FTESA DHE KUMTIMI FILLON TË BËHET HAPTAZI
Kishin kaluar tri vite të stërgjata, dhe me përpjekjet individuale, Islami vetëm kaq kishte mundur të përhapej. Shumë mekas ishin dëshmitarë të ndodhive të ndryshme që ndodhnin, habitjeve dhe sjelljeve të habitshme të parisë së Mekës, njerëz të afërm që të trokisnin në portë për të të thënë se ishin kthyer në myslimanë, të afërm që përpiqeshin që të bindnin qoftë edhe një prej familjarëve të vet që të besonte në Allahun e Vetëm. Thuajse të gjithë i kishin kthyer në temën kryesore të bisedave këto dukuri. Shihej se tashmë ishte e nevojshme një tjetër mënyrë për t’i tërhequr njerëzve vëmendjen, dhe kur ja, shfaqet sërish Xhebraili, i Cili kishte prurë disa mesazhe të tjera prej Zotit Mëshirëbërës. Ajeti, që transmetohej tanimë prej gojës së bekuar të Profetit, parathënë Atij prej Engjëllit të revelatës, thoshte:
Fillimisht paralajmëro më të afërmit e tu! Sillju besimtarëve që të kanë besuar me mëshirë dhe dhembshuri! Dhe thuaju: “Padyshim që unë jam një Lajmëtar për ju!”
Dukej që gjendja kishte ndryshuar kryekrejet, as rrethanat nuk ishin më si më parë; tanimë thirrja nuk do të bëhej më individualisht dhe fshehurazi, por do të synoheshin masa më të gjera, e çdo gjë duhej bërë haptazi. Në fillim, Shëmbëlltyra e dhembshurisë njerëzore thirri pranë vetes Aliun e vogël, që të këshillohej me të fillimisht. - O Aliu im! Allahu (xh.xh.) më thërret, që duke filluar nga më të afërmit e mi, t’i thërras haptazi njerëzit në fenë e Allahut. Zaten, edhe unë vetë, po prisja që ata, të vinte koha e duhur, e ta shpallnin se ishin të një mendjeje me mua. Mirëpo, Xhebraili (a.s.) erdhi e më tha: “O Muhamed! Ti mundohu veçse të bësh ato që të urdhëron Allahu, sepse në fakt, me të je udhëzuar!” E tani, gjendja ndryshon paksa. Nuk është më si më parë. Le të ngremë menjëherë një zijafet, me mish deleje dhe enë të mbushura plot e përplot me qumësht të freskët, e mandej të thërrasim familjen e Abdulmutalibit, që të flasim me ta, e unë duke gjetur mënyrën e duhur, t’u transmetoj atyre fjalët e Allahut Famëlartë!
Aliu i nderuar i bëri të tëra ato që iu thanë, derisa më në fund ishte ngritur një sofër më se e denjë për ato kohë. Në mes të të ftuarve, ku ndër më kryesorët ishin xhaxhallarët e Tij, gjendeshin gjithsej dyzet të ftuar. I Dërguari i Allahut, i gatiste me dorë pjesët e mishit të pjekur prej Aliut, e ua shërbente me radhë të ftuarve të Tij. Pas ushqimit, radha i erdhi pijeve, derisa më në fund, sofra e fisme u plotësua me gjithë të mirat. Të ftuarit kishin kohë që po mendoheshin për ftesën e menjëhershme, cili duhet të ishte qëllimi i saj, e nuk e dinin se cila do të ishte surpriza që do të përballeshin. Ja, tani ishte Muhamedi i nderuar Paqja qoftë mbi Të që do ta merrte fjalën, por ishte Ebu Lehebi ai që u hodh:
Me ç’po shoh, ju ka magjepsur njeriu juaj. - Ishte i mbushur aq tërë mllef, sa fjalët e tij nuk do të mjaftoheshin me kaq, - ja këta janë xhaxhallarët dhe fëmijët e xhaxhallarëve të tu; çfarë do të flasësh fole! Lëre magjinë mënjanë! Ta dish se durimi i familjes sate po soset. Andaj është detyra ime të të ndal! Ti mund të mjaftohesh veç me fëmijët e babasë tënd! Se ta dish, se nëse vazhdon me këtë mendje, do të vijë një ditë që gjithë rinia e Mekës do të të vërsulet, e ta dish se gjithë arabët kanë për t’i ndihmuar. Nuk kam parë e dëgjuar më parë për njeri që t’i sjellë më tepër të këqija njerëzve të vet!
Për disa çaste gjithandej ishte akullzuar situata. Tërë ai mundim ishte harxhuar kot, madje ai nuk i la asnjë shans të fliste Profetit të Njerëzimit Paqja qoftë mbi Të. Ebu Lehebi, nuk ishte mjaftuar me kaq, por edhe e kishte fyer, me më të rëndat fyerje madje. Fyerje që nuk mund t’i thuheshin robit më të dashur të Allahut, Profetit të Fundit, Muhamedit sal’lallahu alejhi ue sel’lem. Ai ishte xhaxhai i Tij, por fjalët ishin të atilla që do të preknin krenarinë e Allahut.
Me të parë se situata u rëndua, të ftuarit filluan të largoheshin një e nga një e dy e nga dy. Të nesërmen, i Dërguari i Allahut thirri sërish pranë vetes Aliun e vogël.
O Ali, ishe dhe ti dje, e i dëgjove ato që foli ai; njerëzit u larguan pa dëgjuar ende se ç’do të thosha unë. Ali, organizo edhe sot një tryezë e thirri sërish njerëzit, – i tha Ai kushëririt të Tij të devotshëm.
Filluan edhe njëherë përgatitjet, derisa në mbrëmje ishte ngritur një tryezë e pashoqe, si ajo e para. Darka filloi, e me të mbaruar ushqimi, Profeti i Njerëzimit, i Dashuri i Allahut, i Cili e filloi duke lavdëruar emrin e Allahut, iu kthye të ftuarve:
O ju bijtë e Abdulmutalibit! Ju betohem mbi emrin e Allahut, se nuk kam parë djalë më të hairit se nipi juaj që të ftojë në një çështje më të mbarë! Unë ju kam prurë mirësinë e kësaj jete dhe asaj të përtejmes njëkohësisht. Allahu (xh.xh.) më ka urdhëruar që t’ju ftoj për tek Ai. Kush nga ju do të më përkrahë mua, të më mbështesë, duke u bërë një vëlla dhe një kushëri i dashur?
Nga mesi i të ftuarve nuk vinte asnjë zë ndaj kësaj ftese të të Dërguarit të Allahut. Ambientin e kishte mbështjellë heshtja. Nuk dilte zë nga goja e askujt. Ishte zëri gërvimë, i një njeriu që mund të merrej për fëmijë, që e prishi heshtjen:
Unë, o i Dërguari i Allahut! Unë do të bëhem mbështetësi Yt më i mirë.
Kryet e të gjithëve u drejtuan andej nga vinte ai zë. Nuk ishte tjetër, pos Aliut. Në mes të të gjithë atyre, ai ishte më i vogli. Profeti i Njerëzimit, e afroi dhe filloi ta përkëdhelte nga koka, këtë djalosh të vogël, që kishte treguar kësisoj një sjellje prej të madhi.
