MEDINA: NJË ATDHE I RI
Gjatë një kohe të ikindisë, i Dërguari i Allahut u zhvendos nga lagjja ku banonin bijtë e Nexharit dhe u nis në drejtim të Medinës. Nga pas i vinte Ebu Bekri i nderuar (r.a.). Ai vetë rrinte në krye. Tashmë Jethribi do të identifikohej me të Dërguarin e Allahut, dhe si për t’i përmendur të dy bashkë, e quajtur “Medina e Muhamedit”. Megjithëse më vonë do t’i ngelej sërish thjesht Medinë.
Që këtej e tutje, në Medinë, po jetohej një festë. Djemtë e rinj ishin mbledhur bashkë me heshtat e po hidhnin valle, ndërsa disa të tjerë e prisnin me poezi të bukura. Tashmë çdo gjë sikur të ishte më e ndriçuar, e kapluar prej një gëzim, të cilin nuk e kishte parë asnjëherë Medina. Fytyrave u kishte ardhur buzëqeshja, dhe sikur të donin t’u largonin hidhërimin prej horizonteve, po ngriheshin kumbimet e zërave të fëmijëve.
- Ja, ka ardhur Resulullahu! Na lindi hëna mbi krye, tej kodrave të Thenasë, – thoshin ata rimueshëm.
Ai që na fton tek e mbara, lum si ne për aq sa Ai rri me ne!
O mëkëmbës që u nise për te ne! Padyshim që Ti na ke ardhur me një mesazh, të cilit i duhet bindur.
Medina po e ftonte në kraharorin e vet. Disa njerëz të tjerë, si për të ruajtur ritmin, thoshin:
Ne jemi fqinjët e bijve të Nexharit! Sa mirë që Resulullahu u bë fqinji ynë, ndërsa i Dërguari i Allahut u përgjigjej:
Allahu e di, që edhe unë ju dua ju!
Vendqëndrimi i parë
I njëjti emocion si në Kuba, kësaj here po ndjehej edhe në Medinë.
Të gjithë ishin rreshtuar buzë rrugës, duke garuar me njëri-tjetrin sekush ta priste Muhamedin paqja qoftë mbi Të në shtëpinë e vet. Çdo familje që e shihte të drejtohej kah shtëpia e tyre, mbartte shpresën “Ah sikur të qëndrojë në shtëpinë tonë!”. Megjithatë, Ai, si për t’iu përgjigjur dëshirave të tyre, tha:
Lërini të lira frerët e devesë, sepse ia kam lënë asaj.
Po ia linte devesë që ta zgjidhte vendin se ku do të bujtte. Në fakt kjo ishte edhe një zgjidhje që do të parandalonte mendimet e të tjerëve. Kafsha e bekuar, Kasua, po ecte nëpër rrugët e Medinës, e njerëzit e ndiqnin nga pas. Shkonin për të parë vendin ku do të qëndronte.
Vajzat e bijve të Nexharit po gëzoheshin edhe njëherë më shumë. Po mirëprisnin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.).
Ne jemi fqinjët e fëmijëve të Nexharit. Sa të lumtur jemi! Tashmë Resulullahu do të jetë fqinji ynë.
Resulullahu u kthye nga ata dhe tha: - A më doni mua? Ç’do të thoshte, “A më doni?”? - Po, o i Dërguari i Allahut.
Vallahi që edhe unë ju dua ju! - ishte përgjigjja e entuziazmuar e të Dërguarit të Allahut, i Cili ishte prekur shumë prej situatës së formuar. Vallahi, edhe unë ju dua ju! Vallahi edhe unë ju dua ju!
Kasua ndali para portës së një shtëpie, dhe po shihte nga të dyja anët, dhe pastaj u kthye sërish në vendin prej nga ishte nisur. Me sa dukej po përpiqej të kryente detyrën që ia kishte ngarkuar paracaktimi hyjnor. Priti edhe pak çaste, pastaj u përgjunj.
Ensarët dhe muhaxhirët po e ndiqnin tërë kureshtje. Ishte caktuar shtëpia ku do të rrinte i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Nga faqet e Ebu Ejub Halid ibni Zejdit po buronte një gëzim i papërshkrueshëm. Sepse shtëpia më afër vendit ku kishte qëndruar deveja, ishte shtëpia e tij.
E kujt është shtëpia pranë Kasuas?
E imja, o i Dërguari i Allahut! – u hodh Ebu Ejubi, - ajo është shtëpia ime, dhe ja tek e ka portën.
Atëherë, unë do të qëndroj në shtëpinë tënde, - tha i Dërguari i Allahut.
Mirë se të vini!
Kështu filloi ai qëndrim që zgjati plot shtatë muaj.
Kjo shtëpi kishte edhe një tjetër karakteristikë. Kjo ishte shtëpia që kishte ndërtuar mbreti i Tubas, duke thënë se kjo shtëpi duhet të qëndronte pasi në të do të rrinte profeti i kohës së fundme. Ajo shtëpi po përgatitej tashmë për të pritur Krenarinë e Njerëzimit, Profetin
Muhamed paqja qoftë mbi Të.
Në fakt, i Dërguari i Allahut ishte mysafiri i Ebu Ejubit, ama gëzimin e përjetonin të gjithë ensarët po njësoj. Pasi Ai ishte miku i të gjithëve. Pas gjithë asaj kohe që Meka nuk kishte lënë të keqe pa i bërë, Ai kishte zgjedhur pikërisht Medinën për t’u vendosur. Shtëpia e Ebu Ejubit do të ishte vendqëndrimi i Tij në qytetin e tyre. Aty vinin përditë dy a tre medinas të rinj, duke bërë që tërë ensarët të mund të tregonin bujarinë e tyre.
Ai u vendos në katin e sipërm
Krenaria e Universit ishte vendosur në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut, megjithëse ky i fundit nuk ishte i qetë për qëndrimin e të Dërguarit të Allahut. Profeti ynë paqja qoftë mbi Të kishte zgjedhur katin e poshtëm për të qëndruar, dhe aty kalonte netët. Si Ebu Ejubi, si bashkëshortja e tij, ishin shumë të shqetësuar.
Nuk është mirë, që Resulullahu të rrijë poshtë, ndërsa ne të ecim mbi kryet e Tij.
Më në fund, shqetësimin e tyre vendosën t’ia tregonin të Dërguarit të Allahut, dhe ta ftonin që të qëndronte Ai në katin e dytë.
O Profeti i Allahut! Nëna dhe babai im të qofshin falë! Ne na vjen shumë rëndë, që Ti të qëndrosh në katin e poshtëm, ndërsa ne në të sipërmin. Sikur të qëndronit ju sipër, e ne poshtë Jush?
