ZHVILLIMI I SHUMËPRITUR
Kishin kaluar plot tri vite nga emigrimi në Medinë, dhe ishte një ditë e enjte e muajit të Sheualit. Profetit tonë të dashur, i Cili sakaq gjendej në Kuba, sapo i kishte mbërritur letra e dërguar nga Abasi i nderuar. Pasi e dëgjoi brendinë e letrës nga leximi i Ubej ibni Kabit, e u kërkoi atyre që të mos ia tregonin askujt se ç’shkruhej aty, shkoi për t’u takuar me Sad ibni Rebian.
Mirëpo, kurejshët, të cilët kishin marrë dhe mbështetjen e fiseve të tjera përreth, kishin filluar të bënin përgatitjet, e ishin vënë në lëvizje për ta mbledhur disi plagën e marrë në Bedër, që të merrnin hak njëherë e mirë prej myslimanëve. Madje kurejshët edhe mallin dhe pasurinë e arritur prej karvanit që drejtonte Ebu Sufjani, e përdorën për përgatitjet për një tjetër luftë, pa llogaritur pastaj edhe shumë kontribute të tjera, që ushtria që do të përballej kësaj here me myslimanët të ishte më e fuqishme. Në ajetin që do të sillte Xhebraili në radhë, do të jepej ky informacion:
- Nuk ka më dyshim, se ata mosbesimtarë, janë duke mbledhur para që të luftojnë me njerëzit e rrugës së Allahut. Janë duke mbledhur, por nuk e dinë se edhe ajo që po mbledhin do t’u dalë përkundër në luftë.
Resulullahu, me të marrë këtë lajm, u kërkoi disa prej shokëve të Tij, që të niseshin një orë e më parë, për të marrë vesh ndonjë gjë për ushtrinë e kurejshëve që do t’i sulmonte.
Sahabët si Sad ibni Muadhi, Usajd ibni Hudajri, apo Sad ibni Ubade, të cilët e kuptonin mjaft mirë rëndësinë e kësaj situate, filluan të mblidhnin armët ku i kishin, e vazhdonin të kryenin detyrën e rojës pa i ndarë armët për asnjë çast nga brezi.
Ushtria e Mekës
Kishte ardhur lajmi se ushtria mekase përbëhej prej tremijë ushtarësh, brenda të cilëve ishte edhe kontributi i shumë fiseve përreth.
Kishte shumë njerëz si babai i Handhalës, Amri, i cili kishte shkuar që nga Medina për t’u përfshirë në radhët e tyre. Po vinin të hipur mbi tremijë deve dhe mbi dyqind kuaj. Komandant i kalorësve ishte Halid ibni Velidi, ndërsa në krah i rrinte i biri i Ebu Xhehlit, Ikrimja, për ta ndihmuar.
Që të entuziazmoheshin e të nxiteshin më së tepërmi në luftë, kishin marrë edhe gratë me vete. Paria i kishin të gjithë bashkëshortet me vete. Qëllimi i kësaj ishte ruajtja e nderit, duke ia parandaluar ndokujt, që as të mos i shkonte nëpër mend se mund të kthehej. Sepse, sado që të sigurtë ishin në vetvete, nuk mund t’i mohonin kryekreje mangësitë e tyre.
Me pak fjalë, ushtria mekase i kishte mbledhur të gjitha mundësitë që i duheshin për luftë dhe po përparonte në drejtim të Medinës.
Me të mbërritur në Ebua, bashkëshortja e Ebu Sufjanit, Hind binti Utbe, e cila kishte humbur shumë të afërm në betejën e Bedrit, kishte një dëshirë kafshërore, që ta hapte me thonj varrin e nënës së Profetit, por nga frika se mos diçka e tillë bëhej zakon, e vinte një ditë që këtë e bënin edhe karshi varreve të të parëve të tyre, e ndaluan atë që të bënte diçka të atillë.
Të gjithë ata që ishin të hidhëruar po si Hindi prej betejës së Bedrit, këndonin këngë dhe thurnin poezi për t’i entuziazmuar ushtarët. Donin që ta mbanin sa më të gjallë ushtrinë që po i afrohej qytetit të Medinës.
Këshillim me sahabët
Ushtria e mekasve ishte afruar deri pranë Uhudit. Uhud do të thoshte Medinë. Ushtria mekase, e cila kishte ardhur me njëfarë madhështie gjer këtu, po prisnin tanimë të gatshëm për ta bërë një me dheun tërë qytetin e Medinës.
Paria e sahabëve ishte mbledhur gjithashtu. Ishte Profeti ynë i dashur pqmT që po këshillohej me ta. Pasi kjo ishte një ngjarje ndryshe nga ajo e Bedrit. Në fakt, edhe kur ishin nisur për në betejën e Bedrit, e kishin bërë një mbledhje të tillë, ku kishin nxjerrë një vendim të përbashkët, e nuk kishte se si të mos vepronin po njëlloj edhe kësaj here. Sepse ajeti që pati prurë Xhebraili (a.s.) e urdhëronte si diçka tejet të domosdoshme këshillimin ndër vedi, pasi kjo ishte edhe rruga më e mirë për ta ndërgjegjësuar popullin.
Fillimisht, ata morën në shqyrtim lajmet që vinin nga mekasit. Ishte e vërtetë, ata po u vinin përballë me një ushtri që përbëhej prej tremijë vetësh, megjithëse sahabët, pa harruar këtu as ata që ishin dërrmuar krejt prej betejës së parë, e as ata që ishin bërë myslimanë pas saj.
Ndërsa Ai, thoshte se nuk duhet të dilnin kurrsesi nga qyteti, por të rrinin e ta ruanin pikërisht prej andej. I Dërguari i Allahut kishte parë një ëndërr, të cilën e kishte ndarë me sahabët e Tij ditën e premte, me të aguar.
Për Zotin, unë kam parë një ëndërr që, në këllëfin e shpatës sime ishte hapur një vrimë, ndërsa dorën e futa brenda një mburoje të mirë!
Kur të gjithë, ngase donin që çdo grimëçast të jetës së Tij ta kthenin në parim të jetës së tyre, e pyetën se cila ishte përmbajtja e kësaj ëndrre, Ai ia ktheu se delet që thereshin shenjonin disa nga sahabët e Tij që do të binin dëshmorë; vrima në këllëfin e shpatës ishte një fatkeqësi që do t’i ndodhte Atij vetë, por edhe shenjë se një i afërm i Tij do të kthehej në mysliman. Ndërsa mburojën Ai e interpretonte se duhet të dinin si të mbroheshin brenda në qytet, pa u larguar prej Medinës. Prandaj, mendimi i Tij ishte që të mos ndaheshin prej Medinës. Ndoshta do ta kishin më të lehtë që ta kapnin armikun teksa sorollatej nëpër rrugicat e qytetit. Duke i ndarë detyrat mirë, ata mund të ndaheshin nëpër qytet, duke e pasur çdo zonë nën kontroll të përhershëm. Ndoshta aty mund t’i ndihmonin edhe gratë prej çative të shtëpive.
O i Dërguari i Allahut! Ne zaten ishin në pritje të një dite të tillë, madje edhe po i luteshim Zotit që të na e bënte të mundur. Tashmë, Ai na i pranoi, dhe jo vetëm kaq, por edhe na i pruri armikun deri në portë. Dalim më mirë jashtë që të luftojmë me të, ballë për ballë. Të dalim e të përfytemi jashtë, që të mos mendojmë se patëm frikë, andaj edhe nuk dolëm.
Kjo ishte një mbledhje këshillimi, prandaj edhe i Dërguari i Allahut donte që ta zbatonte në çdo detaj atë, që edhe të kthehej mandej në një rregull për të gjithë besimtarët, ngase ajo ishte njëkohësisht edhe një urdhër i Allahut (xh.xh.). Ai ishte profet me të vërtetë, por mendimi i shumicës duhej zbatuar, andaj ata morën vendimin që ta prisnin ushtrinë armike jashtë qytetit.
Tanimë, për qytetin e Medinës po fillonte një periudhë e ankthshme. Sepse që prej kohës që u fal namazi i sabahut të ditës së premte, tema e çdo bisede ishte se si do të përballeshin me ushtrinë mekase. Profeti ynë i dashur bënte çdo përllogaritje të mundshme, dhe i nxiste sahabët e Tij gjithnjë në drejtim të mbrojtjes së qytetit.
Edhe tema e namazit të xhumasë, pikërisht beteja e radhës ishte. Profeti ynë, gjatë ligjëratave këmbëngulte më së tepërmi mbi çështjet e besimit, duke i këshilluar, se për aq kohë sa veprojnë të duruar dhe me vendosmëri, edhe ndihmesa dhe triumfi i Allahut do të ishte me ta. I nxiste ata që ta ruanin me mish e me shpirt vendin e tyre.
Nga njëra anë bëheshin edhe përgatitje të tjera që ishin po aq të nevojshme. Në mes të sahabëve mbizotëronte një atmosferë prej feste. Ishin kapluar prej një emocioni të atillë, sikur po shkonin në dasëm në Uhud, dhe jo në luftë. Me zor po prisnin derisa të takoheshin me tregtarët e mllefit për t’ua treguar edhe njëherë qejfin.
Vendosmëria
Pasi falën edhe namazin e ikindisë, Profeti ynë (s.a.s) bashkë me Ebu Bekrin dhe Omerin e nderuar, u larguan për në dhomën e lumturisë së Profetit. Dukej, që do të vishte armët dhe parzmoren, e do të dilte përballë besimtarëve. I duhej të merrte prijësinë e tyre përballë ushtrisë turfulluese të mohimit. Njerëzit ishin mbledhur sakaq të gjithë në një mjedis mes dhomës së lumturisë dhe faltores.
Sahabë të nderuar, si Sad ibni Muadhi apo Usajd ibni Hudejri, u flisnin atyre, duke u komentuar edhe ajetet që zbrisnin nga qielli, ëndrrën që kishte parë Profeti i tyre i dashur, pa harruar të përfshinin edhe ndjenjat e emocionet që mbizotëronin në fytyrat e të gjithëve.
Megjithëse Ai ju foli juve për ajetet dhe ëndrrën që kishte parë, ju prapë e detyruat që të merrte një vendim për të dalë jashtë qytetit. Ejani, ndërroni mendje, e le t’ia lëmë Atij në dorë këtë vendim. Bëni veç atë që ju urdhëron Ai! – thoshin ata.
Ata, teksa flisnin tërë këto fjalë, ishin veshur të gjithë me mburoja mbi mburoja, kishin mbërthyer mirë çallmat e tyre, e po ashtu edhe shpatat nëpër belet e tyre. Kur, sakaq nga porta ia behu Profeti ynë i dashur. Në fytyrat e Sad ibni Muadhit, Usajd ibni Hudejrit, por edhe të besimtarëve të tjerë që kishin dëgjuar fjalët e tyre filloi të dukeshin shenjat e një pendimi. Të kundërshtoje fjalën që kishte thënë Profeti, mund të të sillte shumë të këqija nga pas. Sepse çdo hap që do të hidhej gabim nga ata që ishin “më të afërmit”, do të thoshte t’i hapje portën gjithë gabimeve të tjera mandej. Me kokat të ulura ata thanë:
O i Dërguari i Allahut! Ne të detyruam Ty, mirëpo neve nuk na shkon aspak që të bëjmë diçka kundër fjalës Sate. Mund të bëjmë ç’të duash, përfshi këtu edhe qëndrimin brenda Medinës.
I Dërguari i Allahut, i cili e pa kthimin e sahabëve të Tij, në vend që të kthente mendje, u tha:
Më parë, kur desha unë, ju nuk deshët. Nuk i shkon një Profeti që ta heqë mburojën e Tij pasi e ka veshur, pa qenë Allahu Ai që ia urdhëron. Tashmë shihni ta bëni mirë atë që vendosi Allahu, dhe bindjuni çdo fjale të Tij. Ejani, të nisemi me emrin e Allahut! Për aq kohë sa do të bëni durim, fitorja do të jetë e juaja.
Ajo që kuptohej së këndejmi, ishte se ajo që u vendos në fillim sajë vendosmërisë së disave, ishte më e rëndësishme se disa të mira që mund të mendoheshin më vonë. Andaj, Profeti ynë i dashur, donte që t’ua tregonte hapur këtë. Allahu i kishte thënë Atij:
Kur të marrësh një vendim me anë të këshillimit me besimtarët, sillu i vendosur, dhe ki besim tek Ai, duke iu dorëzuar Atij i tëri.407 Vendimi merrej atëherë kur bëhej mbledhja e këshillimit. Tanimë ishte pjesa ku ata duhet të tregonin vendosmërinë e tyre në vendimin që kishin marrë.
Djelmoshët e kthyer mbrapsht
I Dërguari i Allahut, para se të niseshin në drejtim të Uhudit, mendoi t’i kthente mbrapsht të gjithë djemtë që i dukeshin shumë të rinj për të luftuar. Abdullah ibni Omeri, Usame ibni Zejdi, Usajd ibni Dhuhejri, Zejd ibni Harithi, Zejd ibni Erkami, Arabe ibni Eusi, Amr ibni Hazmi, Ebu Said Hudriu, ishin disa prej djemve që u kthye mbrapsht atë ditë. Të gjithë këta rioshë po përjetonin një trishtim të thellë që nuk do ta kishin mundësinë për t’u kapërfytur me idhujtarët e Mekës.
