UDHËTIMI PËR NË UMRE DHE HUDEJBIJA

Kishin kaluar gjashtë vjet që prej migrimit. Profeti i Njerëzimit zbriste përditë me nga një revelatë të re, ndërsa sytë e sahabëve agonin me dëshirën për të parë edhe njëherë Mekën, ndërsa mbrëmjeve binin me ëndrrat për të kryer edhe njëherë adhurime pranë Qabes. Në këto kohë, edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte parë një ëndërr, sikur kishte shkuar në Qabe për të kryer adhurimin e umres. Në vazhdim të ëndrrës, i Dërguari i Allahut i ishin dorëzuar edhe çelësat e shtëpisë së Zotit.

Me të aguar, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ndau ëndrrën që kishte parë edhe me sahabët e tjerë, të cilët u gëzuan aq shumë që do të vinte një ditë kur ata do të shkonin edhe njëherë në Qabe. Po i tundnin duart nga larg, sikur donin t’i thonin: “Na prit se do të vijmë.” Pas kaq e kaq vitesh do të mund të vizitonin edhe njëherë Qaben.

Filluan të gjithë nga përgatitjet. Sepse Qabeja nuk mund të lihej në duart e mosbesimtarëve. Atë e kishte ndërtuar Profeti Ibrahim (a.s.), duke ia lënë si trashëgim pasardhësve që ta përdornin për të adhuruar Allahun. Ndërsa ai trashëgim rrinte kot së koti në duart e atyre që nuk e meritonin aspak një nderim të këtillë. Prapëseprapë, Ai që do ta kryente detyrën e kthimit të nderit në vend ishte Resulullahu (s.a.s.). Ai po shkonte vetë për të treguar se si duhej kryer adhurimi karshi Allahut (xh.xh.):

Kësaj here në Medinë kishte ardhur Busr ibni Sufjani për t’u bërë mysliman. Kur deshi të kthehej andej nga kishte ardhur, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) i tha:

- O Busr! Mos u nxito për t’u kthyer. Ndoshta ikim të gjithë së bashku. Sepse edhe ne po përgatitemi për të bërë umre.

Qëllimi ishte adhurimi, jo lufta. Me vete kishin marrë vetëm disa armë të vogla, të cilat do t’u shërbenin vetëm për të prerë kafshët e flijimit. Përgjatë udhëtimit, kishin marrë me vete edhe disa dele dhe deve, të cilat t’i flijonin përpara se të fillonin adhurimin për të cilin ishin nisur. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kishte marrë një deve me vete.

Ishte sërish ditë e hënë. Ishte muaji Dhilkade i vitit të gjashtë të migrimit. Profeti ynë hyri në dhomëzën e Tij të lumturisë, mori abdes, u vesh dhe doli jashtë për të hipur mbi Kasuan e Tij. Tashmë po fillonte një rrugëtim drejt asaj që mund të quhej qendra e rruzullit tokësor. Kësaj here, me vete kishte nënën tonë, Umu Selemen e nderuar.

Kur mbërritën në vendin e quajtur Dhul Hulejfe, falën namazin e drekës. Pas kësaj filloi të vendoste shenja mbi shtatëdhjetë devetë, të cilat ishin ndarë për flijim. I kthente ato drejt kibles, dhe i shenjonte në pjesën e djathtë të tyre.

Këtu fali edhe dy rekate namaz të tjera. Në fytyrat e tyre shfaqej emocioni i adhurimit në Qabe. Qëllimi kryesor ishte që t’i rrethrrotulloheshin Qabes, dhe sakaq i Dërguari i Allahut (s.a.s.) veshi ihramin. Donte që ta ndante edhe me sahabët e tjerë synimin e Tij të mirë, andaj hipi mbi deve dhe filloi të përsëriste:

- Lebbejk Allahumme lebbejk. Lebbejk la sherike leke lebbejk. Innel hamde uenni’mete lek, uel mulke la sherike lek.

Edhe nëna jonë, Umu Selemja ishte bërë gati për të veshur ihramin. Po i ndiqnin një më një hapat e të Dërguarit të Allahut, dhe çdo veprim i Tij përsëritej prej të gjithëve njëherësh.

Një udhëtim që të falte besim

Udhëtimi vazhdonte. Ishin gjithsej njëmijë e katërqind veta, që po udhëtonin drejt Mekës, të cilëve as pika e gjakut nuk do t’u derdhej. As nuk shqetësoheshin vendasit, dhe as tokat ku shkelej nuk prekeshin prej askujt. Sikur të gjithë ata që po ecnin të ishin engjëj të zbritur prej qiellit. Njerëzimi po gjendej për herë të parë në Arabi me kuptimin e ndjekjes së përpiktë të të drejtës dhe drejtësisë.

Ata nuk ia vinin syrin asnjë pasurie të mekasve. Ata që i vështronin për së largu, e vërenin këtë ndryshim, andaj vinin grupe grupe që ta gostitnin me dhurata nga më të ndryshmet. Erdhi edhe Ima ibni Rahda, dhe i dhuroi të Dërguarit të Allahut dy deve të ngarkuara me qumësht. Profeti ynë, fillimisht i tha:

- Allahu ju faltë begati.

Pasandaj e mori dhuratën dhe e ndau në mes të sahabëve të Tij.

Kjo ishte një shenjë e mirëpranimit nga bota, dhe nuk duhet të kufizohej vetëm me kaq. Të gjithë kalimtarët e vlerësonin shumë këtë veprim të tyrin, dhe me ç’të kishin me vete, ushqime a gjëra të tjera, mundoheshin që t’ua jepnin atyre. Madje i Dërguari i Allahut e pati pëlqyer shumë atë bimën e ngrënshme, e cila ishte plot qumësht dhe mbartte një aromë shumë të mirë. I dërgoi edhe Umu Selemes që ta provonte këtë bimë kaq të shijshme.

Sjellja e mekasve

Lajmi se po vinte Resulullahu bashkë me sahabët e Tij në Mekë, për të kryer umre, mbërriti edhe te mekasit. Ata u shqetësuar jashtëzakonisht shumë. Kishin frikë. Muhamedi po u vinte atëherë kur nuk e prisnin. Megjithëse kuptohej se nuk ishin duke ardhur për t’i luftuar, ishte një veprim që do t’u nxirrte në shesh mangësitë e shumta që kishin. Andaj mblodhën menjëherë këshillin për t’u këshilluar se si do të vepronin.

