PAS UHUDIT
Kështu kaloi dhe një peripeci tjetër, dhe idhujtarët po ktheheshin edhe njëherë të drobitur. Vetëm se duhet të bindeshin mirë e mirë për një gjë të këtillë. Se edhe lajmet që vinin nuk ishin të kënaqshme mjaftueshëm. Tanimë, ç’është e vërteta, ata kishin një mundësi të përshtatshme për të mjekuar plagët e marra. Vetëm se lajmet që vinin tregonin se nuk kishte kohë të mjaftueshme as për këtë. Sepse kishin rënë gjithsej shtatëdhjetë dëshmorë, dhe kthimi pas i ushtrisë mekase me një triumf (sipas tyre!), e cila kishte bërë të hapej edhe oreksi i disa njerëzve të tjerë, edhe nga Medina. Ishte koha më e përshtatshme për të sulmuar myslimanët, andaj në radhët e mosbesimtarëve kishte filluar të bëheshin marrëveshje. Natyrisht, që këto lajme vinin edhe në vesh të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
Padyshim që edhe këtyre do t’u vinte koha për t’u zgjidhur. Por, prapëseprapë, i Dërguari i Allahut, duke ndjekur një rrugë aktive për t’i zgjidhur problemet, i hidhte hapat, si gjithnjë, të matur mirë e mirë që më parë. Edhe kësaj here nuk do të vepronte ndryshe nga herët e tjera. Edhe kësaj here, idhujtarët do të gjenin sërish myslimanët të bërë gati për të luftuar sërish, e kjo do t’i bënte edhe njëherë të stepeshin përballë tyre. Kjo mund të quhej ndryshe edhe moshumbje e kohës duke luftuar. Sepse ishte e pamundur që përfaqësuesit e së keqes të mblidheshin edhe njëherë për të arritur në plane të kobshme për myslimanët. Të gjitha plagët që mund të hapnin këto lajme duheshin fashitur që në krye, në mënyrë që të mos linin gjurmë të thella në zemrat e besimtarëve. Në fund të fundit, koha ishte kohë për të vënë në pah vetëm veprime të bazuara në mendime pozitive.
Edhe i Dërguari i Allahut do të ndërmerrte pikërisht këta hapa. Ndërsa nga njëra anë kujdesej për sigurinë e përgjithshme të Arabisë së atyre ditëve, në anën tjetër mendonte se si t’ua bënte atyre Kuranin pjesë të pandarë të jetës. Ai duhej pranuar mirëfillthi nga të gjithë. Andaj Ai niste zbulues nga të katër anët, duke mos pritur aspak që të shkonte dëm qoftë edhe një çast i vetëm duke pritur se ç’mund të ndodhte nesër, por e zgjeronte me ngadalë e durueshëm aktivitetin e Tij për ndërtimin e paqtë të së ardhmes.
Ajetet e zbritura gjatë këtyre kohëve kishin më tepër lidhje me çështjet familjare, që trajtonin probleme të trashëgimisë, kriteret dhe kufijtë e poligamisë, si dhe duke e njohur popullsinë me disa të drejta të reja të grave në shoqëri.
Tanimë edhe rreziqet që mund të vinin nga jashtë kontrolloheshin më lehtë nëpërmjet barrikadash dhe ekspeditash të ngarkuara pikërisht me këtë detyrë. Tregohej kujdes i veçantë, sidomos që të mos dëmtoheshin kurrsesi njerëzit e thjeshtë e të pafajshëm.
Një tjetër tentativë për ta vrarë
Meka, e cila po mendonte akoma edhe më shumë hakmarrjen për Bedrin, por edhe inatin se ishin kthyer duarbosh prej një beteje si Uhudi, tanimë ishte përveshur për të bërë plane të reja. Binin me mllefin dhe inatin e hakmarrjes, ndërsa në mëngjes çoheshin me mendjen e mbushur se do të hakmerreshin disi. Për një çast, Ebu Sufjani i foli kështu një grupi djelmoshash që ishin mbledhur:
A nuk ka ndonjë trim në mesin tuaj që të shkojë e ta vrasë Muhamedin? Shiheni se si shëtit duke u tundur në mes të pazarit, pikërisht, teksa ne përpëlitemi prej dhimbjeve dhe sikletit.