Në mes të atyre që u kthyen mbrapsht nuk kishte vetëm të rinj. Përveç atyre që do t’u kërkonte që të rrinin për të mbrojtur qytetin e Medinës, Profeti ynë i nderuar nuk i kërkoi, as idhujtarëve të atjeshëm, e aq më pak hebrenjve, që të dilnin në luftë bashkë me Të. Madje Ai i ktheu mbrapsht edhe ata që po merrnin pjesë si vullnetarë. Nuk i mori, pasi kjo ishte një përballje mes besimit dhe mohimit. Dhe nga kjo luftë fitimtarët mund të ishin ata që e merrnin frymëzimin parësor prej besimit që u ishte ndezur ndër zemra. Andaj, kur erdhën në vendin e quajtur Shejhejn, me të parë disa njerëz që vinin të veshur edhe mirë madje, pyetën se kush ishin ata, por pastaj kur mësuan se ata ishin një grup mosbesimtarësh, tha:
- Nuk bën që të marrim ndihmë prej idhujtarëve për të luftuar kundër idhujtarëve, - duke u theksuar se për të ndriçuar rrugën e besimit ata do të merrnin ndihmë vetëm prej besimtarëve.
Atë ditë, Resulullahu e kishte ndarë ushtrinë të tri grupe kryesore. Flamurin e muhaxhirëve e mbante Aliu i nderuar, të fisit të Eusëve e mbante Usajd ibni Hudejri, ndërsa nga fisi i Hazrexhëve e mbante Hubab ibni Mundhiri.
Në Medinë kishin lënë si mëkëmbës sërish Abdullah ibni Umi Mektumin. Ishin gjithsej njëmijë vetë. Dhe ndërmjet tyre vetëm njëqind kishin mburoja të veshura. Në krye të kalorësve ishte vendosur Zubejr ibni Auami, dhe pa harruar atë që shëtiste nëpër Uhud pa veshur kurrfarë mburoje. Ai ishte Hamzai i nderuar. Ishin sërish vetëm sa një e treta e ushtrisë kundërshtare. Po kështu kishte ndodhur edhe në betejën e Bedrit. Vetëm se ata kishin një karakteristikë, se nuk i frikësoheshin asnjëherë as vdekjes, e aq më pak epërsisë së idhujtarëve. Të bije dëshmor, për ta ishte një synim që nuk po e arrinin dot.
Në mbrëmje, Profeti ynë i dashur, bashkë me sahabët e nderuar, erdhën të gjithë në Uhud. Ishte ky pikërisht vendi ku ata vendosën të falnin namazet e mbrëmjes dhe të jacisë, pas ezaneve të kënduara prej Bilalit (r.a.).
Profeti ynë i nderuar, në çdo betejë përdorte nga një taktikë të ndryshme. Pasi edhe ushtria mekase, do të kishte kaluar goxha kohë duke u përgatitur në bazë të taktikës që ata kishin përdorur në betejën e Bedrit. Për të, Uhudi duhet të kishte një taktikë plotësisht të ndryshme nga ajo e Bedrit. Me këtë, Profeti ynë tregonte se ishte përherë një hap para armiqve të Tij, duke qenë Ai përherë përcaktuesi i ndodhive të ditës. Fliste drejtpërsëdrejti me zemrat e njerëzve, duke planifikuar që të ishte gjithnjë koherent me çdofarë zhvillimi që mund të ngjaste.
Largimi i hipokritëve
Ishte sërish ditë e shtunë. Ende pa lindur mirë dielli, u dëgjua edhe njëherë zëri i bukur i Bilalit. Tashmë të gjithë ishin lidhur, e do të falnin sabahun pas të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Në mes të ushtarëve vërehej njëfarë gjallërie jo për mbarë. Nuk kaloi shumë kohë, kur doli edhe shkaku përse gjithë kjo lëvizshmëri. Abdullah ibni Ubej ibni Seluli, bashkë me treqind hipokritë të tjerë po ktheheshin mbrapsht. E kjo tashmë donte të thoshte se çdo ushtari mysliman i binte të luftonte me pesë vetë prej ushtrisë së kundërshtarëve, e cila përbëhej prej tremijë ushtarësh. Kjo mund të quhej ndryshe edhe marrja e kalasë nga brenda për myslimanët, pasi ky veprim nuk bënte gjë tjetër, pos lëkundjes që sillte në gjendjet shpirtërore të besimtarëve.
Del në luftë me kalamanj, e nuk ma vë veshin, të më dëgjojë se ç’them unë! Nuk e dimë as se ku jemi duke shkuar, e si do t’ia lëmë veten të tjerëve që të na vrasin sa hap e mbyll sytë, – përflisnin ata.
Dukej qartë që Allahu i Madhërishëm nuk dëshironte që përkrah Profetit të nisur si Mëshirë për Botët të gjendeshin edhe hipokritë. Andaj, për të mos shkaktuar dëme të mëvonshme, të cilat do të ishin të pariparueshme, po ia pastronte rrugën që pa u bërë vonë. Sepse cilësitë e Tij të bukura mund t’i mbanin vetëm njerëz të dimensioneve të Tija. Sidomos gjatë një periudhë të këtillë, njerëzit që do të rrinin përkrah Tij duhet të ishin njerëz që i drejtoheshin Zotit me sinqeritet dhe përkushtim.
Abdullah ibni Harami rendi pas tyre dhe u tha këto fjalë:
O populli im! Për hir të Zotit, mos ikni! Po ju paralajmëroj. S’ka ngelur edhe shumë kohë nga përballja me armikun. Mos e turpëroni veten tuaj, dhe fisin, duke e lënë vetëm të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të.
Vetëm se atyre, jo për të kuptuar jo e jo që nuk u kishte ngelur pikë fuqie, por as për të dëgjuar nuk ia kishin ngenë. Jo vetëm që nuk kthjelloheshin e t’i vinin veshin fjalëve të drejta, por ata iu kthyen Abdullah ibni Haramit me këto fjalë:
Nëse do të dinim të luftonim, ne nuk ju linim ju vetëm për vetëm me ta. Edhe ti, po të na dëgjosh neve, bën mirë të kthehesh me ne për në shtëpi. – flisnin ata me njëfarë sjellje sikur ishin në pozicionin e mësimdhënësit. Abdullahu pasi e pa vendosmërinë e tyre, vazhdoi:
Ah ju, armiq të Zotit! E ç’mund të bëj unë më tepër për ju? Po a e lë Allahu të Dërguarin e Tij të ngelet sa të ketë nevojë për ndihmën tuaj?!
Largimi i tyre ishte shkak gjithashtu që në mesin e besimtarëve të lindnin disa kundërshti. Ndërsa njëra palë i shihte ata si njerëz “që duheshin vrarë”, pala tjetër ishte kundër këtij mendimi. Për pak, fiset Benu Harithe dhe Benu Selime do të nisnin një luftë ndër vedi.
Ishte prapë i Dërguari i Allahut (s.a.s.) që i vendoste pikën këtij debati:
Ardhja jonë deri në Uhud, përveçse rrugëtimi drejt një përballjeje është edhe një sprovë eliminimesh. Ashtu siç ndahen skoriet prej arit dhe argjendit, kur ato vendosen në flakë të nxehta, edhe rrugëtimi ynë ndan skoriet e bashkësisë së florinjtë.
Madje, një pjesë e ensarëve, me të marrë vesh për largimin e Abdullah ibni Ubej ibni Selulit me treqind ushtarë të tjerë, shkoi menjëherë për te Profeti i Njerëzimit, për t’i thënë që të paktën të kërkonin ndihmë me shpërblim prej ndoca prej hebrenjve të Medinës, mirëpo Profeti ynë i Dashur iu përgjigj:
Ne nuk kemi nevojë për ta, - dhe me të njëjtën sjellje të mospëlqimit, u mundua t’ua tregonte atyre se përse ishte më e rëndësishme që ushtria e tyre të përbëhej vetëm prej besimtarësh të sinqertë.
Hutbeja e Uhudit
Këtej e tutje njëqind veta do të vinin në Medinë, kështu që shpatullat do t’i kishin në drejtim të malit të Uhudit. Donte edhe pak kohë që të dilte namazi i sabahut, andaj ata vendosën që të kryenin faljen.
Pas namazit, Profeti ynë i Dashur u kthye nga sahabët e Tij, dhe foli me ta gjerë e gjatë. Kjo ishte hutbeja e fundit përpara se të fillonte lufta. Duke folur prej Librit të Allahut, Ai u bënte atyre të qartë dallimin mes të lejuarës dhe të ndaluarës. Krenaria e Njerëzimit, që u ndal më tepër te bashkësia dhe lidhja e fortë ndërmjet individëve të saj, po fliste për të sikur të ishte duke folur për pamjet e para që do të shihnin ata që binin dëshmorë gjatë kësaj beteje. Afër fundit, u kërkoi sahabëve që të merrnin trajtën e përgatitur për luftë, e kështu filloi t’i kontrollonte vetë radhët e ushtarëve. Tashmë ushtria ishte plotësisht gati, kur nga Profeti i Njerëzimit erdhi edhe një tjetër paralajmërim:
Askush të mos e nisë luftimin pa marrë urdhër prej meje!
Deri më tani Ai kishte zgjedhur rreth pesëdhjetë shigjetarë, duke u vënë mbi krye Abdullah ibni Xhubejrin si komandant. Edhe ata u paralajmëruan prej Profetit:
Mbajini sa më larg nesh ata kalorësit atje! Mos i lini të na vijnë e të na godasin nga pas. Edhe sikur të duket se beteja po mbaron me ngadhënjimin tonë, ju prapëseprapë mos i lini pozicionet. Në të kundërt, mund të pësojmë ndonjë goditje pas shpine. Edhe sikur të shihni se ne kemi hyrë deri në mesin e tyre, e po i mundim, ju prapëseprapë mos lëvizni vendit. Mos u largoni prej vendeve tuaja, pa parë që t’ju urdhëroj unë! Nëse shihni se ne po vritemi, as për të na ndihmuar mos t’ju shkojë nëpërmend që të lëvizni. Përkundrazi, ju vazhdoni t’i shigjetoni ata, sepse kuajt i stepen shigjetave që rrjedhin karshi tyre. Si dhe, mos e harroni, për aq kohë sa ju nuk lëvizni vendit, fitorja është e jona!
Gjendja e ushtrisë mekase dhe shkëndija e parë
Zaten ushtria mekase ishte më se e përgatitur për të luftuar. Vetëbesimi, me të cilin kishin ardhur deri në Uhud, u vihej re në çdo pjesë të fytyrës. Halid ibni Velidi kishte zënë anën e djathtë dhe po priste bashkë me dyqind kalorës. Këta ishin ata kalorësit për të cilët paralajmëronte Profeti i Njerëzimit. Ndërsa pjesa e majtë e ushtrisë ishte lënë në duart e Ikrimes, djalit të Ebu Xhehlit. Në krye të pijadeve ishte Safuan ibni Umeje, dhe në krye të shigjetarëve ishte Abdullah ibni Ebi Rebia. Flamurin ia kishin lënë ta mbante Talha ibni Ebi Talhaja.
Gjatë një çasti që nxehja ndërmjet të dyja anëve kishte arritur kulmin, një grup prej pesëdhjetë vetësh, të cilët me në krye babanë e Ebu Handhalës, Ebu Amrin, kishin ardhur prej Medinës deri në Uhud në anën e besimtarëve, aty ishin larguar prej tyre për të mbajtur anën e idhujtarëve, e sikur të mos mjaftonte, tani po luftonin edhe kundër tyre. Madje ata edhe filluan të sulmonin.
O fisi i Eusit, - bërtiste ai në krye të grupit.
Ndërsa ata që e panë se ai që po i sulmonte ishte Ebu Amiri, ia kthyen:
Ah fëlliqësirë që Zoti të marrtë shikimin! E pas këtij reagimi, lufta quhej e filluar.
Me këtë shkëndijë nisi flaka e luftës, dhe ndërkaq filluan të dëgjoheshin zërat e grave të kurejshëve. Ato nxisnin ushtarët e tyre kundër myslimanëve me poezi dhe këngë të ndryshme. Me goditjet që ato bënin mbi daullet që kishin marrë me vete, cytja për t’u treguar sa më të egër ishte e pashmangshme.
I Dërguari i Allahut, i Cili e vuri re menjëherë këtë fakt, filloi të lutej:
- O Allah! Vetëm me emrin Tënd hidhem në sulm, e po vetëm me emrin Tënd rend mbi armikun; përballja ime me këtë farë armiku bëhet vetëm për emrin Tënd, o Allah! Ti je i Vetmi ku unë mund të gjej mbështetje, Sa mbështetje e mirë që je Ti!
Prijësi i umetit
Më në fund, në mesin e idhujtarëve doli njëri, i cili kërkonte ndonjë trim që të përballej drejtpërsëdrejti me të. Njerëzit, me të parë qëndrimin e tij tërë madhështi, u duk që u tërhoqën paksa. Burri, i cili po priste mbi devenë e tij në ngjyrë të përhime, e përsëriti fjalën e tij edhe njëherë për të dytën herë, e mandej edhe për të tretën. Pas një qëndrimi ashtu pa folur të asnjërit, Zubejri u hodh një hap para. Lëvizte aq shpejt saqë ata që e ndiqnin me sy nga pas e kishin thuajse të pamundur ta kapnin çdo lëvizje të tijën.
Një të mbërritur pranë devesë së idhujtarit që rrekej t’u shiste mend gjithë besimtarëve, porsi luanët që i hidhen sipër gjahtarëve të tyre, u vërsul mbi devenë e tij. Kjo ishte një panoramë që nuk i ishte rastisur shoqja ndonjëherë më parë. Përleshja e tyre po bëhej mbi devenë e idhujtarit. E kishte kapur aq keq armikun, saqë nuk po ia lejonte as ta lëvizte nga vendi shpatën. Profeti i Njerëzimit, i Cili po e ndiqte nga larg tërë këtë pamje, tha:
Kush e ka shpinën më afër tokës ka për të vdekur!
Vështrimet u drejtuan edhe njëherë andej nga po bëhej përleshja. Të gjithë po merrnin një frymë rehat. Pa kaluar shumë kohë, Zubejri i dha edhe goditjen e fundit mohuesit që tashmë ishte rrëzuar prej devesë së tij, duke e bërë atë që të shtrihej i pajetë mbi sipërfaqen e pluhurt të tokës.
