ZHVILLIMET E PAS-HAJBERIT

I Dërguari i Allahut po kthehej për në Medinë me plaçkën e luftës që kishte fituar në betejën e Hajberit, dhe me tërë këto mundësi do të bënte dy lëvizje të rëndësishme. Në fillim do t’ua jepte muhaxhirëve, të cilët e kishin lënë çdo gjë të tyren në Mekë për të migruar në Medinë, madje këtë gjë jo vetëm që do ta bënte vetë, por do t’ua kërkonte edhe ensarëve që ta bënin.

Ndërsa puna e dytë kishte të bënte me Mekën. Ato ditë në Mekë kishte filluar një thatësirë e madhe, dhe si njerëzit dhe kafshët ishin tejet të etura. Resulullahu paqja qoftë mbi Të me të dëgjuar për të, do të hidhte një hap për t’i ndihmuar, megjithëse ishin pikërisht ata njerëz që ishin munduar si e si që t’i bënin vetëm keq. Me ato që kishte arritur në Hajber, i nisi një ndihmë edhe mekasve. Ky veprim i të Dërguarit të Allahut tregonte pikërisht dhembshurinë dhe ndjeshmërinë e myslimanëve. Ngase ishin robër të Zotit, donin t’i ndihmonin edhe ata, dhe njëfarësoj, i Dërguari i Allahut po i ftonte që të bëheshin edhe ata robër të Zotit.

Sahabi që po çonin ndihmat ishte Amr ibni Umeje. Njerëzit, të cilëve po ua niste ndihmat ishin po Ebu Sufjani, Suhejl ibni Amri dhe Safuan ibni Umeje. Ata ishin prijës të qytetit, andaj në njëfarë mënyre do të matej edhe qëndrimi i tyre ndaj Islamit. Sepse që të tre do të ishin sahabë të nderuar të të Dërguarit të Allahut.

Vetëm se as Suhejl ibni Amri, dhe as Safuan ibni Umeje, nuk do ta pranonin këtë ndihmë. Megjithëse i shihnin mjaft mirë nevojat e njerëzve përreth, nuk mund të pranonin një ndihmë nga një portë që deri më dje nuk kishin lënë të keqe pa u bërë. Nuk ua pranonte krenaria që kishin. Megjithatë ky ishte një mesazh që u zbriti deri në thellësitë e zemrës. E dinin mjaft mirë se askush nuk mund t’i ndihmonte pas tërë atyre të këqijave. Ata po e shihnin edhe njëherë ndryshimin që kishin me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).

Ebu Sufjani ishte më i arsyeshëm. Megjithëse miqtë e tij nuk e shihnin si të mundur këtë ndihmë, brenda saj kishte një bukuri njerëzore, të cilës nuk mund t’i shmangeshe dot pa e kuptuar. Andaj, ai tha:

- Allahu i faltë mirësi djalit të vëllait tim, sepse ai e kreu si duhet detyrën karshi të afërmve të tij, duke i ndihmuar kur ishin në gjendje të vështirë.

I mori ato që kishin ardhur dhe ua ndau të varfërve të Mekës. Muhamed Besniku, të Cilit nuk ia kishin ditur vlerën sa qe në Mekë, e kishte kuptuar fatkeqësinë e tyre, andaj u kishte nisur ushqime dhe disa florinj. Ky ishte një triumf zemrash, frytet e të cilit do të vëreheshin më mirë në të ardhmen.

Një umre për t’u shlyer

Ishte muaji Dhilkade i vitit të shtatë. Kishte ardhur edhe Xhebraili Fjalëdrejtë. “Hëna fisnike kuptohet veç përballë hënës fisnike, dhe fisnikëritë janë të ndërsjella.”, ishte ajeti që kishte zbritur. Umreja që nuk ishte realizuar dot vitin e shkuar, u kujtonte se tashmë kishte ardhur koha që të bëhej. Profeti i njerëzimit u dha urdhër sahabëve të tyre që të përgatiteshin, sepse do të niseshin për të bërë umren, ashtu siç e kishin akorduar para një viti. Ai u tha të gjithëve se përveç atyre që kishin rënë dëshmorë, apo që kishin vdekur prej exhelit të vet, duhet të niseshin të tërë pa përjashtim.