Ja, ky është vëllaçkoja dhe ndihmësi im më i afërt. Dëgjojeni atë, dhe vërini veshin. Të ftuarin filluan të qeshnin me fjalët e Resulullahut Paqja qoftë mbi Të; u kthyen nga Ebu Talibi, me një shikim sikurtallës:
Eh, tani ty të bie të dëgjosh ç’të thotë djali yt i vogël, e t’i bindesh!
Kaloi edhe një ditë, megjithë përpjekjet e mëdha, asgjë nuk kishte ndryshuar; të gjithë mbajtën rrugën për t’u kthyer secili në shtëpinë e vet.
Vetëm se kjo ditë ishte ndryshe nga e mëparshmja; të gjithë kurejshët tashmë kishin zgjedhur krahun e kundërt me birin e tyre, Muhamedin sal’lallahu alejhi ue selem. Edhe ata, lëvizjen që e kishin luftuar individualisht, vendosën që ta luftonin më të organizuar. Dhe i Dërguari i Allahut, megjithëse nuk ishte arritur të fitonte ndonjë mbështetës tjetër, i kishte mbështetësit e Tij të parë besnikë. Ato ditë, ishte pikërisht Ebu Talibi që shkoi ta takonte, për ta qetësuar paksa:
Ç’t’i bësh? Janë xhaxhallarët e Tu! Edhe unë jam një prej syresh, vetëm se unë jam më nga ana e fjalëve të Tua, sesa ata. Vazhdoje rrugën Tënde ashtu siç e ke nisur! Sepse, të betohem për Zotin, se unë do të të mbështes me tërë fuqitë e mia. Vetëm, se zemra nuk ma bën të pranoj fe tjetër, pos asaj që më ka lënë Abdulmutalibi. Kjo ishte diç më e mirë, megjithëse, sa keq që nuk e pranonte edhe ai Islamin, por nuk kishte hequr dorë që ta mbështeste Nipin e tij të bekuar.
Ky veprim i tij, do ta çmendte kryekrejet Ebu Lehebin, i cili ishte bërë për të mos u njohur ato ditë.
Ja, ky është më keq akoma! Je ti ai që duhet ta bëjë të ndërrojë mendje, përpara se të tjerët të mundohen ta bëjnë diçka të tillë në një tjetër mënyrë.
Çështja filloi të fitonte një dimension inati dhe mllefi. Ebu Lehebi kundërshtonte, por mbështetja e Ebu Talibit shtohej akoma edhe më shumë, duke i vënë perçina të pashqitshme lidhjes së tij me Nipin e tij të dashur.
Vallahi, që ne do ta mbrojmë, dhe jemi të detyruar, për aq kohë që kemi fuqi, nëse ai rrezikohet prej ndokujt!
Nuk mund të thoshin asnjë fjalë për një njeri që ishte i vyer në mes të të gjithëve; vetëm se këto fjalë të Ebu Talibit nuk ishin plotësisht të pranueshme! I kishte marrë të gjithë kundra, vetëm për të mbrojtur të nipin, madje duke këmbëngulur. Një grup nga kurejshi me të marrë vesh këto fjalë të Ebu Talibit, u nxehën aq shumë, sa e mbajtën menjëherë frymën tek Ebu Talibi:
O Ebu Talib! – iu drejtuan ata.
Dukej që nga zëri i tyre se kjo bisedë nuk ishte aspak e këndshme. Fjalët, me të cilat do ta përmbyllnin bisedën, ishin të lexueshme:
Ky djali i vëllait tënd, nuk po rri mirë, e për më tepër vazhdon të thotë fjalë lart e poshtë për idhujt tanë. Mbi të gjitha hedh baltë mbi mënyrën tonë të të besuarit. Thotë se ne qenkemi disa të ngratë që besojmë sipas të parëve tanë, sikur kjo të ishte diçka e turpshme. Tani të takon ty, ose do të flasësh me të që të heqë dorë prek kësi mendimesh, ose do të na i lësh neve në dorë që t’i gjejmë një zgjidhje këtij problemi!
Një nip jetim i lënë amanet prej të atit... A mund të lihej ai në dorë të këtyre ujqërve të uritur? Si fillim, Ebu Talibi mendoi se do të ishte më mirë të bënte diçka për ta ndryshuar paksa gjendjen. U mundua t’i marrë me të mirë, me qëllim që ata të mos largoheshin të nevrikosur.
Kjo nuk ishte një çështje nga e cila mund të hiqej dorë se ishte shqetësuar Kurejshi; ai ishte urdhër i Allahut, dhe duhej realizuar medoemosdo. Pas çdo dite, hapësira mes mohimit dhe besimit po thellohej, dhe safët po qartësoheshin më mirë. Pas disa ditësh, Simboli i dashurisë hyjnore e ndjeu pak më tepër rëndesën e revelatës së Zotit. Erdhi sërish Xhebraili, që donte t’u mësonte besimtarëve se si të vepronin. S’kishte kaluar shumë kohë, dhe u organizua një tjetër zijafet. Nënë Hatixhja organizonte shpesh ushqime, ndërsa Aliu bashkë me Zejdin rendnin sa nga një vend në një tjetër për të ftuar miqtë. Aq shumë zijafete do të shtroheshin, sa pasuria e madhe e Hatixhes së nderuar, do të shkrihej duke organizuar këto mbledhje, të cilat ishin shumë të rëndësishme për davanë e madhe.
Prapë, pas fjalëve të ëmbla të të Dashurit të Allahut, ishte Ebu Lehebi, ai që do të kundërshtonte sërish, duke u thënë familjes së Abdulmutalibit:
O bijtë e Abdulmutalibit! Ju betohem për Zotin, që kjo është një gjendje shumë e keqe! Jeni ju që duhet të gjeni një zgjidhje për të, përpara se kurejshët e tjerë të veprojnë më shpejt. Nëse do t’i lini shpresat në duart e tij, atëherë ta dini se ka për të ju nxirë faqja karshi gjithë gjindjes së qytetit. Ndërsa nëse përpiqeni që ta ndihmoni, ta dini se të zezat nuk do të vonohen t’ju ndjekin edhe ju.
Kjo ishte një rrugë për t’i larguar dhe ftohur njerëzit, të cilët Profeti i kishte ftuar për t’u fituar zemrën, e për t’i njohur me rrugën e drejtë të Allahut. Ç’është më e keqja, ai sa herë që fliste, ia arrinte qëllimit që t’i bindte njerëzit. Megjithatë, nuk është se në mesin e tyre nuk gjendeshin njerëz që nuk u vinte keq; ishte halla e Profetit tonë, dhe njëkohësisht edhe motra e Ebu Lehebit, Safije binti Abdulmutalibi, e cila do të ngrihej në këmbë, për t’i kthyer përgjigje vëllait të saj:
A të vjen mirë ty, nëse diçka e keqe i ndodh djalit të vëllait tënd? Unë betohem në Allah, se nëse ju kujtohet, dijetarët nuk heshtnin, e thoshin se nga fisi i Abdulmutalibit do të vinte një profet; ja, nipi ynë, është Ai!