Nga mesi i asaj shoqërie nuk kishte askënd që ta merrte përsipër diçka të këtillë. Sepse kjo do të thoshte, që si fillim duhet të merrje parasysh vdekjen. Nuk ishte punë që mund ta bënte çdo trim, edhe sikur të gjendej një i tillë. Ebu Sufjani, i pashpresë mori sërish rrugicën që të nxirrte te shtëpia e tij.
Pas pak çastesh, porta e shtëpisë së Ebu Sufjanit filloi të trokiste. Kur e hapi, pa se ishte një djalosh beduin.
Nëse më jep fjalën, dhe tregohesh bujar në fjalën e dhënë, atëherë shkoj unë dhe e vras Muhamedin! Sepse unë i njoh mirë këto punë, dhe ja tek e kam edhe shpatën, e cila e ka tehun më të mprehtë se penda e patës.
Shpresa e Ebu Sufjanit, e cila kishte filluar të fashitej tashmë, filloi edhe njëherë të lulëzonte. Sytë filluan t’i ndriçonin. Kjo punë mund të sendërtohej vetëm falë flijuesve të tillë, andaj iu përgjigj pa humbur kohë:
Ti je pikërisht ai që po kërkoja.
I dha atij një deve dhe pasuri sa të dëshironte. Tanimë u morën vesh.
Sakën se ia thua ndokujt këtë marrëveshje midis nesh, sepse unë kam frikë, se nëse del ndokush e na dëgjon, shkon menjëherë për t’ia bërë të ditur Muhamedit.
Këtë nuk ka për ta ditur askush, - e siguroi djaloshi Ebu Sufjanin.
Sakaq, djaloshi i ri i hipi devesë në mbrëmje e u nis drejt e për në Medinë. Rrekej të dukej sa më i pavënëre, por të gjithë i pyeste për të njëjtin njeri: Të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Pati ardhur deri në afërsi të faltores së Profetit. Asokohe, i Dërguari i Allahut nuk gjendej atje, sepse kishte shkuar gjer në tokat e Abdiesh’helëve. Edhe djaloshi, me të marrë këtë informatë u bë erë duke rendur drejt e për atje. E gjeti, lidhi edhe devenë dikur pranë vendit ku po qëndronte i ulur i Dërguari i Allahut, bashkë me sahabët e Tij, dhe u afrua.
Profeti i Njerëzimit, me ta parë atë djalosh, u kthye nga sahabët për t’i paralajmëruar:
Ai djali që po na afrohet nuk ngjan të jetë duke ardhur me synime të mira. Po mendon për një të keqe. Veçse, ju mos u shqetësoni aspak. Sepse ja tek po ju betohem që në mes të planeve të tij të këqija dhe meje do të ndërhyjë Allahu, e nuk ka për ta lejuar që të më bëjë keq.
Ndërkohë djaloshi kishte mbërritur pranë tyre.
Cili prej jush është nipi i Abdulmutalibit? - pyeti ai.
Unë jam nipi i Abdulmutalibit, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të.
Kësisoj djali iu afrua sikur të kishte diçka të fshehtë për t’i thënë. Mirëpo, Usajd ibni Hudejri, i cili kujtoi fjalët që kishte thënë Resulullahu pak më parë, i tha:
Qëndro larg prej të Dërguarit të Allahut, e ndërkaq e kapi për rrobash. E shtrëngoi aq fortë, sa atij iu shfaq shpata që kishte fshehur.
Ky njeri paska ardhur me synime të këqija, o i Dërguari i Allahut, - tha Usajdi.
Djaloshi u këput fare, e për më tepër nuk e donte më veten. U frikësua për vdekje. Usajd ibni Hudejri e mbante për leckash, dhe e tërhiqte nga vetja që të mos kishte mundësi për të bërë keq. Djali, tanimë që e pa se nuk mund të bënte kurrgjë, filloi të fliste:
Gjaku, gjaku, o i Dërguari i Allahut, - fjalë të cilat tregonin mbrojtjen brenda dhembshurisë profetike. Në njëfarë mënyre kjo ishte edhe një orvatje e fundme për të shpëtuar kokën.
Thuamë të vërtetën! Kush je ti, e për çfarë erdhe deri këtu? Nëse më thua të vërtetën, atëherë edhe mund të bëj diçka për ty. Zaten, po gënjeve, mua më bëhen të ditura, të gjitha gjërat që të kanë shkuar nëpër mendje para se të vije këtu, - i foli atij i Dërguari i Allahut.
A do të jem i sigurt nëse flas? - pyeti ai sakaq, pasi dëgjoi edhe fjalët e Resulullahut.