Sakaq, prej Medinës në Qabe po fillonte një udhëtim i dymijë vetave, ku mungonin vetëm gratë dhe fëmijët. Profeti ynë ia la kujdesin për Medinën Ebu Ruhm Gifarit. Edhe pak dhe do të realizohej ëndrra që kishin parë një vit më parë, dhe që ishte shprehur edhe nëpër ajetet e zbritura. Do të shkonin të sigurt në Mekë, dhe do t’u tregonin të gjithëve se si duhej adhuruar Allahu (xh.xh.). Profeti i njerëzimit hyri në ihram dhe filloi të lavdëronte Allahun. Të gjithë që po e dëgjonin, fillonin të përsërisnin fjalët e Tij.

- Lebbejk Allahumme lebejk; lebbejk la sherike leke lebbejk. Innel hamde uennimete leke uel mulke la sherike lek, - tronditej tërë Medina.

Me vete kishin marrë edhe gjashtëdhjetë deve për t’i flijuar. Edhe vetë i Dërguari i Allahut e kishte përgatitur flinë e Tij, duke i vendosur edhe një shenjë në qafë.

Hyrja e Profetit tonë në Mekë

Ishte dita e katër e muajit Dhulhixhe. Me të dalë rrezet e para të diellit, Profeti i njerëzimit u nis prej vendit të quajtur Merru Zehran, dhe po hynte në Mekë. Meka po takohej me Binjakun e saj pas tërë kësaj kohe. Ky vend, me të cilin i ishte dashur të ndahej aq dhimbshëm, tashmë po e priste, pasi ata kështu kishin rënë në marrëveshje me mekasit, që deri asokohe nuk kishin lënë telash pa u nxjerrë. Flitë i kishin përpara, dhe vetë nga pas, po hynin në qytetin e bekuar. Kur mbërritën në vendin e quajtur Dhi Tua ngritën zërat e tekbireve dhe po lavdëronin Allahun. Respektin për Qaben po e mësonin prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Meka, e cila kishte kaq kohë në zi, u kaplua për herë të parë pas kaq kohësh me gëzimin e merituar. Aq shumë të gëzuar ishin muhaxhirët... Në çdo qoshe, për ta kishte nga një sekret a kujtim të fshehur. Fëmijët e bijve të Hashimit ishin mbledhur rreth të Dërguarit të Allahut dhe po i tregonin Atij dashurinë që ndjenin për Të.

Mbërritën në Qabe. Qabeja dhe Profeti i njerëzimit po piqeshin në të njëjtën pikë, duke bërë që të mblidheshin bashkë mihrabi me minberin. Sahabët ishin të trembur se mos mekasve u shkonte në mendje t’i bënin ndonjë të keqe të Dërguarit të Allahut, kështu që i rrinin rreth e qark në mënyrë që të mos i ndodhte gjë. Sipas marrëveshjes, ata do të rrinin aty vetëm tri ditë, ku do të mund të adhuronin Allahun me tërë kuptimin e fjalës.

Ishin aq të dhënë pas adhurimit, saqë mund të thuash se përfaqësonin majat e tij. Edhe pak dhe do të niste rrethrrotullimi i Qabes. Para se të kalonin te prekja e gurit të zi, Profeti i Njerëzimit e zhveshi shpatullën e majtë, dhe copën e saj e hodhi nga e djathta. Para se të nisnin kishte edhe një paralajmërim tjetër për sahabët e tij yje:

- Allahu u tregoftë i mëshirshëm me ata që e tregojnë veten si më të fortë! - lutej Ai. “Dukjuni atyre asisoj që ata nuk e pëlqejnë aspak.” Qëllimi ishte t’u tregonin mekasve se besimtarët ishin më fisnikët dhe më madhështorët.

