NË SHTËPINË E IBNI ERKAMIT
Idhujtarët vinin e i shqetësonin, madje edhe talleshin pareshtur me ata që lexonin Kuran, ose falnin namaz. Prandaj Profeti i Nderuar, bashkë me besimtarët e tjerë, rrekeshin që të gjenin vende sa më të mbyllura e të padukshme për të kryer ritet e tyre të adhurimit karshi Allahut (xh.xh.). Megjithëse, vinte dita, që ata i mësonin edhe këto vende; sepse nuk mund ta mposhtnin dot aq kollaj vesin e keq të të torturuarit me çfarëdolloj mënyre, vetëm të mund të bënin diç të atillë.
Kishin kaluar dy vjet që kur kishte zbritur detyra e bekuar e profetësisë, prandaj besimtarët u mblodhën edhe njëherë të gjithë së bashku. Po faleshin të gjithë bashkë në një vend të mbyllur, derisa një grup mekasish ia behu edhe aty. Filluan të talleshin me besimtarët e devotshëm, derisa fjalët ia lanë vendin goditjeve. Në zënkë e sipër, Sad bin Ebi Uakasi nuk e kontrolloi dot veten, por e kapi njërin syresh dhe ia goditi kokën për një guri. Ai njeri ngeli ashtu shakull në vend. Zaten të gjithë mosbesimtarët po kërkonin asprën, kështu që kjo do t’u shërbente më së miri si një arsye për të bërë ç’t’u donte qejfi.
E tashmja nuk do të ishte hiç e mirë pas kësaj ngjarjeje. Resulullahu Paqja qoftë mbi Të, deri më tani po mundohej të gjente një mënyrë gjithëpërfshirëse për t’i dhënë zgjidhje sa më të paqshme situatës. Ai po gjuante të gjitha rastet, që si e si të gjendej një vend i fshehtë dhe i mbyllur, ku besimtarët të mund të faleshin dhe të ndanin me njëritjetrin mendimet mbi fjalët e bekuara të Allahut, ajeteve të Kuranit Fisnik. Kishte nevojë për pak kohë, që të mund ta zgjidhte diçka të tillë. Kështu edhe nuk bëheshin objekti kryesor i sulmeve të gjithanshme, e për më tepër nuk humbnin kohë duke u kapërfytur me idhujtarët, që vetëm atë avaz kishin, të përdornin vetëm dhunën karshi besimtarëve.
Erkam bin Erkamit i kishte ardhur tashmë në dorë një mundësi e artë për t’i përdorur të gjitha ç’kishte në një rrugë të së Drejtës. Kishte një shtëpi në kodrën e Safasë, kështu, pa humbur kohë i ftoi, Resulullahun paqja qoftë mbi Të bashkë me sahabët e Tij të nderuar. Aty mund të falnin namaz lirisht, të lexonin pjesë nga Kurani Fisnik, madje edhe t’i shqyrtonin ato ndërveti.
Ftesa ishte e pranueshme, kështu që u prit mirë edhe prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Po fillonte një periudhë e re, andaj Ai e pranoi menjëherë zgjidhjen që të rrinte në shtëpinë e Ibni Erkamit në Safa. Kjo do të thoshte edhe tri vite të tjera jete.
Fqinjësive të këqija u kaloi koha, e për Islamin kjo do të thoshte një ngjyresë e re për t’u zhvilluar. Gjendja ishte tjetër, aspak si më parë. Myslimanët vinin aty përditë fshehurazi, ndanin me njëri-tjetrin mendimet mbi kuptimet e fjalët të Resulullahut të dashur (s.a.s.). Gjenin mundësi të zhyteshin në biseda për besimin dhe devotshmërinë, por e gjitha e shoqëruar me një vuajtje për ata që jetonin të panjohur ende me bukuritë e besimit të tyre. Mus’ab ibn Umejri (r.a.)
Mus’ab ibn Umejri ishte fëmija i një familjeje tejet të pasur e aristokrate. Nënës dhe babait të tij u dridheshin duart kur kujdeseshin për të. Nëna e tij, Hunasi, e kishte të birin si dritën e syve, saqë nuk donte as ta ndante asnjëherë prej ngrohtësisë së saj prej dhembshurie amësore.
Mus’abi, me të ardhur në moshën e adoleshencës, u duk se do të ishte një djalë më se i pashëm. Kishte një qëndrim të hijshëm; atë që vishte njëherë, nuk e vishte më për herë të dytë. Vazhdimisht hidhte erëra të mira, e kundërmonte ëmbëlsi ngado që i binte të kalonte. Një gjendje e tillë ishte e pashmangshme, që gjithë gjindja t’u vinte nga pas. Atje ku kalonte ai hapeshin dritaret dhe perdet lëviznin me shpejtësi, që të mund të shihnin me ëndje këtë djalosh simpatik që kalonte. Kishte një qëndrim prej të pjekuri, dhe ishte i respektuar nga të gjithë që e rrethonin. Nëpër mbledhje ishte një kënaqësi për pjesëmarrësit që të kishin edhe Mus’abin të pranishëm. Të gjithë e respektonin mjaft, madje aq sa mund të thuhet se ia kishin hapur tej e tej si zemrat ashtu edhe portat.
Sakaq, një ditë prej ditësh, edhe atij filluan t’i vinin disa fjalë në vesh. Meraku që e kaploi ishte diçka e pashpjegueshme. Një mbrëmje, si në një ëndërr, e gjeti veten në shtëpinë e Ibni Erkamit. Atje ishte i Besuari i Njerëzimit që lexonte Kuran, e komentonte atë dhe lutej aq gjerë, sikur të donte t’i përfshinte të gjithë brenda atyre lutjeve. Për një çast e ndjeu që ishte aq i përqendruar në fjalët e Tij... Ishte e pamundur të mos pësonte një goditje nga ato fjalë. Tashmë i dukej sikur ishte përballë me një burim urtësie që buçiste tërë forcë. I dukej sikur atë që po dëgjonte i zbrisnin deri në thellësitë më të paimagjinueshme të qelizave.
Kjo gjendje e tij nuk i shpëtoi as vëmendjes së Profetit të nderuar. Iu afrua, ia vendosi dorën në sup, dhe filloi ta përkëdhelte. Me lëvizjet e duarve të Profetit ai ndjente besimin t’i rridhte nëpër damarë. Vetëm aty ai po ndjente një pjekuri që qëndronte larg moshës së tij të vërtetë. Kjo ishte një pjekuri që do ta ndryshonte krejt rrjedhën e ngjarjeve. Tani po e kuptonte më mirë që ajo jeta e rehatshme në mes të luksit nuk mund t’i jepte, e as që kishte për t’ia dhënë rehatinë e rehative. Sepse tani çdo gjë ishte e re dhe më se e natyrshme.
Tashmë, edhe Mus’abi ishte zhytur në atë hauz ku ishin zhytur më parë Bilalët, në shtëpinë e Ibni Erkamit; nuk mund të rrinte dot pa shkuar shpesh aty. Nga njëra anë ndjente një rrymë të ëmbël t’i nëpërkalonte dejet, nga ana tjetër ndjente keqardhje për mekasit që nuk ia kishin kuptuar vlerën gjithë këtyre, madje që kishin marrë një pozicion të kundërt karshi saj. Si ishte e mundur të mos i kuptohej vlera diçkaje të këtillë?
Ishte bërë mysliman, mirëpo si do ta ndante këtë me të tjerët, sidomos me nënën. Sepse nuk kishte asnjë forcë tjetër, sa ajo, që ta bënte aq të tërhequr. Edhe sikur me tërë Mekën t’i duhej të përballej, nuk i bënte tërt syri, por reagimi i nënës, e çorodiste krejt. Kështu që mendoi ta mbante të fshehtë besimin e tij; nuk do t’i thoshte asgjë askujt, e nuk do t’i duhej as të hynte në konflikt me të ëmën.
Vetëm se në Mekën e atyre ditëve ishte e pamundur që të fshihje diçka. Të gjithë ishin kthyer në spiunë të idhujtarëve. Lëviznin sa majtas djathtas me lajme nga më të rejat.
Një ditë, atë e pa Osman bin Talha teksa po hynte në shtëpinë e Ibni Erkamit. Kur e pa për herë të dytë, Mus’abi po falej. Osmani tani nuk kishte më asnjë mëdyshje se edhe Mus’abi ishte prekur prej rrjedhës. Nuk i besonte dot syve dhe mendimeve që ia kapluan përnjëmend mendimet; një i pasur si ai, si ishte e mundur që të bashkohej në një radhë me Bilalin, Hababin, që ishin të skamur. Si ishte e mundur që të bëhej një me ta, e të hiqte dorë prej zotave që i kishin trashëgim nga të parët e tyre. Rendi me një frymë për te nëna e tij, e pa lënë asnjë sekondë që t’i ikte i shpjegoi asaj se si qëndronte gjendja. Duhej gjetur menjëherë një zgjidhje, duke i thënë “ndal” njëherë e mirë tërë kësaj lëvizjeje.
Nuk kishte ngelur asnjë njeri që nuk kishte dëgjuar për rilindjen e Mus’abit. Kur shkoi në shtëpi, u përball me ashpërsinë e nënës, njësoj siç e kishte parashikuar. Ai djaloshi simpatik, Mus’abi, që njëherë e një kohë nuk e linin t’u ikte prej vështrimeve të tyre, tanimë thoshte gjithandej “Allah”, dhe shprehte simpatinë e ethshme, megjithëse e dinte se do të hante dru pas çdo fjale. Si e si që të mos lidhte kontakt me asnjërin prej myslimanëve, atë e patën izoluar në një vend të mbyllur, duke i lënë edhe një roje mbi krye. Me zemër dhe me mendje ishte përherë pranë të Dërguarit të Allahut, por me trup po jetonte këtë burgim në shtëpinë e vet!