Muhamedi po vjen drejt nesh për të kryer umren. Mirëpo, si mund ta kuptojnë këtë arabët, që deri dje kanë luftuar me të shpatë për shpate. Vallahi, ne nuk kemi për t’i lejuar të hyjnë në Mekë sa të jemi ne gjallë.

Në fakt, nuk është se nuk kishte nga ata që trembeshin, se ai “ishte duke ardhur me tërë atë ushtri pikërisht për t’i luftuar.”

Megjithatë, mendimi i përbashkët ishte se ata nuk do t’i lejonin kurrsesi myslimanët që të hynin në Mekë. Organizimin e kësaj çështjeje ia lanë në dorë Safuan ibni Umejes, Ikrime ibni Ebi Xhehlit dhe Suhejl ibni Amrit. Edhe ata i siguruan kurejshët se nuk do të hidhnin asnjë hap sipas mendjes së tyre, por do të këshilloheshin me ta më parë. Tema e parë për të cilën biseduan ishte të nisnin një forcë prej dyqind ushtarësh në vendin e quajtur Kuraul Ganim, në krye të të cilëve duhej vendosur një komandant sypatrembur.

Ç’mendim i mirë! - thanë kurejshët njëzëri.

Këtë dyqindëshe të parë e nisën nën komandën e Halid ibni Velidit. Do të shkonin në vendin e quajtur Kuraul Ganim dhe do të ftonin bijtë e hunëve, Beni Harithët, Beni Abdimenahët, Beni Mustalikët, por edhe Ahabishët, të cilët ishin aleatët e tyre të maleve, pa harruar edhe Thakifët, të cilët ecnin përherë paralel me ta në çështjet e luftës, që t’i ndihmonin në rast nevoje. Ishte përcaktuar edhe vendi se ku do të shkonin: Beldahu.

Adresa ishte e qartë. Të gjithë, me të marrë drejtimin se ku duhet të shkonin, u nisën në drejtim të Beldahut. Pa humbur kohë filluan të ngrinin çadrat, dhe u betuan se nuk do të linin asnjë besimtar mysliman që të kalonte më tutje. Kishin ardhur edhe gratë me fëmijët e kurejshëve. Në majat e maleve patën vendosur vështrues me dezhurn, prej të cilëve kërkuan që t’i lajmëronin me shenja, në mënyrë që të mos diktoheshin prej besimtarëve.

Busr ibni Sufjani, myslimani më i ri, pasi i ndoqi të gjitha këto lëvizje të mekasve, shkoi pranë të Dërguarit të Allahut që ta lajmëronte për zhvillimet e reja. Ndërkaq, besimtarët gjendeshin në një vend që quhej Ganirul Eshtat, i cili gjendej pranë Usfanit.

O i Dërguari i Allahut! Kurejshët e kanë marrë vesh ardhjen Tënde. Ata kanë marrë me vete gratë dhe fëmijët, e bashkë me to edhe armatime, në mënyrë që të ta pengojnë kalimin në vendin e quajtur Dhu Tuva. Janë duke u betuar se nuk do ta bëjnë diçka të këtillë. Ndërsa Halid ibn Velidi, bashkë me dyqind ushtarë është duke pritur në vendin e quajtur Kuraul Ganim.

I Dërguari i Allahut po e dëgjonte me kujdes Busrin, pasi donte të kuptonte gjendjen e tyre shpirtërore dhe se si do të vepronin në çdo sjellje të tyre të mundshme, por ishte tejet i habitur nga kjo sjellje e tyre, andaj i tha atij se sidoqoftë, Profeti i Allahut bashkë myslimanët do të dalë triumfues në fund.

Hudejbija dhe begatia e ardhur prej ujit

Kur u afruan në vendin e quajtur Hudejbije, u përballën me diçka të papritur. Kasua u ul, dhe nuk lëvizte vendit, megjithë përpjekjet e tyre për ta ngritur. Edhe vetë i Dërguari i Allahut nuk po i jepte dot kuptim kokëfortësisë së Kasuas, edhe pas aq e aq përpjekjesh të gjithë atyre burrave.

Kasua po na i bën si për inat, - i thanë Atij disa prej sahabëve.

Jo! Kasua nuk bën asgjë për inat. Ajo nuk e ka një zakon të tillë. Atë po e pengon Zoti që pengoi elefantët që donin të shkonin të rrëzonin Qaben.

Në univers nuk kishte vend për rastësinë, dhe çdo lëvizje a ndodhi kishte mesazh për Të. Njëkohësisht, kjo ngjarje ishte më e mirë se përballja me ndodhi, të cilave nuk do t’u dihej përfundimi. Sepse në një atmosferë kaq të acaruar, kishte mundësi që të derdhej shumë gjak. Në Mekë kishte shumë besimtarë, të cilët qenë bërë myslimanë, por rrinin fshehtas në Mekë. Kishte mundësi, që në rrahje shpatash e sipër, ndonjë prej sahabëve të vriste ndonjë besimtar. Njëkohësisht, në Mekë, gjendeshin disa besimtarë potencialë, prej të cilëve do të vinin shumë njerëz, që do t’i shprehnin besnikërinë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ndoshta disa syresh edhe derisa të vdisnin për këtë rrugë. Atëherë, terreni duhet të ishte i atillë, që paqja të ishte arritja e vetme.

Lëvduar qoftë Ai që ka në dorë Muhamedin, se unë do ta pranoj çdo vendim të Tijin, gjë që është edhe respektim karshi Tij. Profeti i paqes po zgjidhte sërish paqen. I Dërguari i Allahut e mori mesazhin që duhej marrë, dhe sakaq i ndërroi drejtimin Kasuas, dhe u përpoq që ta ngrinte nga vendi. Ishte pikërisht ashtu siç e kishte menduar Ai. Kasua u ngrit dhe filloi të lëvizte. Kjo vërtetonte vërtetësinë e atij mesazhi.

Tashmë kishin mbërritur në kufirin më periferik të Hudejbijes. Koha ishte tejet e nxehtë dhe të gjithë ishin tejet të etur. Njëkohësisht, zhvillimet e deritanishme tregonin se do t’u duhej që për disa kohë të rrinin këtu. Andaj i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u tha të ndalonin në një vend ku kishte pak ujë. Zaten aty afër as që mund të mendohej për ekzistencën e ndonjë pusi.

