LEJA PËR HIXHRET DHE SHQETËSIMI I KUREJSHIT

Ndërkohë erdhi Xhebraili fjalëdrejtë (a.s.), i cili pruri lejen për të bërë hixhret. Zaten, një grup që besonte në nevojën e një migrimi, ishte njohur edhe njëherë më parë me një revelatë në lidhje me hixhretin. Disa njerëz, të cilët do të fillonin nga kërkimi i disa justifikimeve për disa nga vështirësitë që mund të përballeshin në ahiret, që kur ishin në këtë botë, e lexonin fjalën e Kuranit gjatë çdo çasti pa reshtur, madje pa e lënë as gjatë namazit.

I Dërguari i Allahut u foli atyre për një ëndërr që kishte parë:

Kam parë në ëndërr, sikur u larguam prej Mekës drejt një qyteti të mbuluar prej pemëve të hurmave. Në fillim mendova se ai qytet mund të ishte Jemame ose Hexheri, por më vonë e kuptova se bëhej fjalë për Jethribin.

Me një fjalë, tanimë, vuajtjet e Mekës do të merrnin fund, sepse jeta do të vazhdonte në një qytet më të qetë. Andaj edhe sahabët ishin më të rehatuar prej gëzimit të sihariqit profetik, dhe po prisnin vetëm që Ai t’i urdhëronte që të niseshin. Prandaj vinin vazhdimisht pranë tyre, për ta pyetur se kur do të fillonin të niseshin. Vetëm se çdo gjë ecte sipas një plani, dhe nuk bënte që të hidheshin hapa të pamatur. Zaten ajeti që kishte zbritur Xhebraili thoshte të njëjtat gjëra, të cilat edhe kërkonte që i Dërguari i Allahut t’i ndante edhe me sahabët e Tij.

Nuk mund ta di se ç’do të ndodhë me mua dhe me jetët tuaja të kësaj bote. Unë di vetëm atë që më revelohet, e asgjë më shumë. Sepse unë nuk jam asgjë veç një këshilluesi paralajmërues!

Me një fjalë, megjithëse ishte parë një ëndërr, duhet të merrnin më parë një leje, që të mund të lëviznin. Nuk duhej hedhur asnjë hap pa u marrë leje, dhe nuk duhej marrë asnjë vendim kokë më vete.

Sakaq, leja erdhi. Tani, i Dërguari i Allahut do t’u fliste atyre për Medinën. Ai u tha atyre, se të gjithë myslimanët që gjendeshin në Mekë duhet të niseshin në drejtim të qytetit të Medinës.

Padyshim, Allahu ju fali juve miq të tjerë, duke ju lejuar që të migroni në vendin e tyre. Mund të shkoni atje të qetë, e të jetoni më të sigurt! – u tha.

Tani, sahabët do të niseshin grupe-grupe në drejtim të Medinës, pa shqetësuar askënd për nisjen e tyre. Sepse në anën tjetër ishte një Medinë, e cila i priste krahëhapur, me njerëzit e saj, ensarët, të cilët ishin aq të përzemërt.

Tani po fillonte një periudhë e re. Brenda një kohe mjaft të shkurtër, të gjithë që mund të niseshin u nisën drejt botës së re. Veçse kjo nuk do të ishte aq e lehtë sa ç’mendohej.

Patjetër, që nga ana e kurejshëve ishte një gjendje e papranueshme lehtësisht. Ata do të bënin ç’të ishte e pamundur që ta pengonin një zhvendosje të këtillë, kështu që do t’i pengonin si të ishte e mundur myslimanët që të mos shkonin në një qytet tjetër, pasi kjo do të thoshte se do ta humbnin kontrollin e vendosur mbi ta. Zaten i vuanin edhe dy emigrimet e para në drejtim të Etiopisë, për të cilat nuk kishin bërë dot asgjë për t’i penguar. Kështu, ata do të bënin ç’t’u vinte doresh që ta pengonin zgjerimin e Islamit në një tjetër trevë.