Po, edhe dëshirat e nënës ishin tejet të rëndësishme, por edhe një nënë nuk mund t’i vinte drynin zemrës së fëmijës së saj. Nuk mund ta prekte... Kishte disa të drejta dhe disa detyra karshi tij!.. E kishte të pamundur që të ndahej prej djalit të saj aq të dashur. Ç’kuptim kishte “humbja” e tij, kur sapo e kishte lidhur pas vetes?
Ndërhyrja e Ebu Bekrit të nderuar
Kaluan disa kohë. Pranë Profetit tonë të dashur (s.a.s.) gjendeshin gjithsej tridhjetetetë myslimanë. Ebu Bekri i nderuar (r.a.) kishte arritur majat në ndriçimin prej pasurisë së shpalljeve hyjnore, por nuk i kishte dhënë dot fund furtunave që kishin nisur brenda tij, e njëlloj si ai, edhe Ebu Dherri donte që ta thoshte emrin e Allahut me zë të lartë mu aty në Qabe. Mirëpo, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) theksonte se nuk kishte ekuilibrim të mjaftueshëm të forcave:
Ne jemi shumë pak në numër, - thoshte Ai, por, prapëseprapë nuk ia theu dot akullin përbrenda Ebu Bekrit të nderuar. Mandej, për të mos e lënë vetëm, e mori me vete, dhe shkuan të dy për në Qabe. Të gjithë ishin tërhequr mënjanë, dhe po dëgjonin Ebu Bekrin e nderuar që po i ftonte njerëzit në fenë islame. Sakaq, ai po fitonte cilësinë e kumtuesit të parë haptaz.
Veçse kurejshët, të cilët nuk mund ta duronin një tjetër zhvillim jashtë vullnetit të tyre, iu vërsulën që t’i sulmonin. I kishin vënë në shënjestër të gjithë sa gjendeshin aty, e po i godisnin me ç’t’u gjendej në duar. Ndërkohë, edhe Ebu Bekrin e kishin vënë midis këmbëve dhe vetëm e godisnin ashpërsisht. Utbe ibni Rebiaja kishte një mllef të paimagjinueshëm, e po e rrihte për vdekje atë. Asisoj që fytyra e Ebu Bekrit të nderuar ishte mbuluar prej të kuqes së gjakut, e hunda i ngjante sikur t’i ishte ngjitur pas fytyre. Trupi i Ebu Bekrit të drobitur, gjendej i shtrirë përdhe, pa ndjenja. Në fund, të gjithë u larguan me mendimin se “vdiq”.
Sakaq, kushërinjtë e tij, që e morën vesh, erdhën dhe e morën që ta shpinin në shtëpi. Me ta parë seriozitetin që kishte fituar situata, shkuan të gjithë tok dhe u betuan aty pranë murit të Qabes:
Nëse Ebu Bekri vdes, ne do ta vrasim Utben.
Mandej u kthyen sërish për në shtëpinë e Ebu Bekrit. Aty ishin mbledhur gjithë të afërmit e tij, të cilët po prisnin që ai të jepte qoftë edhe një shenjë se ishte ende në jetë. E nxitnin vazhdimisht që të fliste.
Aty në të ngrysur, u duk sikur erdhi pak në vete... Ebu Bekri lëvizi. Po, sa mirë, po jetonte!.. Saora, të afërmit që rrinin aty pranë filluan të frymëmerrnin normalisht. Ia kishte hedhur lehtë një gjakmarrjeje që do të zgjaste për vite me radhë.
Ebu Bekri ishte një njeri që e dinte shumë mirë përse jetonte, dhe tërë horizontet ia kishte mbushur dashuria për Të. Në fillim, teksa i sakrifikonte të gjitha ç’kishte mall e pasuri, ishte i gatshëm edhe për këto ditë. U mundua ta mblidhte veten sa më shpejt të ishte e mundur; megjithëse përpiqej, prapë e kishte të pamundur që të ngrihej në këmbë. Mundohej diç të thoshte. Fjalia e parë që i derdhej përmes dhëmbëve ishte:
Si është i Dërguari i Allahut?
Ishte e pamundur që ata që gjendeshin rreth e qark në ato momente t’i jepnin kuptim. Një njeri që sapo ishte kthyer paq prej vdekjes, nuk pyeste për veten, por për Të. Ishte e pakuptueshme. Nuk i dhanë fare rëndësi, por u ngritën që t’i jepnin diçka për të ngrënë e për të pirë.
Nga ta dinin ata se problemi i tij kryesor nuk ishte e ngrëna dhe e pira. Ebu Bekri, nëse i kishte ndodhur ndonjë gjë e keqe të Dërguarit të Allahut, si mund t’i shkonte mendja te buka? Si mund ta freskonte ai veten me ujë të ftohtë, nëse nuk merrte më parë ndonjë lajm për gjendjen e të Dërguarit të Allahut.
Me ta parë që ai jetonte, kushërinjtë filluan të largoheshin një e nga një. Ebu Bekri tashmë ishte vetëm me nënën e tij. Kur i hapi sërish sytë, mbi krye i rrinte e ëma me një enë me supë. Ai, prapë me buzët që mezi i lëvizte filloi të thoshte të njëjtën fjali:
Si është i Dërguari i Allahut?
Për Zotin, që nuk kam asnjë lajm në lidhje me Të, - iu përgjigj ajo me një shikim tërë çudi. Si nënë që ishte, po i dhimbte xhani. Djalit të vetëm, që ia kishte falur Allahu, i ishin thyer krahët, e rrinte i shtrirë i mbuluar nga gjaku.
Nuk kishte asnjë zgjidhje... Megjithëse u mundua, e kishte të pamundur të ngrihej. Ishte përballë një problemi që nuk mund t’i gjente zgjidhje, andaj iu përgjërua nënës së tij:
Të përgjërohem, o nënë, të kishe shkuar njëherë te Umu Xhemilja, e bija e Hatabit e të pyesësh.
Zemra e nënës rrihte akoma dhe më shumë prej dhembshurisë. Shkoi menjëherë për tek Umu Xhemilja.
Ebu Bekri pyet prej teje, se si është i Dërguari i Allahut, - e pyeti ajo fillimisht.
Vetëm se, atë ditë, për një njeri, që të pranonte se kishte besuar në Islam ishte një arsye e mjaftueshme që të përndiqej dhe të përflitej. Po, edhe Umu Xhemilja ishte një besimtare e re. Vetëm se nuk e pranonte besimin që të mos e merrnin vesh kurejshët. Kështu që, vendosi t’i përgjigjej se nuk e dinte se kush ishin Ebu Bekri dhe Muhamedi, i biri i Abdullahut. Vetëm se, nëse Umu Hajri kishte ardhur deri këtu, medoemos duhet të kishte diçka të rëndë.
Në gjithë këtë çështje se ç’ka një gjë të çuditshme, - tha ajo dhe u kthye për në shtëpi. Ebu Bekri i nderuar shtrihej ashtu i mpirë dhe pa lëvizje. Umu Xhemilja nuk e mbajti dot veten kur e pa në një gjendje aq të vështirë. Duke mos e marrë parasysh edhe gjendjen e Umu Hajrit, tha:
S’ka dyshim se ata që ta kanë bërë këtë duhet të jenë ata të shthururit. Besoj se Allahu ka për të ta marrë hakun shumë shpejt.
Reagimi i Ebu Bekrit nuk ishte i ndryshëm nga më parë: - Ç’bëri i Dërguari i Allahut? Ku është ajo?
Umu Xhemilja e kishte mbledhur veten, e kishte filluar sërish të sillej më e kujdesshme:
Ke nënën këtu, po i dëgjon të gjitha ç’po fliten, – tha ajo qetësisht. Ebu Bekri e njihte nënën e tij, andaj:
Nuk të vjen asnjë e keqe prej saj. Nuk del asnjë sekret prej saj, - i dha ajo besën, e sakaq dha sihariqin që do ta qetësonte mirëfillthi Ebu Bekrin.
Shëndoshë e mirë është.
Veçse ajo nuk dukej se do të mjaftohej me kaq. Zaten edhe besnikëria këtë e bënte të nevojshme.
Ku është Ai? – e pyeti ai sërish.
Në shtëpinë e Erkamit, - iu përgjigj Umu Xhemilja.
Pa e parë me sytë e vetë, ngjante sikur dhimbjet nuk do t’i reshtnin aspak. E mblodhi edhe njëherë veten dhe tha:
I betohem Allahut, se pa shkuar ta shoh me sytë e mi Resulullahun, as kam për të ngrënë, e as kam për të pirë.
Nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të prisnin që gjendja përreth të qetësohej disi. Kur ra muzgu, dhe gjithësia ra në qetësi, e morën Ebu Bekrin për krahësh dhe u nisën për në shtëpinë e Ibni Erkamit.
Besniku më i madh u derdh mbi këmbët e të Dërguarit të Allahut me ta parë se Ai ishte shëndoshë e mirë. Filloi t’ia puthte fytyrën. Megjithëse ishte në një gjendje të atillë saqë ishte e pamundur të mos ndjeje keqardhje, ai ndihej tani sikur kishte fituar gjithë botët. Po përjetonte një gëzim të parrëfyeshëm. Kjo, veç të gjithash, ishte edhe një dashuri për robin më të dashur të Allahut, më e madhe se dashuria për nënën, babain dhe gjithë të dashurit e tjerë. Ishte përfundimi ku mund të arrinte një njeri i përsosur për nga besimi. A nuk kishte këshilluar ashtu edhe vetë I Dërguari i Allahut?