Ai u kërkoi atyre që të hynin kryelartë në Qabe, ta mbanin gjoksin drejt, të cilat i bënte edhe vetë për të qenë shembull për ta. Ishin më tepër se dymijë, sytë u ishin mbushur me lot. Formonin një tablo të atillë, me atë ecjen e tyre të rëndë, që ia vlente ta shihje. Zaten edhe mekasit, që ishin fshehur nëpër majat e kodrave, këtë gjë po bënin. Zërat e lartë të tekbireve dhe telbijeve arrinte kulmin pasi përplasej edhe pas shpateve të maleve të Faranit. Madje zëri edhe jehonte pasi hynte në luginën e Bekes. Të gjitha këto kishin një gjuhë.

Me të hyrë koha e drekës, Resulullahu paqja qoftë mbi Të thirri Bilal etiopasin pranë vetes, dhe i kërkoi që të thërriste ezanin. Ishte hera e parë që Bilali thërriste një ezan në Mekë. Ai kishte qenë përherë një ëndërr e tij. Asnjëherë nuk e kishte gjetur mundësinë që ta thirrte emrin e Allahut si të donte, por vetëm kishte jetuar një jetë plot me vuajtje dhe me tortura. Hipi menjëherë mbi Qabe dhe me tërë forcën dhe bukurinë e zërit të tij filloi të thërriste ezanin.

Reagimi i Kurejshit

Idhujtarët ishin ngjitur në anën e quajtur Hixhr të malit të Kajkëanit dhe po vështronin myslimanët tek i vinin Qabes rrotull. Ishte hera e parë që trembeshin prej këtij zëri. Po flisnin me njëri-tjetrin për të, dhe te të gjithë vërehej habia e madhe që i kishte kapluar. I pari foli Ikrime ibni Ebi Xhehli:

Sa mirë që Allahu e mëshiroi Ebu Hakemin, duke mos e lënë të dëgjonte këto thirrje të skllavit të tij.

Ai me këto fjalë po u theksonte atyre se Ebu Xhehli, që ishte edhe babai i tij, nuk do ta lejonte kurrsesi të ndodhte diçka e tillë po të ishte gjallë.

Lëvduar qoftë Allahu që e mori babanë tim para se të shihte këto që po ndodhin, - thoshte edhe Safuan ibni Umeje.

Në një mendje me ta ishte edhe Halid ibni Esidi.

Falënderime Allahut që e mori babanë tim para se të dëgjonte këto thirrje të Bilalit nga Etiopia.

Ndërsa Suhejl ibni Amri bashkë me disa idhujtarë të tjerë kishin mbyllur sy e veshë që as mos t’i shihnin as mos t’i dëgjonin ato që po ndodhnin. As emrin e Allahut nuk donin që ta dëgjonin. Po shkumëzonin prej inatit, urrejtjes dhe mllefit, por edhe nuk kishin ç’të bënin. Çdo gjë po ndodhte ashtu siç kishin rënë në marrëveshje.

Çdo pamje që u vinte përpara syve, por që i ndiqte edhe me zërat e saj të kumbueshëm, tregonin se Qaben e kishte vizituar një entuziazëm i pavërejtur më parë. Nuk mund të ishin këta ata njerëzit e përndjekur, për të cilët thuhej se ishin aq të lodhur sa edhe për të qëndruar në këmbë nuk kishin fuqi. Atëherë të gjitha ato që u ishin rrëfyer gjer më sot nuk kishin qenë veç gënjeshtra, ose kishte forca të tjera që u jepnin fuqi të Dërguarit të Allahut dhe sahabëve të Tij fisnikë.

A këta janë ata njerëzit, që deri dje na thoshit se nuk kishin fuqi as të qëndronin në këmbë, prej sëmundjeve? - pyesnin ata njëri-tjetrin.

“Këta janë më të fuqishëm se filanët apo fistekët”, ishin disa prej krahasimeve të tyre. Jo vetëm që duken shumë të shëndetshëm tani që po i vijnë rrotull Qabes, por ngjajnë sikur të ishin sorkadhe dhe jo burra të vjetër. Nuk e fshihnin dot habinë që i ngacmonte.