Vendi ku qëndroi i Dërguari i Allahut gjendej jashtë Haremit, mirëpo Ai i kryente gjithnjë adhurimet duke ardhur në një vend, i cili përfshihej brenda Haremit. Kishte hyrë koha e ikindisë për atë ditë, kështu që i Dërguari i Allahut mori një ibrik me ujë për të marrë abdes. Mirëpo, teksa po merrte abdes, pranë i erdhën sahabët dhe po e vështronin. Se ç’kishte një gjë të habitshme në këto sjellje, andaj i pyeti:

Çfarë ju ka gjetur kështu?

U shkatërruam, o i Dërguari i Allahut!

Ju nuk mund të shkatërroheni për aq kohë sa unë gjendem në mesin tuaj. E kush mund të shkatërrohej për aq kohë që kishin të Dërguarin e Allahut (s.a.s.) në mesin e tyre.

Vetëm se çështja duhej futur në shinat e saj.

O i Dërguari i Allahut! Nuk kemi asnjë pikë uji për të pirë, përveç atij pako uji që na duhet për të marrë abdes.

Etja kishte arritur cakun, dhe me ç’dukej, sahabët ishin duke kërkuar një mrekulli prej Resulullahut (s.a.s.). Prandaj, Ai u kërkoi atyre që ta zbraznin ujin e ibrikut në një enë. I futi gishtat e Tij të bekuar brenda asaj ene dhe filloi të lutej.

Hajde, merrni abdes! Bismil’lah! – u tha Ai.

Të gjithë sahabët e bekuar ishin vendosur në radhë dhe po prisnin. O Zot! Ç’të shikonin! Nga gishtat e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) filloi të rridhte ujë!

Kush të mundte mbushte faqoren e vet dhe rendte i gëzuar. Po u jepnin edhe kafshëve për të pirë. Fytyrat filluan të qeshnin edhe njëherë në Hudejbije. Faqoret po mbusheshin, dhe megjithëse për pak kohë, ata kishin ujë për të pirë. Edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i mahnitur prej atyre që po ndodhnin, filloi të lavdëronte Allahun(xh. xh.):

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe se unë jam i Dërguari i Tij.

Atë natë në zemrat e besimtarëve zbriti mëshira hyjnore, bimëve që kishin filluan të thaheshin iu rikthye ngjyra e gjelbër, dhe kafshët ishin më të qeta, pasi kishin pirë ujë. Kjo, për besimtarët, nuk ishte veçse pasqyrimi i mëshirës së pafundme të Allahut (xh.xh.).

Mëkëmbësit e Profetit tonë

Kurejshët ishin më se të vendosur që të mos i lejonin myslimanët të hynin në Mekë, ndaj nuk donin që nuk donin ta kuptonin se ata kishin ardhur veç për të kryer adhurimin e umres, e aspak për t’i luftuar.

Megjithatë, Profeti ynë (s.a.s.) po bënte të gjitha përpjekjet për t’ia sqaruar këtë, duke u dërguar atyre Hirash ibni Umejen.

Vetëm se me të mbërritur pranë tyre, Halid ibni Velidi nxori shpatën dhe me të e rrëzoi përtokë devenë e Hirashit. Ishte aq i nevrikosur, sa për pak mund të vriste edhe vetë Hirashin. Disa prej pjesëtarëve të familjes së Ahabishëve, të cilët e panë nervozizmin e tij, ndërhynë menjëherë, dhe nuk e lejuan që ta vriste mëkëmbësin e të Dërguarit të Allahut. E lanë të lirë, që të nisej për andej nga kishte ardhur. Sakaq, Hirash ibni Umeje u kthye pranë të Dërguarit të Allahut dhe u tregoi atyre atë që kishte ngjarë.

Rëndësia e çështjes rritej nga dita në ditë, dhe çdo hap që do të hidhej në këtë lëmi ishte tejet i rëndësishëm. Kurejshët ishin shumë të stresuar, saqë vepronin thuajse pa u menduar, e kjo mund të bëhej shkak për gjëra hiç të papëlqyeshme.

Ndërsa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) ishte i vendosur që t’ua sqaronte se ku qëndronte çështja. U fliste drejtpërsëdrejti mendjeve dhe ndërgjegjes së tyre, duke u kërkuar që t’i hapnin rrugën, në mënyrë që Ai bashkë me sahabët e Tij të mund të vizitonin Qaben. Kësaj here, si mëkëmbës për ta nisur drejt kurejshëve zgjodhi Omerin e bekuar. Omeri (r.a.), me të dëgjuar këshillat dhe urdhrin e Resulullahut, iu përgjigj:

O i Dërguari i Allahut! Druhem se ata kanë për të më goditur, sepse e dinë mjaft mirë armiqësinë që unë kam karshi tyre. Madje nuk ka asnjë prej bijve të Adijëve që të më dalë për krah. Megjithatë, nëse Ti më urdhëron, që të shkoj pikërisht unë pranë tyre, unë do të shkoj menjëherë.

Patjetër që shqetësimi i Omerit të nderuar nuk lidhej vetëm me jetën e vet. Veç vrasja e një mëkëmbësi si Omeri i nderuar do të thoshte shkak për të hapur luftë, dhe parandalimi i një lufte të këtillë pasandaj do të ishte krejt i pamundur. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e dëgjoi Omerin dhe filloi të mendohej.

O i Dërguari i Allahut, - vazhdoi Omeri. Lërmë të të këshilloj një njeri, i cili është më i përshtatshëm, që mbi të gjitha do të ketë mbrojtjen, ngase ka lidhje më të forta: Osman ibni Afuanin.

Zgjuarsia e myslimanëve ishte shumë e rëndësishme. Dhe nga ky këndvështrim, Omeri i nderuar ishte tejet largpamës dhe inteligjent. Ndërkaq, Resulullahu thirri pranë vetes Osmanin:

Shko te kurejshët, dhe thuaji se nuk kemi ardhur aspak për të luftuar me ta, por vetëm për të bërë umre! Mos harro edhe që t’i ftosh në fenë e Allahut.

Misioni që iu ngarkua Osmanit nuk kufizohej vetëm me kaq. Ai donte që nëpërmjet Osmanit, t’u bënte të ditur besimtarëve të atjeshëm, të cilët kishin besuar, por nuk kishin pasur mundësi të migronin, se së shpejti do të vinte ngadhënjimi i shumëpritur. Allahu së shpejti do ta nxirrte faqebardhë fenë e Tij edhe në Mekë, duke mos i lënë më në pozitën e fshehjes së besimit.

Sakaq, Osmani u nis për në Mekë. Kur mbërriti në Beldah, përballë i dolën mekasit.

Ku po shkon? - e pyetën ata.