Vetëm se i Dërguari i Allahut nuk ishte i një mendjeje me ta. E patën ndarë shumë herë me Të këtë çështje, mirëpo Ai u qe përgjigjur gjithnjë me të njëjtat fjalë.
O Ebu Ejub! Më e përshtatshmja dhe më e mira, për nga mirësitë që na janë shtruar, është të qëndroj në katin e poshtëm,364- duke u treguar se nuk do të pranonte kurrsesi.
Ebu Ejubi i pati kërkuar disa herë të njëjtën gjë, por kur e kishte parë se kjo gjë nuk po i pëlqente të Dërguarit të Allahut, andaj vendosi t’i thoshte:
Unë nuk mund të rri sipër të Dërguarit të Allahut, dhe nuk kam për të jetuar atje.
Përfundimi ishte po i njëjti, derisa një ditë, Ebu Ejubi e ktheu përmbys katin e sipërm, duke bërë që një vazo të thyhej dhe tërë uji i saj filloi të rridhte në katin e poshtëm. Ende pa mbërritur uji poshtë, bashkë me Umu Ejubin zbritën poshtë, dhe me peceta beze në duar, filluan të thanin ujin e grumbulluar. U shqetësuan shumë se mos uji prekte të Dërguarin e Allahut, aq sa ishin bërë dyll të verdhë nga meraku. Dukej që kjo çështje nuk mund të vazhdonte kështu.
O i Dërguari i Allahut! Nuk është më e mundur që ne të rrimë mbi Ty! Të lutemi, kalo Ti sipër.
Kjo ishte një kërkesë që nuk kishte ç’t’i përgjigjej. Ne nuk mund të rrimë dot mbi Ty.
Profeti ynë i dashur nuk mund t’i përgjigjej më me jo Ebu Ejubit, kështu që prej asaj nate, kaloi në katin e sipërm, dhe qëndroi aty derisa u ndërtua faltorja profetike.
Lidhjet vëllazërore
Patën ardhur të gjithë në Medinë. Megjithatë të Dërguarin e Allahut e prisnin ende shumë probleme që duheshin zgjidhur. Ata që vinin nuk ishin tri-katër. Kishte ende shumë myslimanë që qëndronin ende në Mekë, ndërsa të tjerët kishin ardhur të gjithë në Medinë. Mbi të gjitha, ata që migronin, vinin bashkë me familjet, ose e binte më mbrapa. Zaten nuk kishte tjetër alternativë, e nuk kishte si të kishte... Ishin bërë gjithsej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë familje. E familjet nuk ishin të vogla të përbëra prej tri-katër vetash, por bëhej fjalë për familje të madhe. Mirëpo, ku do të priteshin gjithë këta njerëz? Hajde, se një zgjidhje disaditëshe mund të gjendej, mirëpo ky udhëtim nuk ishte i atillë që të zgjaste vetëm disa ditë të vetme.
Pikërisht, për t’u gjetur zgjidhje, puna e parë që bëri i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, ishte të formonte lidhje vëllarëzore mes ensarëve vendas dhe muhaxhirëve ardhanakë. Me anë të këtyre vëllazërive do të zgjidhej çështja disi për dyzet e pesë familje. Ishin mbledhur bashkë në shtëpinë e Enes ibni Malikut, dhe po i këshillonte:
Bëhuni dyshe dyshe vëllezër me njëri-tjetrin në emër të Allahut!
Botëkuptimi i vëllazërisë që po u tregonte ai myslimanëve sot, nuk ishte një praktikë e saponjohur. Ai, që kur ishte në Mekë, i kishte bërë vëllezër me njëri-tjetrin Zubejr ibni Avamin dhe Abdullah ibni Mes’udin. Ai synonte që me anë të vëllazërisë t’i priste nga rrënjët vështirësitë e së ardhmes.
Prapëseprapë ishte i pari që do ta praktikonte. Andaj, mori dorën e Aliut të nderuar, e ngriti sipër që ta shihnin të gjithë, dhe tha:
Ja, ky është vëllai im! Ai nuk ia linte askujt atë që e kishte pasur pranë që prej fëmijërisë, e që për më tepër ishte rritur me një moral profetik, madje tani po e shpallte edhe vëlla të vetin. Mandej shpalli vëllezër me njëri-tjetrin xhaxhanë e Tij, Hamzanë, me Zejd ibni Harithin, i cili sipas paracaktimit kishte jetuar si skllav, por që kishte shpëtuar duke shërbyer pranë të Dërguarit të Allahut. Këta ishin edhe njerëzit, të cilët donte t’i kishte përherë pranë vetes.
Për një çast, të gjithë medinasit filluan të kërkonin me sy, se cili prej muhaxhirëve mund të ishte vëllai i tij më i mirë i mundshëm. Nuk kaloi shumë kohë, dhe numri i vëllazërimeve arriti njëqind e pesëdhjetë, e pas pak u bë njëqind e tetëdhjetë e gjashtë, duke bërë që të mos ngelej asnjë familje e pavëllazëruar.
Disa njerëz menduan se ky vëllazërim do të prekte edhe çështjet e lidhura me vëllazërinë mes tyre, prandaj ata vendosën që të pyesnin të Dërguarin e Allahut në lidhje me këtë:
Ndaji edhe kopshtet tona të hurmave me ta!
Ishte e habitshme, se ata që po e kërkonin diçka të tillë, ishin vetë ensarët.
Jo, - u përgjigj Ai fillimisht. – Bashkëpunoni me njëri-tjetrin duke derdhur djersën e ballit, dhe frytet e arritura ndajini ndër vedi.
Kuptimi i këtyre fjalëve ishte i qartë. Këndej e tutje, të gjithë do të përpiqeshin vetë për ushqimin e tyre, dhe ensarët me muhaxhirët do të bashkëpunonin për ta rregulluar jetesën e tyre. Nuk u vonua përgjigjja që i bënte ata të quheshin sahabë me tërë kuptimin e kësaj fjale:
Dëgjuam dhe bindemi!
Ndërkohë zbriti edhe ajeti i tridhjetë e tretë i sures Nisa, që shpjegonte se këto lidhje vëllazërore nuk i përfshinin marrëdhëniet e trashëgimisë.
Ndërtimi i faltores profetike
Patën ardhur në Medinë, por kishte edhe disa probleme të tjera që duheshin zgjidhur. Fillimisht duheshin bashkuar besimtarët me njëri-tjetrin, por për këtë kishte nevojë që të ndërtohej një vend i përbashkët, ku të mund të ndanin ajetet e Kuranit me njëri-tjetrin, të mund të falnin namazin, të flisnin për problemet nga më të ndryshmet, që mund të lindnin, apo edhe për të formësuar atë që do të quhej vetëdija e bashkësisë. Tanimë nuk kishte më një Qabe, e cila t’i mblidhte të gjithë bashkë, në të njëjtin vend. Namazet faleshin pikërisht nëpër vendet ku i zinte koha e tij.