Për një çast, Krenaria e Njerëzimit paqja qoftë mbi Të u përçoi atyre dëshirën për të hyrë në Qabe. Po nxirrnin avull prej hundëve.

Në marrëveshje nuk ka diçka të këtillë! - thanë ata duke e kthyer mbrapsht menjëherë një kërkesë të këtillë.

Ndërkohë i Dërguari i Allahut kishte falur edhe namazin e tauafit, dhe ishte drejtuar kah Safaja dhe Merueja. Do të shkonte e vinte plot shtatë herë mes tyre, derisa të vinin në Merue për të prerë kurbanet. Ishte koha për të zhveshur ihramin, kështu që thirri Hirash ibni Umejen pranë vetes që t’i priste flokët. Kështu u krye adhurimi i umres nafile.

Me të mbaruar umren, Profeti i profetëve u urdhëroi afërsisht dyqind sahabëve, që të shkonin pranë njerëzve të tyre që po i prisnin në Jexhexh të armatosur, dhe duke i zëvendësuar, t’u jepnin edhe atyre mundësinë për të kryer adhurimin. Kësodore, të gjithë ata që ishin nisur për umre, do të ktheheshin duke e bërë. Atë.

Ditët e numëruara kaluan shpejt. Ditën e katër do të niste sërish një udhëtim në drejtim të Medinës, dhe ky udhëtim do të zgjaste edhe disa ditë-net të tjera. Ëndrra e parë disa herë me radhë u bë realitet, dhe premtimi i Allahut ishte realizuar pikë për pikë.

Kreu detyrën e umres dhe po kthehej sërish për në Medinë, dhe këtu po e priste një tjetër dhimbje zemre. Vajza e Tij e dashur, Zejnebja e nderuar, vdiq gjatë rrugëtimit të kthimit.

Trimoshat e Mekës

Ishte e pashmangshme që gjuha e veprimeve dhe sjelljes të linte shenja të paharrueshme në pjesën tjetër, kurejshët. Ta përfaqësosh në më të mirën mendimin tënd ishte më ndikuese se fjalët e thëna.

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të i realizonte të dyja njëkohësisht. E përdorte çdo mundësi duke e kanalizuar për çështjen e Tij, duke kërkuar gjithnjë më të mirën. Me të hyrë në Mekë, filloi me adhurim për Allahun, dhe ashtu siç kishte nga ata që e ndiqnin me vëmendje se si do të vepronte, kishte edhe nga ata që nuk donin të përballeshin kurrsesi me Të. I njihte të gjithë këta, andaj donte t’i mbante portat të hapura ndaj të gjithëve. U dërgonte mesazhe edhe atyre që nuk i kishte parë atë ditë, duke bërë të mundur që edhe ata të viheshin disi në mendime.

Halid ibni Velidi ishte njëri syresh. Duhet të ishte ndonjëri prej atyre që dëshironin të shkonin pranë Profetit për t’u dorëzuar, derisa e pyeti vëllanë e tij mysliman, Velid ibni Velidin:

Ku është Halid ibni Velidi?

Velidi fatkeqësisht nuk do ta kishte pranë të vëllanë gjatë atyre ditëve. Megjithatë duhet ta shihte disi. Resulullahu kishte diçka për t’i përçuar, andaj ai u mundua t’ia niste disi mesazhin e dhënë. Në letër flitej për takimin e tyre, dhe në të shkruhej:

Është e pamundur që një njeri i atillë ta dijë Islamin dhe të mos e pranojë! Ah sikur ai njeri t’i bënte luftërat në anë të myslimanëve dhe kundër idhujtarëve. Sa e mirë do të ishte diçka e tillë për Halidin. Ne do ta parapëlqenim atë para të tjerëve, duke e mbajtur në pëllëmbë të dorës.

Në fakt ky ishte një sihariq i dhënë haptazi.

Fjalia e fundit në letër ishte:

O vëllai im! Vlerësoji siç duhet mundësitë që do të të jepen, dhe mundohu që duke ardhur menjëherë te ne, të mund t’i rregullosh gabimet e të shkuarës!