Në këtë situatë, edhe sahabët e tjerë, kur panë plagët e panumërueshme të Ebu Bekrit të nderuar, zunë të qanin. Nga ato që dukeshin ishte prekur së tepërmi edhe i Dërguari i Allahut. Edhe këtë pikëllim ia pati kuptuar Ibni Ebi Kuhafeja. Zaten ishte aq i ndjeshëm, saqë nuk ishte i kënaqur që Resulullahu të prekej duke parë gjendjen në të cilën ishte... E si mund të ishte!.. Ebu Bekri, i cili e kishte shumë të vështirë të shpëtonte nga qarjet, i dolën këto fjalë nga goja.
Nëna dhe babai im të qofshin falë, o Resulullah! Unë nuk kam asgjë serioze. Vetëm se më vjen pak rëndë që të më rrahë ai njeri i ndyrë.
Ç’dashuri është kjo, që pikëllohet edhe për pikëllimin e të tjerëve për gjendjen e tij të mjerueshme, e për të mos e mërzitur më tej ishte gati të pohonte se nuk kishte asgjë.
A ishte afruar kaq shumë me të Dërguarin e Allahut, edhe këtë duhet ta përdorte më së miri në të mirë të besimit. Nuk duhet ta humbte këtë rast. I tregoi Atij nënën e tij, dhe me një zë që i dridhej, i kërkoi:
- Ja, kjo është nëna ime, o i Dërguari i Allahut! Ka një dashuri shumë të thellë për mua, gjithashtu është shumë e mirë me nënën dhe babanë e saj. Ti je i begatë. Sikur ta kishe ftuar edhe Ti në fenë e Allahut. Sikur t’i luteshe edhe Ti Allahut për të, e më këtë shkak shpëton edhe ajo prej Xhehenemit!
Ç’sinqeritet!.. Dhe, prapëseprapë çfarë sakrifice. E një nxënësi kaq të devotshëm, as i Dërguari i Allahut nuk mund t’i thoshte jo. Hapi duart, dhe filloi t’i lutej Allahut Mëshirues që t’i jepte besim nënës së dashur të Ebu Bekrit.
Domethënë, çasti kishte ardhur, dhe ç’mirësi ishte kjo që edhe
Umu Hajri do të kthehej, po aty, në myslimane.
Ebu Bekri, i cili edhe në çastet kur luftonte jeta me vdekjen brenda tij, kujdesej për besimin dhe shpëtimin e tjetrit. Nuk kishe ç’t’i thoshte gëzimit të tij. Kthimi i nënës së tij në besimtare ia bëri të harrueshme të gjitha dhimbjet. Ata ndenjën bashkë me të Dërguarin e Allahut, aty, në shtëpinë e Ibni Erkamit për rreth një muaj.
Kjo ngjarje e dhimbshme, ishte shkak për një tjetër shtatzëni me një tjetër fryt, dhe pikërisht atë ditë, erdhi edhe Hamzai, xhaxhai i
Resulullahut, për të pranuar fenë islame.
Hamzai bëhet mysliman
Hamzai ishte dy vjeç më i madh se i nipi, dhe njëkohësisht ishte vëlla qumështi me Të. E ëma e tij, Halja, ishte vajza e hallës së Aminës, nënës së Profetit. Kishte kohë që i ndiqte nga larg të gjitha ato çfarë po ndodhnin. I maste mirë e mirë në kokë ato që thuheshin për të nipin, por nuk po e jepte që nuk po e jepte dot një vendim përfundimtar.
Kishin kaluar vetëm dy vjet që nga koha që ishte shpallur profetësia. Ishte sërish stina e haxhit. Ebu Xhehli, një ditë prej ditësh, në muajin e Dhulhixhes, erdhi pranë të Dërguarit të Allahut që gjendej në kodrën e Safasë, dhe pasi tha gjithato fjalë që nuk t’i nxë goja, bëri edhe shumë veprime që ia thyen zemrën së tepërmi Profetit të Njerëzimit. Megjithatë, Resulullahu heshtte e nuk reagonte negativisht. As që përpiqej që të kthente ndonjë përgjigje. Ebu Xhehli, pasi e pa se nuk po i vinte reagimi që ai kishte paramenduar, u nis menjëherë për të shkuar pranë kurejshëve të tjerë që gjendeshin sakaq në Qabe. Edhe shërbëtori i Abdullah ibni Xhudanit ishte njëri prej dëshmitarëve që i dëgjuan ato çfarë u thanë aty.
Pa kaluar shumë kohë, edhe i Dërguari i Allahut u largua prej andej, dhe shkoi në dhomën e Tij të lumturisë.
Në atë kohë, Hamzai, xhaxhai i Tij, ishte veshur në armë e po kthehej nga gjahu. Hamzai ishte një djalosh shumë i pashëm dhe që i shkonte ajo madhështi; në mes të kurejshëve të gjithë kishin frikë prej tij, aq sa nuk e fshihnin dot mahnitjen përballë madhështisë së tij, madje do të përzgjidhnin të rrinin më mirë në anën e tij, sesa t’i dilnin kundër. Gjuetinë e bënte me kënaqësinë sikur po adhuronte diçka; kur kthehej i lumtur nga gjahu përshëndoshej me të gjithë gjatë rrugës, dhe punët e asaj dite kishte dëshirë që t’i përfundonte duke vizituar njëherë murin e Qabes. Derisa u takua me shërbëtorin e Abdullah ibni Xhudanit. Të rrije i heshtur përballë padrejtësisë ishte padrejtësi më vete, andaj ai mendonte që t’ia tregonte të xhaxhait ato që i kishin ndodhur të birit.
O Ebu Umare! A e dëgjove se ç’i bëri Ebu Xhehli pak më parë nipit tënd, Muhamedit? Ja, mu këtu, u nis për nga ai, dhe pasi e shau me fjalët më të pahijshme, e dhunoi. Për më tepër, vetëm pse ai nuk iu përgjigj, ai vazhdonte ta nxiste. Muhamedi nuk nxori zë fare.
Për një çast, Hamzai filloi të turfullonte. U bë sikur do t’i plaste damari i fryrë i qafës. Po, i nipi kishte ardhur me njëfarë feje të re, por e donte shumë atë. Deri më sot nuk e kishte hapur gojën për ato që i ishin bërë, pasi ndoshta edhe nuk ishte mjaftueshëm i informuar për ato çfarë kishin ndodhur. A mund t’i bëhej gjithë kjo padrejtësi një njeriu, për më tepër kur ai ishte plotësisht pa mbështetje? E kapi heshtën dhe shtizat dhe u nis për te Ebu Xhehli. Tashmë sikur e kishte harruar fare përshëndetjen e njerëzve. Të gjithë po shqetësoheshin ngase po e shihnin aq shumë të nxehur, e sakaq po prisnin të shihnin se ç’po ndodhte. Nuk qëndronte pranë askujt, e nuk po përshëndeste ashtu siç bënte gjithnjë. Dukej që ishte përqendruar në një qëllim të vetëm, e po ecte me hapa tejet të shpejtë.
Më në fund, mbërriti pranë Qabes. Nga shikimi dukej qartë se dikë po kërkonte. E pa teksa po ulej. Erdhi tërë nxitim në drejtim të tij. Zemrat e atyre që gjendeshin të ulur po u vinin në gojë. Ebu Xhehli me të parë mbërritjen e tij, u pendua njëmijë herë për ato që kishte bërë, por ç’e do se ajo kishte ikur tashmë. Shkoi menjëherë pranë Ebu Xhehli, dhe filloi ta rrihte me goditje të shpejta.
Si i hakërrehesh ti Atij, dhe e shan more! Edhe unë prej fesë së Tij jam; Ja ku jam, po të them ato që thotë Ai. Hajde, po pate guxim, dilmë dhe mua përballë, ta shohim njëherë, – thoshte ai me zë të lartë.
Ebu Xhehli ishte mbuluar nga gjaku tashmë. Bijtë e Mahzumëve u përpoqën që ta ndalonin Hamzanë, por ishte Ebu Xhehli ai që i pengoi.
Lëreni Ebu Umaren! Isha unë që e fyeva rëndë të nipin e tij sot, - thoshte ai. Ndoshta arsyeja e vërtetë ishte që ta sillte sërish mbrapsht Hamzanë. Ndoshta nuk ishte ende në dijeni se shtamba ishte thyer. Veçse, ishte shumë vonë tanimë.
Sakaq, disa prej të pranishmëve nuk duruan dot pa i thënë nja dy fjalë:
Ç’është kjo, o Hamza? Mos u magjepse edhe ti?
Për mua, derisa çdo gjë të dalë në pah, e qartë, çfarë mund të ma ndalojë që ta pranoj se Ai është i Dërguari i Allahut, dhe se thotë veçse të vërtetën? Ju betohem në Zot, se unë nuk kam për të hequr dorë prej Tij; nëse jeni aq burra që e mbani fjalën, dilmëni edhe mua kundër për këto që po them, e ta shohim njëherë!
Hamzai ishte më se i vendosur, andaj shkoi menjëherë për tek i nipi, Muhamed Fjalëdrejti. I tregoi për gjendjen shpirtërore në të cilën gjendej... I ndau me të një e nga një të gjitha mendimet, dhe sakaq i premtoi se do të ishte në anën e Tij deri në fund. Në fakt, ishte një zgjedhje tejet e vështirë; sepse për një xhaxha, t’i përulesh deri te gjunjët nipit, dy vjeç më të vogël, është tejet e vështirë. T’i kalosh fshirësen sipër plot dyzet e katër viteve, e të sapolindësh edhe njëherë si fëmijë, kërkonte një vullnet të posaçëm, dhe ishte pikërisht Hamzai i nderuar ai që e vendosi në vend këtë vullnet.
