HAJBERI, KREU I ÇIBANIT

Kishin kaluar gjithsej njëzet ditë që nga dita kur i Dërguari i Allahut ishte kthyer prej Hudejbijes. Me anë të kësaj marrëveshje ishte arritur që të parandaloheshin të këqijat e papritura që mund të vinin prej Mekës, sepse duke rënë në një mendje, nuk ishte më e mundur ai mendim i idhujtarëve dhe hipokritëve për të sulmuar kësaj radhe edhe Medinën. Megjithatë ishte krejt e paditur se ç’mund t’u pillte mendja hebrenjve që strehoheshin në Hajber, që nga koha kur ishin përndjekur prej Beni Kurejdhës, Beni Kajnukës dhe Beni Nadrit. Këtu ishin vendosur edhe disa prej atyre, që si të thuash, përbënin parinë midis tyre, si Selam ibni Ebi Hukajku, Kinane ibni Rabia, Hujej ibni Ahtabi, kishin filluar të përhapnin kërcënimet se bashkë me fqinjët e tyre po përgatisnin një hakmarrje të madhe. Zaten ishin ata që kishin luajtur një rol të rëndësishëm në cytjen e fiseve përreth. Nëntëmbëdhjetë prej atyre që kishin cytur mekasit dhe të tjerët përreth kundër Resulullahut dhe myslimanëve të tjerë, ishin pikërisht prej Hajberit. Kishin shkuar edhe te fiset përreth, dhe u kishin premtuar mall të madh nëse bashkëpunonin me ta për të sulmuar Medinën. Lëviznin vetëm me ndjenjat e hakmarrjes, kështu që rendnin pas çdo mundësie që u shfaqej. Kur panë se u kthyen duarbosh edhe prej Hendekut, ku kishin shumë shpresa, e paramenduar se kësaj here do t’u kërkonin llogari, kështu që duhet të vepronin vetë më parë. Ata morën me vete edhe hebrenjtë e Tejmas, Fedekut dhe Luginës së Kurasë në mënyrë që t’i sulmonin më parë Resulullahun dhe sahabët e Tij në Medinë.

Pas Ebu Rafiut, në krye të tyre kishte kaluar Usejr ibni Zarimi, i cili kishte një sjellje që u thoshte të gjithëve se nuk tutej prej asgjëje, por vetëm vlonte prej dëshirës për hakmarrje. Ishte takuar edhe me gafatanasit, madje edhe kishte arritur që t’i bindte që të dy së bashku të sulmonin menjëherë Medinën. Të gjithë këto përpjekje vlerësoheshin shumë edhe prej bashkësisë së tij, madje edhe e duartrokisnin si një lider që po bënte çmosin për t’u hakmarrë për paraardhësit e tij. Me pak fjalë, Hajberi ishte kthyer në një vend të ngatërresave, ku priste si një çiban i fryrë me qelb që të vinte koha e plasjes, për t’u pastruar.

I Dërguari i Allahut i ndiqte së afërmi të gjitha ato që ndodhnin. Për të qenë më i sigurt rreth atyre që ngjasnin, kishte nisur tre sahabë në drejtim të Hajberit, që në çdo çast t’i raportonin zhvillimet e ndodhura atje. Përgjigja ishte vërtetuese e atyre që dëgjoheshin gjithandej, kështu që Ai i këshilloi sahabët që të bëheshin gati.

Ai u largua prej Medinës me dymijë e gjashtëqind ushtarë, dyqind prej të cilëve ishin kalorës. Si synim kishin çibanin e gatshëm, Hajberin.

Bashkë me të Dërguarin e Allahut, në këtë udhëtim ishin edhe dymbëdhjetë hebrenj të tjerë. Kishte edhe njëzet sahabe gra, të cilat do t’i ndihmonin myslimanët për të mjekuar plagët, për t’u dhënë ujë, a për ndonjë ndihmë tjetër të ngjashme.

