PASUES DHE VITE TË MUNDIMSHME
Të gjithë sa gjenin rehati shpirtërore pranë Mbretit të zemrave, rendnin për të gjetur edhe të tjerë, të cilëve t’u falnin paksa prej kësaj lumturie. Ishin kohë kur të gjithë e kryenin këtë detyrë fshehurazi, mirëpo prapëseprapë, njerëz si Ebu Bekri, kishin hyrë në garë me njëri-tjetrin, duke i përdorur të gjitha mundësitë që kishin, që t’i takonin njerëzit e tyre të dashur me Profetin e Njerëzimit. Zubejr bin Auami, nuk mund ta linte vetëm në këtë rrugë djalin e dajës së tij, Ebu Bekrin. Ndërsa një ditë tjetër, ai çoi Osman bin Afanin bashkë me Talha bin Ubejdullahun pranë Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të... Zubejr bin Auami sapo kishte hyrë në fenë islame; Osman bin Afani me Talhanë kishin dalë së bashku, e të dy e kishin gjetur rrugën e lumturisë. Zaten, me të hyrë nga ajo portë, dhe me ta parë atë bukuri të trëndafiltë, ishin venitur porsi qiriri. Kjo ishte shumë më tepër nga sa u kishte folur Ebu Bekri, aq sa e ndjenin veten të goditur vetvetiu...
I Dërguari i Allahut u foli atyre për Islamin. Mandej u lexoi pjesë të shkëputura prej ajeteve të zbritura. I njohu ata me të drejtat dhe detyrat që parashtroheshin në Islam, duke u treguar se cilat ishin cilësitë që i dallonin myslimanët prej të tjerëve, si në këtë botë, ashtu edhe në tjetrën.
Ku i dihej se ç’mirësi e urtësi surprizuese mund të kishte fshehur Allahu matanë për ata që e përkapnin të parët rëndësinë e kësaj meseleje! I tërë mexhlisi ishte ndriçuar, e sikur të dy ta kishin bërë me fjalë, u bënë të dy njëkohësisht myslimanë.
Osmani i nderuar ishte bërë mysliman, por kishte një xhaxha me emrin Hakem bin Ebi As që nuk pranonte. U xhindos menjëherë, me ta mësuar. E mori tregtarin Osman dhe e lidhi menjëherë. Ndoshta, donte vetëm ta frikësonte, që ai të hiqte dorë prej këtij vendimi. Bërtiste, turfullonte dhe vetëm e shante të nipin.
Me ç’mendje, nxitohesh mor ti, dhe braktis fenë e të parëve, duke rendur pas feve të reja që të thonë të tjerët? Nuk kam për të të zgjidhur pa hequr dorë prej kësaj feje të re! - e kërcënonte ai pa reshtur.
Mirëpo, Osmani i nderuar, as që ia vinte veshin këtyre kërcënimeve, sepse ai as që kishte ndërmend të ndërronte mendje prej besës së tij të vyer.
Të betohem, - i thoshte ai, - se asgjë që mund të më bësh ti nuk më largon dot prej fesë sime.
Më në fund, këto fjalë dhanë edhe vendimin, Hakemi e kuptoi se asgjë në këtë botë nuk do t’ia ndryshonte dot mendjen të nipit, edhe sikur ta vriste, prandaj e liroi pa një e pa dy.
Ardhja e Ebu Dherrit dhe përvojës së parë të hidhur
Në Mekë po shpërndahej një atmosferë emocionuese. Ishte gjetur një burim ku mund të lageshin thatësirat shekullore, dhe te sytë e të gjithëve fshihej entuziazmi i largimit të etjes së stërgjatë. Madje, jo vetëm etjen vetjake, por ishin të shqetësuar, sepse donin t’i çonin sa më parë te burimi që ta zhduknin etjen mbytëse të allasoj jete. Njerëzit, të cilët kishin këtë ditë, po përjetonin harenë e takimit me dashurinë. Njëri prej tyre, ishte edhe fjalëtari, oratori më i mirë nga fisi i Gëfarëve. Kishte kohë që kishte dëgjuar për ndodhitë e Mekës, andaj kishte kohë që vuante për t’i parë këto zhvillime me sytë e tij. Fillimisht, ai vendosi të dërgonte atje vëllanë e tij më të madh Unejsin, i cili nuk mbetej pas në artin e të folurit...
Në Mekë dëgjova për një burrë që ka përvetësuar një fe të ngjashme me tënden. Allahu e paska dërguar Atë si profet, ndërsa njerëzit e thërrasin atë si “sabi”. Unë po të transmetoj ty veçse ato që dëgjova për Të. Ndërsa disa të tjerë e quajnë “fallxhor”, “mag” dhe “gënjeshtar”. Mirëpo unë i dëgjova disa prej fjalëve të tyre; jam i sigurt, madje të betohem, se asnjëra prej tyre nuk mund të jetë e vërtetë; Lëvduar qoftë Allahu, që edhe unë jam i mendimit se Ai nuk gënjen, – i tha ai vëllait të tij, Ebu Dherrit.
Kjo ishte një ditë feste për Ebu Dherrin; vëllai i tij më i madh kishte shkuar, dhe i kishte prurë pikërisht atë që kishte pritur. Brenda tij kishte filluar të flakëronte shpuza. A ishte e mundur të priste, tani që i gjithë trupi gati sa s’i fluturonte prej gëzimit. U nis menjëherë për të shkuar në Mekë.
Erdhi, mirëpo nuk e njihte personin që duhej të takohej. Kumtimi
në ato ditë nuk bëhej haptazi, andaj edhe ai nuk kishte parë askënd që të fliste për këtë çështje në rrugë. Pyeti, e pyeti derisa ia thanë vendin se ku do të shkonte.
Ku është ai burri, të cilin ju e quani magjistar? – pyeste ai.