Mua më ka dërguar Resulullahu për të folur me ju, - u përgjigj ai tërë vetëbesim. Po ju ftoj që të besoni në Islam dhe në Allah. Ose ju të gjithë do të hyni në fenë e Tij, - që padyshim, Allahu ka për ta nxjerrë triumfues të Dërguarin dhe fenë e Tij. – ose do të hapni rrugën, që të mos jeni ju ata që e pengoni, por le të jenë të tjerët! Kësisoj, nëse është i Dërguari i Allahut që mundet, dilni ju të fituar në dëshirën tuaj. Veçse, nëse del fitimtar, atëherë ju ngelet juve në dorë. Ose pranoni fenë e Islamit duke besuar, ose luftoni sërish me Të, ashtu siç keni bërë gjithnjë. Ju e dini mjaft mirë se sa të këqija ju ka prurë lufta. Keni dalë të rrënuar e më se të lodhur së andejmi. Madje humbët mjaft prej prijësve tuaj më në zë. Veç kësaj, Resulullahu (s.a.s.) nuk po vjen këtu, as për t’ju luftuar juve, por vetëm për të kryer umren dhe për të flijuar kafshët që kemi marrë me vete. Pasi t’i mbarojmë të gjitha këto, do të kthehemi sërish në Medinë.

I dëgjuam këto që na the, vetëm se kjo është e pamundur. Ai nuk mund të dalë përballë nesh kësimënyre. Shko dhe thuaju shokëve të tu, se ai asnjëherë nuk ka për të dalë fitimtar mbi ne.

Dukej thuajse e pamundur të trokisje në portën e Mekës. Ende pa hyrë në qytet, ai po takohej me njerëzit më të ulët të kurejshëve, duke bërë që të mos e kryente dot detyrën e tij nga fillimi gjer në fund. Dukej paksa e pamundur që të kalonte mes tërë asaj mizërie, aq sa dukej sikur Osmani pas pak do të kthehej mbrapsht. Kur, po në këtë çast, përballë Osmanit doli Eban ibni Saidi. Me ta parë atë, i shkoi pranë, dhe pasi e pyeti në përgjithësi për shëndetin, i tha:

Na thuaj për çdo gjë që të kesh nevojë.

Madje kishte zbritur prej kalit të vet, dhe po i kërkonte Osmanit që të hipte mbi të, ndërsa vetë hipi pas tij. Omeri i nderuar kishte pasur të drejtë. Miqësia vlente pikërisht për çaste të tilla, të vështira, e cila bënte që edhe portat që dukeshin më të vështirat për t’u hapur, hapeshin kanat më kanat.

Shko ku të të dojë e bardha zemër, e mos u frikëso prej askujt.

Sepse bijtë e Saidit janë më të nderuarit në të gjithë zonën e Haremit, dhe sakaq me gjuhën e tij poetike po u bënte të ditur të gjithëve, se kësodore, Osmani ishte nën besën e tij.

Të dy së bashku erdhën deri në Qabe, ku Osmani filloi të vizitonte një e nga një të gjithë prijësit e kurejshëve. Ai po u çonte atyre mesazhin e nisur prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Muhamedi nuk mund të vijë kësisoj te ne, - thoshin ata të gjithë, duke ia mbyllur portat në fytyrë. Vetëm se Osmanin nuk e përzinin dot.

Nëse do, ti mund ta vizitosh dhe t’i rrethrrotullohesh Qabes.

Unë nuk i bëj tavaf Qabes për aq kohë sa nuk i bën edhe Resulullahu,

u thoshte ai duke ia refuzuar këtë ofertë të tyre.

Qëllimi i kurejshëve ishte më se i qartë, andaj pa humbur kohë, Osmani shkoi për të trokitur në portat e besimtarëve të vobektë, të cilët përpëliteshin në mes të vuajtjeve që nuk kishin të mbaruar.

Resulullahu ju dërgon fjalë, - i niste fjalët ai.

Nuk kishte ç’t’i thoje gëzimit që shfaqej në fytyrat e atyre që shihnin ardhjen e Osmanit të nderuar në shtëpinë e tyre, i cili për më tepër, u kishte prurë lajme nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kishte nga ata që kishin plot gjashtë vjet që prisnin. Sepse kjo ndarje kaq e stërgjatë bëhej krejt e padurueshme nëse ishe njohur njëherë me Të. Vetëm se Osmani nuk kishte ardhur veç sa për të trokitur në portat e tyre, që t’i jepte thjesht nga një përshëndetje kalimtare.

Kësodore, unë do t’ju ndihmoj juve, derisa në Mekë të mos ngelet nevojë për të fshehur besimin prej askujt.

Ky ishte sihariqi që u niste i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Për ta, kjo ishte si një aromë pranverore në mes të një dimri të acartë. Kishin aq shumë dëshirë që të vinte dita, që edhe ata të mund ta shprehnin haptazi atë që ndjenin. Dhe derisa u kishte ardhur një mëkëmbës si Osmani deri në portë, kjo do të realizohej shumë shpejt, dhe teksa e përcillnin Osmanin, i thoshin:

Dërgoji përshëndetjet tona të Dërguarit të Allahut! – dhe nga sytë u derdheshin disa pika lot.

Këto përpjekje të Osmanit zgjatën plot tri ditë.

Kërkimi i paqes së ndërsjellë

Osmani vazhdonte vizitat e tij në Mekë, ndërsa i Dërguari i Allahut bashkë me të tjerët prisnin se ç’do të ndodhte. Megjithëse Kurejshi sillej sikur nuk i lejonte kurrsesi të bënin diçka të atillë, nuk mund ta merrte dot parasysh që të futej në një tjetër luftë, duke qenë se ishte edhe krejt i papërgatitur. Megjithë irritimin që shprehnin, ata ruheshin se mos bënin ndonjë gabim duke prekur ndokënd, pasi kjo mund të përbënte shkak lufte. E vlerësonin çdo dukuri me kujdes, dhe mundoheshin si e si të arrinin në ndonjë përfundim të shëndoshë.

Nga ana tjetër, Profeti ynë bashkë me sahabët e Tij po prisnin gjithë merak ardhjen e mëkëmbësit të nisur në Mekë. Disa syresh thoshin:

Iku Osmani. Tani duhet të ketë bërë edhe tavaf rreth Qabes.

Unë mendoj se ai nuk bën tavaf rreth Qabes për aq kohë sa ju gjendeni këtu me mua, - iu kthye i Dërguari i Allahut.

E çfarë mund ta pengojë atë që ka mbërritur gjer atje?