Vetëm se që ta realizoje këtë vullnet nuk ishte aq e lehtë siç mund të mendohej rëndom. Në mbrëmje, atë e priste egoja, e cila do ta fuste në kthetrat e veta, duke i hedhur, njëra pas tjetrës, pyetje nga më të shumëllojshmet. Një njeri si Hamzai po zinte vendin e vet në safët e besimtarëve, andaj si mund të mendohej se shejtani do të rrinte duarbosh? U shfaq menjëherë përballë tij, dhe i tha:
Hë more, a nuk ishte ti zotëria i kurejshëve? Hoqe dorë prej fesë së të parëve të tu për t’i besuar një magjistari! Të bësh atë që bëre ti është më e rëndë sesa të kishte vrarë veten! – thoshte ai, dhe rrekej që t’ia ndërronte mendjen Hamzait të nderuar.
Kjo ishte një qasje djallëzore... Megjithëse në pamje të jashtme dukej e arsyeshme, ishte një lëvizje dinake për t’ia ndryshuar mendjen bashkëbiseduesit. Tamam një rast gjuetie të paqtë. Vetëm se, Hamzai, gjuetari i luanëve, ishte bërë Hamzai i nderuar, dhe një vullnet si i tiji nuk mund të dorëzohej aq lehtë. Vetëm se dyshimet vazhdonin t’ia vizitonin herë-herë mendimet. Patjetër, a mund të lihej i qetë një njeri si Hamzai i nderuar.
Hamzai, të cilit nuk i hynte gjumë në sy, shkoi në Qabe për t’ia bërë të ditur Krijuesit gjendjen e tij, e atje u lut e u përgjërua që Allahu ta çlironte prej mendimeve dyshuese që ia kishin kapluar mendimet. Tashmë i kishte hyrë një rruge që ishte e detyrueshme që t’i realizonte siç duhej detyrimet e saj. Me të vërtetë, Allahu ia pati hequr supesh atë gjendje Hamzait pasi ai ishte qarë me sinqeritet të plotë. Tanimë Hamzai i nderuar mund të kthehej i qetë për në shtëpinë e tij.
Ditën tjetër, Hamzai i nderuar, me të aguar u nis për në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për t’i treguar ato që kishin ngjarë një ditë më parë. Resulullahu u drejtua nga ungji i Tij, dhe me një ndjesi dhembshurie filloi të fliste me të gjerë e gjatë. Një besim i palëkundur nuk mund të tutej para asgjëje. Pikërisht prej kësaj arsyeje, Hamzai nuk do të linte mundësi që t’i shpëtonte pa u përballur me mohuesit në përgjithësi. Këto ishin fjalët e fundit që i tha të nipit teksa largohej prej andej:
Ja ku po ta them me tërë ndjenjat që burojnë nga sinqeriteti, se Ti je përfaqësuesi i së Drejtës, o i biri i tim vëllai. Vazhdo ta përhapësh fenë tënde pa e vrarë mendjen për kurrkënd. Lëvduar qoftë Allahu, që, që sot e tutje, as drita e diellit nuk ka më tepër rëndësi për mua. Unë sapo u njoha me fenë e parë.
Ardhja e Hamzait të nderuar kishte një rëndësi të veçantë për të gjithë myslimanët e atyre kohëve. Fytyra të tëra që i kishte marrë malli për një buzëqeshje, po njiheshin, qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër, me buzëqeshjen; ndjenjat e paralizuara kaq kohë, tanimë po pushtoheshin prej haresë së brendshme. Ç’mëshirë e madhe! Në një ditë që do të ishte e hidhur, po ndodhte diçka kaq e veçantë, sa ç’mund të ishte besimi i një gjuetari luanësh siç ishte Hamzai. Këtej e tutje, ai do të ishte përherë në një radhë me të Dërguarin e Allahut. Që tani ai do të vepronte vetëm nën dritën e këshillave të Tij, duke e ndihmuar përballë çdo ngarkese të rëndë. Lëre, që tani, edhe kurejshëve do t’u duhej të llogaritnin edhe Hamzanë në mesin e besimtarëve. Për shembull, atyre do t’u duhej të hiqnin dorë prej disa huqeve të gjertanishme. Çdo hap i tyre tanimë dukej disi më i matur.
Kësisoj, familja e Mutalibëve po pastrohej edhe njëherë; ndërkohë që Aliu dhe Hamzai gjenin burimin e jetës, të cilët ishin secili nga një mburojë për Islamin, ndërsa Ebu Lehebi bashkë me bijtë e tij, zemërgurët Utbe dhe Utejbe, njerëz që nuk ia kishin idenë përmendjes së Zotit, rrinin gjatë gjithë ditës shtrirë në kokërr të qejfit. Një ajet që do të zbriste ato ditë e përshkruante kështu situatën:
Çdo njeri, që zemra i mbytet në dritë prej Allahut, ngase ai i ka hapur atij zemrën, a mund të jetë i njëjtë me atë që, për faj të një zgjedhjeje të vetën, i është ngurtësuar zemra, duke iu ndryshuar edhe karakteri?
Turp t’u vijë atyre që zemrat u janë ngurtësuar sepse nuk përmendin emrin e Allahut! Padyshim, ata janë brenda një çudhëzimi.
Plani i Utbes
Në Mekë, çdo çast, kishte nga një surprizë të re; nga njëra anë përhapeshin ato që sillte Xhebraili Fjalëdrejtë, nga ana tjetër ishin mosbesimtarët kurejshë, që mundoheshin si e si që t’u dilnin përballë myslimanëve me nga një kurth të ri. Deri më sot nuk kishin lënë kurth pa përdorur. Por prej asnjërit prej tyre nuk kishin arritur ndonjë përfundim. Tanimë, ata po përjetonin hidhërimin e humbjes së një burri si Hamzai. E ndjenin se si, nga dita në ditë, ata po përjetonin humbje, duke parë edhe përparimet sasiore dhe cilësore që ndodhnin në mesin e besimtarëve.
Utbja, që për ta ishte në nivelin e një prijësi në mendim, u ngrit një ditë prej ditësh, dhe u tha atyre një plan të ri. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut ishte ulur diku aty pranë Qabes, e po adhuronte Allahun i vetëm. Utbja, duke treguar me dorë andej nga ishte i Dërguari i Allahut, i thotë atyre:
O kurejshë! Ç’thoni? Të shkoj e të flas unë me Muhamedin. Le t’i bëj disa oferta. Ku i dihet, ndoshta edhe i pranon disa prej tyre.
Pse jo, o Ebu Velid. Shko dhe fol njëherë me të!
Utbja, që kësaj here mori edhe aprovimin e popullit të tij, u çua dhe nisi të ecte në drejtim të tij. E çuditshme, sikur kishte filluar ta kapte paksa një ndjenjë mirëdashjeje. Sikur nuk ishte Utbja ai që po vinte. Iu afrua dhe filloi t’i thoshte:
O djali i tim vëllai! - Dukej që nuk është se kishte ardhur për të besuar. Por, ç’ishte në të vërtetë kjo sjellje kaq e butë prej tij? Megjithatë ai vazhdoi të fliste. - Edhe ti e di, se pozicioni yt në familjen tonë është i veçantë. Por ti iu afrove njerëzve të tu me gjëra aq të reja, që ata u përçanë, dhe mund të vazhdojnë edhe më tej ta bëjnë. I akuzove të parët e tyre me devijim. Ti u bëre për ta dhe zotat e tyre një objekt turpi. Me pak fjalë, ti i mohove të gjitha ato që u ishin lënë atyre prej të parëve. Tani dëgjomë me kujdes, sepse kam vendosur të të ofroj disa zgjidhje. Nëse i pranon, atëherë edhe mund të merremi vesh disi.
Për pak çaste, edhe i Dërguari i Allahut u duk se po dëgjonte tërë kujdes. Vallë ç’do të ishte propozimi i këtij njeriu. A do të gjente fund armiqësia e formuar ndërmjet tyre? A do të kishte mundësi që të shkonin drejt paqes këtej e tutje?
Thuamë o Ebu Velid, po të dëgjoj, - ia ktheu Ai.
O nipi im, nëse do që të arrish pasuri nëpërmjet atyre që na ke prurë, le të mbledhim mjaftueshëm pasuri në mesin tonë, e le të të bëjmë ty më të pasuri ndër ne. Nëse prej tyre pretendon që të arrish një pozicion më të lartë shoqëror, le të të bëjmë mbret, saqë as ne të mos hedhim madje as një hap pa u këshilluar më parë me ty. Nëse të gjitha këto janë rrjedhim i ngacmimit të ndonjë xhindi apo magjie, na lër që të të ndihmojmë që të shpëtosh prej tyre. Sepse nëse nuk shërohet diçka e këtillë, atëherë mund ta marrë plotësisht nën kontroll atë njeri.
Plani i ri i kurejshëve ishte më se i qartë. Profeti ynë (s.a.s.) kishte rënë i tëri në heshtje. Çfarë kërkonin sërish këta njerëz? Utbja, hodhi dhe një hap të fundit.
O Muhamed! Ti je më i mirë, apo yt atë, Abdullahu, është më i mirë? – e pyeti ai.
As kësaj pyetjeje nuk iu përgjigj Profeti ynë. Jo, ndoshta edhe po i jepte përgjigjen më të drejtë, heshtjen e plotë. Ndërsa Utbja, i cili nuk mori përgjigjen që kërkonte, vazhdoi me fjalët e tij djallëzore.
Nëse ti mendon se ai ishte më i mirë se ty, dije se ai adhuronte pikërisht këta idhuj që ti i përçmon. Ama, nëse ti sheh veten si më të mirë se ai, pa na i thuaj ato që ke për të thënë, që t’i dëgjojmë.
Radha i erdhi Profetit tonë të nderuar të fliste, i Cili meqenëse nuk kishte folur gjer atëherë, vendosi të ishte Ai kësaj here që pyeste:
A kaq kishe për të thënë, o Ebu Velid?
E ç’mund të thoshtje tjetër.
