BOJKOTI I PËRGJITHSHËM
Pas Hamzait të nderuar (r.a.), mysliman u bë edhe Omeri. Për Kurejshin, këto ishin dy humbje të njëpasnjëshme. Meka, pasi pa se edhe mëkëmbësit e nisur në drejtim të Etiopisë u kthyen duarbosh, filluan të mllefoseshin pa masë, andaj filluan t’i mprihnin edhe njëherë shpatat e kuturisjes së tërbimit. Sikur të mos mjaftonin vetëm këto, vazhdimisht u vinin edhe lajme prej Etiopisë, të cilat ishin kryekrejet në të mirë të myslimanëve. Sa herë që dëgjonin lajme të tilla, pësonin trishtim pas trishtimi. Nëse vazhdonte kështu, çdo gjë do t’u dilte nga kontrolli, duke mos pasur më mundësi që ta kthenin në gjendjen e mëparshme.
Nga ana tjetër ishte mbrojtja e Hishamëve dhe e bijve të Abdulmutalibit, kështu që nuk mund të ndërmerrnin asnjë vepër të keqe karshi të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. As nuk mund t’i dilnin dot përpara, që ta pengonin të bënte këtë apo atë veprim. Ata vetëm sa i vinin syrin njerëzve të caktuar, për ta sulmuar. Qoftë mysliman, ose jo mysliman, përveç Ebu Lehebit, ishin të vendosur se do ta mbronin Muhamedin e nderuar (s.a.s.).
Ndërsa çdo ditë, nga radhët e tyre largohej nga një i ri, i cili parapëlqente fenë e prurë prej Muhamedit, e kjo i tërbonte fare gjindjen e Mekës. Ngadalë-ngadalë po e ndienin se si gjithçka po u ikte duarsh. Atëherë, këtij problemi i duhej gjetur një zgjidhje e qëndrueshme dhe efektive.
Më në fund, një mbrëmje, në një mbledhje ku ishin mbledhur për të marrë një vendim më të keq se vdekja. Ata do të shkëputnin çdo lidhje me familjen e Hishamit dhe bijve të Abdulmutalibit. As nuk do të merrnin, e as nuk do të jepnin vajza me familjet e tyre. Do t’ia thanin të gjitha burimet nga mund të pinin ujë. Kësodore, krahas të thatave do të digjeshin edhe të njomat. Sakaq do të prisnin se si do të vdisnin të gjithë nga pamundësia, e kështu do ta zgjidhnin çdo gjë, pa qenë nevoja që të hynin në gjakmarrje me ndonjërin prej tyre. Emri i saj i vërtetë ishte bojkot, dhe ishte diçka më e rëndë se kampet e përqendrimit në ditët e sotme. Do të prisnin derisa të digjeshin ashtu nën nxehtësinë përvëluese të shkretëtirës.
Donin që këtë ta bënin diçka të lejueshme. Andaj, mbi një letër të bardhë, filluan të shkruanin çdo gjë me pika, dhe në fund e varën në murin e Qabes. Ishin të gjithë në një mendje. Ai që i shkroi në letër të gjitha rregullat e këtij bojkoti, ishte njeri me emrin Mansur ibni Ikrime.
Ato që pati paralajmëruar Uaraka filluan të dilnin në shesh një e nga një. Edhe kaq ishte diçka e tepërt, por ç’e do se gjëra të tilla ishin normale për Mekën e atyre ditëve. Shtatë vjet pas ardhjes së revelatës së parë, dhe pas një ndodhie kaq të kobshme, në atë natë të nxehtë të muajit Muharrem, ata vendosën të largoheshin njëherë e mirë prej Mekës dhe mekasve.