I Dërguari i Allahut i njihte mjaft mirë sahabët e Vet, kështu që u kthye nga ata për t’i thënë:

- Ky është mendimi që unë kam për Osmanin. Edhe sikur një vit të tërë të rrijë atje, pa ne ai nuk i rrethrrotullohet Qabes.

Profeti ynë (s.a.s.) ngase e njihte mirë tendosjen e çështjes, vendosi të ngarkonte me detyrë dy roje, të cilët do të ishin lajmëtarë të çdo gjëje që mund të ngjaste përreth. Këtë detyrë filluan ta kryenin me turne Eus ibni Hauliu, Abad ibni Bishri dhe Muhamed ibni Mesleme. Kjo ishte një ndjeshmëri e hollë e të Dërguarit të Allahut, të cilën do ta kuptonin të gjithë mandej, se sa e rëndësishme që ishte. Sepse gjatë kohës që në krye të detyrës ishte Muhamed ibni Mesleme, erdhën nja pesëdhjetë burra prej kurejshëve me në krye Mikrez ibni Hafthin, të cilët ishin nisur për të ushtruar trysni mbi besimtarët, dhe nëse gjenin ndonjë hapësirë, edhe t’i sulmonin.

Muhamed ibni Mesleme, i cili e vuri re se ç’po ndodhte u vu në lëvizje dhe i zuri robër këta njerëz të Kurejshit. Vetëm Mikrezi ia kishte dalë të arratisej nga sytë këmbët.

Nga ana tjetër, disa prej sahabëve, si Kurz ibni Xhabiri, Abdullah ibni Suhejli, Abdullah ibni Hudhafe, Umejr ibni Uehbi, Ebu’Rum ibni Umejri, Hisham ibni Asi, Ebu Hatib ibni Amri, Abdullah ibni Umeje, Ajash ibni Ebi Rebia, Hatib ibni Ebi Beltea, shkuan pranë të Dërguarit të Allahut që t’i kërkonin leje për të shkuar fshehtazi pranë Qabes, derisa në fund të gjithë atyre këmbënguljeve, arritën të merrnin leje. Vetëm se kurejshët kur e vunë re ardhjen e tyre, u shqetësuan jashtëzakonisht shumë, aq sa vendosën që t’i merrnin peng të ardhurit. Gjendja u përkeqësua akoma më tej kur ata morën vesh se Muhamed ibni Mesleme u kishte marrë peng disa prej njerëzve të tyre. Menjëherë, u përgatit një grup mekasish, të cilët rendën në drejtim të Hudejbijes, që të goditnin me breshëri gurësh mbi vendin ku gjendej Profeti ynë i nderuar. Sahabët fisnikë ishin përherë në gatishmëri të çdo të papriture që mund të ndodhte. Gjatë këtyre ngatërresave ata kishin marrë edhe dy kalorës të tjerë peng, duke bërë që Ibni Zenimi, të cilin e kapi një shigjetë, të binte dëshmor.

Megjithëse të dyja palët e kishin bindur veten se nuk do të luftonin me njëri-tjetrin, lufta u ishte afruar gjer te porta e shtëpisë. Edhe një shkreptimë e vogël mund të ndizte flakë të tëra, e ta kthente gjithandej në shkrumb e hi. Kësodore, mekasit u mblodhën edhe njëherë për të bërë një vlerësim të çështjes. Si përfundim, ata vendosën që të nisnin tre veta; Suhejl ibni Amrin, Mikrez ibni Hafthin dhe Huvejtib ibni Abdiuzën si mëkëmbës pranë të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Do të shkonin që të ulnin disi gjakrat, pasi në të ardhmen nuk do të mund të bënin dot asgjë.

Sakaq, lajmi sikur kurejshët kishin vrarë Osmanin bashkë me dhjetë sahabët të tjerë e ndryshoi krejt rrjedhën e mendimit. Tanimë çdo gjë ishte krejt ndryshe, dhe çdo përllogaritje ashtu duhet të bëhej.

Besëlidhja e Riduanit

Me të mbërritur lajmi se Osmani bashkë me dhjetë sahabë të tjerë kishin rënë dëshmorë, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) tha këto fjalë:

Me sa duket, nuk do të largohemi dot që këtu pa luftuar me kurejshët, - dhe sakaq thirri sahabët që t’i afroheshin.

Të gjithë sahabët, të çmeritur prej atyre që po ngjanin rendnin një e nga një për të lidhur edhe njëherë besë me të Dërguarin e Allahut. Vinin mbi tryezë edhe vetë jetën e tyre, i jepnin fjalën njëri-tjetrit se nuk do të largoheshin nga fusha pa i dhënë hakun luftës, nëse do të ishte e nevojshme.

Për një çast, i Dërguari i Allahut ngriti njërën dorë sipër, dhe duke e mbajtur me dorën tjetër, tha:

Padyshim o Allah, se Osmani qe nisur për një detyrë Tënden dhe të të Dërguarit Tënd!

Dhe ndërsa e bashkonte njërën dorë me tjetrën, shprehej se e pranonte besëlidhjen e Osmanit, megjithëse në mungesë. Njëkohësisht, u kthye nga sahabët dhe tha:

Ju jeni më të mbarët e rruzullit tokësor.

Njëkohësisht Ai po u jepte fjalën se flaka e Xhehenemit nuk do të digjte mbi ata që lidhnin besën me Profetin e Allahut.

Nga ata që patën ardhur gjer në Hudejbije, besën nuk e lidhi vetëm Xhed ibni Kajsi. Nuk e kishte zbrazur ende plotësisht hipokrizinë që e karakterizonte, kështu që filloi të fshihej nga poshtë devesë, në mënyrë të mos ta shihnin se po fshihej për të mos lidhur besën me të Dërguarin e Allahut.

Profeti ynë i dashur, dhe sahabët e Tij fisnikë filluan të përgatisnin ato armë që u gjendeshin me vete. Madje Umu Umara pati lidhur një si thikë pranë njërit prej hunjve të çadrës, me të cilën kishte menduar të ruante veten në ndonjë rast rreziku.

I Dërguari i Allahut gjer asaj dite nuk e kishte parë të përshtatshme ndezjen e zjarrit, mirëpo që sot, ai filloi t’ua lejonte atyre që kërkonin ta bënin një gjë të tillë.

- Mund të ndizni zjarre, e mund të gatuani në to, sepse pas kësaj askush nuk mund të arrijë as edhe një grimcë të shpërblimit që do të arrini ju.