Po, i sigurt je.
Me të dëgjuar se do të ishte i sigurt nëse fliste, djaloshi nga Meka filloi të tregonte të gjithë historinë e tij. U tregoi myslimanëve se si Ebu Sufjani u bënte thirrje rinisë që të ndërmerrnin vrasjen e të Dërguarit të Allahut. Inatin për t’u hakmarrë, mllefin karshi Medinës dhe medinasve që e mbështesnin Muhamedin, pa harruar edhe të mirat që i kishte premtuar atyre që do ta realizonin diçka të atillë.
Djaloshi u zgjidh i tëri, por prapëseprapë sahabët nuk mund ta linin të lirë, pa u siguruar më parë se nuk ishte ende i mendimit për të bërë keq. Usajd ibni Hudejri u kujdes personalisht për të, duke e mbyllur në shtëpinë e vet.
Ditën tjetër, i Dërguari i Allahut e thirri sërish pranë vetes djalin, dhe filloi ta pyeste:
Unë të pata dhënë siguri. Tani mund të ikësh, ose të bësh ndonjë zgjedhje të re, e cila ka për të qenë më e mbarë për ty.
Dukej se, edhe këtë djalë, i cili nuk kishte shumë që kishte tentuar ta vriste, donte ta ftonte pranë vetes. Ngrohtësia që i karakterizonte shikimin, dhe ëmbëlsia e tonit të Tij të zërit e shkrinë krejt djaloshin, i cili pyeti menjëherë:
Ç’na qenka kjo gjëja më e mbarë për mua?
Të besosh se nuk ka zot tjetër veç Allahut, si dhe që unë jam robi dhe i dërguari i Tij, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut (s.a.s.).
A ishte e mundur të mos i përgjigjeshe menjëherë një kërkese kaq të ngrohtë dhe të sinqertë! Ky djalë, pasi filloi të frymonte veç emocione të mbindezura filloi të thoshte këto fjalë:
- Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se Ti je robi dhe i Dërguari i Tij. Për Zotin, o Muhamed, sa njeri i dhembshur që je! Me të të parë zaten më iku mendja vendit. Nuk dija ç’të bëja, se m’u lidhën duar e këmbë. Pastaj, si e kuptove aq shpejt se çfarë synimi kisha unë? Kur atë nuk e dinte askush, që edhe po ta dinte, prapë nuk do të guxonte të vinte deri te Ty për të ta thënë. Me ç’duket Ti je i mbrojtur nga çdo e keqe. Andaj Ti je ai që përfaqëson të vërtetën dhe të drejtën. Ndërsa ata që rendin pas Ebu Sufjanit, nuk qenkan tjetër pos ushtarëve të djallit.
Këto ishin disa prej fjalive që e bënë të Dërguarin e Allahut të buzëqeshte. Kësodore ishte kapërcyer një tjetër ndodhi e vështirë. Rish kishte ardhur një njeri për ta vrarë, por po kthehej mbrapsht duke fituar besimin dhe kënaqësinë shpirtërore.
Zhvillime të tjera
Të rendësh në rrugën e mbarësisë nuk ishte aq e lehtë, madje kërkonte edhe përpjekje goxha të shtrenjta. Sepse gjatë kryerjes së kësaj detyre do të përjetoheshin çaste të vështira; do të bëheshe objekt shënjestrash jo të hijshme, derisa vinte çasti që flijoheshin edhe njerëz përgjatë kësaj rruge.
Krahu i idhujtarëve, kur e shihte se nuk ia hidhte dot krahun myslimanëve, ndërronte politikat duke luajtur lojëra të shumta dyfytyrësie. Me njerëzit që nisnin në drejtim të Medinës brenda të njëjtit muaj, nga njëra anë tregonin se donin të bëheshin myslimanë, ndërsa nga ana tjetër tregonin, se megjithë mësuesit e nisur drejt tyre, ata kishin shumë njerëz që mund të bënin një përzgjedhje të atillë.
Megjithëse në më të shumtën e rasteve ata përjetonin hidhërim pas hidhërimi, i Dërguari i Allahut, për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave që i vinin, të cilat në pamje të parë dukeshin tejet të mbara, zgjodhi disa prej sahabëve të cilët i kishte përgatitur vetë, të cilët quheshin Sahabët Suffe, e ua nisi.
