AJETET PËR KUMTIM

Teksa vazhdonte veprimtaria e nisur që kur ishin në shtëpinë e Ibni Erkamit, në anën tjetër ftoheshin njerëz të shumtë që të hynin në fenë e Allahut. Megjithatë idhujtarët e kishin kthyer në veprimtari të përditshme që të përdornin çdo mundësi që t’ua nxinin jetën besimtarëve myslimanë që kishin marrë anën e Profetit tonë të Dashur. Mundoheshin në çdo rast që t’i diskriminonin para të tjerëve. Në fakt, në ajete shprehej edhe gjendja e tyre, por flitej edhe për gjërat e premtuara që i prisnin besimtarët pas këtyre vuajtjeve. Ai ishte mbështetja e fundit për ta, kështu që Ai i ushqente ata përditë me nga një ushqim të ri, për t’i mësuar mënyrat e të vepruarit dhe sjelljet që duhet të paraqisnin.

Kishte kaluar një kohë prej pesë vitesh që nga koha kur ishin takuar në Hira. I Dërguari i Allahut ua transmetonte të tjerëve përreth fjalët e Allahut, duke qenë vetë mësuesi i tyre, i Cili ua hapte deri në imtësitë më të veçanta kuptimin e tyre. Në shtëpinë e Ibni Erkamit ishte ngritur një tavolinë enkas për këtë punë, prej së cilës përfitonin derisa ngopeshin sahabët. Të ftuarit e asaj tryeze rendin menjëherë jashtë për t’i ndarë edhe me të tjerët ato çfarë kishin dëgjuar. Tanimë sofra vinte disi e vogël që t’i mbante të gjithë.

Sakaq, atmosfera në dhomë ndryshoi, për t’u shfaqur një pamje sikur do të fillonte revelata. Ajeti i zbritur thoshte kështu:

- Kumtoja të tjerëve derisa koka t’u dhëmbë atë për të cilën je urdhëruar, e mos u merr me idhujtarët! Ne jemi me ty ndërkohë që ata ngrihen e tallen me ty, e Ne jemi të mjaftueshëm. Ata, të cilët i bashkëngjisin edhe hyjni të tjera Zotit të Madhërishëm, kanë për ta kuptuar nesër të vërtetën e çështjes.

Ky ishte një urdhër që do t’i jepte fund një periudhe tre vjeçare. Ishte hera e parë që në mes të revelatës përfshiheshin disa çështje të lidhura me kumtimin ndaj të tjerëve, kështu që do të hapej edhe faqja për t’ua përçuar edhe të tjerëve të vërtetat e mësuara.

Shënimet

  1. 109.Hëxhr, 15/94-6