Krahët e Ebu Talibit ishin ende aty, të gatshme për t’i mbrojtur. Ngritën një çadër jashtë Mekës, në një vend të quajtur Shibi Ebi Talib, me ato pak mundësi që kishin arritur të merrnin me vete. Ajo që ndonjëherë e ngrinin për çadër ishte veç një copë bohçeje e cila i lihej amanet disa shkopinjve të thatë. Megjithëse vetë nuk ishte bërë mysliman, Ebu Talibi nuk i privonte aspak nga ndihma e tij. Andaj, ai për të mos u përballur ndonjë ditë me ndonjë fatkeqësi të të nipit, përdorte çdo arsye të mundshme për të marrë masa për ta, duke futur edhe ndonjërin prej fëmijëve të tij, në shtratin e Tij, në mënyrë që të mos e gjenin dot aty ku e kërkonin.
Shibi Ebi Talib ishte një fushë më shumë gërxhe se tokë e butë. Kjo ishte një periudhë vuajtjeje që do të zgjaste për tri vite me radhë. Vuajtjet shtoheshin nga koha në kohë. Nuk kishte ditë që nga ndonjëra prej tyre të mos dilte ndonjë ulërime. Mekasit tanimë kishin filluar të festonin për ikjen e myslimanëve, të cilët gjendeshin në mes të sëmundjeve ngjitëse që ekzistonin në atë zonë.
Ishin ditë tejet të vështira. Ai që i përjetonte më së tepërmi këto vuajtje ishte i Dërguari i Allahut (s.a.s.), të Cilit i duhej ta kryente vazhdimisht detyrën e Tij të kumtimit, në dritën e revelatave që i vinin. Zaten një periudhë e tillë vuajtjesh vetëm sajë një besimi shumë të fortë mund të kapërceheshin. Vlera e Tij nuk shihej vetëm tek ata që ishin myslimanë, por edhe te të tjerët, të cilët i vinin veshin dhe e dëgjonin. Megjithatë, të gjithë e gjenin njëfarë mënyre për t’i dhënë vetes forcë.
Kumtimi kishte edhe anën e tij që kishte të bënte me njerëzit e tjerë, jashtë bashkësisë së tyre. I Dërguari i Allahut, me aq sa kishte mundësi mundohej që t’i kumtonte të gjithë njerëzve që i dilnin përballë. Mundohej që edhe në muajt e ndaluar, të fliste me çdokënd mbi të vërtetat e Allahut (xh.xh.). Të gjitha këto emocione nuk ishte e vështirë t’i vëreje në fytyrat e të gjithë myslimanëve. Ata pa ia vënë veshin vështirësive që i rrethonin, mundoheshin që të ishin përherë njerëz të veprimit.
Tri vite të stërgjata, të kaluara mes soj soj vuajtjes dhe sëmundjesh të rënda. Ç’padrejtësi e madhe që ishte kjo, t’i fusje në tërë këto vuajtje, gjithë ata pleq, ato gra e fëmijë pa treguar kurrfarë kriteri për njerëzillëk.
I Dërguari i Allahut, mbrëmjeve, kur ishte vetëm për vetëm me Krijuesin, duke kryer adhurimet e përditshme, dëgjonte shpesh të qarat e nënave mbi kokat e fëmijëve të tyre. Ndjenja e mllefit karshi armiqve kishte mbërritur cakun, saqë kishte filluar t’i mërzitej e tërë ekzistenca e tyre. Meka ushtronte mbi ta një trysni sa tërë fuqia e saj, dhe besimtarët e shihnin si të tepruar nëse ngriheshin për të marrë hak. Në krye të atyre që i nxitnin të gjitha këto veprime qëndronte si gjithmonë faraoni i popullit të Mekës, Ebu Xhehli.
Tani ata mund të zbrisnin në Mekë vetëm gjatë muajve të ndaluar. Edhe atëherë vetëm sa për të zëvendësuar paksa mungesën e plotë të ushqimeve. Madje, kurejshët i takonin jashtë Mekës karvanet që vinin për të bërë tregti me ta, vetëm e vetëm që të mos takoheshin dot me myslimanët. Mundoheshin që t’i bindnin që as të mos blinin, e as të mos shisnin gjë ndaj myslimanëve. Disa herë, edhe nëse nuk kishin nevojë, ua blinin gjithë mallin karvanëve, në mënyrë që të mos ngelej gjë për myslimanët. Nuk u kishte ngelur asgjë në dorë.
