NË PRAG TË RITAKIMIT

Tashmë bota po përjetonte periudhën e pragut të një agsholi të ri. Nga çdo anë vinin veçse sihariqe për Të. Portat e qiellit ishin mbyllur, e fallxhorëve nuk u kishte ngelur asnjë burim informacioni që të aludonin qoftë edhe sadopak për të ardhmen. Besimtarët e krishterë dhe hebrenj, po e ndjenin se koha e shumëpritur u afrua, dhe e thonin anembanë, se koha e ardhjes së Profetit të Fundit ishte shumë pranë. Fjalë, të cilat zgjonin shpresa e pritshmëri të panumërta në zemrat e hapura drejt të vërtetave të palëkundshme.

Nevoja për pak vetmi

Tanimë, Mbreti i mbretërve, kishte nevojë për pak vetmi, ndoshta donte të largohej sidoqoftë prej asaj Qabeje që ishte larguar disi prej urtësisë së ndërtimit të saj. Merrte me vete një sasi ushqimi dhe kërkonte për ndonjë vend të qetë ku të mendohej sadopak. Sepse ndërgjegjja njerëzore ishte errësuar aq shumë, e injoranca kishte marrë gjithçka përpara, e Qabeja ishte mbushur plot e përplot me idhuj të panevojshëm. Qabeja, e ndërtuar si kundërpërgjigje ndaj këtyre idhujve nga Profeti Ibrahim, ishte kthyer në një lodër për mekasit. Këta njerëz e kishin harruar detyrën e tyre të adhurimit karshi Allahut, e dukej të kishin hyrë në një garë për t’ia flijuar vetveten idhullit më të parë që do t’u mbushte mendjen. E qartë, që ky peizazh e kishte mërzitur jashtëzakonisht shumë Shpirtin e Qelibartë sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Ajo Qabe që ishte ndërtuar për të ndihmuar shpirtrat e tyre që të gjenin sadopak lehtësim shpirtëror, ishte kthyer tani në një shkas ngurtësimi të zemrave të atyre që jetonin aty pranë saj. Andaj, ndoshta, I Dërguari i Allahut kërkonte medoemos që të largohej prej kësaj gjendjeje drobitëse. Megjithëse kishte shumë nevojë të largohej drejt një tjetër qetësie, prapëseprapë nuk i shqitej prej zemre dashuria që kishte karshi kësaj ndërtese të shenjtë.

Sërish, edhe kur largohej, mundohej të gjente një vend nga të mund të shihej edhe Qabeja. Ky vend ishte maja e një mali aty pranë, me emrin Nur. Në njërën nga anët, Qabeja edhe pse e vogël, dukej e plotë. Aty gjendej edhe një shpellë me emrin Hira, në të cilën shumë shpesh, ndodhte që Profeti ynë i nderuar të hynte për të medituar. Ja, deri këtu vinte thuajse përditë I Dërguari i Allahut, për të ndenjur aty mandej me ditë, javë dhe muaj të tërë. Dukej qartë se ky ishte një paracaktim i Zotit të Madhërishëm për ta bërë të fuqishëm sa të mund të mbante mbi supe një mesazh të madh, siç ishte i Tiji.

Profeti i trishtuar e ndjente veten të pikëlluar e të dobët; edhe Qabeja i dukej sikur të ishte po e pikëlluar, e trishtimi i Tij kësaj here shtohej e shtohej akoma më shumë. Ndoshta e gjente qetësinë kur mendonte për ditët e mbara që do të vinin, për ato ditë të së ardhmes kur zemra e Tij do të ishte e mbushur plot e përplot me besim në Zot. Teksa rrinte kështu vetëm, e ndjente se si i mbushej zemra me ndjenjë adhurimi, e lutej fjalë-fjalë për fatin e zi që kishte ndjekur kësisoj Qaben e shenjtë. Mali i Nurit për në të cilin Ai udhëtonte përditë me orë të tëra, ngjante sikur i kishte bërë një ftesë më vete zotëruesit të nurit, e të dy ashtu të pritur, mezi duronin derisa të zbriste edhe nuri hyjnor. Ndërsa rrinte aty në shpellën e Hirës, Ai e ndjente veten të hapur karshi një besimi të pastër, i mbyllur ndaj kotësive; i ngjante sikur ishte ftuar në një zijafet të veçantë e të papërshkrueshëm të zemrës, dhe fërkonte vazhdimisht fytyrën e Tij.