Halid ibni Velidi, me ta lexuar letrën, e kishte tejet të qartë vendimin. Në fakt, pas çdo beteje me të Dërguarin e Allahut, teksa kthehej, kishte ndjerë një ndrydhje në shpirt. Që prej Hudejbijes, kjo gjendje kishte filluar ta shqetësonte më shpesh. Ai tanimë veç po kërkonte një bashkudhëtar. Nëse do ta fliste diçka të këtillë me Ebu Sufjanin, Ikrimen apo Safuan ibni Umejen, e kishte të sigurt se nuk do të merrte ndofarë përgjigjeje pozitive, kështu që provoi të fliste njëherë me Osman ibni Talhan. Me ta parë se edhe ai ishte i një mendjeje, vendosën që të niseshin ditën tjetër. Kur mbërritën në vendin e quajtur Hede, u takuan me Amr ibni Asin, i cili i përshëndeti:

Mirësardhët, na prutë gëzim o njerëz!

Edhe ti, - iu përgjigjën ata.

Për mbarë ishallah! Për ku je nisur kështu?

Amri parapëlqeu t’u përgjigjej po me pyetje?

Po ju, për ku kështu?

Nuk kishte pse ta zgjasnin më tej, andaj vendosën që t’ia tregonin:

Po shkojmë të hyjmë në Islam, dhe t’i bindemi Muhamedit!

Edhe unë, po njësoj si ju! – iu përgjigj Amri.

Miqtë e vjetër ishin nisur që të tre në drejtim të Medinës, dhe hapat i hidhnin të shpejtë. Më në fund, ndërsa po mbërrinin, vendosën që të ndërronin veshjet dhe të çlodheshin pak në një vend fare pranë Medinës. Duhet të dilnin të pastër dhe të çlodhur përpara të Dërguarit të Allahut!

Në anën tjetër, i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e kishte marrë vesh me kohë ardhjen e tyre, prandaj u kthye që t’ua tregonte edhe sahabëve këtë sihariq:

Meka jua dha trimoshat e saj më në fund.

Velidi ende nuk kishte marrë përgjigje për letrën e nisur, dhe deshi të hidhej përpjetë prej gëzimit. Për një çast u bë gati që t’u dilte përparapër t’i pritur. Po vinte dora vetë, Halid ibni Velidi.

Nxitoni! Resulullahu e mori vesh për ardhjen tuaj dhe është shumë i lumtur. Po ju pret.

Edhe ata u emocionuan jashtë mase. Tashmë po iknin duke ngarendur. Është e pamundur ta rrëfesh gëzimin që shprehej në buzëqeshjen e Tij. Drita e fytyrës së Tij, si drita e hënës së plotë, ndriçonte në sytë e tyre.

I pari ishte Halid ibni Velidi i nderuar ai që e përshëndeti të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ishte aq i nxehtë sepse po e ndjente deri në zemër përshëndetjen. Ftesa që po u bënte Ai duke u hapur kraharorin, nxehtësia në buzëqeshje dhe dashuria e shprehur në fytyrë triumfoi menjëherë tek ata.

Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se Ti je i Dërguari i Tij, - tha Halidi.

Profeti ynë i dashur që po dëshmonte besimin e një njeriu që po vinte në saje të meditimit të vet, iu kthye:

Lëvduar qoftë Ai që të fali ty udhëzimin! Zaten, unë te ti shihja një zgjuarsi të thellë, dhe prisja për çastin që një mendje e tillë të gjente rrugën e drejtë.

Halidi (r.a.) pikërisht tani, pas kaq vitesh jetë, po e ndjente veten për herë të parë si Halid. Po merrte aq shumë përgëzime dhe komplimente dhe po shqetësohej për tërë ato vite që i kishin shkuar dëm.

O i Dërguari i Allahut, - tha ai. Siç e ke parë edhe ti, unë gjer më sot veç kam dalë kundër Teje, duke thënë gjithfarë gjërash të shëmtuara. Dua që të lutesh për mua, që Allahu të m’i falë të këqijat që kam bërë.