Fjalët e hallë Safijes nuk kishin përfunduar ende, kur Ebu Lehebi zuri të fliste sërish:
Jo, jo, jo! Kjo nuk është veçse një përçartje për të ardhur keq! Zaten, ç’mund të të vijë përveç turpit, nëse dëgjon fjalët e grave? Me ç’forcë e fuqi do t’i përballim burrat e Kurejshit, kur ata të na dalin kundër, duke vendosur që të na sulmojnë? Do të na ngelet veçse të mblidhemi, e ashtu si një kalli gruri të shkërrmoqemi të gjithë, - u tha ai të pranishmëve.
Gjithçka ishte prishur sërish, e ishte sërish Ebu Lehebi aktori kryesor që e shkatërronte çdo qëllim. Teksa vendosën që të largoheshin, u dëgjuan fjalët e Ebu Talibit, i cili ishte nxehur jo më pak prej fjalëve të Ebu Lehebit:
Qoftë i lëvduar Allahu, se ne do ta mbrojmë atë, sa të jemi gjallë, kundër çdo rreziku që mund t’i shfaqet.
Tashmë çdo mbledhje në një vend, do ishte një shpresë më shumë drejt qëllimit të Tij, qëllimit të mirë që zemrat e tyre të zbuteshin sadopak. Ja, kështu do t’u fliste Ai të ftuarve:
O bijtë e Abdulmutalibit! Nuk ka nevojë për dyshim, Allahu (xh.xh.) më dërgoi mua si profet për mbarë njerëzimin, veçanërisht edhe ju. Më urdhëroi: “Thirri në fenë e Allahut të afërmit e tu!”. Kjo ishte e lehtë të thuhej me fjalë; duheshin thënë dy fjalë, të cilat do të ishin më të rëndat nëse viheshin në peshoren e çdokujt; hajdeni dhe dëshmoni se nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Unë jam robi dhe i Dërguari i Tij.
Këto ishin përpjekjet e ngrohta të një familjari, për t’i tërhequr njerëzit e Tij mënjanë, për të mos i lënë të digjeshin nga flakët përpirëse të Xhehenemit. Megjithëse e kundërshtonin, madje edhe e fyenin, Ai prapëseprapë nuk e vriste shpresën që i fshihej në vetvete, trokiste prapë në portat e tyre, me qëllimin e vetëm, që një ditë zemrat e tyre të zbuteshin. Sepse Ai ishte një njeri që jetonte me pasionin e bekuar të kumtimit të Fjalës Hyjnore; për të nuk përbënte problem aspak, edhe nëse rrinte ditë të tëra pa hedhur gjë në gojë, apo pa pirë qoftë edhe një pikë uji të vetme. Ai Paqja qoftë mbi Të e quante si më të madhin gabim, nëse tregonte mangësinë më të vogël në orvatjen për t’i çuar njerëzit pranë gurrës së të vërtetës. Tani e ndjente veten shumë keq; e ndjente veten sikur ishte rrënuar krejtësisht, ngase njerëzit e Tij të zemrës nuk po besonin atje ku duhej. Madje, Kurani famëlartë, që në shumë ajete të Tij, e tregon gjendjen e Tij, pas çdo fjale që mbante për të afërmit, të cilët nuk i përgjigjeshin, jepte njëkohësisht edhe një shembull ideal për mbarë njerëzit që do të përballeshin me të njëjtën situatë në kohët e ardhme.
Zgjerimi i rrethit të kumtimit
Këto kohë, çdo ditë zbret nga një ajet, që i ushqen vazhdimisht besimtarët, duke ia bërë çdo ditë e pak më të gjallë vetëdijen e tyre për besim. Pa kaluar shumë kohë, Atij do t’i thuhej: “Rrëfeji me kujdes dhe me përpjekje të shumta ato çfarë të janë urdhëruar, ndërsa me idhujtarët mos u ngatërro!” Mesa dukej, urdhri ishte më i përgjithësuar, dhe në pamje të parë dukej sikur përfshinte gjithë Mekën, por që në të ardhmen do të dukej se synonte mbarë njerëzimin. A ishte e mundur të mos i dorëzoheshe një urdhri të tillë?
Doli menjëherë në majë të kodrës së Safasë, dhe filloi t’i thërriste gjithë popullit:
O sabahah! O sabahah!
Normalisht, kjo ishte një thirrje që bëhej në kushte urgjente, që nuk kishte kohë për të pritur më tej, për shembull kur shihej ndonjë ushtri armike, që mund të vinte për të sulmuar. Ose për t’i mbledhur menjëherë të gjithë, për çështje të rëndësishme, ama më të rëndësishmet. Thirri, dhe filloi të priste që populli të mblidhej. Ja, edhe i Dërguari i Allahut, po mundohej t’i mblidhte të gjithë, me qëllimin e mirë që t’i këshillonte për ato që mund t’u ndodhnin. Askush nuk mund të bënte se nuk e dëgjoi zërin e kumbueshëm. Ata që mundnin menjëherë niseshin vetëm, ndërsa ata që nuk vinin dot thërrisnin të tjerë që të shkonin si mëkëmbës të tyre. Tashmë në kodrën e Safasë u mblodh një gjindje e madhe. I Dërguari i Allahut, fillimisht filloi t’i dallonte fise-fise, pastaj filloi t’u flasë:
O bijtë e Fihrit! O bijtë e Adijit! O bijtë e Abdimenafit, e ju o bijtë e Abdulmutalibit!..
Të gjithë mezi po prisnin të kuptonin se përse ishin thirrur. Disa pëshpërisnin me njëri-tjetrin:
Kush ishte ai që i thirri gjithë këta njerëz, e po flet, - megjithëse, prapëseprapë, ishin po ata vetë që kthenin përgjigje: - Muhamedi!
Njëri prej të ardhurve ishte edhe Ebu Lehebi.
Nëse ju them, se pas këtij mali është duke ardhur një ushtri për të na sulmuar, a mund të mendonit se do të isha duke ju gënjyer? – pyeti fillimisht Resulullahu Paqja qoftë mbi Të.
Jo, vallahi që ne nuk të kemi dëgjuar kurrë të na gënjesh për gjësendi; nuk kemi qenë asnjëherë dëshmitarë, përveçse të vërtetës, prej Teje, - përgjigjeshin ata, disa njëzëri, e disa të tjerë nuk flisnin.
Kjo ishte edhe përgjigjja që Profeti i Njerëzimit priste, në mënyrë që ta vazhdonte bisedën ashtu siç e kishte planifikuar.
O popull i Kurejshit! - nisi Ai të fliste sërish, - ja pra, unë kam ardhur këtu që t’ju lajmëroi se një rrezik më i keq është duke ju afruar. Tërhiquni, mundohuni të shpëtoni prej flakëve të zjarrit të Xhehenemit. Shembulli im është i njëjtë; unë nuk jam tjetërkush, pos atij që ka ardhur t’ju lajmëroj për rrezikun e tmerrshëm që ju kanoset. Sepse ai e ka parë se një armik shumë i rrezikshëm po ju afrohet, e andaj nuk dëshiron asnjë të keqe. Andaj, ka dalë në majë të Safasë, e i thërret “Ja sabahah! Ja sabahah!”, thoshte Ai, e tanimë vendosi që t’u fliste veçanërisht të gjithë të afërmve të Tij. O Kurejshë! Egon tuaj që e keni të hipotekuar tek Allahu, shitjani Atij, e Ai ka për t’ju ruajtur ju prej zjarrit përpirës të Xhehenemit; sepse “atë ditë”, unë nuk do të kem asnjë mundësi që t’ju shpëtoj, apo t’ju ndihmoj! Kam frikë, se pastaj, nuk do ta kem mundësinë që t’ju ndihmoj.