Ëndrrat besnike

Me ç’duket koha e duhur kishte ardhur. Agimit i kishin ngelur edhe fare pak kohë. Sepse, tanimë Ai po përballej me shumë shenja myzhdedhënëse. “Ëndrrat besnike”, të cilat i shihte që kur vinte kokën në jastëk, edhe kur çoheshin prej shtretërve, ishin shtuar jashtëzakonisht shumë; mesazhe të tëra që vinin prej botësh të tjera. Këto ishin të tëra pararendëset e mesazhit të madh, dhe ashtu, nja gjashtë muaj para ritakimit të shumëpritur, dukeshin sikur të ishin përfaqësueset e para të këtij daveti të mrekullueshëm. Në këto ditë, i Dërguari i Allahut i përjetonte ditën ato që natën i shihte në ëndërr, duke medituar thellë e më thellë për lidhjen mes dy botëve. Ndoshta kjo kishte në njëfarë mënyre kuptimin e ardhjes së kohës së kumtimit hyjnor.

Në përgjithësi, Ai i ndante ëndrrat e para me nënën tonë, Hatixhen e nderuar, e cila e bindur tashmë për të vërtetën e të gjithave atyre që po ndodhnin, bënte herë pas here komente për ta mbështetur sa më fort Profetin tonë të dashur paqja qoftë mbi Të!. Një ditë prej ditësh, i Dërguari i Allahut pati parë se një prej qerpiçëve të çatisë ishte hapur, në hapësirën e hapur ishin vendosur një palë shkallë të argjendta, nga ku kishin zbritur dy burra për të hyrë në shtëpi. Në atë çast donte të thërriste dikë për ta ndihmuar, mirëpo e kishte të pamundur të fliste e të kërkonte ndihmë. Ata burrat zbritën të dy prej shkallëve, e iu ulën pranë nga të dyja anët. Njëri e preku me dorë, i futi duart brenda rrobave, prej nga nxori dy brinjë, ndërsa tjetri bëri të njëjtin veprim, por ky nxori zemrën, të cilën e mbante saora në dorë. Ishte aq e vërtetë, saqë e ndjente prekjen e dorës deri në thellësi të palcës.

Ndërkohë, njëri prej tyre i tha tjetrit:

Sa zemër e pastër qenka zemra e këtij njeriu të mirë!

Mandej ia lau mirë e mirë zemrën, për t’ia vendosur më në fund në vendin prej nga e kishte nxjerrë, e pas saj edhe brinjët e nxjerra. Pasi i kryen këto detyra të çuditshme, ata u kthyen për të ikur nga vendi prej nga kishin ardhur. Kur ikën, i morën edhe shkallët me vete. Tanimë tavani ishte si më parë, pa kurrfarë mangësie në vendin ku ishte hapur pak më parë.

Ashtu si ëndrrat e mëparshme, njeriu i parë që e dëgjoi këtë ndodhi nga goja e Profetit tonë të dashur, ishte nëna jonë e nderuar, Hatixhja. Ajo, edhe kësaj radhe do të reagonte po njësoj, me atë pamjen e njeriut prej të cilit nuk mund të presësh veçse mbështetje:

Qofshin të mira për ty, - i tha më parë, - e mandej, me një zë të prerë, vazhdoi t’i thoshte se nuk kishte më dyshim se Allahu po kërkonte atë që ishte më e mira për Të. Edhe pas kësaj kushedi se ç’e mirë fshihet!

Po, përpara u ishte shtruar një rrugë e re, dhe ata po përparonin në këtë rrugë të treguar qartë dhe pastër. Hatixhja ishte gjithashtu e bindur për mirësinë e kësaj rruge, prandaj edhe fliste me njëfarë sigurie, e cila jo vetëm që i mjaftonte asaj, por ndonjëherë ndihmonte edhe Profetin e nderuar.