Ndërsa e vërteta qëndronte tjetërkund. Ky nuk ishte veçse një kurth, në fund të të cilit erdhi lajmi, se në rrethinat Raxhi dhe Bi’r Maune ishin vrarë plot shtatëdhjetë e nëntë myslimanë.
Po prapë, familja e Beni Nadires, të cilët jetonin në Medinë asokohe, shkelën marrëveshjen që kishin bërë me të Dërguarin e Allahut, madje nuk u mjaftua vetëm me aq, por dha edhe urdhër që të vriteshin Profeti bashkë me disa prej sahabëve më të njohur të Tij. Familja e Beni Nadires, e cila edhe pas lajmërimit e pengimit të kësaj vrasjeje prej Xhebrailit (a.s.) nuk e mohoi se kishte pasur një synim të tillë, i hapën luftë njeriut, të cilin e patën zgjedhur si të parin e vendit, derisa në fund u detyruan të dorëzoheshin pasi nuk u kishte ngelur kurrfarë rrugëdaljeje prej rrethimit.
Profeti ynë u dha atyre kohë të mendoheshin e të gjykonin në fund
të gjithë kësaj tradhtie, e gjithë atyre planeve dinake, brenda të cilit atyre do t’u duhej ta braktisnin Medinën.
Këto zhvillime shqetësonin së tepërmi edhe hipokritë si Abdullah ibni Ubej ibni Seluli, madje edhe i pikëllonte tërësej.
Bedri i dytë
Siç kujtohet prej të gjithëve, se ç’tha Ebu Sufjani para se të largohej prej Uhudit:
Vendi dhe koha e takimit tonë të radhës do të jetë sërish Bedri, si në fillim. Atje le të luftojmë!
Edhe i Dërguari i Allahut, iu pat përgjigjur nëpërmjet Omerit të nderuar (r.a.):
Po, me lejen e Allahut. E Omeri ia pati transmetuar me zë të lartë këtë përgjigje të të Dërguarit të Allahut.
Fjala ishte si faturë në ato kohë. Nëse jepej fjala, atëherë kur të vinte koha e folur, të gjithë njerëzit duhet të ishin atje. Të mos e mbaje fjalën e dhënë ishte shenjë mosbesnikërie. Sidomos brenda një situate kaq të ngarkuar, ishte e pamundur që të bëje një hap prapa, kur bëhej fjalë edhe për hakmarrjen e një disfate si ajo e Uhudit. Ndërsa tani kishte ardhur koha, andaj do të shkohej sërish në Bedër.
Nga ana tjetër, Ebu Sufjani, megjithëse ishte pikërisht ai që e kishte kërkuar diç të këtillë, vuante përbrenda, sepse nuk po gjente dot një justifikim për të mos marrë pjesë. Bënte sikur bëhej gati, por më shumë ngase nuk mund ta thoshte troç “të mos shkojmë.” Nga brenda bluante se si mund t’ia arrinte që të mos shkonte. Fillimisht mendoi të përhapte lajmin se kishte bërë gati një ushtri të stërmadhe, të përgatitur enkas për të luftuar, por zemra i donte që të ishte Muhamedi ai që hiqte dorë. Duke përhapur lajmin se kishte përgatitur një ushtri të stërmadhe, ai donte të shtynte myslimanët, që duke u frikësuar ndoshta, të tërhiqeshin mbrapsht.
Ndërkohë në Mekë kishte ardhur Nuajm ibni Mes’udi, i cili kishte prurë lajme mbi përgatitjet e myslimanëve që gjendeshin në Medinë. Ebu Sufjani diti ta përdorte mjaft mirë ardhjen e Nuajmit, andaj vendosi që t’u kërkonte myslimanëve të hiqnin dorë, sepse ai do t’u jepte atyre njëzet deve, të cilat do t’i linte nën kontrollin e Suhejl ibni Amrit. Atij i pati ndarë një deve të veçantë. Me këtë ai ndoshta do të trembte disi syrin e myslimanëve.
Ishte aq i bindur për atë që mund të arrinte Nuajmi me fjalë, saqë u dëgjua shpesh tek i thoshte kurejshëve:
Nisëm Nuajm ibni Mes’udin që ta bindë Muhamedin që të heqë dorë prej betejës. Ai do të përpiqet me mish e me shpirt për ta penguar diçka të këtillë. Megjithatë ne le të nisemi, ta vazhdojmë udhëtimin për nja dy ditë, e mandej kthehemi sërish në Mekë. Kështu që nuk do të jemi ne ata që kthehemi, por ata, gjë të cilën mund ta përdorim më së miri në të ardhmen. Edhe sikur ata të vijnë, ne do t’u themi se ky vit ka qenë një vit thatësire, duke e shtyrë këtë përballje për një vit më të begatë në të ardhmen.