Bisedën po e ngushtonte, duke e sjellë, sa vjen e më shumë, drejt të veçantës, duke i përmendur emër për emër njerëzit më në zë të qytetit:
O Ka’b, që vjen prej bijve të Luejit! O Murre i biri i Ka’bit, dhe ju o bijtë e Kusajit! O ju bijtë e Abdimenafit! O bijtë e Abdishemsit! O bijtë e Hashimit! Dhe ju o familjarë të Abdulmutalibit! Mundohuni të shpëtoni prej djegies në flakët e Xhehenemit! Sepse, do të vijë një ditë që unë nuk do të kem se si t’ju ndihmoj. Ndërsa tani, më kërkoni çdo gjë, e nëse kam mundësi do t’jua jap menjëherë; veçse nesër, në praninë e Zotit të Madhërishëm, nuk do të kem mundësinë të bëj dot asgjë për t’ju ndihmuar.
Këto ishin të gjitha të vërteta, e nga goja e askujt nuk po dilte as zëri më i ulët. Mbreti i mbretërve, e bëri atë që kishte në dorë. Po e kryente detyrën e Tij, megjithëse ishte i detyruar të shkelte krejt egon e Vet. Dëgjuesit filluan të largoheshin me ngadalë, secili për në shtëpinë e vet. Po largoheshin pa treguar kurrfarë reagimi. Sërish, nga mesi i turmës, u afrua një fytyrë e njohur. Shihej qartë nga qëndrimi dhe mimika e tij, se nuk po afrohej për të thënë fjalë të ëmbla.
Turp të të vijë! A veç për këtë na mblodhe deri këtu; t’u thafshin duart, - fliste ai, duke mos i kursyer fyerjet karshi të nipit të vet.
Nuk kaloi shumë kohë, dhe ia behu sërish engjëlli shpëtimtar karshi gjendjeve të shumta të pikëllimit profetik. Ai po i thoshte disa ajete, që do ta qetësonin disi të Dërguarin e Allahut Paqja qoftë mbi Të:
Iu thafshin duart Ebu Lehebit dhe u thaftë në gjithçka! Nuk do ta ndihmojnë atë as pasuria dhe as fitimet e tjera. Ai, me siguri, do të hidhet në zjarrin me flakë të tërbuara, po ashtu edhe gruaja e tij, që mbart drutë e zjarrit, në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh palme.
Kjo ishte njëkohësisht njëfarë fletë garancie për ata njerëz, të cilët megjithëse shumë të afërt me Njeriun më të dashur për Allahun, nëse nuk dorëzohej para njësisë së Allahut, dhe të pranonte se Muhamedi Paqja qoftë mbi Të ishte robi dhe i dërguari i Tij, atëherë nuk do të kishte shpëtim. Meka, me të marrë vesh për këto ajete që kishin zbritur, u trondit sa më s’ka, por më shumë u trondit Ebu Lehebi dhe familja e tij, të cilët ishin përmendur haptazi, e megjithëse mundoheshin që ta mbanin veten, ishin të rrënuar shpirtërisht: Po sikur ato që thotë Muhamedi të jenë të vërteta!.. Po sikur Muhamedi (s.a.s.) të jetë profeti, të cilin ne kemi kohë që e presim? Mirëpo e kishte thuajse të pamundur që të hiqte dorë prej asaj që e kishte nxjerrë njëherë prej goje. Nuk mund të ndërronte mendje, derisa në fund, fjalët e urta të Kuranit për Ebu Lehebin u vërtetuan më së miri me vdekjen e tij.
Edhe Umu Xhemilja, e shoqja e xhaxhait, Ebu Lehebit, nuk ishte më pak e keqe nga i ungji. Ajo përpiqej me mish e me shpirt që t’ia vështirësonte sa më shumë jetën të Dërguarit të Allahut. Ajo i shtronte atij gjemba në shtegun përnga Ai dihej se do të kalonte, me qëllimin e thjeshtë, për ta penguar sidoqoftë prej veprave të Tij të mira, madje kishte edhe mbrëmje të atilla, kur ajo vinte pranë portës së shtëpisë së Tij, për t’i hedhur turlifarë pisllëqesh. Zaten Umu Xhemilja, e cila ishte një grua jo e mirë, gojëprishur, përpiqej që jo vetëm ajo, por edhe të tjerët të mundoheshin si e si që t’ia vështirësonin jetën Reliktit më të lartë të Dashurisë, Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të. Prandaj Kurani, kur përmendte atë, thoshte “bartësja e drunjve”, për të treguar më tepër gjendjen e mjerueshme në të cilën do ta kalonte jetën e ferrit kjo grua, e mangët nga të gjitha cilësitë si e tillë.
Umu Xhemilja, me të dëgjuar fjalët që Profeti Muhamed Paqja qoftë mbi Të kishte thënë prej ajeteve për të shoqin e saj, vendosi të merrte një grusht gurësh, e u drejtua për nga vendi ku rrinte Krenaria e Njerëzimit. Ishin çaste të një krize të vërtetë mendore; si ishte e mundur, që një si Muhamedi, t’i bënte ata objekt bisedash të tilla, duke i ndikuar keqazi në jetën e tyre të ardhshme. Ç’ishte ajo pamje e përshkruar, aspak e hijshme!..
Sakaq, në ato çaste, pranë Të Dërguarit të Allahut po rrinte njeriu i Tij më i dashur, Ebu Bekri (r.a.), i cili me të parë turfullosjen e Umu Xhemiles, iu drejtua Profetit të mbarë Njerëzimit:
O Resulullah! Kjo grua është gojëprishur; kam frikë se do të vijë këtu veç për t’ju lënduar ju.
Profeti i Njerëzimit nuk ishte i një mendjeje me të.
Ajo nuk ka për të më parë fare mua, - tha i Dërguari i Allahut.
Ebu Bekri i nderuar nuk kuptoi asgjë prej gjëje nga këto fjalë, veçse, derisa ishte thënë prej të Dërguarit të Allahut, atëherë kishte një urtësi. Ishte e pamundur që nga goja e Tij të dëgjoje ndonjë fjalë të kotë. I ngeli veçse të priste se ç’do të ndodhte.
Saora, Umu Xhemilja u afrua, e ashtu me ato ngulçet në frymëmarrje:
O Ebu Bekër! Ku e ke atë shokun tënd që thur vargje? – pyeti ajo. - Të betohem për shtëpinë e Allahut, se Profeti im nuk është as poet, e aq më pak e di se ç’është poezia! Këtë e di edhe ti shumë mirë, madje!
Dukej qartë, ajo për çfarë ajo kishte ardhur nuk ishte aspak poezia, dhe nuk donte që ta harxhonte kohën kot duke u marrë me të. Ebu Bekri i ktheu një përgjigje, e cila më shumë donte të thoshte: “Po ti a nuk sheh, a si?!”