Një gjithësi e tërë që po e përshëndeste

Sikur të mos mjaftonte me kaq, jo vetëm këto dukuri, por andej nga kalonte i Dërguari i Allahut, edhe pemët, edhe gurët, madje të gjitha gjallesat ndërronin sjelljet e tyre; e përshëndesnin, duke e nderuar Atë para se Ai të nderohej me gradat e revelacionit. Patjetër që e tërë gjithësia do të kryente mirëpritjen e saj, për këtë Profet të mirëpritur, sihariqi i të Cilit ishte dhënë që nga profeti i parë, profetët pasardhës, por edhe nga tërë njerëzit e afërt të Zotit. Sepse Ai që po vinte ishte shkaku kryesor i krijimit të Universit. Sepse, po të mos ishte Ai, gjithësia nuk do të ishte krijuar.

Pas një dite që ishte përballur me aq shumë dukuri të çuditshme, Profeti më në fund u kthye në shtëpinë e Tij të lumtur, ku ia tregoi të gjitha shqetësimet një për një, bashkëshortes së Tij të urtë, Hatixhes së nderuar. Atje ishin mbështetjet e ngrohta dhe të sigurta për Të.

- Nuk kam dyshim se Allahu nuk ka për të të nxjerrë asnjëherë të humbur, e asnjë e keqe nuk ka për të t’u afruar. Pasi Ti je njeriu më fjalëdrejtë, je besnik në çdo sjellje dhe përkujdesesh veçanërisht për të gjithë të afërmit e tu, - i tha ajo.

Shqetësimet dhe përpjekjet e Hatixhes së nderuar

Çdo ndarje, sado e përkohshme, ishte një trishtim më vete për Hatixhen e nderuar. Dukej që I Dërguari i Zotit gjente një qetësi shpirtërore në shpellën e Hirës; ndërsa, në çdo largim Hatixhja ndjente një shqetësim të madh, andaj edhe herë pas here dërgonte njerëz që ta ndiqnin, e në heshtje të përkujdeseshin për Të nëse i ndodhte ndonjë gjë e keqe. Ajo ecte vetë me orë të tëra, dhe kilometra të tëra, për të shkuar që t’i çonte Atij për të ngrënë.211 Ndonjëherë, e përjetonte edhe ajo ajrin e pastër të asaj atmosfere, duke e quajtur si fatlumësinë më të madhe se kishte gjetur edhe pak mundësi për të ndenjur pranë Tij. Nganjëherë, rrugët priteshin në vendin e quajtur si Faltorja e Ixhabes, e ndonjëherë ndodhte që edhe t’i zinte mbrëmja e ta përdornin atë vend si një konak. Mandej, Profeti më i nderuar i njerëzimit largohej sërish për t’u ngjitur në shpellë, e nënë Hatixhja kthehej për në shtëpi.

Ishte shumë e vështirë për një grua, që i shoqi të rrinte kaq shumë larg shtëpisë. Vetëm se Hatixhja nuk e tregonte aspak se ishte e mërzitur, madje nganjëherë ishte ajo që e nxiste të përgatitej për ditët e ardhshme.

Zëri i Xhebrailit

Sërish, një ditë prej ditësh, teksa ishte duke medituar, Profeti ynë paqja qoftë mbi Të! dëgjoi një zë, por që nuk e shihte dot atë që ishte duke folur:

O Muhamed, jam unë Xhebraili! - thoshte zëri.

Ndoshta edhe kjo ishte njëfarë përgatitjeje në prag të ardhjes së revelacionit. Profeti i profetëve, i cili ishte shqetësuar mjaft nga ky zë, u kthye sërish në botën e Hatixhes, e cila i falte qetësi dhe paqe, duke ia treguar një më një këtë dukuri akoma edhe më të pazakontë. Një zë që nuk dukej prej nga vinte, derisa më në fund, me një zë që i buronte prej shpirtit, i tha:

Të betohem për Zotin, që kam frikë se në të ardhmen kanë për të ndodhur gjëra të mëdha! - i tha Ai.

Sjellja e njeriut të mendimit, nuk ishte i ndryshëm nga ai i mëparshmi; nuk mund të ishte. Ajo filloi të rendiste disa fjali që do t’ia fashisnin të gjitha shqetësimet dhe vuajtjet e Tij të brendshme:

Ç’fjalë i ke këto? Ne kemi Allahun, tek i Cili gjejmë mbrojtje! A ka mundësi që Allahu (xh.sh.) të të nxjerrë Ty të humbur? Ti, që e mban fjalën e dhënë, dhe je besnik në të gjitha veprimet! Ti, që nuk resht asnjëherë së treguari kujdes për të afërmit e tu, e që i ndihmon gjithnjë që të kërkojnë diçka! Ti që thua përherë vetëm të drejtën.