Çdo profet ka nga një dishepull. Dishepulli im është Zubejri, - shtoi Krenaria e Njerëzimit paqja qoftë mbi Të.
Pas këtyre fjalëve u kthye nga sahabët e Tij fisnikë. Ishte një pikë e dobët, ndaj të cilës ata duhet të tregoheshin shumë të kujdesshëm e ta kuptonin.
Nëse nuk do të dilte Zubejri në këtë dyluftim, do të dilja unë.
Disfata e ushtrisë mekase
Të parët ishin flamurmbajtësit ata që binin. Në vend të atij që binte, vinte një tjetër, e kështu me radhë, por për të gjithë sikur të ishte shkruar i njëjti fat. Atë ditë të Uhudit, nga e njëjta familje ranë dëshmorë shtatë vetë.
Tashmë detyra e mbajtjes së flamurit u ngeli grave mbi supe. Ushtria e idhujtarëve po pësonte humbje pas humbjeje. Me t’i rënë në tokë koka atij që sapo e merrte flamurin, në mes tyre nuk kishte ngelur askush që të merrte guximin për të kryer atë detyrë. Ishte pikërisht një grua, Amra binti Alkameja që deshi ta merrte përsipër këtë detyrë.
Vetëm se tanimë ishte tepër vonë. Nuk kishte më asnjë kuptim që ai flamur të valëvitej edhe njëherë. Kishte kohë që ushtria e tyre kishte filluar të zgjidhej si kokrrat e një kalliri të shprishur. Gratë e mohuesve po e copëtonin mishin e tyre që ushtarët e tyre të ktheheshin, por ata jo që jo, rendnin kush të humbte më parë prej syve. Vetë Hindi, gruaja e Ebu Sufjanit, u dilte përpara burrave trima që tanimë u kishin filluar të dridhurat, e duke e bërë veten e saj si një barrikadë kur hapte krahët, i ndalonte që të ktheheshin.
Nuk ishte vetëm flamuri që një më dy plandosej për dheu. Deri në çastin kur atë e mori në dorë Amra binti Alkameja, në mes të idhujtarëve vdiqën shumë njerëz, për të mos u ngritur dot më më tej.
Tashmë, myslimanëve u kishte ngelur veç t’i ngrinin e t’i ndiqnin me vrap. Allahu (xh.sh.) po u bënte atyre të mundur një tjetër fitore.
Çasti që nuk u ruajt dot delikatesa në bindjen ndaj urdhrit
Atë ditë, kalorësit e ushtrisë së mekasve kishin sulmuar për tri herë me radhë, por ishin kthyer prapë mbrapsht nga stuhia e heshtave që ua kishin ndërprerë vështrimin, e bashkë me të edhe sulmin. Me të vërtetë, kuajt e kishin të pamundur të përparonin kah ajo shumësi shigjetash dhe heshtash. Tanimë po kuptohej më së miri paralajmërimi i përsëritur aq shumë herë prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
Vetëm se lëvizjet nga t’u mbanin këmbët të ushtrisë mekase bënë
që në mesin e shigjetarëve të ndodhnin disa ndarje në mendimet e tyre. Disa prej shigjetarëve, me të parë ecurinë e kësisojshme të luftës, filluan t’i drejtoheshin kështu të tjerëve:
O njerëz! Shihni se ç’mall lufte... shihni, gjithë ky mall! Përse rrini të gjithë këtu si të tulatur, kur Allahu na fali gjithë këtë mall, duke i bërë mekasit që të pësojnë edhe njëherë disfatë. Ja, po e shihni që sërish janë vëllezërit tanë fitimtarë. Le t’u shkojmë nga pas mekasve e të fillojmë të mbledhim mall bashkë me vëllezërit tanë.
Këto fjalë po tregonin grisjen e parë në perden e Uhudit. Dukej sikur e kishin harruar fare kuptimësinë e urdhrit profetik. Dukej që e kishin interpretuar si të rrinin aty derisa lufta të dukej se ishte fituar. Vetëm se Profeti ynë i pati këshilluar me këmbëngulje, që të rrinin aty derisa të përfundonte krejt lufta, duke ia tërhequr vëmendjen sidomos te ky fakt.
Haptazi, kjo do të thoshte të hapje një vrimë në hartën e luftës. Abdullah ibni Xhubejri, bashkë me disa të tjerë që mendonin si ai, u trembën përballë këtyre fjalëve, andaj iu kthyen atyre me këto fjalë:
A nuk e dëgjuat Resulullahun (s.a.s.) tek ju thoshte: “Ju do të na ruani ndaj çdo rreziku që mund të na vijë nga pas shpine.” Sa shpejt që i harruat fjalët e Tij.
Sipas tyre, këto paralajmërime nuk duhet të kuptoheshin kurrsesi kështu siç i interpretonin vëllezërit e tyre që po i kritikonin. Edhe ata kishin disa mendime në të cilat mbështeteshin:
Resulullahu, teksa na thoshte të gjitha këto që përsëritët ju, nuk e kishte aty fjalën.
Interpretimi që ata po bënin, tregonte sikur duhet të niseshin një sahat e më parë për të mbledhur plaçkë lufte. Aq sa, tanimë krah Abdullah ibni Xhubejrit kishin ngelur vetëm një grusht shigjetarësh.
Në anën tjetër ishte Halid ibni Velidi që një rast të tillë kishte kohë që mezi po e priste. Bashkë me ta ishin edhe dyqind kalorës që po e kuptonin më së miri gjithë ç’po ndodhte. Po përgatiteshin të gjithë që t’i sulmonin nga pas. Halid ibni Velidi nga ana tjetër, do të ndihmohej edhe prej Ikrime ibni Ebu Xhehlit.
Një lëshim, sado i vogël që dukej nga jashtë, ishte duke ndryshuar të gjithë fatin e luftës. Kjo ishte një përvojë e hidhur, por kuptohej mirë, se jo vetëm kaq, por Profeti ynë i Dashur i kishte dhënë sakaq një mësim të mirë krejt njerëzimit, jo vetëm atyre shigjetarëve, nëpërmjet këshillave të Tij. Me një fjalë, urdhrat që vinin prej njeriut që ke mbi krye, duhen zbatuar pa u vënë më parë në peshoren e gjykimit apo interpretimit. Kur të jetë nevoja për ndonjë interpretim tjetër, është më e mira që fillimisht ajo t’i bëhet e ditur njeriut që qëndron në krye.
Grupet e kalorësve, në këtë ambient ku nuk mbërrinte shiu i shigjetave, po realizonin një sulm të suksesshëm. Puna e parë e tyre ishte që të rrëzonin dëshmorë Abdullah ibni Xhubejrin me ata pak shigjetarë që kishin ngelur atje, të bindur ndaj këshillave të Profetit të tyre të Dashur. E më tej, me tërë fuqinë e tyre, do të sulmonin ushtrinë e myslimanëve, të cilët po mblidhnin plaçkë lufte, kur ushtria mekase kishte marrë rrokopujë, duke ikur nga sytë këmbët për andej nga kishin ardhur. Në vesh të vinin zërat:
Për hir të Uzës! Në emër të Hubelit! – ishin disa prej murmurimave që ngriheshin në qiell si këlthitje. Me ç’dukej era e mëngjesit kishte ndryshuar drejtim, e tanimë po ecte kundër fatit të myslimanëve.
Atë ditë, mbi Uhud po ngrihej një re pluhuri që nuk kishte bërë vaki asnjëherë më parë. Sepse, tani, përballë myslimanëve që ishin përballur me armikun e egër e të pamëshirshëm, po vinte edhe ajo pjesë e ushtrisë mekase që kishte nisur të kthehej e mundur. Myslimanët gjendeshin tani midis dy zjarreve.
Në sytë e të gjithëve ishte e qartë atmosfera e një paniku të papërshkrueshëm. Në mesin e myslimanëve kishte aq shumë që patën menduar se lufta mbaroi, saqë një pjesë e mirë i kishin lënë shpatat më një anë. Kjo ishte një psikologji e çlirimit nga detyra e luftës, pasi gjithçka gjoja kishte përfunduar. Në shpatullat që kishin ardhur deri në Uhud me frikën se nuk do të ishin të denjë për Resulullahun (s.a.s.), tanimë qëndronte një ngarkesë akoma më e rëndë. Me sa duket, ky hap që ishte hedhur në fillim, do të sillte edhe disa gabime të tjera nga pas, por ky do të ishte në fakt një mësim për të gjithë ata që do të vinin më pas.
Ashtu siç kishte ndodhur në Bedër, edhe këtu po dëgjohej një zë:
O robër të Allahut! Shihni vëllezërit tuaj, dhe rendni edhe ju në mesin e tyre që të luftoni!
Ky zë fillimisht nxiti ata idhujtarë që po ktheheshin mbrapsht, të cilët, me të parë se Halid ibni Velidi bashkë me Ikrime ibni Ebu Xhehlin po sulmonin mbi myslimanët, u kthyen edhe njëherë në fushën e betejës.
Mesazhi që pruri Xhebraili Fjalëdrejtë (a.s.) do të mund të shprehej me këto fjalë:
Allahu e mbajti fjalën e dhënë për ndihmën që ju dërgoi: Ju, me lejen e Tij, ishit duke e mundur armikun. Kështu, fjala e Tij e dhënë po realizohej deri në çastin që po ju tregohej fitorja, që aq shumë e dëshironit! Mirëpo më vonë, ju u treguat të pabindur, filluat të mendonit ndryshe prej urdhrit që ju ishte dhënë, treguat çarje midis vedi. Disa prej jush, në ato çaste, mendoi për interesa të kësibotshme, e disa të tjerë menduan për interesa të lidhura me botën e përtejme. Kështu që, Allahu (xh.xh.) për t’ju sprovuar, e tërhoqi ndihmesën që po ju jepte, e saora ju u mundët. E bashkë me të, Allahu ju fali juve gjynahet tuaja. Allahu është zotëruesi i vërtetë i mirësisë dhe ndihmesës.
Ndërsa djalli që kishte marrë trajtën e Xhual ibni Surakasë, në majë të kodrës së Ajnejnit, thoshte këto fjalë:
Muhamedi u vra!
Këto ishin dy fjalë që do ta rrëzonin përtokë gjendjen shpirtërore të çdo besimtari mysliman. Çdo fatkeqësi vinte pak më e madhe se e para, saqë e bënte të harrueshme atë të mëparshmen. Të gjithë besimtarëve iu këputën krahët, e iu shterën fuqitë. Me të dëgjuar këto fjalë, ata filluan të thoshin:
Nëse ka vdekur me të vërtetë Resulullahu (s.a.s.) atëherë le ta sakrifikojmë veten tonë duke luftuar për hir të fesë që Ai na pruri. Le të qëllohemi derisa të biem dëshmorë ashtu siç i ka hije një besimtari. Nuk ishin të paktë ata që thoshin këto fjalë. Vetëm se asnjë orvatje e myslimanëve që kishin ngelur në mes të dy zjarreve nuk do t’u bënte dot ballë dy zjarreve që i kishin rrethuar ata.
Të gjitha këto lindnin si rezultat i mosbindjes ndaj urdhrit të të Dërguarit të Allahut. Sepse po të dëgjohej fjala e Mbretit të mbretërve,
Profetit të mbarë njerëzimit, Muhamedit paqja qoftë mbi Të, atëherë kjo disfatë nuk do të kishte ndodhur, e sakaq do të dilej nga kjo luftë me një fitore të paqtë dhe fitimprurëse si në rastin e betejës së Bedrit.
Ndërsa tani do të kishim të bënim me një gjendje tejet të vështirë, e sipas kësaj gjendjeje duhej nxjerrë dhe një strategji që të ishte sa më e frytshme.
Durimi i Profetit tonë (s.a.s.)
Në këto çaste që fushëbeteja ishte kthyer në një shesh gjykimi, Resulullahu nuk kishte bërë as lëvizjen më të vogël, por kishte qëndruar i palëvizur në vendin e Tij. Ai po rrinte në vendin më të afërt me ushtrinë e mosbesimtarëve, duke shigjetuar çdonjërin syresh që afrohej drejt Tij. Në këto çaste i ishte thyer edhe njëri prej grepave të harkut që mbante në duar. Pranë kishte vetëm shumë pak veta, të cilët gërthisnin se do ta bënin edhe fytyrën e tyre mburojë, nëse do të ishte nevoja për të mbrojtur të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të. I Dërguari i Allahut, me t’i parë ata që po tërhiqeshin të frikësuar.
- Eja menjëherë këtu tek unë, – i tha njërit syresh, - unë jam i Dërguari i Allahut, që ky lajm të përhapej dhe ushtria e përçarë të mund të mblidhej edhe njëherë kundër armikut.
I Dërguari i Allahut kishte ngelur në mes të harbimit të luftës. Idhujtarët, me ta parë se Profeti po ia arrinte qëllimit që t’i mblidhte edhe njëherë ushtarët e Tij rreth vetes, vendosën ta përfshinin Atë në një stuhi tjetër shigjetash.
Për një çast u dëgjua zëri i Abdullah ibni Shihabit:
- Tregomëni Muhamedin! – thoshte ai. Sepse nëse ai shpëton sot, atëherë mua dimëni të vdekur.
Dhe teksa e thoshte këtë, nuk e vinte re, që e kishte në krah të tij. Villte gjithë atë vrer, se gjoja do të vriste të Dërguarin e Allahut, por ç’e do se nuk po e shihte se ku gjendej. Safuan ibni Umeje do të tallej shumë me të në të ardhmen pasi ai nuk kishte arritur as të shihte njeriun që e kërkonte aq shumë dhe e kishte në krah.