Shikimi i njeriut përballë ishte allasoj, saqë dukej sikur të bënte të pendoheshe që kishe pyetur. Nuk e kuptonte pse këta njerëz të ngurronin kaq tepër për t’u përgjigjur mbi një çështje kaq të rëndësishme! Saora kishte rënë muzgu. Ashtu i pashpresë, shkoi pranë Qabes, dhe u shtri që ta kalonte aty natën.
Ditën tjetër, Allahu (xh.xh.) i nxori përballë Aliun e nderuar. Aliu i vogël donte medoemos ta ndihmonte këtë njeri që dukej se kishte ardhur prej së largu. Veçse, në ato ditë, ndaj myslimanëve ushtrohej një trysni e atillë, saqë ishte e pamundur që ta shprehje besimin të cilit i përkisje. Të dy e vuanin shumë faktin se nuk e tregonin dot hapur vuajtjen e tyre të vërtetë; “Po sikur të më reagojë keq nëse ia them të vërtetën?”, ndërdyshej Aliu i nderuar, ndërsa Ebu Dherri shqetësohej: “Po sikur të më nevrikoset e të më lërë kështu, pa më kthyer asnjë përgjigje?”. Sepse, në fund të fundit, të dy nuk e njihnin ende mirë shoshoqin. Kësodore, ata i zuri mbrëmja të dy, pa e prurë qoftë edhe një herë të vetme bisedën aty ku duhej. Që nga dita kur kishte ardhur në Mekë, kishin kaluar tri ditë e tri netë, mirëpo akoma nuk kishte arritur tek njeriu, të cilin donte të takonte me të vërtetë. Aty, pranë Qabes, priste që të gjente rastin për ta realizuar këtë dëshirë të zjarrtë. Derisa, më në fund, Aliu i nderuar e mori parasysh rrezikun e mundshëm, andaj vendosi ta pyeste se cili ishte qëllimi i vërtetë i ardhjes së tij. Filloi t’i fliste për Të Dërguarin e Allahut, që ta qetësonte njëfarësoj. Tani po që kishin filluar të flisnin në të njëjtat frekuenca. “Kur kishte tri ditë që paska qenë kaq afër, si ka mundësi që nuk e hapi më parë këtë bisedë”, mendonte Ebu Dherri. E kuptoi, tani takimi i shumëpritur nuk ishte shumë kohë larg. Ndoshta, mekasit, kur ta shihnin që edhe një tjetër po i afrohej Muhamedit, atëherë mund të bënin çfarëdolloj përpjekjeje që ta bënin të ndërronte mendje, ose edhe ta pengonin me gjithfarë mënyrash. Me pak fjalë, që të arrihej diçka e bukur, duhej treguar kujdes i veçantë, e duheshin marrë masat më së miri që të mos përballeshin me diçka të papëlqyeshme.
Unë do të eci përpara, ndërsa ti do të më ndjekësh nga pas, - e këshilloi Aliu i vogël Ebu Dherrin, - nëse shoh diçka që mund të përbëjë rrezik, atëherë unë do të tërhiqem e do të bëj sikur jam duke kryer ndonjë nevojë personale, veçse ti duhet të vazhdosh rrugën sikur të mos kishim asnjë lidhje me njëri-tjetrin, sepse sido që të jetë unë të gjej sërish. Në të kundërt, do të shkojmë shëndoshë e mirë pranë Resulullahut sal’lallahu alejhi ue sel’lem.
Këto, veç të tjerash, ishin fjali që tregonin gjendjen e vështirë të besimtarëve myslimanë në ato ditë të para të Islamit.
Kështu filloi rrugëtimi i këtyre dy të nderuarve. Në fakt, vendi ku do të shkonin nuk ishte se gjendej shumë larg prej andej; veçse për Ebu Dherrin e paduruar, ngjante sikur ishte e stërgjatë. Atij i dukej sikur nuk do të mbërrinte kurrë, prej emocioneve.
Më në fund iu afruan një porte, dhe me ta hapur portën, Ebu Dherri ishte mahnitur nga fytyra e e bukur si hëna, takimit të të cilës kishte muaj që ia kishte dedikuar gjithë rrahjet e zemrës. Ato ishin dy sy që ia ngrohnin zemrën Ebu Dherrit...
Paqja e Allahut qoftë mbi Ty, o i Dërguari i Allahut! – e nisi përshëndetjen e tij Ebu Dherri.
Siç vërehej edhe prej përshëndetjes, Ebu Dherri kishte shkrirë e ishte dorëzuar plotësisht. Ai vazhdoi t’i tregonte Atij për peripecitë që e kishin ndjekur përgjatë gjithë rrugës që kishte bërë për të ardhur deri aty.
O Profet i Allahut, çfarë më urdhëron, e ç’kërkon që të bëj unë këndej e tutje? – e pyeti ai Të Dërguarin e Allahut.
Unë të ftoj ty që të kryesh adhurime vetëm ndaj Allahut. Të ftoj gjithashtu që të mos tregosh interes ndaj asnjë idhulli, përveçse Allahut si Zot i vetëm e i pashoq, – ia ktheu me fjalët e Tij të buta i Dërguari i Allahut Paqja qoftë mbi Të.
Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe gjithashtu dëshmoj se Ti je i Dërguari i Tij, - ia ktheu ai. Nga fjalët e tij dukej që diç donte të shtonte më tepër. Priti pakëz, derisa filloi sërish të fliste. - O i Dërguari i Allahut! Unë tani do të kthehem për në vendlindje, e atje do të pres me ëndje derisa të vijë dita e lume e luftës me të padrejtën! Atë ditë do të vij pranë Teje për të të mbështetur; sepse me ç’shoh, e gjithë gjindja e Mekës po bashkohet kundër Teje.
I Dërguari i Allahut, ia pohoi gjendjen që e kishte përkapur edhe Ebu Dherri, dhe sikur të kishte filluar një furtunë brenda Tij, shtoi:
Ke të drejtë! Kthehu pranë familjes dhe të afërmve të tu gjersa të vijë dita që çdo gjë të shpallet hapur, por mos harro që gjërat e bukura që ke mësuar t’i ndash edhe me ta.