A nuk e sheh Atë që është këtu me mua? – e pyeti ai.
Mos po kërkon të tallesh me mua? Të betohem që nuk shoh askënd pranë teje, - ia kthente ajo e çmeritur.
Nuk kishte shumë kohë për të humbur, andaj vendosi të largohej menjëherë prej andej, dhe ashtu bëri.
I tërë Kurejshi e di, se unë jam një vajzë e nderuar e tyre, andaj ai burrë që e merr parasysh të flasë keq për pasardhësit e Abdimenafit duhet të ketë kujdes, - thoshte ajo kërcënueshëm. Ky ishte një rebelim si prej saj. Erdhi, por ç’është më e keqja po ikte po ashtu si pati ardhur.
Ebu Bekri, i cili i kishte ndjekur me habi të gjitha sa ndodhën, u kthye menjëherë kah Resulullahu (s.a.s.):
O Resulullah! Si është e mundur që ajo grua nuk të pa fare?
Sepse në mes meje dhe saj rrinte një engjëll krahëhapur, andaj, - ia ktheu i Dërguari i Allahut të Plotfuqishëm.
Koha për t’u hapur përreth
I Dërguari i Allahut, i Cili nuk reshti asnjëherë së kumtuari njerëzve të Tij, bijve të Abdulmutalibit, po e zgjeronte sa vjen e më shumë rrethin e Tij të kumtesës së Fjalës së Allahut. Tani Ai shkonte për t’u falur haptas në Qabe; i ftonte njerëzit në Islam, e u lexonte atyre ajete kuranore. Njësoj si profetët e ardhur para Tij, edhe Ai thoshte:
O populli im! Hajdeni, dorëzojuni edhe ju Zotit që është i vetëm. Kësodore, përpiqej që ndërmjet robërve dhe Allahut të mos ngelej kurrfarë pengese artificiale.
Si fillim, Ai vendosi të takohej me fiset që banonin aty afër. I Dërguari i Allahut përdorte çdo lloj mënyre të mundshme, e cila i dukej si e frytshme për t’i ndihmuar ata që të gjenin rrugën e drejt që të rrëfente feja islame. Mundohej, që me sa të mund, t’ua përçonte edhe atyre pasuritë e pashoqe të zemrës së Tij.
Herë-herë, Ai mendonte për grupe më të mëdha njerëzish, duke i ftuar ata të mblidheshin në një vend, nga ku do ta kishte më të lehtë që t’u fliste. I pëlqenin përherë vendet ku njerëzit mblidheshin trumba-trumba, andaj nuk humbte kohë për t’u nisur pranë tyre, për t’i këshilluar edhe një herë më tepër:
O njerëz, nuk ka dyshim se Allahu ju urdhëron të hiqni dorë nga besimi në fenë e të parëve tuaj!
Dhe, me të thënë Ai këtë fjali, gjindja sikur tërbohej, fillonte të turfullonte nga mllefi. Fytyrat ktheheshin andej nga vinte sakaq një tjetër zë kutërbues, për të parë se cili ishte ai që po fliste; dhe nuk e patën të vështirë, që me një tahmin të lehtë, ta gjenin se kush fliste. E kush mund të ishte tjetër pos Ebu Lehebit. Qielli errej, madje dukej sikur do të fitonte ngurtësim prej zemrës së gurtë të Ebu Lehebit.
Ai Paqja qoftë mbi Të, ishte Profeti më i Madh i të gjitha kohërave, kështu që nuk mund të mposhtej që në kundërvënien e parë të Ebu Lehebit apo Ebu Xhehlit. Dukej sikur çdo pengesë, në vend që ta frenonte, e shtynte më parë, ia shtonte atë dëshirën e brendshme për t’i këshilluar më ethshëm njerëzinë. Ishte vazhdimisht në kërkim të fytyrave të reja, të cilat dukeshin të etura për t’u njohur me të vërtetën. Ja, një tjetër ditë, do ta shohim në Dhilmexhaz, ku gjatë një panairi që po organizohej atje, Ai u ngrit sërish e filloi t’u fliste të gjithëve:
O njerëz, thoni “La ilahe il’lallah” dhe gjeni shpëtimin!
Veçse, teksa i thoshte këto, nuk ndihej plotësisht rehat, se saherë që Ai nisej të bënte diçka të këtillë, të fliste të vërtetën, e njëjta fytyrë e ndiqte me duart e mbushura kërcënueshëm me gurë, për ta goditur, Ebu Lehebi, xhaxhai i Tij dora vetë. Ai nisej me qëllimin e vetëm se mbase u tregonte ndonjë gjë këtyre njerëzve, ndërsa përgjigjja ishte gjakosja e gjymtyrëve, por pa kurrfarë uljeje të dëshirës për t’i parë edhe njëherë, ashtu grumbull, njerëzit, që t’u tregonte se kishte një Zot, dhe Ai ishte Ehad, Një dhe i Vetëm. S’kishte thënë ende, as fjalinë e parë madje, kur klima e Dhilmexhazit u prish nga zëri i shëmtuar i Ebu Lehebit. Siç duket huqi largohet vetëm me largimin e shpirtit nga trupi i një njeriu.
O njerëz, mos e dëgjoni këtë njeri, është veç një gënjeshtar, - u thoshte njerëzve, Ebu Lehebi.
Ja, kjo po që ishte një gënjeshtër e vërtetë; Ai person që deri dje thirrej nga të gjithë si “I sigurti”, Ai njeri të cilit i dorëzonin pasurinë që t’ua ruante pa kurrfarë mëdyshjeje, që për më tepër ky njeri ishte vetë nipi i Ebu Lehebit, po e përbuznin dhe hidhnin çdofarë fjale mbi Të, vetëm e vetëm se thoshte gjëra që ecnin në drejtim të kundërt me qëllimet e tyre grykëse. Mundoheshin si e si, që me çdo lloj mënyre, ta kthenin në një person që të mos kishte sy t’u afrohej më vendit të tyre. Këto fjalë nuk është se do të tregonin efekt përherë, sepse do të vinte një ditë që njerëzit do të lodheshin, e askush nuk do t’u besonte më. Por ç’e do, se ajo që e mërziste më tepër Simbolin e Dashurisë Njerëzore Paqja qoftë mbi Të, e mërziste fakti se njerëzit do të vonoheshin edhe një ditë më shumë për të besuar te Zoti i Gjithëlavdishëm.
Gjithfarëlloj pengesash
Saora po afronte periudha e Haxhit, e kurejshët kishin filluar të shqetësoheshin sa vjen e më tepër. Ajo që dyshonin dhe kishin frikë më shumë ishte se mos ardhësit nga vendet e tjera, do të takoheshin me Profetin Muhamed, i Cili mund t’u tregonte atyre ajetet e zbritura. Duhej që ta pengonin një gjë të tillë me çfarëdolloj mënyre; ose edhe sikur ata të denjonin të flisnin, këta duhet të bënin një propagandë të atillë përkeqësuese, që askujt të mos i shkonte ndërmend të mendonte se qoftë edhe një prej fjalëve të Tij mund të ishin të vërteta. Andaj, për të vendosur një sahat e më parë se ç’do të bënin, ata u mblodhën në shtëpinë e Velid ibni Mugires. Qëllimi i vetëm i mbledhjes ishte si e si ta pengonin të Dërguarin e Allahut që të kishte mundësi t’u kumtonte miqve ndonjë gjë prej atyre ajeteve të zbritura prej Zotit. Medoemosdo, duhej penguar që ato fjalë të gjenin një pranim në zemrat e tyre.