Vetëm se ky nuk ishte një problem vetëm për Abdullah ibni Shihabin. Bashkë me të ishin edhe katër shokë të tij që vuanin se nuk po e gjenin dot Muhamedin, por që në fakt e kishin aq pranë. Ishin marrë vesh me njëri-tjetrin që të përpiqeshin me jetë a vdekje, por ta vrisnin Profetin. Megjithatë asnjërit nuk iu bë mbarë që t’ia plotësonin dëshirën vetes.
Atë ditë aty gjendeshin aq shumë trima, si Aliu i nderuar, Zubejr ibni Auami, Talha ibni Ubejdullahu, Ebu Duxhane, Harith ibni Thime, Hubab ibni Mundhiri, Asim ibni Thabiti dhe Sehl ibni Hunejfi, të cilëve nuk ua bënte syri tërt përballë asnjë armiku, sado i fuqishëm të ishte ai. Dhe ishte një përcaktim hyjnor që ata u kthyen të gjithë gjallë prej kësaj lufte kaq të përgjakshme. Këta njerëz që i kishin ndryshuar rrjedhën betejës së Uhudit, po i jepnin njerëzve të së ardhmes pikërisht këtë mesazh: “Nëse doni që të dilni përherë të fituar në zgjidhjen e problemeve, duhet të gjendeni përherë me nijet të pastër dhe veprim të pandërprerë përballë çdo gjëje që mund t’ju zërë shikimin.” Zaten edhe exheli, megjithëse në pamje të parë është i fshehtë për të gjithë njerëzit, në plan të paracaktimit hyjnor ai është i mirëpërcaktuar, kështu që nuk mund të bëhej fjalë për kurrfarë ndryshimi. Gjithë ata njerëz që luftonin njëkohësisht duke mbartur edhe frikën, “Aman se mos vdes!”, dhe që u kthyen shëndoshë e mirë nëpër shtëpitë e tyre, nuk ishin të paktë për të qenë nga një shembull i mirëfilltë i kësaj gjendjeje.
Synimi i vërtetë dhe përfundimi i hidhur
Padyshim që qëllimi i vetëm i idhujtarëve ishte i Dërguari i Allahut, kështu që të gjithë ishin vendosur në radhë, kush ta sulmonte më parë Atë. Një idhujtar i quajtur Utbe ibni Ebi Uakas, goditi katër herë me radhë me gura, e njëri prej tyre ra mbi fytyrën e bukur të Profetit tonë të dashur paqja qoftë mbi Të. Kështu që Atij iu thye dhëmbi i djathë poshtë, nga të parët, e buzët filluan t’i gjakoseshin prej plagës. Shigjetat dhe gurët që binin mbi të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) nuk kishin të reshtur. Për një çast u dëgjua zëri i Ibni Kamias:
Na edhe njëherë! Unë jam ibni Kamia, - thoshte ai, dhe godiste njëra pas tjetrës në drejtim të Krenarisë së Njerëzimit.
Allahu të ardhtë hakut! – i përgjigjej i Dërguari i Allahut.
Kush do t’u dalë kundër gjithë këtyre, -u dëgjua prej Tij, por pas pak u dëgjua një tjetër zë.
Unë, o i Dërguari i Allahut!
Kur u kthye shikimi andej nga kishte ardhur zëri, u duk fytyra e një gruaje, e cila në duar mbante një matara uji, me dorën të cilën e kishte të mbledhur me një bezë. Kjo nuk ishte asnjë tjetër, pos Nesibe binti Kabit, e cila kishte ardhur në Uhud menjëherë sapo e kishte kuptuar rëndësinë e gjendjes në të cilën ndodheshin myslimanët. Ishte afruar deri pranë të Dërguarit të Allahut, e po mundohej që ta mbronte nga goditjet që vinin në drejtim të Tij. Edhe ajo tundte shpatën e saj, e kur ishte nevoja edhe godiste me shigjeta, duke u munduar kësisoj, që edhe ajo vetë, të mund t’i jepte hakun luftës. Një të dëgjuar Ibni Kamian, që ngjante se po i ushtronte trysni të Dërguarit të Allahut me fjalët e tij të mbrapshta, u nis në drejtim të tij bashkë me Musab ibni Umejrin, duke kërkuar kësodore që ta vriste. Vetëm se Ibni Kamia atë ditë kishte veshur dy parzmore, e asnjëra prej goditjeve të Nesibes nuk do të vlenin për kushedi çfarë.
Musab ibni Umejri, i cili atë ditë po mbante në dorë flamurin e të Dërguarit të Allahut, po luftonte ashtu siç i ka hije vetëm një luani të vërtetë. Madje, është aq e hidhur të thuhet, se në Uhud merrnin pjesë edhe shumë mekas të cilët kishin ardhur deri aty enkas për të marrë hakun e Bedrit. Në mes tyre gjendeshin edhe nëna e Mus’abit, Hunasi, e bashkë me të edhe vëllai i tij, Ebu Aziz ibni Umejri, i cili, edhe ai kishte qenë një nga pengjet e betejës së Bedrit, por ishte lëshuar përkundër taksës që ishte vendosur.
Mus’abi kishte një besim të çeliktë, të cilit ishte e pamundur të mund t’i qëndroje përballë. Kjo përçarje e shkurtër e kishte çoroditur krejtësisht. Në njërën dorë kishte flamurin, në tjetrën shpatën, e po luftonte me gjithë shpirt.
Ibni Kamia ishte betuar se do të vriste Resulullahun. Mus’abi i veshur me parzmore ngjante jashtëzakonisht shumë me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Andaj Mus’abi ishte kthyer në synimin kryesor të idhujtarëve. Sakaq, Ibni Kamia u ngul përballë tij. Në fillim ishin shpatat ato që u bënë gati, dhe goditjet filluan të ndiqnin njëra-tjetrën. Kjo ishte një përballje tejet e ashpër, e cila u finalizua me rënien dëshmor të Mus’ab ibni Umejrit. Megjithëse trupi i tij e mbaroi funksionin e planifikuar, shpirti i tij shëtiste krahëhapur në mes të vëllezërve të tij...
Megjithëse iku Mus’abi, flamuri nuk mund të ngelej përtokë. Tani, atë po e mbante në duar një engjëll në pamjen e Mus’abit.
Ibni Kamia besonte se kishte vrarë Resulullahun. U kthye i gëzuar nga kurejshët, dhe u dha lajmin “e gëzueshëm” se kishte vrarë Muhamedin. Gëzimi në mes tyre nuk kishte të shpjeguar. Kjo fjalë jehoi në gjithë sipërfaqen e Uhudit. Disa syresh po lëshonin shpatat... disa të tjerë u këputën krejt prej hidhërimit.
Omeri i nderuar u kthye në një të çmendur me të dëgjuar këto fjalë:
Të mos dëgjoj prej askujt, se “Muhamedi vdiq!”, ose kam për t’ia ndarë kokën prej trupit.
Sepse ai e kishte të pamundur ta besonte një diçka të këtillë.
Për një çast, Malik ibni Duhshuni shkoi pranë Harixhe ibni Zejdit për t’u siguruar se ishte e vërtetë ajo që thuhej për vdekjen e Muhamedit. Harixhja me të dëgjuar këtë pyetje, iu përgjigj:
Edhe sikur të kenë vrarë Profetin tonë, dije se Allahu është Jetëdhënës (Hajj), kështu që Ai kurrsesi nuk mund të vdesë. Zaten i Dërguari i Allahut e kreu misionin që i ishte ngarkuar prej Zotit. Kështu që më mirë çohu dhe lufto siç të takon për fenë që Ai të pruri!
Një sjellje e ngjashme do të vinte edhe prej Sad ibni Rebisë. Patën shkuar edhe pranë atij, dhe përgjigjja ishte e njëjtë. Kjo ishte çështja për të cilën sahabët ishin më të ndjeshëm, kështu që të gjithë po pësonin një goditje çmendurie. Sa mirë që koha që ata të merrnin veten nuk zgjati shumë, dhe duke marrë parasysh përjetësinë e kumtit që u pati prurë Profeti i nderuar, vendosën që ta jepnin edhe jetën për hir të rrugës që Ai u pati mësuar. Ata madje ua theksonin edhe të tjerëve sesa e domosdoshme ishte që të jepej edhe jeta, nëse do të ishte e nevojshme, për një çështje kaq të madhe.
I pari që e vërejti se Profeti i dashur ishte gjallë, e nuk kishte vdekur siç ishte thënë, dhe që ua përhapi lajmin e gëzuar edhe sahabëve të tjerë, ishte Kab ibni Maliku. Çdokujt që ai haste, i thoshte:
- E pashë me këta sy! I është mbushur fytyra në gjak, por është i gjallë. O besimtarë! Sihariq! Ja ku është i Dërguari i Allahut, - thoshte ai, dhe kësodore ua bënte të ditur të gjithëve, se i Dërguari i Allahut ishte ende gjallë, në mes tyre. Uhudi do të merrte edhe njëherë jetë nëpërmjet këtij zëri. Edhe njëherë zbriti jeta në Uhud.
Vetëm se i Dërguari i Allahut e paralajmëroi Kabin, i cili gati sa nuk fluturonte prej gëzimit, që të heshtte. Sepse një sjellje e këtillë do të thoshte t’i jepje armikut një adresë të sigurt.
Megjithatë, sërish mëshirë
Harku i Profetit tonë të dashur ishte thyer, dhe dy pjesë të tij me maja kishin goditur fytyrën e bekuar të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
Nuk kishte ngelur vetëm me kaq, por edhe ishte rrëzuar në një prej gropave, që Ebu Amiri, i cili ishte larguar në anën e mosbesimtarëve, i kishte hapur si kurth për të zënë besimtarët. Ishte në një gjendje sikur nga çasti në çast do t’i binte të fikët.
Këto ishin disa pamje që sahabët i pikëllonin më tepër se çdo gjë tjetër. Aliu i nderuar u hodh i pari që ta ndihmonte. Saora në gropë zbriti edhe Talha ibni Ubejdullahu, ku Ai rrinte në këmbë duke u mbajtur mbi një heshtë. Ata po e ndihmonin Atë që të dilte prej andej me tërë atë peshë të dy parzmoreve. Pa kaluar shumë kohë, Talhas i erdhi në vesh një kompliment shumë i ëmbël:
Sot, Talhaja i meritoi të gjitha.
Tanimë atij i kishte ikur e gjithë lodhja e Uhudit, dhe i kishte harruar të gjitha vuajtjet e luftës. Talhaja i nderuar u bë me krahë prej gëzimit. Tanimë ai po jetonte një lumturi që nuk e kishte ndjerë asnjëherë përgjatë gjithë jetës.
Megjithatë, Krenaria e Njerëzimit ishte ende shumë i prekur; a mund të silleshin kështu me një profet që e kishte falur gjithë jetën e Tij vetëm për t’i nxjerrë ata në bregun e shpëtimit? Nga njëra anë fshinte gjakun që i lagte mjekrën e bekuar, ndërsa nga ana tjetër bënte pyetjen e përsëritur, se si mund të gjente shpëtim një popull që gjakoste gojën e Profetit të vet. Kur Ai vetëm se po i ftonte drejt rrugës së shpëtimit, në kohën që ata ftonin vetëm drejt rrugës së djallit. Ai i ftonte kah udhëzimi, e ata nga shthurja... Ai i ftonte ata për në Xhenet, e ata e ftonin Atë për në Xhehenem...
Kjo ishte një panoramë e padurueshme për të gjithë besimtarët. Nga fytyra e Profetit, për të Cilin ata ishin gati të falnin edhe jetën, po rridhte gjak. Ata që afroheshin që ta ndanin sadopak hidhërimin e Tij, ngrinin duart e nuk i kursenin mallkimet për ata që kishin guxuar të bënin diçka kaq të pahijshme.
Hapi duart dhe mallkoji o i Dërguari i Allahut! – thoshin ata njëzëri.
As në këtë rast nuk i ngrinte duart Ai, për të mallkuar ata që nuk kishin lënë dhimbje pa i shkaktuar. Teksa fshinte mjekrën e bekuar, që mbulohej herë pas here nga gjaku, thoshte:
Unë nuk u dërgova për t’i mallkuar njerëzit, por për t’i thirrur drejt mëshirës.
Si në çdo rast kur hasej ndonjë vështirësi e madhe, edhe kësaj here erdhi Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili u sillte edhe njëherë paralajmërimin se ngarkimin me detyrën fisnike të besimit, apo dënimin e të paudhëve, e kishte në dorë vetëm Allahu i Madhërishëm. U thoshte atyre, se megjithëse sot armiq të paepur, në mesin e tyre kishte aq shumë veta, që do të vinte dita, e ata do të deklaronin se ishin kthyer në anën e besimtarëve. Zaten kjo ishte edhe ajo që kërkonte i Dërguari i Allahut, kështu që hapi menjëherë duart, dhe filloi të lutej me këto fjalë:
O Zot, fale Ti popullin tim, se ata nuk dinë!
Kishte nga ata trima, që përballë këtyre fjalëve, thanë fjalë të ngjashme, të ashpra, si ato të Omerit të nderuar:
Nëna dhe babai im të qofshin falë, o i Dërguar i Allahut! Si mund të thuash kështu Ti, kur edhe Nuhu (a.s.) pati thënë: “O Zoti im! Mos i jep njerëzve të drejtën të jetojnë të lumtur, madje shuaja racën atyre!” Ti që, fytyra po të rrjedh gjak, dhëmbi të është thyer, e prapëseprapë po lutesh për ata, duke thënë: “O Zot, fale Ti popullin tim, se ata nuk dinë!”. Kur mjafton që Ti të lutesh njëherë, e Allahu na shuan të gjithëve njëherë e mirë, me farë e me fis, derisa të mos gjejmë dot më shpëtim.