Prijësi i hipokritëve ishte sërish në krye. I ishte futur përpjekjeve për të lajmëruar nisjen e të Dërguarit të Allahut dhe sahabëve të Tij në drejtim të Hajberit, duke i udhëzuar hipokritët që të bënin kujdes.

Kur erdhën në Hajber, ishte mesi i natës. Çdo gjë filloi duke kërkuar për një vendqëndrim, e mandej të bënin përgatitjet e nevojshme për ditën tjetër. Ngase ishte natë, i Dërguari i Allahut e fali aty namazin e tehexhudit, dhe me ardhjen e agut, fali edhe namazin e sabahut. Nga pas kishte gjithë sahabët fisnikë. Duart i kishte të ngritura për t’u lutur, dhe i kërkonte Allahut (xh.xh.) që t’u jepte fitoren.

Tronditja e përballjes së parë

Hajberasit, edhe atë ditë si ditët e tjera, kishin dalë prej shtëpive për të shkuar nëpër kopshtet dhe bahçet e tyre. Kur u përballën me një ushtri, u çmeritën krejt:

O Zot! Qenka Muhamedi bashkë me sahabët e Tij të disiplinuar; një ushtri e tërë, - dhe sakaq të gjithë bënin për t’u kthyer nga kishin ardhur. Megjithatë, vetëm si e si për t’u dhënë zemër të vetëve, por edhe për të mos i nënvlerësuar armiqtë, ata patën thënë:

Muhamedi do të luftojë me ne?! Sa e çuditshme! (Kjo e tëra me një atmosferë se padyshim që fitimtarët do të ishin vetë hajberasit.).

Serioziteti i kësaj çështjeje sikur i kishte ndarë më dysh. Ndërsa disa rrinin brenda kalasë për t’u mbrojtur, një pjesë tjetër kishin filluar të shfaqeshin si dyluftues të zotë. U besonin shumë kalave të tyre të stërlarta. Brenda i kishin plot me ushqim, madje mund të thuhej se brenda u rridhte bollëku nga të gjitha anët.

Fëmijët dhe të gjitha gjërat e vyera i patën çuar në kalanë e Ketibes, ndërsa ushqimet i kishin ruajtur në kalanë e Naimit. Të gjithë armëtarët kishin ardhur në kalanë e Natatit, dhe ishin betuar se do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut!

Shkëndija e parë erdhi po prej tyre. Nga kalaja e Natatit filluan të binin disa shigjeta drejt Resulullahut dhe sahabëve që në orët e para të agimit. I hidhnin shumë shpejt dhe në seri, aq sa deri në muzg ishin plagosur plot pesëdhjetë sahabë të nderuar.

Shigjetat e hedhura prej tyre tashmë do të ishin armë për besimtarët. Me të rënë përdhe, ato mblidheshin prej myslimanëve dhe i hidhnin sërish në drejtim të bedenave të kalasë.

Kishte filluar një rrethim që do të zgjaste për ditë me radhë. Me të ardhur mbrëmja do të kalonin në vendin e përcaktuar, dhe ky vend do të ishte dëshmitar i të gjitha veprimeve deri në rënien e Hajberit.

Nga njëra anë me të vërtetë vazhdonte rrethimi i Hajberit, mirëpo i Dërguari i Allahut qe sëmurur, duke e pasur të pamundur që të dilte jashtë bashkë me sahabët e Tij. Me sa duket, kaderi ishte duke i përgatitur sahabët drejt një sprove tejet të vështirë. Resulullahu paqja qoftë mbi Të thirri pranë vetes Ebu Bekrin e nderuar dhe ia dha atij flamurin e bardhë. Tashmë komandanti i ushtrisë përballë Hajberit ishte Ebu Bekri (r.a.).

Edhe atë ditë kishte rënë mbrëmja, vetëm se nuk ishte arritur në kurrfarë problemi. Dukej sikur çdo ditë të mos kishte ndryshim nga dita pararendëse. Shiu i shigjetave që kishte filluar që prej çasteve të para të mëngjesit, mbyllej në mbrëmje për të nisur sërish me agimin e ditës tjetër.