I pari e mori fjalën Velidi, meqë ishte edhe më i vjetri, por edhe i zoti i shtëpisë:
O popull i Kurejshit, të gjithë e dini se nuk na ndan edhe shumë kohë nga koha e Haxhit; fise të ndryshme arabësh duhet të jenë nisur tashmë për të ardhur këtu, që të kryejnë, si çdo vit, ritin e Haxhit. Mirëpo, ju e dini se ç’na ka gjetur me një njeriun tonë! Andaj, thashë të mblidhemi këtu, që nesër pasnesër, të mos dalë askush e të thotë fjalë të ndryshme prej njëri-tjetrit. Sepse nëse ardhësit shohin se ne nuk do të jemi të një mendjeje me të, afërmendsh ata kanë për të na menduar ne si gënjeshtarë, fjalës së të cilëve nuk mund t’u besohet. Ja, përshembull ti o më i vjetri i Abdishemsëve, tregona një rrugë të drejtë si të veprojmë, pasi ti je më i vjetri dhe me më shumë përvojë ndër ne.
E ku di unë, thuajna ti diçka, ç’ke menduar, e ne të hedhim mendime për to, - ia ktheu i moshuari.
Ja, ti përshembull, ç’thua? Këtë desha të të them, - vazhdoi Velidi.
Le ta quajmë “Fallxhor”, para të gjithë ardhësve.
Jo, kjo nuk shkon, pasi ai nuk është kurrsesi fallxhor. Sa e sa fallxhorë kemi parë ne, fjala e tij nuk ka për t’u ardhur si prej fallxhori, pasi ajo nuk është as rimuese, as e fshehtë!
Atëherë, le t’i themi: “I çmendur!”
Ai as i çmendur nuk është! Sa e sa të çmendur na kanë zënë sytë neve, ky nuk ngjan me asnjërin prej tyre. Pastaj, tek ai nuk vërehet as ndonjë fjalë që të të ngatërrojë mendjen, e ç’është më e keqja ne nuk e kemi parë asnjëherë që të vrapojë majtas-djathtas si ndonjë i çmendur.
Atëherë, ta quajmë “poet”!
Jo, jo, as poet nuk është ai! Ne e dimë shumë mirë rimën, ritmin, figurat dhe muzikalitetin e poezisë, andaj nuk mund të themi se fjalët e tij ngjajnë me poezi!
Ani, le ta quajmë “magjistar”!
Sa e çuditshme! Ai as magjistar nuk ngjan të jetë! Pse kështu janë magjistarët që dimë ne, ky nuk bën asnjë prej magjive të tyre. Nuk kemi dëgjuar as të thotë gjëra për njerëzit, e t’u fryjë atyre, as nuk dimë që të lidhë nuska.
I numëruan të gjitha alternativat që u vinin ndërmend se mund t’i çonte në ndonjë mundësi të atillë, për ta treguar Atë, që gjithë njerëzimi i qofshim fli, por ç’e do që me asnjërën prej tyre nuk e krahasonin dot Muhamedin, i Cili, edhe për ta ishte një diç tjetër. Ishte thuajse e pamundur që këtij burri të moshuar t’i pëlqente ndonjë prej mendimeve të tyre. Sa i lodhte aq shumë, pse nuk thoshte vetë ç’kishte në mendje, e të mbaronte kjo torturë mendimesh.
Po, ti vetë, ç’mendim ke, o i pari i Abdishemsëve, - e pyetën ata gati njëzëri, por mesa dukej as ai nuk kishte se ç’të shtonte.
Më lini pak kohë të mendohem, - sepse edhe ai vetë e kuptoi se dukej sikur mendja i kishte ndalur e nuk po punonte dot për të prodhuar atypëraty një djallëzi të çastit.
I kaloi një e nga një përpara syve të mendjes të gjitha mundësitë e përmendura, derisa një vetëtimë i shkreptiu në mendje, po, po, ja ajo mund të shërbente. Ishte njëra prej tyre. U drejtua nga gjindja, duke filluar të fliste:
Është mëse e vërtetë që në fjalët e tij ka një fuqi tërheqëse të veçantë. Ju thoni ç’të dëshironi, por do ta shihni menjëherë se nuk keni aspak të drejtë. Ama, mesa kuptoj unë, fjala “magjistar” atij i shkon më tepër se të tjerat, sepse duhet ta keni vënë re, që me të folur ai, djali mund të ndahet nga i ati, dhe gruaja nga i shoqi.
Xhebrail Fjalëdrejti, do të vinte sërish, të thoshte disa ajete, të cilat do të jetonin përjetësisht si dëshmi të kësaj mbledhjeje të tyre:
Ai u mendua, përsiati dhe vendosi. Që u shkatërroftë me themel, çfarë përsiati dhe vendosi ky farë njeriu. U shkatërroftë, po, po, u shkatërroftë, si u mendua dhe vendosi! Mandej pa rreth e qark, dhe ç’të shohësh u vrenjt në fytyrë dhe mrroli vetullat. U kthye mënjanë, dhe turfullonte megjithë shpirt prej mllefit, derisa më në fund iku, u largua. Kjo, - tha ai, - nuk është tjetër veçse një magji e transmetuar prej magjistarëve të kahershëm. Kjo nuk është tjetër veçse fjalë njeriu...
Nuk kishte se ç’t’u shtohej më fjalëve të helmëta të Velidit, andaj ata ranë në një mendje me mendimin e tij, dhe u larguan sakaq secili për në shtëpinë e tij. Tani u përcaktua dhe politika e re e përgjithshme që do të ndiqej. U zbulua mënyra e përbashkët me të cilën do të bënin fjalën e Profetit tonë të Dashur të mos dëgjohej nga askush. Tani ata e kishin gjetur, se si të ishin në një mendje, qoftë kjo edhe e gënjeshtërt, për ta nxirë me çdo lloj mënyre emrin e Tij të bekuar për të gjithë ne. Kjo ishte një ngjarje, e cila në ditët tona do të shprehej me formulën: “T’i servirësh të gjitha medieve të njëjtin lajm, njëfarësoj, në të njëjtën kohë.”
Ditët kalojnë, e kështu kaluan edhe ato ditë, derisa mbërritën njerëzit e Haxhit. Ata priteshin nga mekas të ndryshëm të ngarkuar me këtë detyrë, e secili prej këtyre të fundit përpiqej si e si që t’u tregonte atyre - megjithëse disa nuk u besonin - që Muhamedi i bekuar ishte një magjistar. Kështu e penguan ata, me gjithë djallëzinë e tyre, mundësinë që ata t’i afroheshin Profetit Muhamed Paqja qoftë mbi Të e të njiheshin sadopak me të vërtetën e drejtë.