Suhejl ibni Amri, Huvejtib ibni Abdiuza, Mikrez ibni Hafthi dhe kurejshët e tjerë, po i ndiqnin me kujdes të gjitha veprimet e myslimanëve. Të thuash të vërtetën, ishin trembur shimë. Ishte krejtësisht e pamundur t’ia dilje disa njerëzve, të cilët luftonin me mish e me shpirt, madje mbi të gjitha nuk e kishin asfare problem të rendnin në drejtim të vdekjes pa pikën e shqetësimit. Të gjithë ata sikur të donin t’u mësonin mekasve, nëpërmjet sjelljes së tyre karshi Resulullahut (s.a.s.) se si duhet të silleshin karshi një lideri. Si duhet të ishin të ndjeshëm në zbatimin e urdhrave të tij, dhe se si duhet të sakrifikonin qoftë edhe çdo gjë kur çështja të ishte më se serioze. Të gjitha këto ishin disa virtyte, që mekasin nuk kishte se ku t’i vërenin gjatë atyre ditëve. Andaj, mëkëmbësit e mekasve duhet të gjenin medoemos një rrugë marrëveshjeje, kështu që filluan të bënin përllogaritjet se si duhet të vepronin në secilën situatë të mundshme.

Nuk pati kaluar shumë kohë, kur besimtarëve u erdhi një lajm. Ata të gjithë u gëzuan prej sihariqit se lajmi për rënien dëshmor të Osmanit dhe sahabëve të tjerë, kishte qenë i rremë.

Marrëveshja

Suhejl ibni Amri u kthye sërish në Mekë bashkë me shokët e tij, në mënyrë që t’i tregonin mbarë Kurejshit atë që u kishin zënë sytë. Ata ishin ndikuar shumë nga shpejtësia me të cilën ata kishin lidhur besën me të marrë vesh se u ishin vrarë disa prej shokëve. Ishin trembur, pasi gjithë ajo vendosmëri për të luftuar, nga shpejtësia për të lidhur besën me Allahun, edhe atëherë kur je i vetëdijshëm që nuk i ke armët e nevojshme. Madje ato që kishin parë ua kishin treguar edhe shokëve të tjerë. Kurejshët me pak ndjenja ende të gjalla, me të marrë lajmin se myslimanët ishin përveshur për të luftuar, duke kuptuar edhe seriozitetin e çështjes thanë:

Për ne, nuk ka rrugë më të mirë se sa të merremi vesh me Muhamedin që të kthehen mbrapsht pa e kryer adhurimin e tavafit. Kësodore, arabët dhe të gjithë ata që e morën vesh ardhjen e tyre do të marrin vesh se ishim ne ata që i penguam. Le të vijnë vitin tjetër, dhe brenda tri ditëve t’i mbarojnë kurbanet, e pastaj kthehen. Kështu, as ata nuk hyjnë me pahir në vendin tonë, edhe ata do të vijnë këtu vetëm për disa ditë të kufizuara.

Ata vendosën që të nisnin sërish Suhejl ibni Amrin, me Huejtibin dhe Mikrezin për të rënë në një marrëveshje me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

Shko te Muhamedi dhe bjer në një marrëveshje me Të. Vetëm në atë marrëveshje ti duhet t’u bësh atyre të qartë se nuk mund të hyjnë në Qabe këtë vit. Sepse, Vallahi, ne nuk lejojmë që arabët të thonë nesër-pasnesër se i lamë të hynin me pahir në vendin tonë.

Ashtu siç e patën lënë, Suhejli bashkë me shokët erdhën deri në Hudejbije. Profeti ynë i pa sërish tek po vinin.

Derisa po vijnë përsëri, Kurejshi duhet t’i ketë prurë për të bërë paqe. Shpresonte, sepse kjo ishte pikërisht ajo që kërkonte edhe Ai. Suhejli u afrua pranë vendit ku gjendej Profeti i Njerëzimit ulur këmbëkryq, dhe u ul edhe ai pranë Tij. Mbi kryet e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) bënin rojë Abad ibni Bishri dhe Seleme ibni Eslem ibni Harishi, të veshur me parzmore dhe mburojë në duar. Edhe sahabët e tjerë ishin mbledhur sakaq përreth, dhe po mundoheshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur.

Folën njëherë gjerë e gjatë. Në mes të dyja palëve po bëhej një pazarllëk, ngase tonet e zërit njëherë ngriheshin e njëherë uleshin. Sakaq, ndërsa zëri i Suhejlit u ngrit më tepër se ç’duhej, Abad ibni Bishri u nevrikos dhe i tha:

Ule zërin kur je duke folur me të Dërguarin e Allahut! – duke i kujtuar edhe njëherë se sa e rëndësishme ishte mirësjellja kur flitej me Profetin e Njerëzimit.

Pas gjithë kësaj bisede, disa prej kritereve ishin pranuar në parim, dhe radha i kishte ardhur hedhjes së tyre në letër. Pikat ku ishin marrë vesh ishin këto:

Për dhjetë vjet nuk do të bëhej më luftë me njëri-tjetrin.

Njerëzit do të ishin të sigurt prej njëri-tjetrit pasi asnjëra nga palët nuk do t’i bënte keq ndonjërit prej tjetrës.

Resulullahu dhe sahabët fisnikë do të ktheheshin mbrapsht gjatë këtij viti, dhe Bejtullahun do të mund ta vizitonin vetëm vitin tjetër. Në Mekë do të rrinin vetëm tri ditë, dhe me vete do të kishin vetëm shpatat e udhëtimit, të cilat nuk do t’i nxirrnin asnjëherë nga milli.

Ata që do të shkonin për t’u strehuar pranë Muhamedit pa lejen e prindërve të tyre, edhe në qoftë se do të kishin pranuar Islamin, do t’u ktheheshin prindërve mbrapsht.

Fyerjet do të merrnin fund; nuk do të lejohej asnjë lloj turpërimi prej asnjërës palë.

Dhe palët, familjet a fiset, e secilës palë do të mund të lidhnin marrëveshje me cilën palë të dëshironin.

Marrëveshja derdhet në letër

Këto pika që në fakt dukeshin sikur ishin në të keq të Islamit, i kishin prekur shumë disa sahabë si Omeri i nderuar. Madje edhe e patën ngritur pak zërin, për të treguar se nuk u pëlqenin. Vetëm se ajo që ishte e rëndësishme, ishte përfundimi i nesërm, prandaj edhe kishin rënë dakord që ta shkruanin marrëveshjen. I Dërguari i Allahut thirri Aliun e nderuar pranë vetes, dhe i tha:

Shkruaj, “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”!