Zunë rrugët, duke u përpjekur që t’i kthenin mbrapsht ata që ishin nisur. Ndonjërin e kapnin dhe e burgosnin ndokund. Ndërsa ndonjë tjetër e torturonin, që nga njëra anë të hiqte dorë prej largimit, e nga ana tjetër të hiqte dorë edhe prej Islamit. Madje kishte edhe nga ata që e kalonin këtë cak, duke i ndjekur disa grupe deri në afërsi të Medinës, prej nga i kthenin sërish në Mekë. Me një fjalë, idhujtarët dhe zullumqarët e Mekës po e kryenin siç duhet mohimin dhe padrejtësinë e tyre duke u bërë pengesë për përhapjen e Islamit, por njëkohësisht, edhe duke vërtetuar se krijimi i Xhehenemit nuk ishte diçka e panevojshme.

Vendimi i marrë në Daru Nedue

Megjithëse trysnia dhe pengesat vazhdonin, hixhreti nuk ndaloi. Pas një periudhe tre mujore, pa migruar kishin ngelur vetëm skllevërit dhe robërit e mbajtur nën tortura, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), Ebu Bekri dhe Aliu (r.a.). Zaten, ata që po prisnin njëherë hixhretin e të gjithëve, pastaj ta bënin edhe vetë, ishin Profeti ynë, Ebu Bekri dhe Aliu i nderuar. Me një fjalë, tashmë radhën e kishin ata. Nëse do të iknin edhe ata për t’u vendosur në Medinë, do të përballeshin vetëm me vështirësi, pasi Eusët dhe Hazrexhët ishin të mësuar tashmë me luftën. Të gjitha tregtitë që mund të bënin me sirianët dhe jemenasit gjatë muajve të verës dhe të dimrit do të ngeleshin pezull, që do të thoshte se as asisoj nuk do të gjenin dot qetësi.

Lëre pastaj që jo çdo gjë kishte përfunduar, që kushtet të ishin të pjekura. Kishin ende mundësi që të gjenin një zgjidhje prej fillimit. Për këtë, duhej gjetur një zgjidhje e menjëhershme. Koha ishte dita e njëzet e gjashtë e muajit Sefer. Ishte ditë e hënë.

Më në fund, në një kohë pas agimi, u mblodhën bashkë dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm të gjendjes, filluan të përcaktonin strategjitë e kësaj çështjeje. Për këtë, ata u takuan në Daru Nedue, një vend i lënë që prej Kusaj ibni Kilabit. Ishte një çështje që kishte katërmbëdhjetë vjet që vazhdonte. Duhet të gjenin një zgjidhje përfundimtare. Vepronin aq fshehurazi, saqë nuk i merrnin më pranë vetes njerëzit nën dyzet vjeç, që në njëfarë mënyre mund të quheshin fëmijë, duke u orvatur, që edhe ato çfarë fliteshin gjatë bisedave, të mos dilnin jashtë.

Ndërkohë, aty pati ardhur një burrë plak, të cilin nuk e njihnin fare, por që thoshte se ishte prej nexhidasve. Po priste në portë që të merrte edhe ai pjesë në bisedime.

Po ky plak kush është? – pyetën ata.

Një plak prej Nexhdit, njëkohësisht i afërmi juaj. Kam ardhur këtu pasi kam dëgjuar se jeni mbledhur për të folur mbi një çështje tejet të rëndësishme. Mendova se mund t’ju ndihmoja me ndonjë mendim, andaj erdha. Nëse nuk doni, ngrihem e iki, – u përgjigj ai.

I afërm, do të thotë se je yni. Nuk do vije prej Nexhdit për të na spiunuar, apo jo?

Meqë nuk ishte mekas, e ftuan brenda, dhe sakaq filluan mbledhjen. Bisedimet i drejtonte Ebu Xhehli.

E dini të gjithë se ç’është duke bërë Ai! Nëse largohet në drejtim të ndonjë vendi tjetër, ku mund të fuqizohet e të vijë pastaj për t’ju sulmuar, atëherë ka për të na shkaktuar shumë dëme. Për t’i parandaluar këto dëme, ju kam thirrur këtu që të thoni mendimin tuaj se ç’mund të bëjmë që ta zgjidhim këtë problem.

Fjalën e mori Ebu Bahteriu:

T’i vëmë hekurat, e ta burgosim! Ashtu siç ka ndodhur edhe me poetët e tjerë, ai do të plaket, derisa të vdesë.

