merrte vesh i pari të dytin, që çdokush vepronte sipas mendjes së vet, sot, pas drejtimit të të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të kishte filluar të bëhej zëri i një vendi ku njerëzit mund të jetonin të sigurt e në qetësi, sepse ngado mbisundonte rregulli dhe disiplina.

Krenaria e Universit, Profeti ynë (s.a.s.) nga njëra anë u mësonte fenë njerëzve, i ftonte në Islam, ndërsa nga ana tjetër zgjidhte sahabë të nderuar prej të Tijve që të shkonin bashkë me ta nëpër vendet e tyre, ku të kryenin detyrën e kumtimit. Sepse kjo ishte më se e nevojshme për heqjen e veseve të lëna prej injorancës, apo për ardhjen e shpirtrave deri në nivelin për t’i kuptuar siç duhej të vërtetat madhore të zemrës, derisa të mbante plotësisht majaja e Islamit!

Ngjarje të rëndësishme të vitit të nëntë

Kur ata u kthyen prej Tebukut, vdiq ai që ishte prijësi i hipokritëve të Medinës, Abdullah ibni Ubej ibni Seluli. I dinte edhe i biri, Abdullahu, ato që fliteshin për të atin, dhe shkoi pranë të Dërguarit të Allahut, që t’i kërkonte ta falte Ai namazin e të atit. Megjithë babanë që kishte, ai ishte një besimtar i devotshëm, dhe Resulullahu iu përgjigj me po sinqeritetit të tij. Megjithëse ai mund të kishte bërë shumë të këqija nën perde, do të kërkonte falje për të, sepse ai kishte thënë se ishte mysliman në sytë e të tjerëve.

Mirëpo nuk kaloi shumë kohë, dhe erdhi Xhebraili Fjalëdrejtë.

Mos fal namazin e xhenazes për asnjërin prej tyre, dhe mos rri mbi varrin e tyre për t’u lutur. Sepse ata nuk e njohën Allahun dhe të Dërguarin e Tij, duke vdekur si të dalë prej fesë.

Ky ajet tregonte se ndaj hipokritëve duhet të sillej kësisoj, dhe se nuk do të ishte e mundur që as të falte namaz për ta, e as të lutej.

Dhëndri i Profetit, Osmani i nderuar, ishte sërish i pikëlluar.

Sepse gjatë këtij viti kishte vdekur edhe Umu Kulthumi, që ishte njëkohësisht e bija e Resulullahut. Siç dihej, pas vdekjes së nënës sonë, Rukijes, e pati martuar atë me Osmanin e nderuar! Sa keq! Kësaj here vdiq edhe Umu Kulthumi. Profetit tonë të nderuar iu shumëfishua dhimbja. U kthye nga dy herë dhëndri i Tij, Osmani i nderuar (r.a.) dhe i tha:

Nëse do të kisha edhe një vajzë të tretë, padyshim që do ta martoja me ty!

Kjo ishte një fjali që do ta qetësonte paksa Osmanin e hidhëruar.

Detyrimi i haxhit

Në ajetet e zbritura gjatë muajit Dhilkade të vitit të nëntë thuhej:

Çdokush që ka mundësi ta vizitojë shtëpinë e Allahut, është detyrim i tij prej Allahut!

Kjo do të thoshte se haxhi këndej e tutje ishte farz.

Profeti i Njerëzimit, që mori urdhër prej Allahut, por edhe vetë dëshironte jashtë mase ta vizitonte Qaben, kujtoi atje gabimet që kishin bërë idhujtarët me Të:

Do të shkojnë te shtëpia e Allahut dhe do ta vizitojnë atë të zhveshur; për aq kohë që nuk ikën kjo gjendje prej nesh unë nuk dua ta vizitojmë Qaben.