Rrahman dhe Rrahim ç’do të thotë? - reagoi Suhejli. U shtang për pak çaste. Edhe nëse vetë e pranonte disifarë, ai gjendej këtu për të përfaqësuar kurejshët, dhe rroba që kishte veshur e tregonte më të ashpër se kurrë. Në fakt, Suhejli nuk ishte njeri që të mos e dinte Rrahmanin dhe Rrahimin. Vetëm disa ditë kishin kaluar prej ardhjes së Islamit, kur dy vëllezërit e tij, motra dhe kunati, dhe pas vajzës dhe dy djemtë, ishin bërë myslimanë, duke parapëlqyer të Dërguarin e Allahut. Nuk kishte lënë gjë pa i bërë djalit të vogël, Ebu Xhendelit, duke e torturuar me gjithfarë formash që të hiqte dorë, madje disa ditë e kishte lënë edhe pa bukë e pa ujë. Megjithatë prapëseprapë, këmbënguli:

Unë nuk e di se ç’do të thonë ato fjalë. Më mirë shkruaj si herët e tjera, “Bismikallahum’me”!

Vallahi, ne nuk shkruajmë asgjë tjetër përveçse “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”-it. Prapë gjendeshin në mes të dy zjarreve. Prapë mendohej vetëm çasti në të cilin gjendeshin, duke u kaluar llogaritë që duhet të bënin për të ardhmen. Profeti ynë i dashur paqja qoftë mbi Të, që e kuptonte me themeli çështjen, e nuk donte që të mendonte veç sipërfaqësoren, u kthye nga dhëndri i Tij me durim dhe masë, dhe i tha ta fshinte “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”-in. - Shkruaj “Bismikallahum’me”!

Kështu u kalua edhe një tjetër pengesë, ku sahabët parapëlqyen më mirë të heshtnin kur kishin parë durimin e të Dërguarit të Allahut

(s.a.s.).

Ai u tha se kjo është marrëveshja e bërë mes Muhamedit, të Dërguarit të Allahut dhe Suhejl ibni Amrit, kur Suhejli u hodh edhe njëherë të kundërshtonte:

Vallahi, ne po të kishim pranuar se ti je i Dërguari i Allahut, nuk të pengonim të vizitoje Qaben, dhe nuk luftonim kurrsesi! Në letër shkruaj ashtu siç të quajmë ne, Muhamed ibni Abdullahu.

Vetëm se kjo nuk mund të durohej. Suhejl ibni Amri, i cili atë ditë gjendej si përfaqësues i mohimit, ishte i vendosur të ecte me inat, saqë nuk i iknin sa detajet më të vogla. Mirëpo, Ai, edhe nëse Suhejli të donte t’i fshinte të vërtetën, ishte prapë i Dërguari i Allahut, kështu që u kthye nga Aliu, duke i thënë:

Fshije!

E tha për ta thënë, por për një çast ambienti u bë akull. Sepse sahabë si Sad ibni Ubade dhe Usejd ibn i Hudajri ia mbajtën dorën Aliut të nderuar, duke i thënë:

Ose do shkruash “Profeti i Allahut”, ose çështjen ndërmjet nesh dhe atyre e zgjidh vetëm shpata.

Ata nuk donin të shkruhej asgjë ndryshe. Zaten edhe Aliu nuk është se mendonte më ndryshe nga ata. Aliu i nderuar, që pak më parë kishte shkruar “Bismikallahum’me” në vend të “Bismil’lahi Rrahmani Rrahim”, kësaj here nuk donte ta fshihte emrin e të Dërguarit të Allahut, pasi ai donte që ai të rrinte atje si një vulë.

Ndërkaq, zërat ishin ngritur në kulm përpara të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), dhe gjithandej ndjehej një uturimë. Në fillim, i Dërguari i Allahut u kërkoi atyre që të ishin pak më të qetë, pastaj tha:

Tregoma, se e fshij unë, - dhe duke e fshirë vendin ku shkruhej “i Dërguari i Allahut” me dorën e Tij, kërkoi të shkruhet “Muhamedi, i biri i Abdullahut”.

Edhe kjo kërkesë qe realizuar, duke bërë që të hidhej edhe një pengesë tjetër. Radha i kishte ardhur, pikës ku shkruhej: “Ata që do të shkonin për t’u strehuar pranë Muhamedit pa lejen e prindërve të tyre, edhe në qoftë se do të kishin pranuar Islamin, do t’u ktheheshin prindërve mbrapsht.”, kur disa prej sahabëve filluan sërish të gumëzhinin.

Subhanallah! - thoshin. A shkruhej kjo? A mund t’u dorëzohej kurejshëve një person që vinte si mysliman? - Po, - tha i Dërguari i Allahut.

Me një fjalë, Resulullahu paqja qoftë mbi Të diç dinte. Me shprehjen e Allahut, Resulullahu (s.a.s.), që nuk dinte të fliste asgjë tjetër veç asaj që i zbriste prej Allahut (xh.xh.), kishte parë pas perdes së të panjohurës, andaj fliste kësisoj me sahabët e Tij.

Edhe Allahu e largon prej mëshirës së Tij dikë kur ikën prej nesh, kështu që Allahu ka një zgjidhje dhe rehati edhe për ata që vijnë për t’u strehuar këtu, e kthehen sërish mbrapsht.

Tashmë çdo gjë kishte hyrë brenda rregullit të saj, dhe Muhamed ibni Mesleme, me urdhrin e të Dërguarit të Allahut, e shumoi kopjen e marrëveshjes, për t’ia dhënë përfaqësuesit të Mekës.

Gjendja e flive dhe dalja prej ihramit

Sahabët fisnikë që kishin ardhur gjer këtu, nuk dyshonin aspak se ëndrra e Tij do të realizohej një ditë. Andaj kishin ardhur gjer në Hudejbije dhe po thurnin imagjinime për ditën kur do të mund ta vizitonin Qaben. I kishte tronditur paksa fakti se po fillonin përgatitjet për t’u kthyer, pasi kishin ndenjur këtu plot njëzet ditë, ndërsa në fund ishin detyruar të binin në një mendje me një marrëveshje prej kushtesh të vështira. Tanimë ishin zhytur në një dyshim tejet të thellë. Asisoj, që me dëshminë e Abasit, sahabët ishin mërzitur shumë pse nuk kishin shkuar dot deri në Qabe për ta vizituar. Aq sa edhe devetë ia kishin filluar vajtimit, duke nxjerrë zhurmat që nxirrnin ato prej dhembshurisë që tregonin ndaj të vegjëlve të tyre.