Edhe Amr ibni Asi bashkë me Osman ibni Talhan po përjetonin të njëjtën gjendje shpirtërore. Amr ibni Asi u afrua pranë të Dërguarit të Allahut, mirëpo për një çast e tërhoqi mbrapsht dorën, dhe Profeti ynë e pyeti se përse po e bënte diçka të këtillë.

Unë kam disa kushte, - tha ai.

Ç’qenkan ato? – e pyeti i Dërguari i Allahut.

Gjithë ai burrë përkuli kokën dhe me turpin e të qenit i përdorur në jetën e mëparshme, iu përgjigj:

Të më falni! Resulullahu (s.a.s.) po e mbante sërish nga duart.

A nuk e di ti që Islami i fal të gjitha mëkatet e kryera më parë se të hysh në rrugën e Allahut?

Tashmë po shihej prej të gjithëve, pse Hudejbija, në të vërtetë, kishte qenë një ngadhënjim, dhe jo një humbje. Ndoshta nuk kishin mundur të hynin deri në Mekë gjatë atyre kohëve, mirëpo zemrat kishin filluar të pranonin Islamin, dhe të tërë ishin duke u drejtuar kah Medina. Kjo ecuri sa vinte e do të shtohej edhe më tej.

Mu’te

Ishte muaji Xhemadijeleuel i vitit të tetë. Kushtet e paqes ndiqeshin pikë për pikë, dhe myslimanët po e kryenin detyrën e kumtimit duke i ndjekur një më një kushtet që i kufizonin. Kësodore, Resulullahu (s.a.s.) do t’i niste një letër tjetër valiut të Busras nëpërmjet Harith ibni Umejrit. Mirëpo do të ndodhe diçka që nuk ua kishte marrë mendja gjer asaj dite. Harith ibni Umejri, teksa po shkonte për të kryer detyrën e ngarkuar, u vra gjatë rrugës prej njerëzve të Shurahbilit. Ai e kishte kapur Harithin, e kishte lidhur dhe me të mësuar se ishte mëkëmbësi i Muhamedit e kishte vrarë. Ky ishte një mëkat i pafalshëm, i cili do të thoshte kryekëput hapje lufte. As në kushtet më të nxehta nuk ndodhte që të prekej një kasnec, madje ata merreshin në përkujdesje prej të gjithëve.

Profeti ynë i dashur u mërzit jashtëzakonisht shumë kur mori vesh se kishin vrarë Harithin, madje edhe i nxiti sahabët e Tij që të bëheshin gati kundër Shurahbilit. Pasi Ai ekzistonte vetëm për të çrrënjosur çnjerëzoren, dhe duhet t’u tregohej vendi atyre që e kishin kthyer atë në profesion. Ngase vendi ku do të shkonin ishte nën juridiksionin e Bizantit, çështja ishte e një rëndësie të veçantë, andaj edhe mendohej çdo gjasë që mund t’u dilte përballë gjatë rrugës.

Vetëm për një kohë të shkurtër ishin bërë gjithsej tremijë ushtarë. Një ushtri kaq e madhe, ishte bashkuar vetëm në Hendek. Resulullahu (s.a.s.) sikur i shihte që më parë se sa ishin. Flamurin ia kaloi Zejd ibni Harithit, që e kishte si djalin e vet, duke i thënë që të shkonte gjer në vendin ku kishte rënë dëshmor Harith ibni Umejri dhe t’u kërkonte atyre që të bëheshin myslimanë. Nëse nuk e pranonin këtë, atëherë të pranonin se do të bënin atë që u takonte si detyrë. Me anë të kësaj nisjeje, Ai, nga njëra anë do t’u jepte fund tërë atyre mendimeve të ndryshkura, duke treguar se edhe nga skllavi i vjetër mund të dilte një komandant. Zaten e dinte mirë, që kjo dalje nuk do të përfundonte vetëm me Zejd ibni Harithin.

Nëse bie Zejdi dëshmor, atëherë flamurin le ta marrë Xhafer ibni Ebi Talibi. E nëse edhe Xhaferi bie dëshmor, atëherë komandën le ta marrë Abdullah ibni Revaha.