Sa mirë e paske menduar! – i thoshin ata Ebu Sufjanit.
Me një fjalë, kjo pranohej prej të gjithëve, andaj edhe përgjigja e kurejshëve do të ishte krejtësisht aprovuese karshi fjalëve të Ebu Sufjanit.
Sakaq, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u nis prej Medinës me një ushtri prej njëmijë e pesëqind ushtarësh. Në Medinë patën lënë Abdullah ibni Revahën (r.a.). Brenda ushtrisë kishte gjithsej dhjetë kuaj. Flamurin e mbante në duar Aliu i nderuar (r.a.).
Megjithëse këmbët i kishte për të shkuar prapa, edhe Ebu Sufjani u nis në drejtim të fushëbetejës. Në mes tyre kishte gjithsej pesëdhjetë kalorës. Po nisej, por përbrenda e bluante një frikë e dallueshme. Megjithëse kthimi mbrapsht mund të mos pëlqehej prej të gjithëve, kushtet ndryshonin kur niseshe bashkë me një sasi të këtillë ushtarësh, e ai nuk kishte se ç’të bënte nëse ushtarët ktheheshin, duke mos dashur të luftonin. Për të, kur të vinin në vendin e quajtur Merru Zehran, pranë pusit të Mexhenes, ata ranë në një mendje për domosdoshmërinë e kthimit mbrapsht të ushtrisë. Të ikje drejt një përballjeje përfundimi i të cilës ishte i ditur, do të thoshte të ishe duke kryer vetëvrasje. Sepse ata i kishin ende të gjalla, përpara syve ndodhitë e përballura në Bedër dhe Uhud. Kur mbaroi pushimi, e ushtria filloi të përgatitej për t’u nisur, Ebu Sufjani doli në krye e filloi të fliste:
O kurejshë! Ejani të kthehemi pas! A nuk e shihni, që sivjet, thatësira ka kapluar gjithandej, andaj le të biem në një mendje që të luftojmë në të ardhmen, kur të kemi më tepër begati dhe gjelbërim, që edhe bagëtitë të na kenë dhënë më tepër ushqim. Nuk bëhet luftë me gjithë këtë thatësirë. Unë po kthehem, kështu që kthehuni edhe ju!
Zaten ky ishte zëri që mezi e kishte pritur ushtria mekase, andaj filluan të ktheheshin të gjithë, pa dalë asnjëri që të kundërshtonte.
Ndërsa në Medinë gjithçka ishte ndryshe. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili kishte kohë që ishte nisur bashkë me sahabët e Tij, pas një udhëtimi disaditor, mbërriti deri në Bedër në hënën e parë të muajit Dhilkade. Në Bedër ishte ngritur sërish panairi, dhe njerëzit, të grumbulluar nëpër tufa të ndara nga njëra-tjetra, mundoheshin të bënin tregti me gjërat që zotëronin.
Ushtria mekase nuk kishte mbërritur ende. Megjithatë, i Dërguari i Allahut i priti ata për tetë ditë me radhë.
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve të panairit përbëhej prej Profetit tonë (s.a.s.) dhe sahabëve të Tij. Gjatë një çasti, pranë të Dërguarit të Allahut erdhi Mahshi ibni Amri, i cili kishte bërë marrëveshje me Të gjatë përballjes së Uedanit. Në fytyrën e tij dallohej qartë një tis çmeritjeje.
O Muhamed! A nuk ke ardhur Ti gjer në këto puse enkas për të luftuar me mekasit? Mirëpo nga ato që na u thanë neve, ata ju kishin vrarë juve, duke mos lënë këmbë njeriu gjallë. Por, me sa po shoh unë, ju përbëni shumicën e pjesëmarrësve të këtij panairi.
Me sa dukej në Arabinë e asaj kohe ndiqej besnikërisht e njëjta propagandë. Me ç’duket, ata që nuk po merrnin pjesë në luftë, tanimë përpiqeshin, që të paktën ta vazhdonin luftën me rrugë të dobësimit psikologjik. Reagimet e Mahshiut tregonin qartë se sa shumë po habitej ai nga tërë ç’kishte dëgjuar. Kështu, ata duhet të armatoseshin me armën e kundërshtarit, prandaj i Dërguari i Allahut tha këto fjalë:
Megjithatë, nëse ti dëshiron, ne mund ta prishim marrëveshjen që kemi mes nesh!