Prapë, një ditë, kishte rënë errësira, dhe të gjithë ishin tërhequr, secili në shtëpinë e vet. Në një mbrëmje të këtillë, ku çdo anë ishte kapluar prej heshtjes, Ai dëgjoi sërish zërin e Xhebrailit:

Selam! - e përshëndeste Ai. Me hapa të shpejtë, Profeti ynë u tërhoq për në vendin e Tij të qetësimit.

Ç’ke kështu? Çfarë të ka ndodhur? - e pyeti Hatixhja tejet e shqetësuar.

E Ai ia rrëfeu sërish gruas së tij fisnike, një e nga një të gjitha ato që i kishin ndodhur, dhe me të mbaruar rrëfimin, ajo, e emocionuar i tha:

- Lëvduar qoftë Zoti! Sepse selami nuk është asgjë përveç hairit.

DHE KOHA E RITAKIMIT ERDHI

E kështu një ditë... Ishte një ditë e hënë, kalendari diellor për të cilën tregonte e Hënë e vitit 610. Dita e shtatëmbëdhjetë e muajit të Ramazanit... Në malin e Nurit u bashkuan nuret e shenjta, dhe ndërmjet tokës e qiellit u formua një kurorë e përbashkët. Engjëlli i kumtit, Xhebraili, besniku, erdhi dhe ia kumtoi përfundimisht dhe haptazi detyrën e profetësisë Muhamedit, më besnikut, paqja qoftë mbi Të. Dy besnikëri po lidheshin bashkë kësisoj në malin e Nurit, aty ku po krijohej siguria e besnikërisë për njerëzimin. Tashmë ishte koha e duhur që Nuri të takohej me Nurin e Vërtetë; për tërë njerëzimin po lindte një epokë e shndritshme. Qiellorja do të kapërthente tokësoren, duke i kërkuar që të lexonte: “Lexo!”. Ky ishte ngarkimi me një përgjegjësi, prej të cilës edhe guri me malin ishin tërhequr se nuk ishte e mundur që ta përballonin... Pesha e kësaj përgjegjësie nuk ishte e atillë që mund të përballohej lehtësisht.

E, çfarë do të lexonte? Ai nuk dinte as të lexonte e as të shkruante! Nuk ishte ulur kurrë në kujdesin e dikujt për t’i mësuar. Sepse nuk kishte pasur as një qendër tjetër rëndese që të ndikonte tek Ai, përpos Allahut (xh.sh.).

Unë nuk di të lexoj, - ia ktheu Ai.

Xhebraili i afrua edhe njëherë, e kësaj here sikur e përqafoi pak më fort. E mbante ashtu të shtrënguar derisa të mos e ndjente më fuqinë e Tij, dhe duke e lënë përsëri, i thoshte:

Lexo! - i thoshte, - mirëpo i Dërguari i Allahut i përgjigjej po me të njëjtat fjalë.

Unë nuk di të lexoj!

Dukej që pas kësaj meseleje diç fshihej. Sepse Xhebraili i nderuar iu afrua edhe njëherë, e duke e mbërthyer për beli veçse e shtrëngonte, e kur e lëshoi i tha sërish: - Lexo!

Unë nuk di të lexoj. Çfarë të lexoj, - e pyeti kësaj here I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të!. Sërish e njëjta prosede, derisa më në fund dukej sikur kjo çështje e kishte gjetur zgjidhjen e saj enigmatike.

Xhebraili, i Cili e kishte lëshuar tashmë Profetin, i tha:

Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.

Tashmë çdo gjë dukej më e qartë; sepse gjithçka mund të lexohej, kur bëhej fjalë për me emrin e Zotit. Megjithëse ajo që duhet të lexonte, nuk i ishte treguar ende. Veçse ishte ashiqare që çdo gjë që shihte syri, dhe gjithçka që dëgjonte veshi, ishte krijuar për t’u lexuar. Çdo krijesë, që rrinte përpara njeriut ishte nga një ajet që tregonte meritueshëm për një prej emrave dhe cilësorëve të Allahut, dhe për t’u kuptuar më së miri, kërkonte orvatjen e çdo qenieje të ndërgjegjshme për ta lexuar me vëmendje.