Ditën tjetër në mëngjes, Resulullahu (s.a.s.) thirri pranë vetes Omerin e nderuar dhe ia dha atij flamurin kësaj here. Një ditë më vonë do t’ia jepte njërit prej ensarëve, duke bërë që flamuri të ndërronte dorë nga dita në ditë.

Ndërkohë kishte edhe dyluftime në mes të të dyja palëve. Disa grupe që dilnin prej kalasë përballeshin me grupe myslimanësh, dhe kjo përballje zgjaste derisa njëra syresh të dorëzohej.

Më në fund, një ditë, i Dërguari i Allahut u kthye nga sahabët dhe tha:

Nesër do t’ia jap flamurin një personi të atillë, që e do Allahun, e që Allahu e do atë, - duke dhënë kësodore edhe njëfarë sihariqi se Hajberi do të binte.

Dallimi që bënte teksa fliste, kishte tërhequr vëmendjen e të gjithë sahabëve. Kjo ishte dëshmia e të Dërguarit të Allahut, dhe komandanti që do të udhëhiqte ushtrinë do të ishte një njeri i rëndësishëm që e donte Allahun, e për më tepër që Allahu e donte atë. Për sahabët, të cilët nuk kishin ndonjë synim më të lartë se pëlqimi i Allahut, kjo ishte një gradë që duhej arritur medoemos, dhe gjithsecili nuk po duronte dot, që personi që do të merrte flamurin nesër, të ishte pikërisht ai vetë. Ditën tjetër, edhe prej sihariqit të ngadhënjimit, në fytyrat e të gjithëve lexohej një gëzim i veçantë, pasi edhe natën e kishin kaluar duke përmendur Allahun (xh.xh.).

Agoi edhe një tjetër ditë, dhe pas namazit të sabahut, Resulullahu u kthye nga sahabët dhe pasi i këshilloi mirë e mirë, kërkoi që t’i sillnin flamurin. Sahabët po prisnin tërë merak se kush do të ishte ai fatlum që do të merrte flamurin prej vetë dorës së të Dërguarit të Allahut.

Ku është Aliu, - pyeti Ai.

O i Dërguari i Allahut! Aliut i dhembin sytë.

Thirrmani mua! – dhe sakaq ishte Seleme ibni Ekua që u çua për ta thirrur.

Pa kaluar shumë kohë Seleme e pruri Aliun pranë të Dërguarit të Allahut. Kishte kaq ditë që po vuante nga dhimbja e fortë e syve, dhe kur e pa tek po vinte, tha:

Ja, po vjen Aliu.

Ja, pikërisht me të do të realizohet ngadhënjimi, - tha Ai duke treguar me dorë nga dhëndri i Tij, Aliu i nderuar.

O Resulullah! Jam sëmurë prej syve aq sa nuk po shoh dot as vendin se ku shkel, - i tha ai të Dërguarit të Allahut.

Sakaq, Ai (s.a.s.) filloi të lutej duke fryrë nga sytë e Aliut të nderuar. Ndërkohë mori edhe pak pështymë prej gojës dhe duke i fërkuar sytë dhëndrit të Tij, i lutej Allahut që t’i jepte shërim. Ja ku po jetohej edhe një tjetër mrekulli. Sikur të mos ishin më ata sy që i dhembnin aq shumë Aliut të nderuar. Tashmë nuk kishte më, as dhimbje, e as ndonjë gjendje mosshikimi. E ndjente veten sikur të mos kishte qenë keq para disa çastesh.

Mandej, i Dërguari i Allahut i veshi Hajdari Kerrarit armët dhe parzmoren, dhe duke i zgjatur flamurin e bardhë, i tha:

Merre këtë flamur, dhe përparo! Përpiqu dhe mos kthe kurriz derisa Allahu t’ju falë triumfin.

Mirëpo, për çfarë të luftoj me njerëzit, - e pyeti ai të Dërguarin e Allahut.

