NJË EPOKË E RE DHE MASAT QË DUHET TË MERRESHIN

Të gjitha ndodhitë e gjeratëhershme sikur lajmëronin ardhjen e një tjetër epoke në historinë e njerëzimit. Medina kishte fituar identitetin e një qytetërimi, e ndërsa mekasit u shtronin gosti gjithë miqve që shkonin në Mekë, ishin të vendosur që nuk do të lejonin kurrsesi që kjo lëvizje të përparonte më tepër. Binin dhe ngriheshin me kërcënimet, se nëse medinasit nuk ua dorëzonin migruesit myslimanë, do t’i vrisnin ashtu rrugës, teksa mundoheshin të arratiseshin për në Medinë.

Ju po mbani brenda qytetit një njeri tonin. Por ta dini, se ose ju do të luftoni me ta, derisa t’i nxirrni edhe nga qyteti, ose ne do të luftojmë me ju, derisa t’jua marrim të gjitha pasuri e katandi! – i shkruanin ata në një letër Abdullah ibni Ubej ibni Selulit, i cili në ato ditë po përgatitej për t’u bërë ai udhëheqës në qytetin e Medinës.

Këto ishin mesazhe në fakt, që Ibni Seluli i kishte kërkuar në qiell e po i gjente në tokë. Këndej e tutje, ai do të zinte një pozicion me mekasit, duke fituar forca, për ta pasur më të lehtë për të ardhur në krye të Medinës.

Ato që po ndodhnin përreth, po i ndiqte dhe Resulullahu (s.a.s.) bashkë me besimtarët e tjerë. Ndoshta, prej kur kishin ardhur në Medinë, kishin ndjerë njëfarë qetësimi në krahasim me atmosferën mbytëse të qytetit të Mekës, vetëm se shenjat tregonin se kjo ishte një qetësi, si ajo që kaplon qiellin përpara një tufani. Prandaj, Profeti ynë i Nderuar Paqja qoftë mbi Të filloi t’u flasë besimtarëve për dimensionin e kujdesit që duhet të tregonin dhe masave që duhet të merrnin përballë një tufani të tillë. Që nga ajo ditë, myslimanët thurën ekipet e tyre të sigurisë, të cilët kryenin detyrën me dezhurn në vende të ndryshme të Medinës, me qëllim që të parandalonin çdo lloj rreziku të mundshëm.

Po e kuptonte tashmë haptas se po afrohej një rrezik i madh, i cili mund të ndalej vetëm me fuqinë e krahut dhe të këllqeve. Xhebraili, do të vinte ato ditë për t’u dhënë një mesazh, se gjendja nuk do të ishte si më parë, kur myslimanët nuk e kishin të drejtën t’u kundërpërgjigjeshin mohuesve me të njëjtën monedhë.

Iu dha leje besimtarëve, të cilëve u është shpallur një luftë e hapur. Sepse, ndaj tyre u ushtruan padrejtësi. Allahu patjetër, që është më i fuqishmi, për t’i nxjerrë ata ngadhënjimtarë.

Jo, ky nuk ishte një urdhër, por myslimanëve u kishte ardhur në majë të hundës me dhunën e ushtruar prej mekasve. Ky ajet tregonte hapur, se në fakt kishte një rrugëdalje për ta. Kjo do të thoshte se kur të ishte e nevojshme, edhe ata mund të luftonin, e të pafytyrëve do t’u jepej përgjigje me të njëjtën monedhë.

Për të ruajtur sigurinë e besimtarëve duheshin marrë masa të rrepta. Në të katër anët e Medinës tashmë shihje forcat e myslimanëve, që prisnin të gatshëm karshi çdo lloj rreziku që mund të shfaqej. Ja, pikërisht njëri prej këtyre grupeve “ushtarake”, i drejtuar nga Abdullah bin Xhahshi, do të ishte ai që ndali një karvan të mekasve, i përgatitur enkas për qëllime lufte, dhe nga sulmi i nisur prej këtyre të fundit, u vra një mosbesimtar dhe dy u plagosën, plaçkën ia morën peng dhe u kthyen në Medinë. I Dashuri i Allahut do të mërzitej shumë, sepse tani ishin të detyruar të paguanin dietën e të vrarit. Pengjeve u sillej me dhembshuri, ku njëri prej tyre u kthye menjëherë në mysliman, të cilin e lanë menjëherë të lirë për t’u kthyer në Mekë.