Ky ishte një drejtim që mund ta jepte vetëm një Mësues i Përsosur ndaj dishepujve të Tij, karakterin e të cilëve sikur e lexonte në pëllëmbë të dorës. Ebu Dherri ngjante sikur donte të fluturonte prej haresë që e kishte kapluar.
Të betohem për Atë fuqi që e ka në dorë frymën time, që nuk kam për t’u kthyer, pa ulëritur më parë Islamin në të katër anët e Qabes! Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.
Në këtë çast, të gjithë shikimet ishin mbledhur mbi Të:
Pa shiheni këtë! U bë edhe ky gënjeshtar, si të tjerët, - filluan ta merrnin atë në lojë. Të gjithë ishin mbledhur, e ngjante sikur garonin se kush ta shante më shumë Ebu Dherrin. Sikur çdo gjë të mbaronte me kaq, do të ishte mirë, por ata filluan t’i vërsuleshin atij sikur të ishin nepërka dhe jo njerëz. Ebu Dherri prej Gëfarëve ishte kthyer sakaq në shënjestrën e një turme qorre dhe krejt kokëboshe.
Po të mos ishte atë ditë aty një njeri i arsyeshëm si xhaxhai i Profetit, Abasi, ata do ta kishin vrarë Ebu Dherrin. Në fillim ai u përkul para Ebu Dherrit për ta mbrojtur prej goditjeve, duke i bërtitur turmës:
O kurejshë! Çfarë bëni kështu? Gëfarët jetojnë buzë udhës ku kalojnë karvanët e tregtisë suaj; mos doni t’i jepni fund tregtisë suaj duke e vrarë Ebu Dherrin? Lëshojeni atë menjëherë!
Po, Abasi po thoshte të vërtetën. Nuk kishte kurrfarë kuptimi që të vrisnin një njeri krejtësisht të pambrojtur, duke hedhur në rrezik gjithë tregtinë, e cila ishte rruga e vetme që u jepte për të ngrënë. Të gjithë u larguan duke lëshuar edhe sharjet e fundit ndaj Ebu Dherrit, kur dëgjuan fjalët e urta të Abasit.
Ebu Dherri, ashtu i gjakosur e i plagosur në çdo anë, shkoi më parë pranë burimit të Zemzemit. Po mundohej të merrte veten, duke u munduar që të pastronte njollat e gjakut që e kishin mbuluar të tërin. Brenda vetes i vlonin ndjenja aq të zjarrta dhe të pastra, saqë ndoshta nuk kishte ndjerë asnjë dhimbje prej gjithë atyre goditjeve. E kaloi atë ditë ashtu, duke u përpjekur të merrte veten, derisa doli sërish mëngjesin tjetër, për të ulëritur të njëjtat fjali; doli në havllinë e Qabes dhe ulërinte tërë gëzim. Çdo gjë sikur u përsërit, të gjithë u mblodhën si një ditë më parë, dhe ishte sërish Abasi që erdhi për ta ndihmuar.
Kur pësoi të njëjtën sjellje, atij i erdhën në mendje fjalët e Të Dërguarit të Allahut Paqja qoftë mbi Të. Gjithçka thoshte hapur se nuk ishte ende koha e duhur për të bërë veprime të tilla. Pra, duheshin parë më parë kushtet e kohës, dhe strategjitë e veprimit ishin të gjitha të varura prej tyre. Nuk mund të pritej veprimi i një adoleshenti nga një foshnjë e sapolindur, prandaj veprimet duhet të ishin paralele me moshën.
Ebu Dherri, kur e pa se me ç’u përball në Mekë, zuri e u nis për në fshatin e tij të lindjes. Vuajtjet e tij ishin kthyer në një mësim për të gjithë myslimanët, të cilët ishin të numërueshëm me gishtat e dorës. Zaten ato ditë, të gjithë të dobëtit ishin në qendër të shënjestrës; në rastin më të parë pinin njëmijë e një të shara. Profeti i Njerëzimit, ngase kishte Ebu Talibin, dhe Ebu Bekri, ngase ishte një nga njerëzit më të nderuar të fisit, nuk i gjente dot asnjë e keqe. Përsa i përket myslimanëve të tjerë, ata ishin objekti kryesor i talljeve, sharjeve dhe dhunës së një turme të hazdisur.
Rendje për tek Profeti i Njerëzimit
E ç’mund të ndryshonin gjithë këto? Pasi ishe pjekur me një vlerë siç ishte besimi, cila është ajo forcë e ajo fuqi që mund t’i dilte përballë njeriut për ta ndarë prej rrugës së tij? Inatit të nxehur flakë të mekasve, po u rrinte sipër një ortek i stërmadh siç ishte besimi i myslimanëve. Përditë vinin shumë njerëz që donin të takoheshin me Të
Dërguarin e Allahut Paqja qoftë mbi Të.
Kishte filluar një garë, ku nuk mund ta dalloje se ku përfundonin garuesit; “lindje” të reja, që rendnin njëra pas tjetrës, sikur secila të donte t’i fashiste sadopak më tepër dhimbjet. Një tjetër ditë, ishte pikërisht djaloshi trimosh, Sad bin Ebi Uakasi që e nderoi banesën e
Profetit të Njerëzimit... Të gjithë këta ishin miqtë e zemrës së Ebu
Bekrit të nderuar; ishte ai që i merrte një e nga një e ngjiste drejt këtyre lartësive të pamatshme.
Sad bin Ebi Uakasi, një natë, kohë para se të njihej me Islamin, kishte parë një ëndërr ku çdo anë e kishte mbërthyer errësira. Ishte një errësirë e atillë që nuk shihej asgjë me sy. Në qiellin e kësaj nate të errët ishte shfaqur një hënë e plotë. E kaq iu desh Sadit që ta ndiqte nga pas këtë dritë magjepsëse, mirëpo ç’të shihte përpara tij ishin edhe Zejd bin Harithi, Ali bin Ebu Talibi dhe Ebu Bekri, që ecnin po në drejtimin e dritës.