Ndërkohë thirri pranë vetes Ebu Bekrin e nderuar dhe emëroi drejtues të adhurimit të haxhit. I mësoi atij se çfarë duhet të kishte kujdes për t’i shpjeguar njerëzve që nuk do t’i dinin kushtet e këtij adhurimi. Për myslimanët, kjo ishte hera e parë që do të bëhej haxh pranë Qabes.

Ebu Bekri u nis në drejtim të Mekës me një grup prej treqind besimtarësh. Revelacioni vazhdonte të zbriste pa reshtur. Pas largimit të tyre zbritën edhe ajetet e para të sures Teube, e cila parashtronte shumë gjykime në lidhje me idhujtarët që kishin brenda zonës së Haremit. Profeti i njerëzimit thirri Aliun e nderuar (r.a.) pranë vetes, duke ia treguar atij gjykimet, në mënyrë që të rendte pas Ebu Bekrit e t’ia tregonte.

Aliu i nderuar u nis menjëherë, me t’i marrë këshillat e nevojshme. Ai e arriti grupin e haxhit pikërisht në vendin e quajtur Arxh ose Daxhnan. Ebu Bekri i nderuar i mori ajetet, dhe sakaq nisi sërish udhëtimin në drejtim të Mekës.

Tauafet u kryen, dhe detyrat ndërmjet Safasë dhe Merues u kryen me sukses. Pasi ndalën disa çaste në Arafat dhe ndenjën në Muzdelife, radha i erdhi Minës. Aliu i nderuar që erdhi në vendin ku po priteshin kurbanet qëndroi në Xhemre, dhe ua tregoi një e nga një të gjithëve ato gjykime me të cilat e kishte nisur i Dërguari i Allahut.

Kësodore u krye dëshira tjetër e të Dërguarit të Allahut. Kuptimi i tyre ishte largimi i menjëhershëm i mendimit idhujtar prej zonave të Haremit.

Kohët e fundit, ardhja e Xhebrailit Fjalëdrejtë ishte shtuar shumë. Ata e lexuan dy herë bashkë Kuranin nga fillimi gjer në fund, folën se ku duhej vendosur aksh ajet, në cilën sure, duke u qartësuar edhe radha se ku do të rrinte njëra apo tjetra sure.

Edhe gjatë këtyre ardhjeve, Xhebraili Fjalëdrejtë kishte ardhur në trajtën e njeriut. Ishin ulur gju më gju me njëri-tjetrin, dhe e kishte pyetur se ç’ishin Islami, imani dhe ihsani, si dhe kohën se kur do të vinte kiameti. Resulullahu ia tregoi një më një se ç’ishin Islami, imani dhe ihsani, ndërsa për kiametin i tha se askush nuk do ta dinte kohën e ardhjes së tij, por vetëm disa prej shenjave të cilat do të paralajmëronin ardhjen e tij.

Drejtë fole! – ishin fjalët e këtij “njeriu” të panjohur, të cilat i patën habitur jashtë mase njerëzit e tjerë që ishin të pranishëm; edhe pyeste, edhe vlerësonte se kishte folur drejtë në përgjigjet e dhëna!

Pasi u arrit qëllimi, e erdhi koha për të ikur, u kthye nga sahabët dhe i pyeti:

E dini kush është ky njeri?

Dukej që në fytyra u shfaqej mosnjohja. Ia lanë sërish Atij fjalën.

Ai ishte Xhebraili. Erdhi këtu për t’ju mësuar fenë tuaj. – përfundoi Ai.

Shënimet

  1. 280.Isra, 17/76; Shih: Taberi, el-Xhamiu’l-Bejan, 15/132; Uahidi, Esbabu Nuzuli’l-Kuran, 1/197; Suhejli, Raudu’l Unf, 4/293 e më tej.
  2. 281.Teube, 9/28-9, 123
  3. 282.Shih: Uakidi, Megazi, 1/996; Abdur-rezak, Musanef, 2/395; Ibni Sad, Tabakat, 4/205; Ibni Kethir, Sire, 4/12
  4. 283.Teube, 9/84