Nga ana tjetër, Profetin e nderuar e pati kapluar një atmosferë e dendur revelatash hyjnore. Ishte Xhebrail Fjalëdrejti që po sillte një tjetër fjalë të Zotit. Në ajetin e Allahut thuhej; Allahu i Gjithëpushtetshëm e dinte planin e ndyrë të mekasve; Ia tregonte Atij, të Dashurit të Vet, gjithë gjendjen shpirtërore dhe mendjen e atyre komplotistëve, madje duke ia përmendur edhe Velid ibni Mugiren që gjendej në mesin e tyre:
Lërma mua atë! Do t’ia marr Unë hakun atij njeriu, të cilin e krijova Vet, e stolisa me gjithfarë stolish, pasurish dhe salltanetesh, e mandej i fala fëmijë që të luajnë në mes të pasurisë!
E drejtë, si çdo punë, edhe kjo do të kishte një të nesërme të vetën. Megjithëse ekzistonin disa gjëra të domosdoshme, të cilat duhet të bëheshin “sot”. Sepse të gjithë përpiqeshin me sa të mundnin, e në fund, ata që ecnin siç ua kishte urdhëruar Allahu, duhej medoemos të mbërrinin në qëllimin e tyre të bekuar. Andaj, Profeti i Njerëzimit (s.a.s.) e dinte se në panairet e Ukazit, Mexhenes dhe Dhilmexhazit do të kishte njerëz, ku mund t’u fliste atyre për njësinë e Allahut (xh.sh.). Ai shkoi atje, dhe filloi t’u fliste gjindjes:
- O njerëz! Ejani, thoni “La ilahe il’lallah”, dhe gjeni shpëtim, - bërtiste Ai me sa të mundte, për ta bërë emrin e Allahut të dëgjuar në çdo cep të panairit.
Ai e dinte shumë mirë, që fjalët e Tij do të shkaktonin kundërpërgjigjen e Ebu Lehebit dhe shokëve të tij, por ekzistonte një mundësi e mbarë, që njerëzit megjithëse do të largoheshin pa besuar, në kthim do të mendoheshin më tepër, dhe më lirë, për vërtetësinë e këtyre fjalëve të Muhamedit tonë të Dashur Paqja qoftë mbi Të. Ai e dinte se në mendjet e njerëzve ngelet më e freskët ajo që është e re, e gjëja më e re që mund të merrnin me vete prej ritit të kësivitshëm të Haxhit, do të ishin fjalët e Allahut, të derdhura prej buzëve të Tij.
Zëra kundër, që shtohen pareshtur
Tashmë kurejshët mundohen çdo ditë e pak më shumë ta shtojnë dozën e helmit kundër kauzës së Profetit Muhamed (s.a.s.), me qëllimin e mbrapshtë për t’i larguar edhe pak, edhe pak më shumë prej Tij njerëzit kureshtarë. Nxjerrin prej gojës fjalë që s’thuhen, gënjeshtra të paimagjinueshme, vetëm e vetëm si t’i trondisin zemrat e besimtarëve. Ata orvatin gjithë ditën e ditës vetëm për të nxirë emrat e tyre, për t’i bërë ata të paafrueshëm prej atyre, të cilët nuk e kishin veshur ende petkun e larë në ar të Islamit.
Tanimë as plani i projektuar prej Velid bin Mugires nuk po funksiononte siç duhej, andaj ata po garonin me njëri-tjetrin që të gjenin një tjetër më të frytshëm. Thurnin dhe hidhnin prej gojëve çdofarë fjalish, me gjithfarë kuptimesh të zeza. Kjo ishte një fushatë e hapur kushtuar përçmimit të Profetit tonë të Dashur Paqja qoftë mbi Të. Çdokush që i jepej për oratori, ia kushtonte tërë kohën mbledhjes së turmave të njerëzve, për t’u mbajtur ligjërata përbuzjeje për Njeriun më të Vyer të Universit.
Së pari, ata synonin vetëm Profetin e Allahut (s.a.s.); një ditë “i çmendur”, një ditë tjetër “magjistar”, një tjetër ditë “gënjeshtar”, e kur t’u vinte ndërmend lëshonin edhe ndonjë “poet”, si e si për t’u tallur me Pasqyrën e Moralit të Përkryer. Ndonjëherë ata talleshin edhe me lojëra retorike fjalësh:
E çfarë profeti na qenka ky kështu? Profet që i duhet të ecë, të hajë, të pijë e të flejë si të gjithë ne! – thoshin ata.
Kurani, a nuk duhet t’u zbriste atij njeriut që gjendet në mes të dy qyteteve, thurnin ata nëpërmend, shi sikur të ishin caktuar për të bërë ndarjen e mëshirës hyjnore, donin që të ishin vetë ata që vendosnin për çdo gjë. Por ç’e do që Zotëruesi i Gjithësisë ishte Allahu (xh.xh.), e a nuk duhet ta vendoste Ai se cili ishte më i hijshëm për të nderuar me gradën e lartë të revelacionit.
Vinte dita që ata pushtoheshin nga një mendim tjetër i ri, e fillonin për shembull merrnin si motiv vetminë e Profetit tonë të Nderuar:
Sikur t’i kishin zbritur edhe një engjëll që ta ndihmonte të paktën! Apo t’i ishte dhënë ndofarë pasurie, e ta jetonte këtë jetë në një xhenet tokësor, - talleshin ata.
Të gjitha sëmundjet individuale të një qenieje njerëzore, mospranimi i dikujt më i lartë se vetja, urrejtja, trysnia kolektive, haseti, inati, frika, krenaria dhe smira, qëndronin si shtrat për të luftuar profetësinë.
Në mohim nuk kishte rregulla loje, prandaj nuk kaloi shumë kohë, e ata u kthyen që të nëpërkëmbnin edhe Kuranin Fisnik. Ndonjëherë e quanin “rrëfenjë e moçme”, “fjalë e stolisur e padobishme”, madje ndonjëherë e tepronin duke e quajtur edhe “fjalë djallëzore xhindesh”, e normalisht, pas këtyre nuk ishte e çuditshme që ta quanin edhe “fjalë njerëzore”. Ata qëllimonin që veç ta bënin Kuranin një fjalë të padëgjuar prej njerëzve të mohimit, me frikën se mos ndonjë ditë edhe ata mund të ndikoheshin prej tyre.
Lufta e fjalëve po vazhdonte me një ritëm marramendës, kur kishte ende shumë kohë derisa të fillonte ajo e shpatave. Nga njëra anë paralajmëronin:
Mos e dëgjoni Kuranin! Që të jeni gjithnjë të pandikuar prej tij, mundohuni që të nxirrni sa më shumë ngatërresa në sytë e njerëzve, ngrijini ata në anarki, përdorni çdolloj hileje, derisa ata të heqin dorë prej “të drejtës” së tyre.