- Po, - u përgjigj ai heshturazi. Tanimë fjalën e mori Mbreti i fjalës.
– Tani dëgjomë pak mua.
Në rregull, - ngjante sikur u përgjigj ai.
U përgjunj me respekt, dhe:
Bismil’lahi Rrahmani Rrahim! Ha-mim! Ky Kuran është një mesazh i ardhur prej Allahut Mëshirues dhe Mëshirëbërës. Ajetet e tij janë shpërfaqur në gjuhën arabe, posaçërisht për ata që mendojnë. Në të ka, si lajme të lidhura me të ardhmen, ashtu edhe për ata që i kanë veshët të bllokuar, që t’i thërrasin mendjes, e të vijnë sakaq në vete. Megjithatë, disa ndër ta, nuk ia vënë veshin, e nuk besojnë. “Ne kemi disa perde mes shikimit tonë dhe atyre që thoni ju!” – thonë ata.
Profeti i profetëve fliste, ndërsa Utbja, i ngjeshur në një qoshe dëgjonte me vëmendje. Me të ardhur në ajetin e trembëdhjetë, nuk duroi dot më. Filloi të dridhej sikur të ishte me tuberkuloz. I zgjati duart drejt buzëve të të Dërguarit të Allahut. Dukej që nuk i kishte ngelur më asnjë fije fuqie.
Hesht, o Muhamed! Për hir të Allahut që beson, hesht! - tha ai.
Ja pra, o Utbe! I dëgjove mirë ato që kishe për të dëgjuar, këndej e tutje të ngelet ty në dorë të mendosh.
Utbja po përjetonte një shok të parrëfyeshëm. Ato që dëgjoi e shpartalluan krejtësisht. Ndoshta po ndjente turp për ato propozime të ulëta që i kishte bërë një personaliteti kaq të lartë. U çua me rëndesën e një goditjeje të fuqishme, e sakaq u drejtua nga vendi ku gjendeshin shokët që po e prisnin.
Nga ana tjetër, ata që mezi po e prisnin, një ta parë se ai po vinte hiç siç ishte parashikuar, filluan diç të thoshin me njëri-tjetrin. Ebu Xhehli nuk duroi dot më, prandaj u hodh ai i pari që ta pyeste:
Të betohem, o Ebu Velid, se po të shoh që je kthyer në një gjendje shumë më të keqe nga ç’pate ardhur. Të gjithë e kishin kuptuar shumë mirë ndryshimin që kishte ndodhur brenda tij.
Na i trego njëherë, o Ebu Velid, ç’bëri vaki, që qenke bërë si meit? Sytë e tij ishin përqendruar në drejtim të një pike të papërcaktueshme, ndërsa goja filloi të derdhte disa fjalë:
Ju betohem, që kam dëgjuar ca fjalë të atilla, që është e pamundur të mund t’ua gjesh shoqet tjetërkund. Dhe ju betohem, se ato nuk janë as poezi, as magji e as parashikime! O populli i Kurejshit! Ejani, e vërini veshin këtyre që po ju them, e të heqim dorë nga pengesat që i kemi vendosur atij njeriu! Lëreni të qetë në punën e tij! Ju betohem, në fjalët që ai thotë, bëhet fjalë për diçka me të vërtetë të madhe. Sakaq, nëse arabët nuk i bëjnë gjë atij, do të vijë dita që të tjerët do ta bëjnë. Por nëse vjen një ditë që arabët ngrihen sipër sajë tij, atëherë pasuria e tij ka për të qenë pasuria juaj, e krenaria e tij, krenaria juaj. Atëherë mund të jeni ju njerëzit më të lumtur.
Fytyrat e atyre që dëgjonin ishin varur krejt, dhe dukej qartë se nuk po u pëlqente aspak, asgjë prej atyre që po u zinin veshët. Edhe kaq mezi e kishin duruar së dëgjuari.
Ai të paska magjepsur edhe ty, more Ebu Velid, - ia patën ata me një zë. E saora zunë të largoheshin, sepse me kaq menduan se nuk do të mund të bënin gjë tani për tani.
Ky është mendimi im për të, - u përgjigj Utbja, - ju bëni ç’të doni!
Së andejmi, Utbja u nis menjëherë për në shtëpi. Me sa duket kishte nevojë për të ndenjur pak vetëm. Ajetet që kishte dëgjuar, e kishin goditur sikur të ishte secili nga një rrufe...
Pa kaluar shumë kohë, në portën e tij ia behu Ebu Xhehli, djallë-
zia e të cilit ia kalonte edhe asaj të vetë djallit. Kishte frikë se mos nga çasti në çast Utbes i tiposej që të bëhej mysliman, andaj duhet të vepronte me nxitim që të mos pësonin një humbje të tillë... Zaten e dinte mirë edhe anën e dobët të Utbes. Do ta godiste me anë të krenarisë së tij.
O Utbe, dëgjova se Muhamedi të kishte bërë gjithë ato komplimente. Të kishte shtruar edhe zijafet, ku nuk kishte lënë gjë pa të shtruar përpara. Ndërsa ti, duke mos i duruar gjithë këto të mira, i kishe besuar. Gjithë populli zien duke e pohuar këtë.
Utbja u inatos. Me sa duket, Ebu Xhehli goditi sërish në shenjë. E kishte kapur në pikën e tij të dobët.
Të gjithë e dini se unë nuk kam aspak nevojë për ushqimin e tij, - u përgjigj Utbja i turfullosur. Unë jam më i pasur ndër të gjithë ju. Por, ç’është e vërteta, ato që më tha Muhamedi më tronditën shumë. Ato që më këndoi nuk mund të jenë poezi. As me fjalët e ndonjë fallxhori nuk ngjanin. Nuk di se ç’të them. Ai është një njeri që thotë veç të drejtën. Teksa më këndonte, pata frikë se do të na vinin edhe neve ato fatkeqësi që u erdhën popujve të Adit dhe Themudit...
Propozimi i bashkësisë
Edhe plani i Utbes shkoi dëm. Nuk kaloi shumë kohë, dhe paria e Mekës u mblodh edhe njëherë në Qabe, më shumë për të ndarë mendime mbi ndonjë strategji që mund të ishte më tepër frytdhënëse. Sepse edhe Muhamedi, bashkë me shokët e Tij kishin përparuar shumë, aq sa nuk dinin të ndalur. Rryma e besimit, e cila fuqizohej nga dita në ditë, mund t’i përpinte edhe ata një ditë të mirë, duke mos u lënë asnjë degë ku të kapeshin.
Aty ishin zëre se të gjithë; Utbja, Shejbeja, Ebu Sufjani, Nadr ibni Harithi, Ebu Bahteriu, Esued ibni Mutalibi, Zem’a ibnul Esuedi, Velid ibni Mugire, Ebu Xhehli, Abdullah ibni Ebi Umeje, As ibni Uail, Umeje ibni Halef, e shumë të tjerë trima. Ishin mbledhur aty të gjithë me të perënduar dielli, për të bërë një vlerësim të gjendjes nën hijen e Qabes. Derisa, më në fund, njëri prej tyre u hodh të thoshte:
Dërgojini një lajmës Muhamedit, e të shohim se ç’do të na thotë! Thuajani të gjitha, që të mos na qahet nesër a pasnesër përse nuk e lajmëruam.
Paria e Mekës është mbledhur, e të thërret edhe ty; eja menjëherë,
i thanë ata Profetit të Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të
Profeti i profetëve, u nis menjëherë pasi u merakos mos situata kishte të bënte me besimin e ndokujt. Aq shumë e dëshironte që në mesin e tyre të dilnin besimtarë! Ishte mërzitur tashmë me kokëfortësinë e tyre. Zuri të shpresonte se mos nëpërmjet këtij takimi do t’i hapej rruga kushedi se ç’rrugëzgjidhjeje për të besuar. Erdhi dhe u ul pranë tyre.
O Muhamed! Ne të thirrëm që të ulemi e të flasim shtruar. Ne në mesin e arabëve nuk kemi parë më herët ndonjë njeri që të nxjerrë më shumë ngatërresa, të përflasë të parët e vet, të flasë keq për zotat tanë, përveç teje. Të gjitha të këqijat na kanë ardhur pasi erdhe ti.
Sjellja që ata po tregonin që në fjalitë e para, e bënë Atë të mendonte tashmë se shpresat do të ngeleshin për ndoshta ndonjë tjetër kohë të mbarë. Përveç kësaj, ata nuk harruan të radhisnin edhe sharjet e përhershme. Të gjitha të këqijat që i kishin shkaktuar vetë me duart e tyre, tanimë po ia numëronin një më një sikur t’i kishte bërë Krenaria e Njerëzimit. Sikur të ishin lugë të bardha të nxjerra prej qumështit. Mandej, fjalën e sollën te propozimi i Utbes, duke thënë gjëra të ngjashme edhe kësaj here. Ja se ç’i thoshin:
Nëse po mendon që të mund të mbledhësh mall për t’u bërë i pasur në mesin tonë, na thuaj, e ne të mbledhim sa të mundim, që të të bëjmë ty më të pasurin ndër ne. Nëse ke dëshirë që të jesh njeriu më i nderuar në mesin tonë, na thuaj që të të mbajmë si të parin tonë. Nëse jo, e ke dëshirë të bëhesh mbret, atëherë na thuaj, e ne menjëherë do ta pranojmë mbretërimin tënd. Por edhe nëse të kanë pushtuar xhindet, atëherë na lejo që me pasurinë tonë të të shërojmë; të paktën kështu mund të shërohesh, e ne kështu do të kemi bërë detyrën tonë karshi teje.