Në fillim përcaktuan vendin se ku mund t’ia fillonin ndërtimit. Ky ishte vendi ku qëndroi deveja për herë të parë, dhe u përkiste dy djemve, Sehlit dhe Suhejlit, dhe gjendeshin nën kontrollin e Esad ibni Dhurares. Ishte një vend ku gjendeshin disa kasolle dhensh, nja dy ndërtesa të vjetra dhe disa varre.
Profeti ynë i nderuar paqja qoftë mbi Të i thirri pranë bijtë e Nexharit, që ishin njëkohësisht edhe të afërmit e Tij nga nëna. Po ua kërkonte atë tokë në këmbim të vleftës që i jepnin ata.
Vallahi, që ne nuk duam asnjë para në këmbim të saj. Ne mendojmë vetëm për atë që mund të na japë Allahu.
Donin të ishin në krye të atyre që e përqafonin të parët flamurin e mbarësisë dhe gjithë punëve të mbara. Megjithatë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) nuk donte që t’i bëhej askujt ngarkesë. Për këtë, thirri Ebu Bekrin dhe e bleu tokën kundrejt dhjetë dinarëve.
Sakaq u zgjidh edhe çështja e tokës, dhe radha i erdhi ndërtimit. Të gjithë zjarrmonin prej dëshirës për të punuar. Dikush mbartte gurë, një tjetër qerpiç, ndërsa të tjerët e merrnin atë që sillej dhe e ngjisnin sipër, duke vendosur sakaq një gur në qytetërimin e ri që po ngrihej. Në mes të atyre që punonin, gjendej edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai nuk hiqte assesi dorë prej punës, duke treguar se do të ishte përherë brenda dhe në krye të çdo pune të bashkësisë së Tij. Kohë pas kohe merrte edhe Ai pjesë në gëzimin e ensarëve dhe muhaxhirëve, duke thënë:
O Zot! Vetëm ahireti është vendi i shpërblimit! Fali ensarët dhe muhaxhirët siç vepron me mëshirë me ta! Nuk janë hamallët e Hajberit kurrsesi më të mirë dhe më të pastër se këta njerëz!
Përpjekjet e Tij i emociononin akoma më tepër si ensarët ashtu edhe muhaxhirët.
Si mund të ulemi ne, kur është duke punuar edhe vetë Profeti fisnik! Përkundrazi, ne duhet të tregojmë më tepër përpjekje, madje duhet të punojmë më shumë.
Pas pak kohësh, muret u ngritën prej qerpiçit, tavani prej degësh të pemëve të hurmave, shtylla ishin pemët e hurmave, poshtë qëndronte toka. Këtej e tutje, këtu do të faleshin namazet. Kjo faltore kishte tri porta, me katër qoshe, në trajtën e katrorit me brinjë gjashtëdhjetë metra.
Namazet, që deri më sot ishin falur me nga dy rekate, këtej e tutje do të faleshin nga katër; ishte qartësuar që gjatë udhëtimeve do t’i falnin nga dy, ndërsa kur të ishin në Medinë, do t’i falnin përherë nga katër.
Fillimi i ezanit
Meka ishte e mbushur me njerëz që villnin vetëm dhunë, andaj ta falje aty namazin bashkërisht, bëhej e mundur vetëm nëpër vende të mbyllura e tejet të fshehta. Mirëpo Medina, jo vetëm që ishte më miqësore, por edhe më e përshtatshme për sa i përket kësaj ane. Për më tepër, këtu u ndërtua edhe faltorja profetike, që i priste krahëhapur për t’i falur namazet vetëm bashkërisht.
Edhe kohët e namazeve ishin të qarta. Megjithatë nuk kishte ende një mënyrë se si t’i thërrisnin njerëzit që të mblidheshin për t’u falur. Kështu, e para që përmendën ishte mënyra e borisë, e cila kishte qenë edhe te hebrenjtë. U fol edhe për një mjet si ai që kishin përdorur të krishterët, por edhe kjo nuk ishte e përshtatshme, kështu që e refuzuan. Me sa duket po vinte një mënyrë e re e thirrjes.
Pikërisht një prej këtyre ditëve, që të gjithë flisnin posaçërisht për këtë çështje, Abdullah ibni Zejdi kishte parë një ëndërr, andaj po shkonte që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):
O i Dërguari i Allahut! Sonte, pashë në ëndërr një burrë të veshur në të gjelbërta, i ndarë në dy pjesë, i cili m’u afrua pranë.
Në duar kishte një instrument si ai i të krishterëve. Unë e pyeta:
O robi i Allahut! A ma shet mua këtë?
Çfarë do të bësh me të? – më pyeti.
Do të thërras njerëzit që të mblidhen për të falur namazin.
A të të mësoj unë një më të hairit?
Hë? – e pyeta, dhe sakaq ai m’u përgjigj:
Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber Eshhedu en la ilahe il’lallah! Eshhedu en la ilahe il’lallah!
Eshhedu enne Muhammeden Resulullah! Eshhedu enne Muhammeden Resulullah!
Haje ales salah Haje ales salah
Haje alel felah Haje alel felah
Allahu Ekber Allahu Ekber La ilahe il’lallah.
I Dërguari i Allahut, me të dëgjuar këto fjalë, tha:
Padyshim që kjo është një ëndërr e vërtetë dhe besnike!
Dukej që ato që dëgjoi i dukeshin mjaft të ëmbla. Sakaq, filloi të ndjehej atmosfera e ardhjes së Xhebrailit. Me sa duket po vinte një lajm i ri. Mori edhe Abdullahun me vete dhe i tha këto fjalë:
Shko dhe mësoja këto edhe Bilalit! Le t’u thërrasë me këto fjalë njerëzve, meqë ka zërin edhe më të fortë prej të gjithëve.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Bilali filloi të këndonte ezanin, që t’i ftonte të gjithë për të falur namazin.
Omeri i nderuar sapo kishte dalë prej shtëpisë për të shkuar që të falte namazin. Mezi po priste që ta ndante me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) ëndrrën që kishte parë. Kjo ëndërr ishte e atillë, që megjithëse kishin folur me ditë të tëra për të, nuk po i gjenin dot zgjidhje thirrjes për në namaz. Kur... U dëgjua zëri i Bilalit tek po thërriste ezanin. U habit krejt. Sepse zëri po përsëriste ato fjali, të cilat ai i kishte parë në ëndërr. Mos ato nuk kishin qenë në ëndërr, por në zhgjëndërr? Apo ishte ende duke parë ëndërr?