Kur keni ardhur ju këtu? – i arriti ai ata dhe i pyeti.
Sapo erdhëm, - iu përgjigjën ata.
Pas asaj nate, ishte e pamundur që Sadi ta harronte më këtë ëndërr, si dhe bisedat që kishin kaluar mes tij dhe miqve të tij më të mirë. Derisa, një ditë dëgjoi se Profeti i Allahut po i ftonte njerëzit drejt një feje të re. Me ta dëgjuar diçka të këtillë, u nis menjëherë për në vendin e quajtur Exhjad, ku edhe besonte se mund ta gjente. Me ta parë, Ai po falte namazin e ikindisë, i shkoi menjëherë pranë duke i pohuar se edhe ai e pranonte Islamin. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç. Ata ishin edhe të afërm me vetë Profetin, ishin kushërinj prej nëne. Andaj, edhe e quante si “daja im”. “Daltë ndonjëri që mendon se ka dajë më të mirë.”, shprehej ai më së shpeshti, me një ndjenjë krenarie ndaj të tjerëve.
Sadi i nderuar, u bë mysliman, mirëpo kjo do të ishte një problem shumë i rëndë për nënën e tij. Ndërsa vetë Sadi ishte shumë i prekshëm në çështjet që kishin të bënin me nënën ose babanë e tij, i donte më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë; ai dridhej kur dëgjonte qoftë edhe një fjalë prej tyre, dhe mundohej që për asgjë të mos i shkaktonte mërzi. Andaj, nëna, e cila e njihte shumë mirë natyrën e të birit:
Ç’është kjo fe e re që po na flet, mor Sad? – e pyeti ajo.
Ose do të heqësh dorë nga feja që ke besuar deri më tani, ose unë nuk kam për të pirë e për të ngrënë më që këtej e tutje. Mendoje vetë, se ç’do të mendonin të tjerët për ty, - mundohej ai që t’i ushtronte njëfarë trysnie për ta ftuar edhe atë në fenë e Allahut.
Po mundohej të bënte gjithë ç’kishte në dorë për t’ia ndërruar mendjen; nëna nuk po tregonte as ndryshimin më të vogël në sjelljen e saj.
O nënokja ime! Të përgjërohem, pse bën kështu? Unë nuk kam për të hequr dorë prej fesë sime, – i thoshte ai.
Kështu pati kaluar ajo ditë dhe ajo natë; mirëpo nëna nuk futi në gojë as një kafshatë bukë, e as një gllënjkë ujë. Nëna e tij dukej po aq e vendosur sa edhe i biri. U gdhi, e prapëseprapë, tek nëna e tij nuk kishte kurrfarë ndryshimi. Mirëpo, në anën tjetër kishin ndodhur shumë ndryshime, qielli kishte filluar të fliste, dhe Xhebrail Fjalëdrejti urdhëronte “se sjellja e mirë ndaj prindërve ishte detyrim për mbarë myslimanët, veçse kjo nuk do të thoshte se ata mund të kundërshtonin urdhrat e Allahut.” Tani, Sadi sikur ishte qetësuar paksa, andaj e dinte mirë se ç’do të bënte paskëndej.
Për Zotin o nënë, megjithëse të dua aq shumë, edhe sikur ta di se ke njëmijë shpirtra, e çdo ditë do të japësh nga njërin, unë prapëseprapë nuk heq dorë prej fesë sime, - i tha ai sërish nënës së vet me tërë vendosmërinë.
Saora, nëna, e cila e vuri re seriozitetin e të birit, hoqi dorë prej mosngrënies dhe mospirjes, kështu që vendosi të përdorte një tjetër metodë. Pikërisht ky ishte edhe vendi ku Sadi filloi të merrte frytet e para të mirësjelljes karshi prindërve.
Një bari fjalëdrejtë dhe mrekullia e qumështit
Ebu Bekri i nderuar dhe Profeti i Allahut Paqja qoftë mbi Të vendosën të dilnin njëherë jashtë Mekës, më tepër për të gjetur paksa qetësi shpirtërore. Ishte bërë aq e nevojshme atyre ditëve aq të këqija. Përballë u doli një bari që quhej Abdullah bin Mes’ud; kulloste delet e Ukbe bin Ebi Muajtit. I kishte dëgjuar të gjitha ato që fliteshin për Muhamed Fjalëdrejtin dhe Ebu Bekrin besnik; kushdo le të fliste, por këta ishin me të vërtetë dy nga njerëzit më të rëndësishëm të Mekës, megjithëse edhe padroni i tij, Ukbe bin Ebu Muajti nuk para i pëlqente. Sa herë që dikush e sillte bisedën rreth tyre ai nuk i mbante dot fjalët e këqija. Mirëpo, Ibn Mes’udi ishte aq i pjekur sa të gjykonte në vetvete.
Çdo njeri i ri që u dilte përballë, ishte një shkak për të rrëfyer Islamin, për Profetin e shpirtrave, andaj vendosi që t’i bënte një pyetje këtij bariu që ishte habitur nga takimi me ta: - Djalosh, a ke pak qumësht aty?
Po, - ia ktheu përgjigjen i ndrojtur Ibn Mes’udi.
Ka qumësht, por është i tjetërkujt, unë jam vetëm ruajtësi, kësh-
tu që nuk mund t’ju jap, – vazhdoi ai.
Ishte diçka me të vërtetë e rrallë në atë kohë të injorancës që të piqeshe me njerëz kaq të drejtë. Ky dukej që ishte një njeri që kishte mundur që ta ruante lartësinë e njeriut përballë gjërave të ulëta që kishin pushtuar çdo anë. Ai nuk mund të ishte duke bërë gjë tjetër, veçse duke përfaqësuar ndërgjegjen e tij, dhe e kishte të pamundur që t’i gënjente.