Kjo ishte e tepërt... Në fakt kjo ishte një pamje që bënte të ditur dallimin mes dy botëkuptimeve. Ata që rendnin pas botës dhe gjërave kalimtare të saj menduan se me këtë do të mund ta mbulonin botën tjetër me tërë pasuritë e saj. Por, prapëseprapë sqepari u kishte rënë në gozhdë të kalbur. Profeti i profetëve, pasi i dëgjoi të gjitha këto, mori edhe ai fjalën:
Asnjëra prej atyre që thatë ju nuk është e vërtetë! Qëllimi im nuk është, as t’ju marr pasuritë, e as të ngre ndonjë mbretëri mbi ju.
Allahu më ka dërguar mua si profet për ju, duke më dhënë një libër që t’jua lexoj. Gjithashtu më ka urdhëruar që t’ju paralajmëroj për të ardhmen. Kështu që unë jam veç duke kryer detyrën që më është ngarkuar prej Zotit tim, duke ju këshilluar. Nëse i pranoni ato që unë ju këshilloj, e i përvetësoni, ky ka për të qenë fitimi juaj më i madh. Por, edhe nëse më kundërshtoni, unë do të pres deri ditën që Allahu do të vendosë ç’të dojë me ju, – tha Ai.
A mund të kishte ndonjë shprehje më të qartë se kaq? “Kjo botë qoftë e juaja, unë po përpiqem që t’ju shpëtoj ahiretin.” Edhe ata e kishin kuptuar. “Ne të bëjmë ç’të duam, Muhamedi s’ka që s’ka për të lëvizur nga mendimet e tija. E kështu ne nuk do të përparojmë as edhe një milimetër.” Kësodore, ata filluan ta sillnin situatën drejt një tjetër dimensioni. Dikush u hodh i pari, dhe tha:
O Muhamed! Nëse na lejon, që të ta shpjegojmë njëherë e mirë si është puna. Ti e di, që nuk ka më të varfër, pa pasuri, pa katandi, e në nevojë sa ty. Sikur t’i kërkosh Zotit që t’i lëvizë nga vendi këto male, e të na bëjë që së andejmi të burojnë ujëra të kristalta. Njëkohësisht, të na ringjallë të vdekurit nga të parët tanë, veçanërisht Kusaj ibni Kilabin, që ta pyesim nëse ke të drejtë, e ai të na thotë të vërtetën. Sepse ne e dimë, që ai është fjalëdrejtë. Nëse ai thotë se ti ke të drejtë, atëherë ne do ta pranojmë të gjithë fenë tënde, e do të të besojmë. Do ta kuptojmë më mirë shkallën tënde te Zoti, e kështu që do të kemi pranuar se ti je profet, i dërguar prej Tij.
Fe Subhanallah! Ata po talleshin fare hapur me të Dërguarin e Zotit. Kjo do të thoshte veç fyerje e hapur! Paturpësi ndaj robit më të dashur të Zotit. Madje me këtë mënyrë të foluri, jo vetëm të Dërguarin e Allahut, por ata po fyenin edhe vetë Zotin. Cilit prej tyre mund t’i kthehej ndonjë përgjigje? Madje edhe po t’i përgjigjeshe, kush mund ta kuptonte syresh të Dërguarin e Allahut! Përgjigjja më e mirë që mund t’u jepej ishte heshtja.
Atmosfera ishte ngrirë e tëra. Mbi të gjitha, Resulullahu (s.a.s.) mendonte se në mes tyre mund të dilte ndonjëri që do të besonte, prandaj nuk e mbyllte asnjëherë krejtësisht mundësinë për të pasur mundësi bisedimi. Megjithë ashpërsinë e situatave Atij i duhej të duronte. Të paktën do të vinte një ditë, dhe ata që do të vinin në të ardhmen, do të bënin dallimin mes dy palëve, e do të zgjidhnin anën e të drejtëve. Edhe po të mos ishin ata vetë që do të dorëzoheshin, ndoshta do të vinte dikush prej familjeve të tyre që do të besonte. Sepse në fund të fundit, të Madhit i bie të tregojë madhështinë e Tij. Andaj Ai foli edhe njëherë:
Mua Allahu nuk më dërgoi që t’ju bëj kësi gjërash. Unë jua prura atë çfarë kisha për t’ju prurë. Andaj, nëse e pranoni këtej e tutje, kjo do të thotë lumturi në këtë botë dhe në atë të përtejmen për ju. Por, nëse nuk e pranoni, duke e refuzuar, unë do të duroj derisa Allahu të japë vendimin e Tij, duke ju pritur.
Dukej që shpirti i bardhë dëborë i Profetit Muhamed paqja qoftë mbi Të ishte mërzitur së tepërmi. Nuk ishte ndonjë situatë ku të mos hidhëroheshe. Andaj, mundohej që të mos e zgjaste më tej bisedën, sepse donte të largohej një orë e më parë nga ajo gjendje.
Veçse synimi i të tjerëve ishte ku ta zgjasnin më tepër. Nga mesi i tyre u çua njëri prej tyre dhe po me të njëjtën të folur, tha:
Meqë nuk e pranon asnjërën prej atyre që të thamë ne, atëherë, kërkoji ndihmë Zotit që të të ndihmojë. Sikur të të dërgonte ndonjë engjëll që ti i përmend aq shumë, që të na japë ndonjë informacion për ty. Ose sikur t’i kërkosh që të të shtrojë para syve parajsa dhe kopshte të pafundme parajsore, e të të çojë në mes të të pasurve përnjëherësh. Sepse ti vjen vërdallë rrugëve njëlloj si ne, njerëzit e thjeshtë. Kështu, ne do të kemi mundësi ta shohim edhe vendin që ti zë për Të.
Dukej që atyre u kishte kërcyer damari tashmë. Tanimë ata veç po talleshin për qejf të tyre. Ambienti ishte kthyer si në një kafene fshati. Një herë dilte njëri para e broçkulliste, pastaj dilte një tjetër, e mandje një tjetër. Megjithatë, Profeti i Njerëzimit paqja qoftë mbi Të duronte pa nxjerrë asnjë gjysmë fjale. Megjithëse ndjenjat mund të thoshin ndryshe, ajo që duhet të ishte më vepruesja në këtë rast ishte arsyeja.
Subhanallah! - tha Ai. - Unë jam veç një profet. Nuk është aspak e hijshme që një profet t’i flasë kështu Zotit të tij. Zaten, a nuk u dërgova posaçërisht për të vepruar kështu unë? Allahu (xh.xh) më dërgoi mua si sihariqdhënës dhe këshillues. Nëse më besoni, atëherë fitoni si këtë botë edhe tjetrën. Nëse nuk pranoni, atëherë unë duroj derisa Zoti të marrë vendimin e Tij.
Tanimë nga secili prej tyre dëgjoheshin zëra. Edhe Profeti i profetëve ishte çuar në këmbë për t’u nisur në drejtim të dhomëzës së Tij të lumturisë. Kishte ardhur me të tjera shpresa, ndërsa tani po kthehej kushedi sa dhimbje. Ishte krejt i vetëm. Nuk kishte askënd tjetër pos Zotit të Tij ku të mbështetej, derisa në fund i erdhi në ndihmë Xhebraili (a.s.).
Zoti shprehej kështu në ajetet që po i zbriste kësaj radhe:
Ata po të thonë ty: “Ne nuk besojmë në ty derisa Zoti yt të na nxjerrë ujë prej një burimi të pashtershëm.” Ose, që ti të kesh kopshte të tëra hurmash, ndërmjet të cilave të kalojnë përrenj të shumtë. Ose të na sjellë këtë apo atë prej qiellit, ose të paktën të na tregojë engjëjt. Kësodore që ne të besojmë në fjalët e tua. Jo, jo, as kjo nuk është e mjaftueshme. Të kesh edhe një shtëpi, apo të fluturosh drejt qiellit. Veç mos harro! Po nuk na zbrite një libër së andejmi, prapë nuk kemi për të të besuar, ta dish! Thuaju: “Fe Subhanallah! E ç’jam unë tjetër veç një profet i Zotit.”
Pikërisht në mes të një populli të këtillë po zbritej Kurani. I Dashuri Famëlartë (s.a.s.) kishte pikërisht një mbështetje të këtillë hyjnore. I Dërguari i Allahut sapo kishte përjetuar një mbrëmje të skëterrshme, ndërsa tani kishte zbritur Xhebraili Fjalëdrejtë, që përveçse theksonte sigurinë ndaj çdo gjëje, por edhe po i mësonte qëndrimin që Ai duhet të mbante karshi tyre.
Në fakt, po ta shihje me kujdes, edhe këta të pashpirtë, e dinin mjaft mirë që Ai ishte i Dërguari i fundit; e besonin se ky ishte ai profeti i shumëpritur. Por, mbi të gjithë këtë besim, ata nuk mund të hiqnin dot dorë prej mendjemadhësisë së tyre prej faraoni, urrejtjes apo inatit që i kishte kapërthyer zemrat. Nuk ia përngjasonin dot vetes një dorëzim krejt të atypëratyshëm.
Mugire ibni Shube, do të thoshte pikërisht këto fjalë teksa e rrëfente ngjarjen e atjeshme:
“Po uleshim bashkë me Ebu Xhehlin. Aty ku po rrinim ulur, pamë sërish Muhamed Fjalëdrejtin teksa po afrohej në drejtimin tonë. Na kumtoi disa gjëra, kur Ebu Xhehli ia pat:”
O Muhamed! Nëse i bën të gjitha këto që ne të dëshmojmë në botën tjetër, mos ki merak, unë do të dëshmoj se e ke kryer detyrën tënde, veç lërna të qetë.
Muhamedi u largua sërish kryeulur dhe i mërzitur prej andej.
Ndërkohë unë e pyeta Ebu Xhehlin:
Me të vërtetë e beson atë që sapo the?