Ky ishte ndryshimi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). I Dërguari i Allahut që kishte ardhur në këtë botë pikërisht për t’i marrë njerëzit për dore derisa t’i nxirrte drejt majave të përsosmërisë, nuk linte shkas që as në raste të tilla të vështira të kërkonte rrugë të paqes dhe qetësisë shpirtërore.
Megjithëse sjellja e Profetit ishte e këtillë, sahabët prapëseprapë nuk do ta linin asnjëherë me kaq gjakun e Tij të bekuar. Hatib ibni Ebi Belteaja me ta parë situatën, dhe më tepër mllefin e mbledhur në sahabët që rrinin përkrah Tij, e pyeti:
Kush ta bëri këtë o i Dërguari i Allahut, - pyeste ai me këmbëngulje.
E Resulullahu e tha krejt ashtu pa zë emrin e atij që e kishte goditur:
Utbe ibni Ebi Uakasi.
Hatib ibni Ebi Belteaja ishte i vendosur.
E ku është tani ai? – e pyeti ai edhe njëherë të Dërguarin e Allahut paqja qoftë mbi Të.
E Ai i tregoi atij vendin për nga ishte larguar Utbeja. Me të marrë shenjën e të Dërguarit të Allahut, Hatib ibni Ebi Belteaja mori drejtimin për andej, me shpatën të nxjerrë, dhe pa humbur shumë kohë, e gjeti dhe e vrau. Ndoshta kjo për të Dërguarin e Allahut do të merrte kuptimin, se duke u pastruar prej një njeriu të atillë, do të mund të shfajësonte një popull të tërë. Kështu që, i Dërguari i Allahut, për të shprehur gëzimin e Tij, i tha:
Allahu qoftë i kënaqur prej teje! - e mandej u lut edhe njëherë.
Nga një dhëmb i humbur për çdo pjesë shigjete
Ebu Bekri i nderuar, me të parë gjakun që kishte mbuluar mjekrën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), deshi të hidhej menjëherë në sulm. Sepse për një prekje të vockël të të Dërguarit të Allahut, sikur edhe njëmijë Ebu Bekirë të flijoheshin, nuk do të kishte kurrfarë rëndësie. Vetëm se nuk ishte vetëm ai që mendonte kësisoj. Njëri prej tyre ishte edhe Ebu Ubejdeja, i cili doli në krye dhe tha:
- Për hir të Allahut, lejomë të ta nxjerr unë atë.
Sa më shumë që afrohej, aq më shumë prekej. Sepse Resulullahu po përpëlitej sa vjen e më tepër nga dhimbjet që i shkaktonin ato pjesë të ngelura në brendësi të mishit.
Ebu Ubejde iu afrua me shumë delikatesë të Dërguarit të Allahut. Fillimisht ai e mbajti me dorë, lehtësisht, nga maja, vetëm se dihej se ajo do t’i shkaktonte dhimbje të Dërguarit të Zotit paqja qoftë mbi Të. Fillimisht ai mendoi që ta tërhiqte me dhëmbë atë pjesë që kishte ngelur jashtë, e dukshme. Në fillim ai kafshoi njërën, e tërhoqi me lehtësi, dhe sakaq njëra pjesë tashmë ishte hequr. Në fakt, sa mirë, ajo doli, por bashkë me të doli edhe diçka tjetër. Bashkë me të ishte shkulur edhe njëri prej dhëmbëve të Ebu Ubejdes.
Ebu Bekri i nderuar e pa këtë gjë, andaj shprehu dëshirën që tjetrën ta nxirrte ai. Mirëpo Ebu Ubejdeja nuk donte që ta linte këtë fat, dhe e mori këtë punë për sipër duke u betuar për Allahun se nuk do t’ia linte. E kafshoi sërish atë pjesë të shigjetës dhe e nxori, por bashkë me të ra edhe një dhëmb tjetër.
Hamzai bie dëshmor
Gjatë gjithë betejës së asaj dite përballë të Dërguarit të Allahut qëndronte vetëm xhaxhai, por edhe vëllai i tij i qumështit, Hamzai. Vetëm prej duarve të atij njeriu, që ndër njerëz quhej ndryshe “luani i Allahut” ishin vrarë plot tridhjetë e një vetë. Ishte ai vrasësi i disa prej flamurtarëve të idhujtarëve, duke qenë një nga pikat kyçe në shtyrjen që ata të pësonin disfatë disa herë. Ishte e pashmangshme që një luan i tillë të mos i kishte edhe armiqtë të shumtë. Mbi të gjitha, ishte ai që e kishte vrarë Tuajme ibni Adijin, xhaxhanë e Xhubejr ibni Mut’imit gjatë betejës së Bedrit. Kështu që Xhubejri, pati thirrur pranë vetes Vahshiun, skllavin e tij për t’i thënë:
Nëse vret Hamzanë, xhaxhanë e Muhamedit, i cili vrau xhaxhanë tim, dije se që nga ai çast je i lirë.
Atyre ditëve liria ishte dëshira më e madhe e një skllavi, kështu që edhe Vahshiu i kishte mprehur mjaft mirë shpresat. Çdo natë ngryste, e çdo agim gdhihej me ëndrrat për të vrarë Hamzanë. Ngaqë në hedhjen e shtizës ishte mjeshtër, tanimë ai kishte filluar të stërviste edhe grushtin, e çdo çast nuk e linte të shkonte pa u stërvitur me hedhje shtizash.
Uhudi ishte ndoshta rasti më i mirë për të, prandaj ai gjatë gjithë betejës vetëm ruante për të gjetur një rast të mirë nga ku ta shihte më mirë shënjestrën e tij, Hamzanë e nderuar. Vetëm se atij ishte e pamundur që të mund t’i afroheshe nga afër. Për një çast, kur arriti që ta shihte më qartë, për të qenë më i sigurt, vendosi që të pyeste dikë nga njerëzit përreth:
Kush është ai burri atje?
Hamzai!
Ai që po kërkoja, - tha ai me vete, dhe sakaq filloi t’i afrohej duke u fshehur sa pas një peme, sa pas ndonjë guri. Kur po në atë çast, Hamzait të nderuar i doli përballë Siba ibni Abdiluzza.
Eja këtu, - i tha ai, duke e vrarë edhe atë. Ndërkaq Vahshiu ishte afruar aq sa për ta pasur të lehtë që ta godiste, dhe po priste rastin më të mirë i fshehur pas një guri. Për një çast, Hamzait i ishte liruar edhe parzmorja. Kjo ishte koha më e duhur për Vahshiun, kështu që ai e vërviti heshtën e tij.
Heshta iu ngul drejt e në kraharor. Edhe në atë gjendje, Vahshiu kishte dëshirë të ecte në drejtim të tij, vetëm se diçka e tillë ishte thuajse e pamundur. Vahshiu as nuk e çonte dot nëpër mend se si mund të afrohej deri atje, madje edhe aty ku ishte e përkapi për një çast se tulatja nuk po dinte të mbaruar.
Sakaq Hamzai i nderuar po e dorëzonte shpirtin e tij si prijësi i gjithë dëshmorëve. Ndërsa Vahshiu tashmë ishte një njeri që kishte fituar lirinë e tij. Zaten nuk kishte asnjëfarë qëllimi tjetër, u afrua dhe e nxori heshtën prej kraharorit të Hamzait, ia hapi atë, dhe prej andej nxori mushkërinë, të cilën ia çoi në fillim Hindit. E dinte se edhe ajo ishte jashtëzakonisht shumë e mllefosur karshi Hamzait. Të gjithë të afërmit e saj, përshi edhe babanë, ia kishte vrarë ai në betejën e Bedrit. E qartë, donte të shihte ndofarë lëvdate për punën që kishte kryer.
Kjo është mushkëria e Hamzait, - tha ai. Sytë e Hindit u hapën sa për katër. Në sytë e saj vërehej lehtë emocioni se haku i saj ishte marrë.
Dhe Vahshiu, me të vërtetë që do ta merrte shpërblimin e merituar. Hindi fillimisht filloi ta hante me dhëmbë mushkërinë e Hamzait, e kur e pa se nuk po e kafshonte dot, e hodhi përtokë. Këto ishin çastet kur inati kishte kaluar çdo lloj caku. Pasandaj u kthye nga Vahshiu, të cilit i dhuroi gjithë ç’kishte, varëset, byzylykët dhe një pelerinë të bukur që e kishte hedhur krahëve. Duke i premtuar edhe dhjetë dinarë kur të ktheheshin nga lufta në Mekë.
Ndihmesa hyjnore dhe rigrupimi
Të gjithë po e shihnin se ç’të sillte një anashkalim i vogël. Ndoshta do të shihnin edhe shumë dëme të tjera në të ardhmen, por Allahu po ia tregonte këtë të gjithë atyre që gjendeshin përreth Profetit tonë, për t’ua tërhequr vëmendjen drejt një pike shumë të rëndësishme.
Sepse ngadhënjimi kalonte përmes bindjes së plotë ndaj Allahut (xh. xh.) dhe të Dërguarit të Tij (s.a.s.).
Tani të gjithë tregoheshin aq të kujdesshëm, saqë kishin filluar të garonin, kush e kush të sakrifikonte edhe jetën e tij për të shpëtuar atë të të Dërguarit të Zotit. Këta njerëz, që njëherë mbroheshin krah kodrës, e njëherë dilnin në sulm të menjëhershëm, po e tregonin mjaft qartë se sa të vendosur ishin në luftën që bënin. Kishin dhënë edhe njëherë fjalën për të vdekur, dhe ishin betuar, se sido që të shkonte puna, nuk do t’u shkonte as nëpër mend që ta linin Atë paqja qoftë mbi Të vetëm. Tashmë ishin kapërcyer të gjitha përvojat e hidhura që ishin pësuar si pasojë e braktisjes së kodrës prej shigjetarëve, por edhe e lënies së shpatave prej disave, dhe ishte sërish i Dërguari i Allahut që po bënte ligjin në fushëbetejën e Uhudit. Ky ishte ndryshe emri i kthimit të disfatës në triumf, andaj zotëruesi i zgjuarsisë, Profeti ynë i nderuar, Muhamedi paqja qoftë mbi Të po përgatiste panoramën e fundit që do të ngjyrosej me ngjyrat e fitores.
Një sinqeritet i atillë mund të dekorohej vetëm prej mirësisë së Allahut, andaj në zemrat e të gjithëve Allahu (xh.xh.) zbriti një qetësi të ngrohtë shpirtërore. Mbi ata ra një ndjesi aq e ëmbël gjumi, që dukej sikur do t’u binin shpatat nga duart, e ata nuk po e kuptonin. Njerëz si Ebu Talhaja, i merrnin sërish shpatat që u binin, por nga ndikimi asaj farë ndjesie, ishte e pamundur që të mos u rrëshqisnin shpatat nga duart. Ky ishte sikur mbi tërë ato dhimbje të kalonte një sfungjer pastrimi. Dukej qartë se bëhej fjalë për një ndihmesë hyjnore, e që të gjitha këto vuajtje pas pak do të gjenin fund.
Në mes të atyre që do të ndihmonin në fushëbetejë kishte edhe prej engjëjve. Lëre që ata gjendeshin aty që prej fillimit të luftës. Allahu kishte premtuar se do t’i ndihmonte besimtarët duke u dërguar edhe pesëmijë engjëj si ndihmës. Vetëm se kjo ishte një çështje e lidhur drejtpërsëdrejti me bindjen ndaj urdhrave të Allahut(xh.xh.) dhe të të Dërguarit të Tij (s.a.s.).
Ndërsa tani, të gjithë ishin të përdëlluar, duke e futur veten në një garë kush e kush të sakrifikonte më shumë në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta njerëz, që nga njëra anë tërhiqeshin anës malit, nga ana tjetër tregonin tërë sinqeritetin e tyre në këtë rrugë duke i dhënë luftës atë që ajo kërkonte. Kishin premtuar edhe njëherë më shumë për të vdekur, kështu që kjo do të thoshte se do të luftonte derisa frerët e luftës t’i kishte sërish i Dërguari i Allahut (pqmT). Tashmë i kishin tejkaluar vështirësitë e përvojës së hidhur që kishin përjetuar duke lënë bosh anën kodrinore, ku disa syresh kishte ndodhur që t’i linin shpatat. Ishte kohë që i Dërguari i Allahut kishte filluar edhe njëherë të zotëronte luftën. Ajo panoramë që në pamje të parë dukej sikur ishte disfatë, tanimë po kthehej në triumf. I Dërguari i Allahut po përgatiste tablonë e fundit të një arritjeje që do të finalizohej me fitore në këtë fushëbetejë të Uhudit.
Patjetër që një sinqeritet i tillë do të shpërblehej prej mirësisë së Allahut. Ai do t’u zbriste edhe njëherë atë rehati shpirtërore që ua pati zbritur në betejën e Bedrit. Mbi ta zbriti sërish një ndjesi e ëmbël gjumi, e cila i bënte gati t’u binin shpatat prej duarve. Do të vinte çasti që gjithë këto vuajtje do të gjenin fund.
Kishte edhe shumë engjëj që u vinin atyre në ndihmë në Uhud.
Megjithëse ata kishin qenë të pranishëm nga fillimi e deri në fund të luftës; Allahu kishte premtuar se do t’i ndihmonte ata me anë të pesëmijë engjëjve. Vetëm se kjo ishte e lidhur me delikatesën që do të tregohej në bindjen ndaj të Dërguarit të Allahut, prandaj edhe engjëjt ishin tërhequr kur kishin parë mosmarrëveshjen që kishte lindur në mes të shigjetarëve.
Atë ditë, të gjithë sahabët patën parë dy luftëtarë të veshur krejt në të bardha, të cilët i rrinin Resulullahut (s.a.s.) nga të dyja anët. Ata ishin Xhebraili dhe Mikaili (a.s.). E shihnin se si ata e ndihmonin Atë përballë çdo rreziku që mund t’i kanosej.