Ky ishte një reagim aspak i pritur prej Mahshiut. Zaten mendërisht ishte zhytur brenda një lufte të ethshme, sepse i kishte gjetur kaq shumë të gjallëruar, të gjithë ata njerëz për të cilët ishte hapur lajmi se ishin të vdekur. Edhe Ebu Sufjani ishte trembur aq sa të kthehej mbrapsht nga sytë këmbët. Në pah ishte një karvan që gjallërohej nga dita në ditë, e jo një grup njerëzish të rrënuar. Koha po e nxirrte në pah të vërtetën nga e gënjeshtërta. Kështu që ishte krejt e pakuptimshme që të zhyteshe nëpër aventura.
Jo, ne nuk kemi ndonjë ankesë! Madje ne tërhiqemi prej mendimit se mund të ngremë dorë karshi teje, duke pohuar edhe njëherë se jemi të vendosur që të qëndrojmë në marrëveshjen e vjetër, – foli Mahshiu.
Reagimi i Mahshiut tregonte se sa e rëndësishme ishte ardhja në Bedër. Nga njëra anë ta ishin njoftuar për kurthin e ngritur, e nga ana tjetër ishin rrekur që t’i frikësonin. Njerëzit, më shumë se sa atyre që shihnin, parapëlqenin t’u pëlqenin atyre që dëgjonin. Dhe ja, në Bedër, ata po shikonin ato gjëra që në fakt nuk i kishin dëgjuar.
Tanimë radhën e kishte kthimi shëndoshë e mirë për në Medinë, kështu që Profeti ynë i mblodhi sahabët e Tij dhe ia nisi udhëtimit.
Zhvillime të tjera gjatë kësaj kohe
Kumtimi dhe edukimi i njerëzve zgjerohej mjaft nga dita në ditë, duke njohur bashkëbisedues të rinj për çdo ditë. Kur ishte i nevojshëm mësimi i ndonjë gjuhe të re, ata e mësonin menjëherë, e kur nevojitej emigrimi i ndokujt, ai nuk e bënte fjalën dysh.
Edhe leja e faljes së e namazeve katër-rekatëshe me nga dy, si pasojë e të qenit në udhëtim për në luftë, nisi pikërisht gjatë këtyre ditëve.
Si për t’u vërtetuar lajmet e ardhura nga anët e Sirisë, u organizua udhëtimi i Dumetu’l Xhendelit, ku, përpara se të ktheheshin për në Medinë, ata do të arrinin disa marrëveshje të reja me disa prej fiseve më të rëndësishme.
Ishte sërish pikërisht kjo kohë kur myslimanëve iu lajmërua se Beni Mustaliku po thurte një plan kundër tyre, por ata e patën shumë të lehtë që ta kapërcenin pa kurrfarë dëmtimi, derisa u kthyen shëndoshë e mirë në Medinë.
Vetëm me një ndryshim, se entuziazmi i hipokritëve, të cilët kishin bërë gjithë ato plane për plaçkën e luftës që mund të bënin në një udhëtim kaq të shkurtër, ishte tejet i madh. Ata i kishin të gatshme shpifjet që do të përhapnin në mes të luftëtarëve, asisoj që të mos u ngelej fuqi psikologjike, por të ishin sa më të dobët. Ishte pikërisht kjo luftë kur ata guxuan të flisnin mbarë e prapë për nderin e myslimanëve, deri edhe te shpifjet e shëmtuara që ata hodhën mbi nënën tonë, Aishen e nderuar (r.a.). Hijet e hedhura prej këtyre shpirtrave të pista u zbardhën prej fjalëve të Xhebrailit (a.s.), i cili kishte zbritur enkas prej shkallës së Zotit, duke i dhënë zgjidhje jo vetëm kësaj çështjeje, por edhe duke mos i prishur tërësej marrëdhëniet e të Dërguarit të Allahut me ta.
Ishte pikërisht kjo kohë, kur filluan të zbrisnin ajetet e lidhura me çështjen e tejemumit.
Një prej ndodhive të tjera, tejet të rëndësishme, të kësaj kohe, ishte edhe beteja e Beni Lihjanit.
Shënimet
- 253.Uakidi, Megazi, 1/384; Ibni Sad, Tabakat, 2/60