Në fakt, e di që Ai është një profet. Mirëpo kaherë që ndërmjet nesh dhe Hashimëve ekziston një konkurrencë e fortë. Kanë kaq kohë që na mburren se e kanë pikërisht ata privilegjin e mbulesës së Qabes dhe pritjes së vizitorëve të saj me ujin e freskët të Zemzemit. Të na thonë edhe që profeti doli pikërisht prej tyre, atëherë këtë nuk e duroj dot.
Edhe një tjetër propozim
Sërish, një ditë prej ditësh, Profeti doli prej shtëpisë së Tij për të shkuar e për të kryer tavaf rreth Qabes. Ndërkaq përballë i doli Esued ibni Mutalibi, Velid ibni Mugireja, Umeje ibni Halefi dhe As ibni Uaili. Dukej qartë që tanimë kishin thurur një tjetër kurth, e po prisnin që t’ia propozonin Muhamedit një orë e më parë.
O Muhamed! Pa eja njëherë se kemi vendosur që të adhurojmë Zotin tënd, veçse edhe ti duhet të adhurosh zotat tanë. Kësodore, ne do të kemi rënë në një mendje. Ndërkohë, nëse Zoti më i mbarë do të jetë yti, ne do të kemi përfituar sakaq prej Tij, e nëse më të mbarë janë zotat tanë, atëherë edhe ti do të kesh përfituar sakaq.
Çfarë pretendonin ata nëpërmjet kësaj kërkese? A do ta adhuronin ata me të vërtetë Zotin e Vetëm nëse e zëmë se i Dërguari i Allahut do të pranonte? Kur në fakt adhurimi ishte i atillë që duhej përsëritur çdo ditë. Nuk mund të ktheheshe një vit nga njëra kible, tjetrin nga një tjetër e kështu me radhë. Me çfarë mund të shprehej tjetër kjo veçse me tiparet e një njeriu krejt të lëkundur? Sikur të donte t’ua mbyllte edhe njëherë, njëherë e mirë, gojën mosbesuesve, zbriti Xhebraili (a.s.). Ajetet e zbritura thoshin këto fjalë:
Thuaju: “O mohues! Unë nuk e adhuroj atë që adhuroni ju! Zaten ju nuk e adhuroni Atë që adhuroj unë. E unë nuk kam aspak ndërmend që t’u besoj atyre që u besoni ju. Me ç’kuptoj, ju as që keni ndërmend që të besoni në Zotin që po ju këshilloj unë. Atëherë, feja ime për mua, e feja juaj për ju!”
Si e shihnin armiqtë të Dërguarin e Allahut Paqja qoftë mbi Të
Megjithëse këto fushata ndërmerreshin mjaft shpesh, madje edhe duke ardhur deri në pikën që mendonin edhe për ta vrarë të Dërguarin e Allahut, mendimet e tyre për Të nuk ishin asnjëherë të këqija. Sepse Profeti ynë kishte një jetë aq të drejtë, saqë të gjithë e thërrisnin “i Besueshmi”, kështu që ata nuk kishin se si ta fshihnin sigurinë që ndjenin tek Ai.
Lëre pastaj, që ato që thoshte Ai nuk ishin fjalë që mund të harroheshin aq lehtë, apo të hidheshin poshtë. Të mos vrasësh, të mos kryesh marrëdhënie me kë të doje, të mos vidhje; të mos ia vësh syrin pasurisë së tjetrit... Këto ishin vlerat rreth të cilave ata kishin ndërtuar krejt jetën e tyre.
Veç të tjerash, të respektoje prindërit, derisa të mos u lije asgjë të mangët; të kryeje vizita në njëpasnjëshme te të afërmit, për të ruajtur marrëdhëniet farefisnore, të bëje vetëm mirë ndaj të gjithëve, të mos ndieje as nevojën për t’iu afruar ndonjë veprimi që binte ndesh me të bukurën. Edhe këto nuk ishte se ishin fjalë që nuk të joshnin.
Vetëm se, t’i besoje vetëm Allahut... Kurani... llogaria dhe jeta e përtejme, apo ekzistenca e dy engjëjve që ruanin çdo gjë që bënin ata, ishin tema që i shqetësonin jashtëmase. Ata ishin kundër çdo parimi që mund t’u vidhte sadopak nga rehatia dhe kënaqësia e shijimit të jetës së përditshme. Nuk ishte aspak e lehtë; do ta linin mënjanë të gjithë jetën që kishin jetuar gjer më tani, për të hyrë sot në një rrugë krejt të re, madje e kundërta e asaj të gjertanishme. Të bëje këtë zhvendosje ishte çështje virtyti.
Të parët e atyre që qëndronin kundër ato ditë ishin Ebu Xhehli, Ebu Sufjani, Ahnes ibni Sheriku. Një ditë ata patën ardhur secili në kokë të vet, që ta dëgjonin të Dërguarin e Allahut se ç’këndonte ashtu teksa i falej Zotit të Tij. Ishin kureshtarë. Mirëpo gjithashtu, nuk donin as që ndonjëri tjetër syresh ta merrte vesh kureshtjen e tyre, kështu që parapëlqenin që këtë gjurmim ta bënin kur binte errësira e natës. Ky takim i tyre në të njëjtin vend dhe për të njëjtën arsye ishte diçka e veçantë. Robi më i dashur i Allahut, ishte lidhur aq fortë me Zotin e Tij, e po përjetonte një takim tërë ndjenja me Të. E dëgjuan tërë kureshtje, por edhe me një habi të parrëfyeshme. Ato fjalë që po dëgjonin ishin si pika mëshire që po u zbrisnin prej qielli... ishin përqendruar aq shumë në dëgjim, saqë nuk e kuptuan se si kaloi e tërë ajo kohë e faljes.
Me t’u prerë zëri i Kuranit, secili prej tyre u nis drejt shtëpisë së vet pa nxjerrë as gjysmë zëri. Kur nuk kaloi shumë, dhe rruga i takoi sërish në një udhëkryq. Ishin si të turpëruar me veten.
- Të mos e bëjmë edhe njëherë diçka të këtillë! Sepse nëse na sheh ndonjë njeri i dobët, edhe neve në këtë gjendje, mund të bjerë në të thella, e të shkojë të dorëzohet pranë tyre.
Ishte e lehtë të thoshe diçka të tillë, por ishte krejt e pamundur që ta harronin atë që u kishin parë sytë e u kishin dëgjuar veshët. Ishte diçka që nuk u ndahej nga mendja e i shqetësonte. Nuk bëhej qameti nëse shkonin e dëgjonin edhe njëherë. Lëre që kësaj radhe nuk kishte pse të rastisnin sërish me miqtë, vetëm që ta dëgjonin edhe njëherë zërin e Kuranit.
E vërteta është se këtë nuk e kishte menduar vetëm njëri syresh, por të treve u kishte shkuar ndërmend ta bënte edhe njëherë diçka të tillë. Natën tjetër ishin sërish në vendin e një dite më parë; e dëgjuan deri në fund, dhe kur erdhi koha për t’u larguar, rruga i bashkoi prapë në të njëjtin vend. Edhe kaq ishte tepër. Edhe pse fytyrat e skuqura nuk ia dallonin dot njëri-tjetrit, tonet e zërit ia shprehnin mjaft mirë gjendjen ngushtë karshi njëri-tjetrit. U ndanë prej njëri-tjetrit me të njëjtat mendime, madje duke dhënë të njëjtin premtim. Nuk do të vinin më për të dëgjuar, e as që do të përballeshin më në një situatë të këtillë.
Derisa erdhi nata e tretë. Pasi ishin larguar të gjithë nga sokakët, të njëjtat fytyra po drejtoheshin kah i njëjti vend. Secili ishte i sigurt në vetvete se nuk do ta gjente tjetrin atje. Para se të agonte po largoheshin drejt shtëpive të tyre, kur pranë të njëjtit vend rastisën në njëritjetrin. Kjo ishte diçka e veçantë. Edhe ngrinin flamurin për të mos pranuar, por edhe do të vinin çdo natë për ta dëgjuar, megjithëse kishin premtuar më parë se nuk do të vinin më. Filluan të flisnin me kunja karshi njëri-tjetrit, por prapëseprapë nuk harruan që t’i premtonin njëri-tjetrit me fjalën e nderit se nuk do të shkelnin më aty.
Mëngjesin tjetër, Ahnes ibni Sheriku, mori kërrabën e tij dhe e mbajti frymën pikërisht përballë shtëpisë së Ebu Sufjanit:
Pa më thuaj o Eba Handhale! Ç’mendim ke për ato që dëgjuam prej gojës së Muhamedit (s.a.s.)? – pyeti ai.
Po ti, ç’mendon? – përgjigjej me pyetje edhe Ebu Sufjani, i cili nuk donte të dilte hapur pa marrë vesh më parë synimin e pyetjes së tjetrit.
Unë mendoj se ai ka të drejtë, – iu përgjigj ai pyetjes së Ebu Sufjanit kësaj radhe.
Të betohem për Allahun o Eba Salebe! Unë kam dëgjuar shumë gjer më sot, dhe e di shumë mirë se ç’nënkuptohet pas çdo fjale që thuhet.
Nuk e kishte mbaruar ende fjalinë që po thoshte, kur ndërhyri Ahnesi:
Për Zotin, edhe unë kështu mendoj.
Me këto fjalë ata po vërtetonin të Dërguarin e të dërguarve, duke pohuar edhe se ato që thoshte Ai ishin krejt të vërteta. Vetëm se nuk ishte aspak e lehtë që ta pranonin haptazi diçka të tillë!
Një të marrë fund kjo bisedë, Ahnes ibni Sheriku u largua prej banesës së Ebu Sufjanit, dhe shkoi pranë Ebu Xhehlit. Donte që t’i fliste edhe me të këto që kishte folur me Ebu Sufjanin.