Kësodore, Xhebraili i nderuar, i Cili e kreu detyrën e Tij të parë në Hira, u largua menjëherë, pa u parë as se në ç’anë u zhduk. Tanimë e ndjente mbi shpatulla, të cilat i dukeshin më të brishta se kurrë, ndikimin e tërë këtyre që kishin ndodhur. Pas pak çastesh, Profeti ynë e kuptoi se ato që i silleshin atij ndërmendsh, nuk ishin tjetër pos fjalëve të Xhebrailit të nderuar. Ato që i tha Ai, tanimë i ishin vendosur në zemër përfundimisht, e i përsëriste ndërvete pa pushim.

Tanimë çdo gjë ishte më e qartë; Atij po i jepej detyra për ta drejtuar njerëzimin, që kahera i ishte futur një mënyre të gabuar jetese, drejt rrugës së drejtë e të hijshme. Tanimë ishte një detyrë e shenjtë që e priste; do të zbriste në Mekë, e këtë detyrë do të fillonte nga kumtimi, fillimisht njerëzve më të afërt të zemrës, e mandej edhe të tjerëve. Do t’i ftonte të gjithë të lyheshin me bojën e Allahut Mëshirëplotë, e cila i sillte të gjithë në krijesa shembullore të Mëshirëplotit (xh.sh.). Kjo ishte një detyrë si e atyre që kishin ardhur si Ai, më parë, por më e veçantë, pasi e Tija do të përfshinte mbarë njerëzimin. Detyra e profetësisë tanimë i takonte Muhamedit të nderuar, birit të Abdullahut, e Ai, për t’ia nisur kësaj detyre, zbriti menjëherë për në qytet.

Drejt Mekës

Tashmë dritat, qiellore dhe tokësore, që u bashkuan në malin e Nurit, ishin ndarë me premtimin për t’u takuar më shpesh, e kësisoj Profeti ynë i nderuar, Muhamedi Paqja qoftë mbi Të u largua për të shkuar në Mekë. Atij, tanimë i dukej sikur zemra do t’i dilte vendit nga gëzimi, e ndjente trupin të rënduar prej një thjeshtësie që i buronte që nga thellësia e shpirtit. Ishte rëndesa e revelacionit që e ndjente mbi shpatulla. Papritur, një zë i erdhi prej qiellit:

O Muhamed! Ti je i Dërguari i Zotit, - i tha kësaj here Xhebraili i nderuar.

Kur e ngriti kokën drejt qiellit, ç’të shihte, ishte Xhebraili me qëndrimin e Tij të hijshëm që përsëriste të njëjtat fjalë pareshtur.

O Muhamed! Ti je i Dërguari i Zotit, e unë jam Xhebraili.

Sikur do të rrëzohej e ndjente Ai veten. Derisa, ashtu i kapitur vazhdoi rrugëtimin. Me zor mundte sa ta lëvizte pak kohën, por prapëseprapë shihte të njëjtën pamje. Ç’ishte kështu? Në çdo anë i njëjti peizazh i shndritshëm! Ngjante sikur çdo anë të horizontit e kishte qerthulluar pamja e engjëllit.

Në anën tjetër, ishte Hatixhja e nderuar, e cila ishte frikësuar prej kësaj vonese të pazakontë të Profetit të njerëzimit. Kishte kohë që kishte dërguar edhe njerëz që të shihnin se ç’mund të kishte ndodhur. Ata e dinin se drejtimi i duhur për të kërkuar ishte Hira, andaj rendën menjëherë asaj ane, por pa kurrfarë rezultati. Më kot, Ai Paqja qoftë mbi Të nuk ishte as atje.

Sakaq, Profeti ynë ishte kthyer në Mekë, dhe shqetësimi sidoqoftë ishte fashitur njëfarësoj. Ecte drejt zërave që i vinin, e shihte se si çdo objekt, e çdo pemë, e çdo gjallesë merrte një tjetër pamje respekti ndaj Tij, duke e përshëndetur, e duke shfaqur dëshminë e tyre se Ai ishte Profet i Allahut.