Gjithashtu, ishte shumë e rëndësishme, që teksa niseshe t’i kumtoje dikujt diçka të rëndësishme, duhet ta njihje më së miri natyrën dhe karakterin e tij. Dukej, që edhe Mbreti i zemrave njerëzore, donte të fliste me të pikërisht me gjuhën që atij i pëlqente. Andaj, iu kthye edhe njëherë Ibn Mes’udit dhe e pyeti:
Atëherë, a mund të sjellësh këtu, një sheleg, ose një dhi, e cila nuk ka lindur asnjë të vogël?
Megjithëse kjo pyetje e kishte habitur tejmase, dukej që Ibn Mes’udi do ta kryente atë që po i kërkonin. Ai teksa po hynte në mes të kopesë për të gjetur një të atillë syresh, mendohej se ç’do të ndodhte më vonë. U fut në mes të kopesë, e që andej nxori një kec të vogël, të cilin e pruri pranë Të Dërguarit të Allahut.
Fillimisht, i Dërguari i Allahut, e lidhi mirë e mirë kecin jo edhe aq të vogël. Mandej, vendosi duart poshtë gjinjve të tij, e filloi të thoshte disa lutje, ashtu nëpërdhëmbë. Kur ishte Resulullahu sal’lallahu alejhi ue sel’lem Ai që kërkonte, si ishte e mundur që Allahu të mos ia jepte! Sepse Ai ishte një njeri që e dinte shumë mirë se si do ta kërkonte diçka, nga kush dhe kur.
Abdullah ibn Mes’udi ishte bërë asisoj që i dukej sikur do t’i dilnin sytë prej vendit nga ato që po i shihnin; sepse ndërmjet damarëve të gjinjve të thatë, pati rrjedhur qumësht, duke u mbushur plot e përplot. Kjo nuk mund të ishte e mundur. Kishte kaq kohë që rrinte bari, e as kishte parë, e as kishte dëgjuar për diçka të këtillë.
Një tjetër që po i shihte të gjitha sa po ndodhnin ishte edhe Ebu Bekri, i cili rendi menjëherë për të gjetur një enë ku të mund të milnin dhe hidhnin qumështin e mrekullishëm. I Dërguari i Allahut, u kthyer fillimisht nga njeriu i Tij më i dashur Ebu Bekri dhe e urdhëroi që të pinte.
Ebu Bekri e çoi pranë buzëve enën, dhe piu nga ai qumësht derisa u ngop. Mandej, e mori Resulullahu, dhe piu edhe Ai derisa u ngop.
Tashmë qëllimi ishte realizuar, dhe nuk ishte më e nevojshme që të bënin tjetër gjë. Tanimë ishte koha që çdo gjë të kthehej në gjendjen e mëparshme. Për t’ia arritur kësaj, Profetit të Njerëzimit i duhej veç t’i thoshte disa fjalë gjirit që të kthehej në gjendjen e mëparshme, dhe gjiri u rrudh, duke u kthyer menjëherë, çuditshmërisht në gjendjen e thatë.
Këtë herë ishte Ibn Mes’udi që dëshironte të fliste:
A m’i mëson edhe mua ato fjalë që the, o i Dërguar i Allahut, - e pyeti ai Profetin.
Tanimë ishte zgjidhur çdo gjë, edhe Ibn Mes’udi e kishte marrë mësimin e duhur. Dukej qartazi që edhe Ibn Mes’udi ishte besimtar që këndej e tutje. I Dërguari i Allahut, iu afrua atij pak më afër, i vendosi dorën e tij të butë mbi kohë, dhe filloi ta përkëdhelte.
Ti je një djalë shumë i zgjuar! – i tha Ai Abdullahut.
Abdullah bin Mes’udi hyri kështu në rrugën që do ta çonte në udhën e njërit prej njerëzve më të ditur, ku më vonë edhe do ta thërrisnin “hibru’l umme”. Në ato çaste vetëm përmendte fjalën e dëshmisë. Ditën e nderimit me Islamin të Abdullah ibn Mes’udit do të nderoheshin edhe dy njerëz të tjerë të ndershëm, dhëndrri i familjes së Hatabëve, Said bin Zejdi, bashkë me të shoqen, Fatimen, e cila ishte njëkohësisht edhe e motra e Omer ibn Hatabit.
Rendja për te Profeti i Njerëzimit nuk kishte të sosur
Sakaq kishte shumë njerëz që kishin ardhur dhe kishin dëshmuar se këndej e tutje ishin myslimanë. Amir bin Rabia, Ebu Hudhejfe bin Utbe bin Rabia, Ebu Ubejde bin Xherrah, Osman bin Madhuni bashkë me dy vëllezërit Kudamen dhe Abdullahun, Esma binti Umejs, Umu Ejmen, gruaja e Abasit, xhaxhait të Profetit të Njerëzimit, Umu Fadli, si dhe vëllai i madh i Aliut, Xhafer bin Ebu Talibi, ishin disa prej këtyre emrave. Kjo fe po përhapej me një lehtësi të paparashikuar në mes të njerëzve që mbartnin disa virtyte brenda vetes, sepse ata kishin kohë që po kërkonin një burim prej nga të mund të pinin ujin e bekuar të shpëtimit të kësaj dhe asaj bote.
Ishte ende koha kur kumtimi bëhej brenda vetëm një rrethi të vogël njerëzish. Ato përpjekje që jepnin më tepër rezultate ishin ato që bëheshin tek e tek me individë të veçantë. Përgjithësisht për to zgjidheshin vende të fshehta e të padukshme, dhe më tepër preferoheshin shtëpitë për të mos qenë të frikësuar se dikush ishte duke i dëgjuar. Nga këto takime ishte e pamundur që ta merrnin vesh kurejshët se ç’po ndodhnin. Koha ishte kohë e pjekjes, zaten edhe tema kryesore e ajeteve që vazhdonin të zbrisnin ishin të lidhura drejtpërsëdrejti me këtë çështje. Sepse, për të mbajtur mbi shpatulla një flamur sa më gjatë, duheshin njerëz të përgatitur me besim sa më të fortë e të palëkundshëm.