Edhe vendin e Mus’ab ibni Umejrit (r.a.) që ishte vrarë prej Ibni Kamias po e zinte po një engjëll, i cili i veshur po si Mus’abi mbartte flamurin e të Dërguarit të Allahut.
Tërhiqet ushtria e mekasve
Koha sikur kishte ndaluar në Uhud; të dyja anët kishin dhënë shumë humbje të mëdha, aq sa Ebu Sufjani e shihte si humbje nëse do të sulmonin edhe njëherë kundër ushtrisë së Muhamedit paqja qoftë mbi Të. Ata kishin filluar edhe njëherë ta mblidhnin veten, e kjo i kishte frikësuar ata tej mase. Ata nuk po e kuptonin arsyen përse ishin larguar ata treqind ushtarë; ndoshta ata vinin edhe njëherë. E kjo do të thoshte drejtpërsëdrejti ekzistencë e rrezikut të afërt. Zaten nuk e kishin harruar aspak atë që u kishte ngjarë në fillim të betejës. Mbi të gjitha, të mos harrojmë, se ai ishte një nga ata që e njihte më së miri se ç’bënin myslimanët kur fitonin epërsinë e luftimeve.
Gjëja e parë që i erdhi në mendje ishte ta thërriste ushtrinë që të ktheheshin, e të mos e njollosnin atë gjysmëfitore që kishin arritur gjer tani. Por prapëseprapë kishte diçka që nuk ishte ende i sigurt, prandaj i hipi edhe njëherë kalit e u nis deri në afërsi të Uhudit.
- A e keni Muhamedin në mesin tuaj? – iu drejtua ai një grupi besimtarësh.
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) i kishte paralajmëruar sahabët e Tij që më parë.
Mos i ktheni përgjigje atij njeriu!
Prandaj edhe nuk doli asnjë zë prej tyre. Ai e përsëriti edhe tri herë
të tjera atë pyetje kur e pa se ata nuk po i përgjigjeshin. Dukej që nuk ishte bindur akoma. Mandej, duke e pasur fjalën tek Ebu Bekri, tha:
Mirë atëherë, por ibni Ebi Kuhafe, a gjendet midis jush?
Profeti ynë nuk donte sërish që ata t’i përgjigjeshin.
Po Omer ibni Hatabi, a është midis jush? – pyeti ai kësaj here.
Dukej qartë që e njihte mjaft mirë anën tjetër, sepse po i thoshte një e nga një të gjithë emrat që mund të ishin në krye të betejës. Ata tanimë e kishin kuptuar, se sipas pyetjeve të tyre, ai do të merrte një vendim për luftën. Prandaj, edhe i Dërguari i Allahut, nuk e ndryshoi aspak sjelljen e Tij. Ai po i këshillonte ata, se duhet të vazhdonin duke mos u përgjigjur. Omeri i nderuar mezi po duronte pa i kthyer atij përgjigjet që meritonte. Pati kërkuar leje të posaçme sa herë që pyetej, por Profeti ynë assesi nuk ia pati lejuar.
O i Dërguari i Allahut! A t’i përgjigjem unë?
Në Uhud sikur kishte nisur një tjetër luftë, por kësaj here ishte një luftë psikologjike.
Mirë, përgjigju tani, - i dha Resulullahu leje Omerit që të fliste.
Ndërkohë, Ebu Sufjani ishte kthyer nga populli i tij dhe po bërtiste:
Këta qenkan vrarë! Po të ishin gjallë medoemos do të përgjigjeshin.
Ai nuk e kishte përfunduar ende fjalinë e tij, kur në mbarë ambientin përreth Uhudit u dëgjua zëri buçitës i Omerit të nderuar.
Pse gënjen, o armiku i Allahut! Allahu i la atë të gjithë gjallë vetëm për të të nxjerrë ty faqezi! Mos u gëzo aq shpejt, sepse të gjithë emrat që përmende pak më parë janë të gjithë shëndoshë e mirë.
Ebu Sufjani, po përjetonte një tjetër tronditje përbrenda. Kjo do të thoshte se Ibni Kamia kishte gënjyer veten. Me një fjalë, ai që ishte vrarë nuk kishte qenë Muhamedi, as Ebu Bekri, as Omeri. Nëse të gjithë këta emra jetonin, atëherë kjo do të thoshte që e kishin shumë të vështirë të vazhdonin më tej. Tashmë ishte akoma më i bindur se duhet të ktheheshin andej nga kishin ardhur. Nuk mund ta hidhte më në rrezik pjesën e mbetur të ushtrisë.
O Hubel i lartë! – klithi ai fillimisht më shumë si për të fituar kohë. Me pak fjalë, donte të thoshte se besimi i tyre ishte më i lart se i tyri.
Në anën tjetër qëndronte Krenaria e Njerëzimit, i Cili i tha Omerit të nderuar:
Ngrihu, o Omer, ktheju përgjigje!
Kush mund ta mbante më Omerin, më trimin e trimave.
Padyshim që më i madhi dhe më i larti është Allahu! – tha ai.
Kjo ditë është një ditë e ngjashme me ditën e Bedrit. Atë ditë ishit ju ata që na mbytët në mërzi, ndërsa sot është e kundërta, jemi ne që do të largohemi fytyrëqeshur e të gëzuar. – thoshte Ebu Sufjani.
Asnjëherë nuk mund të jenë të dyja e njëjta gjë, - përsëriti Omeri, - ndërkohë që dëshmorët tanë hapin krahë drejt Xhenetit, ushtarët tuaj ka kohë që i kanë rënë Xhehenemit pash e më pash.
Ebu Sufjani nuk donte të ngelej mbrapa në fjalë, prandaj shtoi:
Këtë e thoni ju. E nëse ajo është e vërtetë, atëherë mjerë ne! Lëre pastaj, që ne kemi Uzën, të cilën ju nuk e keni.
E cila fjalë mund ta mundte Omerin e nderuar.
Zoti ynë është Allahu; ju nuk keni askënd që t’ju mbrojë, – bërtiti ai kësaj here.
Vetëm se Ebu Sufjani nuk i kishte tejkaluar ende tensionet që ndiente përbrenda. I foli edhe njëherë Omerit të nderuar, të cilit i kërkoi që të afrohej paksa. Pasi mori leje edhe prej të Dërguarit të Allahut, Omeri lëvizi në drejtim të tij.
Po të pyes për Allahun, o Omer? – pyeti ai. – Thuamë të vërtetën, a e vramë Muhamedin?
Edhe unë po të betohem në Allahun se nuk është e vërtetë, – ia ktheu Omeri. – Madje Ai po ta dëgjon zërin tani, teksa ti je duke folur.
Ti je njeri më i mirë dhe më Fjalëdrejtë se Ibni Kamia, – belbëzoi ai.
Ja, ky ishte emri i të përfaqësuarit siç e meritonte i Islamit. Edhe sikur për Uhudin të bëhej fjalë, Ebu Sufjani nuk kishte për të besuar njeriun e tij, por e kishte më të lehtë të besonte prej armikut, kundër të cilit kishte flakëritur shpatën gjatë gjithë luftës.
Ju keni për të parë shumë të vdekur në mesin tuaj, të cilëve u janë copëtuar fytyrat e trupi. Ju betohem se unë nuk isha i një mendjeje me diçka të tillë, u thashë edhe të tjerëve, duke u munduar që të pengoja sa të më vinte dore. Kujdes! Në fillimin e vitit tjetër, vendi i takimit le të jetë Bedri, si herën e kaluar, – shtoi ai, dhe sakaq u kthye për në radhët e ushtrisë mekase.
Një t’u kthyer në mesin e ushtarëve të tij, dha urdhër për t’u kthyer drejt e në Mekë.
Ndërsa Ebu Sufjani kthehej bashkë me ushtarët e tij, i Dërguari
i Allahut (s.a.s.) donte që të ishte i sigurt që kjo të mos ishte ndonjë manovër e radhës prej Ebu Sufjanit. Pasi kishte edhe frikën se mos duke kaluar përmes Medinës u bënin ndonjë të keqe myslimanëve që kishin mbetur atje. Andaj i thirri sahabët pranë, për t’i këshilluar që t’i ndiqnin ata këmba-këmbës derisa t’i largoheshin Medinës.
Nëse ata largohen duke u hipur deveve, pa zbritur nga ato, do të thotë se nuk kanë për të shkaktuar dëme gjatë rrugës, mirëpo nëse hipin mbi kuaj, atëherë do të thotë se kanë si synim Medinën! E nëse bëjnë diçka të tillë, atëherë do të thotë se kjo është një goditje pas shpine, kështu që ne, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, do t’i godasim.
Sahabët e bekuar, me të marrë këshillat e nevojshme prej të Dërguarit të Allahut, shkuan pas armiqve deri në luginën e Akikut, duke iu afruar aq sa të merrnin vesh edhe ato që flisnin me njëri-tjetrin. Një grup idhujtarësh, thoshin se nuk mund të ktheheshin kësisoj, por t’ia mbanin për në Medinë, e t’i sulmonin të afërmit e tyre.
Safuan ibni Umeje i ndaloi ata të bënin diçka të tillë:
As nëpër mend të mos ju shkojë! A nuk e shihni se si ata arrijnë të çohen edhe prej vdekjes e na sulmojnë. Është e pamundur që t’i bëjmë keq Muhamedit pa i vrarë më parë të gjithë ata që e rrethojnë. Le të ikim menjëherë prej këndej pa e kthyer në disfatë këtë farë fitoreje që arritëm.
Këto ishin këmbënguljet e tij për të parandaluar planin e kobshëm që i vinte ndërmend Ebu Sufjanit. Sakaq, ushtarët mekas u hipën deveve që i kishin për rrugëtime të gjata, e u larguan.
Strategjia për ta kthyer mundjen në fitore ia kishte vlejtur, dhe ja ku, prej pamjes së një disfate, po shfaqej një tjetër triumf. Kjo pamje i pati çmendur ata, sepse i kishte lënë ballë për ballë me malin e Uhudit. Megjithëse për një kohë të shkurtër ishin lëkundur sadopak, tanimë ishin ata që po nënshkruanin mbi betejën e Uhudit.
Fushëbeteja e Uhudit pas lufte
Kur idhujtarët u larguan prej terrenit të luftës, sahabët bashkë me të Dërguarin e Allahut, zbritën për të mbledhur trupat e dëshmorëve të tyre, apo t’u jepnin ndihmë atyre që mund të ishin ende në jetë. Zaten ata që kishin ngelur të gjallë ishin lehtësisht të dallueshëm. Akoma nuk ishte e qartë nëse në mes të atyre trupave të palëvizshëm, përveç dëshmorëve, kishte edhe ndonjë të plagosur. Përpara tyre po shpërfaqej një panoramë mizorie. Sepse çdo trup që u dilte përpara ishte bërë copë e çikë. U ishin prerë veshët dhe hunda aq sa nuk mund të njiheshin.
Ata që kishin rënë dëshmorë kishin kohë që kishin fluturuar, ndërsa ata që ishin ende gjallë ishin në një gjendje për ibret. Uhudi qante gjak. Profeti ynë i Dashur, i Cili u pikëllua shumë prej asaj që u ishte bërë bashkudhëtarëve të Tij, për një çast u dëgjua të thoshte këto fjalë:
Kush mund të shohë për Sad ibni Rebian e të vijë e të më thotë; a është gjallë apo ka vdekur? E pashë njëherë, dhe kishte dymbëdhjetë plagë në trup.
Ndërkaq, doli njëri prej ensarëve, i cili u nis për të kërkuar për të. Megjithëse bërtiti disa herë emrin e tij, por nga asnjë anë nuk dukej asnjë shenjë që ai të ishte ende në jetë.
I Dërguari i Allahu po e pret me merak përgjigjen tënde! Edhe mua Ai më dërgoi zaten, - ndjeu ai një zë të vakët. Ndoshta ishin fjalët e fundit që dilnin prej buzëve të tij. Në trup kishte mbi dhjetëra shigjeta të ngulura, goditje heshtash dhe shpatash. Ia preku lehtë trupin, dhe i tha:
Mua më dërgoi i Dërguari i Allahut që të vij e të shoh, “në është gjallë, apo ka vdekur, Sad ibni Rebiaja”.
Mua quamëni të vdekur, tani, - ia ktheu ai me një fije zëri që i kishte mbetur, dhe nga pas shtoi: Dërgoi përshëndetjet e mia të Dërguarit të Allahut, dhe thuaji se që prej tani po ndjej aromat e Xhenetit. Si dhe po ju paralajmëroj, se nëse nuk e mbroni siç duhet të Dërguarin e Allahut, e i ndodh gjë, atëherë ta dini se në atëbotë do t’ju ngjitem nga pas e nuk kam për t’ju lënë të qetë. E atje nuk keni se ç’justifikim të më paraqitni.
Këto ishin fjalitë e tij të fundit, e bashkë me to i fluturoi edhe shpirti prej trupit në atë fushë të betejës në Uhud.
Gjendja e Hamzait
Në krye doli i Dërguari i Allahut:
Ç’mund t’i ketë ngjarë xhaxhait tim, Hamzait, - thoshte Ai, dhe kësodore kërkonte rreth e qark mos e shihte.
Ndërkaq atë e gjeti Aliu i nderuar në vendin e quajtur Lugina e Batnit, e sakaq rendi menjëherë për tek i Dërguarit të Allahut për t’ia bërë të ditur. Hamzait të nderuar i ishte shqyer kraharori, nga ku i kishin nxjerrë mushkërinë. Ishte pamja më e dhimbshme që mund të shohë një njeri. Zemra iu bë copë, e sytë rrëmbushur me lot. Resulullahu (s.a.s.) atëkohë kërkoi diçka me të cilën ta mbulonte. Nga ensarët doli njëri, i cili hoqi një prej rrobave që kishte veshur, dhe me të u mundua që të mbulonte një pjesë të trupit të Hamzait. Këtë do ta bënin, mandej edhe një tjetër, e pas tij edhe një tjetër.