Me këtë, Ai po u tregonte edhe njëherë seriozitetin e çështjes. Shumica e sahabëve, prej këtyre fjalëve kuptonin se emrat e përmendur do të binin dëshmorë, dhe ndërsa lamtumireshin me të tjerët, lamtumireshin si për vdekje.

Ndërsa ushtria nisej, Ai i këshilloi me disa fjalë, të cilat edhe sot e kësaj dite duhet të jenë vathë në veshët tanë:

Luftoni në emër të Allahut! Përpiquni në rrugën e Allahut kundër atyre që e mohojnë dhe nuk i binden Allahut! Veç askujt mos i bëni keq! Mos i bëni askujt padrejtësi duke u treguar jobesnikë! Mos i prekni gratë dhe fëmijët, njerëzit e dobët dhe besimtarët që janë duke u falur nëpër kisha! Mos prisni asnjë pemë dhe mos këputni as edhe një hurmë të vetme! Gjithashtu, të mos ndodhë që të prishni ndonjë ndërtesë.

Profeti i profetëve i përcolli ata deri në kodrën e lamtumirës, dhe pasi filluan të largoheshin, i ndoqi një copë herë me sy.

Kur u nisën, morën lajm se Herakliu ishte nisur me një ushtri prej njëqindmijë ushtarësh. Në fillim u ndërdyshën paksa nëse duhet ta lajmëronin apo jo të Dërguarin e Allahut, derisa vendosën që të niseshin, edhe në qoftë se në fill të çështjes të gjendej rënia dëshmor në rrugën e Allahut (xh.xh.).

Në Mute u nxorën shpatat. Përballë tremijë myslimanëve rrinin plot dyqindmijë ushtarë të Bizantit. Kjo ishte një luftë pa kurrfarë ekuilibri. Një ushtri prej dyqindmijë vetash, edhe sikur vetëm të ecte në drejtim të tyre, mund t’i shkatërronte fare lehtë. Veçse përfundimi nuk ishte aspak i atillë. Në këtë luftë, që zgjati shtatë ditë të plota, ranë dëshmorë me radhë Zejdi, Xhaferi dhe Abdullah ibni Revaha (r.anhum). Flamurin në fund e kishte kapur Thabit ibni Ekram, dhe kishte filluar të kërkonte Halid ibni Velidin për t’ia dhënë atij këtej e tutje.

Halidi i nderuar, me të marrë flamurin, luftoi atë mbrëmje pa e ndryshuar aspak rrjedhën e luftës, dhe tërë talentin e tij e la për ta treguar në mbrëmje. Një ushtri kaq e dendur nuk kishte arritur ta mposhte ushtrinë e vogël as për pesë ditë të plota. Dhe as që kishte për ta mposhtur dot. Sepse, atë mbrëmje, Halidi i nderuar do ta ndryshonte krejt strategjinë e ushtrisë së tij. Ata që luftonin në krye kaluan në radhët e fundit, ata të anës së djathtë kaluan në të majtë, ndërsa ata të së majtës në të djathë, duke u dhënë kundërshtarëve imazhin se ushtria kishte marrë përforcime.

Ditën tjetër në mëngjes, ushtria kundërshtare ishte bërë gati, dhe vetëm tashmë po e kuptonte më mirë tërë atë zhurmë të një mbrëmjeje më parë. Ushtrisë myslimane i paskej ardhur një përforcim i mirë, sepse ushtarët që rrinin në krye ishte krejt ndryshe prej atyre të një dite më parë. Ishin të shokuar, sepse si do të luftonin përballë një ushtrie të përforcuar kaq fuqishëm! Kishin që ditën e parë që ishin kapluar prej një ndjesie se do të ishin të humbur, dhe Halidi, që e dinte më së miri këtë, duhej ta përdorte këtë mundësi. Po mundohej që ta zgjeronte sa më shumë distancën prej radhëve të para të kundërshtarit. Ushtria bizantine e përkapi këtë taktikë të re të Halidit, andaj u kapluan prej shqetësimit se do të rrethoheshin, e kësodore do të mundeshin më lehtë.