Lufto për Allahun që nuk ka asnjë shok në krijim, dhe për Muhamedin që është Robi dhe i Dërguari i Tij. Zaten nëse e pranojnë këtë, atëherë ata do ta ruajnë jetën me çdo gjë karshi teje; llogaria e tyre i përket Allahut.

Përparo deri në banimet e tyre dhe prit pak çaste. Thirri në Islam dhe tregoju detyrimet që do të kenë karshi Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Të betohem për Allahun se, qoftë edhe sikur një njeri i vetëm të bëhet mysliman prej teje, është më e hajrit se e tërë lugina e mbushur me deve të kuqe.

Ç’dhembshuri gjithëpërfshirëse ishte kjo që edhe për njerëzit që kishin kaq ditë që i sulmonin me heshta e shigjeta, e që nuk do të linin gjë vetëm për ta vrarë, të mendoje në dritën e gjithë këtyre parimeve; po bënte disa kërkesa që ata të mund ta kishin të lehtë për të pranuar robërinë e tyre karshi Allahut. Pastaj vazhdoi t’i lutej Allahut që të vepronte me ndihmesë me Aliun dhe shokët e tij.

Aliu i nderuar që kishte marrë në duar flamurin e Resulullahut eci gjithë trimëri, dhe u afrua pranë mureve të Hajberit. Sahabët e tjerë fisnikë e ndiqnin me kujdes dhe disiplinë. Flamurin e nguli mu përpara kalasë.

Të gjitha ecuritë ndiqeshin edhe nga brenda kalasë. Ngulja e flamurit pikërisht përpara dere, i kishte shqetësuar dhe çoroditur jashtë mase ata që gjendeshin brenda, duke i bërë që të frikësoheshin për fundin e vet.

Kush je ti, - e pyetën.

Unë jam Aliu, i biri i Ebu Talibit, - u përgjigj Aliu i nderuar.

Ky emër nuk ishte aspak i huaj për ta. Me sa duket, në librat e tyre shkruhej se do të ishte ai triumfatori i kështjellës së tyre, andaj me t’ia dëgjuar emrin u shqetësuan pa masë.

O popull hebre, - filloi të bërtiste ai. Lëvduar qoftë ajo që u zbriti hebrenjve, se tashmë ju ka ardhur fundi, dhe sot do të largoheni të mundur.

Dhe ngadhënjimi

Nga ana tjetër vazhdonte një përballje e përgjakshme. Hajberasit po përpiqeshin me mish e me shpirt për të mos u dorëzuar, duke luftuar gjer në vdekje. Për ta, çdo kala e pushtuar do të thoshte ta boshatisje e t’ia mbathje për t’u mbrojtur këtu, që ishte edhe mburoja e fundit.

Hajberasit u thyen jashtëzakonisht shumë shpirtërisht, andaj filluan të arratiseshin sa nga e majta në të djathtë. Në Hajber ato që triumfonin ishin brohoritjet “Allahu Ekber”! Hajberasve u ishin thyer të gjitha, krahë e këmbë, e nuk u kishte ngelur më gjë me se të luftonin. Megjithëse përpiqeshin të shkonin për t’u mbrojtur në kështjellat e tjera, po e shihnin se po u vinte fundi.

Plaçka e luftës që sigurohej me çdo fitore dhe skllevërit ishin të shumtë. Mirëpo luftëtarët nuk po dorëzoheshin ende.

Tanimë, me urdhrin e Allahut po përdorej edhe katapulta. Ky mjet që ishte përgatitur prej vetë hajberasve tanimë po i sulmonte. Saora një shigjetë kapi të Dërguarin e Allahut, duke i ngecur në rrobë. Ai mori një grusht dhe prej tokës dhe e hodhi në drejtim të hajberasve. Hajberasit u tronditën si prej një tërmeti, kështu që filluan të paloseshin përtokë njëri pas tjetrit.

U rrethuan edhe fiset e Uatihut dhe Sulalimit, duke bërë që tashmë të ishin marrë nën kontroll të gjithë hajberasit. Ata po e kuptonin se as që bëhej fjalë që të ishin ata fituesit, kështu që kishin filluar të merrnin vendimin për t’u dorëzuar.