Mblodhi rrobat dhe filloi të vraponte në drejtim të faltores profetike. Kur mbërriti mezi po merrte frymë.
O i Dërguari i Allahut! Të betohem për Atë që të ngarkoi Ty me të drejtën, se unë i kam parë këto fjalë në ëndërr.
Profeti i Allahut në pamje dukej sikur të ishte duke i thënë, se Ai kishte parë edhe më shumë se kaq, andaj u kthye nga Omeri i nderuar dhe i tha tërë përgëzim:
Lëvduar qoftë Allahu prej kësaj dhe ëndrrës së Omerit!
Këndej e tutje, mënyra se si do t’i thërrisnin besimtarët për të falur namazin u zgjidh, dhe pesë herë në ditë, qielli do të kumbonte emrat e Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Kjo mandej u quajt “ezan”.
Sahabët e Sufes
Vendbanimi i ri, Medina po përballej me një botëkuptim të ri. Profeti ynë i ndante ajetet e zbritura edhe me të tjerët, duke i mbledhur në faltoren profetike të gjithë ata që mund të flisnin për veprat që përftonin kënaqësinë e Allahut.
Ndërsa njerëzit e tjerë mundoheshin për tregtitë, kopshtet dhe bahçet e tyre, qëllimi i vetëm i këtyre njerëzve ishte parandalimi i dëmtimit të çështjeve të fesë dhe t’i ndanin edhe me të tjerët ato që mësonin prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Kësodore edhe përshpejtonin ndoshta edhe periudhën e kumtimit. Teksa bënin këtë, lidhnin nga një gur në fund të barkut që të mos ndjenin urinë, aq sa ndonjëherë mund të merrje vesh edhe për të atillë që u kishte rënë të fikët prej saj. Veçse, për ta më e rëndësishme se çdo gjë ishte kuptimi i një gjëje të re në lidhje me fenë. Profeti ynë i këshillonte ata që të mos reshtnin asnjëherë së u kujdesuri për njerëzit e tjerë. Nganjëherë i ndante ata në mes të besimtarëve që secili të kishte nga një njeri për kë të kujdesej. Ai mendonte më tepër këta njerëz se sa familjen e Tij.
Numri i sahabëve të Sufes, ku në mesin e tyre gjendeshin edhe sahabë të rëndësishëm si Ebu Hurejre, jo vetëm që kishin ndryshuar në numër, por ishin bërë tridhjetë, dhe e përdornin faltoren profetike jo vetëm si një vend ku kryhej falja. Ata nuk kishin as shtëpi ku të fusnin kokën, e as ndonjë të afërm që t’u vinte në ndihmë. Njëkohësisht ata nuk shfaqnin asnjëherë nevojë për tjetërkënd. Në çfarëdo kushtesh që të gjendeshin, ata mendonin përherë se ishte më e mira që të jetonin një jetë si ajo e Profetit të tyre. Kurani, teksa fliste për ta, shprehej:
- A nuk janë ata të skamur që e kanë falur veten e tyre në rrugën
e Allahut, e që nuk gjejnë dot mundësitë për të lëvizur nëpër rruzull? Ngase nuk shfaqin as minimumin e nevojës ndaj dikujt tjetër, të gjithë i mendojnë se janë të pasur. O Profeti Im! Ti i njeh ata nga fytyrat e tyre. Ata, prej ndrojtjes, dhe për të mos u bërë të pafytyrë, nuk kërkojnë asgjë prej askujt. Çdo gjë që ju e jepni për mirësi,
Allahu e di.
Natyrisht, që këta njerëz ishin në dijeni të çdo ajeti, dhe të mënyrës, rrethanave dhe kushteve në të cilat kishte zbritur. Pasi merreshin vetëm me dije, duke jetuar edhe një jetë tejet të pasur në adhurime. Sa herë që t’u vijë ndonjë kërkesë në lidhje me fenë, në fillim zgjidhet njëri syresh, dhe dërgohet që t’u mësojë fenë njerëzve. Me pak fjalë, këta janë një lloj trashëgimtari të Profetit tonë të dashur, për sa i përket dijes dhe transmetimit të saj.
Marrëveshja e Medinës
Problemet e shfaqura në vendin e migrimit zgjidheshin një e nga një, dhe njëra prej tyre ishte edhe zgjidhja e çështjes së strukturës së popullsisë medinase, ndarja e saj etnike dhe duke u marrë parasysh edhe ndasitë fetare, duhej ndërtuar një e atillë, ku të gjithë njerëzit të mund të bashkëjetonin të lumtur. Sepse Medina që gjatë atyre ditëve kishte një popullsi prej dhjetëmijë banorësh, përbëhej prej njëmijë e pesëqind myslimanësh, katërmijë hebrenjsh dhe katërmijë e pesëqind idhujtarësh arabë. Pikërisht, për shkak të këtyre dallimeve, duhet të gjendeshin pikat e përbashkëta, dhe nëpërmjet tyre të mund të gjendej rruga e bashkimit të krejt popullsisë.
Përpos kësaj, Medina kishte shumë nevojë për diçka të këtillë, sepse me luftërat që nuk kishin të mbaruar, ishin dëmtuar edhe lidhjet e ndryshme shoqërore. Nevoja për t’u thurur një shall i ri që do t’i lidhte edhe njëherë me njëri-tjetrin, pasi ndasitë ndërmjet tyre ishin më të theksuarat që mund të imagjinohen.
Ashtu siç ndërmjet elementeve të kundërta kishte luftëra të ndryshme, në mes të atyre që kishin të përbashkëta mbizotëronte një paqe e ëmbël. Ashtu siç kishte probleme ndërmjet fiseve Eus dhe Hazrexh, edhe ndërmjet shumë fiseve hebreje kishte mosmarrëveshje, si për shembull Beni Kajnukat, Beni Nadrët dhe Beni Kurejdhat. Jeta sociale ishte krejt e pasigurt.
Ky ambient i pleksur kaq keqas, ndonjëherë bënte të lindnin aleanca aq të çuditshme. Për shembull ishin mbledhur në një anë fisi i Eusit, Beni Nadri dhe Beni Kurejdha, të cilët donin të luftonin kundër Beni Kajnukas. Po ashtu, edhe hazrexhët po bashkoheshin me Beni Kurejdhan përkundër Beni Nadrit dhe Beni Kajnukas.
Në Medinë ishte hera e parë që po vërehej një tërësi, që nuk ishte ndjerë asnjëherë më parë në strukturën e qytetit. Çdo fis, për të siguruar të afërmit e vet, kishte ndërtuar mure sipas vetes, dhe vetëm kësodore mund ta ndjente veten paksa të sigurt. Në Medinën e atyre ditëve mund të numëroheshin plot trembëdhjetë mure.