Kurejshi në këtë periudhë, preferonte më tepër të bënte sehir se ç’do të ndodhte. Më parë, në syrin e Zejd bin Amrit, Kus bin Saides dhe Umeje bin Ebi Saltit ishte veçse një nismë që do të ngelej e papërhapur, ku Muhamedi do të ngelej i vetëm e fillikat. Mirëpo, nuk ishte aspak ashtu. Megjithëse, prapë nuk dukej të kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe që t’i mërziste thellazi, ata po e shihnin se si njerëzit që kishin pranë po largoheshin një e nga një. Ata po ndryshonin kryekrejet, e nuk ishin hiç si më parë.
Pa kaluar shumë kohë, Bilal Etiopasi, Erkam ibni Erkami, dy vajzat e Ebu Bekrit të nderuar, Esmaja dhe Aishja, dhe shumë emra të tjerë si Habab bin Ereti ose Abdullah bin Xhahshi, ishin nga njerëzit që do t’i bashkoheshin karvanit të besimtarëve.
Halid bin Salidi, edhe ky njëri prej atyre që i ishin bashkuar këtij karvani, e kishte parë veten në ëndërr sikur rrethohej nga të katër anët me flakë të paepura, e nuk i shpëtonte dot; nga pas i rrinte babai, i cili e shtynte pareshtur në drejtim të flakëve. Profeti i Allahut Paqja qoftë mbi Të i pati dalë në ëndërr sikur e shpëtonte nga zjarri, duke e tërhequr për mezi. U çua nga gjumi ashtu duke u përpëlitur, u mendua gjerë e gjatë, derisa nuk i ngeli asnjë dyshim se përmbajtja e ëndrrës ishte plotësisht e vërtetë. “Mundësia e vetme për të shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit, është të lidhesh pas fjalëve të Profetit Muhamed” – mendonte ai tani me vete. Fillimisht shkoi ta bisedonte njëherë ëndrrën me Ebu Bekrin e nderuar, i cili nuk mendonte ndryshe prej tij.
Unë mendoj se kjo ëndërr flet për fatbardhësinë tënde, - i tha atij Ebu Bekri i nderuar, - ja tek e ke Resulullahun, shko e takohu me të, dhe të këshilloj që t’i bindesh. Ai është i vetmi që mund të të shpëtojë prej Xhehenemit. S’kam ç’të të them për babanë, se është një situatë e sikletshme.
Halid bin Salidi e gjeti Profetin e Njerëzimit duke ndenjur në atë vendin e quajtur Exhjad.
O Muhamed! Cila është ftesa që ti po u bën njerëzve? – e pyeti ai Të Dërguarin e Allahut.
Unë të ftoj veçse tek Allahu; do të pranosh se Ai është Një dhe i Vetëm, si dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Gjithashtu do të heqësh plotësisht dorë prej adhurimit të këtyre idhujve të bërë prej gurësh e gjithfarë gjërash të tjera, që për më tepër nuk kanë mundësi të mbrojnë as veten e tyre, e në vend të tyre do t’i kryesh adhurime vetëm Allahut (xh.sh.)!
Eshhedu en la ilahe il’lallah ue eshhedu enneke Resulullah, - dëshmoi ai dhe u largua menjëherë i bërë mysliman.
Halid bin Salidi ishte dorëzuar menjëherë me vullnetin e tij të lirë, mirëpo kishte një baba tejet inatçor. Me të marrë vesh se i biri ishte bërë mysliman, u nis menjëherë ta kërkonte.
Si guxon more ti, të shkosh pas Muhamedit, megjithëse e di se ka shkelur traditat dhe zotat e të parëve tanë? – filloi ai t’i këlthiste të birit, të cilin e nguci pas një cepi muri, ku edhe e goditi me një shkop dhe e la ashtu të plagosur.
Megjithëse ishte e domosdoshme që t’u bindeshe prindërve në çdo fjalë që thoshin, ishte e pamundur që të shkelte rregullat e vendosura nga Allahu, i cili e kontrollonte botën me tërë cilësitë e Tij.
Lëvduar qoftë Allahu që unë u bëra mysliman, e ta dish se as që kam për të hequr dorë, – ia ktheu ai. Reagimi i të atit këtë herë ishte më i ashpër.
Ik ku të duash! Por ta dish se këtej e tutje nuk ke për të marrë më asgjë prej meje! - i bërtiti ai.
E ç’mund të humbte dikush që ishte kthyer në anën e Krenarisë së Njerëzimit. Mjaftonte të dilje njëherë përballë Tij, dhe tërë botët ishin në duart e tua.
- Edhe sikur të më lësh pa gjë fare, ta dish se nuk kam për t’u kthyer. Jam i sigurt, se për aq sa të kem jetë, Zoti ka për të ma dhënë ushqimin e nevojshëm.
Ai tashmë e kishte marrë vendimin e duhur. Babait të zemëruar i dukej sikur nuk do ta mbanin dot më këmbët. Ai vendosi që t’i mblidhte fëmijët e tjerë, të cilët ishin të një mendjeje me të, e t’ua ndalonte që të takoheshin më me Halidin. Halidi i zemëruar tejmase, vendosi të shkonte njëherë pranë të Dërguarit të Allahut e të këshillohej njëherë me Të, pasi nuk po i jepte dot kuptim të gjitha atyre sa kishin ndodhur. Derisa u vendos se ai nuk do të largohej më nga ajo portë.
Vetëm kaq kishte mjaftuar që t’i shpëtonte mekasit prej telashit. Autoriteti nuk mund të pranonte një strukturë më të egër se vetvetja, e patjetër që do të reagonte ashpër ndaj çdo mendimi të ri të ndryshëm nga tyrji. Sad bin Ebi Uakasi, bashkë me shokët e tij, ishin tërhequr sërish mënjanë, e po falnin namaz në një vend të vetmuar. Sikur të ishte e përllogaritur, në atë kohë, andej do të kalonte një grup kurejshësh, të cilët kur i panë këta teksa faleshin, në fillim u erdhi keq, derisa filluan t’i fyenin me gjithfarë fjalësh të pista. I dhanë gojës aq tepër, saqë nuk kishte ngelur më se ç’të shanin, prandaj edhe iu vërsulën që t’i godisnin myslimanët e pambrojtur. A mund të durohej e gjithë kjo? Nuk tregohej respekt as ndaj adhurimeve të dikujt, por përpiqeshin menjëherë që ta pengonin duke e poshtëruar me të gjitha mënyrat e mundshme.