Kishin mbaruar të gjitha.
Po vuanin aq shumë nga varfëria dhe uria, saqë Sad ibni Ebi Uakasi, poshtë vendit ku po kryente disa nevoja, gjeti një copë lëkure, të cilën e lau mirë e mirë, e pastaj e hëngri, për të prerë urinë vdekjeprurëse që po e mbyste. Aq sa arriti të paktën të mund ta drejtonte trupin, e të mos rrinte i përkulur. Disa hanin gjethe ose lëvore peme, sa për të hequr urinë, e pastaj rrinin të shtrirë duke i tretur, njësoj siç veprojnë gjedhët.298
Hatixhja e nderuar, në këto ditë të vështira, ishte një nga njerëzit që për pak desh dha shpirt. Sepse ajo nuk ishte e një natyre që të mund të rrinte duarlidhur. Megjithëse të gjitha mundësitë i ishin shtypur si pasojë e bojkotit, ajo e njihte mirë tregun, andaj niste nipin e saj Hakim ibni Hizamin, që t’ia binte në Shibi Ebi Talib ato që i kishin ngelur prej pasurisë së saj. Kësodore, ajo bëhej edhe njëherë pikë mbështetjeje për myslimanët e atyre ditëve të vështira. Edhe një mbrëmje, si shumë herë të tjera, ai u nis që t’ia çonte të hallës një grusht misër që arriti t’ia gjente me shumë vështirësi. As kjo nuk i shpëtoi Ebu Xhehlit, kështu që ai bëri çmos që t’ia zinte rrugët. Si mund të dilte kundër gjithë asaj ushtrie të mohimit një njeri i vetëm? Edhe sikur i vëllai i tij të ishte, në këtë çështje, për Ebu Xhehlin nuk kishte përjashtime.
Po i çon për të ngrënë bijve të Hashimit, ëëë? – foli ai me një ton të ashpër, si përherë. Të betohem se as ti nuk më shpëton dot nga duart, e as të lejoj që ta çosh atje këtë ushqim. Ke për ta parë se si kam për të të turpëruar përpara gjithë Mekës.
Ndërsa ishin në këtë bisedë e sipër pranë tyre erdhi Ebu Bahteriu. Edhe ai ishte nga bijtë e Hashimit. Nuk kishte besuar, por ishte më mirëkuptues. Në fillim deshi të mësonte se si qëndronte çështja.
Çfarë po ndodh këtu? – pyeti ai.
Është nisur për të ndihmuar të bijtë e Hashimëve, - iu përgjigj Ebu Xhehli.
Ka në dorë pak ushqim që do t’ia çojë hallës së vet, dhe ti e ndalon? - e pyeti ai sërish, por kësaj here me një reagim aspak të mirë.
Hapja rrugën, - i tha, dhe e shtyu me dorë, duke u bërë shkas që në mes tyre të niste një sherr i vërtetë. Aq sa për një çast, Ebu Bahteriu gjeti një kockë nofulle, dhe me të goditi Ebu Xhehlin. Diku larg ishte edhe Hamzai, i cili po e ndiqte këtë zënkë me të gjitha imtësitë. Sakaq ky veprim do t’u jepte guxim edhe atyre që mendonin njëlloj me Ebu Bahteriun, kështu që të gjithë sa ishin filluan të zienin për ta shfuqizuar bojkotin e vendosur kundër myslimanëve.
Ndërkohë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) shkoi për te xhaxhai i Tij, Ebu Talibi dhe i tha:
Xhaxhai im i dashur, atë letër që e varën kurejshët kundër meje, Allahu i nisi një krimb, i cili e cërmiti derisa nuk i ngeli më pjesë e shkruar për ndonjë shpifje, bojkot apo padrejtësi.
Ebu Talibi e shihte i çmeritur. Ai e dinte mjaft mirë se nipi i tij nuk do të shkonte kurrsesi vetëm për të parë letrën e varur në Qabe. Urrejtja dhe mllefi i kurejshëve nuk do ta kishte lejuar kurrsesi diçka të këtillë, madje as t’i afrohej pranë. Andaj, e pyeti:
Zoti yt ta lajmëroi këtë?