Gjithë këto probleme ishin mbledhur në një vend e kishin zhdukur fare ambientin ku mund të kërkohej ndopak siguri, aq sa jeta tregtare po vinte drejt fundit të saj. Kjo gjendje shqetësonte jashtë mase edhe tregtarët që vinin prej vendeve të tjera, aq sa ata nuk vinin në Medinë nëse nuk e kishin të domosdoshme ardhjen.
Madje mund të thuhet se elementet përbërëse të Medinës kishin ardhur deri në atë gjendje që do të kënaqeshin nëse vinte një forcë e tretë që t’i thërriste të gjithë bashkë rreth një tryeze. Pikërisht kjo pritmëri ishte një themel i përsosur për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Edhe Aishja e nderuar do ta tërhiqte vëmendjen kah këto ndodhi, duke na treguar se ishte pikërisht kjo gjendje e ngatërruar e Medinës që ia bëri punën disi më të lehtë Krenarisë së Njerëzimit. Andaj i Dërguari i Allahut do ta vlerësonte gjendjen siç duhej; do të mblidhte të gjitha elementet që do të siguronin harmoninë dhe ekuilibrin, dhe do t’i shtynte që të bënin një marrëveshje ndër vedi.
Në fillim vuri disa njerëz që të mësonin kufijtë e qytetit. Tash e tutje ky vend brenda kufijve do të quhej “Harem”.
Ishte hera e parë për Medinën që ndodhte një numërim i popullsisë. Medina po fitonte ngjyrë edhe njëherë tjetër.
Vetëm se prej këtij formësimi të ri nuk ishin të gjithë të kënaqur. Veçanërisht idhujtarët arabë ishin tejet të shqetësuar, pasi mendonin se ngaqë idhujtarët e Mekës i përkrahnin ensarët dhe muhaxhirët, mund të vinte një kohë që do t’u bënin keq. Zaten kishin filluar të përhapeshin lajmet se mekasit do të vinin një ditë për t’i mundur myslimanët që i kishin humbur duarsh.
Reagimi i Resulullahut ishte i atillë që i zhdukte të gjitha shqetësimet. Ashtu siç kishte ndodhur edhe në Mekë, Ai po rrekej që t’u falte atyre botëkuptimin “Feja juaj për ju, dhe feja jonë për ne!”, duke u dhënë shembuj se si mund të bashkëjetonin të gjithë në Medinë. Sipas Tij, të gjithë, çfarëdo gjuhe, feje, race a kombësie të kishin, për aq kohë që do të tregohej respektues ndaj besimit dhe botëkuptimit të tjetrit, do të jetonin më lumtur dhe brenda të njëjtit rreth. Kështu do të formohej në Medinë ambienti i tolerancës së patëmetë. Askush nuk do ta ndjente veten të detyruar për të ndërruar fenë e tij, e as nuk do t’i ushtrohej trysni për besimin që mbartte. Njëkohësisht, kjo përmbante edhe mundësinë për t’i shprehur lirshëm të gjitha mendimet, dhe çfarëdo botëkuptimi që të kishe, ishe i lirë ta shprehje. Me një fjalë, ajo që po u parashtrohej nuk ishte sundim, por parashtrimi i një ndarjeje të atillë që të kishte si thelb pjesëmarrjen e të gjithëve.
Megjithëse kishin kaluar vetëm pak ditë nga koha që kur kishte ardhur në Medinë, ambienti i sigurisë dhe rehatisë së propozuar prej Resulullahut kishte filluar të ndjehej gjithandej, andaj banorët e Medinës po e parashtronin vetë shkuarjen pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) për të qenë si një qendër ku ata të mos binin pre e keqkuptimeve të vazhdueshme, por për të gjetur një zgjidhje sa më të paqtë.
Marrëveshja e parë u bë mes Eusit dhe Hazrexhit
Marrëveshja e parë në Medinë u bë mes fiseve Eus dhe Hazrexh. Andaj, ata që merrnin pjesë në mbledhje, thoshin mendimin e tyre, dhe pasi përfundonin fjalën, zotoheshin se do t’i qëndronin besnikë fjalës së atij që do të jepte vendimin përfundimtar. Kësisoj, pas shumë shekujsh me radhë, këto dy fise po lidhnin për herë të parë një marrëveshje të qëndrueshme, e luftës shumëshekullore mes këtyre dy strukturave po i vendosej pika e përfundimit.
Ata u mblodhën në shtëpinë e Enes ibni Malikut, dhe çdo pikë e marrëveshjes u mbajt shënim. Kësodore, nëpër këto marrëveshje që po arriheshin mes myslimanëve të Eusit dhe Hazrexhit mund të jepnin vendime edhe nga ata njerëz që mund ta bënin diçka të këtillë. Po e nënshkruante marrëveshjen sepse Eusi dhe Hazrexhi pranonin që të merreshin vesh me ndërhyrjen e Tij.
Në marrëveshjen e nënshkruar përmendeshin këto pika:
- Bismil’lahi Rrahmani Rrahim!
Kjo marrëveshje është një marrëveshje që do të nënshkruhet nga besimtarët e Kurejshit dhe besimtarët e Medinës, të cilët pranuan që me ndërhyrjen e të Dërguarit të Allahut , të cilët pranojnë të njëjtat kushte, dhe që do ta ndihmojnë njëri-tjetrin në çaste të vështira. Ata do të jenë një bashkësi më vete në mes të njerëzve të tjerë.
Pasi përmendi dy emrat përfshirës të tyre, Profeti i Njerëzimit mendoi t’i përfshinte edhe emrat e fiseve një e nga një, Beni Aufin, Beni Saiden, Beni Harithin, Beni Xhushemin, Beni Nexharin, Beni Amrin, Beni Nebitin, Beni Eusin, të cilët do të bashkoheshin me njëri-tjetrin vetëm duke paguar taksën e gjakut. Do të pranonin që të paguanin dhe fidjet për të çliruar skllevërit e luftërave në mënyrë sa më të drejtë dhe të pranueshme. Të gjitha fiset do të dalloheshin pastaj për përndarjen e bukur dhe të mirë mes tyre, do të përpiqeshin me tërë fuqinë e tyre në mposhtjen e të keqes, të njohur për virtytet dhe drejtësinë, që nuk do të fshinin asnjë të keqe, dhe që ngado që të ishte ndonjë thyerës i këtyre rregullave, ta dënonin sipas kritereve të përmendura. Më në fund, nëse do të kishte ndonjë mosmarrëveshje, do të tregonin pëlqim për atë që vendoste i Dërguari i Allahut, në mënyrë që problemi të zgjidhej sa më përshtatshëm dhe sa më shpejt.