U kthye menjëherë në shtëpinë e Tij, i emocionuar dhe i trembur njëkohësisht.

Mbulomëni me diçka! Më mbuloni me diçka, - i lutej Ai së shoqes me një zë të përvuajtur. Mandej e vendosi kokën mbi prehrin e nënës sonë të nderuar, Hatixhes. Nëna jonë veçantë, e pyeti me një zë të dhemshur:

O Ebu Kasem! Ku ishe deri tani? Të betohem në Zotin e Madhërishëm, se prej merakut dërgova disa burra që të të kërkonin, por më kot... - po i tregonte ajo kësodore të shoqit dashurinë e saj të thellë që ndjente për Të.

Për disa çaste, Ai nuk nxori asnjë fjalë, derisa:

Kam frikë prej vetes sime, moj Hatixhe! Kam shumë frikë se mos më ndodh ndonjë gjë e keqe. – i tha Ai.

Mos u frikëso fare, o i Miri i të mirëve! Allahu nuk ka për të të nxjerrë Ty asnjëherë të humbur, madje ka për të të mbrojtur përherë, – iu gjend prapë pranë e shoqja e Tij, me fjalët e saj të ëmbla, – sepse Ti je i drejtë, i ndihmon të afërmit e tu, i ndihmon me sa të mundësh të gjithë të skamurit dhe nevojtarët. I vesh, i ushqen dhe i tregon të drejtën sa herë që është e nevojshme. Njëkohësisht, i pret gjithnjë më së miri të gjithë miqtë që na bujtin. Ti je përherë në rrugën e të madhit Zot, duke ia dedikuar Atij çdo sekondë të jetës sate.

Profeti i fundit i njerëzimit sal’lallahu alejhi ue sel’lem filloi t’ia tregonte një e nga një të gjitha të ndodhurat e asaj dite. Hatixhja e nderuar ishte një njeri i veçantë; e bënte çdo punë me largpamësi dhe durim, e ishte edhe tejet e fortë. Zaten e dinte që një person nga të cilët kërkonin të gjithë ndihmë, nuk mund të kishte nevojë për diçka të këtillë. Prapëseprapë, ajo nuk do ta linte kurrsesi vetëm të shoqin që ishte në një gjendje të tillë. Ajo do ta mbështeste Atë në çdo grimëçast të shqetësimeve të Tij.

Lëvduar qoftë Zoti për Ty, o më i afërmi për mua, - filloi ajo t’i fliste, - bëj durim, e do të shohësh që gjithçka do të zgjidhet. Të betohem për Atë që më ka edhe mua në kontrollin e vet, se Ti je i Dërguari i fundit i Allahut.

Sipas saj ky ishte një fund i pritur dhe i padyshimtë i kahershëm. Kësodore, ajo do të ishte e para që ia shpallte Atij dëshminë ndaj Tij, dhe asaj që do të vinte bashkë me Të, Islamit. Pasi tha këto fjalë, ajo u largua për ta lënë Të Dërguarin, të vetëm me Zotin e Tij.

Udhëzimet e Uarakas

Në Mekë jetonte edhe dikush tjetër që do të gëzohej tejmase kur të merrte vesh ato që po ndodhnin. Andaj Hatixhja, pa humbur aspak kohë, u nis menjëherë për tek djali i xhaxhait të saj, Uaraka bin Neufeli. Shkoi dhe ia tregoi të gjitha një më një ato që po ndodhnin me bashkëshortin e saj fisnik. Çdo shprehje shihej se shkaktonte një furtunë përbrenda Uarakas, derisa erdhi një çast që nuk mund të duronte më tej:

Shenjtëri!.. Shenjtëri! – filloi të ulërinte dijetari i vjetër. - Të betohem për hir të Atij që e ka në dorë frymën e Uaraka bin Neufelit se nëse këto që po më thua janë të vërteta, atëherë burri yt është nderi i ardhur prej Profetit Musa dhe Isa. Nuk ka dyshim që Ai është profeti i mbarë njerëzimit. Shko e thuaja këto menjëherë, e kërkoji që të bëjë durim.