Bilal etiopasi
Profeti i Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të, një ditë, bashkë me Ebu Bekrin, vendosën të shkonin në një vend jashtë Mekës. Diku aty pranë, iu afrua Bilal etiopasi, i cili po kulloste dhentë në atë vend. Ishin njëlloj si hëna me diellin; ishte e pamundur që të mos ngeleshe i apasionuar pas kësaj tabloje. Para se të nisej i duhej një arsye e fortë që të bënte një veprim të tillë, andaj mori një enë më qumësht, e shkoi që t’ua servirte dy njerëzve të dashur, me të cilët donte të fliste. Orvatja për ta zbardhur çdo zemër me dashurinë për Zotin, do të bënte që edhe zemra e Bilalit të përndizej, duke u lidhur aq fort pas Islamit.
Një... Dy... Tre, do të shtohej numri i atyre që e kuptonin si duhej rëndësinë e kësaj meseleje. Ato ditë patën dëgjuar se Bilali kishte përdorur fjalë të rënda ndaj idhujve të shumëllojshëm të Qabes. Si ishte e mundur që një skllav të fliste mbarë e prapë për zotat e drunjtë dhe të gurtë të pronarëve të tij? Të gjithë vendosën që të kërkonin llogari prej Umeje bin Halefit; ishte e kotë që ai të rrezikohej për faj të një skllavi. Zaten, edhe vetë Bilali ishte thjesht një skllav prej atyre skllevërve të shumtë që gjendeshin në Mekë.
Merreni, qoftë juaji! Bëjini ç’të doni, - u tha ai mekasve menjëherë.
Tashmë Bilali, kishte ngelur në dorë të mëshirës (!) së Ebu Xhehlit. E morën Bilalin, dhe e nxorën në shkretëtirë. E torturonin me çfarëdo mënyre të pashpirtshme që t’u vinte ndërmend. E shtrinin mbi rërën e nxehtë të shkretëtirës. I vendosnin mbi trup gurë të rëndë e të stërmëdhenj, e sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, donin që të zotëronin edhe në mendimet e tij; donin që ai të mohonte fenë e re të Muhamedit, dhe vetë këtë të fundit.
Brenda Ebu Xhehlit fshihej një urrejtje e parrëfyeshme, prandaj edhe villte në çdo rast që nga gojët i dilnin jargë prej mllefit. Nuk ia merrte mendja, kur për më tepër ai ishte një nga drejtuesit e Mekës: Si mund të pranonte një fuqi tjetër të jetonte krahas forcës dhe fuqisë së tij? E çfarë se, një skllav. Si mund të guxonte një gjë të këtillë, kur e dinte mirë se nuk ishte veçse një skllav! E shtrinin mbi rërën e nxehtë, dhe e torturonin derisa të skuqej nga rrezet përvëlimtare të diellit. Zaten, Bilalit nuk i kishte ngelur më forcë, as për të folur; nga goja dëgjohej se i dilte vetëm një fjalë:
Ehad... Ehad..!
Bilali ishte një njeri që e njihte edhe atë lloj bote. Më mirë të vdiste e të gjente shpëtimin e përjetshëm sot, sesa të jetonte një jetë vetëm mes torturave. Prandaj, shtrëngonte dhëmbët, pasi ai e kishte bindje se, “ishte më mirë të vdisje krenar, sesa të jetoje i çnderuar.” Atë ditë, asnjëri nuk arriti dot që ta detyronte Bilalin të ndërronte mendje. Ai ishte i vendosur që të ishte i qëndrueshëm në rrugën që kishte nisur, andaj edhe nuk do të devijonte kurrsesi nga mendimet e tij.
Veç, ç’ishte ai mllef, që i lidhte litarë për qafe, dhe ia jepte fëmijëve që ta tërhiqnin nëpër sokakë deri në malet e Mekës. Bilalin, të cilin Zoti e kishte zgjedhur për “rob”, dhe Profeti për “ymet”, ata e kishin kthyer në një lodër për fëmijët e parisë së Mekës. E si mund të jetë e mundur që t’i japësh kuptim kësaj dukurie, kur nuk i ke provuar, as ecjen mbi rërën e nxehtë flakë, as të tjerat sosh, përfshi këtu edhe torturat, që në fakt shërbyen për diç, por kjo ishte veçse përcaktesa për vlerën që mbartte besimi në Zot.
Në Mekë nuk mund të gjendej qoftë edhe një i vetëm që të mos e kishte dëgjuar këlthitjen famëmadhe të Bilalit, “Ehad!”, “Ehad!”, “Ehad!”... Këlthiste e rënkonte, por kujt do t’i shkonte në mendje që të ndjente sadopak keqardhje, Umejes apo Ebu Xhehlit?! S’kaloi shumë, e aty ia behu besniku Ebu Bekër. Zaten, e gjithë pasuria që kishte, do ta harxhonte në disa çaste të vetme; të paktën ai e kishte gjetur një mundësi që pasurinë e vet, ta investonte në një jetë të përtejme të lume. Mirëpo, nuk ishin veç këto kënaqësitë që do të fitonte... Do të fitonte përveç Ahiretit, edhe kënaqësinë e Profetit, por do të çlironte edhe Bilalin prej torturave të stërmundimshme të mekasve.
Iu afrua dhe u tha:
- Pse e torturoni kaq shumë këtë njeri? – i pyeti ai me njëfarë reagimi negativ. Mandej ai e bleu atë prej tyre, duke i treguar kësisoj rrugët e lirisë.