Vetëm se nuk ishte vetëm Hamzai ai që kishte ngelur në atë gjendje. Atje gjendeshin të shtrirë gjithsej shtatëdhjetë Hamzanj, gjashtëdhjetë e katër prej të cilëve ishin prej ensarëve. Kështu që i Dërguari i Allahut ia dha Xhabirit njërën prej mbulesave, duke i kërkuar që me të të mbulonte të atin.
Kur erdhi halla e Tij, Safije binti Abdulmutalibi, e pa se ç’kishte ngjarë, tha:
Kini kujdes me të! - Dukej që nuk donte që ta shihte të vëllanë në këtë gjendje. Zubejri me t’i dëgjuar këto fjalë, hodhi disa hapa para, në mënyrë që ta pengonte pamjen e dajës së tij. Mirëpo, Safija e largoi me krah të birin, për të parë të vëllanë që gjendej i shtrirë në mes të fushës së luftës.
Hiqmu sysh! Tani nuk po më shohin as sytë, - tha ajo.
O nënokja ime, Resulullahu (s.a.s.) kërkon që ti të kthehesh në shtëpi, - thoshte ai që ta qetësonte disimënyre.
E pse? Kam dëgjuar se është bërë një musle në rrugën e Allahut për vëllanë tim. Edhe pse nuk m’i do zemra ato që kam dëgjuar, unë do t’i shtrëngoj dhëmbët e do të bëj durim, - iu përgjigj ajo, por edhe Zubejri nuk mund të pajtohej me këtë situatë, kështu që rendi për tek i Dërguari i Allahut. I Dërguari i Allahut u përgjigj:
Hapeni rrugën! Dhe ndërkohë, kur shkoi pranë Hamzait, gjeti njeriun e fortë, motrën e Hamzait trim, e cila po qantë mbi trupin e pajetë të të vëllait.
I Dërguari i Allahut i foli kështu, Ebu Katades, i cili nuk e përballoi dot tablonë që kishte përpara syve, andaj filloi t’i numëronte njëmijë e një sharje karshi kurejshëve:
- O Ebu Katade! Në fakt kurejshët kanë në mesin e tyre shumë njerëz të drejtë. Ta dish, se kush ta teprojë prej tyre, është Allahu (xh. xh.) që ia merr hakun. Nëse Allahu të jep jetë të gjatë, ke për të parë se si do të të duken të pakta të gjitha adhurimet dhe punët e mira që ke bërë, karshi atyre që do të bëjnë ata. E kësisoj do të mërzitesh me veten përse nuk ke bërë më tepër.
Në atë kohë të gjithë e kishin dëshirën e epërme që t’i dëgjonin ato fjalë edhe ndaj tyre prej gojës së Profetit tonë të dashur, mirëpo në atë çast zbriti Xhebraili (a.s.), i Cili tregoi se nëse do të kryhej një kundërpërgjigje karshi armikut, ajo nuk duhet ta kalonte kufirin e asaj që iu ishte shkaktuar myslimanëve, megjithëse sido që të ishte puna, më e mbara do të ishte që t’ia linin Allahut të Plotfuqishëm në dorë.
Dëshmorët i lihen amanet Fushës së Uhudit
I Dërguari i Allahut i kërkoi sahabëve të Tij që t’ua hiqnin parzmoret të plagosurve.
- Varrosini ata me gjithë rroba, e ashtu me gjak siç janë, këtu në fushën e betejës.
Kësodore, të gjithë këta dëshmorë po varroseshin ashtu të mbuluar më tepër prej gjakut se sa prej veshjeve të tyre.
I Dërguari i Allahut thirri katër herë Allahu Ekber aty ku gjendej Hamzai. Çdocilin prej sahabëve të rënë dëshmor, e mori përpara vetes për t’i falur namazin e xhenazes. Kështu që, në Uhud, atë ditë u fal shtatëdhjetë herë namaz xhenazeje, bashkë me të tjerët.
Filluan menjëherë të mihnin varre për ta. Megjithëse e kishin paksa të pamundur që të hapnin nga një varr më vete për secilin prej tyre. Kur erdhën për t’ia treguar të Dërguarit të Allahut, Ai u tha që të vendosnin nga dy nga tre për çdo gropë të hapur. Ato që thuheshin bëheshin menjëherë, pa u vënë fare në dyshim. Kur erdhi radha për t’i vendosur nëpër varre, ishin të pavendosur se kë të varrosnin më parë. I Dërguari i Allahut urdhëroi që të fillohej nga ata që dinin më mirë Kuran.
Abdullah ibni Amr ibni Haram ibni Xhemuh, Harixhe ibni Zejd, Sad ibni Rebi, Numan ibni Malik, Abdullah ibni Hashas dhe Abdullah ibni Xhahshi, pa harruar edhe Hamzanë e nderuar, ishin nga ata që u vendosën bashkë nëpër varre. Kishte pra edhe nga ata që iu lanë amanet Uhudit në grupe treshe.
Profeti i profetëve shikoi njëherë drejt Xhabirit të nderuar, i cili e kishte përqafuar duke qarë para se t’i varrosnin babanë.
- Në daç qaj për të, në daç mos qaj, por derisa të varroset ta dish se është nën hijen e engjëjve.
Gjendja e fundit e Mus’abit të nderuar
Pranë të Dërguarit të Allahut, atë ditë erdhi edhe trupi i pajetë i Mus’ab ibni Umejrit, njeriut të cilin Ai e kishte dërguar në Medinë si mëkëmbës. Mus’abi, megjithëse i kishte sakrifikuar të gjitha, me krahë e me këmbë në rrugë të Allahut, e kishte fshehur fytyrën me turpin dhe drojën se nuk do të kishte më mundësinë të zgjaste krahun për të ndaluar ndonjë goditje që i bëhej Profetit tonë të Dashur. Fillimisht e kundroi ashtu me atë shikimin plot dhembshuri dhe mëshirë.
Në mes të myslimanëve ka trima të atillë, që e kanë treguar besnikërinë e tyre në fjalën që i kanë dhënë Allahut. Disa prej tyre ikën, duke e mbaruar detyrën që u ishte ngarkuar mbi supe, ndërsa të tjerët janë në pritje të atij çasti. Nuk janë larguar as një fije nga rruga që patën premtuar se do t’i rrinin besnikë,423 - ishte ajeti që filloi Ai të këndonte.
Nuk gjendej qefin që ta mbulonin trupin e Mus’abit, flamurtarit të Islamit. E kishte prurë gjer këtu vështirësinë e kësaj jete, por tani po ikte nga kjo botë pa marrë me vete asnjë prej mirësive të saj. Menjëherë shkuan të lajmëronin të Dërguarin e Allahut.
Mbulojini pjesën e sipërme të trupit, kurse pjesën e këmbëve mbulojani me barëra, - i këshilloi Ai.
Kur e pa se mbaruan së e mbuluar, u afrua pranë që ta shihte, dhe nga goja i dolën këto fjalë:
Ç’rroba të mira e të bukura kishe veshur kur të pashë për herë të parë në Mekë. Nuk kishte djalë tjetër të Mekës që të mund të vishej si ti! Ndërsa tani, je një djalë me flokë të ngatërruar, brenda asaj trikoje të ashpër e të vjetërsuar. Kokën e ke brenda, por këmbët jashtë të kanë ngelur.
Mandej, Mëshira e Botëve paqja qoftë mbi Të u drejtua për nga fusha
e Uhudit. Fjala e Tij tanimë nuk ishte më për Mus’abin, por për të gjithë dëshmorët e rënë gjatë kësaj lufte. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) po dëshmonte për ata që e kishin sakrifikuar trupin e tyre në rrugën e lartësimit të emrit të Allahut.
I Dërguari i Allahut dëshmon, se në ditën e gjykimit, ju do të jeni dëshmorë pranë Allahut.
Të gjithë kishin diçka për të bërë, por kishin edhe shumë gjëra për t’i thënë atyre që kishin ngelur gjallë. U kthye nga ata dhe filloi të thoshte këto fjalë, të cilat duhet të viheshin si vathë në vesh prej të gjithëve:
O njerëz, vizitojini ata dhe ejani në këto anë!.. Përshëndetini, sepse ju betohem për Allahun, se çdo mysliman që vjen enkas për të përshëndetur ata, ka për të marrë edhe ai përshëndetjen e tyre.
Dukej që disa prej sahabëve e ndjenin veten shumë të ndrojtur. Sepse ishin pikërisht ata që kishin kërkuar që të vinin për të luftuar, dhe kjo kishte çuar në humbjen e shtatëdhjetë vëllezërve. Ai ishte i Dërguari i Allahut, prandaj ata dukeshin që në fillim se e pranonin pa mëdyshje atë që po u thoshte Ai. Vetëm se i Dërguari i Allahut nuk po nënkuptonte asgjë me fjalët e Tij, madje nuk u kthye asnjëherë t’u thoshte: “A nuk ju thashë unë juve?”. Sepse Ai donte që, këshillimin, ta bënte gjënë më të rëndësishme, pavarësisht çdofarë situate që mund t’u dilte përballë. Andaj, kësaj radhe Ai veç u drejtua nga Krijuesi i shkaqeve, dhe pasi po ia linte amanet Uhudit, sahabët e Tij, tha këto fjalë:
Mblidhuni të gjithë, gjithnjë, bashkë! Unë do t’ju lëvdoj juve përpara Allahut.
Të kërkonte diçka i Dërguari i Allahut, e të mos e bënin sahabët menjëherë? Me t’i dalë këto fjalë nga buzët, ashtu siç ishin, burrat përpara, dhe gratë nga pas, filluan të rreshtoheshin nëpër safe. Të gjithë sa ishin u kthyen nga Qabeja dhe filluan të luteshin.
Durimi i Medinës
Megjithë këto që kishin ndodhur, Medina po tregonte një vendosmëri të çeliktë, duke mos menduar aspak që të ushtronte trysni mbi myslimanët që ishin kthyer nga lufta e Uhudit. Madje, sikur të mos kishte ndodhur asgjë prej gjëje, ata ishin të gëzuar teksa shihnin se i Dërguari i Allahut po kthehej shëndoshë e mirë.
Një grua prej ensarëve, e cila paradite kishte dëgjuar thirrjet se ishte vrarë Resulullahu, kur dëgjoi për kthimin e Tij prej Uhudit, rendi menjëherë përpara që ta priste. Të gjithë ata që shihnin ardhjen e Tij, merrnin vesh se u ishte vrarë vëllai, ose burri, ose një tjetër i afërm, si i biri, vetëm se ajo jo vetëm që nuk dëgjonte ç’i thuhej, por pyeste këdo që shihte përballë:
Ku është Resulullahu? Në ç’gjendje është?
Të gjithë ata që ktheheshin prej Uhudit, dhe shihnin gjendjen e saj, habiteshin tej mase, dhe fillonin të pyesnin:
Lëvduar qoftë Allahu, o e ëma e filanit të mbarë! - por prapëseprapë, fjalët e saj ishin:
Tregomani! Dua të shoh fytyrën e Tij të bekuar.
Por kur erdhi dhe pa bukurinë e rrezatuar në fytyrën e të Dërguarit të Allahut, tha këtë fjali, e cila mbeti pjesë e pandashme e historisë:
Nëna dhe babai im të qofshin falë, o i Dërguar i Allahut! Tani që të pashë Ty shëndoshë e mirë, edhe fatkeqësitë më të mëdha më duken të ëmbla.
Nëna e Sad ibni Muadhit, e cila mbahej pas jeleve të kalit ku kishte hipur Resulullahu, po rendte drejt të ardhurve, për të takuar të birin.
Sadi me ta parë, tha:
Nëna ime, o i Dërguari i Allahut!
Resulullahu për të qetësuar nënën e Sadit, e pyeti njëherë si ishte, si për ta qetësuar fillimisht. Tani u afrua akoma më afër të Dërguarit të Allahut, dhe po rrinte, ashtu, e prekur dhe tejet e menduar. Sepse edhe një tjetër djalë, Amr ibni Muadhin, e kishte humbur po në fushën e Uhudit. Ai deshi ta ndante me të disi më qetazi lajmin se djali i saj kishte rënë dëshmor gjatë luftës së Uhudit. Vetëm se ai njeri aq i fortë, u kthye menjëherë, vetë kah njeriu që nuk kishte humbur vetëm një, por shtatëdhjetë sahabë gjatë kësaj lufte, për t’i thënë:
A të pashë ty shëndoshë e mirë? E ç’fatkeqësi mund të më lëkundë mua këndej e tutje?
Ngjarjet e përjetuara gjatë asaj dite ishin shprehja e qëndrimit kryelartë përballë gjithë atyre vuajtjeve të atyre ditëve. Të veproje kështu gjatë atyre çasteve kur shoku i ndodhive ishte ende i nxehtë, ishte veç veçori e njerëzve të matur. I Dërguari i Allahut, donte ta qetësonte medoemos një grua kaq trime, e cila tregonte sjellje të veçanta trimërie.
O nëna e Sa’dit, ja tek po ju jap një sihariq për të tërë familjarët e dëshmorëve të rënë në luftë! Ata do të jenë krah njëri-tjetrit në Xhenet, madje edhe do të kenë mundësinë që të ndërmjetësojnë për njerëzit e tyre të dashur.
Ne jemi të kënaqur prej Teje, o i Dërguari i Allahut (s.a.s.), - thoshte nëna e Sa’dit. Ne nuk kemi për të qarë, kur në mesin tonë të kemi Ty! E si mund të qajmë ne? Ne duam të lutemi veç për Ty.
I Dërguari i Allahut ishte i atillë që nuk do ta linte pa e zbatuar edhe dëshirën e kësaj gruaje.