Kjo gjendej, e cila vazhdoi deri në muzg, do të thoshte përfundim i luftës për të dyja palët. Sepse Bizanti, megjithëse kishte një ushtri tejet të fuqishme, nuk donte që të luftonte më me këtë ushtri të fuqishme, e të kthehej pastaj me humbje më të mëdha, kështu që më e mira do të ishte të tërhiqej me kaq! Ata kishin filluar tashmë të tërhiqeshin mbrapsht.

Zaten ky kishte qenë edhe qëllimi i Halidit (r.a.). Donte që t’i kryente sa më mirë porositë që kishte dhënë Profeti i dashur. Nga tërë ajo luftë, bashkë me komandantët kishin rënë gjithsej dymbëdhjetë dëshmorë. Kjo ishte një trimëri për t’u kënduar nëpër balada. Të luftohej përballë ushtrisë së stërmadhe të një fuqie të stërfortë dhe të jepje vetëm dymbëdhjetë dëshmorë! Ishte e pamundur ta shpjegoje përveçse me ndihmesë hyjnore, dhe çdokush që dëgjonte për këtë betejë, e shihte me një sy më ndryshe ushtrinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Njëkohësisht, Muteja do të thoshte hapja e kanalit të parë në muret e kështjellës së Bizantit.

Kishte edhe disa familje, të cilat u kishin nxjerrë disa probleme gjatë rrugës, mirëpo gjatë kthimit, Halidi u kthye edhe nga ato, që t’ua tregonte vendin. Vetëm ashtu mund të kthehej në Medinë.

Pritja e Medinës

Profeti i njerëzimit mori lajm se ushtria po mbërrinte, kështu që thirri sahabët që kishte mbajtur pranë dhe u tha:

Ejani, bëhuni gati dhe dilni për të pritur vëllezërit që po ju kthehen nga ngadhënjimi!

Ata dolën të gjithë, me fëmijë e pa fëmijë që t’i prisnin të mbështjellë prej gëzimit.

Ndërkohë kishin marrë edhe fëmijët e Xhaferit me vete e kishin dalë deri në vendin e quajtur Xhuruf. Përballë po u vinin trimat e Mutes! I kishte ndihmuar Allahu në çastet më të pamundura dhe po ktheheshin pa shumë humbje, mbi të gjitha edhe me një triumf dhe pa pësuar disfatë. Vetëm se jo të gjithë e dinin këtë gjë, asisoj që disa prej sahabëve do të pyesnin:

Të arratisurit e luftës! – filluan të flisnin disa prej tyre.

Këto ishin fjalë të hidhura që zbrisnin drejt e në zemër, andaj ata nuk duruan dot dhe i folën të Dërguarit të Allahut (s.a.s.):

O i Dërguari i Allahut! A të arratisur jemi ne?

Donin edhe vetë ta mësonin se a mund t’i thuhej ikje nga lufta kësaj që kishin bërë ata.

Ju jeni nga ata që përgatiteni e shkoni për të luftuar kokë për kokë me armikun! – u hodhi disa këshilla, si ujë i bekuar i Dërguari

Profeti ynë, 440 Muhamedi (s.a.s) i Allahut sahabëve të Tij.

Ata nuk janë nga ata që arratisen prej fushës së betejës; janë veç ushtarë të Allahut, që u tërhoqën me qëllimin që të përparojnë edhe njëherë në fushën e betejës, – tha Ai.

Këto ishin fjali që i vendosnin pikën e fundit çdo çështjeje. Ata që nuk dinin ku të fshiheshin prej fjalëve që kishin dëgjuar, tashmë ishin më të qetë dhe të lumtur, duke marrë frymë më lehtë. Po përjetonin lumturinë që nuk kishin bërë diçka të papëlqyeshme prej Allahut (xh.xh.) dhe të Dërguarit të Tij.

PRISHJA E MARRËVESHJES

Shënimet

  1. 267.Bakara, 2/194
  2. 268.Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 5/196
  3. 269.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 5/423-4