O Eba Hakem! Cili është mendimi yt për Muhamedin? A është ai i drejtë, apo mashtron? Ja, këtu nuk ndodhet askush përveç nesh. Mund të flasësh lirshëm. O Eba’l Hakem, ç’mendim ke për ato që dëgjove prej tij?
E ç’paskam dëgjuar, - foli ai me një ton zëri që donte të tregonte se nuk ishte lëkundur. Ahnesi dukej i vendosur.
Cili është mendimi yt për Muhamedin? Ka apo nuk ka të drejtë me ato që thotë? Thuamë të vërtetën, se nuk na dëgjon askush.
Ebu Xhehli e kuptoi se nuk do t’ia hidhte dot aq lehtë pyetjeve të Ahnesit. Donte të fliste njëherë e mirë. U mendua njëherë mirë e mirë, pastaj tha:
Të betohem për Zotin, që Muhamedi thotë të drejtën. Zaten, ai nuk gënjen asnjëherë. Vetëm se më shkatërron fare mendimi se bijtë e Kusajit, përveç faktit se janë ata, të cilët presin vizitorët e Qabes, bëjnë qerasjen e parë me ujin e Zemzemit, tani do të fillojnë të mburren edhe për pasjen e një profeti në mesin e tyre. Nëse i marrin ata të gjitha, çfarë mund t’u ngelet Kurejshit? Kur ne me bijtë me Menafit kemi kaq kohë që konkurrojmë me njëri-tjetrin. Jepnim të dyja palët zijafete për vizitorët që na vinin. Ashtu siç ata patën disa privilegje, edhe ne nuk ngeleshim pas. Ata ua shprehnin të tjerëve madhështinë e tyre, e të njëjtën gjë bënim edhe ne. Sapo filluam të ecnim me të njëjtin hap, ata tashmë mund të thonë: - Tani në mesin tonë ne kemi edhe një profet. A më thua? Si mund t’ia dalim ne një fakti të këtillë? Të betohem për Zotin, se ne nuk kemi për ta pranuar asnjëherë atë.Megjithëse zemrat ua kishte kapluar një perde kokëfortësie që buronte prej mosbesimit, ndërgjegjet e tyre ndjenin shqetësim prej atyre që dëgjonin, andaj edhe fillonin të flisnin saora me kallëpe keqardhjeje.
Ndoshta kjo ishte një ditë, kur Ebu Xhehli ishte zgjuar nga krahu i djathtë. Po ecte në rrugë, kur përballë i doli Profeti ynë. E pa që i Dërguari i Allahut po vinte përballë me një tis trishtimi në fytyrë, andaj vendosi t’i fliste për ta qetësuar disi:
O Muhamed! Ne nuk të përgënjeshtrojmë ty. Ne vetëm po mohojmë ato që thua ti, duke thënë se ato janë gënjeshtra.
Zaten, Profeti ynë (s.a.s.) ishte në dijeni të këtij fakti. Teksa ata flisnin ndër vedi, pati zbritur Xhebraili, i Cili i kishte thënë:
O i Dashuri im! E dimë se ato që ata thonë për ty, të mërzisin së tepërmi. Por ti mos u trishto aspak, sepse nuk ka fare dyshim, se ata nuk të përgënjeshtrojnë dot. Ata mohues vetëm sa mohojnë fjalët e
Allahut (xh.xh.).
Sepse ata që mendonin kësodore nuk mund të kufizoheshin vetëm me Ebu Xhehlin. Disa njerëz si Harith ibni Amiri, megjithëse kishin ngritur flamujt kundër të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), kur ktheheshin në mbrëmje në shtëpitë e tyre, ndërgjegjja fillon t’u thotë:
Muhamedi nuk është një njeri që mund të gënjejë. Edhe unë mendoj se ai është fjalëdrejtë.
Zaten ky ishte edhe virtyti i vërtetë. Duhej jetuar një jetë e atillë që edhe armiqtë ta pranonin, madje edhe t’ua deklaronin të tjerëve.
Zaten këta njerëz që kaq e kaq herë ishin orvatur që t’i merrnin jetën, që megjithëse e kishin tejet të lehtë të mbërrinin deri aty sa ta bënin diçka të këtillë, kur në mes hynte ndërgjegjja, nuk donin kurrsesi që ta mërzitnin. Ruheshin mjaft mirë që të mos mallkonin mbi të. Edhe atëherë kur i hidhnin plëndës deveje mbi krye, teksa e panë duke u lutur, iu fashit lumturia dhe iu ndërpre frymëmarrja, sepse ai mund edhe të ishte duke i mallkuar.
Andaj, edhe kur shkonin për të luftuar me të, dridheshin se mos i gjente ndonjë gjë e keqe. Dukej nga çdo detaj i pamjes së jashtme, se kishin shumë frikë prej vdekjes. Kërkesat për privilegje
Ashtu siç pranë të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të kishte njerëz të pasur, siç ishin Ebu Bekri i nderuar, Osmani i nderuar, Sad ibni Ebi Uakasi, apo Talhaja, kishte edhe shumë njerëz të skamur, si Bilal Etiopasi, Amar ibni Jasiri, Zejd ibni Harithi, apo Habab ibni Ereti. Shumica e tyre kishin qenë në statusin e skllavit deri më sot, por që tani kishin filluar të përjetonin lirinë. Padyshim, ky ndryshim nuk përbënte kurrfarë problemi për të Dërguarin e Allahut dhe sahabëve të Tij. Njerëzit ishin të barabartë përpara Zotit, ashtu siç janë dhëmbët e një krehri me njëri-tjetrin. Nuk kishte as përparësi të arabëve ndaj iranianëve, e as të të bardhëve ndaj të zinjve.
Vetëm se Kurejshi nuk ishte aspak në një mendje me ta. Sipas këtij mendimi, i cili kishte kapur tonin më të errët të së zezës së mosbesimit, ata nuk mund t’i ndanin edhe me të tjerët vendet e tyre të privilegjit dhe shumë e shumë përparësive të tjera. Nëse do të shihej thelbi i çështjes, ata nuk i shihnin skllevërit e tyre si njerëz. Ata ishin krijesa të destinuar që vetëm t’u shërbenin atyre!
Këta njerëz, që nuk e pëlqenin asfare faktin se i Dërguari i Allahut ishte duke i ulur ata në të njëjtin vend me veten, e të gjithë këta njerëz po u merrnin duarsh gjithë sistemin që kishin ngritur, vendosën të bënin një kërkesë, që është e vështirë të të shkojë mendja.
Ne jemi të parët e fisit tënd, andaj nëse ti do që të na kesh edhe ne në mesin tënd, nuk duhet të mbash askënd tjetër pranë vetes.
Kjo ishte kërkesa e atyre njerëzve që e shihnin çdo gjë nga sipër. Veçse kjo kërkesë nuk do të pranohej as prej Allahut, e as prej të Dërguarit të Tij (s.a.s.).
Pa kaluar shumë kohë, zbriti Xhebraili Fjalëdrejtë, i Cili për t’i bërë më të qëndrueshmit në bindjet e tyre:
Mos i largo kurrsesi nga vetja jote ata njerëz që bien e ngrihen, nga mëngjesi në mbrëmje vetëm duke menduar për të fituar kënaqësinë e Allahut.
Me një fjalë, nuk kishte se si të mendohej që një njeri aq i lartë të largonte prej vetes ata njerëz që i kishin besuar me tërë sinqeritetin kësaj kauze, vetëm për të pritur se mos një grup idhujtarësh besonin një ditë tek Ai? Ky do të ishte vetëm fundi i një mosmendimi siç duhet, e për më tepër gabim. Kjo ishte një padrejtësi e hapur, dhe i Dërguari i Allahut ishte shumë larg zbatimit të një padrejtësie të këtillë. Ai nuk ia vuri asfare veshin kësaj përçartjeje të radhës së një grupi njerëzish, të cilët edhe këto fjalë i kishin thënë vetëm që edhe njëherë të dilte fjala e tyre. Do të qëndronte sërish pranë atyre që kishin qëllim të vetëm besimin te Zoti. Nuk ia ndante dot sytë atyre, kështu që edhe nuk kishte se si t’i ndërronte me të tjerët. Ai e dinte mjaft mirë se mëshira e Allahut ishte pikërisht mbi ta. Si mund të ndodhte, që Ai, Profet i Allahut të Madhërishëm (xh.xh.) të thoshte:
Xheneti është i shqetësuar që të mund t’ua arrijë këtyre tri emrave: Aliu, Selmani dhe Amari. - tha Ai. A ishte e mundur që të përziheshin këta shpirtra të bekuar, të etur për Xhenet, për hir të tre birbove, që kishin nisur edhe njëherë nga kërkesat e tyre mashtruese.
Shënimet
- 88.Ibni Ashur, Tefsiru-Tenuir uet-Tahrir, 1/2321
- 89.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 7/215
- 90.Muslim, Sahih, 1/67
- 91.Ibni Haxher, el-Isabe, 8/200; Halebi, sire, 1/456
- 92.Hejthemi, Mexhmeu-Zeuaid, 9/267
- 93.Ibni Sad, tabakat, 3/9
- 94.Ibni Hisham, sire, 128-9
- 95.Ibni Hisham, sire, 2/129
- 96.Fus’silet, 41/1 e më tej.
- 97.Ibni Hisham, sire, 2/130 e më tej.
- 98.Isbahani, Delailu’n-Nubuue, 1/221
- 99.Suhejli, Raudu’l Unuf, 1/280
- 100.Kafirun, 109/1-6; Ibni Hisham, sire, 2/208
- 101.Ibni Hisham, sire, 1/269; Suhejli, Raudu’l Unuf, 1/280
- 102.En’am, 6/33
- 103.Uahidi, Esbabu Nuzuli’l Kuran, 218-9
- 104.En’am, 6/52; Kehf, 18/28
- 105.Tirmidhi, Sunen, 5/667; Hakim, Mustedrek, 3/148