Po, - iu përgjigj i Dërguari i Allahut.
Zaten, deri më sot, tek i nipi nuk kishte parë as shenjën më të vogël të gënjeshtrës. Andaj, vetëm se e thoshte Ai, Ebu Talibi e besonte menjëherë. U ngrit menjëherë, dhe shkoi për të lajmëruar edhe vëllezërit e tjerë. Saora ishte duke u mbyllur një tjetër periudhë padrejtësish. Ky emocion nuk duhej të ngelej i kufizuar vetëm me ngjarjet e Shibi Ebi Talibit, andaj ata shkuan menjëherë në Qabe për të parë letrën e marrëveshjes për bojkot. Ata që e panë ardhjen e tyre të menjëhershme, menduan se ç’mund të kishte ngjarë sërish lidhur me Qaben. Ebu Talibi filloi t’ia bënte të gjithëve të ditur fjalën e nipit të tij, e bashkë me të, me një ton sikur donte të pohonte fjalën ardhur nga Zoti, tha:
Padyshim, që djali i vëllait tim, Muhamedi, tha se në letrën e varur prej jush Allahu ka dërguar një krimb për ta cërmitur. Nuk ka dyshim, se ai nuk gënjen asnjëherë. Të gjitha fjalët e lidhura me padrejtësinë, prerjen e lidhjeve farefisnore, apo sjelljeve të tjera të pahijshme janë zhdukur prej letrës. Në krye ka ngelur vetëm fjala “Allah”. Nëse fjala e nipit tim del e drejtë, duhet t’i lini këto sjellje kaq të pahijshme. Nëse nuk janë të vërteta, atëherë unë do t’jua dorëzoj nipin me duart e mia.
Për Kurejshin, i cili as që ia kishte haberin atyre që po thuheshin, ky ishte një rast me zile. Sepse Ebu Talibi, në një kohë kur patën menduar se nuk mund të bënin asgjë, po ia sillte vetë nipin. Domethënë nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Andaj, menjëherë thanë:
Në rregull. Ti veprove me të vërtetë drejtë, - thanë ata.
Sakaq u drejtuan për nga muri i Qabes, dhe po garonin me njëritjetrin kush e kush ta shihte i pari letrën. Po gëzonin pa kufij. Vetëm ç’të shihnin! Gjithçka doli siç kishte thënë Ebu Talibi. Ç’ishte kjo? Ishin si të ngrirë. Si vula, si letra e shkruar, u ranë nga duart. Tani po përjetonin edhe njëherë një shok. Tani radhën për të folur e kishte Ebu Talibi:
Atëherë nuk ngeli kurrfarë kuptimi për të bërë bojkot, - tha ai, dhe e ngriti perden e Qabes, për të hyrë brenda.
O Zot, ndihmona Ti karshi këtyre njerëzve që na bëjnë çdo lloj padrejtësie, që na lënë as pa ato gjëra që janë e drejta jonë, e që na sulmojnë përherë pa kurrfarë shkaku!
Ata u kthyen edhe njëherë në atë vend, prej të cilit ishin larguar për të përjetuar atë vuajtjen e pandërprerë, që zgjati plot tre vjet. Vetëm se tani asgjë nuk do të ishte si më parë. Ajo që u tha pranë Qabes u pranua, dhe disa njerëz të mbarë filluan të bënin lëvizjet e tyre.
Shënimet
- 126.Buhari, 2/576
- 127.Ebu Nuajm el-Isbahani, Hiljetu’l Eulija, 1/93 298 Po aty.
- 128.Ibni Hisham, Sire, 2/195 e më tej; Taberi, Tarih, 1/550; Madje shih edhe: Ibni Ebi Shejbe, Musanef, 7/357
- 129.Ibni Hisham, Sire, 2/219 e më tej; Ibni Sad, Tabakat, 1/208 e më tej.