Me një fjalë, fara ishte plasaritur, e prej saj po lulëzonte një filiz i ri i njomë. Kësodore, kishte ardhur çasti i duhur, pas të cilit do të ndryshonte fatumi i mbarë njerëzimit. Kjo ndodhi që do t’ia ndryshonte drejtimin krejt historisë duhej dëgjuar edhe drejtpërdrejt nga goja e Tij e bekuar, pa transmetimet e Hatixhes, andaj ai u nis për t’u takuar me të, atje, në avllinë e Mekës. Megjithëse shumë më i vjetër në moshë, Ai do të tregonte një respekt të veçantë ndaj Muhamedit Paqja qoftë mbi Të. Uaraka iu afrua dhe e puthi në ballë...

O nipi im! Tregomi edhe mua ato që dëgjove dhe pe, - i tha ai me njëfarë zëri që dukej sikur më tepër i kërkonte mëshirë...

Profeti i fundit i Allahut, filloi t’ia tregonte të gjitha pa perde Uarakas, i cili rrinte e dëgjonte me vëmendje... Çdo fjalë që dëgjonte, çdo thënie që i kumbonte në vesh, shkaktonte rrëmete brenda tij. Që prej kur kishte filluar të fliste Ai, Uaraka shndërrohej shpirtërisht, duke e përjetuar çështjen shumë ndjeshëm. Që prej vitesh kishte që e priste këtë sihariq, me vite të tëra të jetës kishte jetuar me shpresën e kësaj dite të madhe, me të cilën përshëndoshej vetëm duke e lexuar nëpër libra. E ja ku e kishte të tërin përballë. Me të mbaruar fjalët e të Dërguarit të Allahut, filluan fjalët e urta të Uarakas, të mbushura me ndjenja dhe dridhje të zërit, të cilat deri në ditët tona do të fitonin një vlerë të pamatshme historike:

Qoftë lëvduar Ai që e mban në jetë frymën time, por Ti je i Dërguari i fundit i Allahut. Ty po të bëhet i njëjti nderim që dikur, shumë kohë më parë, iu bë edhe Profetit Musa alejhi selam. Mos harro, Ti do të akuzohesh për një kohë të gjatë si gënjeshtar, madje kur t’i vijë koha edhe do të torturohesh nga armiqtë të cilët kanë për t’u sjellë në mënyrat më harbute. Ah sikur, në ato ditë kur populli yt do të ngrihet e do të të përzërë, të isha i ri e të të mbështesja.

Fjalët që po dëgjonte në portën ku kishte shkuar për të gjetur derman, e tërhoqën së tepërmi Profetin tonë Paqja qoftë mbi Të; ai po ia tregonte të ardhmen gjithë shpresë. Veçse kjo shpresë nuk ishte edhe aq e lehtë për t’u duruar; në thelb të gjërave Atë e prisnin ditë të vështira, me urrejtje, mllef, armiqësi dhe vuajtje të panumërta.

Profeti i lartë më tepër kishte ngelur i shtangur prej fjalëve të Uarakas. Dukej që donte të mësonte diç më shumë prej plakut, andaj e pyeti gjithë merak:

A do të më përzërë populli im?

Përgjigjja që u kthye ishte më shumë sesa një përgjigje; përgjigjja jo vetëm që i numëronte ato që do t’i ndodhnin, por edhe po i rrëfente se si ta zgjidhnin problemin e emigrimit me të cilin do t’u duhej të përballeshin.

Po. Edhe ty do të të nxjerrin prej qytetit. Sepse nuk ka njeri, që të ketë ardhur me Atë që do të sjellësh Ti, e të mos jetë përzënë e përndjekur prej njerëzve të popullit të vet!..

Shënimet

  1. 39.Buhari, sahih, 1/6; Muslim, sahih, 1/97; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 2/153
  2. 40.Buhari, sahih, 4/2561
  3. 41.Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/11 211 Buhari, sahih, 3/1389.
  4. 42.Buhari, sahih, 1/4
  5. 43.Ibni Hamad, Dhurrijetu Tahira, 1/33
  6. 44.Shih: Alak, 96/1-5
  7. 45.Mauerdi, Alamu’l Nubuue, 1/275
  8. 46.Buhari, sahih, 1/4; Muslim, sahih, 1/97