Marrëveshja e parë me hebrenjtë
Pasi u arrit marrëveshja mes Eusëve dhe Hazrexhëve, duhej arritur edhe një marrëveshje me hebrenjtë, të cilët përbënin afërsisht dyzet përqind të strukturës demografike të qytetit. Andaj, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) vendosi që të mblidhej me parinë e hebrenjve në shtëpinë e Binti Harithit. Pas disa takimeve të gjata, u arrit në një mendje për të gjitha çështjet, dhe radha i erdhi hedhjes së tyre në letër. Në të përmendeshin këto pika:
- Në rast lufte, edhe hebrenjtë do të ndihmonin po si myslimanët. Beni Auf, Beni Nexhar, Beni Salebe dhe një krah i tyre Xhefneja, Beni Saide, Beni Xhushemi, Beni Eusi dhe Beni Shutajbe do ta jetonin lirisht fenë e tyre, dhe po ashtu, edhe besimtarët do ta jetonin Islamin në një terren të qetë. Kjo marrëveshje ishte e njëjtë edhe për familjet përbërëse të këtyre fiseve, sepse këndej e tutje, secila prej tyre do të quhej një e tërë me të tjerat.
Asnjë fis hebre nuk do të merrte pjesë në luftë bashkë me myslimanët, pa marrë më parë leje prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Në rast bashkëpunimi gjatë luftës, secila palë do t’i merrte vetë parasysh shpenzimet e luftës. Asnjëra prej palëve nuk do të dëmtonte tjetrën, ndërsa atyre që do të binin viktima të ndonjë padrejtësie, të gjithë do të ndihmonin njëri-tjetrin. Nuk do të ndihmoheshin kurejshët dhe as atyre që binin në marrëveshje me ta. As nuk do të mbroheshin. Medina tashmë do të ishte në mbrojtjen e të gjithëve sa gjendeshin në të, duke pasur përherë ndihmesën reciproke si tipar përbashkues.
Në këtë marrëveshjeje, në të cilën theksohej më së miri se gjithsecili do të bënte çmos për t’i zbatuar detyrat e veta, luftërat që mund të bëheshin nuk do të ishin të përfshira.
Sipas marrëveshjes, edhe ata që strehoheshin tek hebrenjtë, do të shihnin të njëjtën sjellje si ajo që do të shihnin hebrenjtë, vetëm që ai të mos ishte një vrasës apo dikush që t’i kishte bërë padrejtësi ndokujt. Çdokush që kryente diçka të papëlqyeshme, do të merrte atë që meritonte.
Çdo pikë e nënshkruar do të zbatohej pikë për pikë, duke mos kryer asnjëherë shkelje të tyre. Ashtu siç myslimanët do t’i zgjidhnin problemet e tyre në dritën e gjykimeve të Kuranit, edhe hebrenjtë do të jepnin vendime në bazë të Teuratit. Askush nuk do të ndërhynte në vendimin e tjetrit në bazë të këtyre dy librave. Në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje të mundshme, do të ishte pikërisht Profeti ynë i Dashur njeriu tek i Cili do të shkonin për të gjetur zgjidhje.
Ashtu siç kuptohej edhe prej marrëveshjes së shkruar, në Medinë gjendeshin gjithsej njëmbëdhjetë familje hebreje, dhe që të gjitha po firmosnin një marrëveshje me të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të.
Megjithëse ishin vetëm pesëmbëdhjetë përqind e popullsisë, arritja e një pozite të tillë prej të Dërguarit të Allahut nuk mund të ishte tjetër veçse shenjë e zgjuarsisë së Tij të theksuar. I kishte vlerësuar siç duhej kushtet sociale, dhe në vend që të nxirrte në pah udhëheqjen, i kishte sjellë të dyja palët në një tryezë, dhe po i ftonte që të nënshkruanin një pakt. Kjo përpjekje e Tij, përpos kësaj, në të ardhmen do të fitonte një vlerë të jashtëzakonshme historike. Sepse arritja e një marrëveshjeje të këtillë, po bënte që ndërmjet palëve të ndërtohej një si lloj kushtetute, e cila ishte një dukuri e pa hasur asnjëherë më parë.
Prurja e individëve të familjes
Problemet e ndryshme të myslimanëve në Medinë po zgjidheshin një e nga një, ndërsa tani radha i kishte ardhur prurjes së anëtarëve të tjerë të familjeve. Siç dihet, kur migruan muhaxhirët nuk i morën me vete familjet, dhe nuk është se e shihnin si ndonjë problem. Vetëm se njëri-tjetrit i thoshin:
- Migroni, - u qe thënë, dhe ata këtë kishin bërë.
Pjesëtarët e tjerë të familjes do të qëndronin në Mekë. Tokat dhe pasuria do t’u zaptohej prej idhujtarëve, fëmijët dhe familja do t’u lihej në skamje dhe uri. Do të vuanin prej mallit për baballarët e tyre, dhe gratë e tyre do të mërziteshin kur të shihnin se kishte ardhur mbrëmja, dhe ata nuk gjendeshin në shtëpi... Sado probleme të tilla që të shfaqeshin në horizontin e kësaj çështjeje, për ta nuk përbëri asnjëherë problem. Sepse ata ishin të vendosur në çështjen e besimit, dhe në botëkuptimin e tyre urdhri brente edhe çelikun, andaj duhet ta zbatonin medoemos. Zaten prej këndej buronte edhe ndryshimi të quheshe sahab.
Mirëpo, ata kishin ardhur me kohë në Medinë, dhe kishin arritur edhe t’i kryenin adhurimet pa kurrfarë problemi. Ishte ndërtuar faltorja profetike, në mes të ensarëve dhe muhaxhirëve ishin ndërtuar ura vëllazërie. Me një fjalë, problemet ishin zgjidhur. Ishte arritur njëfarë mirëkalimi me ata që vinin nga jashtë qytetit. Me një fjalë, pse të mos përfitonin edhe familjet e tyre prej këtyre kushteve të mira, duke u shpëtuar sa më shpejt prej kthetrave të egra të idhujtarëve, atje në Mekë, duke u bashkuar të gjithë rreth një vatre të sigurt.
Edhe Profeti i njerëzimit, bashkë me mikun e Tij besnik, Ebu Bekrin e nderuar, i kishin lënë familjet e tyre në Mekë. Në Mekë ishin dy amanetet e Hatixhes së nderuar, Umu Kulthumi, dhe Fatimja fisnike, Seudeja, ishte gruaja e Zejd ibni Harithit, Umu Ejmeni bashkë me djalin e tyre, Usamen; nga familja e Ebu Bekrit ishte Aishja e nderuar, Esmaja dhe djali i tij, Abdullahu.