Miqtë e rinj të Hajberit

Profeti ynë i nderuar kishte triumfuar edhe mbi Hajberin, kështu që ishte mjekuar edhe një tjetër çiban që e kërcënonte. Patjetër që çështja nuk përbëhej vetëm prej Hajberit; ata do të shtrëngonin edhe elementet e tjera që përbënin rrezik, e kështu do të ishin shmangur të gjitha rreziqet e mundshme që mund t’i preknin.

Pikërisht në ato çaste, pranë të Dërguarit të Allahut erdhu Xhaferi bashkë me emigruesit e tjerë të Etiopisë, që kishin ikur në kohën kur Meka shkumëzonte prej armiqësisë ndaj besimit. Nuk ishte e lehtë, kishin plot pesëmbëdhjetë vjet që nuk e shihnin njëri-tjetrin. Me ardhjen e e tyre atmosfera e Hajberit pati ndryshuar ndjeshëm, sepse ishte kthyer krejt në një atmosferë festive. Këmbët e Xhaferit të nderuar teksa shkonte pranë të Dërguarit të Allahut dukej sikur nuk preknin në tokë prej respektit dhe dashurisë së thellë që ndjente për Të.

- Vallahi nuk di për cilën të gëzohem! A të gëzohem për triumfin e Hajberit apo për ardhjen e Xhaferit, – thoshte Ai, dhe me këto fjalë tregonte se sa i gëzuar që ishte.

Bashkë me ta kishte ardhur edhe Ebu Musa Esh’ariu bashkë me pesëdhjetë myslimanë të tjerë. Ishin nisur prej Jemenit. Kur erdhi edhe Xhaferi i nderuar, ata vendosën të ktheheshin për në Medinë. Ata kishin kaluar në anën e Gadishullit Arabik pikërisht me anijet që u kishte vënë në dispozicion Nexhashiu.

Bashkë me ata që erdhën atë ditë në Hajber kishte edhe tetëdhjetë familje prej fisit të Deusit. Ishin bërë myslimanë e po vinin deri në Medinë, dhe pasi kishin falur namazin e sabahut nën prirjen e Siba ibni Urfutas, kishin mësuar se aty gjendej edhe i Dërguari i Allahut, dhe me emocionin që të takoheshin me Të sa më shpejt, ia kishin mbajtur për në Hajber. Bashkë me ta ishte edhe ai njeri që më vonë do të thirrej me emrin “Ebu Hurejre”, që ndryshe quhej Abdushems.

Hajberi po priste miqtë e rinj, andaj Resulullahu do t’u ndante atyre një pjesë të plaçkës së fituar në Hajber, duke mos i lënë pa gjë prej ndarjes që po bënte.

Largimi prej Hajberit

Tashmë çdo gjë kishte marrë fund në Hajber. Rrethimi kishte zgjatur plot dy muaj, dhe brenda këtij harku kohor kishin rënë gjithsej tetë dëshmorë, ndërsa nga ana e hajberasve ishin vrarë plot nëntëdhjetë e tre veta. Ishte muaji Xhemadijelahir. Meqë të gjitha ishin në rregull në Hajber, tashmë ishte koha për t’u larguar, kështu që Resulullahu (s.a.s.) bashkë me sahabët u larguan së andejmi.

Ishte drejtuar kah Medina që kishte kaq kohë që ishte larg saj dhe po përparonte pa parë se ç’ishte, natë apo ditë. Aq sa edhe gjatë netëve udhëtonte, vetëm me disa pushime tejet të shkurtra. Edhe sahabët u lodhën jashtëzakonisht shumë. Derisa në disa çaste të fundit të natës, bënë edhe një tjetër pushim. Profeti ynë i nderuar u kthye nga sahabët dhe i tha:

A nuk ka ndonjë njeri të mirë që të rrijë zgjuar e të na ngrejë për të falur namazin e sabahut? Nuk i dihet, na zë gjumi...