Përdornin çdolloj loje fjalësh, e luanin me ç’mënyrë t’u vinte në mendje për ta çaktivizuar krejtësisht mendjen e njerëzve që u qëndronin përballë. Nganjëherë ata bënin sikur e parapëlqenin këtë besim të ri, vetëm që pas ca kohësh të hidheshin sërish në sulm, duke luajtur saora rolin e njeriut që nuk e gjeti dot lumturinë te kjo mënyrë të jetuari; teksa përpiqeshin që të mbanin në kontroll njerëzit përreth vetes, ata mundoheshin që t’u thyenin gjendjen shpirtërore Profetit të Kulluar Paqja qoftë mbi Të dhe besimtarëve të tjerë. Ishte qesharake, cilësitë e tyre të devijimit dhe çoroditjes së krejtë, ata ua atribuonin besimtarëve të pastër.
Kishte nga ata që e tepronin akoma më shumë; për shembull, Nadr bin Harithi, i cili njihej ndryshe edhe si “djalli i Kurejshit”, sapo kishte ardhur prej Hires. Ky njeri bënte herë pas here udhëtime të gjata, ku takohej me mbretër dhe udhëheqës të atjeshëm, ku më tepër kishte si qëllim të mblidhte dije për kultura nga më të ndryshme. Nëse do të mendojmë një Mekë të asaj kohe, për të mund të thuhet lehtësisht se ishte ndoshta njeriu më i kulturuar i Mekës. Ky njeri, mundohej të mos e linte kurrë pa e ndjekur Profetin tonë të Dashur, që ngado që Ai të shkonte, ky të mund të fliste fjalën e vet të mbrapshtë.
Po ky Nadr, ishte ai që një ditë pati blerë një robinjë veç për ta përdorur si karrem për të penguar njerëzit që i afroheshin portës së besimit. Kjo robinjë ishte e urdhëruar që t’i ndalte të gjithë njerëzit e drejtuar kah shtëpia e Muhamedit të Nderuar (s.a.s.), t’i gostiste me gjithë të mirat, e t’i këshillonte që të mos shkonin te Qashtërsia e
Kumtimit të Kuranit Paqja qoftë mbi Të.
Kështu është mohimi, nuk ka formula të caktuara, e shfaq veten përditë me mënyra nga më të ndryshmet, dhe të gjitha bashkë japin një tablo më të plotë të së keqes së atyre ditëve. Ata çfarë nuk kërkonin prej Profetit të Njerëzimit, duke u munduar ta ngatërronin me luajtjen e rolit sikur ishin “të etur” për të besuar. Për të vërtetuar profetësinë, ndoshta duhet të ngjisnin shkallë për të parë Zotin, e se do të ishte e hijshme që - “na ruaj o Zot!” - Zoti t’u shtronte atyre ndonjë banket me fruta nga ato të xhenetit - llomotisnin ata. Mirë, edhe sikur kjo të ndodhte, ata prapë nuk do të besonin; thjesht kjo ishte aventura e radhës e argëtimit të tyre të pangopshëm!
Por ç’e do, sa mirë që, besimtarët kishin në mbrojtje Allahun e Plotfuqishëm (xh.sh.); besimtarët kishin Resulullahun që i printe. Kurani, kundrejt këtyre idhujtarëve bashibozukë, i pasuronte çdo ditë me nga një ajet të ri, duke u rikujtuar vazhdimisht se duhet të bënin durim në parashtrimin e Fjalës së Drejtë. Ishte e ditur tashmë se punët e mira i kanë të shumta pengesat, e atyre prapë u kujtohej se djalli dhe mendimet e tyre djallëzore do të vinin pareshtur përpara mendjeve të pastra të atyre që besuan, prandaj besimtarët duhet ta kuptonin më së miri këtë, e t’u paraprinin djallit. Kurani u jep atyre vazhdimisht shembuj nga popujt e mëparshëm, duke u theksuar se nuk është aspak i lehtë përparimi në rrugën e të drejtës. Allahu (xh.sh.) u kujtonte atyre se e ardhmja do të ishte e mbarë dhe e bukur për të gjithë ata që e organizonin jetën në dritën e parimeve të devotshmërisë.
Ajetet që zbrisnin fillimisht qetësonin Profetin e Dashur:
Ne e dimë se zemra jote copëtohet përballë fjalëve të pabaza të tyre; mirëpo Ti mos mungo asnjëherë së përmenduri emrin e Allahut, ji gjithmonë nga ata që e vendosin kokën në sexhde përballë fuqisë së pashtershme të Zotit tënd! Mos u ndaj asnjëherë së adhuruari Allahun, derisa vdekja të vijë e të trokasë!
Këto ishin të gjitha fjalë të shprehura në trajtën e urdhrave, por mbartnin me vete një fllad të ngrohtë qetësimi.
Njëherë tjetër:
I sjellim ne në isllah ata të pacipë që tallen me Ty! Ata që, preferojnë më tepër të shkojnë pas idhujve se pas Zotit të tyre; ja, që nesër ata do ta shohin të vërtetën haptazi, - thoshin ajetet, e në fund i qetësonin duke u dhënë sihariqin se do të ishin ata që do të qeshnin tevona e të gjithave.
A ishte e mundur të mos ta ndjeje veten të sigurt, kur fjalën e jepte Zoti i Botëve?! Zaten çdo ndodhi i afronte ata pak më tepër me Allahun (xh.sh.). E Ai u tregonte atyre kësisoj mëshirën e Vet, me fjalët që ngjanin të ëmbla jo vetëm për veshin, por edhe përkëdhelëse për flokët.
Edhe shumë profetë të tjerë përpara Teje u bënë objekt i talljeve, derisa talljet iu kthyen atyre vetë, duke i shkatërruar që në farë.
Ja, një ajet i tillë i shfaqej besimtarëve. Sepse, në fakt, orvatjet e pashpresa të idhujtarëve nuk ishin kundër individëve, por kundër krejt çështjes së përhapjes së emrit të Allahut (xh.sh.). Dukej sikur donin ta shfarosnin krejt emrin e Zotit. Besimtarët mund të ndikoheshin prej tyre, se në fund të fundit fjala e mosbesimtarëve dëgjohej më tepër, pasi ishin materialisht më të fuqishëm, por shpërblimi për ta do të ishte i pamatshëm. Zoti i Madhërishëm, teksa qetësonte të Dashurin e Tij Bujar Paqja qoftë mbi Të, u thoshte:
E dimë se sa të kanë mërzitur gënjeshtrat e tyre mbi Ty; në fakt
objekti i fjalëve të tyre nuk je Ti; ata zullumqarë po mohojnë drejtpërdrejt ajetet e Allahut. Edhe profetët e mëparshëm u munduan t’i përbuzin, i thurën gjithfarë kurthesh, por ata prapëseprapë shtrënguan dhëmbët, duruan derisa mbërriti ndihmesa e Allahut.
Këto ishin disa nga ajetet që tregonin se pas gjithë këtyre vuajtjeve, do të vinte ndihmesa dhe shpërblimi hyjnor! O Zot, çfarë dhembshurie! Çfarë komplimenti! E për më tepër, çfarë qetësimi!
Shënimet
- 64.Shuara, 26/214
- 65.Ibni Esir, el-Kamil, 1/584
- 66.Hixhr, 15/94
- 67.Buhari, sahih, 4/1804; Taberi, tarih, 541
- 68.Teb’bet, 111/1-5
- 69.Radijallahu anh – Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
- 70.Halebi, sire, 1/466
- 71.Halebi, sire, 2/154
- 72.Furkan, 25/7
- 73.Zuhruf, 43/31