Profeti ynë i dashur mori me vete dy deve dhe pesëqind dërhemë për të prurë ata që kishin ngelur në Mekë, dhe detyrën ua ngarkoi Ebu Rafiut me Zejd ibni Harithin. Do të shkonin të merrnin të tjerët e familjes dhe do të ktheheshin sërish në Medinë. Martesa me nënën tonë, Aishen e nderuar (r.a.)
Pas vdekjes së nënës sonë fisnike, Hatixhes së nderuar, Profeti i njerëzimit paqja qoftë mbi Të jetoi një jetë të vetme, dhe vetëm pas ndërhyrjes së të shoqes së Osman ibni Mazunit, ishte martuar për herë të dytë me Seuden, dhe njëkohësisht qe fejuar edhe me Aishen e nderuar.
Gjatë këtyre kohëve, Resulullahu kishte parë dy ëndrra njëra pas tjetrës, ku kishte parë Aishen e nderuar të veshur me mëndafsh dhe një zë që i thoshte:
Ja, kjo do të jetë gruaja jote!
Kishte tri vite që ishte fejuar me të.
Ndërkohë në Medinë kishte mbërritur edhe Aishja e nderuar bashkë me të vëllanë, Abdullahun, dhe po qëndronte në një shtëpi me babanë e saj, Ebu Bekrin Siddik.
Një ditë, erdhi Xhebraili fjalëdrejtë, dhe duke pasur parasysh Aishen e nderuar, i tha:
Martohu me të, sepse ajo është e jotja!
Pa kaluar shumë kohë, erdhi Ebu Bekri (r.a.):
O i Dërguari i Allahut! Mos ka ndonjë pengesë që ju mban larg prej asaj që është e juaja? Duke pasur parasysh atë gjë ekonomike që duhej dhënë si pajë për nusen, iu përgjigj:
Sadaku, - tha Profeti i profetëve. Me sa duket po mendonte atë pagesë që duhej dhënë në martesë.
Kjo nuk kishte fare rëndësi për Ebu Bekrin, kur njeriu për të cilin bëhej fjalë ishte vetë i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të. E me ç’vlerë mund të krahasohej një njeri si i Dërguari i Allahut? Sakaq, pranë faltores profetike u ndërtua një dhomëz për Aishen e nderuar. Njëkohësisht kjo do të thoshte se do të merrte fund jeta e përkohshme, për plot shtatë muaj, si mysafir në shtëpinë e Ebu Ejub Ensariut.
Tashmë në shtëpinë e Resulullahut do të kishte edhe një tjetër natyrë inteligjente, e cila do të gjente zgjidhje të zgjuara në ato kohë që do të ishin më të vështira për umetin e Tij. Me sa dukej, Allahu (xh.xh.) do ta merrte nën kontroll edhe njëherë tjetër të Dërguarin e Tij, kësaj here me dy sy të tjerë, duke hapur një portë të re, jo vetëm për problemet e ndryshme të lidhura me umetin, por edhe me çështje të ndryshme në lidhje me familjen.
Emocioni i Abdullah ibni Selamit për të kumtuar
Abdullah ibni Selami ishte bërë mysliman, mirëpo fisi i tij nuk ishte ende në dijeni. U vinte rrotull anëtarëve të familjes së tij, dhe kishte marrë përgjigje pozitive. Vetëm se në synimin e tij kishte më tepër se kaq. Përveç kësaj, ai njihte mirë karakterin e popullit të tij, ndaj edhe nxitonte për t’u kumtuar edhe atyre. Një ditë prej ditësh, u nis drejt të Dërguarit të Allahut, që ta ndante edhe me të një plan që po i vinte ndërmend:
O i Dërguari i Allahut!
Populli prej të cilit jam unë janë një popull tejet inatçor dhe kokëgdhë. Ata nuk e dinë ende që unë jam bërë mysliman. Dua që t’i thërrasim këtu, unë të fshihem diku, dhe Ti t’u bësh pyetje në lidhje me të parët tanë. Padyshim që kanë për të t’i mburrur, si mua, si të parët tanë. Ndërkaq, unë do të dal prej nga do të jem fshehur, dhe do t’u tregoj se jam bërë mysliman. Ke për ta parë, që pas kësaj, nuk do të më shajnë vetëm mua, por tërë të parët tanë, madje asisoj që do të garojnë me njëri-tjetrin se kush të gjejë më tepër të meta.
Sipas planit të Abdullah ibni Selamit, Resulullahu do t’u kërkonte si fillim që të jepnin fjalën. Nëse do të kishte besuar edhe Abdullah ibni Selami, ata do të besonin, duke i vërtetuar ato shenja që gjendeshin edhe në Teuratin e tyre. Këtu po ndiqej një urtësi e caktuar, kështu që plani i Abdullahut shkoi për së mbari deri në njëfarë pike. Çdo gjë ndodhi siç e kishte planifikuar Abdullahu. Të gjithë u mblodhën tek i Dërguari i Allahut. Profeti i njerëzimit u tha disa fjalë të mira, e mandej e solli fjalën tek të parët e tyre:
Ç’mendim keni për Husajn ibni Selamin, që keni në mesin tuaj? – i pyeti Ai si fillim.
E çfarë dyshimi mund të kishin? Jo vetëm Husajnin, por të gjithë familjen e tyre, i kishin parë përherë si prijës të tyre, duke i pasur si portën e vetme ku strukeshin në çfarëdo problemi që u behte përpara jetës së tyre:
Është jo vetëm zotëria ynë, por edhe biri i zotërisë sonë... Është më i dituri dhe më i mbari në mesin tonë. Ai është i pari ynë për sa i përket virtyteve dhe njohjes së librit të Allahut.
Profeti i Allahut, pasi mori këtë lloj përgjigjeje prej tyre, dhe pas tërë atyre fjalëve të mira, u tha:
Nëse Abdullahu pranon që unë jam i robi dhe i Dërguari i Allahut, dhe beson në librin e zbritur, a do të besonit edhe ju?
Megjithëse u ndërdyshën paksa, kjo nuk mund të ishte e mundur. Një dijetar hebre si Husajni nuk mund të bënte diçka të këtillë. Nuk duhet ta bënte!.. Megjithatë, nuk është se nuk shqetësoheshin se ç’mund të fshihej pas gjithë kësaj. Mirëpo ky ishte një mexhlis në të cilin duhet të tregoheshin sa më të palëkundur, dhe në mimikën e tyre nuk duhet të vërehej as minimumi i ndërdyshjes.
Po, - u përgjigjën ata. Megjithatë habia i kishte mbërthyer të tërët, dhe pakënaqësia në shpirt u pasqyrohej edhe nëpër fytyra. Për çfarë kishin ardhur dhe me çfarë po përballeshin?