Bilali i nderuar po provonte kësisoj frytet e ëmbla të durimit, ndoshta po të heshtte pranë Umejes, do të ishte i qetë, por prapëseprapë do të ishte sërish skllav, derisa të jepte frymën e fundit. Tani nuk ishte më kështu, ai shpëtoi edhe prej torturave, edhe ishte plotësisht i lirë që të jetonte i padetyruar prej askujt, të jetonte pranë Të Dashurit Famëmadh.
E shihni, se si, të pohoje se ishte mysliman në ato ditë, ishte njësoj sikur t’i merrje vetes një biletë për në një teatër ku i torturuari dhe i dhunuari do të ishe vetë ti. Andaj, kurejshit, thuajse nuk dinin gjë për shumicën e sahabëve që ishin kthyer me kohë në fenë myslimane. Përveç shtatë prej tyre, të tjerët besonin në Allahun e Vetëm, por askush tjetër nuk ishte në dijeni të këtij fakti. Këta të shtatë ishin I Dërguari i Allahut, Muhamedi i nderuar Paqja qoftë mbi Të, Ebu Bekri i nderuar, Amar bin Jasiri, e ëma e tij Sumeja, Suhejb ibni Sinani, Bilal Etiopasi dhe Mikdad bin Esuedi.
Ndoshta tani kishte pak vuajtje, por kjo nuk do të thoshte se të gjitha ditët në vazhdim do të ishin të zeza. Do të vinte një ditë kur bora dhe akujt do të shkrinin, në qiellin e njerëzimit do të përjetohej edhe një herë një stinë pranverore, për t’u kremtuar më në fund, sa më gëzueshëm, një festë ku çdo anë të ishte kredhur në nur, ashtu siç vetë Allahu i Madhërishëm do të vendoste.
Disa, edhe donin që ta shuanin dritën e çështjes së Allahut, duke i përdorur madje të gjitha fuqitë që kishin në duar, por për Fuqinë e Allahut, kjo ishte një gjë krejt qesharake. Një ditë, Allahu iu drejtua besimtarëve nëpërmjet Xhebrailit të besueshëm:
Edhe sikur të mos duan mosbesimtarët, Allahu ka për ta plotësuar dritën e Tij. Kjo ishte një fjali më shumë se shpresë, ajo po i lajmëronte besimtarët që të mos i shqetësonte asnjë prej të këqijave që po hiqnin. Ishte Allahu i Plotfuqishëm, ishte Resulullahu që premtonin, e si mund të kihej dyshim në një premtim të tillë?
Nëse Resulullahu fliste për diçka, atëherë veç duhej të prisje që ajo të ndodhte. Pasuesit e Tij ishin të një besimi aq të fortë, sa edhe sikur perdja e të panjohshmes t’u hapej, prapëseprapë nuk është se do të besonin më shumë se më parë.
Xhebraili Fjalëdrejtë premtonte, në emër të Allahut të Madhërishëm, një të ardhme pa fill e pa fund në jetën e tyre të përtejme; një botë plot lumenj ujërash të ëmbël e të kristaltë, përrenj ujërash të ngrohtë, që ndikonte drejt e në thellësitë e shpirtit. Këto në fakt as që shiheshin si synim imagjinar prej sahabëve, sidomos atyre të parëve. E si mund të ndodhë, kur ata ishin njerëz aq të ndershëm, sa të mos e ndosnin një çështje kaq të rëndësishme me synime kënaqësish.
Allahu (xh.xh.), me qëllimin që t’ua përforconte akoma më tej ndjesitë e besimit, u jepte atyre shembuj të shumtë nga jetët dhe bëmat e profetëve të mëparshëm.
Nuk ka dyshim, që Ne, u dhamë shpërblim atyre, si Profetëve, si ndjekësve të tyre, që në këtë botë; dhe padyshim, që ndihmesa jonë do të vazhdojë të jetë mbi ta edhe në ditën kur çdo gjë do të dalë në shesh.
U mësonte kësisoj, se këto tortura dhe përndjekje, kishte pasur edhe njerëz të tjerë të devotshëm më parë që i kishin vuajtur, por shpërblimi ishte i pamasë, andaj shqetësimi dhe dyshimet ishin krejt të kota. U tregonte atyre se cila ishte pala që, në fund, ishte gjithnjë e qeshur. Duke filluar nga të parët, Ai u jepte shembuj që nga Profeti Nuh, Ibrahimi (a.s.), Shuajbi (a.s.), Salihu (a.s.), Musai (a.s.), e deri te Isai (a.s.), dhe në fund të gjithë këtyre u thoshte:
Ata, duruan dhe dolën të fituar, duke e merituar tërësisht shpërblimin; duroni edhe ju pak, që të mund ta gëzoni festën e nesërme! – jepeshin këshillat e nevojshme, duke u kërkuar durim dhe qëndresë nga besimtarët ende të brishtë. Durimi ishte arma më e duhur për besimtarët në ato kohë, andaj ata duhet ta kishin atë gati karshi çdo torture dhe përndjekjeje nga ana a mosbesimtarëve. Ishte vetë Allahu i Madhërishëm që u fliste, që t’u jepte guxim dhe t’ua përforconte
Atëherë Ti mbështetu pas forcës që të fal durimi! Sepse nuk ka dyshim që premtimet e Allahut janë të prera dhe të drejta. Ndaj, vështrimet dhe veprimet e ndyra të të çmeriturve nuk duhet të të trondisin aspak!
Shënimet
- 52.Shih: Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 2/209
- 53.Ibni Haxher, isabe, 1/136
- 54.Ibni Sad, tabakat, 4/222
- 55.Ibni Sad, tabakat, 3/165; 4/224-5, 255
- 56.Ibni Sad, tabakat, 3/165
- 57.Ibni Sad, tabakat, 3/165
- 58.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 2/216
- 59.Lukman, 31/15
- 60.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 2/589
- 61.Taberi, tarih, 1/539
- 62.Ebu Xhehl, mbart kuptimin e “Babai i Injorancës”.
- 63.Ibnu’l Esir, Usudu’l Gabe, 1/236