Për Zotin, unë nuk jam i këtij mendimi. Sepse nuk ka se si të jetë një zgjidhje e mirë. Nëse e mbyllni, ai atëherë mund t’i kapërcejë muret ose hekurat, për të shkuar te shokët e tij. Mandej, vjen, e në njëfarë mënyre sërish ju sulmon. Kjo nuk ka se si të jetë zgjidhje, andaj mendoni diç tjetër, – u hodh e foli plaku prej Nexhdit.

Ta përzëmë prej qytetit tonë, e le të shkojë të jetojë syrgjyn në ndonjë vend tjetër. Kësodore, do të mund të shpëtojmë prej Tij. Për Zotin, që nuk ka asfare rëndësi se ku shkon për të jetuar.

As ky mendim nuk iu duk i pëlqyeshëm plakut, kështu që vendosi të ndërhynte sërish:

Vallahi, as kjo nuk është zgjidhje. A nuk e keni vënë re bukurinë në të shprehurin e tij? Qëndrueshmërinë logjike dhe ndjenjat që e karakterizojnë? Ai ka ndikim te njerëzit përreth, andaj vjen një ditë që mbledh të tjerë njerëz rreth vetes, e ju kthehet për t’u hakmarrë. Vjen dita që i bën për vete edhe ato familje që sot duken se janë në anën tuaj. Vjen dita që i vënë syrin atyre që zotëroni ju, por atëherë do të jetë vonë që ju të mund të bëni diçka të këtillë. Më e mira e të mirave është që të gjeni një tjetër zgjidhje.

Në atë bisedë se ç’kishte diçka të çuditshme. Ishte mbledhur e gjithë Meka për të folur ndër vedi. Mirëpo plaku prej Nexhdit po dilte më aktiv se ata. Sa mirë që e kishin marrë në bisedë, duke mos e lënë jashtë duke e parë si dikë të huaj!

Edhe Ebu Xhehli i pati pëlqyer mendimet e plakut prej Nexhdit. Edhe sipas tij, ato që ishin thënë fillimisht nuk mund të përbënin kurrsesi zgjidhje për këtë çështje. Mirëpo as nuk po gjenin ndonjë zgjidhje përfundimtare. Vështrimet u kthyen nga Ebu Xhehli,i cili ishte i kënaqur prej ndërhyrjeve të atij plaku. Zaten, edhe ai vetë po e priste radhën për të folur.

Vallahi, e kam edhe unë një mendim në lidhje me këtë çështje.

Thuaje, o Eba Hakem, - i thanë ata njëzëri.

Nëse më pyesni mua, zgjidhja përfundimtare është të zgjedhim djem të shkathët që dinë t’i përdorin mirë armët. Le t’i vërsulen të gjithë njëkohësisht, duke e vrarë me një goditje të përbashkët, që edhe ne të mund të shpëtojmë njëherë e mirë. Kur ta kemi vrarë kësodore, gjaku i tij do të duhet të merret prej të gjithë fiseve tona, kështu që Abdimenafët do ta kenë thuajse të pamundur diçka të këtillë. Përpara do t’u ngelet veç alternativa e dietës, të cilën ne mund ta paguajmë lehtësisht, vetëm që kjo çështje të marrë fund.

Plaku prej Nexhdit ndërhyri sërish. Mirëpo, kësaj here, teksa fliste, po tundte kokën pohueshëm:

Ja, kjo është fjalë! Unë nuk di ndonjë zgjidhje më të mirë!

Tashmë e patën marrë vendimin, dhe në saje të planit të ndërmarrë, ata do të vrisnin Muhamedin. Edhe kësaj radhe, u larguan së andejmi në drejtim të shtëpive me po të njëjtin gëzim dhe sinqeritet me të cilin ishin mbledhur të gjithë tok.

Shënimet

  1. 163.Nisa, 4/97
  2. 164.Buhari, Sahih, 3/1326; Muslim, Sahih, 4/1779
  3. 165.Uahidi, Esbabu Nuzuli’l-Kuran, fq. 395
  4. 166.Ibni Hisham, Sire, 2/314
  5. 167.Halebi, Insanu’l-Ujun, 2/189-90