Ndërkohë, Resulullahu thirri Abdullahun që të dilte prej andej nga ishte fshehur. Të gjithë, kur e panë filluan të nxirrnin mllef nga sytë. Ishin bërë si meitë. Ende nuk donin ta besonin. Kjo ose ishte ndonjë shaka, ose duhet të ishte ndonjë ëndërr, të cilës nuk kishin ç’t’i bënin për ta larguar.
Mirëpo, çdo gjë ishte e vërtetë, dhe Resulullahu (s.a.s.) pyeti Abdullahun:
O Abdullah, i biri i Selamit! A nuk jam unë i Dërguari i Allahut, për të cilin ju flitet edhe në Teurat dhe Ungjill, që ju është marrë fjala që do të më besoni, dhe që jeni urdhëruar që të më besoni prej Allahut?
Rrethendanë mbizotëronte një ftohtësi, që shprehej në fytyrat e të gjithëve. Ndërkohë, fjalën e mori Abdullahu:
Po, o i Dërguari i Allahut!
Kjo ishte e pamundur... Kaq ngjeshje pas muri nuk mund të bëhej... Duhet të kishte një rrugëdalje edhe prej këndej. Kështu që ata zgjodhën të kundërtën.
Ne nuk e dimë dhe nuk e besojmë se ti je i Dërguari i Allahut!
Megjithëse ata e dinin të vërtetën më mirë se ç’dinin fëmijët e tyre, në ishin apo jo të tyret. Gjithashtu kishin dijeni të plotë për ardhjen e revelacionit. Lëre që, vetëm pak më parë kishin thënë, se nëse besonte Husajni, do të besonin edhe ata. Apo nuk ishin këta ata që folën? Ç’nevojë kishte për më shumë fjalë? Kjo nuk ishte asgjë më tepër se shprehja e hipokrizisë dhe dyfytyrësisë së tyre.
Radha i erdhi Abdullah ibni Selamit, që t’i thoshin disa fjalë:
Ti je më i papëlqyeri dhe djali i më të papëlqyerit ndër ne!
Të gjithë sikur të kishin hyrë në një garë se kush do të thoshte më tepër fyerje në adresë të Abdullahut. Po a mund të mbulohej dielli me shoshë? Ata që mbyllnin sytë karshi rrezeve të diellit, vetëm sa i bënin natë vetes.
Ato që u përjetuan atë ditë po dëshmoheshin edhe prej vetë Allahut:
Thuaju: Pa më thoni, nëse ky Kuran është fjala e Allahut, dhe ju po e mohoni, kush mund të jetë më i padrejtë dhe më i çoroditur se ju, që të mohojë disa të dhëna të njësisë së Allahut në Teurat, kur disa i kanë gjetur edhe në Teurat dhe në Kuran, duke besuar? Padyshim, që Allahu nuk i udhëzon këta të padrejtë!
Ishte Abdullah ibni Selami ai që i kishte gjetur ngjashmëritë, ndërsa ata që mohonin ishin ajo shtresë, e cila megjithëse e shihte të vërtetën, e mohonte.
Abdullah ibni Selami i kishte parashikuar të gjitha që në fillim, u drejtua nga të parët e hebrenjve duke u thënë:
O popull i hebrenjve! Kijeni frikë Allahun dhe pranojeni atë që ju është zbritur. Vallahi që edhe ju e dini se në Teuratin që lexoni, Ky është i Dërguari i Allahut, që ia dinë të gjithë famën prej sihariqit që na është dhënë. Unë besoj me dëshmi se Ai është Profeti i Allahut
(xh.xh.).
Fytyrat e tyre ndryshuan krejt... Perdja ishte grisur tashmë, dhe tarafet ishin qartësuar më së miri. Rruga më e lehtë ishte mohimi, kështu që ata e zgjodhën menjëherë:
Ti gënjen! – thanë ata.
Që nuk do të dilte asgjë prej hebrenjve, kjo dihej. Kësaj here, Abdullahu u kthye nga i Dërguari i Allahut, për t’i thënë:
Ja, o i Dërguari i Allahut. Gjendja kjo është!.. Unë ta pata thënë se këta janë njerëz hipokritë dhe dyfytyrësh.
Zaten, kishte ardhur edhe Xhebraili, i cili kishte thënë:
Ata njerëz që u kemi zbritur libër, e njohin njëri-tjetrin ashtu siç njohin veten. Megjithatë disa prej tyre e fshehin prapëseprapë të vërtetën.
Përmendja pikërisht “Ai” dhe jo i Dërguari i Allahut tregonte se bëhej fjalë për të gjithë njerëzit e librit, dhe njëkohësisht nënkuptohej edhe Ai që përmendej si në Teurat, ashtu edhe në Ungjill. Dhe ai nuk kishte dyshim se ishte Muhamedi paqja qoftë mbi Të. Dhe ata e njihnin Atë më mirë se vetë fëmijët e tyre.
Shënimet
- 183.Buhari, Sahih, 3/1421; Ibni Sad, Tabakat, 1/236
- 184.Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/285; Salihi, Subulu’l-Huda, 3/296
- 185.Ebu Daud, Sunen, 2/699
- 186.Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/197; Ibni Kethir, Sire, 4/38
- 187.Ebu Xhafer et-Taberi, er-Rijadu’n-Nadira, 1/480; Ibnu’l Kajim, Zadu’l Mead, 3/10; Mubarekfuri, er-Rahiku’l Mahtum, 162
- 188.Ibni Maxhe, Sunen, 1/612
- 189.Ibni Hisham, Sire, 3/22 e më tej.
- 190.Ahmed ibni Hanbel, Musned, 4/340; Hindi, Kenzu’l Ummal, 12/80-1 364
- 191.Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/111
- 192.Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40
- 193.Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/211; Ibni Sad, Tabakat, 1/239-40
- 194.Shih: Ebu Daud, Sunen, 1/189; Ibni Hiban, Sahih, 4/573; Bejheki, Sunen, 1/390; Ibni Hisham, Sire, 3/40-42
- 195.Shih: Ibni Sad, Tabakat, 1/255-6; 2/363; 8/25
- 196.Shih: Bakara, 2/273
- 197.Buhari, Sahih, 3/1377
- 198.Shih: Teube, 9/4
- 199.Shih: Ibni Kethir, el-Bidaje, 3/224; Hamidullah, Profeti i Islamit, 1/206 e më tej.
- 200.Ibni Hisham, Sire, 3/31-5; M. Hamidullah, Profeti i Islamit, 1/206 e më tej.
- 201.Shih: Ahkaf, 46/10
- 202.Shih: Bakara, 2/146