Të shtriheshe me gjithë këtë lodhje ishte shumë e vështirë të mund të zgjoheshe, kështu që i Dërguari i Allahut donte të merrte vetë disa masa ekstra, në mënyrë që të mos u ikte namazi i sabahut. I pari u hodh Bilali i nderuar:

O i Dërguari i Allahut! Ju ngre unë!

Bilali, i cili mori përsipër si vullnetar zgjimin e të gjithëve, për të ndenjur zgjuar vendosi që ta kalonte natën duke falur namaz. Iu drejtua Allahut dhe po falte namaze nafile. Vazhdoi për disa çaste, mirëpo koha ecte e po ia shfaqte edhe atij lodhjen e padurueshme. Për t’u çlodhur pak mendoi të mbështetej paksa pas devesë, dhe ashtu i mbështetur po priste që të vinte koha e faljes së namazit.

Kur u ngrit i Dërguari i Allahut i gjeti të gjithë sahabët duke fjetur. Rrezet e diellit kishin filluar t’u ngrohnin fytyrat, mirëpo ata nuk dukeshin se do të çoheshin, aq të lodhur sa ishin. Sytë i kërkuan Bilalin e nderuar; ai ishte mbështetur pas devesë, e ashtu ndenjur po flinte edhe ai.

Çfarë na bëre kështu more Bilal?! – i foli Ai.

Bilal Etiopasi u ngrit menjëherë prej zërit të kadifenjtë të të Dërguarit të Allahut, dhe pa se në fytyrën e të gjithëve fshihej mërzia e humbjes së një namazi. Si ishte e mundur që një besimtar ta kalonte kohën pa e falur namazin që i kishte urdhëruar Allahu (xh.xh.). Të gjithë ishin bërë një, dhe po ngacmonin Bilalin e nderuar, që nuk i kishte zgjuar për të falur namazin.

Ndërsa ata përpëliteshin në mërzi e sipër, kaderi kishte dhënë gjykimin e tij; Allahu i hapte myslimanëve porta mëshire edhe në humbjen e një namazi. Po i tregonte myslimanëve se ç’duhet të bënin në raste të tilla, kur të humbnin ndonjë kohë të namazit.

Kjo është një luginë ku shëtit djalli më së shumti, – tha Ai dhe dha urdhër që të lëviznin, dhe sakaq u larguan prej asaj lugine.

Në vendin ku u rivendosën, filluan të merrnin abdes, dhe Profeti i Njerëzimit i kërkoi Bilalit të thirrte ezanin. Edhe sahabët fisnikë morën abdes, dhe po përgatiteshin për t’u falur. Ai i kërkoi sahabëve që të falnin sunetin e namazit të sabahut.

Sakaq u formua sërish xhemati, dhe të gjithë filluan të falnin namazin e sabahut në prirjen e të Dërguarit të Allahut paqja qoftë mbi Të. Profeti i profetëve, me të mbaruar namazin, u kthye nga sahabët e Tij për t’i këshilluar:

Secili prej nesh është nën kontrollin e Allahut! Ai po të dojë na mban, po të dojë na lëshon. Dhe padyshim që Ai është ai që e meriton më së tepërmi. Andaj ju kur të harroni të falni namazin, me t’u kujtuar, faleni menjëherë! Sepse Allahu (xh.xh.) thotë: “Kryejeni namazin për të më kujtuar mua!”

Tashmë sahabët ishin të kapluar prej gëzimit të ngadhënjimit mbi Hajberin dhe prej lumturisë që do të ktheheshin në Medinën, prej së cilës ishin larguar prej kohësh, e që i kishte marrë malli pa masë.

Shënimet

  1. 264.Shih: Fetih, 48/20-1
  2. 265.Taberani, Muxhemu’l Kebir, 6/256; Hejthemiu, Mexhmau-Zeuaid, 2/160
  3. 266.Salihi, Subulu’l-Huda ue-Reshad, 5/155