O Zot, hiqua atyre dhimbjen dhe pikëllimin që i ka kapluar. Bëjua të lehtë që t’i përballojnë vuajtjet e kësaj lufte, dhe zbukurojua ditët që u kanë ngelur me zbukurimet e Tua!
Mandej u kthye nga Sa’di për t’i thënë:
O Ebu Amr, familja jote e ka plagën të hapur. Dije se ata njerëz që janë plagosur sot, do të ringjallen më të bukurit në ditën e gjykimit. Ngjyra ishte e kuqe, por era nuk ngjante me atë të gjakut. Ngjante sikur të ishte erë misku. Tani, merrini të afërmit që të mjekohen nëpër shtëpitë e tyre. Të mos mundohet askush duke ardhur deri në shtëpinë time prej shqetësimit për plagët e mia.
Pas këtyre fjalëve, të gjithë filluan të tërhiqeshin për në shtëpitë e tyre, e po merreshin me mjekimin e plagëve. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u nis për në dhomën e Tij të lumturisë. Nuk kaloi shumë kohë, dhe Bilali filloi të këndonte ezanin e akshamit. Të gjithë u mblodhën në faltore, për të kryer ritin e mbrëmjes.
Ja, të gjitha ndodhitë e rrëfyera, nga fillimi gjer më tash, patën filluar një ditë të shtune të muajit sheual, tridhjetëedy muaj pas Hixhretit. Domethënë, koha kishte qenë e gjerë mjaftueshëm për t’i përfshirë të gjitha.
Hamraul Esed
Sahabët, që ishin mbledhur nëpër shtëpitë e tyre që prej ditës së shtunë, për të mjekuar plagët e marra në luftë, u mblodhën prapë ditën e diel për të falur namazin e sabahut, pas thirrjes së ezanit nga Bilali.
Besnikëria e Njerëzimit kishte kohë që mendohej. Sidoqoftë nuk mund të rrinte plotësisht i qetë. Si përfundim, asgjë nuk ishte arritur për Mekën. Patën luftuar, por qenë kthyer pa arritur asgjë prej gjëje. Ata ndoshta edhe mund të mendonin që të sulmonin Medinën teksa ktheheshin. Atyre nuk u duhej dhënë kurrsesi një mundësi e tillë. Veç kësaj, u duhej bërë të gjithëve e ditur, se autoriteti i përkiste sërish Medinës.
Ndërkohë Ai thirri pranë vetes Abdullah ibni Amr ibni Aufin, prej të cilit kërkoi që t’i sillte lajmet më të fundit mbi planet e kurejshëve. Kurejshi, kur kishte mbërritur në vendin e quajtur Melel, kishin ndalur që të bënin një vlerësim të gjendjes. Ata kishin arritur në mendimin se ishte e kotë që të ktheheshin nga lufta pa arritur asgjë, andaj patën menduar se ndoshta do të ishte më mirë sikur të sulmonin edhe Medinën teksa ktheheshin, që t’i shfarosnin krejtësisht myslimanët. Teksa po ktheheshin, ata u kujtuan se ajo me të cilën po ktheheshin ata, nuk mund të quhej as fitore, e as plaçkë lufte. Patën luftuar, por në duar nuk kishin asgjë që të tregonte se ata ishin fitimtarët e luftës. Edhe nëse thoshin “Luftën e fituam ne!”, në duar nuk kishin asgjë me se ta vërtetonin.
E ç’bëtë atëherë, - u thoshin. I goditët, i goditët, por prapë i keni lënë në qejf të tyret. Të gjithë ata që duhet të vriteshin janë ende gjallë, e kjo do të thotë rrezik për të ardhmen. Më e mira e të mirave, të kthehemi e t’i shfarosim me farë e me fis. Vetëm se jo të gjithë ishin në një mendje. Safuan ibni Umeje doli në krye dhe filloi të thoshte:
O populli im! As të mos ju shkojë nëpër mend të bëni diçka të këtillë. Ata tani janë të nxehur më shumë se kurrë, dhe unë kam frikë se kanë për të na përballur bashkë me të tjerët që nuk ishin pjesëmarrës në luftë. Më e mira e të mirave është të ktheheni pas me ato sa keni arritur. Sepse kam frikë, se nëse i sulmoni, do të humbisni edhe ato që keni arritur.
I Dërguari i Allahut, kur dëgjoi këto fjalë nga Abdullahu, mendoi të këshillohej njëherë me Ebu Bekrin dhe Omerin, të cilët i kishte ftuar tashmë. Mandej i kërkoi Bilalit që t’i mblidhte të gjithë bashkë, në mënyrë që ta ndante edhe me të tjerët mendimin e Tij.
I Dërguari i Allahut ju kërkon që ta ndiqni nga pas armikun. Vetëm se me ne duhet të vijnë veç ata që ishin të pranishëm në betejën e djeshme.
Zaten pati zbritur edhe Xhebraili Fjalëdrejtë (a.s.), i cili kishte prurë këto mesazhe nga Allahu Mëshirues:
Mos tregoni dobësi duke mos e ndjekur armikun këmba-këmbës, derisa ai të largohet. Nëse ndjeni dhimbje, atëherë dijeni se edhe ata ndjejnë dhimbje njësoj si ju. Lëre që ju prisni prej Allahut disa gjëra që ata nuk kanë se si t’i presin. Allahu i di të gjitha, se është Zot i gjykimit dhe urtësisë.
Të ishte Resulullahu Ai që i ftonte, e ata të mos bindeshin. Gjithë ato plagë, dhimbja e humbjes së njerëzve më të dashur, sytë të mbushur me lotët e trishtimit, e megjithatë ata morën menjëherë shpatat dhe mburojat për t’u mbledhur nën flamurin e të Dërguarit të Allahut. Edhe Kurani do ta bënte emrin e tyre të valëvitej një ditë. Fjalët e të Dërguarit të Allahut atë ditë, se si shpërblimi në botën tjetër do të ishte i tyri, ishin këto:
Sidomos ata trima, që edhe të plagosur vijnë menjëherë kur i thërret Allahu dhe i Dërguari i Allahut. Shpërblimi i Ahiretit do të jetë më i madh ndaj atyre njerëzve të mirë dhe të devotshëm karshi
Allahut.
Nuk kishte ngelur asnjë mysliman që të kishte dëgjuar thirrjen e Resulullahut e të mos kishte rendur menjëherë për në vendin e mbledhjes. Resulullahu i mblodhi të gjithë besimtarët dhe u kërkoi që të ndiznin një zjarr të madh sapo të binte muzgu. Me të rënë mbrëmja, i gjithë Hamrau Esedi do të ndriçohej nga flaka e pesëqind zjarreve. Lajmi i këtyre pesëqind zjarreve dhe drita e tyre përhapej më shpejt se çdo gjë gjatë atyre ditëve. Dhe padyshim se kjo ishte përforcim jo vetëm i fitores së tyre sasiore, por edhe cilësore.
Në ato kohë, pranë të Dërguarit të Allahut erdhën disa njerëz që ishin marrë vesh me Të për të luajtur rolin e informatorëve. Në krye ishte Ma’bed ibni Ma’bedi:
O Muhamed! Për Zotin, se ato që të ngjanë ty na kanë mërzitur jashtë mase. Sa shumë do të donim që Allahu të të jepte Ty dhe sahabëve të Tu fitoren, e atyre humbjen.
U ulën dhe folën ndër vedi për njëfarë kohe. Mandej, Ma’bedi kërkoi leje për t’u larguar në drejtim të vendit ku gjendej ushtria e mekasve.
Në atë kohë, ushtria mekase këmbëngulte në mendimin për t’u kthyer edhe njëherë te myslimanët. Shumica e tyre ishin të këtij mendimi, andaj edhe po bëheshin gati për t’u nisur. Ardhja e Ma’bedit ishte pikërisht në këto çaste. Ebu Sufjani me ta parë, u kthye nga të tjerët dhe i lajmëroi.
Ja tek po vjen Ma’bedi. Ai medoemos duhet të ketë lajme të reja... Ç’na thua o Ma’bed? Ç’lajme na prure së andejmi?
E pashë ushtrinë e Muhamedit dhe besimtarëve më të madhe se kurrë, e cila është drejtuar nga ju. Janë duke turfulluar nga inati për t’ju shkatërruar. Bashkë me ta janë bashkuar edhe disa nga njerëzit e fiseve të Eusit dhe Hazrexhit, të cilët nuk ishin të pranishëm gjatë luftimeve. As që e çojnë nëpër mend që të kthehen pa marrë hak prej jush. Janë shumë të nxehur nga ju, e aq të mllefosur, sa nuk i kam parë asnjëherë më parë në atë gjendje.
Ebu Sufjani nuk e fshehu dot tendosjen që i shkaktuan këto fjalë.
Turp të të vijë! Për çfarë e ke fjalën?
Nëse nuk ikën së këndejmi, në të ardhmen s’ke për të parë as jelet e kalit, - iu përgjigj Ma’bedi pa e prishur qetësinë e tij.
Ne jemi të vendosur që t’i shfarosim krejt ata të gjithë.
Nuk jua këshilloj të bëni diçka të atillë.
Pamja që kishin marrë i ngjante diçkaje krejt të mefshtë. Ma’bedi ia kishte arritur të shkruante edhe poezi përballë rregullsisë dhe shumësisë së tyre.
Ebu Sufjani filloi të shqetësohej, andaj i kërkoi që t’ia recitonte poezinë që kishte krijuar. Edhe ai donte të arrinte në një përfundim përfundimtar të çështjes, pa qenë vonë, pasi tensioni kishte arritur caqet.
Strategjitë e zbatuara po jepnin përfundimin e pritur. Ushtria mekase po trembej veç prej fjalëve dhe pamjes që po i paraqiteshin prej të tjerëve. Gjatë rrugës rastisën me një karvan.
Ne do të mblidhemi dhe do të sulmojmë edhe njëherë, dhe do t’ju shkatërrojmë si Ty, si sahabët e Tu, – dërgonin ata fjalë për të trembur myslimanët.
Me sa duket, edhe kur arratiseshin nuk hiqnin dorë prej krenarisë. Edhe të kërrusur nga frika fryheshin sikur të ishin gjela. Kur mbërriti fjala tek i Dërguari i Allahut, Ai u përgjigj kësodore:
Neve na mjafton Allahu, që është Administrues aq i mirë. Fjalët
e tyre u jepnin forcë dhe vetëbesim myslimanëve. Zaten nuk kaloi shumë kohë, dhe aty ia behu Xhebraili (a.s.), i cili u tha se zgjidhja më e duhur është besimi dhe mbështetja vetëm tek Allahu (xh.xh.).
I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të, pasi i kaloi në Hamraul Esed të hënën, të martën dhe të mërkurën, dhe pasi i trembi edhe njëherë mekasit, tani filloi të nisej për t’u kthyer në qytetin e Medinës.
Shënimet
- 230.Uakidi, Megazi, 1/204; Enfal, 8/36; Ibni Sad, Tabakat, 2/38; Uahidi, Esbabu Nuzuli’l Kuran, 1/84 e më tej.
- 231.Uakidi, Megazi, 1/205; Belazuri, Ensabu’l Eshraf, 1/136
- 232.Buhari, Sahih, 6/2682; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/351; Hakim, Mustedrek, 2/141 407 Al Imran, 3/159
- 233.Ibni Esir, Usudu’l Gabe, 2/133; Ibni Abdiberr, Istiab, 3/490; Ibni Haxher, el-Isabe, 4/155
- 234.Uakidi, Megazi, 1/224; Said ibni Mansur, Sunen, 2/356
- 235.Ibni Sad, Tabakat, 2/41, 47, 4/476; Taberi, Tarih, 2/62
- 236.Al-i Imran, 3/155
- 237.Al-i Imran, 3/152
- 238.Suhejli, Raudu’l Unf, 3/263; Ibni Esir, Usudu’l Gabe, 2/124
- 239.Taberani, Muxh’emu’l Kebir, 8/130; Ibni Sejidin-Nas, Ujunu’l Eser, 1/418
- 240.Taberi, el- Xhamiu’l Bejan, 4/144; Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 4/206
- 241.Taberi, el-Xhamiu’l-Bejan, 7/194; Ibni Kethir, Tefsir, 2/114
- 242.Tajalisi, Musned, 1/3; Ibni Kethir, el-Bidaje uen-Nihaje, 4/34; Sire, 3/59
- 243.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 1/515, 516
- 244.Ahmed ibni Hanbel, Musned, 1/287; Taberani, Muxh’emu’l Kebir, 10/301; Taberi, el-Xhamiu’l-Bejan, 4/81; Ibni Kethir, Tefsir, 1/412
- 245.Uakidi, Megazi, 1/275; Ibni Abdiberr, Istiab, 1/372.
- 246.Thuhet që ky njeri ka qenë Muhamed ibni Meslemeja ose Ubej ibni Kabi. Shih: Suhejli, Raudu’l Unf, 3/281; Ibni Kethir, el-Bidaje ue’n-Nihaje, 4/44
- 247.Al-i Imran, 3/169; Ibni Kethir, el-Bidaje ue’n-Nihaje, 4/47, 48; Uahidi, Esbabu Nuzuli’l-Kur’an, 132-3 423 Ahzab, 33/23
- 248.Uakidi, Megazi, 1/314
- 249.Buhari, Edebu’l Mufred, 1/243; Ahmed ibni Hanbel, Musned, 3/424; Taberani, Muxhemu’l Kebir, 5/47
- 250.Nisa, 4/104
- 251.Al-i Imran, 3/172
- 252.Al Imran, 3/173-4; Taberi, el-Xhamiu’l-Bejan, 4/180; Ibni Kethir, Tefsir, 1/431; Uahidi, Esbabu Nuzuli’l-Kuran, 135