Ndërsa tani çdo gjë kishte marrë fund, dhe marrëveshja qe firmosur. Prej Hudejbijes po fillonte një periudhë krejt e re. Ata kishin mundësinë e lirë të mund të ndanin sa më shumë bukuri prej Islamit me njerëzit e tjerë. Vetëm se sahabët nuk e kishin kuptuar edhè këtë gjë, duke u kthyer mbrapsht, pa e vizituar dot Qaben.

Ngrihuni, rruhuni, pastrohuni dhe prijini kurbanet! - i urdhëroi Ai ata, por asnjëri nuk u ngrit vendit.

As nga Shtëpia e Allahut nuk hiqnin dot dorë, por as kundër fjalës së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) nuk dilnin dot. Kushtet i kishin prurë ata gjer në pikën kur duhet të zgjidhnin njërën syresh. Ata u lëkundën edhe nëse këto fjalë ishin urdhër apo nxitje e butë prej të Dërguarit të Allahut, dhe të gjithë kishin hyrë në një pritshmëri sikur do të vinte Xhebraili (a.s.), dhe gjithçka do të qartësohej. Sepse revelacioni vazhdonte ende. Nëse vinte ai, atëherë mund të ndryshonte diçka në fjalët e të Dërguarit të Allahut, duke bërë kësisoj që ata të mund ta vizitonin Qaben.

Ishin zhytur në të thella. Vetëm se ishin vonuar paksa, në krahasim me herët e tjera, për t’iu bindur fjalëve të Resulullahut paqja qoftë mbi Të. Profeti ynë e përsëriti plot tri herë fjalën e Tij. Mirëpo, askush nuk po ngrihej vendit, e nuk po bënte asnjë përpjekje të vetme për të dalë prej ihramit.

Edhe Resulullahut i erdhi shumë rëndë prej kësaj sjelljeje. I pikëlluar erdhi pranë nënës sonë, Umu Selemes dhe i tha:

Myslimanët janë të rrënuar. Unë u urdhëroj atyre që t’i presin kurbanet, të rruhen e të pastrohen, mirëpo ata nuk e bëjnë.

Dukej që do të këshillohej me njeriun e Tij të shpirtit mbi këtë çështje, duke kërkuar edhe prej saj një mendim se si mund të vepronte.

O i Dërguari i Allahut! Mos i lëndo ata, sepse janë shumë të tronditur. Vështirësitë e përjetuara gjatë marrëveshjes, dhe tani kthimi pas pa triumfuar, i ka rënduar jashtëzakonisht shumë. Më mirë o i Dërguari i Allahut, ngrihu dhe flijoje kurbanin Tënd pa i thënë gjë askujt, e mandej thirr dikë që të të ndihmojë për t’u rruajtur.

Nënë Umu Selemja fliste sikur të ishte njëri prej tyre. Çdonjëri kishte një mision të caktuar, andaj edhe ajo po kryente detyrën e njeriut më të afërt për Të pikërisht tani që po largoheshin. Ajo po i tregonte misionin që do të kishte këshillimi në këtë çështje përgjatë gjithë historisë. Kjo do të tregonte, se ndonjëherë veprimi do të ishte një këshillë më e mirë ndaj njerëzve se këshillimi i tyre me fjalë.

Resulullahu (s.a.s.) doli jashtë nga çadra. E kishte hapur ihramin nga njëra shpatull, duke e hedhur mbi tjetrën, në dorë kishte marrë thikën që do të priste flinë, po ecte në drejtim të deveve. Të gjithë sytë ishin përqendruar tek Ai. Pa kaluar shumë kohë, i Dërguari i Allahut i foli të gjithëve:

Bismil’lahi Allahu Ekber.

Me sa dukej, Profeti i tyre po priste kurbanin. Secili prej tyre filloi të vraponte në drejtim të kafshës së vet që do të flijonte. Këshilla e Umu Selemes po jepte frytet e veta. Secili prej tyre po nxitohej për të prerë kafshën që do të flijonte.

Kurbanet i kishin prerë, e tani i Dërguari i Allahut po përgatitej për të zhveshur ihramin. Thirri Hirash ibni Umejen pranë vetes, që ta ndihmonte për të prerë flokët. Të gjithë garonin që të mos i linin flokët e Tij të binin përdhe. Një pjesë prej tyre e pati marrë edhe Umu Umara.

Edhe sahabët filluan të prisnin flokët. Era që frynte i merrte me vete qimet e flokëve të tyre.

Radha i kishte ardhur largimit prej Hudejbijes pa e vizituar Qaben. Kishin plot njëzet ditë që kishin ardhur gjer këtu, e tani po largoheshin së andejmi me premtimin e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), se vitin që do të vinte, do të mund ta vizitonin të qetë shtëpinë e Allahut.

Ndërsa përparonin në drejtim të Medinës, ata ia filluan nga vlerësimet për ato çfarë kishin ndodhur. Ndërsa disa prej tyre pohonin se ajo kishte qenë një fitore e madhe, disa të tjerë parapëlqenin të flisnin më me masë. Sakaq po zbriste surja Fet’h, e cila tregonte se në fakt, Hudejbija ishte një triumf.

Profeti ynë dhe sahabët e Tij fisnikë ecnin pa u lodhur, ditë e natë, sepse donin që të mbërrinin një orë e më parë në Medinë. Kishin plot një muaj e gjysmë që i ishin larguar Medinës me qëllimin për të vizituar Qaben. Afërsisht gjysma e kohës u pati kaluar në Hudejbije, ndërsa tjetra në udhëtim për të ardhur, e kësaj here për t’u kthyer.

Shënimet

  1. 257.Shih: Ahmed bin Hanbel, Musned, 3/26; Hakim, Mustedrek, 3/38; Ibni Ebi Shejbe, Musanef, 7/386
  2. 258.Ahmed bin Hanbel, Musned, 4/325; Ibni Sad, Tabakat, 2/97; Uakidi, Megazi, 1/608
  3. 259.Fetih, 48/24
  4. 260.Uakidi, Megazi, 1/613; Salihi, Subulu’l Huda uer-Reshad, 5/56
  5. 261.Uakidi, Megazi, 1/614; Salihi, Subulu’l Huda uer-Reshad, 5/57
  6. 262.Ibni Sejidin’nas, Ujunu’l Eser, 2/125; Salihi, Subulu’l-Huda uer-Reshad, 5/57